Filmat kosovarë dëshmojnë për vlerat dhe talentin që kanë artistët nga Kosova

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka pritur në takim regjisoret Lendita Zeqiraj, Blerta Zeqiri dhe aktoren Aurita Agushi, protagoniste të filmave, të cilët janë kualifikuar për edicionin e 91-të të çmimeve të Akademisë – Oscar, e cila do të mbahet Los Angjelos të SHBA-së më 24 shkurt 2019.

Blerta Zeqiri me filmin e metrazhit të gjatë “Martesa”, Lendita Zeqiraj me filmin e metrazhit të shkurtër “Gardhi” dhe Aurita Agushi, aktorja kryesore në filmin “Ajo”, janë filma të cilët Qendra Kinematografike e Kosovës i ka përkrahur financiarisht.

Ministri Gashi u shpreh se ndjehet jashtëzakonisht i lumtur dhe krenar njëkohësisht që kreativiteti dhe produktiviteti i artistëve të Kosovës po vlerësohet ndërkombëtarisht. Kjo tregon se filmi në Kosovë tashmë ka krijuar një bazë dhe traditë të mirë për gjeneratat që vijnë pas.

“Tre filmat të cilët janë kualifikuar për Oscars rrugëtimin deri tek ky nivel e kanë siguruar duke fituar çmime të shumta prestigjioze nëpër festivale të shumta ndërkombëtare të filmit dhe kjo tregon për cilësinë dhe vlerat artistike që kanë këto projekte”, tha ministri.

“Pas suksesit të filmit ‘Shok’, tani vetëm sa e kemi rritur produktivitetin dhe kjo ka ardhur me rritjen e përkrahjes nga ana e ministrisë për Qendrën Kinematografike të Kosovës, gjë që e kemi paralajmëruar muaj më parë. Buxheti për QKK-në do të dyfishohet për përkrahjen e filmave”, është shprehur ministri Gashi duke thënë se Kosova posedon talente të jashtëzakonshëm si në prodhimin e filmave si dhe në realizimin e tyre.

Ndërkaq, mysafiret e falënderuan ministrinë për përkrahjen që po jep për industrinë e filmit në Kosovë në përgjithësi. Gjithashtu, ato u treguan mirënjohëse për angazhimin e ministrit Gashi në mbështetje dhe mirëkuptim për njerëzit dhe botën e filmit. /KultPlus.com

Kosova drejt garës për Oscars, fillon shfaqja e filmave

Qendra Kinematografike e Kosovës ende nuk ka dalë me diçka zyrtare sa i përket propozimit për filmat e metrazhit të gjatë, në kategori për çmimin për filmin më të mirë të huaj për Oscar, shkruan KultPlus.

Të drejtën e konkurrimit e kanë të gjithë filmat nga Kosova që janë shfaqur apo do të shfaqen për shtatë ditë rresht në kinematë e Kosovës, jo më larg se data 30 shtator 2017 dhe të cilët i plotësojnë kushtet e tjera të vëna nga “AcademyofMotion Picture ArtsandSciences”.

Deri më tani nuk kishte ndonjë film kosovar që ka filluar së shfaquri në kinema. Por këtë rrugëtim e ka filluar filmi “T’padashtun”, me regji të Edon Rizvanollit i cili do të shfaqet për një javë rresht në kinemanë Cineplexx në Prishtinë dhe në Dokukino në Prizren, duke na dhënë edhe një shenjë që ky film do të jetë pjesë e kësaj gare.

Një tjetër film që pritet t’i futet kësaj garë, është edhe filmi “Eho”, me regji të Dren Zherkës por që për shfaqjen e këtij filmi në kinema ende nuk ka diçka konkrete.

Pritet të shihet se cilët filma do t’i hyjnë kësaj gare dhe cili film do të përzgjidhet për të përfaqësuar Kosovën në Oscar. /KultPlus.com