Shijen e kafes nuk e kam harruar kurrë në jetën time, për atë kafe isha gati të merrja edhe një herë avionin

Flutura Açka

Vite më parë, gjatë një tranziti në Malpenza, piva një kafe ekspres të nxituar, shijen e së cilës nuk e kam harruar kurrë në jetën time. Për atë kafe isha gati të merrja edhe një herë avionin. Kur ia thashë këtë një mikut tim shkrimtar, mblodhi supet: “Për një kafe?”.

Ca muaj më vonë m’u desh ta bëj tranzitin sërish nga po ai aeroport dhe ndala te i njëjti qoshk me padurimin të shijoja kafen time. Por nuk ishte e njëjta, kishte shije të zbarët. Kështu që nuk do të më duhet të marr avionin për një kafe.

Unë nuk kisha pirë kafe, por gjendjen time. Dhe besoj kështu na ndodh të gjithëve, kafja shijon në varësi të vendit, njerëzit që na rrethojnë atë çast, ngjyrat ku janë ngulur sytë tanë, por mbi të gjitha gjendja brenda nesh.

Kur nuk jam në Shqipëri, ndonjërë më merr malli shumë për kafenë e zezë të mëngjeseve të mia në Tiranë, në shtëpi. E pi “të mesme pa pak”, pra mes të hidhurës dhe së mesmes. Vite më parë kur e porosisja kafen e zezë në ndonjë bar, kamerierëve u thosha se e doja “të mesme me pak” dhe pastaj ua bëja shpjegimin se ç’do të thoshte. Im bir e dëgjoi një ditë këtë përshkrim, pra se e dua gati të hidhur kafenë e zezë, dhe më tha: “Kjo që po kërkon është e mesme pa pak”. Nga ajo ditë edhe togfjalëshi që përkufizon kafenë time të mëngjesit ndryshoi.

Ndonjëherë, një miku im i vyer vjen të më takojë dhe ngaqë e di që kafet e mia të zeza, prej vitesh janë edhe më të zeza, më thotë: “Eja të pijmë një kafe bojëkafe”. Pasi edhe kafeja ndërron ngjyrë në varësi se me kë e pi. Kafeja ndonjëherë është zehereja, e ndonjëherë hareja.

Kur oficerët holandëzë të Misionit të Paqes 1913-14 mbërritën në Vlorë në mbrëmjen e 9 nëntorit 1913, u pritën me kafe te selia e Qeverisë së Përkohshme dhe pinë për herë të parë kafen e zezë, çast që e përshkruaj kështu, e bazuar në shënimet e tyre:

“Kur erdhi kafeja, zërat u fikën një çast dhe dikush u shpjegoi holandezëve se si pihej kjo lloj kafeje. Ja, lihej të kullohej pak dhe atë që mbetej, mund ta surboje si të qe eleksir. Sheqer po, pihej e ëmbël. Qumësht jo. Kjo është kafe e zezë dhe qumështi e njollos.”

Me një kafe turke po e nis javën. Të mbarë e paçi edhe ju, Miqtë e mi!/ KultPlus.com

Flutura Açka: Edhe i madh në qofsh, nuk je Zoti, atdheun mos e shih si tokë, si pallat si kompani

Shkrimtarja e njohur Flutura Açka është shprehur të jetë e lumtur për paralajmërimin e Festivalit RLIOF të Ramë Lahaj, që këtë vit po shënon edicionin e dytë në Prishtinë, e që tenorin Lahaj e vlerëson si një djalë të supertalentuar të trojeve shqiptare.

Mirëpo, duke u bazuar në zhurmën e fundit të zhvendosjes së festivalit “Sunny Hill” nga Prishtina në Tiranë, Açka si duket ka thumbuar këtë lëvizje të festivalit, duke thënë se atdheun nuk duhet parë si tokë, si pallat apo si kompani.

KultPlus ju sjell të plotë reagimin e Flutura Ackës.

Ramë Lahaj 👏👏

Ndiqeni këtë festival plot klas, të organizuar nga një djalë i supertalentuar i trojeve tona.

[Edhe i madh në qofsh, nuk je Zoti. Atdheun mos e shih si tokë, si pallat, si konçension, si kompani. Ai mund të t’i japë me bujari të gjitha, por në fund, në fundin e fundeve, do të të duhen vetëm dy metra të shtrihesh në paqe, mbi të gjitha, i shpërblyer në dashurinë për të. Ky nuk është patriotizëm i zbrazur, as ka lidhje me emra konkretë, por është materia e njerëzve të mëdhenj.] f.a./ KultPlus.com

Flutura Açka për romanin e Ag Apollonit: Një roman që i bën nder letërsisë shqipe

Flutura Açka e ka vlerësuar lart romanin e shkrimtarit Ag Apolloni, që i dedikohet gruas heroinë, Ferdonije Qerkezit. Açka këtë prurje të Apollonit e vlerëson si një roman që i bën nder letërsisë shqipe.

KultPlus e sjell të plotë vlerësimin e shkrimtares shqiptare për romanin “Një fije shprese, një fije shkrepëse”.

“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, romani ose dokuromani , siç parapëlqen ta quajë autori i tij, Ag Apolloni, është ndër veprat e fundit, në mos e fundit, që kam përgatitur si botuese e “Skanderbeg Books”. Nga tani e tutje, kolanat, veprat dhe autorët e tij, do t’i drejtojë dikush tjetër. Nga fati a nga valë që nuk e dimë se si na e drejtojnë fatin, jam e lumtur ta mbyll këtë ndërkohë të jetës sime me një autor kaq të talentuar sa Ag Apolloni.

“Një fije shprese, një fije shkrepëse”, i sapobotuar nga Skanderbeg Books, është botimi për Shqipëri i një prej romaneve më të bukur të shkruar për luftën e fundit në Kosovë. Ag Apolloni do të jetë përgjatë shtatorit në një takim me lexuesit në Shqipëri në një mbrëmje kushtuar letërsisë, kujtimeve, forcës së nënave që kanë humbur djemtë në luftë. Në sfondin e debateve të mëdha politike të kohës, romani merr një peshë edhe më të madhe, duke na kujtuar se çfarë na ka kushtuar Liria.

“Një fije shprese, nje fije shkrepëse”, tani në të gjitha libraritë e Shqipërisë. Çmimi 700 lekë.

Mos e lini pa lexuar, Miqtë e mi, nuk do të pendoheni!

Nga ballina e pasme:

[Nuk ndodh shpesh, por, ja, ndodh, që studiuesi i shquar i letërsisë të bëhet edhe krijues i shquar i letërsisë. Studiues i risive të letërsisë shqipe, Ag Apolloni, në romanin e tij të ri “Një fije shprese, një fije shkrepëse” u dëshmua krijues i shquar i letërsisë shqipe, u dëshmua shkrimtar i risive.]

REXHEP QOSJA

[Tani shtëpia e saj, nënë Ferdonijes, është një nga muzetë më të çuditshëm në botë, pasi është muzeu i mungesës. Të tjera nëna në Kosovën e pasluftës, të cilat kanë humbur të bijtë në beteja, mu si nëna Ferdonija, i kanë kthyer jetët e tyre në muze. Ecja e Pashkës si ecja e Demetrës dhe endja e Ferdonijes si endja e Niobës, në të martat dhe të shtunat e tyre epike tek përsëriten në pendulin tragjik të kohës, janë dëshmi të një fati që bota risjell tragjikisht. Ky tekst i Ag Apollonit, i shenjur si dokuroman, është ndër librat më të bukur të shkruar në shqip për luftën e fundit në Kosovë. Përtej dëshmisë dhe prapakthimeve që vijnë prej kujtimeve, është një rrëfim me intensitet të lartë shkrimor dhe estetikë të tillë që e bën tmerrin shtangës.]

FLUTURA AÇKA

[Romani i Ag Apollonit është njëkohësisht muze i të gjithë neve, ekspozitë artistike me tablo tmerri, dramë në vete, arkiv historik. Mbi të gjitha, është një vepër e jashtëzakonshme artistike.]

BLERIM SHALA

Fundjavë të mbarë, Miq!/ KultPlus.com

Kush lexon “Birin” e Flutura Açkës, jo vetëm që pasurohet me një Bir të pazakontë, por ndjehet Nënë edhe në mos qoftë

Mimoza Hysa

Përtej kësaj ndjeshmërie të skajshme që pulson dhimbje, lexuesi shijon për më tepër një rrëfim me një estetikë të epërme, trajtimin me një stil të zhdërvjellët të një lënde shumë dimensionale, të një historie me shtrirje të gjerë në kohë dhe hapësirë, madje hera-herës gëzon e argëtohet me personazhet në atë udhëtim të këtushëm e të përtejmë që rrok kultura, rite, zakone, botëkuptime, ide e njerëz interesantë.

Mbi të gjitha romani është një monument për dashurinë në të gjitha format e saj. Është një dhimbje e bukur, e veshur me dritë. Përtej kënaqësisë së leximit, është ndoshta dhe udhërrëfyesi më i plotë sesi mund të mirërritet, plasmohet, edukohet, kulturohet biri. Përgëzime shkrimtaresh për këtë vepër unike dhe nënës që i ka dhënë përmasë pasurie humbjes!

Faleminderit Flutnesh për çfarë na ke falur me zemërgjerësi e mençuri!/ KultPlus.com

Shkrimtarja Flutura Açka për aderimin në PD: Është bekimi më i madh

Shkrimtarja Flutura Açka do të jetë pjesë e Partisë Demokratike në zgjedhjet që do mbahen me 25 Prill në Shqipëri, shkruan KultPlus.

Këtë ajo e ka bërë të ditur nëpërmjet një postimi në Facebook, ku ndër të tjera ka shkruar se aderimi në këtë parti është një bekim i madh.

Më poshtë e gjeni postimin e saj të plotë.

E vërteta ime… edhe politike

Të dashur Miq,

Ju falenderoj të gjithëve, të njohur e të panjohur që më keni shkruar, i jam thellësisht mirënjohëse kujdesit tuaj!

Kanë kaluar vetëm pak ditë dhe kufiri i zërit tim publik është shtyrë në territoret e politikës. Mund të kishte ndodhur edhe e kundërta, pra që të tërhiqesha e të heshtja përgjithmonë e të merresha vetëm me botën e personazheve të mi. Ne po kalojmë një kohë quazi tiranish që erdhi e u malinjëzua ngadalë para syve tanë, e tillë, që jo vetëm na rrënoi ekononikisht, psikikisht, moralisht, por edhe na diskretitoi para botës së madhe. Nuk kam heshtur kurrë, e ngaqë nuk kam heshtur, nuk u ka mjaftuar balta për të më shtyrë të hesht, shpesh më kanë prekur edhe në gjëra të paprekshme, që ia kam besuar Zotit.

Kur më erdhi ftesa shumë serioze nga Partia Demokratike ndala një çast, dhe thirra zotat e së vërtetës që flenë brenda meje, dhe vendosa. Vendosa, sepse nuk doja të isha në gijotinën morale të asaj që Dante e ka thënë për të gjithë brezat e për të gjitha kohët, se “nuk ka qenie më të neveritshme se ai që ruan neutralitetin në kohë turbullsirash”. Unë nuk doja ta kisha këtë brerje, edhe pse e di që riskoj po aq të hedh mbi vete të njëjtën ndjesi që kam patur edhe vetë ndaj politikës së keqe. E përsëris, ndaj politikës së keqe dhe politikanëve të këqinj, pasi në parlamentin shqiptar kanë hyrë, kanë lënë gjurmë dhe kanë dalë me dinjitet një shpurë njërzish që kanë të gjithë nderimin shqiptarëve, edhe nderimin tim. Do të doja t’u ngjaja atyre.

Ftesa për konkurrimin për në Parlamentin Shqiptar më ka ardhur fare herët, qysh në orët e para të demokracisë, kur kam qenë një gazetare fare e re dhe shkruaja reportazhet e para të ndryshimit politik dhe rënien e diktaturës në njërën nga gazetat e para pluraliste “Fjala e lirë”. Por kurrë nuk e kam ndier veten të mjaftë për përgjegjësira të tilla, sepse e gjykoj si përgjegjësi shumë të madhe. Tani besoj se e kam pjekurinë të provoj të ruaj vetveten edhe në territore që i kam gjykuar deri dje.

Të kthehem si kandidate e PD në qytetin tim të lindjes, Elbasanin, është bekimi më i madh që mund të më ndodhte, sepse më rizgjoi arkitekturën e të gjithë atyre viteve jetë nëpër rrugët e tij, mes njerëve të tij të mrekullueshëm, të urtë e të shkolluar. Aty mësova hartën e vjetër të qytetit prej gjyshërve të mi, aty shkarravita fletët e para të ëndrrave që kisha drojë t’i rrëfeja. Kur u largova prej tij isha e bërë dhe jam kthyer e kthyer paprerë gjithë këto vite. Asgjë nuk synoj duke kërkuar ta përfaqësoj atë politikisht, vetëm të shpengohem nga gjërat që nuk kam mundur të bëj për të me pafuqinë time, që vjen nga të qenët vetëm. Politika është ‘industri’ që bëhet me shumë shokë, më së shumti idealistë. Politika është ‘art’ që të mundëson ta materializosh ëndrrën. Politika është ‘kosë’ ku mund t’i presësh virtytet kur ato i ke artificiale. Politika mund të të zgjojë veset, e t’u bësh dëm njerëzve.

Elbasani është një qytet i dashur, me histori të admirueshme të vjetër e të re, i dënuar nga diktatura me Metalurgjikun dhe nga demokracia vitet e fundit me dasmën e hidhur të bandave. Një qytet me një larmi magjepsëse, në kryqëzim të rrugëve e kohëve. “Darush shuara” (Vendi i poetëve) të dikurshëm, “Scampis”-i i shtegëtarëve të hershëm që ndalnin në dy stacionet e tij të rrugës Egnatia, qyteti i nëntëqind tregtoreve e 57 selvive të Namazgjasë, Elbasani ku po të ecje rrugëve të tij të dukej vetja sikur vallëzoje me engjëjt e parajsës, siç thotë Çelebi në kronikat e tij, i paqtë si në asnjë qytet tjetër, vendi ku harmonia fetare ka veshulli njerëzore. E tillë jam edhe vetë dhe e bërë kështu edhe prej tij; mbase ndonjëherë tjetër do ta rrëfej gjatë këtë vetvete: përzierje vendesh, ndjesish, fesh, hobesh, fobish, që nuk kam ku t’i paqtoj askund tjetër, veç në Elbasan. Romani “Ku je?” nuk paskësh qenë nderimi i vetëm ndaj tij. Po shkoj në Elbasan e të kërkoj besimin e qytetarëve të tij si kandidate në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 25 Prillit, mu për këtë vazhdim…

Elbasani nesër ka festën e vet, Ditën e Verës, të cilën tani ia ka falur gjithë Shqipërisë.

Verë të bukur paçi përpara Miq, por natyrisht pas Pranverës së Ndryshimit!/ KultPlus.com

Atdheu

Poezi nga Flutura Açka

Nga të erdh’ ky fat, kjo lukuni me zuzarë,

Kjo çetë “patriotë” që shpirtin ta kanë çarë,

I kqyrim ne, dhe presim, të vijë erë e mbarë,

E plagëve u bëjmë foto, trupit tënd të vrarë!/ KultPlus.com

E paBir

Shkruan Flutura Açka

Im bir është një vizitor i çuditshëm në shtëpinë time tani, edhe në ëndrrën time ku rrallë ka banuar njeri, ai zotëron të gjitha hapësirat. Të pafundme. Kthimi i tij nga banor në vizitor të trojeve të mia, e ka mprehur kujdesin tim për ajrin që lëviz, për zhurmën e hapave të tij, për tingujt e fjalëve që thotë, për çdo tik a njojmë të buzëqeshjes së tij. Ai është një gjithçka që dikur e njihja me aq imtësi , tani mund t’ia vizatoj portretin symbyllas.

Ardhja e tij nuk kërkon përgatitje, nuk ka trokitje, heqje këpucësh, nxitim për festën e mirëseradhjes, këshilla rutinë prindi për kujdes – ai ikën siç vjen.

Nuk ka ditënata, ka vetëm kohë.

Në të vërtetë nuk ikën ai, por ndërgjegjja ime e thithur prej gjumit, dhe besoj se mu në çastin e ikjes sime mendore, ai zë e përgjon fjetjen time dhe shpesh kapërcen paretin e dremitjes e më vjen në ëndrra, si ta ketë marrë malli më shumë se netëve të tjera për mua, sikur gjumi im të ketë zgjatur me tepri.

Një vizitor i përminutshëm dhe i përsekondshëm është Ai.

Koha ime është Ai.

Këto mund të jenë ndjesi të pakapshme për njerëz që nuk e njohin dramën e humbjes së fëmijës dhe besoj është e vështirë ta kuptosh një narrativë të tillë në kushte normale, të një jete në jerm si e imja dhe si e të gjithë prindërve, të cilët në çastin fatal kthehen në jetimët e fëmijëve të tyre./ KultPlus.com

Flutura Açka promovon sonte librin “Biri” në KultPlus Caffe Gallery

Flutura Açka ka zgjedhur KultPlus Caffe Gallery që të promovojë librin e saj më të ri “Biri”, e që po konsiderohet si libri më i bujshëm i këtyre ditëve.

Përgjatë kësaj mbrëmje do të zhvillohet edhe një bisedë me shkrimtaren Flutura Açka, e cila edhe do të nënshkruajë autografet për të pranishmit.

Flutura Açka: Pyetjes së një gazetareje se a ndihesha më e qetë pas botimit të librit tim “Biri”, i thashë po, jam më e qetë. Tani e kuptoj se në çfarë bote të mjegullt kam ecur duke e shkruar këtë libër.

Promovimi i këtij libri mbahet sonte, në ora 18:00 në KultPlus Caffe Gallery.

Kjo mbrëmje kulturore mbështetet nga Komuna e Prishtinës, në kuadër të subvencioneve vjetore për fushën e kulturës.

Ngjarje organizohet në bazë të rekomandimeve nga Qendra Operative e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shtabi i Prishtinës për menaxhimin e çështjeve që ndërlidhen me pandeminë. / KultPlus.com

Flutura Açka paralajmëron librin më të ri ‘Biri’, një histori përtej personales

Shkrimtarja shqiptare, Flutura Açka, ka paralajmëruar librin e saj më të ri që mban titullin ‘Biri’, shkruan KultPlus.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë shkrimtarja përmes një statusi në llogarinë e saj në Facebook, ku ka njoftuar lexuesit se publikimi i librit pritet të ndodhë përgjatë muajit shtator.

”Me muaj, në përpjekje t’i shmangesha dramës sime, u ula në tekstet e romaneve që kisha nisur, por nuk ia dola dot. Unë kisha një histori për të treguar: personale dhe përtej personales. Sepse ishte për Birin, për qenien që më mësoi si të vazhdoj edhe pa të”, është shprehur tutje shkrimtarja.

Djali i shkrimtares, Jerin van den Brink, ndërroi jetë në moshën 18 vjeçare pas një sëmundjeje shumë të rëndë.

Flutura Açka lindi në qytetin e Elbasanit, më 1966. Është shkrimtare dhe botuese shqiptare. Është diplomuar për Statistikë në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës më 1988 dhe për Gjuhë-Letërsi më 2001 në Universitetin e Elbasanit. Pas studimeve universitare, punoi për disa vite si gazetare dhe më pas administratore dhe redaktore e botimeve në shtëpi botuese. Më 2001, bashkë me të shoqin e saj holandez, ngriti shtëpinë e saj botuese me qendër në Tiranë.

Flutura Açka është shumë e njohur me poezinë e saj. Në vitin 1997 ajo mori çmimin ndërkombëtar “Lira e Strugës” në Netët e Poezisë Strugane ku e ka përfaqësuar poezinë shqipe për disa vite. Në vitin 1998 u zgjodh ndër 13 poetët më të mirë evropianë të gjeneratës së re në konkurrimin për çmimin e madh Tivoli-Europa në Itali. Përfaqësohet me poezitë e saj në pjesën më të madhe të antologjive të poezisë shqipe në gjuhë të huaj dhe poezi dhe cikle të saj janë botuar në shumë gjuhë.

Edhe proza e saj po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje, edhe jashtë vendit. Romani i saj Vetmi gruaje është përkthyer në gjuhen bullgare nga Viktor Genkov. / KultPlus.com

Flutura Açka: Ka arritur deri aty se ke frikë të thuash që jam shqiptar (VIDEO)

E ftuar në një emision të Ora News, Flutura Açka, ka rrëfyer për një histori personale, ku ndër të tjerash ka treguar se ka ardhur deri në një pikë ku ndjehet e frikësuar të tregoj se është shqiptare.

Ajo poashtu është shprehur se imazhi që të tjerët kanë për Shqipërinë apo shqiptarët, kryesisht ka të bëjë me mafian.

”Ka arritur deri aty se ke frikë të thuash që jam shqiptar, besoj tek një shqipëri e nesërme”, ka deklaruar ajo.

Më poshtë mund të shikoni deklaratën e plotë të Açkës. / KultPlus.com

Flutura Açka: Ka arritur deri aty se ke frikë të thuash që jam shqiptar, besoj tek një shqipëri e nesërme!

Flutura Açka: Ka arritur deri aty se ke frikë të thuash që jam shqiptar!Ndiqni emisionin e plotë në youtube duke klikuar këtu : https://youtu.be/O5M5yPJVvJs

Gepostet von Ora News am Donnerstag, 27. August 2020

Flutura Açka për vdekjen e Moikom Zeqos: Sot, të gjithë jemi gdhirë më të varfër

Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo ka ndërruar jetë sot në mëngjes, në moshën 71-vjeçare, duke humbur kështu betejën me sëmundjen e rëndë, nga e cila vuante prej disa vitesh. Vdekja e tij ka lënë të pikëlluar të gjithë ata që e njohën, shkruan KultPlus.

Shkrimtarja Flutura Açka, përmes një statusi në Facebook ka shprehur dhimbjen e saj për humbjen e Zeqos e ku statusi t ja ka bashkangjitur edhe poezinë “Ka një mrekulli të vdekjes” të Moikom Zeqos.

“Sot, të gjithë jemi gdhirë më të varfër

Pusho në paqe, Moikom! Ti mendje brilante.

Një i urtë i patëdytë, që i bëri shërbimin kombit deri në fund, ndër të paktët që nuk kërkoi kurrë, që dha shumë dhe që do t’i mbetemi borxh po aq shumë…

Një nga intervistat e tij të fundit e dha ne sallën e Teatrit Kombëtar, pak javë para shembjes.

Poezi e Moikom Zeqos:

Ka një mrekulli të vdekjes

Ka një mrekulli të vdekjes të sakte si ligjet
kur trupat tanë do të shpërbëhen në elemente
të natyrës,
ndoshta do të takohemi si ujëra nëntokësore,
si humus e kripëra te rrënjët e një bime,
që ajo të lulëzojë e të hapi petale
e të mahnitë gjithçka me bukurinë anonime.
Do të na lulëzojë eshtrat…
Ajme! Po shpirtrat vallë?
Si krijesa ajri do të enden nëpër re,
përherë të dy ndarë dhe asnjëherë një!” / KultPlus.com

Açka: Agron Tufa, ne jemi mësuar ta përzëmë me shkelma “Mendjen” nga Shqipëria

Liria dhe AntiLiria e Agronit

Gjatë ditëve të panairit të Librit, me Agronin na u desh të shkonim në promovimin e një autoreje të re shqiptare. Me qetësinë e tij, me një kujdes të admirueshëm profesional, Agron Tufa i bëri një analizë të hollësishme librit poetik që na kishe mbledhur, e tillë, që nuk mund të ishte e një njeriu që ishte në nxitim e sipër për të ikur.

Ajo ishte edhe hera e radhës kur u rrokëm përqafe, por jo e fundit. Ne e përzumë Agronin me heshtjen tonë. Tani po flasin shumë, dhe mirë bëjnë, por kur Agroni kërcënohej, fyhej, poshtërohej nga po ata njerëz që nuk kursejnë askënd, nga po ato puseta me imunitet shtetëror shpesh, ku ishim ne? Agron i dashur, bëre shumë mirë, ne jemi mësuar ta përzëmë me shkelma “Mendjen” nga Shqipëria. Europa është atdheu i Lirisë, Shqipërinë më parë duhet ta pastrojmë nga AntiLiria, por kur?/KultPlus.com


Flutura Açka: Arjola Demiri, më ka prekur shumë ky interpretim i shkëlqyer i poezisë sime (VIDEO)

Flutura Açka

Më ka prekur shumë ky interpretim i shkëlqyer i poezisë sime “Roja i dritës” i aktores Arjola Demiri, e cila hapi homazhin ndaj viktimava të tërmetit të 26 nëntorit me thirrjen “Jemi një” të trupës së Portokallisë mbrëmjen e djeshme. Ndjehem e nderuar që kjo trupë e zgjodhi këtë poezi, nuk do të kisha gjetur mënyrën më të mirë kushtimi për të gjithë jetët e humbura, për Dijenën dhe vajzën e saj 8-vjeçare, historia e së cilës më ka tronditur, të djalit 17-vjeçar që fjalën e parë që tha kur doli nga rrënojat, ishte klithma “Dua mamin!”, për familien gati të shkuar Lala, për buzëqeshjen e fundit të të riut që rezistoi 16 orë nën rrënoja, hijeshi që më kujton buzëqeshjen e fundit të tim Biri. Megjithë ndjesën e Xhemit dhe Salsanos për përdorimin pa lejë të saj, ajo poezi nuk është më e imja. Nëse shëron sado pak, ajo është ectë gjithëve.


Faleminderit Portokalli dhe Top Channel që më bëri pjesë të këtij homazhi njerëzor të dhimshëm, por ende me dritë e shpresë.
Faleminderit Arjola Demiri, të jam tejet mirënjohëse, edhe pse kjo poezi është kripë mbi plagën time, mbi plagët tona./KultPlus.com

Sarkazmë mbi gërmadha

Nga Flutura Açka

30 sekonda tërmet na i shkokluan 30 vjet jetë dhe shpresë për shtet. Akullorja me duar të pastra që ndërtoi një Durrës të frikshëm, do të bëjë një jetë perandorësh mbi frymët e 50 vetëve nën rrënoja, dhe mbi germadhat e miliona e milionat e kursimeve të shqiptarëve të mbetur nën qiell të hapur. I njëjti njeri që ndërtoi një Tiranë po aq të frikshme, do të rindërtojë Durrësin, madje ka thirrur edhe Opozitën të bëjë pjesë në komitetin e rindërtimit, në një si “biçim” marrëveshje si e 17 majit, që do ta zgjasë edhe më agoninë e shqiptarëve. Si mund të presësh transparencë mbi rrënoja nga institucione që kurrë nuk e bënë në kushte normale?
Por kjo nuk mjafton, mbi gërmadha teatri i strehimit të të mjerëve në hotelet me 5 yje, është aq sarkastik, aq i përshtirë, sa tronditesh. Të varfër që do të ishin përzënë po të shfaqeshin atypari në hollet e hoteleve me 5 yje, pasi varfëria e veshjeve të tyre bënte konflikt me luksin e këtyre hoteleve – që më së shumti kanë orgjira pushtetarësh në historikun e tyre – sot më ne fund do të kenë fatin të shijojnë pak nga luksi i të tjerëve. Shih, çdo e keqe e ka një të mirë! Po i provoni më në fund hotelet me 5 yje që deri më sot vetëm i keni ëndërruar.
Këtë sarkamë njerëzit e pushtetit duhet t’ua kursejnë shqiptarëve, në emër të një sensi human në shpirtin e tyre, sot duhet të jenë më të kujdesshëm. Të pakten sot!
Jo vetëm ata, por edhe klerikët shqiptarë, që nuk po lënë ekran pa dalë. Zoti është aq modest, sa nuk mund të pranojë as qurravitjen e tyre nëpër ekane, as krekosjen e tyre plot bujë. Zoti nuk ka nevojë për kamera, se sheh vetë, ndaj respektojeni mjerimin dhe fatin e shqiptarëve të pastrehë e të pabukë sot, siç do të donte dhe siç ju mëson ai, me modesti! / KultPlus.com

Mos dashuro kurrë një burrë që po vdes

Courtney Elizabeth Macaulay

Kurrë mos dashuro një burrë që po vdes.
S’duhet me e ba.

Mos e tako të përngjashmin shpirt,
veçmas at’ që s’mundet,
gëzim me t’dhanë.

Mos dizenjo kusheçfarë t’ardhme.
As plane lypen me të.

Mos e shko kohën n’vetmi.
As vitet në heshtje me i lanë.
Mos u pendo se duhej
të dëgjoje ma shumë,
e të flisje ma pak.

Kurrë mos e bëj mik
një burrë që po vdes.
Sepse ai po vdes
e ti nuk mundesh me e rujt.

E do të kthehesh në kafshë e plaguar,
n’tërbim,
rezistencë e kotë,
ndaj botës së rrënuar.

Mos ia jep shpirtin
një burri që po vdes,
Drita e tij do të feksë
edhe më e shndritshme;
Bukuria e tij do të jetë
krejt e pastër;
Mendja e tij do të jetë
aq e shtypëse;
E mirësia e tij ka me qenë
veç përunjëse.

Po re n’dashni,
me burrin që po vdes,
ai ka me vdekë.

Mungesa e tij ka me mbushë,
botën përjetë.

Dhe ti
nuk do ta ndalësh ma,
vajin.

Flutura Açka tregon për ndjekësit e saj nw facebook, për poezinë “Mos dashuro kurrë një burrë që po vdes”, e cila shpjegon se kjo poezi është shkruar nga poetesha e re afrikanojugore, Courtney Elizabeth Macaulay, e cila, sipas Açkës, ajo ka ndarë me ditët më të vështira të jetës së familjes së Açkës. . “Poezinë e ka shkruar në ato orë që ndaheshim nga djali ynë, Jerin van den Brink”, ka shkruar Açka. Më poshtë e keni reagimin e plotë të Açkës.

Poezia “Mos dashuro kurrë një burrë që po vdes”, është shkruar nga mikesha e ngushtë e tim Biri, poetesha e re afrikanojugore, Courtney Elizabeth Macaulay, e cila ndau me ne në Utrecht të Holandës, ditët më të vështira të jetës sonë. Poezinë e ka shkruar në ato orë që ndaheshim nga djali ynë, Jerin van den Brink. Qysh në çastin që e kam takuar për herë të parë, një ditë të nxehtë në fundin e dhjetorit të vitit 2012 në Cape Town, kur ajo më zgjati një tufë poezish të saj, kam menduar se po takoja një Ingrid Jonker të re, poeteshën e mrekullueshme afrikanojugore, poezitë e së cilës më kishin magjepsur përherë. Ky përngjasim m’u bë edhe më i fortë gjatë viteve. Në shenjë të mirënjohjes së thellë ndaj saj, e kam përfshirë poezinë e saj në vëllimin tim “Roja i dritës” në përkthimin tim në shqip, me urimin që një ditë ajo do ta thyejë drojën e pasigurisë e t’i sjellë Afrikës së Jugut, mbase edhe lexuesve të poezisë, kudo që të jenë ata, një Ingrid Jonker të re.
Në udhëtimin tim të gjatë disajavor këtë vjeshtë në Rusi, një udhëtim të planifikuar me tim Bir kohë më parë dhe që po ia kushtoj atij, u takova në Shën Petërburg sërish me Courtney – e cila tani është edhe Bija ime. Ajo jeton në një qytet rus në rrëzë të Uraleve, pasi për të bardhë si ajo, Afrika e Jugut nuk është më aq bujare. Ajo më dhuroi këtë libër, i cili, siç shënon ajo, ka frymëzuar George Orwell të shkruajë romanin epokal “1984”, një libër që ia kam dhuruar dikur tim Biri dhe që bashkë me “Ferma e kafshëve” e frymëzoi për një ese. Këtë libër që më dhuroi Courtney, do ta lexoj sot në emër të tim Biri, ai do ta kishte mbaruar po sot. /KultPlus.com

Flutura Açka për fitoren e Arba Kokalarit në PE: Të ishte këtu do e kishim “shqyer”, do ishte një zyrtare e rëndomtë

Sikur Arba Kokalari ta shihte korin e duartrokitësve politikë

Shqiptarët e thjeshtë kanë gjithë të drejtën të krenohen për bijën e tyre, Arba Kokalarin. Por entuziazmi i tepruar, nuk na shkon aq shumë, veçmas po të shqyrtosh hollë sikur kjo vajzë fantastike të ishte mes nesh. T’i themi gjërat siç janë, miqtë e mi, ne do ta kishim “shqyer” Arbën, do ta kishim, cunguar, do ta kishim asfiksuar. Po të ishte ekonomiste, edhe sikur këshilltare e ekonomisë të qe, ne do ta kishim hedhur në një cep, do ta kishim bërë një zyrtare të rëndomtë, sepse për këshillat e saj cili ministër do të qe duke pritur?

Po të ishte mësuese, një drejtor idiot shkolle do ta thërriste një ditë në zyrën e tij me suva të rënë dhe do ta pyeste se cilën parti simpatizonte? Kur ajo t’i thoshte se nuk simpatizonte asnjërën dhe nuk mbante anë, ai do të këmbëngulte se ajo duhet me patjetër të mbante anë, ç’ishte kjo mësuese pa anë kështu, do të habitej drejtori partiak. Po të ishte mjeke, Arba jonë e dashur do të skuqej nga turpi kur t’i afrohej pacientit të saj dhe t’i thoste se në farmacinë e spitalit mundonte aksh medikament, dhe se, edhe pse veshjet e tij i rrëfenin se sa i varfër qe, ajo prapë do të këmbëngulte se ai duhet ta blente diku jashtë, mu te farmacia përballë, që një Zot e dinte se si e kishte atë medikament që i mungonte spitaleve shqiptare.

Sikur Arba të qe politikane, aq e hijshme që është, siç janë gratë shqiptare në përgjithësi, qeniet më të emancipuara të kësaj shoqërie, gjëja e parë që do të ndeshte ishte “të lypurit” e paturp, ose të rafinuar, e më pas të shihte fotot e saj nëpër tabloide se si ishte veshur atë ditë enjte kur të hynte në parlament (ditë feste kombëtare tani), a thua se Arba ishte në ndonjë pasarelë. Askush nuk do të merrej me mendjen brilante të Arbës, me idetë e saj politike, që mund të ndikonin në fatin e këtij populli, të cilit mendja vetëm i ikën dhe i ikën përditë nga sytë këmbët. Tani ka filluar t’i ikë edhe trupi. E vetmja gjë që po i mbet janë “të paturpshmit” dhe ngrehinat e fshatrat me mure të lartë e derë të mbyllur, ku fshehin luksin më së shumti hajdutët me pushtet (që u bënë të mbipasur për tridhjetë vjet), fshatra që nuk i gjen kund në Europë (edhe pse atje ka të pasur në mbi treqind vjet).

Sikur Arba të qe këtu, do të kërkonte së pari një gjë fare të thjeshtë: një ndjesë të thellë për kalvarin e Musine Kokalarit, por nuk do ta merrte kurrë. Sikur Arba të qe këtu, do ta shihte se si hapen çdo ditë faqet e para të gazetave me intervista të eksponentëve të diktaturës, se si krekoset dhe trash zërin ish-ministri i diktaturës si folës parlamenti, se si përfaqësuesi më i lartë i popullit i sheh ditën për diell hajdutët që i rriti vetë me frymën e tij puniste se si e rrjepin popullin, dhe i duartroket dhe i mbron dhe i voton dhe i promovon me qejfin e madh se i kanë derdhur edhe atij ca nga rinia e tyre. Sikur Arba të shihte se si është katandisur shteti, se si u hidhet gaz qytetarëve nëpër shtëpira dhe fëmijët helmohen në pikë të mëngjesit dhe një zonjëzë e quajtur Avokate e Popullit as e di që i është hemuar populli, dhe as ka hapur ndonjë çështje për këtë çështje.

E të shihte pastaj se si nuk ka as gjykatë, as institucione, një ministri rendi që i bijnë ministrat si rrënjë kanabisi në fund zezoni, se çfarë shteti gargarel është, ku një pjesë e Opozitës është edhe Presidencë, edhe “pak” qeveri, edhe Opozitë. Se si Opozita shan përditë me të drejtë Kryeministrin, por nuk thotë asnjë fjalë për kryeministrat në tentative, që e kanë bërë kryeqytetin shqiptare dhe gjithë Shqipërinë të pajetueshme. Sikur Arba ta shihte se në teatër nuk shkon dot, se e kanë kyçur, se në kinema nuk shkon dot se ka vetëm filma aksion, që të shiten kartat dhe dekoderat e miqve, sikur të shihte katandinë e Televizionit Publik Shqiptar se si ha si lubi paratë e shqiparëve dhe jep vetëm programe mediokre, që të mund të shiten programet e privatëve, apo të kërkonte ta nxirrte fëmijën poshtë pallatit, nuk do të mundte dot, sepse çdo shesh të vogël e të madh e ka zënë një pallat i ri që ua zë zytë përditë shqiptarëve, dhe sikur të gjendej në trafikun e Tiranës do t’i dilte shpirti duke u vërtitur pafund nëpër të, nëpër trafik që askush, por askush deri tani, nuk e ka llogaritur se sa kohë, energji, para, humbim çdo ditë shqiptarët, vetëm prej kapriçiove të krerëve të krekosur rajonalë. Le pastaj të dilte te sheshi që na bën aq krenar me çmimet ndërkombëtare, që nuk ka asnjë dritë të vetme natën dhe asnjë hije ditën nën diellin mesdhetar.

Kur Arba të vijë në Shqipëri, do të bëjë mirë t’i shmangë sa më shumë politkanët shqiptarë, të cilët prej saj do të duan vetëm një foto, të mbjellë një pemë, a të pranojë një dekoratë, për arsye se ajo na e kanë ndritur emrin e Shqipërisë (pavarësisht se jo prej ndihmës sonë bujare), kur Arba të ulet në Parlamentit Europian, të mendojë për shqiptarin e thjeshtë, i cili është shumë, por shumë më shumë europian se politika e tij. Shembulli është Arba vetë.

Flutura Açka: Shtëpia e rrënuar e Gjergj Fishtës është turpi ynë

Shkrimtarja Flutura Açka ka reaguar sot në lidhje me shtëpinë e At Gjergj Fishtës e cila ndodhet në gjendje të rëndë dhe po shkon drejt rrënimit. Sipas Açkës kjo shtëpi është turpi ynë, përcjellë KultPlus.

Më poshtë po ju sjellim reagimin e plotë të Açkës:

Kjo është shtëpia e Fishtës sot. Nuk di në ka ndonjë monument kulture më të rëndësishëm se ky. Nga vrapi për të përjetësuar socrealizmin, u shkujdesëm për lëndën që na përbën, mes kësaj edhe Fishta. Kjo shtëpi e rrënuar është turpi ynë, edhe turpi im që nuk protestoj për të përditë. Dy letra i shkroi Musolinit për ta ndihmuar për t’iu botuar vepra, dhe me dekada u fshi nga kujtesa. Edhe për klosetët e banjove kujdesej partia për socrealistët, dhe janë në të gjitha leximet shkollore e jashtëshkollore, për të thënë më të paktën. Nuk po them t’i fshijmë edhe ata, por t’u vemë rend gjërave. Edhe një bust që është vënë në oborr, emri i mecenatit është po aq i madh sa i Fishtës. Megjithë respektin që kam për donatorin si një patriot, bujar dhe njeri mjaft i respektueshëm, me pllakën e emrit të tij duhej të ishte treguar më i kursyer, dhe më modest në emrin e tij pranë Fishtës. Thonë, me të dëgjuar e kam, se në fillim të të 90-tave u miratua një fond bujar shtetëror për Fishtën, por një Zot e di ku shkoi. Me të ishte ndrequr me kohë dhe kjo shtëpi. Mbase gazetarë investigativë, do të dinë t’i japin përgjigjen e duhur kësaj enigme. Deri atëherë, pra deri kur Fishta të trajtohet dinjitetshëm, ne do ta hamë me bukë turpin për dhunimin që po i bëjmë historisë.  /KultPlus.com

Flutra Açka: Mesazhet e tim Biri, që shpesh janë zanore, nuk guxoj t’i fshij

Shpesh, edhe pse kanë kaluar nëntë muaj që duken veç nënë çaste nga ikja e tim Biri, marr mesazhe të ndjera nga prindër, veçanërisht nëna, që kanë humbur fëmijët e tyre të shtrenjtë. Fjalët e tyre janë pak a shumë të njëjta me ndjesitë e mia, çfarëdo që t’u them unë për t’i ngushëlluar, ata e ndiejnë se edhe unë vetë jam njëherësh njeriu që ka nevojë për fjalë ngushëlluese. Si të jetë një telefonatë me erën që përcjell edhe tingullin e mallit tonë, pas “bisedës” sonë të largët virtuale, është e sigurtë që ne ndjehemi më të qetë, pasi i kemi bërë më të afërt në kohë bijat e bijtë tanë, madje edhe sikur kemi folur me ata vetë. Sikur të mblidhja gjithçka nga ndjesitë e tyre, fjalët dhe peshën e zisë së tretur tashmë në gjakun, në pejzat, në limfën, në kozmosin e ëndrrave dhe fuqinë e lutjeve të tyre, pra sikur të mundja ta bëja një të gjithën çfarë ndodh me biologjinë e tyre njërëzore, pesha e asaj përbërjeje do të ishte sa vetë bota. 

Secili ka formën e tij të zisë, unë kam timen. Ka prindër që ruajnë gjithçka, edhe unë kam ruajtur deri tani gjithçka. Ka të tjerë që druhen t’i hapin albumet; unë i shoh çdo ditë, edhe videot ku im Bir qesh me gjithë shpirt, siç ishte mësuar të qeshte me gjithë gjoksin e tij gurgullues. Të tjerë prindër përgjojnë telefonat, madje edhe natën për ndonjë sinjal që mund të vijë nga përtejjeta, ka mes tyre që besojnë se u vijnë mesazhe; unë e kam mbyllur telefonin e tim Biri, por mesazhet, që shpesh janë zanore, nuk guxoj t’i fshij. Të tjerë e të tjerë kanë të tjera e të tjera forma. Ka nga ata që e lenë në mes durimin, të tjerë që janë zemëruar me botën; unë kam dhënë fjalën të vazhdoj. Ka të tjerë që kanë ndjenjë faji, që nuk i mbrojtën dot; unë kam ndjenjë e brerjes që çasti më gjeti të helmuar dhe nuk e kuptova sa duhet ikjen. Ose ky është thjesht mospranimi që do të na ndjekë deri në çastin e fundit. Ti je e fortë, më thonë shpesh, sepse unë u lë të shohin zhgunin e së fortës tek unë. Unë jam nëna, them në një varg timin, dhe kaq mjafton të bësh shpjegimin e thjeshtë të lëndës sime njerëzore. 

Secili prej nesh, sipas një ligji të pazbuluar të inercisë së zisë, ka nevojë të flasë, t’ia dëgjojë zërin bijës a birit, t’ia dijë ëndrrat, të dijë nëse i dhemb diçka, a ka zënë shokë të rinj, a ka uri? Në këtë jerm njerëzor nuk ka asgjë prej të tranuarish, asgjë që mund ta quash jonormale, asgjë të dyshimtë për ta quajtur sëmundje. Është vetëm malli, që merr format nga më të çuditshmet në koshiencën dhe subkoshiencën tonë prindësore. Nuk na duhet, në të vërtetë, asgjë më shumë se një telefon që të mund t’ia dëgjojmë zërin bijtë tanë, të njëjta me ato që bëjmë në vetminë tonë të pafjalë, siç bëjnë vërtet tani diku në një cep të Japonisë së largët.

Sa herë më vjen një mesazh i ri, sjell në mend “telefonin e erës”, atë telefonin e vjetër të zi në një kabinë të bardhë në një kopsht të bukur në një cep shkëmbor përballë Paqësorit në Otsuchi të Japonisë. Atë e ka ndërtuar për t’i shpëtuar pikëllimit, dizenjuesi Itaru Sasaki, tani në të shtatëdhjetat e tij. Dikur ai humbi nipin e tij nga kanceri dhe qysh prej asaj kohe, “Kaze no Denwa” (telefoni i erës), siç ia vuri ai emrin mrekullisë që ndërtoi, i shërbeu ta mbante në këmbë gjatë zisë së tij të thellë. Telefoni magjik mes kallamishteve, panjave, shkurreve të spireas dhe një peme kivi, në shtegun mes gurëve e në kabinën e bardhë me çati të gjelbër, që rrihet nga erërat e Paqësorit, është sendi që i lidh me heshtjen me mijëra japonezë. Atje ëndërroj të shkoj kur më kap zia e thellë e kur dita më duket natë e nata e thellë si vdekja. Telefoni atje është i rëndë dhe kablli i tij është i mbështjellë, pra çdokush mund ta shohë se filli nuk është i lidhur dhe komunikon me asgjënë, bri tij ka një libër ku mund të shkruash ndonjë mesazh, nëse ke ndonjë gjë për të thënë pas asaj telefonate magjike aty.

Ishte një gazetar kureshtar që e pikasi i pari vite më parë kabinën në kopshtin e bukur. Për shkak të lartësisë mbi shkëmb, vala e lartë e cunamit të 11 marsit të vitit 2011 e kurseu kopshtin, por jo mbi 15 mijë japonezët të përfshirë nga tmerri i ujit. Nga ajo kohë, kjo kabinë është pjesë e paqes shpirtërore e mijëra njerëzve, që vijnë aty të flasin me të munguarit. 
Edhe dje, edhe një ditë më parë se dje, më erdhi një mesazh nga një prind në zi. Sikur të kisha mundësi ta ndërtoja një kabinë të tillë në një shkrep të bregdetit shqiptar për këta prindër, edhe për veten, do ta kisha bërë. Humbja e fëmijës është i vetmi rast kur shprehja “being-unto-death” e Heideggerit nuk bën sens, pasi murin e zisë së ndërtuar përreth shpirtit, nuk e trand asnjë lloj cunami a rrëmeti. Por, një telefon i tillë për të komunikuar me erën, me eterin dhe të padukshme, do ta kisha vendosur diku në ndonjë vend të paqtë për veten dhe ata që ndiejnë si unë.

Tiranë, 5 shkurt 2019

Unë jam studenti. Unë jam Liria

Flutura Açka

Kur çast i mbramë thërret e lëshon za,
Se lëngon e kërrusur, shqyer Shqipëria,
Zgjohem nga mpirja, ec botën n’këmbë.
Unë jam studenti. Unë jam Liria.

N’sarkazëm më tallin pushtë e langonj,
Dhe Atdheun ku ku, në kurth pabesia,
Rininë kam armë, frymën mburojë.
Unë jam studenti. Unë jam Liria.

Është orë e zgjimit, shpresës së madhe,
I vetes dalëzot unë, në kryq tirania,
Kush më nënçmoi, s’më njohu kush isha,
Unë jam studenti. Unë jam Liria.

E në mos qofsha gjallë, aty jam unë,
Me ty në shesh janë ëndrrat e mia,
Unë fryma e zëri, unë fjala e shenjtë.
Unë jam studenti. Unë jam Liria.

Tiranë, 11 dhjetor 2018

Flutura Açka: Më akuzojnë se u jap shumë kredite burrave në libra

Shkrimtarja e ftuar në “Letërsia dhe qyteti”, përballë dy gazetareve Beti Njuma e Alda Bardhyli, Flutura Açka, ka thënë se është shumë e vështirë ta shënjosh atë si shkrimtare feministe, por njëkohësisht librat e sajë janë një tribut për femrën si qenie e barabartë, për gruan shqiptare si partnere.

“Unë e urrej slloganin “barazi gjinore”, me nuk jemi të barabartë në gjini, as kemi pse të jemi të barabartë. Një grua e kupton që është grua vetëm pranë një burri, kështu besoj duhet ta ndiejë edhe gjinia tjetër, madje në kohët e reja gruaja mund t’ia dalë të kryejë funksionin e saj të riprodhimit si qenie, edhe pa praninë e burrit. Ndaj mendoj se mbi këtë botë, zotërimi femëror është i pashmangshëm, ndoshta kjo është edhe arsyeja pse gjinia tjetër ka luftuar për ta bindë përjetë për të kundërtën”, kështu u shpreh shkrimtarja Flutura Açka e ftuar në “Letërsia dhe qyteti” përballë dy gazetareve Alda Bardhyli dhe Beti Njuma.

Duke folur mbi mënyrën sesi ka ndryshuar feminizmi, ajo tha se “Pak kam parë në letërsinë shqipe që burrat të merren me personazhin “Grua”, me brendësinë e saj”.

“Gruaja është shtjelluar shumë cekët nga shkrimtarët shqiptarë, dhe mendoj se kjo u vjen sepse ose nuk e njohin, ose nuk kanë respekt për të si partnere e barabartë. Mund të përmend vetëm dy vepra të shkruar nga burra që i kanë dhënë përmasën e duhur asaj, “Djella” e Martin Camajt dhe “E rëndë gjëma e mëkatit” e Mitrush Kutelit. Sigurisht kjo nuk e mohon kontributin e tjetërkujt, por unë përmenda ata që mua më kanë lënë shenjë”, tha Açka. Në letërsinë e saj Açka ka shumë personazhe burra, aq sa sipas saj, është akuzuar nga feministet jam akuzuar se u jap shumë kredite. “Mendoj se shkrimtaret femra e kanë për detyrë ta eksplorojnë botën gjinore së cilës i përkasin, gjithnjë kam menduar se kush më mirë se unë (si shkrimtare) mund ta bëjë? Gratë e mia janë të emancipuara, sepse janë të pakohshme dhe kam nevojë t’i kem të pranueshme edhe për gjeneratat që vijnë. Unë kështu e njoh gruan shqiptare, unë kështu sillem si grua shqiptare”, tha ajo.

E pyetur mbi debatin që “Letërsia dhe Qyteti” hapi një vit më parë mbi letërsinë e së shkuarës, ajo u përgjigj se : “Në fillim të viteve 90-të u shfaq një trend për ta quajtur të shkretëtirë letërsinë shqipe deri në atë kohë. Unë nuk i jam bashkuar kurrë atij kori dhe as nuk mendoj se letërsia nis prej nesh. Ne vitet qe jemi rritur, ka pasur edhe shkrimtarë të talentuar, sigurisht pjesa më e madhe e tyre nuk u shkëputën dot nga skema dhe mbetën shkrimtarë të realizmit socialist, të heroit dhe përkushtimit ndaj kauzës proletare. Por pas vitit 1990-të vështirë ndonjëri prej tyre kërkoi ndjesë, ose të bënte një hap prapa dhe të pranonte se në mënyrë të pavullnetshme (ose të vullnetshme, në shumë raste) i kanë shërbyer diktaturës. Ky lloj pastrimi nuk ndodhi, sepse nuk ndodhi asfare edhe në shoqërinë shqiptare, ne kemi një demokraci shumë të helmuar, pinjollët e diktaturës që vranë dhe prenë, janë në pushtet dhe qeverisin politikisht dhe ekonomikisht, dhe ky mendoj se është terreni më i mirë për t’u fshehur shkrimtarët dorëzanë të diktaturës, për të mos thënë që vetë shteti po i pastron. Tek ne askush nuk është dënuar për gjenocidin komunist, dhe letërsia e ka për detyrë ta shënjojë këtë akt antihistorik. Këto ditë këtu në Holandë u zbulua se një shkrimtar i madh, deri tani i nderuar me gjithçka këtu, kishte bashkëpunuar në rininë e tij të parë disa muaj me nazistët. Kreditet e tij, edhe pse i vdekur, ranë brenda ditës. Askund, në një vend të civilizuar, nuk mund të bësh kompromis me dhunën, diktaturën dhe fashizmin. Por disa prej shkrimtarëve të asaj kohe mundën të orientoheshin në kushtet e lirisë dhe mundën të përshtateshin në deltën e madhe letrare që solli tranzicioni dhe e kapën lexuesin e ri”.

Por si ishte hyrja e Açkës në letërsi?

“Hyrja ime ne letërsinë shqipe ka qenë në një kurbë dhe jo aq normale, shënimet e mia të para janë të një moshe shumë të re, më është dashur të jem qysh fëmijë njëfarë korrespondenteje me qëllimin e vetëm të mund të studioja dhe ta kisha më te lehtë të hyja nga dera në letërsi. Por nuk ndodhi, përfundova duke studiuar ekonomi, që ishte privimi i pare. Diku nga vera e vitit 1988 mu botua për here të parë një cikël i plotë poetik që u shoqërua me një prezantim timin, por tri ditë më pas e gjeta veten në një shkrim shkërrmoqës, ku isha cilësuar si një zë me “figuracion të tepruar”, “fluturake”, “me gjuhë larg të thjeshtës” dhe pa asnjë varg për partinë. A guxonte pas kësaj të më botonte mua më poezi? Kështu që edhe përpjekja për të hyrë nga dritarja në letërsi, dështoi. Por ishin grahmat e fundit të diktaturës dhe autoritetit. Liria dhe kapërcyelli politik i 1990-tës, ishte dorëzania ime në letërsi, ndryshe ose do të heshtja, ose do të përfundoja në burg. Unë jam ekskluzivisht shkrimtare e Lirisë, arsye pse në letërsinë time fryn shumë erë e tillë. Pas botimit të “Kukullat nuk kanë Atdhe”, një moderator shqiptar, me të cilin pata një intervistë të gjatë televizive, më pyeti: “Nuk mendoni se duke përshkruar një femër të tillë (të lirë) në romanet e tu, edhe gratë shqiptare do të duan t’i ngjajnë, pra të kërkojnë të njëjtën liri, që mund të mos jetë përherë e këshillueshme”. Kështu mendonte ai, se ka liri të këshillueshme dhe jo të këshillueshme. “Unë këtë qëllim kam”, i thashë. Por këto nuk kanë qenë privimet e vetme, edhe brenda piramidës letrare kam patur një lloj “persekutimi” nga të racës sonë letrare, mbase me vite të tëra, por kjo është pjesë e historisë së letërsisë shqipe, mbase e kujtimeve të mia. Liria është rrjedhë, dhe mund ta kapësh rrymën e saj, jo piramidë që të shtyp, thjesht i jam shmangur kësaj të dytës, që të mund të mbijetoja. Aleatët e mi të vetëm në këtë, janë vetëm talenti (nëse është), lexuesi dhe media. Vetëm atyre u falem”, shkruan Gazeta Shqip.

Prej kohësh Açka jeton mes dy kulturave asaj etnike dhe holandeze. Jetës mes dy kulturave ajo e ka quajtur një pasuri.

“Nuk do ta kisha shkruar “Kryqin e harresës” dhe as “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” pa këtë hapësirë në jetën time. Kjo hapësirë, rrugëtimet e shpeshta, e ka furnizuar punën time me portrete të rinj, me personazhe që në kushte të tjera nuk i takon dot, me kulturën e një vendi tjetër të domosdoshme për të gjykuar identitetin tënd etnik, me një aparat krahasues dhe me çelësin e një porte për gjykimin ndryshe të Lirisë. Personazhet e mi janë qytetarë evropianë që e kanë integruar atdheun e tyre shumë përpara se politika, shumë më përpara se ligjet dhe koha”, është shprehur Açka./ KultPlus.com

Flutura Açka promovon romanin e ri “Të ftuar në rrethin e dhjetë”


Mes të ftuarve të shumtë, miq e dashamirës të letrave, shkrimtarë dhe artistë, edhe të ardhur enkas nga Holanda, u bë paraqita e romanit më të ri të shkrimtares Flutura Açka, “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, romani i gjashtë i autores.

Botuesi Richard van den Brink kopjen e parë të librit ia dhuroi autorit të Skanderbeg Books, por edhe një nga shkrimtarët që jeton jashtë Shqipërisë, shkrimtarit Arbër Ahmetaj, i cili, si lexues në dorëshkrim i veprës, foli për impresionet e tij pas leximit të saj. Sipas Ahmetajt, çdo autor shqiptar pasi ta lexonte këtë libër do të dëshironte ta zëvendësonte emrin e tij me të autores.

Aktorja Tinka Kurti, recitoi dy poezi të miat nga vëllimi i fundit “Ftesë për flirt”.

Për të ftuarit vetë autorja Flutura Açka bëri një lexim publik të një pjese nga romani i saj më i ri. Mbrëmja u përmbyll me një bisedë me publicistin e njohur Mustafa Nano mbi temat e librit dhe çështjet e Shqipërisë së sotme, mbi raportin me besimin, politikën shqiptare, raportin me të shkuarën komuniste dhe panorama e Shqipërisë sot, emigrimin e mijëra shqiptarëve në dhjetëvjeçarët e fundit dhe identitetin shqiptar përballë atij evropian.

Romani “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” ndërtohet në të njëjtën shtjellë me rrathët e Ferrit të Dantes, citime të të cilit në vepër janë të shpeshta. Vepra ndërtohet mbi digresionin në 50 vitet e fundit të historisë shqiptare, e përçuar përmes jetës së tre personazheve themelorë të romanit.

“Rrethi i Dhjetë” është rrethi metaforik mbi shumësinë dhe kompleksitetin e mëkateve të atyre që drejtuan Shqipërinë në 50 vitet e fundit, një vend në askundin e harresës dhe të gjykimit.

Romani ka linja të shumta dhe është pasqyrimi i rrugëtimit të përbashkët të mijëra shqiptarëve që e lanë Shqipërinë pas rënies së diktaturës. “Romani ka në qendër tre personazhe, miq fëmijërie e që vendosin të takohen pas shumë vitesh, për të festuar një përvjetor. I strukturuar në dhjetë kapituj, të thirrur “rrathë, si reminishencë e rrathëve të Ferrit të Dantes, lexuesi njihet me jetën e tyre, me jetët e tyre, me të shkuarën dhe tashmen e vendit nga vijnë dhe atdheut të cilin kanë zgjedhur për të jetuar. Përmes tyre edhe dhjetëra personazhe të tjerë hyjnë në shtjellë duke sjellë mikrodramëzat, historitë e tyre të vogla e të mëdha. Romani përshkruan njeriun e sotëm shqiptar, por edhe atë europian, me të gjithë kompleksitetin e tij, dyzimet, luhatjet, arritjet, brengat, dhimbjet, tonet e shpirtit, shpërthimet e ndjenjave e të mendimeve. Dhurata për lexuesin është e magjishme. Pakkush mbetet pa e gjetur vetveten në këtë roman. Që nga ata që na drejtuan e na drejtojnë, ata që u shuan përfundimisht përmes vrasjeve e burgimeve të pashpirta, ata që mbijetuan duke u përballur apo gjunjëzuar, ata që ikën, duke mbetur me kokë të kthyer pas, ata që na pritën, na i hapën apo mbyllën dyert e shtëpive të tyre në Europë. Drama e personazheve zbulohet ngadalë, në një mbrëmje fiorentinase, në atdheun e Dantes. Po ashtu si dhe bota e tyre e brendshme, psikologjia, shpresat, arritjet dhe dështimet e tyre”, është shprehur shkrimtari Arbër Ahmetaj.

Romani
Firence, qershor 2016. Tre miq të vjetër qysh nga fëmijëria, të cilët e kanë lënë Shqipërinë në rrethana dhe në kohë të ndryshme pas kapërcyellit të 1990-ës, vendosin të festojnë së bashku 50-vjetorin e lindjes. Por në jetëshkrimin e tyre prej shqiptarësh tashmë në emigrim, përzihen gjurmët e së shkuarës nën diktaturë, rrugëtimet e vejevijës së shpeshtë në vitet e lirisë mes dy atdheve të tyre dhe shenjat e përpjekjes për ta mbrojtur thelbin e tyre mes identitetit etnik të lindur dhe atij europian të fituar. A janë ata të përgatitur ta fshijnë të shkuarën shqiptare, e cila befas ende ua dikton dhe ua helmon ndonjëherë jetën? A do të munden ata të mbeten miq edhe pas shqyrtimit që ky takim i pafajshëm do t’u kërkojë, shqyrtim që shpesh nuk lidhet me ata vetë, por që kryqëzohet dhe ndikon në jetët e tyre? Kjo rrëfenjë që shtrihet në gjysmëshekullin e fundit shqiptar dhe që merret me shtegtimin e viteve të fundit të mijëra shqiptarëve nëpër botë, është një sagë mirëfilli shqiptare e luajtur në Europën e sotme. Ky rrëfim është një kushtim për dashurinë njerëzore, për dashurinë si sublimim që nuk e zhbën koha dhe një triumf për atdhedashurinë, të tretura në gjakun shqiptar nga substanca më e bekuar e kësaj bote: Liria./ KultPlus.com

Amaneti i Robert Elsie: Dua të prehem në Shqipëri

Sot në moshën 67 vjeçare ndërroi jetë albanologu Robert Elsie. Kësisoj mëngjesin e së hënës shumë shkrimtarë, studiues e artdashës përmes rrjeteve social shprehën ngushëllimet e tyre për albanologun Elise.

Një i tillë vjen edhe nga shkrimtarja Flutura Açka, e cila përpos të tjerash ka treguar edhe amanetin e Robert Elsie, i cili donte të prehej në Shqipëri, shkruan KultPlus. Me këtë rast Açka, i ka kërkuar ministres Mirela Kumbaro dhe kryeministrit Edi Rama, që ta bëjnë të mundur këtë gjë.

Po sjellim të plotë shkrimin e Flutura Açkës:

“Zonja Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës,
Zoti Edi Rama, Kryeministër i Shqipërisë

Robert Elsie dëshironte të prehej në Shqipëri, bëjeni të mundur këtë! Dhe me të gjitha nderimet që meriton.

Miq! Ikja sot e albanologut, studiuesit, përkthyesit, hulumtuesit, njeriut të të gjitha përmasave të letrave, njeriut që e dashuroi Shqipërinë si asnjë i huaj tjetër, Robert Elsie, është një nga humbjet më të mëdha për kulturën shqiptare. Një akademi që ecte, një nga njerëzit që punoi i vetëm aq sa institute nuk mundën dot, e la në mes e të pakryer kështjellën letrare të tij ku strehonte kultur;en shqiptare. Ai la pas një vepër të jashtëzakonshme dhe të pazëvendësueshme. Ne shqiptarët e sotëm mbase nuk do ta dimë mjaftueshëm kush është Robert Elsie, letrat shqipe sot mbase prej shkujdesjes, nuk e kanë patur vëmendjen e duhur ndaj këtij titani letrash, por brezat që do të vijnë, do ta kuptojnë që ky njeri i thjeshtë dhe jashtëzakonisht punëtor – një nga njerëzit më punëtorë të letrave që kam njohur – i ka bërë të tillë shërbim kulturës shqiptare, që ajo sot duhet të ndihet në zi. Kultura shqiptare është sot në zi. Vepra e këtij njeriu modes në natyrën e tij njerëzore, por e papërmasë si pasuri për ne, ka qenë engjëlli i vërtetë mbrojtës dhe i pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare.

Si shkrimtare shqiptare, si mike e tij, si shqiptare do të isha e lumtur që Atdheu im do të bëjë një vend për këtë njeri të pazëvendësueshëm, dhe shqiptarët të kenë mundësi ta kenë plotësisht të tyrin Robert Elsien. Pushofsh në paqe mik i vyer!”, ka shkruar Açka./ KultPlus.com