2020-a, viti i vajzave e grave shqiptare

Ndonëse ishte  vit i përballjes me një pandemi, megjithatë viti 2020 ka qenë tejet i mbarë për vajzat e gratë shqiptare, të cilat e shënuan vitin që e lamë pas me suksese të shumta, duke lënë gjurmë edhe në nivel global.

Politikë

Viti 2020 nuk ka se si të mos përmendet, kur Vjosa Osmani u zgjodh kryeparlamentare e Kosovës, duke u bërë kështu gruaja e parë në historinë e shtetit të Kosovës, që mban një pozitë të tillë.

Ajo ishte gruaja më e votuar në zgjedhjet e fundit në Kosovë, si dhe personi i dytë më i votuar në nivel vendi.

Suksesi i grave në politikë kaloi kufijtë kombëtarë, kur Ylfete Fanaj u zgjodh kryetare e Këshillit Kantonal, në Lucern të Zvicrës. Nuk ka se si të mos kujtohet ceremonia e veçantë e inaugurimit të saj, pasi në të përfshiu motive të prejardhjes së saj shqiptare, konkretisht përgjatë ceremonisë u këndua kënga “Moj e bukura more”.

Gentiana Fana është një tjetër grua shqiptare, e cila ndonëse e re në moshë, u bë këshilltare e presidentes së Kroacisë.

Ndërkohë, Ermina Lekaj Prljaskaj, politikane nga Kosova, fitoi mandatin e saj të tretë rresht si deputete e Parlamentit të Kroacisë, duke përfaqësuar atje komunitetin pakicë shqiptar.

Kur përmendet suksesi i vajzave e grave shqiptare në politikë, nuk mund të mos veçohet suksesi i Besiana Kadaresë. Ajo u përzgjodh zëvëndëspresidente e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në sesionin e 75-të të saj.

Afërdita Bogiqi ishte e vetmja grua që gjatë vitit 2020  u zgjodh në ekzekutivin e Monthey të Zvicrës. Ajo është gruaja e parë që u bashkua me ekzekutivin e Monthey pas tetë vjetësh pa gra, shkruan AlbFem.

Shkencë & Arsim

Majat në karrierën akademike mund t’i mbërrini edhe nëse bazat e formimit i keni marrë në vende si Kosova apo Shqipëria. Këtë e dëshmon rasti i Gresa Latifit, e cila gjatë vitit 2020 u bë pegadodge në universitetin më të mirë të Gjermanisë.

Vigjilenca Abazi është një tjetër emër që arriti majat e karrierës së saj, duke botuar një libër për një nga universitetet më të mira në botë, atë të Oksfordit.

Ajo është anëtare e ‘Emile Noel’ në Fakultetin Juridik në New York dhe asistente në Universitetin e Mastrihit.

Vajzat shqiptare gjatë vitit 2020 shkëlqyen edhe në gara. Era Syla fitoi Medalje të Bronztë në Olimpiadën Matematike Evropiane për Vajza – EGMO 2020.

E shumë e suksesshme u tregua edhe Qëndresa Sahiti, e cila ishte një ndër 10 fitueset e Çmimit Kombëtar të Ekselencës për të diplomuarit e vitit 2020 në Kanada.

Viti 2020 ishte shumë i veçantë edhe për Lindita Camajn.

Akademikja shqiptare u emërua “Director of Graduate Studies”, pranë Fakultetit të Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Houston-it.

Gjatë po të njëjtit vit, astronaturja e re kosovare, Pranvera Hyseni u bë edhe zyrtarisht pjesë e Fushatës Ndërkombëtare për Kërkime të Asteroidëve.

E gjatë muajit tetor, Shoqata Amerikane e Mjekëve Infermierë, i ka ndarë çmimin shtetëror për përsosmëri, infermieres Lindita Vinca.

Përderisa ky çmim shtetëror i ndahet çdo vit një individi i cili demonstron punë cilësore dhe angazhim në praktikën klinike, për Vincën kjo mbetet një sukses tjetër në karrierën e saj, shkruan AlbFem.

Biznes

Duke pasur në konsideratë, mijëra gra shqiptare që suksesshëm kanë udhëhequr binzese gjatë vitit 2020, po ndalemi vetëm në disa suksese që shënuan vajzat dhe gratë shqiptare në këtë vit pandemik.

Gratë shqiptare gjatë 2020-ës shënuan sukses të jashtëzakonshëm edhe në biznes. Një nga të ishte edhe Rudina Seseri, e cila në SHBA, nga Revista Entrepreneur u përzgjodh në mesin 100 grave më të fuqishme në biznes, në Universitetin Teknik të Munihut.

Ditët e para të pandemisë ishin tejet të vështira për çdo shtet, e veçanërisht për Kosovën, e për këtë ndihmë ofroi kreatorja e njohur nga Kosova, Lirika Matoshi.

Ajo mblodhi mbledhur plot 23.250 dollarë amerikanë për vetëm 4 orë, si ndihmë për familjet në nevojë në Kosovë, vetëm nga shitja e maskave që kishte prodhuar.

Ushtri

Viti 2020 duket se ishte viti më i suksseshëm për gratë shqiptare në ushtri.

Arelena Shala është shqiptarja e parë nga Kosova, që ka arritur të diplomohet në Akademinë Ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ajo më parë ishte emëruar në pozitën e udhëheqëses së Komandës së Regjimentit në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku ka komanduar me 1100 ushtarë amerikanë.

Kurse, Antigona Kalimashi, aspirante për nënoficere të Armatës së Zvicër, ishte personi parë që nga komandanti i përgjithshëm i ushtrisë mori dekoratën Ribbon për kontribut te jashtëzakonshëm.

Antigona kishte shpëtuar një person pas një aksidenti me tren.

Në Akademinë Amerikane të Rreshter Majorëve, në El Paso –Teksas, gjatë vitit 2020 ka diplomuar Reshter Major Rifadie Ramadani, duke u bërë një nga shqiptarët e vetëm me këtë arritje.

Muzikë 

Viti 2020 do të kujtohet si një nga vitet më të suksesshme për vajzat dhe gratë e angazhuara në fushën e kulturës.

Kur përmendet muzika, nuk se si mos të shkojë nëpër mend emri i këngëtarës shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila vitin 2020 e bëri vit të sukseseve në karrierën e saj muzikore.

Janari i viti 2020 e gjeti Dua Lipën si një nga këngëtaret e para shqiptare që arriti t’i ketë dy miliardë klikime vetëm me një video në Youtube, përmes këngës ‘New Rules’.

Ajo u nderua me çmimin “Best British Act”, në edicionin e sivjetmë të ndarjes së shpërblimeve “Global Awards”.

Dua Lipa arriti që të rrëmbej një çmim edhe në “MTV Video Music Award 2020”, ku u nderua në kategorinë “Kënga më efektet më të mira vizuale”, për hitin e saj të padiskutueshëm “Physical”.

Lipa një dominim të jashtëzakonshëm e ka pasur edhe në ndarjen e çmimeve Grammy, ku u nominua gjashtë herë.

Albumi i saj i fundit, “Future Nostalgia” po konsiderohet nga kritikët si albumi më i mirë i vitit 2020.

Ky vit i solli suksese edhe këngëtares tjetër me prejardhje shqiptare, Rita Ora, e cila krahas sukseseve  të arritura me projektet muzikore të publikuara gjatë vitit 2020, u bë edhe anëtare e jurisë në “The Voice of Australia”/

Për më tepër, këngët e tri këngëtareve me prejardhje shqiptare u përfshinë në Top 30 këngët më të mira në botë nga revista Billboard. Këto ishin: Dua LipaBebe Rexha dhe Ava Max.

Një sukses e korri edhe këngëtarja tjetër me famë botërore, Ilira Gashi, e cila njihet për stilin e saj “pa filter” dhe për zërin e saj të mrekullueshëm. Ilira, e cila jeton dhe vepron në Zvicër, tashmë edhe zyrtarisht është ndër këngëtaret më të suksesshme dhe më të dëgjuara në Zvicër, duke mbledhur plot 87.7 milionë klikime në Spotify.

Art & Film

Ky vit solli shumë suksese për krijueset e artit në Kosovë, suksesi i tyre përgjatë vitit 2020 tejkaloi kufijtë kombëtarë.

Sukseset nisën me një nga aktoret më të mira shqiptare, Ilire Vinca, e cila ishte ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit. Ajo ka një karrierë të pasur si aktore e filmit, teatrit dhe si profesoreshë e aktrimit në Universitetin e Prishtinës.

Aktorja tjetër e mirënjohur nga Kosova, Adriana Matoshi fitoi çmimin “Aktorja më e Mirë” në Festivalin e Francës, për rolin e saj në filmin “Cold November” apo në shqip “Nëntori i Ftohtë”.

Gjatë muajit tetor, Matoshi ka fituar çmimin “Aktorja më e mirë”, në festivalin “Mostra de Venecia”, në Spanjë.

Antoneta Kastrati është regjisorja e njohur shqiptare, e cila me filmin “Zana”, e dërgoi Kosovën në Festivalin e Kinës. Ky film ka korrur sukses jashtëzakonisht të madh nëpër festivale ndërkombëtare të filmit, duke fituar disa çmime.

Filmi ‘Zana’ i regjisores Antoneta Kastratit, po ashtu është futur në mesin e 25 filmave më të mirë të zgjedhur nga ’48 Hills’. Sipas ’48 Hills’, në këtë listë bëjnë pjesë të gjithë filmat për të cilët ne kemi pasur nevojë më shumë se kurrë dhe të cilët janë vlerësuar nga kritikët e filmit.

Sukses të madh korri edhe regjisorja Kaltrina Krasniqi, e cila me filmin e saj të gjatë artistik “Vera andrron detin”, fitoi çmimin “Post Republic”, në Sarajevë.

Viti 2020 i solli suksese edhe aktores dhe shkrimtares shqiptare në SHBA, Erjeta Cufaj, e cila u bë pjesë e jurisë të festivalit ndërkombëtar të filmit “International Filmmaker Festival of  New York 2020” (IFFNY).

Filmi debutues i regjisores dhe skenaristes, Blerta Basholli, “Zgjoi” (Hive), është përzgjedhur në konkurrencë zyrtare kryesore në festivalin e njohur, “Sundance Film Festival”, që do të mbahet gjatë këtij muaji në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Viti 2020 nxori në pah shumë piktore, skulptore dhe ilustratore të reja, të cilat arritën suksese lokale e globale në këtë vit pandemik.

Një ndër to padiskutim është edhe Mimoza Rraci, e cila famë të jashtëzakonshme mori gjatë pandemisë me veprat e saj kushtuar pandemisë.

Madje, piktura e saj për mantelbardhët u bë edhe kartë postale në Tajlandë. Kjo vepër artistike shfaq një mjeke që në maskën e saj ka flamurin e Kosovës.

Së fundmi emër bëri edhe ilustratorja e re nga Kosova, Diellza Gorani, e cila vjen me emrin artistik “Diego”, që inspiruar nga Disney, solli një mori ilustrimesh të grave shqiptare që lanë gjurmë në histori, ku përfshihet emri i Norës së Kelmendit, pastaj Bareshës, etj. Për më tepër, ajo ka realizuar edhe një krijim tjetër artistik, të quajtur “Abetare e ilustruar e Prishtinës”, një minienciklopedi e qytetit, që njëherësh mund të shërbejë si një udhërrëfyes turistik, që ka për qëllim ruajtjen dhe promovimin e kulturës së kryeqytetit të Kosovës.

Sport

Të fundit, por aspak për nga rëndësia, na vijnë sportistet tona, të cilat sikur në secilin vit tjetër, shënojnë në historinë e trojeve shqiptare suksese të jashtëzakonshme, madje edhe në nivel botëror.

Lista nuk ka se si të mos fillojë me Majlinda Kelmendin, e cila që në fillim të vitit 2020 u shpall “Sportistja e Vitit 2019” në Kosovë. Madje, asaj iu ngrit edhe një  shtatore në qytetin e saj të lindjes, në Pejë.

Ajo mori edhe epitetin “Xhudistja më e mirë e dekadës” nga Federata Ndërkombëtare e Xhudos.

Suksesi i xhudistëve nga Kosova vijon me Distria Krasniqin, e cila fitoi medaljen e artë në Grand Slamin e Xhudos, që u mbajt në Budapest.

Ajo në nëntor fitoi edhe medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të Xhudos, që u mbajt në Pragë të Çekisë.

Në Grand Slamin e Xhudos medalje fitoi edhe xhudistja e re, Loriana Kuka, e cila fitoi medaljen e bronztë. E po të njëjtën medalje e mori edhe në Kampionatin Evropian të Xhudës, në Çeki.

Sukses pati edhe në boks, me ç’rast bokserja nga Kosova, Donjeta Sadiku arriti të fitonte medaljen e argjendtë në turneun ndërkombëtar të boksit, “Balkan”, të mbajtur në Sofje të Bullgarisë.

Kur numërojmë sukseset e futbollisteve shqiptare, Kosovare Asllani mbetet histori suksesi në vete. Ajo u bë pjesë e ekipit të Real Madridit dhe hyri në histori si golashënuesja e parë në historinë e këtij klubi. Ajo vazhdon të mbetet një nga futbollistet më të mira në ligën e Spanjës.

Viti 2020 filloi më së mbari për alpinisten e re, Mrika Nikçi, e cila u bë vajza më e re në botë, dhe atë në moshën 14 vjeçare, që ngjitet në majat më të larta në shtatë kontinente, të njohura si “Seven Summits”.

Urojmë që viti 2021 të jetë po kaq i suksesshëm sikurse ai paraprak./AlbFem/ KultPlus.com

Kurrë nuk pati shtëpi për mua

Kur isha e vogël mendoja që shtëpia e babës ishte edhe shtëpia ime, për më tepër kur më pyeste ndokush se ku e kam shtëpinë, ia bëja me gisht kah shtëpia e babës!

Por kur u rrita më treguan se kjo nuk është shtëpia ime, shtëpia jote është te burri yt.
“Bijo, çika është e derës huaj”, më ngushëllonte nëna ime!

Por unë nuk i besoja, thoja se e ka vetëm për të më qetësuar se shtëpia e babës do të jetë gjithmonë edhe e imja dhe ia plasja vajit!

Kur shkova te burri, jetonim në “bashkallëk” dhe për disa vite ende zemra më qëndronte te shtëpia e babës, por kur u “ndamë” dhe secili kunat shkoi në shtëpinë e tij, burri më puthi në ballë dhe më tha: “Fisnike, kjo është shtëpia e jonë dhe e bijëve tanë, e gëzofshim!”

I besova buzëve të tij dhe sinqeritetit të tij, sepse asnjëherë nuk më kishte gënjyer, për këtë e shkriva tërë trupin tim duke e mirëmbajtë shtëpinë time.

Kaloi një kohë dhe më vdiq burri e fëmijët u rritën e u bën për martesë. “Shtëpia ime” e vogël, por që e ngroha me shpirtin tim gjithë këto vite, më nuk e donte askush dhe një ditë bijtë e mi vendosën ta prishin “shtëpinë time” dhe më premtuan se do të ma ndërojnë një shtëpi më të re, më të bukur dhe më të madhe! Më rrodhën lotët nga zemra ashtu si dikur kur u ndava nga shtëpia e babës!

U ndërtua “shtëpia ime” e re, ma caktuan dhomën më të voglë, aty ku më shumë ladronin nipat e mbesat se sa që rrija unë!
Por në shtëpinë time të re tani më nuk guxoja të flisja, nuk kisha të drejtë të këshilloja e as të propozoja! Më dukej vetja si një “cung i vjetër” në shtëpi të re, dhe ashtu isha. Çdo gjë në këtë shtëpi ishte e re, edhe gozhdat ishin më të reja se unë!

Derisa një ditë djali më tha: “Nanë, do të dërgoj sot në një shtëpi të re!”
Sapo e dëgjova këtë fjali, e kuptova se as kjo shtëpi nuk qenka e imja!

Dhe më solli këtu në “shtëpi të pleqëve” në shtëpi të atyre që kurrë n’jetën e tyre s’kanë pasur shtëpi!

Por nipi kur më vizitoi për herë të fundit më bëri me lot kur më tha në vesh: “Gjyshe, kur të rritem unë, do ta ndërtoj një shtëpi, ajo do të jetë shtëpia ime dhe shtëpia jote”

E përqafova fort atë dhe i thash:”Biri jem, të pastë gjyshja ty, se gjyshja në këtë dynja kurrë s’ka pas shtëpi, por do Zoti më jep një shtëpi në Parajsë, e do ta lus Zotin që të na bashkojë aty ku asnjëherë nuk do t’ketë ndarje e lot.”

– Nga jeta e një nëne, ku dallgët e jetës e hodhën prej një vuajtje në një vuajtje tjetër. / KultPlus.com

“Le t’i veshim vajzat me vetëbesim!”

Nga Anisa Ruseti

Nuk jam mjaftueshëm e guximshme, me eksperiencë, e re, e zgjuar, e shkathët, mjaftueshëm, mjaftueshëm…!

Sot lë pas 39 vite e po njësoj mundohem të hedh pas shpine dhe gjithë “jo mjaftueshëm…” në jetën time.

Për veten, e mbi të gjitha për vajzën time dhe çdo vajzë që duhet ta pajisim me vetësigurinë se çdo difekt i saji është njëkohësisht perfekt, unik e i domosdoshëm për progresin e shoqërisë.

Le t’i veshim vajzat me vetëbesim! / KultPlus.com

“Save the Children”: Gjysmë milion vajza kryen martesa të detyruara gjatë pandemisë

Në vitin 2020, gati 500 000 vajza më shumë në botë janë detyruar të martohen me force për shkak të pasojave ekonomike të pandemisë, që u shtohen edhe mbi një milion shtatzëni të hershme, shkaku kryesor i vdekshmërisë te adoleshentet nga 15-19 vjeç.

Këto janë disa nga të dhënat e theksuara nga raporti ”Save the Children”, i cili denoncon një kthesë negative që vjen pas 25 vjetësh progress, ku sipas tij, vajzat adoleshente që martohen me detyrim ndodhen kryesisht në Azinë e Jugut (191 000), por gjithashtu në Afrikën Qendrore dhe Perëndimore (90 000) dhe në Amerikë Latinisht dhe Karaibe (73 000).

Sidoqoftë, shtatzënitë e hershme janë kryesisht të përqendruara në Afrikë, 282 000 në zonën e jugor dhe lindor të kontinentit dhe 260 000 në atë Qendrore dhe Perëndimore.

“Pandemia po shtyn gjithnjë e më shumë familje drejt varfërisë, duke lënë shumë vajza pa ushqim, duke i detyruar ato të bëjnë punë të ndryshme për të mbështetur familjen ose duke i detyruar ato të kujdesen për anëtarët e sëmurë të familjes dhe të braktisin shkollën, me mundësi shumë më pak të rifillojnë studimet e tyre se sa bashkëmoshatarët meshkuj”, theksoi Daniela Fatarella e ”Save the Children Itali”.

“Përafërsisht 12 milionë martesa të hershme bëhen çdo vit, në 1 në 6 raste nën moshën 15 vjeç, por në vitin 2020, për shkak të koronavirus, gjysmë milioni adoleshentë më shumë do të duhet të vuajnë këtë dhunë gjinore”, theksoi ajo. /atsh/ KultPlus.com

Shoqnia jonë ia thyen krahët çikave qysh fëmijë, e mandej presin me fluturue pa u përplas dikah

Nga Amela Temja

Na i lindim bijat tona vik-tima. Mendoj që ka àrdh koha me hjek dorë prej t’krijuemit një shoqnie ku vajzat/bijat tuaja frikësohen e ruhen prej baballarëve, vllaznive e pranisë mashkullore që i rrethon.

Ushqyerja e vazhdueshme ndaj tyne se nëse një ditë duen me prek suksesin e lirinë me dorë nuk ásht te përgatitja e tynve se iu duhet me luf-tue me gjininë e kundërt. Nuk ke pse luf-ton me marr diçka që veçse e ke.

E hájrit, ásht me e pa vajzën/çikën tuj çysh n’momentin që e mbani n’krahë si bekim që t’ka prue Perëndia e jo me u frikësu se çka ka me të than familja e burrit. E kur ajo t’fillojnë “me nxan mend” mos me ndejt tuj i than se “t’ka kap rrez-iku me lind n’familje shqiptare e çikat kur lindin s’i duen maj nánë.”

Me dásht e me ta dásht çikën s’ke nevojë me e lind as n’Europë e as n’Amerikë. Shoqnia jonë i rrit vetë çikat që me pas frikë babën e vllaun. E llogjikisht s’kena ça me kundërshtu se nëse i mbani çikat n’kafaze tilla ku s’guxojnë me u hap, me fol, me bisedue, me kërku ndihmë e këshille prej babe e vllau, ata normal kanë me u ba pre e dhu-nës, e keq-trajtimit, e uljes edhe poshtërimit.

Prej kujt? Pikërisht prej njasaj gjinie që ju po ia bani gogol! Jo bre s’keni nevojë me i msue me u ruejt, por me u vetërespektue. Shoqnia jonë ia thyen krahët çikave qysh fëmijë, qysh në shpi. E mandej presin që ata me fluturue pa u përplas dikah. Na i lindim çikat vik-tima, e djemtë “mon-stra” me potencial për me iu ba keq. Msoni djemve se nánat, motrat, gratë e bijat e tynve s’kanë nevojë me i pas nën kontroll se s’janë tuj kontrollu një biznes. Mësoni se shpullat, t’rrahmet çdo lloj forme e ngritjes së dorës karshi tynve nuk tregon forcë po veç vlera t’ulta që s’i kanë hije asnjë njeriu e jo veç atynve si burra. Mësoni aman, se nderi shpisë janë të dy si evlatë e jo veç çika.

E nëse ty ta ban djali t’keqen karshi një femre ásht njëlloj si me ia ba vajzës tande djali i dikujt tjetër. S’ishit ndje mirë apo? Qashtu shkon me vijë kjo punë. Mos e zg’átni vijën. Priteni çysh n’shpija tuaja, gëzohuni kur iu lind vajzë po ashtu sikur djalë. Rritini bashkë e jo në oda të burrave e t’grave, se ata “odat e burrnisë” ku iu msoni autoritetin djemve tuj e ata “odat e turpit” ku ua msoni heshtjen bijave tuaja janë hapat e parë që i hidhni n’vra-sjen e tynve për së gjalli. Mos i lindni çikat vik-tima. / KultPlus.com

“Në vend që ta mësoni të sakrifikojë veten e saj, të falë tradhtitë apo dhunën, mësojani vetrespektin”

Rrite dhe edukoje vajzën tënde aq të aftë dhe të fortë, sa të mos shqetësohesh fare se më kë do të martohet ajo.

Në vend që të kursesh para apo edhe të futesh në borxhe për ditën e martesës së saj, më mirë shpenzoji ato para në shkollimin dhe edukimin e saj.

Në vend që t’i thuash që të mësojë të bëjë atë e këtë se do ikësh në “derë të huaj”, në vend që t’ia fiksosh në tru që ajo duhet të mësojë punët e shtëpisë vetëm sepse do shkojë te burri e aty do luajë edhe rolin e “shërbyeses”, më mirë fiksoja në tru që pastërtia apo gatimi janë të domosdoshme në jetën e gjithsecilit dhe duke i mësuar ajo s’do varet nga askush që të ushqehet.

Në vend që ta përgatisni për martesën, shumë më mirë do ishte ta përgatisnit për veten e saj, po qe e përgatitur për veten, ajo do jetë në gjendje të përballojë gjithçka tjetër pa pranuar nënshtrimin.

Dhe më e rëndësishmja, në vend që ta mësoni të sakrifikojë veten e saj, të falë tradhtitë apo dhunën, të durojë për fjalët e botës, mësojeni të dashurojë veten e saj fillimisht, mësojani vetrespektin!

Mos i shkatërroni jetët e vajzave tuaja për tekat e juaja, për disa zakone që gjithmonë e kanë parë gruan shumë më poshtë se burrin, mos i shkatërroni sepse iu intereson më shumë për fjalët e botës, se sa për lumturinë e vajzës suaj.

Nëse vajza juaj pëson nga keqprindërimi juaj, askujt s’do i dhembë më shumë se sa juve, andaj mos i rrisni vajzat tuaja me idealet e kanunet me të cilat iu kanë rritur juve, mos ‘merrni hak’ tek vajzat e juaja, për mundësitë që nuk ua dhanë kurrë juve!

Mos iu thoni, “Unë kam duruar, duro dhe ti!”/ supergrate.net/ KultPlus.com

“Social Crafting Garage Saranda”, biznesi social për gratë e vajzat, viktima të dhunës familjare në Sarandë

Tetë gra dhe vajza që kanë qenë viktima të krimit të organizuar dhe dhunës në familje, punojnë sot në Social Crafting Garage Saranda, ku përmes punimeve në gur, ato krijojnë art dhe gjenerojnë të ardhura.

“Dikur një pasuri e krimit të organizuar në Sarandë, sot falë mbështetjes së BE-së, “Social Crafting Garage Saranda”, është bërë një biznes shoqëror që i shërben komunitetit.

Falë trimërisë dhe forcës së disa OSHC-ve vendore dhe Partner Albania, këto gra e vajza kanë mundësi  të krijojnë mozaikë me motive kulturore dhe të ndryshme, i shesin ato dhe gjenerojnë të ardhura.

“Jam shumë i lumtur që jam këtu sot. Këto nuk janë vetëm fjalë, por është ajo që ndjej me të vërtet. BE e konsideron këtë seri projektesh shumë të rëndësishme, është një hap në drejtimin e duhur për të luftuar krimin e organizuar dhe për të luftuar, në këtë rast specifik në Sarandë edhe dhunën kundër grave”,- tha Luigi Soreca, Ambasador i BE në Tiranë.

Pas pastiçerisë “KE Bruno” në Fier, dhe kafe librarisë “Kinofolk” në Durrës,  ky është biznesi i tretë shoqëror i vendosur në një pasuri të konfiskuar nga krimi organizuar në kuadër të projektit “C.a.u.s.e”. /Atsh /KultPlus.com

“Vajza nuk është e huaj, as rob e as tepricë”



Nga Gresa Bregaj

Vajza nuk është e huaj, as rob e as tepricë.
Vajza është dhuratë e Zotit, është ilaç i shpirtit, e shtylla e shtëpisë.
Vajza është sinonimi i dashurisë e i sakrificës.
Askush si vajza nuk e din e nuk e njeh dhimbjen për familjen.

Edhe unë jam vajzë e kurrë nuk du me u ndje e huaj n ‘shtëpinë e babës e as nuk du me e dëgju dikënd t’u përmend diçka të tillë.
Unë si vajzë e di qysh duhet me u sjell e çka i ka hije me bo një vajzës edhe pa qenë t’tjerët avokatët e mi.
Unë si vajzë nuk ndryshoj asgjë prej vetes sa me iu hy n’zemër njerëzve.
Unë si vajzë e di kur e kam “vaktin” për martesë e askush nuk ka t’drejtë me ndërhy n’jetën tem.
Unë si vajzë kurrë nuk ka me marr vendime t’rëndësishme për veten shkel e shko për hatër t’kërkujt e sa me i ndal “fjalët e hallkut”.
Unë si vajzë kurrë nuk du me e turpëru familjen, përkundrazi du me e bo shumë krenare.
Por…
Unë vajza e dikujt, njeri para së gjithash, nuk jam përfekte…! / KultPlus.com

“Bijat e mija, martesa nuk është mision, ekzistenca juaj, po”

Bijat e mija, jini egoiste të ndyra!
Merrni atë çfarë është e juaja!
Mëmësia nuk është mision.
As martesa, jo.
Ekzistenca juaj, po.
Jini egoiste kur ju kërkojnë të hiqni dorë në emër të familjes.
Mos u ngrini nga tavolina nëse një burrë nuk e ka bërë përpara jush.
Ndani hapësirat e nevojshme për ato që ju pëlqejnë: kinema, teatër, pasionet tuaja.
Jini egoiste kur ju kërkojnë të jeni “gjithçkaja” e tyre. Qofshin ata fëmijët, partnerët apo miqtë.
Mbani diçka për vete. Diçka sekrete. Të mbrojtur e të paarritshëm.
Jini egoiste. Mos ndani çdo gjë. Ka vende që duhet t’ju përkasin vetëm juve në mënyrë ekskluzive, që mund tu riktheheni kur gjërat nuk shkojnë mirë.
Jini aq egoiste sa të jeni të pavarura ekonomikisht.
Një llogari bankare vetëm tuajën, sepse të përziesh paratë me dashurinë bëhet lëmsh puna. Dhe nuk i dihet kurrë.
Jini egoiste kur tjetri ju ofendon sepse nuk jeni kthyer ende në shpi apo pse darka nuk është gati. Durim. Mos e lini pa bërë atë që po bënit. Nëse jeni aty, do të thotë që ajo hapësirë meriton kohën tuaj.
Jini egoiste kur puna, karriera janë të rëndësishme dhe vijnë përpara gjithçkaje. Për burrat kështu është, e dhënë e njohur dhe e pranuar kjo. E pse nuk duhet të jetë edhe për ju?
Jini egoiste. Mos bëni dashuri nëse nuk doni. Mos u shtirni. Jeni të sinqerta.
Kini etje për kënaqësinë, jeni egoiste siç është një burrë.
Mendoni për vete. Përpara se gjithash, për vete. Bijat e mija.
Për trupin tuaj. Për dëshirat tuaja. Për shpirtin tuaj.
Mbrojtja e të drejtave tuaja është një nevojë deri sa të kemi të njëjtën peshë që kanë dhe burrat që keni përkrah.
Të drejta që shkojnë përtej familjes, një fëmijë apo një dashurie.
Ato janë kaq personale dhe ju përkasin vetëm juve dhe askujt tjetër.
E pamundur ti dhunoni, rreziku është mungesa e lumturisë e kamufluar nga lumturia. Sakrifica e kamufluar në dashuri.
Jini aq egoiste të ndyra sa që të shpëtoni.
Dhe s’ka rëndësi se sa do t’ju kritikojnë, do t’ju bëjnë të ndiheni në faj, do t’ju thërrasin tek hapësira e rolit. Mbase tek ai i gruas. Mbase tek ai i nënës.
Por ju, mos dyshoni tek vetja.
Zgjidhni gjithnjë të jeni gruaja që ju dëshironi.
Jini egoiste të ndyra.
Kjo është trashëgimia ime si nënë, për ju! / KultPlus.com

Sipas një studimi, vajzat lexojnë më shumë se djemtë

Vajzat nuk dinë matematikë. Djemtë nuk lexojnë.

Këto stereotipe negative forcohen jo vetëm nga mësuesit dhe prindërit, por dhe nga vetë nxënësit, tregon studimi.

“Studimi ynë mund të jetë i pari që heton si besimet stereotipike të nxënësve rreth leximit te djemtë ndikojnë realisht tek ata,” tha bashkëautori Jan Retelsdorf, një psikolog në universitetin e Hamburg-ut, Gjermani.

“Ne e pamë rezultatin e stereotipeve në klasa dhe jo në laborator,” shton ai.

Studimi i publikuar në gazetën Child Development zbuloi se vajzat përfitonin nga besimi i nxënësve të tjerë se ato kishin më shumë prirje drejt librave. Kjo ama krijoi një vetëbesim shumë të ulët te djemtë.

Sipas studimit, është pikërisht ky stereotip i pabazë që nxit vajzat të lexojnë më shumë dhe djemtë të ndihen më larg librave. /KultPlus.com

“Lëri të të gjykojnë e dashur, të belbëzojnë për atë që nuk je, të çmenden për atë që je”



Nga Alket Skuka

Lëri të të gjykojnë, e dashur.
Lëri të të keqkuptojnë.
Lëri të ikin.
Lëri të zgjedhin.
Lëri të flasin për ty.
Të belbëzojnë për atë që nuk je.
Të çmenden për atë që je.
Lëri të ecin përballë teje e të mos e kthejnë kokën.
Lëri të të shohin e të mos prekin bukurinë tënde.
Lëri të të kenë zili. Të të duan. Të të adhurojnë.
Pastaj të të lëshojnë poshtë. Të shkojnë sërish.
Lëri përballë teje. Shko. Godit. Shtyj me bërryla. Lagu nën shi. Lëre erën të të peshkojë ëndrrat. Puth. Dashuro. Fal. Rindërtohu. Ti je e fortë. Nuk të mposht asgjë ty. Mos ndrysho. Njerëzit e gabuar do të të ndëshkojnë për atë që je. Të duhurit do të të dashurojnë. Askush s’mund të jetë ti. Magjia jote nuk mund t’i mahnisë të gjithë. Disa do ta xhelozojnë. Andaj, ec drejt me perfekten dhe joperfekten tënde. Bëhu vetvetja. Rritu. Zgjidh ata që bëjnë gjithçka për ty. Zgjidh ata që e kërkojnë me ngulm praninë tënde, dhe jo ata që në mungesën tënde gjejnë justifikime. Zgjidh njerëzit që s’kanë frikë nga mrekullia jote. Zgjidh njerëzit që nuk thonë se të duan, por që e tregojnë atë në sy të botës. Pa asnjë frikë. Askush nuk do mund të jetë paqja e shpirtit tënd, nëse ti s’mund të gjesh vetveten në paqe me atë që ti je. Ndaj bëj një lëng portokalli. Fshiji sytë. Qëndro rebele. Rritu….dashurohu sërish…me vehten. Me çmendurinë e një sekondi… Me vallëzimet e tua nën shi. Me vështrimin tënd nevrik, atëherë kur bota nuk të pret. / KultPlus.com

“Mos kurse para për ditën e martesës së saj, shpenzoi ato në shkollimin dhe edukimin e saj”

Rrite dhe edukoje vajzën tënde aq të aftë dhe të fortë, sa të mos shqetësohesh fare se më kë do të martohet ajo.

Në vend që të kursesh para apo edhe të futesh në borxhe për ditën e martesës së saj, më mirë shpenzoji ato para në shkollimin dhe edukimin e saj.

Në vend që t’i thuash që të mësojë të bëjë atë e këtë se do ikësh në “derë të huaj”…në vend që t’ia fiksosh në tru që ajo duhet të mësojë punët e shtëpisë vetëm sepse do shkojë te burri e aty do luajë edhe rolin e “shërbyeses”, më mirë fiksoja në tru që pastërtia apo gatimi janë të domosdoshme në jetën e gjithsecilit dhe duke i mësuar ajo s’do varet nga askush që të ushqehet.

Në vend që ta përgatisni për martesën, shumë më mirë do ishte ta përgatisnit për veten e saj…po qe e përgatitur për veten, ajo do jetë në gjendje të përballojë gjithçka tjetër pa pranuar nënshtrimin.

Dhe më e rëndësishmja, në vend që ta mësoni të sakrifikojë veten e saj, të falë tradhtitë apo dhunën, të durojë për fjalët e botës, mësojeni të dashurojë veten e saj fillimisht, mësojani vetrespektin!

Mos i shkatërroni jetët e vajzave tuaja për tekat e juaja, për disa zakone që gjithmonë e kanë parë gruan shumë më poshtë se burrin, mos i shkatërroni sepse iu intereson më shumë për fjalët e botës, se sa për lumturinë e vajzës suaj.

Nëse vajza juaj pëson nga keqprindërimi juaj, askujt s’do i dhembë më shumë se sa juve, andaj mos i rrisni vajzat tuaja me idealet e kanunet me të cilat iu kanë rritur juve, mos ‘merrni hak’ tek vajzat e juaja, për mundësitë që nuk ua dhanë kurrë juve!

Mos iu thoni, “Unë kam duruar, duro dhe ti!” / Femër / KultPlus.com

“Çikat që s’u lindën kurrë”, paneli që shpalosi shqetësimin mbi abortet në Kosovë

Bujar Meholli

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e fëmijës vajzë dhe në ambientet e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë është mbajtur paneli “Çikat që s’u lindën kurrë”, i organizuar nga Qendra për Art dhe Komunitet — Art Polis, shkruan KultPlus.

Panelistë të kësaj ngjarjeje ishin: Donjeta Morina, hulumtuese, Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave, Blerim Syla, Kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Besa Ismaili, profesoreshë në FSI, si dhe Leonida Molliqaj, hulumtuese.

Para audiencës u shpalos raporti i Ilirjana Banjskës i cili analizon abortet e nxitura në Kosovë nga viti 1999 deri më tani, të cilin e paraqiti Donjeta Morina nga KIPRED.

Për këtë raport, Morina foli gjatë para se të hapej mundësia e diskutimit. Ajo ndër të tjera theksoi se në Kosovë mungon një institucion i besueshëm mbi abortet. Morina e prezantoi raportin në fjalë, duke shprehë shqetësimin për rritjen e aborteve në vendin tonë.

“Vlerësimi brenda këtij hulumtimi ka qenë se ka pasur më shumë aborte në zonat rurale, kjo ka bërë që gratë në zonat rurale janë më të stigmatizuara sesa gratë në zonat urbane, por kjo s’do të thotë që nuk janë të stigmatizuara edhe gratë nga zonat urbane”, potencoi ajo.  

“Çdo femër mund të vendos lirshëm mbi ndërprerjen e shtatzënisë sipas kritereve të përcaktuara me ligj. Mjeket kanë të drejtë të refuzojnë abortin që kryhet në të institucion por duhet ta gjej një zgjidhje brenda atij institucioni”, tha Morina.”

Morina prezantoi hulumtimin tutje, duke shpalosur statistika nga vitet e kaluara me numrin e aborteve të kryera.

Morina theksoi se nuk ka numra të saktë të aborteve të kryera, pasi gjysma e tyre kryhen në klinika private, kurse sipas statistikave të QKUK-së thonë se janë kryer 1007 aborte, mosha e tyre ka qenë prej 20-35.

Kurse hulumtuesja Leonida Molliqaj nga ana tjetër shprehi shqetësimet e saj për këtë dukuri. “Në përgjithësi shëndeti riprodhues i grave në Kosovë, nuk e ka marrë fokusin e duhur as nga Ministria e Shëndetësisë dhe as nga shteti”, konstatoi ajo.

Kurse Adelina Berisha, aktiviste për çështje të të drejtave të grave (RrGK), kërkoi të bëhet inspektimi i klinikave private, aty ku kryhet pjesa më e madhe e aborteve.

“Aborti është i lejueshëm deri në javën e 10 të shtatzënisë. Fatkeqësia më e madhe është se ka numër të vogël të aborteve pasi abortet kryhen në mënyrë ilegale. Me të vërtetë diçka është duke u rrezikuar. Të ketë inspektim më të madh të klinikave private”, tha ajo.

Ndërsa, Blerim Syla – Kryetari i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë dhe Gjinekolog, u shpreh se edukata seksuale duhet të jetë pjesë në të gjitha shkollat e vendit, dhe se nxënësit duhet të vetëdijesohen për abortet apo edhe për sëmundjet e transmetueshme.

Ky panel është bërë me qëllim të vetëdijesimit të masës, veçanërisht për gratë e moshës madhore, pasiqë ato duhet të jenë të lira të marrin vendime mbi veprimet e tyre, sidomos kur ky veprim ka të bëjë me abortin.

Po ashtu kërkohet që të ketë më shumë biseda rreth kësaj çështjeje edhe në diskursin publik sepse ajo vazhdon ende të jetë temë tabu në vendin tonë. Organizimi është mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim. / KultPlus.com

Vrasja e vajzave! Nënat e reja detyrohen të abortojnë, pasi fëmija duhet të jetë djalë

Djalë apo vajzë? Shqiptarët vazhdojnë edhe sot e kësaj dite të jenë në kërkim të djalit. Djali do të thotë fitore, vajza humbje.

TopChanel ka bërë një hulumtim rreth kësaj teme, ku përveç nënave që janë përballur me këtë rast, rrëfehen edhe doktorët.

Rastet e nënave, që detyrohen të abortojnë vetëm e vetëm se është vajzë, janë të shumta, megjithëse kjo gjë ndalohet me ligj.

“E kam djalë, është shtylla e shtëpisë”, thotë një nënë në maternitet, e cila sapo ka lindur.

“Aborti u bë kur vajza ishte katër muajshe. Ishte ultimatum. Nuk kisha mundësi të kthehesha në shtëpi pa e kryer atë punë”, rrëfen një tjetër grua.

Një studim i fundit në vend tregon të dhëna të frikshme për abortin selektiv.

“Që nga viti 1990 e deri më sot, në Shqipëri janë 33 mijë vajza të munguara”, thotë Eglantina Bardhi, nga “Together For Life”.

“Nëse investohet për shkollimin e saj, kjo konsiderohet një para e humbur”, tregon një tjetër nënë rreth mendimeve që kanë për vajzat në Shqipëri.

Një tjetër grua rrëfen se pas dy vajzave kur ngeli shtatzënë dhe u konstatua që po pret prapë vajzë, u detyrua nga bashkëshorti të bëjë abort, pasi nuk ju duheshin vajzat por duhej një djalë si shtyllë shtëpie dhe të marrë mbiemrin e familjes. Ajo rrëfen se u detyrua të bëjë një raport të rremë mjekësor për të arritur të abortojë vajzën.

“Ne mbajmë vendin e parë në Europë”, pranon fatkeqësisht mjekja Rubena Moisiu, ish-drejtoreshë materniteti. /KultPlus.com

“Logu i Bjeshkëve”, vajzat e zonës së Kelmendit zhvillojnë konkursin e bukurisë

Nën ritmin e muzikës dhe veshjeve tradicionale, në qafën e Predelecit në Kelmend u zhvillua “Logu i Bjeshkëve”, një aktivitet i bashkisë së Malësisë Madhe, ku bukuroshet e trevës së Kelmendit zhvillojnë konkursin e tyre të bukurisë.

“Rreth 1500 pjesëmarrës nga të gjitha trevat e Shqipërisë kanë marr pjesë në këtë festë tradicionale, e cila ka si qëllim promovimin e turizmit malor dhe produkteve të zonës”, theksoi Prefekti i Shkodrës, Çesk Millja për Agjencinë Telegrafike Shqiptare (ATSH).

Prefekti bënë me dije se për këtë festë Kelmendasin vijnë nga çdo cep i botës, ku 30 prej tyre kanë ardhur nga SHBA-të duke organizuar edhe një koncert të bukur dhe të veçantë.

“Sot ishte aktiviteti i “Logut të Bjeshkëve”, aktivitet i bashkisë së Malësisë së Madhe që organizohet çdo vit dhe në kuadër të turizmit malor. Festa zhvillohet në javën e parë ose të dytë të muajit gusht. Sot u zhvillua një aktivitet kulturor, folklorik dhe historik ku ekspozuan disa nga prodhimet tipike të zonës. “Logu i Bjeshëkve”, janë disa beqaresha deri në moshën 25- vjeçë dhe në këtë festë tradicionale përzgjidhen më të mirat, duke shpërndarë dhe çmime. Për organizmin e këtyre eventeve, bashkia bashkëpunon me Kelmendasit kudo në botë, që janë nga Amerika, Anglia dhe kudo që ata janë. Dot kemi pasur një grup prej 30 vetash të ardhur nga SHBA-të që realizuan një koncert të bukur dhe të veçantë, duke promovuar vlerat historike dhe ato folklorike të zonës. Nga i gjithë aktiviteti që filloi që në orën 10:00, kemi pasur një pjesëmarrje prej 1500 vetash që ishin ne Logun e Bjeshkëve në qafën e Predelecit, të cilët shijuan muzikën folklorike të trevave tona. Juria e cila shpërndau çmimin ishte e përbërë nga 5 vetë, duke ndarë vendin e parë të dytë dhe të tretë, për bukuroshet. Aktiviteti u shoqërua edhe me disa prodhime të zonës, si mjalti, djathi dhe disa prodhime blegtorale të zonës si dhe një sërë produktesh të ndryshme. Kjo festë u shoqërua gjithashtu me shumë këngë edhe valle ashtu siç ja do shpirti një malësori”, theksoi Millja.

Qëllimi i festës së “Logut të Bjeshkëve” sipas prefektit Millja, është zhvillimi i turizmit malor si dhe për të përkujtuar traditën e vjetër kulturore.

“Këto aktivitete janë në kuadër të zhvillimit të turizmit malor, por ky është aktivitet edhe vjetor për të realizuar edhe traditën e vjetër kulturore. Meqë njerëzit ishin lartë nëpër male, çdo muaj gusht mblidheshin nuset e reja për të parë kush ishte më e bukura. Në këtë “Log” vinë njerëz nga të gjitha trevat shqiptare dhe diaspora.

Të pranishëm dhe kureshtar rreth kësaj feste me bukuri të pamasë, ishin dhe turistët e huaj të cilët panë konkursin e bukurisë si dhe shijuan produktet tradicionale të zonës.

“Turistët e huaj ishin prezent në këtë festë dhe kjo edhe për shkak të rrugës së shtuar e cila shkon deri në qafën e Predelecit dhe pjesëmarrja ishte e lartë me mbi 1500 persona.

Shumë prej tyre mbetën të mahnitur nga veshjet, këngët si dhe vallet tradicionale Shqiptare”, theksoi prefekti Millja, shkruan atsh.

Vendin e parë e fitoi malësorja e Hotit banuese në Londër. Gjithashtu u promovua tradita e prodhimeve vendase si dhe ajo është veshjeve kombëtare të zonës me xhubleta madhështore./ KultPlus.com

“Vajzat”, performanca e radhës e fuqishme e FemArt-it

Alberina Haxhijaj

Dita e fundit e festivalit FemArt ka sjellë në Prishtinë performancën teatrale “Vajzat”, me autore Jillian Greenhalgh. Performancë e cila është pjesë e projektit Magdalena, shkruan KultPlus.

Gratë e zgjedhura për këtë performancë qëndronin të ulura në tavolinën e mbuluar më të zezë, mbi të cilën qëndronin objekte të ndryshme të cilat ato i kishin zgjedhur, objekte që fshihni histori prapa tyre. Tavolina kishte dy karrige, një ku ulej treguesja e historisë dhe tjetra për përcjellësin e festivalit i cili ulej pranë saj për të dëgjuar historinë që ajo do i zbulonte. Në mesin e grave që sollën historitë e tyre ishin Meli Qena, Valdete Idrizi, Aurita Agushi, Genta Ramadani, Mina Nikolic, Shqipe Gashi, Reneta Duda, Qendresa Loki.

Pjesa intriguese e kësaj performance ishte fakti se në tavolinë gjendeshin disa objekte. Kështu treguesja e historisë përzgjidhte se cilën histori të tregonte, të fshehtën e cilit objekt të vinte në pah. Kështu pjesëmarrësit e kësaj performance uleshin me radhë, herë te njëra grua e herë te tjera. E kur e gjitha përfundoi ata lanë Galerinë e Fakultetit të Arteve më histori të ndryshme të dëgjuara nga e njëjta grua. Kjo mënyrë e përzgjedhjes së historive solli diskutime edhe pas përfundimit të performancës, pasi që, pjesëmarrësit ndanin me njëri-tjetrin historitë që dëgjuan duke u munduar që të zbërthenin ngjarjen e plotë që shpërfaqnin objektet mbi tavolina.

Autorja e saj Jillian Greenhalgh, e cila është edhe pjesë e stafit të projektit Magdalena tregoi për KultPlus, më shumë për projektin dhe performancën.
“Projektin Magdalena e kemi filluar në vitin 1986, Rrjeti Ndërkombëtar i Grave në Teatër Bashkëkohorë dhe është në gjithë botën për momentin. Kemi shumë festivale gjatë gjithë kohës nën ombrellën e projektit Magdalen e që është për gra. Kështu kam takuar edhe Zana Krasniqin, drejtoreshën e festivalit gjatë pjesëmarrjeve në Beograd dhe edhe në Danimarkë. Zana e ka parë këtë performncë dhe na ka ftuar pra jemi dy gra, e që të dyja kemi festivalet tona për gratë”, tha ajo.

Kjo performancë e cila është shfaqur në shumë vende të botës tani ka edhe Kosovën në hartën e vendeve ku është shfaqur.

“Performancën e kam bërë në shumë vende, është një strukturë me të cilën unë çdoherë vi dhe me një punëtori 20 orësh ku mbledhim historitë, objektet, rregullojmë tavolinat dhe praktikojmë. Gjëja më e rëndësishme sipas meje është të marrësh në kontroll tavolinën. Gratë duhet që ta marrin situatën në kontroll dhe historitë, të mos shfaqin emocione e as të jenë sentimentale. Thjeshtë të dhurojnë historitë si një dhuratë për çdo njërin nga pjesëmarrësit”, u shpreh autorja.

Në këtë performancë çdo grua kishte rreth 10 histori për të treguar, histori të cilat lidheshin rreth një personazhi, një lidhje që ato e kanë zgjedhur, një person, nënë, motër, gjyshen apo këdo tjetër.

“Është një performancë e cila funksion në çdo vend, së fundi e kam shfaqur edhe në Gjermani dhe në Francë dhe pas Kosovës do të shkoj në Brazil. Atje do e bëjë të njëjtën performancë por vetëm me burra, pra do e përdor të njëjtën strategji. Pres më padurim të shoh sesi do të ec pasi që duhet të jesh i guximshëm por edhe i ndjeshëm në të njëjtën kohë gjatë performancës”, përfundoi ajo.
Projekti Magdalena është një rrjet dinamik ndër-kulturor i teatrit dhe performancës së grave, duke lehtësuar diskutimin, mbështetjen dhe trajnimin kritik. Është një lidhje për grupet e ndryshme të performancës dhe individët, interesi i përbashkët i të cilëve qëndron në angazhimin për të siguruar vënien në pah të përpjekjeve artistike të grave./ KultPlus.com

Nga vajzat e fshatit në “engjëjt” e vdekjes të Aushvitcit

Në 13 dhjetor të 1945 në qetësi në një burg gjerman të Hamelinit një “krak” njoftoi se ishte thyer qafa e Irma Grese, 22 vjeç, naziste, kriminele lufte. Në 24 janar të 1948 në qetësi në një burg gjerman të Montelupich, në Krakovë një “krak” njoftoi se ishte thyer qafa e Maria Mandel, 36 vjeç, naziste, kriminele lufte. Kush ishin dhe pse u dënuan me vdekje këto dy femra?

Irma Ilse Ida Grese lindi në një fshat të Wrechen në 7 tetor të 1923 në një familje të varfër, mori një edukim të ulët në një shkollë fillore deri në moshën 15 vjeç kur mbeti jetime nga e ëma. E detyruar të ushqente 4 vëllezërit jetimë si ajo punoi në gjithçka mundi, në fermë, shitëse, pastruese në një spital, punëtore në një baxho etj.

E dërguan si ndihmëse të trupave femërore në kampin e përqendrimit të Ravensbrukut. U pa në pasqyrë dhe nuk kishte më lopë dhe baltë dhe uniforma e SS-ve i rrinte mjaft mirë. Trupa femërore e SS-ve nuk mbanin armë dhe nuk mund t’i jepnin urdhër asnjë ushtari të çfarëdo rangu.

Kampi i Ravensbrukut ishte uzina mëmë nga ku dolën torturat më çnjerëzore. Irma në atë kohë ishte 19 vjeç, më e reja e kampit dhe puna e saj e parë ishte recepsioniste telefoni, fitonte 54 marka në muaj.

Një gabim në punë dhe u dërgua në krye të një grupi që transportonte gurë, ndoshta për të ndërtuar barakat dhe dhomat e gazit. Aty njohu dhe bashkëpunoi me Jozef Mengele, mjek, një Frankeshtajn i jetës reale që kreu makabritete në emër të një race superiore.

E quajtën engjëlli i vdekjes ose koleksionistja me sy blu. Përkrah tij Irma u transformua. Nga vajza jetime, fshatare e butë, pastruese e dyshemeve dhe infermierja e frustruar lindi një djall, një djall bjond që në fillim i dominon të burgosurat, i godet dhe më pas i dënon, perverse që nganjëherë kulmon me një abuzim seksual.

Djalli fshihet pas asaj uniforme të papërlyer me çizme të gjata e të lustruara, me flokët të krehura, me parfumin e trëndafilit që janë në kontrast me aromat e vdekjes. E keqja rritet dhe përsoset dhe i jep mirëseardhjen viktimave të reja, të cilët në fillim e ngatërrojnë me një engjëll dhe kështu e thërrasin.

Më pas mbretëron mbi 30 mijë të burgosura nga të cilat mbeten vetëm 3000. 5 oxhaqet punojnë ditë dhe natë, ndotin ajrin me hirin e trupave të vdekur nga një plumb ose dhomë gazi. Irma dyfishon bastin përditë, ndien kënaqësi në martirizimin e të sëmurëve, të dobtëve, invalidëve.

Në një ditar të gjetur nga një ushtar i aleatëve shkruhet: “Gjatë përzgjedhjes engjëlli bjond i Belsenit (Belsen-Belsen ishte kampi i saj i dytë) e përdorte kamxhikun mbi të gjithë trupin tonë. Ndrydhjet tona nga dhimbja dhe gjaku që humbnim e bënin të buzëqeshte dhe dhëmbët e saj perfektë dukeshin si perla.

Me kalimin e kohës shtoi kalvare të tjera, na lëshonte qentë e uritur që të na hanin dhe torturonte fëmijët”. Kur u çlirua kampi në strehën e saj u gjetën llamba tavoline të bëra nga lëkura e hebrenjve që vetë ajo kishte vrarë dhe rrjepur.

Mes dëshmitareve të akuzës, një gjinekologe hebre, ish e burgosur, do të deklaronte se Irmës i pëlqente të godiste me kamxhik gjoksin e vajzave në mënyrë që plagët të infektoheshin dhe më pas i detyronte t’ua priste pa anestezi.

Në të njëjtën mënyrë i detyronte të kishin marrëdhënie seksuale me të dhe kur i mërziteshin i dërgonte në furrat e djegies pasi i kishte vrarë me pistoletë. Ishte e vetmja femër e rangut të saj që mbante armë”.

U dënua me varje, ekzekutimi u bë në orën 9:34 të mëngjesit në 13 dhjetor të 1945. Kishte dy muaj që kishte mbushur 22 vite jetë. Tek shihje trupin që varej ishte e vështirë të besoje së 3 vjet më parë kishte dashur të bëhej infermiere për t’u kujdesur për tjetrin dhe për ta ngushëlluar atë në dhimbje.

Maria Mandel

Kafsha e Aushvitcit, lindi më 10 janar të 1912 n ë Münzkirchen, Austria veriore, pjesë e atëhershme e perandorisë austrohungareze. Në ndryshim nga Irma Grese nuk vuajti nga varfëria, as jetime s’mbeti. Ishte vajzë dhe mbesë e një familje këpucarësh dhe nuk i mungoi asgjë në jetën e saj.

Në moshën 17 vjeçare u përball ashpër me të ëmën dhe u përzu nga shtëpia, filloi të kërkonte punë. Në fillim si kuzhiniere në Zvicër dhe më pas në vende të ndryshme, derisa në vitin 1938 filloi t’i ndryshonte fati, një kurs rojesh burgu në Lichtenburg, Sajonia me 50 gra të tjera.

Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore u transferua në burgun e Ravensbrukut, jo shumë larg Berlinit, kapitulli i saj i parë i tmerrit. Ishte e ashpër nganjëherë më shumë se një burrë, e palodhur, e pamposhtur, naziste, kritere më se të mjaftueshme për t’u kthyer mbrapa në zemër të makabritetit, në Aushvitc (1942).

Në tetor të atij viti bëhet shefe e kampit. Detyra e parë: të drejtonte ndërtimin e një sektori të dytë meqë barakat nuk mbanin më njerëz të sjellë nga dhjetëra vagonë të burgosur në ditë. E ndërton sektorin nga më mizorët në mënyrë që vuajtja të ishte akoma më e madhe. Shfaqte një sadizëm më tepër psikik sesa fizik. Qëndronte përballë të burgosurve duke pritur që dikush të guxonte ta shihte.

Më vonë njerëzit do ta kujtonin kështu: “Ishte e aftë të qëndronte për orë të tëra në atë pozicion. Ai që e thyente këtë rit zhdukej, nuk e pamë kurrë. Shkonte nga dhoma e gazit në furrën e djegies”. Sipas llogaritjeve të sakta rreth gjysmë milion shpirtra vdiqën direkt nga urdhrat e “kafshës”.

Ndërkohë që ndodhnin këto vrasje urdhëronte një bandë muzikore të luante marshe të vjetra ushtarake dhe më vonë organizoi orkestrën e parë me gra që luante para ndonjë shefi të Rajhut. Arriti në Aushvitc mjaft e trajnuar.

Në Ravensbruk kishte kryer eksperimente mjekësore mbi kaviet njerëzore me misionin për të treguar inferioritetin e racave të tjera dhe përsosmërinë e racës ariane. Në vitin 1944 fituese e kryqit për merita ushtarake u dërgua në Mühldorf, një degë e ferrit të quajtur Dachau, por qëndroi aty për pak muaj.

Me ardhjen e aleatëve në prill të vitit 1945 dhe me rënien e Rajhut u arratis në male duke u përpjekur të shkonte në Münzkirchen, qytetin e saj të lindjes. U fsheh aty deri në 10 gusht, kur u kap nga një komandë amerikan.

Qëndroi në burg për një vit, derisa u ekstradua në Poloni, ku u gjykua më vonë në Krakovë, u dënua me vdekje për krime kundër njerëzimit. Ato zgjodhën metamorfozën. Nga vajza në përbindësha./ KultPlus.com