Momenti prekës kur dalin nga rrënojat babë e bir të përqafuar pas tërmetit në Kroaci (VIDEO)

Një tërmet i fuqishëm me magnitutë 6.3 të shkallës Rihter preku ditën e sotme Kroacinë, duke shkatëruar godinat dhe lënduar qindra persona.

Ndërkohë, mediat e huaja kanë publikuar momentin kur ekipet e kërkim shpëtimit nxorrën nga rrënojat e ndërtesave të shembura babanë dhe djalin e tij të vogël.

Siç duket edhe në videon e mëposhtme babai nuk e lëshon nga duart për asnjë moment djalin derisa futen në ambulancë dhe marrin trajtim mjekësor. Petrinja, është qyteti kroat që është goditur më rëndë si pasojë e tërmetit të fuqishëm, i cili u pasua nga disa pasgoditje./ KultPlus.com

Sarkazmë mbi gërmadha

Nga Flutura Açka

30 sekonda tërmet na i shkokluan 30 vjet jetë dhe shpresë për shtet. Akullorja me duar të pastra që ndërtoi një Durrës të frikshëm, do të bëjë një jetë perandorësh mbi frymët e 50 vetëve nën rrënoja, dhe mbi germadhat e miliona e milionat e kursimeve të shqiptarëve të mbetur nën qiell të hapur. I njëjti njeri që ndërtoi një Tiranë po aq të frikshme, do të rindërtojë Durrësin, madje ka thirrur edhe Opozitën të bëjë pjesë në komitetin e rindërtimit, në një si “biçim” marrëveshje si e 17 majit, që do ta zgjasë edhe më agoninë e shqiptarëve. Si mund të presësh transparencë mbi rrënoja nga institucione që kurrë nuk e bënë në kushte normale?
Por kjo nuk mjafton, mbi gërmadha teatri i strehimit të të mjerëve në hotelet me 5 yje, është aq sarkastik, aq i përshtirë, sa tronditesh. Të varfër që do të ishin përzënë po të shfaqeshin atypari në hollet e hoteleve me 5 yje, pasi varfëria e veshjeve të tyre bënte konflikt me luksin e këtyre hoteleve – që më së shumti kanë orgjira pushtetarësh në historikun e tyre – sot më ne fund do të kenë fatin të shijojnë pak nga luksi i të tjerëve. Shih, çdo e keqe e ka një të mirë! Po i provoni më në fund hotelet me 5 yje që deri më sot vetëm i keni ëndërruar.
Këtë sarkamë njerëzit e pushtetit duhet t’ua kursejnë shqiptarëve, në emër të një sensi human në shpirtin e tyre, sot duhet të jenë më të kujdesshëm. Të pakten sot!
Jo vetëm ata, por edhe klerikët shqiptarë, që nuk po lënë ekran pa dalë. Zoti është aq modest, sa nuk mund të pranojë as qurravitjen e tyre nëpër ekane, as krekosjen e tyre plot bujë. Zoti nuk ka nevojë për kamera, se sheh vetë, ndaj respektojeni mjerimin dhe fatin e shqiptarëve të pastrehë e të pabukë sot, siç do të donte dhe siç ju mëson ai, me modesti! / KultPlus.com

Erdogan paralajmëron ndërtimin e 500 shtëpive në Shqipëri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se “ekipet e Turqisë do të kryejnë punimet në vendet e përshtatshme në Shqipëri dhe si vëllezër turq do të ndërtojnë 500 njësi banimi”.

Ndryshe, presidenti turk kishte thënë se kishte zhvilluar dy biseda telefonike me kryeministrin shqiptar Edi Rama më 26 nëntor, pasi dëgjoi për tërmetin, për të ofruar ngushëllimet e tij.

Si rezultat, siç thuhet tutje, përcjell Telegrafi, Turqia i ka dërguar menjëherë ndihma Shqipërisë rreth menaxhimit të fatkeqësisë dhe emergjencave.

“Si një vend, i cili vuajti nga tërmete të mëdha në të kaluarën, ne e kuptojmë dhimbjen e Shqipërisë”, citohet të ketë thënë Erdogan.

“Ne të gjithë duhet të qëndrojmë me Shqipërinë kur bëhet fjalë për trajtimin mjekësor të të dëmtuarve ose sigurimin e strehimoreve për ata që kanë humbur shtëpitë e tyre”, kishte shtuar ai.

Në orët e hershme të mëngjesit të së martës, dy tërmete të fuqishme goditën Shqipërinë.

Tërmeti i parë është regjistruar në orën 04:00 me shkallë të Rihterit 6.4 në Durrës, ndërsa i dyti ishte me magnitudë 5.4 shkallë të Rihterit dhe u regjistrua në ora 07:10.

Si pasojë e këtyre tërmeteve, përcjell Telegrafi, numri i viktimave po vazhdon të rritet dhe bëhet e ditur se janë rreth 700 persona të lënduar, si dhe dëme të mëdha materiale. /Telegrafi/ KultPlus.com

“Save the Children”: 9 mijë fëmijë janë në nevojë pas tërmetit në Shqipëri

Organizata “Save the Children” thotë se rreth 9 mijë fëmijë janë në nevojë pas tërmeti të së martës në Shqipëri.

Ata janë të trembur dhe të shqetësuar dhe përveç tendave, shtretërve, batanijeve dhe mjeteve të higjienës personale, kanë nevojë edhe për mbështetje emocionale dhe mendore, thonë nga “Save the Children”.

Të paktën 4 fëmijë janë mes viktimave të deritanishme të tërmetit.

Save the Children po veprojnë në Durrës, Tiranë, Shijak dhe Fushë Krujë, ku po i përgjigjet nevojave të fëmijëve dhe familjeve të tyre./tch / KultPlus.com

Biznesmeni Samir Mane dhuron 1.2 milion euro për të dëmtuarit nga tërmeti

Biznesmeni shqiptar, Samir Mane, ka vendosur të dhurojë 1.2 milionë euro për qytetarët e dëmtuar nga tërmeti i fuqishëm i mëngjesit të 26 nëntorit, me magnitudë 6.4 të shkallës Rihter.

Gjithashtu, presidenti i Grupit Balfin, Mane, së bashku me Bordin Drejtues dhe kompanitë përkatëse, kanë vendosur që, përveç kësaj shume, t’iu vijnë në ndihmë të prekurve nga tërmeti edhe me mjetet e nevojshme e baza ushqimore.

“Bordi Drejtues i Grupit Balfin nën kujdesin e veçantë të presidentit Samir Mane, dhe kompanitë përkatëse të Grupit vendosen sot që të akordojnë shumën prej 1.2 milion eurosh për të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri.

Përveç kësaj shume të akorduar, kompanitë e Grupit Balfin, si Spar, Neptun, Jumbo, etj, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës, Maqedonisë, Bosnjës, e kështu me radhë, që në ditën e parë, i kanë qëndruar pranë banorëve të pastrehë, duke u ardhur në ndihmë me mjetet e nevojshme dhe bazën ushqimore. Grupi Balfin bën të ditur se ndihmat e Grupit do të vijojnë çdo ditë”, thuhet në njoftim. /BW / KultPlus.com

Përvetësuan ndihmat për banorët e prekur nga tërmeti, arrestohet Shefi i Rendit në Rinas, një efektiv dhe një zjarrfikës

SHÇBA arreston 2 punonjës policie, 1 punonjës të shërbimit zjarrfikës, si edhe procedon penalisht 2 shtetase për veprat penale të “mashtrimit” dhe “shpërdorimit të detyrës”.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat ka arrestuar mbrëmë në flagrancë shtetasit: 

– A.Z., me detyrw Shef i Seksionit të Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas, për veprën penale të “Mashtrimit në bashkëpunim”.

– E.H., me detyrë Komandant skuadre në Seksionin e Rendit pranë Komisariatit të Policisë Rinas për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

– A.T., me detyrë punonjës i shërbimit zjarrfikës pranë PMNZSH Kombinat, për veprën penale të “Mashtrimit, e kryer në bashkëpunim”.

Gjithashtu janë proceduar në gjendje të lirë shtetaset V.Z. dhe Sh.T. për veprën penale të “Mashtrimit”, kryer në bashkëpunim. 

Procedimi i tyre u krye pas hetimeve të zhvilluara në lidhje me publikimin e një video në media, ku shfaqeshin pamje të transportimit e përvetësimit të një sasie të konsiderueshme pakosh ushqimore (të sekuestruara në cilësinë e provës materiale) të destinuara për banorët e prekur nga situata e tërmetit.

Materialet hetimore proceduriale do t’i dërgohen Prokurorisë Tiranë për hetime të mëtejshme.

SHÇBA fton çdo qytetar të denoncojë në numrin jeshil 0800 90 00, për çdo rast abuzimi të punonjësve të Policisë së Shtetit, duke garantuar reagim të shpejtë e në kohë. /Shqiptarja.com / KultPlus.com