Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave, Baerbock dënon dhunën ndaj vajzave në Izrael dhe Gaza

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock ka bërë thirrje për fuqizimin dhe unitetin e vajzave në mbarë botën me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Vajzave.

Në një postim në Instagram, Baerbock dënoi “krimet e tmerrshme të Hamasit” dhe përdorimin e vajzave dhe grave në Gaza si “mburoja njerëzore”.

Ajo shkruan se vajzat dhe gratë duhet të jenë në gjendje të realizojnë ëndrrat e tyre pa kufizime nga burrat, ligjet apo diktatet fetare.

“Uroj që askush të mos ju ndalojë ta bëni këtë”, tha ajo.

Së bashku me mesazhin e saj, Baerbock postoi një seri fotosh të grave kur ato ishin fëmijë.

Midis tyre ishin fotografitë e aktivistes pakistaneze Malala Yousafzai, ish-kancelares gjermane Angela Merkel, artistes meksikane Frida Kahlo dhe shkrimtares nigeriane Chimamanda Ngozi Adichie.

Dita e Vajzave u lançua nga Kombet e Bashkuara në vitin 2011 për të bërë të dukshme shqetësimet e vajzave dhe për të mbrojtur mundësitë dhe të drejtat e tyre./ atsh / KultPlus.com

Presidentja Osmani në Ditën e Vajzave: Sa më të fuqishme vajzat e sotme, më të fuqishme janë gratë e së nesërmes

Më 19 Dhjetor 2011, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi Rezolutën 66/170 për të shpallur 11 Tetorin si Ditën Ndërkombëtare të Fëmijëve Vajza, për të njohur të drejtat e vajzave dhe sfidat unike me të cilat përballen vajzat në të gjithë botën, njëkohësisht ky është edhe muaji i ndërgjegjësimit për personat me sindromën Down, përcjellë KultPlus.

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, përmes një statusi në Facebook, ka shkruar se fëmijëve vajza duhet t’ua krijojmë mundësinë që të mund ta realizojnë potencialin e plotë.

“Fëmijëve vajza duhet t’ua krijojmë mundësinë që të mund ta realizojnë potencialin e plotë. Sa më të fuqishme vajzat e sotme, më të fuqishme janë gratë e së nesërmes”, shkruan Osmani.

Tutje presidentja është shprehur se Tetori nuk është vetëm muaji i vajzave, por edhe i ndërgjegjësimit për personat me sindromën Down për të cilët është shprehur që kanë nevojë për përkrahjen tonë çdo ditë.

“Tetori nuk është vetëm muaj i vajzave, por edhe i ndërgjegjësimit për personat me sindromën Down. Ata janë si ne, të ngjashëm, të ndryshëm, por të barabartë. Për këta fëmijë nuk mjafton e as nuk duhet të jetë vetëm një ditë. Fëmijët me sindromën Down kanë nevojë për përkrahjen tonë çdo ditë. Çdo ditë e tyre është ditë e jona, e çdo ditë e jona vë në qendër të vëmendjes kujdesin ndaj tyre”, përfundon Osmani. / KultPlus.com