“Peizazh koreografik”, retrospektivë 50-vjeçare e koreografit Xhemali Berisha

Nën tingujt e valles instrumentale tradicionale u bë hapja e shfaqjes “Peizazh koreografik”, retrospektivë 50-vjeçare e koreografit Xhemali Berisha.

Në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë, ku u mbajt kjo ngjarje, u vlerësua lartë kontributi i Berishës në fushën e koreografisë, duke theksuar se vlerat e kësaj trashëgimie i ka prezantuar më së miri në skenat dhe festivalet me renome ndërkombëtare.

Që nga fillimi i punës si koreograf, Xhemali Berisha, ka hulumtuar të gjitha zonat korologjike të Kosovës dhe për dhjetë vite ai ka arritur të sjell dhe të përpunojë materiale nga Opoja, Hasi, Rugova, Anadrinia, Drenica dhe Anamorava.

Ministri Çeku në fjalën e tij para të pranishmëve ka vlerësuar kontributin e jashtëzakonshëm që ka dhënë Xhemali Berisha në karrierën e tij 50-vjeçare në sferën e koreografisë, duke thënë se vallet me koreografi të tij origjinale të panumërta janë pasuri të pashlyeshme të folklorit të Kosovës.

Ndërsa koreografi Xhemali Berisha është ndier i nderuar për këtë organizim, duke thënë se artistët e Ansamblit “Shota” në të gjitha rrugëtimet e tyre në festivale ballkanike, evropiane e botërore i kanë sjell medalje Kosovës.

Ky organizim është përkrahur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. / KultPlus.com

“Actus for Vjosa”, bën bashkë 11 balerinë ndërkombëtarë e shqiptarë si homazh për natyrën (VIDEO)

Lumi Vjosa është një pasuri natyrore me bukuri të veçantë që ka Shqipëria, andaj si homazh për natyrën, do të mbahet një koreografi moderne nga Gentian Doda ku do të performojnë 11 balerinë ndërkombëtarë e shqiptarë, përcjellë KultPlus.

Në shenjë promovimi, si dhe me mesazhe për mbrojtje të lumit Vjosa, ju do të keni mundësinë të shohim performancën e balerinëve që do të vihen në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.

Lajmin e ka bërë të ditur, Mirela Kumbaro Furxhi, e cila e ka cilësuar këtë iniciativë si dhuratë për të gjithë ne.

“Nuk ka më bukur se e diela që nis me pamjet “Actus for Vjosa”, kushtuar Vjosës, si homazh për natyrën e si dhuratë për të gjithë ne”, shkruan ndër të tjera Mirela.

Kjo iniciativë është mbështetur nga Was bleibt kollektiv – Gentian Doda, me mbështetje të Heinrich-Böll-Stiftung, EuroNatur

Koreografia do të shfaqet në datat 24 dhe 25 tetor. / KultPlus.com

Koreografi Nuha njofton se është duke punuar në një projekt artistik për Italinë

Koreografi, Robert Nuha, ka njoftuar se është duke punuar për të sjellur diçka të re shumë shpejt, shkruan KultPlus.

“Mekanike” Vallëzoni dhe improvizoni derisa të gjeni një gjuhë të re trupi, diçka të ndryshme, diçka origjinale që duhet ta kërkoni thellë për të… më pas, sa herë që do të prodhoni diçka të re!”, shkroi ai në “Facebook”.

Nuha për KultPlus konfirmoi se ky është një projekt artistik për Italinë dhe do të vijë shumë shpejt.

Vallëzimi teatral ‘Totem and Taboo’ me koreografi të koreografit, Robert Nuha ka qenë pjesë e disa festivaleve viteve të fundit. /KultPlus.com

Tubim Përkujtimor dhe shfaqje të dokumentarit, kushtuar koreografit shqiptar Agron Bajrami në Prishtinë

Nesër në ambientet e Kinemasë ABC në Prishtinë, mbahet Tubimin Përkujtimor për koreografin dhe drejtorin e Shkollës Shqiptare të Vallëzimit SHOTA në Zvicër, Agron Bajramin, i cili u nda nga jeta me 12 mars 2018 në moshën 54 vjeçare.

Ai ishte edhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare, ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte piktor në teknikën pirografi dhe punoi si kameraman e montazhier në një televizion zviceran.

Në këtë Tubim Përkujtimor, do të përkujtohet puna, veprimtaria dhe kontributi i Agron Bajramit për kulturën shqiptare me Shkollën Shqipe të Vallëzimit SHOTA, të cilën ai e themeloi në vitin 1993.

Me këtë rast do të shfaqet edhe filmi dokumentar kushtuar Agron Bajramit me titull “Të mësohemi të ecim shqip” realizuar nga Llesh Nikolla.

Tubimi Përkujtimor mbahet më 23 mars në Kinemanë ABC-Prishtinë, duke filluar nga ora 13:00.

Tubimin Përkujtimor e organizon Shkolla Shqiptare e Vallëzimit «Shota» nga Zvicra në bashkëpunim me Shoqërinë Kulturo-Artistike «Bajram Curri» nga Prishtina./ KultPlus.com