MKRS hap konkursin për ndarjen e Çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”, për vitin 2023

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur konkursin për ndarjen e Çmimeve për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2023, shkruan KultPlus.

Sipas MKRS, tri dramat më të mira përveç shpërblimit financiar, fitojnë të drejtën për lexime skenike në Teatrin Kombëtar të Kosovës si dhe botohen në një edicion special në gjuhën shqipe.

“Tri dramat më të mira të përzgjedhura nga juria profesionale, përveç shpërblimit financiar, fitojnë të drejtën për lexime skenike në Teatrin Kombëtar të Kosovës si dhe botohen në një edicion special në gjuhën shqipe”, thuhet në njoftimin e MKRS në facebook.

Data e fundit për aplikim është data 1 gusht 2023/KultPlus.com

Nesër ndahen çmimet për Dramë Origjiale Shqipe ‘Katarina Josipi’

Nesër duke filluar nga ora 13:00, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës do të mbahet ceremonia e ndarjes së çmimeve vjetore të konkursit vjetor për dramë origjinale shqipe “Katarina Josipi”, përcjell KultPlus.

Ky organizim mbahet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Kujtojmë se vitin e kaluar dramaturgja Brikena Sopi ishte fituese e Çmimit të parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”, me dramën “Hekurudha”. / KultPlus.com

Shpallen fituesit e çmimeve për konkursin e Dramës Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”

Bazuar në Vendimin nr 3672/2020, të datës 28.10.2020 të Jurisë Profesionale për vlerësimin e dramave në konkursin e Dramës Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020, sipas konkursit të shpallur publik, Departamenti i Kulturës njofton për shpalljen e fituesve, si më poshtë:

Çmimi i parë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës “Cari i Carave”, shifra: Sui Generis;

Çmimi i dytë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës – “ Shtëpia e të humburve “, shifra: Zgjim James-i riu;

Çmimi i tretë për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2020 i ndahet dramës – “ Era”, shifra: 8.

Meqë mënyra e konkurrimit ka qenë konfidenciale,  identifikimi i aplikuesve ka qenë përmes shifrave, andaj kërkohet që laureatët e çmimeve, sipas shifrave të lartshënuara të lajmërohen sa më parë në Departamentin e Kulturës, në mënyrë që të identifikohen si fitues. / KultPlus.com

Përurohet shtëpia muze e Katarina Josipit

Në fshatin Zym të Prizrenit, është bërë përurimi i shtëpisë muze të aktores së madhe dhe ikonike të Kosovës, Katarina Josipi, projekt në të cilin Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka investuar rreth 50 mijë euro, e cila është një monument i trashëgimisë kulturore në Zym të Prizrenit dhe që i kategorisë arkitekturore.

Në ceremoninë e përurimit mori pjesë edhe ministri Kujtim Gashi e cili e vlerësoi se gradualisht fshati Zym po shndërrohet në një pikë turistike të Kosovës.

“Është kënaqësi e veçantë që të marrim pjesë në një fshat të veçantë të Kosovës, i cili trajtohet me një ligj të veçantë, Ligji për fshatin Zym dhe pa dyshim që përkushtimi i jonë për këtë vendbanim të rëndësisë së veçantë dhe të trashëgimisë kulturore por edhe i imi si ministër është tejet i rëndësishëm. Edhe më herët disa ministra janë marrë me këtë projekt, i cili është stërzgjatur shumë. Ne, duke pas parasysh rëndësinë dhe specifikat që ka pasur ky projekt, natyrisht që është dashtë një punë e madhe dhe përkushtim për ndryshim brenda projektit”, tha ministri.

“Mbi të gjitha këtë objekt ia dedikoj një njeriut që ka punuar shumë për këtë projekt, Fikret Tekvesh, i cili nuk është më mes nesh, i cili me përkushtim të madh është angazhuar në këtë projekt. Ua uroj të gjithëve këtë projekt, sidomos qytetarëve të Zymit”, ka thënë Gashi.

“Fshati Zym tashmë po kthehet në qendër turistike. Po besoj që jemi në rrugë të mirë me ngrit edhe shtatoren e Pjetër Bogdanit. Edhe për ekspozitën sepse do të jemi prapë këtu, është fazë tjetër besoj shumë shpejtë do ta kemi dhe do të jemi prapë bashkë”, tha Gashi.

Nikollë Dura, familjar i Katarina Josipit, tha se e ka mirëpritur këtë projekt edhe pse e ka quajtur si të vonuar.

“I falënderojë të gjithë, posaçërisht ministrin. I përshëndes edhe shumë ministra të tjerë, 5 janë ndërruar deri këtu, ju e keni tash nderin më të madhin. Ma ne fund na erdhi puna për tu falënderuar për të gjitha që keni bërë edhe pse pak me vonesë nuk më ka penguar mua pse jemi vonuar”, ka thënë Dura.

Pushteti jugosllav ia dëboi bashkëshortin Katarina Josipit, Kati më pas nuk u martua kurrë

Frrok Kristaj

Ka mbretëruar një mendim se Kati nuk ka pasur jetë private. Vërtet ajo ishte shumë e angazhuar, por pati edhe jetë private. Qe martuar me Pjetër Hilën, emigrant që konsiderohej në atë kohë, Shkodra.

Ajo ishte bërë edhe nënë: Lindi dy fëmijë që i vdiqen nga një sëmundje e rëndë, katër dhe dy vjeç. Më vonë mbeti edhe pa burrin, të cilin pushteti jugosllav ia dëboi nga Kosova si person i padëshiruar dhe e ktheu në Shqipëri. Kati nuk u martua më kurrë.

Mirëpo, një vit para se të vdiste (1968), ajo e vizitoi ish-bashkëshortin në Shkodër. Kati ia vizitoi familjen e tij të re. Ajo ia njohu gruan dhe dy fëmijtë e burrit, të cilët kishin po të njëjtit emra që paten edhe fëmijtë e Katit./KultPlus.com

Të hënën në TKK shënohen 50 vite nga vdekja e Katarina Josipit

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës, më 29 prill duke filluar nga ora 12:00  do të shënohen 50-të vite nga kalimi në amshim i aktores së njohur shqiptare Katarina Josipi-Kati, shkruan KultPlus.

Në këtë ditë kushtuar Katit, kori i grave “Nexhmije Pagarusha”  nga Prishtina do të interpretojnë një këngë të Nexhmijes, e cila karrierën e kishte filluar me Katarinën si aktore, kurse aktorët që kanë interpretuar me Katarina Josipin, e të cilët ende janë në jetë, Leze Qena, Adem Mikullovci, Dibran Tahiri, Selman Lokaj, Safete Rogova, Igballe Qena e Ajshe Ramadani do të evokojnë kujtime për Katin.

Në kuadër të këtij evenimenti kulturor bëhet edhe promovimi i monografisë së Frrok Kristajt “Kati – ikona e teatrit shqiptar”, që u botua vitin e kaluar, kurse sivjet Unioni i Shkrimtarëve dhe i Kritikëve Shqiptar këtë vepër e shpalli monograf më të suksesshme të vitit. Për këtë monografi do të flet shkrimtari dhe kritiku tashmë i mirënjohur Pren Buzhala.

Më pastaj organizatori do të laureojë me nga një plaketë aktorët që kanë interpretuar me Katin si dhe organizatorët e këtij evenimenti kulturor. Në fund, anëtarët e Ansamblit etno-kulturor “Katarina Josipi” nga Zymi do të prezantohen me një program të shkurtër kulturo-artistik ”. Ndërsa ditën e martë, më 30 prill, në orën 10, në Zym të Hasit, atje nga vinte Katarina Josipi, por edhe atje ku u varros, do të vendosen lule të freskëta mbi varrin e Katarina Josipit.

Këtë event kulturor e organizon Unioni i Letrarëve të Kryeqytetit të Kosovës në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës.

Katarina Josipi jetoi gjithsej 46 vjet, prej të cilave 21 i kaloi në dërrasat e skenës së Teatrit Kombëtar të Kosovës. / KultPlus.com

Leze Qenës i dhemb zemra për Katarinën dhe Meribanin

Leze Qena, një prej aktoreve më simpatike e të lezetshme shqiptare, tregimin e saj në skenë e ka të pafund.

Rolet e saj në televizion e në teatër, ndër vite, me personazhe të ndryshme, e kanë formësuar në një grua e cila ka buzëqeshjen në rend të parë dhe humorin në rend të dytë. Vuajtja sikur nuk zë vend brenda saj, ose është kaq mirë e fshehur.

“Katarina Josipi dhe Meriban Shala kanë qenë dy shoqe dhe dy kolege që rrallë mund të gjenden! Se, aktorët janë si fëmijët, janë edhe xhelozë, edhe.. Unë nuk kam parë njerëz të jenë pa fije smire mes tyre, por, thjesht, të vuajnë njëra për tjetrën. Kur ka vdekur Meribani, shumë e re, 24 vjeçe, Kati vuante për të dhe shpesh qante. Unë dhe Xhevati shkonim, e dinim pse ishte e mërzitur. Meribanin unë e kam parë te shfaqja “Besa” e Sami Frashërit, o Zot ai aktronte, e kam parë edhe te “Mirandolina”, ndërsa në shfaqjen “Nuk martohem më parë” kam aktruar me të” tregon rrëfimin e saj aktorja Leze Qena përballë Sanije Gashit.

Leze Qena duket se me këto dy aktore ka pasur shoqëri përtej aktrimit. Tri aktore me të njëjtin shpirt, vështirë se mund ti ndajë diçka, qoftë këtu edhe vdekja.

“Me Katin, ndërkaq, më ka rënë të luaj më shpesh. Kati është e pazëvendësueshme! Kush e ka parë në shfaqje, e di, kush nuk e ka parë – gjynah” tregon Leze Qena.

Lezja edhe sot është personazh i dashur për ata që e duan artin e kulturën. E lindur në Prizren, ka luajtur në “Shkolla e fshatit”, “Familja moderne”, “Macja”, “I ikuri” e projekte të tjera. Lezes duhet ti jemi mirënjohjes dhe ti përulemi për këto vite hare, teatër hyjnor dhe emocione të cilat na i dha neve dhe ne i pranuam pa pyetur më shumë. / KultPlus.com