Ndahen 3 mln € për aftësim profesional, synohet punësimi i të rinjve dhe nxitja e rritjes ekonomike

Kosovo Challenge Fund (KCF) ka mbajtur ceremoninë e shpërndarjes së granteve në kuadër të projekteve për arsim dhe aftësim profesional.

Shuma e ndarë ishte rreth 3 milionë euro për të mbështetur iniciativat e arsimit dhe aftësimit profesional në Kosovë.

Renato Vasili, zëvendësdrejtues i KCF, tha se financimi orientohet drejt ngritjes së aftësive të të rinjve për punësim dhe rritjes së konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve, drejtohet për investime në pajisje dhe infrastrukturë në projekte bashkëpunuese të zbatuara bashkërisht nga institutet e aftësimit profesional dhe ndërmarrjeve.

Madje sipas tij, KCF organizoi një raund të dytë për përzgjedhjen e projekteve, nisur nga nëntori 2022 deri në qershor 2023. Kjo fazë ka zgjuar interes dhe aplikime nga 27 konsorciume, që përbëjnë institutet e aftësimit profesional dhe ndërmarrjet.

13 konsorciume kaluan me sukses vlerësimit, ku pastaj u ftuan të zhvillojnë propozimet e plota të projektit para afatit të dorëzimit.

8 projektet më të suksesshme u miratuan për financim, përfaqësuar nga një gamë e gjerë e sektorëve si dhe përfitues të ndryshëm të instituteve të trajnimit profesional.

“Këto rezultate na bëjnë krenarë. Në thirrjen e dytë ishin 27 shprehje interesi nga 27 institucione të arsimit në Kosovë dhe 88 sipërmarrje dhe kjo rezultoi në financimin e 8 projekteve duke alokuar 3 milionë euro për investime dhe ky rezultat e dërgoi në 12 numrin e projekteve afërsisht 5 milionë euro”, tha Vasili, raporton Ekonomia Online.

Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Invacionit (MAShTI) është partneri kryesor për zbatimin e programit të KCF. Raundi i parë i aplikimeve solli një total prej 1.98 milion euro të ndarë për katër konsorciume, duke rritur ndikimin në peizazhin e trajnimit profesional në Kosovë.

Lah Nitaj, drejtor i Departamentit të Aftësimit dhe Arsimit Profesional në MAShTI, theksoi se punësimi i të rinjve dhe të rejave është faktor kyç në një shoqëri duke e bërë shoqërinë aktive.

“Pas suksesit të raundit të parë ku u ndanë granatet prej 1 milion e 980 euro, ky është raund i dytë ku 27 aplikimet kanë kaluar në një vlerësim rigoroz të cilat shtrihen ne 7 komunat qe janë: Lipjani, Gjakova, Gjilani, Mitrovica, Ferizaj, Prishtina e Skenderaj”, u shpreh ai.

Vera Baumann, nga Ambasada Gjermane në Kosovë, shtoi që Gjermania më shumë së për dy dekada po e mbështet Kosovën.

“Ne duam që të gjithë kandidatët të vlerësohen në mënyrën më të mirë të mundur dhe duam që të kenë benefite nga këto trajnime. Jemi të lumtur që numri i aplikimeve është i madh dhe shpresojmë që edhe të rritet dhe se tani më shuma ka arritur 5 milionë të cilat do aplikohen në institucionet e Kosovës”, u shpreh ajo.

KCF është një iniciativë e Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW) e financuar me 5.8 milionë Euro për grante nga Ministria Gjermane për Zhvillim Ekonomik dhe Bashkëpunim (BMZ). Ky program paraqet një hap të rëndësishëm drejt adresimit të papunësisë së të rinjve dhe nxitjes së rritjes ekonomike në Kosovë./KlanKosova/KultPlus.com

Qendra për Art Bashkëkohor sjellë në Prishtinë Alenka Zupančič

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina do të prezentoj “Fundi i qeshjes” nga Alenka Zupančič si pjesë e “Shkolla Verore si Shkollë 2018” në kuadër të programit publik, shkruan KultPlus.com

Prezantimi fillon me kryeveprën e Preston Sturges, “Udhëtimet e Sullivan-it”. Kjo komedi ‘screwball’ (ekscentrike) përfaqëson një pjesë të të ashtuquajturit “Hollivud i vjetër” dhe trajton problemin se si arti, dhe nëse arti duhet t’iu përgjigjet problemeve aktuale (shoqërore).

Nga kjo perspektivë specifike, prezantimi do të propozojë disa ide të mëtutjeshme në funksionin dhe në funksionimin e ‘seriozitetit’ në art, si dhe në atë se çfarë në përgjithësi quhet ‘kritikë shoqërore’.

Alenka Zupančič është filozofe dhe teoriciene sociale sllovene. Ajo doktoroi në Universitetin e Lubjanës dhe në Universitetin e Parisit VIII. Ajo punon si këshilltare për hulumtim në Institutin e Filozofisë, në Qendrën Shkencore për Hulumtim të Akademisë së Shkencave në Slloveni. Ajo gjithashtu është profesoreshë në Fakultetin ZRC SAZU (Ljubljanë) dhe në Fakultetin Evropian (Saas Fee).

Bashkë me Slavoj Žižek dhe Mladen Dolar, Zupančič është një nga anëtarët më të spikatur të “Shkollës së Psikoanalizës në Ljubljanë”. Ajo njihet për punën e saj në ndërthurjen e filozofisë dhe psikoanalizës, si dhe për teoritë e saj origjinale filozofike të komedisë. Ajo ka publikuar disa libra dhe mbi 150 artikuj. Punët e saj më të reja merren me marrëdhënien ndërmjet seksualitetit dhe ontologjisë.

Disa nga publikimet e saj të përzgjedhura janë: What is Sex? Cambridge (Ma) & London, The MIT Press 2017; The Odd One In: On Comedy, Cambridge (Ma) & London, The MIT Press 2008; Why Psychoanalysis: Three Interventions, Uppsala, NSU Press 2008; The Shortest Shadow: Nietzsche’s Philosophy of the Two, Cambridge (Ma) & London, The MIT Press 2003; dhe Ethics of the Real: Kant and Lacan, London & New York, Verso 2000, 2011. /KultPlus.com

Kosova mund të marrë pjesë në Eurovizion

Kosova mund të marrë pjesë në festivalin evropian të këngës, Eurovision, në edicionin e saj të vitit 2018 që do të mbahet në Lisbonë të Portugalisë.

Siç shkruan faqja zyrtare e Eurovision në gjuhën gjermane, edicioni i vitit të ardhshëm mund të përmabjë numrin më të madh të shteteve që garojnë në festival. Nga viti 2011, kur në Gjermani kishin marrë pjesë më së shumti konkurrent – plot 43 shtete – në edicionin e vitit 2018 të Eurovisionit mund të tejkalohet ky numër.

Kosova dhe Kazakistani mund të jenë dy shtetet tjera që do marrin pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm, shkruan Insajderi.

Siç shkruan faqja zyrtare e festivalit evropian të këngës, Eurovision.de, Kosova mund të marrë pjesë në garën e vitit të ardhshëm, nëse merr ftesë nga Portugalia, gjegjësisht nga Radio Televizioni i Portugalisë (RTP) që është organizator i festivalit.

Sipas rregullave të Unionit Evropian i Transmetuesve Publik (EBU), Kosova mund të marrë pjesë në Eurovisionin e vitit të ardhshëm në Lisbonë, pasi Portugalia e ka njohur shtetin e Kosovës.

Ndërkaq, Kazakistani ka vite që nuk merr pjesë në Eurovision, edhe pse është anëtare e EBU-së. / KultPlus.com

Në Prizren po shpërndahen pasaportat e ‘shtetit’ NSK (VIDEO)

Në Autostrada Biennale në Prizren po ndodhë shumëçka.

Madje, po shpërndahen edhe pasaporta të veçanta, me gjithë popullin e Kosovës i cili është brenda një guace të getoizuar e me probleme për të udhëtuar kudo në botë.

Neue Slowenische Kunst – është ky një ‘shtet’ i deklaruar në vitin 1992, pjesë edhe e Bienales së Venecias këtë vit. Kolektivi artistik po shpërndanë pasaporta edhe në Prizren, shkruan KultPlus.

Kjo po ndodhë me anë të grupit IRwIN, grupi i njohur nga Ljublana me anëtarët Dusan Mandic, Miran Mohar, Andrej Savski, Roman Uranjek dhe Borut Vogelnik. IRWIN, bashkë me Laibach, grupin teatror Gledalisce Sester Scipion Nasice dhe me ‘Novi Kolektivizem’ janë bashkuar për të formuar kolektivin artistik Neue Slowenische Kunst (NSK) – në vitin 1984.

“Shteti në kohë i NSK-së, u themelua në fillim të viteve 1990. Filluam menjëherë të lëshonim pasaportat: prodhimi dhe cilësia e tyre plotësojnë standardet e kërkuara për këtë lloj produkti. Deri më sot, një numër i madh njerëzish kanë aplikuar dhe kanë marrë pasaportat tona, duke u bërë qytetarë të NSK Shtetit në kohë. Pa dyshim, ata kanë mbajtur nënshtetësinë e tyre kryesore. Shumica e aplikantëve janë njerëz nga skena e artit, domethënë artistë apo njerëz që ndjekin rregullisht ngjarjet e artit. Ky grup I mbajtësve të pasaportave të NSK, vjen kryesisht nga vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore dhe të Amerikës së Veriut dhe janë anëtarë të shtresave relativisht të pasura të shoqërisë. Kështu që, mund të themi se shumica e shtetasve të Shtetit në kohë NSK, vijnë nga e ashtuquajtura Bota e Parë” thuhet mes tjerash në konceptin e veprës.

Artistët po qëndrojnë në Prizren dhe po kërkojnë qytetarë që duan ta kenë këtë pasaportë.
“Vendimi ta sjellim pasaportën në Kosovë është më ndryshe se herëve tjera sepse qytetarët e Kosovës janë të privuar nga lëvizja e lirë, dhe kjo është padrejtësia kryesore. Këta njerëz kanë vuajtur gjatë luftës, sot nuk mund të udhëtojnë lirshëm, dhe kjo është e tmerrshme” thotë njëri nga artistët që e shpërndanë pasaportën për të interesuarit.

Pasaporta nuk është zyrtare, nuk mund të përdoret për udhëtim, ironike kjo të thuhet kur e dimë se kosovarët duhet të presin në radhë para dyerve të Ambasadave në Kosovë për çfarëdo lloj të vizitës jashtë saj. Një pasaportë NSK pra, është vec përdorim i fantazisë, siç thonë nga IRWIN, për KultPlus.

“Interesimi megjithatë është i madh, këtyre ditëve, këtu në Prizren. Kjo Biennale po i jep qytetit një dimension ndërkombëtar të artit, ndërsa bashkë me pasaportën tonë po plotësohet një dëshirë për qytetarët e këtij vendi” tregon më tutje një prej anëtarëve të IRWIN, Miran Mohar.

Vitet e fundit, aplikimet kanë filluar të vijnë nga Afrika, më saktë, nga Nigeria. Në fillim vetëm një grusht njerëzish, por më vonë numri i tyre filloi të rritet, shkruan KultPlus.

Në Prizren, pasaportat po lëshohen në Stacionin e Autobusëve.
Pos pasaportës, IRWIN ka sjellë në Prizren edhe video instalacione.
Katër video dokumentare të bëra gjatë dy viteve të fundit, do të shfaqen në ekspozitë dhe një arkiv i koduar i letrave të shumta të aplikimit për pasaportën e NSK-së.
– Shtetasit e NSK-së nga Nigeria, IRWIN 2007
– Shtetasit e NSK-së në Sarajevë, IRWIN 2007
– Shtetasit e NSK-së në Vienna dhe Berlin, IRWIN 2007/8
– Shtetasit e NSK –së në Taipei, IRWIN 2007
– Fjalët nga Afrika, IRWIN në bashkëpunim me qytetarët e NSK – së (NSKSTATE.COM) 2007
(Teksti u realizua me ndihmën e Rozafa Kelmendit dhe Anisa Radës. Fotografitë: Tuğhan Anıt)