Kryeministri Kurti takon kryetarin dhe nënkryetaren e Leposaviqit, flasin për projektet potenciale që mund të realizohen

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, bashkë me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqin, kanë takuar kryetarin e Leposaviqit, Lulzim Hetemin dhe nënkryetaren Marina Bogojeviq.

Hetemi e Bogojeviq e njoftuan Kurtin për arritjet e deritanishme dhe për sfidat në qeverisjen komunale.

“Në takim u fol për projektet potenciale që mund të realizohen në bashkëpunim me nivelin qendror, teksa u theksua rritja e interesimit të qytetarëve për të aplikuar për programet e komunës për subvencione”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.

Kurti e përgëzoi Hetemin e Bogojeviqin për punën, angazhimin dhe kontributin, teksa i kërkoi qeverisje të drejtë, të mirë e demokratike.

Kryemistri Kurti viziton flotën e kamionëve ushtarakë: 10 janë blerë me buxhet të shtetit, 5 janë donacion

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se bashkë me komandantin e FSK’së, Bashkim Jashari, dhe ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, kanë parë nga afër flotën e kamionëve ushtarakë.

Kurti ka thënë se këta kamionë janë prodhim gjerman dhe se 10 janë blerë me buxhet të shtetit e 5 janë donacion.

Ai ka shtuar se modernizimi dhe fuqizimi i ushtrisë janë qenësore drejt objektivit për anëtarësim në NATO.

“Mbrojtje e siguri për shtetin tonë. Pas inaugurimit të Qendrës Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike, bashkë me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci dhe komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjeneral Lejtënant Bashkim Jashari pamë nga afër flotën e kamionëve ushtarakë multifunksional RheinMetall MAN HX2, 8X8 të cilët i janë shtuar arsenalit të ushtrisë. Kamionët ushtarakë RheinMetall MAN HX2 janë prodhim gjerman, ku nga 15 gjithsej, 10 janë blerë me buxhet të shtetit, ndërkaq pesë janë donacion. Modernizimi dhe fuqizimi i ushtrisë sonë, janë qenësore drejt objektivit për anëtarësim në NATO”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri Kurti mirëpriti Ambasadorin jo rezident të Bangladeshit në Kosovë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës sot mirëpriti Ambasadorin jo rezident të Bangladeshit në Kosovë, Mosharraf Hossain Bhuiyan.

Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme e me interes dypalësh ishin temat kryesore të takimit. Theks iu dha fushës së ekonomisë dhe kulturës.

Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Bhuiyan në vizitën e tij të tretë në vend. Ai e falënderoi për mbështetjen e Bangladeshit ndaj Kosovës dhe për bashkëpunimin në rritje, teksa e njohu me zhvillimet e fundit në vend dhe rezultatet e qeverisjes. Mirënjohës për mikpritjen dhe raportet, ambasadori i përcolli kryeministrit Kurti ftesën nga kryeministri i Bangladeshit për vizitë atje. 

Folën për mundësitë dhe potencialin e përmirësimit të shkëmbimeve tregtare në vitet në vijim. Këtu u veçua rëndësia për të dy vendet e largimit të tatimit të dyfishtë. Mbi 70 kompani me kapital nga Bangladeshi janë të regjistruara në Kosovë.

Në takim u fol edhe rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e kulturës, sportit dhe rinisë.

Bashkë me kryeministrin Kurti në këtë takimi ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.

Kryeministri Kurti: Epopeja e UÇK-së, e papërsëritshme, me domethënie të pashteruar

Kryeministri Albin Kurti fjalimin e tij në akademinë përkujtimore për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e nisi me këngën e Shkurtë Fejzës “Mora fjalë”.

Ai ka thënë se fjalët nuk mundesh t’i gjesh dot për Epopenë e UÇK-së për ta shpjeguar e përshkruar.

“Ndonëse fjalët i pasojnë mendimet dhe i paraprijnë veprat, fjalët janë gjithmonë të pamjaftueshme për ti përçuar si mendimet ashtu edhe veprat. Në rastin e Epopesë së UÇK-së kjo bëhet pamundësia vet, andaj edhe kënga “Mora fjalë” tregon edhe kufijtë e fjalës. Fjalët që doemos nuk i gjen dot, që duhet t’i marrësh e t’i gjesh diku e disi, për ta shpjeguar a përshkruar këtë Epope të papërsëritshme me domethënie ende të pashteruar”.

“Me fjalë të tjera “Mora fjalë” do të thotë që për këtë epope është vështirë të ketë ep, të gjithë e keni parasysh tekstin e këngës e cila nisë me atë se çfarë po bëjmë ne që po këndojmë Mora fjalë mora vargun mora qarkun me i thur këngë, pra çfarë po bëjmë ne kështu nis kënga”.

“Më pastaj strofa e dytë porsa përpiqemi të themi diçka ne themi ‘Qohu Adem’, pra është e pamundur të shkosh më larg se strofa e parë e pa rënë në veprim e unë besoj se kjo është arsyeja se pse ka këngë por nuk ka tekst, vetëm me këngën me një tekst kaq të bukur dhe me një melodi të jashtëzakonshme është bërë e mundshme që të gjejmë diçka artistike që bëhet kulturë meqenëse rrah por si zemra e popullit”, ka thënë Kurti. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Kurti: Kemi ende probleme në kufirin me Serbinë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se vendi që udhëheq vazhdon të jetë i kërcënuar nga ata që duan të pasurohen me luftë dhe armë, duke aluduar në organizatat kriminale që veprojnë në veri të Kosovës.

Në një intervistë për agjencinë italiane “AGI” Kurti ka thënë se ka ende probleme në kufirin me Serbinë.

“Fatkeqësisht ata që u pasuruan me luftën janë kthyer në kriminelë dhe vazhdojnë të pasurohen me bitcoin, drogë dhe armë. Ata e mbulojnë biznesin e tyre me ide nacionaliste, por janë ende kriminelë”, ka thënë Kurti, i cili është në Itali dhe po merr pjesë në kongresin e Parlamentit Evropian Socialist.

Shefi i Qeverisë së Kosovës e ka akuzuar Listën Serbe për lidhje të forta me Serbinë dhe Rusinë.

“Ata flasin për nacionalizëm dhe patriotizëm, por në realitet kanë ide fashiste dhe lidhje me Vuçiqin dhe Putinin”, ka shtuar ai.

Kurti ka deklaruar se po bëjnë çmos që t’i afrohen Bashkimit Evropian. Kosova e dorëzoi aplikacionin për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022, pasi u njoh zyrtarisht nga Komisioni Evropian si shtet “kandidat potencial”.

“Nuk jemi ende zyrtarisht kandidatë për anëtarësim, por po bëjmë çmos që sa më shpejt t’i afrohemi Bashkimit Evropian”, ka vazhduar Kurti.

Kryeministri i Kosovës ka folur edhe për marrëdhëniet me Italinë, duke thënë se ishte skeptik kur Giorgia Meloni u zgjodh kryeministre.

“Duhet të jem i sinqertë. Në të kaluarën e konsideroja Giorgia Melonin të lidhur me të kaluarën e saj të djathtë, me fashizmin. Që kur u bë kryeministre kam vënë re marrëdhëniet e saj të shkëlqyera me Bidenin dhe SHBA-në, mbështetjen e palëkundur për Ukrainën. Jo kështu për Salvinin që ka marrëdhënie me Putinin”, ka thënë Kurti./rtk/KultPlus.com

Kurti takoi ministren e parë të Irlandës së Veriut

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, gjatë vizitës që po bën Britanisë së Madhe është takuar edhe me liderët e Irlandës së Veriut.

Ministrja e parë Michelle O’Neill dhe zëvendësministrja e parë Emma Little-Pengelly pritën sot në Kështjellën Stormont kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Diskutimet mbuluan një sërë çështjesh, duke përfshirë paqen dhe pajtimin”, njofton ekzekutivi i Irlandës së Veriut në llogarinë zyrtare në platformën ‘X’.

Kryeministri Rama dhe Presidenti Erdogan nënshkruajnë disa marrëveshje

Marrëveshjet e firmosura mes republikës së Turqisë dhe Shqipërisë:

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve -Klimatike të Republikës së Turqisë për bashkëpunim ne fushën e mjedisit.

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve të Republikës së Turqisë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura.

Marrëveshje ndërmjet KM të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA Tirana.

Marrëveshje kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.

Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në Fushat e Medias dhe Komunikimit për komunikimin dhe informimin publik.

Protokoll Bashkëpunimi midis Korporatës Turke të Radio Televizionit dhe Radio Televizionit Shqiptar./topchanel/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Instituti për Krime lufte, përmbushje e kërkesës sonë për drejtësi

Në prani të kryeministrit Albin Kurti, në hapësirën e Institutit për Dokumentimin e Krimeve të Luftës në Kosovë është bërë pranim-dorëzimi i  dokumenteve të para të këtij instituti.

Kryeministri Kurti me këtë rast falënderoi kryetarin e Këshillit Koordinues të Asociacionit të Familjarëve të të zhdukurve të Kosovës, Ahmet Grajçevci, si dhe të drejtorit ekzekutiv Avdi Hetemi, për punën e pakursyer të tyre ndër vite, si dhe për ceremoninë e pranim-dorëzimit të dokumenteve të para në këtë institut.

 Kryeministri Kurti foli për angazhimin dhe sakrificën e popullit tonë për liri e pavarësi, sidomos në vitet ’90-ta.

“Ne po angazhohemi që të bëjmë më të mirën që mundemi që të adresojmë gjithë atë çfarë ka ndodhur gjatë luftës së fundit në vendin tonë”, deklaroi Kurti, teksa shtoi më tej se funksionalizimi i këtij instituti është një obligim që po përmbushet ndaj kujtesës sonë si popull dhe ndaj kërkesës sonë për drejtësi./rtk/KultPlus.com

Kryeministri Kurti për AFP: Uroj t’i normalizoj marrëdhëniet me Serbinë sivjet

Kryeministri Albin Kurti tha se shpreson të normalizojë marrëdhëniet me rivalin e përhershëm të vendit, Serbinë këtë vit, pas disa raundeve të bisedimeve të dështuara mes dy palëve.

“Normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë uroj për këtë vit, për vitin 2024, dhe në vitet dhe dekadat e ardhshme dua të dal fitimtar në çështje si pabarazia sociale, ndryshimet klimatike dhe kërcënimet e sigurisë”, tha Kurti për AFP. /Klankosova.tv/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Zahiri, Edmondi, Iliri e Hakifi e shtuan vetëbesimin e UÇK-së

Kryeministri Albin Kurti me kryeparlamentarin Glauk Konjufca kanë bërë homazhe te shtatoret e Zahir Pajazitit, Edmond Hoxhës, Hakif Zejnullahut dhe Ilir Konushevcit, në Podujevë.

Kurti tha se ata ishin lufta e paraluftës, aksionet para betejave, kushtrimi për lirin e popullit dhe çlirimin e vendit.

“Andaj sot i kujtojmë më shumë mall e krenari për punën, veprën, jetën dhe flijimin e tyre për Kosovën dhe mbarë kombin shqiptar”, tha Kurti.

Ai shtoi se Zahiri, Hakifi dhe Iliri i dhanë një hov të jashtëzakonshëm çlirimit të Kosovës dhe se ata e shtuan vetëbesimin brenda radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ndërsa kryeparlamentari Glauk Konjufca, tha se heronjtë tanë, kolosët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e Zahir Pajaziti, Edmond Hoxha, Hakif Zejnullahu dhe Ilir Konushevci, përmes aksioneve të suksesshme guerile bënë që çdo polic e ushtar i Serbisë okupatore në Kosovë të mos ndihej i sigurt, duke theksuar se kjo është arritje shumë e madhe sepse e ngriti moralin popullor.

“Ata dhanë një kontribut të jashtëzakonshëm në themelimin e UÇK-së, lufta e lavdishme e të cilës çoj në çlirimin e Kosovës dhe në shporrjen e Serbisë okupatore nga trojet tona”, tha ai./RTK/KultPlus.com

Kryeministri Kurti uron Xhaferin: Do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka përgëzuar Talat Xhaferin pas votimit si kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut.

“Dëshiroj t’i uroj suksese për detyrën e tij të re, atë të kryeministrit në qeverinë teknike e cila pas tre muajsh do ta çojë në zgjedhje vendin tonë fqinj e partner. Miqësia dhe bashkërendimi për projekte të përbashkëta uroj të jenë shenjues të dy qeverive tona gjatë qeverisjes Xhaferi”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Kurti ka thënë se Kosova dëshiron një Maqedoni Veriore me orientim të fuqishëm euroatlantik, partnere e Prishtinës dhe e perëndimit dhe sa më larg Moskës, duke promovuar kështu vlerat e bashkëjetesës dhe luftimin e diskriminimit etnik.

“Për këto synime e për plot bashkëpunime të tjera, jam i sigurt se do të vazhdojmë rrugën e bashkëpunimit ndërqeveritar edhe me homologun Xhaferi, ashtu siç ka ndodhur edhe me paraardhësin e tij, Kovaçevski, të cilin e përgëzoj për vlerat që reflektoi gjatë drejtimit të tij”, ka përfunduar Kurti./rtv21/KultPlus.com

Kryeministri Kurti në kujtim të Holokaustit: Kujtojmë për t’mos harruar dhe nuk harrojmë për t’mos u përsëritur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka përkujtuar 27 janarin, Ditën Ndërkombëtare të Viktimave të Holokaustit, ditë kjo që i referohet vitit 1945, kur u çlirua kampi i Aushvicit në Poloni, shkruan KultPlus.

Kryeministri Kurti ka publikuar disa fotografi në rrjetin social facebook në të cilat shihet familja hebreje Altarac, e strehuar në Prishtinë 1941-‘42.

Më poshtë gjeni postimin e plotë të kryeministrit Kurti në facebook:

Data 27 janar është e shenjuar botërisht si Dita Ndërkombëtare në Kujtim të Viktimave të Holokaustit! Ajo i referohet 27 janarit të vitit 1945, kur u çlirua kampi i Aushvicit në Poloni.

Në fotografitë e mëposhtme, shihet familja hebreje Altarac e strehuar në Prishtinë mes dhjetëra hebrenjësh të tjerë në vitet 1941-‘42. Gjatë viteve të Luftës së Dytë Botërore (1939 – 1945), kur hebrenjët persekutoheshin për t’u eliminuar, duke u gjurmuar dhe mbledhur një për një në tërë Evropën, ndër dyert e hapura për shpëtimin e hebrenjëve, ishin ato të shtëpive të familjeve shqiptare. Megjithëse si zona e Kosovës ashtu edhe e tërë Shqipëria ishin të pushtuara fillimisht nga fashistët dhe pastaj nga nazistët, shumë hebrenjë të ikur si nga Evropa Qendrore ashtu dhe nga Evropa Lindore, por edhe nga brenda për brenda Ballkanit, u strehuan dhe u morën në mbrojtje nga shqiptarët.

Mungesa e çfarëdo tradite të antisemitizmit ndër shqiptarë, traditat e mikpritjes dhe zakoni i zotimit të marrjes së mikut të shtëpisë në besë, si dhe të tjera rrethana sociale dhe kulturore, ishin përcaktuese që si familjet shqiptare ashtu edhe autoritetet e shtetit shqiptar, të refuzojnë të përfshihen në fushatat dhe platformat antisemite të përndjekjes e shfarosjes së hebrenjëve.

Një relike e ruajtur nga Jasha Altarac, një hebre 7 vjeçar i strehuar bashkë me familjen në Prishtinë dhe vende të tjera duke shpëtuar kështu nga Holokausti, është ky mindil i bardhë me simbolin kombëtar shqiptar të shqiponjës në të si dhe me mbishkrimin “Kujtim nga Shqipnia”. Po kaq faqebardhë është historia e shpëtimit të hebrenjëve nga shqiptarët dhe si e tillë duhet kultivuar “Kujtimi nga Shqipnia” dhe shqiptarët në historinë e trishtë të Holokaustit.

Plot 55 vite më vonë, kur Serbia i dëboi rreth 860 mijë shqiptarë përgjatë gjenocidit në Kosovë, në maj të vitit 1999, shteti i Izraelit i priti rreth 200 prej tyre duke i strehuar si refugjatë lufte nga Kosova. Asgjë nuk mund të krahasohet me Holokaustin në histori, andaj ai duhet kujtuar dhe brezat duhen edukuar mbi të. Historia e shpëtimit të hebrenjëve nga shqiptarët, tregon se sa i fuqishëm mund të jetë vullneti i njerëzve për ta ruajtur njerëzoren edhe atëherë kur njerëzimi e arrin pikën e tij më të ulët.

Kujtojmë për t’mos harruar dhe nuk harrojmë për t’mos u përsëritur!/KultPlus.com

Kryeministri Kurti në Davos: Kosova dhe Zvicra të thellojnë bashkëpunimin

Në margjina të Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti u takua me këshilltarin Federal të Zvicrës, Beat Jans. Kurti shprehu fillimisht mirënjohjen për mbështetjen dhe përkrahjen e vazhdueshme të Zvicrës ndaj Kosovës, si dhe diskutuan për rolin e fuqishëm që ka diaspora kosovare në shtetin helvetik.

Më tej, në takim  Kurti i njoftoi diplomatin zviceran për të arriturat e qeverisë përgjatë këtyre tre viteve të fundit, veçanërisht në luftën kundër korrupsionit dhe rritjen ekonomike të vendit, si aspekte që ndërlidhen me drejtësinë dhe zhvillimin e prosperitetin.

Po ashtu Kurti ka thënë se lufta kundër ilegalitetit në veri por edhe bashkëpunimi me institucione të sigurisë të vendeve mike e partnere, ka sjellë rezultate të prekshme në parandalimin e krimit të organizuar dhe aktiviteteve ilegale.

Sipas njoftimit për media lëshuar nga Qeveria, kryeministri Kurti e ka informuar këshilltarin federal Jans mbi procesin e Vetingut dhe mbi Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.

“U bisedua dhe për situatën e sigurisë në rajon, për sulmin terrorist e aktin e agresionit në Banjskë, për përpjekjet e Kosovës për integrimin e komunitetit serb dhe të drejtat e tyre politike pluraliste, demokratike dhe sociale”.

Gjithashtu, potenciali i jashtëzakonshëm i diasporës sonë në Zvicër dhe kontributi i tyre në shoqëri u vlerësua nga Jans.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti theksoi dhe ndikimin pozitiv të diasporës për Kosovën dhe suksesin e tyre në fushat në të cilat operojnë. Kurti potencoi dhe iniciativat e përbashkëta me Zvicrën si dy marrëveshjet për ndihmën e ndërsjellë juridike: për Transferimin e Personave të Dënuar dhe për ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale.

Duke shprehur gatishmërinë dhe vullnetin për forcim të mëtejmë të bashkëpunimit, kryeministri Kurti e falënderoi Këshilltarin Federal Jans për bisedën produktive dhe idetë e shkëmbyera, njofton Qeveria e Kosovës.

Kurti udhëton për në Zvicër, pritet të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Ekonomik Botëror në Davos

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka udhëtuar për në Zvicër.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se gjatë qëndrimit të tij në Zvicër, fillimisht ai së bashku me ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, do të marrin pjesë në hapjen e panairit “Swissbau 2024”, ku 12 kompani vendore do të promovojnë prodhimet e tyre.

Pastaj, do të udhëtojë për në Davos për të marrë pjesë në edicionin e sivjetmë të Forumit Ekonomik Botëror (WEF), ku krahas takimeve bilaterale me homologë, zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të kompanive ndërkombëtare është i ftuar edhe si folës në panele të diskutimit./Klankosova.tv/KultPlus.com

Walker takohet me Kryeministrin Kurtin, ndjehet i lumtur dhe krenar për atë që Kosova ka arritur

Në prag të 25-vjetorit të Masakrës së Reçakut, kryeministri  Albin Kurti, priti në një takim miqësor, ambasadorin William Walker.

Kurti e falënderoi për kontributin e tij të pazëvendësueshëm gjatë kohës së luftës dhe jehonën që i dha masakrës së Reçakut në rrafshin ndërkombëtar, duke përshkruar ndodhinë në Reҫak si masakër dhe krim kundër njerëzimit.

Rikujtuan vitet 1998 dhe 1999, kur ambasadori William Walker ishte në Kosovë në krye të Misionit Verifikues të OSBE-së, që kishte për mision të verifikonte nëse forcat serbe po vepronin në përputhje me marrëveshjen e tetorit të Kombeve të Bashkuara, për të tërhequr forcat e armatosura dhe për të respektuar armëpushimin.

Walker tha se ndjehet i lumtur dhe krenar për atë që Kosova ka arritur në një periudhë të shkurtër kohore, duke u bërë një nga shtetet më demokratike në Evropë. Ai tha se sa herë që vjen në Kosovë u gëzohet ndryshimeve që i sheh teksa lëvizë nëpër rrugët e Kosovës.

Bashkë me urimet për jetë të gjatë dhe shëndet të mirë, Kurti ritheksoi mirënjohjen ndaj Walker, për rolin e tij korrekt, konkret dhe aq human të treguar në raport me krimet e luftës që Serbia ka kryer ndaj shqiptarëve të Kosovës.

Kryeminstri Kurti: Në veri ka përfunduar koha e njerëzve më të fortë se shteti

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, duke iu referuar veriut të Kosovës, ka thënë se ka përfunduar koha e personave që pretendojnë se janë më të fuqishëm se sa shteti i Kosovës.

Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, ai ka shtuar se në Serbi janë duke u përgatitur plane të reja për ta sulmuar Kosovën, raporton Klan Kosova.

“Më duhet të them diçka sa i përket veriut që ju me siguri e dini më mirë se unë. Nuk është vetëm ideologjia nacionaliste ajo e cila e ka një far baze negative në kuptimin që ka më shumë urrejtje sesa dashuri. Më shumë urrejtje ndaj të tjetrit sesa dashuri ndaj të vetit”, ka thënë Kurti.

Sipas tij, përveç aspektit ideologjik nacionalist, atje ka mbizotëruar edhe kultura e njerëzve të dhunshëm.

“Ata njerëz të cilët me mendjemadhësi shëtitin nëpër Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok dhe rrahin të tjerët dhe të gjithë frikohen dhe këta kënaqen kur frikohet dikush – kjo kulturë e njerëzve të dhunshëm përfundon. Nuk ka më kulturë të njerëzve të dhunshëm, nuk do të ketë në shtetin e Kosovës asnjë person apo grup i cili është më i fortë se shteti”, ka theksuar kryeministri.

Më tej, ai ka potencuar se nëse dikush dëshiron të jetë qytetar i ndershëm, do të ketë mbështetjen e shtetit, por nëse dëshiron të jetë i dhunshëm, atëherë nuk do të ketë kompromis.

“Nuk është problemi vetëm në aspektin shovinist nacional, por problemi është edhe social në pjesën veriore të Kosovës ku njerëzit e dhunshëm për të cilët disa mendojnë që janë në filmin e njohur ‘Goodfellas’ apo ndonjë filmi aksion, ku udhëheqin djemtë e fuqishëm, kjo nuk do të ekzistojë më”, ka shtuar kryeministri Albin Kurti./KlanKosova/KultPlus.com

Kryeministri Kurti thotë se në Serbi po bëhen plane të tjera për ta sulmuar Kosovën

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka mbajtur sot një konferencë të përbashkët me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën, ku ka thënë se në Serbi janë duke u bërë plane të reja për ta sulmuar Kosovën.

Sipas tij, sulmi në Banjskë ishte porositur nga shteti serb i cili u ka dhënë urdhra peronave që e kanë udhëhequr këtë sulm ku mbeti i vrarë rreshteri Afrim Bunjaku, raporton Klan Kosova.

“Urdhri për sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit më 24 shtator të këtij viti, i planifikuar dhe i organizuar nga shteti serb, u ishte kumtuar një ditë më herët, pra saktësisht para tre muajve në mjediset e kompanisë ‘Novi Pazar Put’, ka thënë Kurti.

Sipas tij, automjetet, armët dhe i gjithë arsenali i përgatitur dhe përdorur në Banjskë ishin të përqendruara në këtë lokacion.

“Kjo kompani e cila është në listën e sanksioneve të ShBA-së, është pronë e vëllezërve Zvonko e Zharko Veselinoviq dhe Milan Radoiçiq. Ndërsa drejtor është një kolonel i pensionuar i ushtrisë serbe, Alensadar Gerbovic me pseudonimin Gërba. Ai ka marrë pjesë në luftërat e Kroacisë, Bosnje dhe Hercegovinës dhe Kosovës. Gjithashtu ka qenë edhe drejtor i burgut të Nishit për pesë vjet dhe kryetar i Komunës së Pozhegës në vitin 2008”, ka shtuar ai.

Më tej, Kurti ka theksuar se një muaj para sulmit në Banjskë, këtë kompani e kishte vizituar presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq për ta përuruar ndërtimin e rrugës Rashkë – Novi Pazar me gjatësi prej 18 kilometrash.

“Gjatë vizitës ai e kishte lëvduar punën e drejtorit dhe i është referuar atij si njeriu më i shpejtë nga të gjithë shoferët. Ai e përgëzoi edhe shpejtësinë e punës për rrugën e cila u përurua tre muaj para kohe me nxitim. Presidenti i Serbisë nga aty deklaroi që e ka të vështirë të gjejë zgjidhje kur flet me njerëzit nga Prishtina, duke menduar për mua të cilët sipas tij, po kërkojnë arsye për konflikte e sulm ndaj popullatës serbe. Ai akuzonte për sulm sepse po përgatitej për sulm, gjë që ndodhi më 24 shtator”, ka thënë kryeministri Kurti.

Më tej, kryeministri ka shtuar se pas sulmit terrorist dhe kriminal më 24 shtator, Radoiçiqi u lirua nga gjykata serbe në kohë rekorde.

“Ai tash po vazhdon përgatitjet për sulme tjera në vendin tonë bashkë me disa pjesëtarë të organizatës terroriste ‘Mbrojtja Civile’, Radoiçiqi është duke mbajtur takime të rregullta me zyrtarë të lartë të BIA-s.

Sipas tij, ambientet e firmës ‘Jabllanovica’ në Rashkë ngjashëm me ato të ‘Novi Pazar Put’ po përdoren për strehimin dhe ruajtjen e automjeteve dhe mjeteve shpërthyese për sulmet e ardhshme nga Radoiçiqi dhe grupi i tij.

“Por realisht, në këtë ndërtesë strehohen disa nga pjesëtarët e grupit ‘Mbrojtja Civile’ që kryejnë vëzhgime në territorin e Kosovës e të cilët instruktor e kanë Uglesha Jarediqin. Paramilitarët e Radoiçiqit po strehohen në objektet që ai i ka në pronësi në këtë park turistik dhe përveç akomodimit, anëtarët e grupit terrorist paguhen rreth 2000 euro në muaj”, ka thënë shefi i qeverisë./KlanKosova/KultPlus.com

Kryeministri Kurti vazhdon vizitën në Gjermani, sot taket me mërgatën tonë atje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon edhe sot vizitën e tij dyditore në Gjermani, ku të shtunën është takuar me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Berlin, ku ka marrë pjesë në kongresin e Partisë Socialdemokrate. Kurti  do të vijojë sot takimet me mërgatën tonë në Gjermani.

Kryeministri Kurti, në margjina të Kongresit të SPD-së, pati takime edhe me Sekretaren e Përgjithshme të Internacionales Socialiste, Benedicta Lasi, si dhe me kryetarin e SPD-së, njëkohësisht deputet i Bundestagut gjerman, Lars Klingbeil.

Bëhet e ditur se me sekretaren Lasi, u diskutua mbi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit brenda familjes politike të spektrit të majtë socialdemokrat dhe promovimit të vlerave të përbashkëta të demokracisë, drejtësisë e barazisë për të gjithë.

Kryeministri Kurti, dje në takim me kryetarin e SPD-së Klingbeil, ka thënë se rajoni përket brenda Bashkimit Evropian, e Kosova është e përkushtuar në përmbushjen e aspiratës së saj për anëtarësim në BE, ku dhe e ka bërë hapin e parë duke aplikuar për anëtarësim. Në lidhje me dialogun, ai theksoi se Kosova vijon të mbetet konstruktive e aktive në proces, drejt normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë dhe njohjen reciproke, thuhet tutje në njoftim.

Të shtunën kryeministri Kurti kishte takime edhe me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz. Ai tha se me kancelarin e bëjnë bashkë marrëdhëniet e forta bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, angazhimi i përbashkët në Procesin e Berlinit dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian dhe bindjet tona socialdemokrate./rtk/KultPlus.com

Kryeministri Kurti: Vepra e Bogdanit, e para origjinale e shkruar në gjuhën shqipe

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në Akademinë Solemne për “Ditët e Bogdanit 2023”, e cila u mbajt në Qendrën “BogdaniPolis”, në Prishtinë.

Përmes një njoftimi për medie bëhet e ditur se kryeministri Kurti duke folur për veprën e Pjetër Bogdanit, tha se në vitin 1685, Bogdani e kishte botuar në Padova të Italisë, librin “Çeta e profetëve”, e cilësuar tashmë si vepër e parë origjinale e shkruar në gjuhën shqipe.

Kryeministri Kurti vlerësoi se vepra dhe jeta e Pjetër Bogdanit, ka tërhequr vëmendjen e shumë studiuesve, nga Gjon Nikoll Kazazi te Justin Rrota, Shtjefën Gjeçovi, Faik Konica, Injac Zamputti, Eqrem Çabej, Vili Kamsi, Dhimitër Shuteriqi dhe Shaban Demiraj, e deri te Anila Omari, Evalda Paci e Luigj Marlekaj.

“Fjalët për veprën dhe personalitetin e Pjetër Bogdanit, u takojnë studiuesve kompetentë të fushave përkatëse të historisë, gjuhësisë e të teologjisë. Ne të tjerëve, na mjafton që emri i Pjetër Bogdanit na bashkon çdo vit në Ditët e Bogdanit, sikur sivjet për të kujtuar Lazër Mjedën, një tjetër klerik katolik të shquar shqiptar, që përtej punës së tij prej kleriku, kreu dhe shumë aktivitete patriotike”, tha kryeministri Kurti.

Në përfundim, kryeministri uroi të pranishmit në Ditët e Bogdanit, për shumë shëndet dhe të mbara, në çdo përpjekje për të mirën publike të shoqërisë sonë, për paqe dhe përparim dhe për Republikën e Kosovës./rtk/KultPlus.com

Kryeministri Kurti e ripohon përkushtimin e Kosovës ndaj Këshillit të Evropës

Kryeministri Albin Kurti sot është takuar me delegacionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

Ai ka thënë se ka ripohuar përkushtimin e Kosovës ndaj Këshillit të Evropës.

“Duke siguruar sundimin e ligjit dhe të drejta të fuqishme për komunitetet joshumicë. Duke e dëshmuar këtë, vitin e ardhshëm ministria përgjegjëse për komunitetet joshumicë do të ketë rritjen e dytë më të madhe buxhetore nga çdo ministri”, ka thënë Kurti./Klankosova.tv/KultPlus.com

Kryeministri Kurti pret ambasadorin Sprecher, flasin për mërgatën e Kosovës në Zvicër

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, të cilit i shprehu mirëseardhje në Kosovë dhe urimet për pozitën e tij të re.

Në njoftimin për media, thuhet se gjatë takimit, ata biseduan mbi marrëdhëniet e ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë te mërgata e Kosovës në Zvicër si urë lidhëse në fushën e ekonomisë por edhe të kulturës.

Kryeministri Kurti theksoi dhe marrëdhëniet tregtare mes nesh, ku Zvicra është vendi i dytë për nga investimet direkte në Kosovë, si dhe rritjen e eksporteve direkte për 25%.

Ai falënderoi ambasadorin Sprecher për mbështetjen e Zvicrës ndaj Kosovës, para e pas luftës, veçanërisht përmes projekteve të ndryshme të rëndësishme në zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ndryshimet klimatike, shëndetësinë, mirëqeverisjen e forcimin e demokracisë, si dhe për rolin dhe kontributin e trupave të Sëisscoy në kuadër të misionit të KFOR-it në Kosovë.

Ambasadori Sprecher në takim u shoqërua nga zëvendës ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Christoph Fuchs.​

Kryeministri Kurti: Prekazi, kryeqytet i kryengritjes shqiptare

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka bërë homazhe në kompleksin memorial “Adem Jashari” me rastin e festës së 28 Nëntorit.

Në një prononcim para gazetarëve, ai ka thënë se Prekazi me epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare, raporton Klan Kosova.

“Bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, nga Vlora erdhëm në Prekaz e pas Prekazit do të shkojmë në Prishtinë, ku kemi një koncert të filarmonisë, pra edhe dje kur kishim ditën e Ushtrisë sonë, edhe sot që e kemi 28 Nëntorin, këtë festën më të madhe të kombit shqiptar, kemi aktivitete të dendura publike, kulturore, historike. Në të njëjtën kohë po zhvillohet në Prishtinë edhe një diskutim interesant, me dy panelistë për 28 Nëntorin, në njërën anë është deputeti Ardian Gola dhe në anën tjetër është historiani Durim Abdullahu. E nesër mbrëma, sepse nuk kemi mundur t’i kemi të gjitha aktivitetet më 28 Nëntor, do ta shfaqim edhe filmin ‘Nëntori i Dytë’ në versionin përfundimtar të restauruar”, ka thënë Kurti.

Tutje, ai ka thënë se në këtë datë, përveç Skënderbeut dhe Ismail Qemalit, kujton dhe përkujton edhe ditëlindjen e krye-komandantit Adem Jashari dhe njëkohësisht shpalljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Prekazi me epopenë e UÇK-së është shndërruar në kryeqytet të kryengritjes shqiptare dhe këtu ne e kuptojmë se sa i lartë ka qenë flijimi, sakrifica, çmimi për lirinë të cilën e gëzojmë, e ndaj të cilës duhet të sillemi me përgjegjësi institucionale dhe qytetare”, ka shtuar ai.

Në fund ai lartësuar familjen Jashari në krye me Adem Jasharin, UÇK-në dhe të gjithë dëshmorët e kombit./klankosova/KultPlus.com

Kryeministri Kurti takohet me anëtaren e Asamblesë Parlamentare të Bosnjës dhe Hercegovinës, flasin për nevojën e lëvizjes së lirë mes dy shteteve

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka takuar anëtaren e Dhomës së Përfaqësuesve të Asamblesë Parlamentare të Bosnjës dhe Hercegovinës, Sabina Ćudić.

Në këtë takim, ndër të tjera u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet të dyja vendeve.

“Diskutuan për mundësitë dhe format e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe për potencialin e këtij bashkëpunimi për qytetarët e të dyja vendeve, si dhe për situatën në rajon në këtë kohë të krizave të shumëfishta në kontinentin tonë evropian dhe në botë.

U theksua edhe nevoja e udhëtimit të lirë ndërmjet dy vendeve, e që marrëveshja për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në kuadër të Procesit të Berlinit më së miri e adreson, si hap i rëndësishëm i përafrimit dhe rritjes së shkëmbimit ndërmjet shtetasve të Kosovës dhe Bonjës dhe Hercegovinës. Kryeministri Kurti e përgëzoi deputeten Ćudić për qëndrimet e saj, e falënderoi për vizitën, dhe i ofroi asaj bashkëpunim të mëtejmë”, thuhet në njoftim./KultPlus.com

Rama: Agroturizmi do vijojë të rritet, po shtrihet deri në zona të thella

Kryeministri Edi Rama theksoi se investimi në agroturizëm është sukses i sigurtë.

Gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar të PS-së në Pogradec, Rama tha se “ne sot pamë zhvillimin e punimeve në një kantier të rëndësishëm për Pogradecin, në zonën e Tushemishtit ndërkohë që kemi të tjera projekte që do të vazhdojnë të realizohen hap pas hapi, por të gjitha këto janë një zinxhir i mirëplanifikuar punësh që bashkohen me përpjekjen e individëve të sipërmarrjeve për të marrë pjesë në këtë zhvillim dhe për të përfituar nga ky zhvillimi”.

“Nëse këtë vit, Pogradeci, Korça, Devolli, Maliqi, Erseka kanë njohur një hov të ri të turizmit, duhet të jemi të përgatitur që vitin e ardhshëm do të jenë më shumë dhe duhen edhe më shumë dyer të hapura për t’i mikpritur dhe më shumë prodhim dhe shërbime për t’ju siguruar atyre dhe për të marrë mbrapsht fitimin e merituar. Është një mundësi, e cila sot fatmirësisht po shohim se po shtrihet shumë përtej zonave tradicionale dhe po shkon nëpër fshatra, në zona të thella dhe do vazhdojë duke u rritur gjithmonë e më shumë”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “sot të investosh në një agroturizëm në Ersekë, Devoll apo Pustec është sukses i sigurt në vend se të mbash kazmën apo mistrinë apo barrën e të punuarit për dikë tjetër në Greqi, Itali, Angli. Flas për të gjithë ata që bëjnë punë të zakonshme dhe pastaj në fund të muajit mos ngelet më asgjë. Të investosh kursimet kur ke mundësinë ta bësh këtë në fshat, në cilindo fshat, është e sigurt që në fund të muajit të lë diçka dhe këtë sot nuk e them unë, e thonë faktet e të gjithë atyre që e kanë bërë këtë”.

“Është një kullë në fund të botës, në zonën e Bulqizës. Nëse do shikoni historinë e asaj kulle se  si ajo familje e ka transformuar në një destinacion turistik ku nuk keni idenë sesa më e vështirë është të shkosh, sesa të shkosh në cilëndo pikë këtu rreth e rrotull dhe të shikoni se si ata jetojnë me atë punë dhe nxjerrin fitim nga ajo punë dhe kanë gjithmonë e më shumë njerëz që kërkojnë të shkojnë tek ata dhe ka edhe më pak vende të lira sepse duhet të rezervosh”, tha Rama.

Prandaj, vijoi Rama, dua ta përsëris sa herë të mundem që koha kur shkoje në Evropë dhe mund të kurseje mjaftueshëm për të imagjinuar të bëje gjëra të tjera ka mbaruar, nuk është më.

“Jemi në një moment ku i kemi të gjitha faktet se synimin për të arritur në një majë të re në 2030 e kemi të mbështetur, jo më një dëshirë, por një synim të mbështetur”, tha Rama./atsh/KultPlus.com