Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, Baerbock dënon dhunën ndaj vajzave në Izrael dhe Gaza

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka bërë thirrje për fuqizimin dhe unitetin e vajzave në mbarë botën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave.

Në një postim në Instagram, Baerbock dënoi “krimet e tmerrshme të Hamasit” dhe përdorimin e vajzave dhe grave në Gaza si “mburoja njerëzore”.

Ajo shkruan se vajzat dhe gratë duhet të jenë në gjendje të realizojnë ëndrrat e tyre pa kufizime nga burrat, ligjet apo diktatet fetare.

“Uroj që askush të mos ju ndalojë ta bëni këtë”, tha ajo.

Së bashku me mesazhin e saj, Baerbock postoi një seri fotosh të grave kur ato ishin fëmijë.

Midis tyre ishin fotografitë e aktivistes pakistaneze Malala Yousafzai, ish-kancelares gjermane Angela Merkel, artistes meksikane Frida Kahlo dhe shkrimtares nigeriane Chimamanda Ngozi Adichie.

Dita e Vajzave u lançua nga Kombet e Bashkuara në vitin 2011 për të bërë të dukshme shqetësimet e vajzave dhe për të mbrojtur mundësitë dhe të drejtat e tyre./ atsh / KultPlus.com

OKB: Izraeli bombardoi ndërtesat e banimit dhe shkollat në Gaza

Izraeli i ka goditur ndërtesat e banimit, përfshirë blloqet e ndërtesave të larta, si dhe shkollat gjatë bombardimeve në Rripin e Gazës, duke vrarë civilë, tha të martën komisionari i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut, Volker Turk.

Ushtria izraelite i ka vazhduar të martën bombardimet vdekjeprurëse ndaj Rripit të Gazës së kontrolluar nga Hamasi, pasi grupi militant kërcënoi se do t’i vriste disa prej rreth 150 pengjeve që i rrëmbeu në fundjavë, nëse sulmet ajrore do të vazhdonin pa paralajmërim.

“Ligji ndërkombëtar është i qartë: kujdesi i vazhdueshëm është detyrim për ta kursyer popullatën civile dhe caqet civile gjatë sulmeve”, tha Turk në një komunikatë.

Të nënën, Izraeli njoftoi rrethimin e plotë të Rripit të Gazës, duke mos lejuar futjen e ushqimit dhe ujit, si dhe duke e ndërprerë furnizimin me rrymë.

Për këtë, Turk tha se rrethimet të cilat e rrezikojnë jetën e civilëve janë të ndaluara me ligj ndërkombëtar.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë të martën se e kanë siguruar kufirin me Gazën, nga ku mijëra luftëtarë të Hamasit ishin futur në Izrael të shtunën për ta nisur sulmin më të rëndë ndaj këtij vendi në dekadat e fundit.

Numri i të vdekurve në Izrael është rritur në 900 nga sulmet e Hamasit, për të cilat Izraeli është hakmarrë me bombardime mbi Gazën, ku kanë mbetur rreth 700 të vrarë.

Ushtria izraelite tha të martën se i ka gjetur mbi 1.500 trupa të militantëve të Hamasit brenda Izraelit.

Ajo, po ashtu, njoftoi se pothuajse e ka përfunduar evakuimin e komuniteteve izraelite përreth kufirit me Gazën.

Hamasi tha të hënën se katër prej pengjeve që i ka rrëmbyer janë vrarë si pasojë e sulmeve ajrore izraelite. Më vonë, grupi militant tha se mund të fillojë t’i vrasë ata vetë. /rel/ KultPlus.com

Skulptori i Gazës ekspozon gjymtyrë pa trup, i frymëzuar nga humbja e personave të gjymtuar

Skulpturat e artistit palestinez Khaled Hussein të gjymtyrëve njerëzore janë pjesë e një ekspozite në Gaza që ai e quan “Më mungon shumë”. 46 vjeçari thotë të jetë frymëzuar nga humbja e ndjerë nga personat me aftësi të kufizuara, përfshirë viktimat e konfliktit me Izraelin.

“Ka një numër të madh të personave me aftësi të kufizuara kudo. Është bërë një fenomen, kështu që unë doja të punoja në këtë çështje dhe ta reflektoja atë artistikisht, “tha Hussein për Reuters, transmeton KultPlus.

Shtatë skulptura të gjymtyrëve të Huseinit u shfaqën këtë muaj në galerinë e artit në Gaza. Ato janë të bëra nga balta dhe më pas hidhen në materiale të tjera si bronzi ose betoni. Njëra tregon dy këmbë që qëndrojnë krah për krah, ku gishti i madh i njërës është përkulur butësisht mbi këmbën tjetër.

Puna e Huseinit synon pjesërisht të tërheqë vëmendjen ndaj vuajtjeve të të plagosurve në protestat e viteve 2018 dhe 2019 në kufirin e Gazës me Izraelin, i cili imponon kufizime të rrepta në territorin e drejtuar nga grupi militant islamik Hamas. Zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se të paktën 200 njerëz u vranë dhe mijëra u plagosën nga forcat izraelite në demonstrata, shkruan Reuters, transmeton tutje KultPlus.

Hetuesit e OKB -së patën deklaruar se më shumë se 120 persona u amputuan një gjymtyrë. Kurse Izraeli pati njoftuar se trupat e tij hapën zjarr për të mbrojtur kufirin nga sulmet e militantëve të armatosur. Njëra nga skulpturat e tij përshkruan këmbën e majtë që Ahmed Abu Daqen, 21 vjeç, që e humbi në një aksident me makinë kur ishte fëmijë.

“Nuk prisja që dikush të merrte atë që kisha humbur si frymëzim dhe ta kthente në një vepër arti që e dokumenton atë në botë. Unë i tregova komunitetit se kam ambicie dhe ëndrra dhe mund t’i realizoj ato.”tha Abu Daqen, i cili luan në ekipin e futbollit të të personat me aftësi të kufizuara.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq deklaroi se në vitin 2019 kishte të paktën 1,600 persona me aftësi të kufizuara në mesin e popullsisë së Gazës prej dy milion njerëz. Shoqëria Bamirëse Assalama, e cila kujdeset për njerëzit e plagosur dhe me aftësi të kufizuara, njoftoi se 532 banorë të Gazës kishin humbur gjymtyrët në konflikt. / KultPlus.com

Fati i një pianoje në Gaza, si iu shpëtoi bombardimeve izraelite

E vetmja piano në Rripin e Gazës u shfaq në publik për herë të parë pas një dekadë, pas një përpjekjeje të ndërlikuar ndërkombëtare për restaurimin e instrumentit që për pak u shkatërrua nga një sulm ajror izraelit.

Rreth 300 spektatorë morën pjesë në shfaqje të dielën, ndërsa artistë japonezë dhe lokalë performuan për ta. Për shumë njerëz, kjo ishte hera e parë që dëgjonin tingujt e një pianoje të shfaqur drejtpërdrejt.

“Duke luajtur në këtë këtë piano, ndihesh sikur po luan histori”, tha pianisti japonez Kaoru Imahigashi. “Është e mrekullueshme, e kam ndjerë lutjen e paqes për shumë njerëz”, shtoi ai.

Historia e pianos shkon mbrapa në vite, duke pasqyruar në shumë mënyra historinë e Gazës.

Qeveria japoneze e dhuroi aytë rreth 20 vjet më parë, pas marrëveshjeve të përkohshme të paqes midis Izraelit dhe palestinezëve. Në atë kohë, Gaza u parashikua të bëhej Singapori i Lindjes së Mesme.

Fayez Sersawi, një zyrtar i Ministrisë së Kulturës, tha se ishte përgjegjës për marrjen e pianos, e cila u vendos në një teatër të madh në vendpushimin e sapondërtuar të al-Nawras në Gaza veriore. Ai tha se festivalet muzikore ishin një aktivitet i rregullt para fillimit të kryengritjes së dytë palestineze kundër okupimit izraelit në vitin 2000.

Në 2007, vendpushimi mbylli teatrin dhe pishinën dhe uli shumicën e aktiviteteve pasi Hamasi mori kontrollin e Gazës pas fitimit të zgjedhjeve legjislative. Më pas shumë forma të argëtimit publik, duke përfshirë bare, kinema dhe salla koncertesh u mbyllën.

Një bllokadë izraelito-egjiptiane pasuese, që kishte për qëllim dobësimin e Hamasit, si dëmtimet e rënda pas një lufte tre-javore me Izraelin në janar të vitit 2009, e mbyllën krejtësisht vendin turistik.

Piano heshti deri në vitin 2014, kur një sulm ajror izraelit gjatë një lufte të tretë me Hamasin shkatërroi sallën al-Nawras. Piano u gjet mrekullisht pa u dëmtuar tërësisht.

Pas zbulimit të pianos, përfshihet Agjencia Japoneze e Bashkëpunimit Ndërkombëtar, e cila sponsorizon programet e zhvillimit në Gaza.

Ministria e Jashtme japoneze konfirmoi se një piano iu dhurua Autoritetit Palestinez më 1998. Punëtorët nga agjencia e bashkëpunimit morën numrin serial dhe kontaktuan Yamaha-n, prodhuesit e saj. Kompania konfirmoi se instrumenti ishte prodhuar midis viteve 1997 dhe 1998.

“Çdo gjë përputhet”, tha Yuko Mitzui, një përfaqësues i agjencisë së bashkëpunimit.

Grupi belg i OJQ-ve Music Fund, i cili mbështet mësimin e muzikës në zonat palestineze, dërgoi një ekspert francez në vitin 2015 për të rivendosur pianon. Një restaurues gjithashtu belg vizitoi muajin e kaluar Gaza-n dhe riktheu funksionin e instrumentit. Një koncert i kufizuar, privat, u mbajt si provë.

Të dielën në mbrëmje, të gjitha 300 vendet e sallës së teatrit në Shoqatën e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze ishin të zëna.

Kaoru, ishte pianisti që goditi me lehtësi tastierën duke u shoqëruar nga këngëtarja operistike Fujiko Hirai, e cila interpretoi një këngë popullore gjithashtu japoneze.

Nga ana tjetër, 22-vjeçarja palestineze Yasmin Elian, e cila ndoqi koncertin, tha: “më pëlqente mënyra se si ndërvepruan njerëzit”. “Kjo më inkurajon që të mësoj piano”, shtoi ajo.

Gaza ka një shkollë muzikore, “Edward Said Conservatory”, me 180 studentë. Ajo vuan nga mungesa e fondeve dhe operon në disa dhoma me qira në stacionin kryesor të ambulancës së shërbimeve të shpëtimit.

Një grup studentësh nga konservatori bashkëpunoi me artistët japonezë dhe luajti himnin kombëtar palestinez, duke tërhequr duartrokitje të mëdha nga audienca.

Ismail Daoud, një dirigjent i cili kryeson shkollën, tha se është e vështirë të sillni pianon në Gaza, por se shkolla e tij “ka nevojë të madhe për të”.

Në vitin 2009, një grup ndihme me bazë në Uashington, Anera bleu dy piano për në Gaza dhe ndihmoi në koordinimin e kalimit të tyre përmes kufirit të mbyllur të Izraelit në atë kohë.

Tani, Ministria e Kulturës ia ka dhënë konservatorit pianon japoneze – “vendit ku i përket dhe ku duhet të jetë”, tha Daoud. “Ringjallja e pianos është si ringjallja e popullit palestinez”, shtoi ai, përcjellë TeSheshi./ KultPlus.com