Kryeministri Kurti në Zvicër: Serbia gjithmonë do të jetë rrezik për Kosovën dhe vendet fqinje që i pengojnë projektit të ‘botës serbe’

Kryeministri Albin Kurti gjatë qëndrimit dyditor në Zvicër, ishte i ftuar për një adresim dhe diskutim nga Shoqëria zvicerane për Politikë të Jashtme, të shoqëruar me një bashkëbisedim me redaktorin për politikë të jashtme të NZZ, Andreas Ernst.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit, Kurti trajtoi edhe raportet me Serbinë dhe procesin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Europian, raporton Gazeta Express.

Ai foli për refuzimin e Serbisë për të nënshkruar Marrëveshjen e dakorduar Bazike dhe Aneksin e saj të zbatimit dhe nënvizoi shkeljet e vazhdueshme nga ana e Serbisë të cilat kulmuan me letrën e ish-kryeministres serbe Ana Bqrnabiq dërguar Bashkimit Europian në të cilën thuhet se Serbia nuk do të respektojë integritetin territorial të Kosovës, gjë që praktikisht nënkupton tërheqje nga Marrëveshja Bazike dhe parimet themelore të saj.

Kurti për Serbinë tha se “përderisa elita e saj autoritare vazhdon të propagandojë dezinformata, të mobilizojë trupa përgjatë kufirit tonë dhe të refuzojë të ndjekë penalisht terroristët që vranë rreshterin tonë të policisë një vit më parë në Banjskë të Zveçanit”.

“Serbia gjithmonë do të përbëjë një rrezik të madh për sigurinë jo vetëm të Kosovës, por edhe të vendeve të tjera fqinje që i pengojnë projektit të “Serbisë së Madhe”, që tani e quajnë “bota serbe”, përkatësisht Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina po ngacmohen përveç Kosovës”.

Kurti atje tha se Moska do të jetë e para që do t’i bashkohet këtij “kori përçarjeje dhe shkatërrimi”.

“Rusia por edhe Kina kanë zgjeruar ndikimin e tyre në rajon, si ekonomikisht ashtu edhe politikisht. Rusia përdor lidhjet historike dhe kulturore për të ushtruar fuqinë e saj, duke i bërë thirrje shpirtërores së thellë të popullit serb, i cili është i lidhur ngushtë me Kishën Ortodokse Ruse, ndërsa Kina përdor investime dhe kredi për të forcuar ndikimin e saj. Këto ndikime destabilizojnë rajonin dhe krijojnë një pengesë të fortë kundër përparimit demokratik”.

Ai tha se për Kosovën dhe gjithë Ballkanin Perëndimor është thelbësore të mbesin të ankoruar në bashkësinë europiane të vlerave.

“Ky angazhim nuk ka të bëjë vetëm me rritjen ekonomike – ka të bëjë me ruajtjen e demokracisë dhe lirisë. Ne parashikojmë që Ballkani Perëndimor të rritet si një pjesë e qëndrueshme, sovrane dhe plotësisht e integruar e Europës – jo si një tabelë shahu gjeopolitike për fuqitë e jashtme. Ballkani Perëndimor në Europë. Me përfshirjen e Ballkanit Perëndimor në BE, është Bashkimi Europian ai që bëhet Europë”.

Kryeministri Kurti takohet me Sarrazinin: Të zbatohen marrëveshjet që janë nënshkruar në Procesin e Berlinit

Kryeministri Albin Kurti, ka zhvilluar sot një mëngjes pune me përfaqësuesin e Posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në rezidencën e Ambasadorit të Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde.

Në njoftimin e lëshuar për media nga Kryeministria, thuhet se pjesë e diskutimit ishin forcimi dhe avancimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet Gjermanisë dhe Kosovës, bashkëpunimi rajonal në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe çështjet aktuale.

“Kryeministri uroi Sarrazinin për një samit të suksesshëm në 10-vjetorin e Samitit të Berlinit këtë muaj, ku u nënshkrua një marrëveshje e re për qasje në studime, deklarata për Planin e Ri të Veprimit të Tregut të Përbashkët Rajonal 2025 – 2028 si dhe deklaratat e përbashkëta për fqinjësinë e mirë dhe bashkëpunimin rajonal, për qasjen dhe bashkëpunimin në infrastrukturën e kërkimit dhe inovacionit dhe atë për standardet rajonale të ekzaminimit investimeve të huaja direkte në Ballkanin Perëndimor”.

“Ai nënvizoi rëndësinë e fokusimit në zbatimin e marrëveshjeve që janë nënshkruar. Në këtë drejtim Kryeministri theksoi se pas vendimit të Kosovës që qytetarët e Bosnjës dhe Hercegovinës të mund të udhëtojnë me letërnjoftime në Kosovë nga 1 janari i vitit të ardhshëm, është e rëndësishme që të punohet që Bosnja dhe Hercegovina të ratifikojë marrëveshjen për lëvizjen e lirë me ID ashtu që të mundësohet zbatimi i plotë i marrëveshjes”, thuhet në njoftim.

Në lidhje me kohën e pritjes në pikën kufitare në Merdarë, kryeministri theksoi rëndësinë e respektimit të procedurave të lajmëruara me rastin e ndryshimit të masës së sigurisë deri në operacionalizimin e skanerëve me rreze X, si dhe foli për mobilizimin që kanë bërë institucionet e Republikës së Kosovës në këtë drejtim.

Kryeministri e falënderoi Përfaqësuesin Special për angazhimin dhe kontributin e tij në avancimin e bashkëpunimit rajonal.

Kryeministri Kurti: Asociaconi që po e kërkon Serbia do ta minonte Kushtetutën e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe që po kërkohet nga Serbia do ta minonte Kushtetutën e Kosovës. Këtë deklaratë Kurti e ka bëre ditë më parë gjatë një adresimi ndaj komunitetit të Harvardit, organizuar nga Shoqata e Studentëve Shqiptarë të Harvardit, ndërsa një pjesë nga fjalimi e ka publikuar në platformën “X”.

“Asociacioni që po e kërkon Serbia, pa e njohur fillimisht Kosovën, do të kërkonte të merreshin fuqi ekzekutive, qoftë nga Qeveria, qoftë nga komunat, gjë që do ta minonte Kushtetutën tonë. E njëjta gjë vlen edhe për garancitë specifike për kishat dhe manastiret ortodokse të cilat gëzojnë zona të veçantë mbrojtëse nga dhjetëra deri në mijëra hektarë. Kësaj kërkesë do t’i duhej qeverisje nga një shtresë që nuk është e rregulluar ligjërisht për të ofruar gamën e gjerë të mbrojtjeve të cilat rendi i tanishëm veçse i ofron. Ky është një rast kur kërkesa për më shumë është në fakt një ofertë më pak”, ka deklaruar Kurti.

“Ne jemi të përkushtuar ndaj qeverisjes së zellshme që nxit një rritje më të barabartë dhe mbrojtje të fortë të Kushtetutës sonë”, ka theksuar ai.

Kryeministri Kurti: Pa mërgatën s’do të arrihej lufta për çlirim dhe pavarësia

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë vizitës së tij në Mynih të Gjermanisë ka thënë se afër 120 mijë bashkëatdhetarë jetojnë e punojnë atje.

Në Facebook, kryeministri Kurti, ka shkruar se pa mërgatën nuk do të arrihej lufta për çlirim e deri te pavarësia.

“Afër 120 mijë bashkatdhetarë tanë jetojnë e punojnë në Bavari. Shumë prej tyre jetojnë mes Gjermanisë dhe Kosovës, e secili është urë bashkuese ndërmjet dy vendeve. Lidhja e fortë me vendlindjen dhe atdheun është dëshmuar vendimtare në momentet më kritike, nga lufta për çlirim e deri te përpjekja për pavarësi. As njëra e as tjetra nuk do të arrihej pa mërgatën tonë të çmueshme. Pritja madhështore në Mynih dhe interesimi i lartë për zhvillimet e progresin në vend na tregon se lidhja sa vjen e shtohet”, ka shkruar ai.

Kryeministri Kurti kërkon mbështetjen e Austrisë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Gjatë qëndrimit në Poloni, në margjina të Forumit të Sigurisë të Varshavës, kryeministri Albin Kurti, u takua me ish-ministrin e Mbrojtjes të Austrisë Dr. Werner Fasslabend dhe ambasadorin e Austrisë në Poloni, Andreas Stadler.

Në njoftimin e lëshuar thuhet se diskutuan rreth marrëdhënieve të shkëlqyera mes Kosovës dhe Austrisë, si dhe bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes.

Kurti theksoi rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare me seli e zyra qendrore në Vjenë, për çka dhe shprehu nevojën e mbështetjes së Austrisë.

Duke i falënderuar për takimin dhe bisedën, Kurti shprehu mirënjohjen edhe për kontributin e qendrave të studimit si Instituti Austriak për Politikat Evropiane dhe të Sigurisë, ku Dr. Werner Fasslabend ka shërbyer më herët edhe në funksionin e drejtorit të institutit. 

Kryeministri Kurti: Adresa e agresionit në Banjskë është Beogradi zyrtar

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia është adresa kryesore e agresionit në Banjskë dhe e fshehjes së Milan Radoiçiqit, kryesuesit të grupit serb, më 24 shtator të vitit të kaluar.

Në akademinë përkujtimore për heroin Afrim Bunjaku, ai tha se qëllimi i agresionit në Banjksë ishte i aneksimit të veriut të Kosovës.

“Prijësi i këtij grupi ishte vet Milan Radoiçiq kriminel i profilit të lartë që nënpetkun e një politikani aktiv në Kosovë prej vitesh kishte zbatuar urdhra kriminal nga Beogradi. Ai kishte trajtuar një rrjet të gjerë parapolitik në trajtën e  një bande mafioze e një grupi terrorist me të cilin e kishte mbajtur nën kontroll pothuajse gjithë veriun e Kosovës me anë të frikësimit, terrorit dhe shantazhit”.

“Që nga ajo ditë Radoiçiq është kërkuar nga shteti i Kosovës, kurse është fshehur nga shteti i Serbisë. Aktakuza e ngritur ndaj tij së fundi nuk është vetëm një kusht juridik edhe një denoncim ndaj një tentative të dështuar në trajtën e një terrorizimi shtetëror të Serbisë për aneksimin e veriut të Kosovës”.

“Adresa e vendimit politik e planifikimit operacional e urdhërdhënies institucionale dhe adresa e fshehjes së ekzekutuesve të këtij akti agresioni me qëllim të aneksimit të një pjesë të territorit të Kosovës është Beogradi zyrtar, dhe vet shteti i Serbisë”, ka thënë Kurti.

Kurti takon ekipin Paralimpik të Kosovës: T’i bashkojmë forcat e le t’i nxisim talentet që të arrijnë majat e sportit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, mori pjesë në ngjarjen e organizuar me rastin e pjesëmarrjes së Kosovës për herë të parë në Lojërat Paralimpike “Paris 2024”.

Gjatë kësaj ngjarje, Kurti shprehu mirënjohjen e thellë ndaj garuesit të Kosovës, paraatletin Grevist Bytyçi, i cili mori pjesë në Lojërat Paralimpike “paris 2024”, në garën e vrapimit 1 mijë e 500 metra në kategorinë T46, të cilën ai e mbylli në pozitën e 15-të.

“Kryeministri Kurti përmendi edhe mbështetjen që ka ofruar dhe vazhdon të ofrojë Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila me anë të investimeve të saj ka për qëllim rritjen dhe zhvillimin e sportit paralimpik, teksa shtoi se  nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike. ‘Angazhimi institucional është thelbësor në rritjen dhe zhvillimin e këtij sport”.

“Ai shtoi se përveç rritjes së ndjeshme të buxhetit vjetor të organizatës, nga ky vit ka filluar edhe mbështetja për federatat e reja paralimpike, e ku totali i buxhetit të të dyjave arrin gjithsej 320 mijë euro për vitin 2024”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.

Tutje, Kurti tha se duhet fuqizim i përpjekjeve, bashkim i forcave e nxitje për talentet që të arrijnë majat e sportit.

Kryeministri Kurti takoi Drejtoren Artistike të Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë, flasin për sukseset e artistëve nga Kosova

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti mirëpriti sot Drejtoren Artistike të Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë, Katarzyna Wielga-Skolimowska dhe krijuesin e programeve të zhvillimit në këtë fondacion, Nuno de Brito Rocha, të shoqëruar nga artisti vizual dhe kuratori shqiptar, Erzen Shkololli.

Në një bisedë miqësore diskutuan rreth zhvillimit të artit përmes mbështetjes institucionale dhe për sukseset që artistët nga Kosova kanë shënuar viteve të fundit në arenën ndërkombëtare të artit, shkruan Arbresh.info.

Ndër to, një sukses i veçantë u shënua në edicionin e 60-të të Bienales së Artit të Venedikut, Pavijoni i Kosovës mori Mirënjohje të Veçantë për Përfaqësim Shtetëror.

“Vendi i vetëm nga Evropa që këtë vit fitoi në Bienale, në mesin e 86 pavijoneve shtetërore garuese.”, thuhet në njoftim.

Kryeministri i njoftoi për shtimin e investimeve nga ana e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kulturë dhe art dhe mbështetjes instititucionale për trashëgimi kulturore, filharmoni e film, muze e galeri, skenën e pavarur.

Ai vlerësoi punën dhe kontributin e rëndësishëm që secili prej tyre i ka dhënë provimit të kulturës dhe artit përmes projekteve në Gjermani, Poloni, Brazil e gjetiu, dhe bashkë trajtuan mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të Republikës së Kosovës dhe  Fondacionit Kulturor Federal të Gjermanisë.

Kryeministri Kurti bën thirrje për aplikimin e qytetarëve për Çmimet e Vullnetarizimit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se shumë qytetarë angazhohen vullnetarisht për ta avancuar shoqërinë. Në një postim në Facebook, ai ka ftuar të gjithë që bëjnë vullnetare të aplikojnë për Çmimet e Vullnetarizmit, e që afati është deri 30 shtator 2024.

“Këto kontribute e meritojnë të promovohen dhe falënderohen. Çmimet e Vullnetarizmit në Kosovë janë një hap në këtë drejtim. Ju bëj thirrje të gjithë juve qytetarë të nderuar që të nominoni të rinjtë, komunat, bizneset, përfaqësuesit e diasporës dhe figurat publike që janë angazhuar ose e kanë përkrahur vullnetarizmin në Kosovë”, ka thënë Kurti.

Presidentja Osmani e Kryeministri Kurti zbulojnë shtatoren e Ibrahim Rugovës në Podujevë

Në qytetin e Podujevës në një ceremoni të organizuar nga Komuna sot është zbuluar shtatorja e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova.

Shtatorja është zbuluar nga presidentja Osmani, kryeministri Albin Kurti, Teuta Rugova e bija e presidentit, kryetari Shpejtim Bulliqi dhe Fatmir Sejdiu. 

Kryeministri Kurti: Kosova do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia

Gjatë ditës sot, kryeministri Albin Kurti e ka mirëpritur presidentin e Agjencisë së Industrisë së Mbrojtjes së Republikës së Turqisë, Haluk Gorgun, të shoqëruar nga ekipi i tij dhe ambasadori i Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı.

Në njoftim thuhet se Kurti shprehu falënderimin e tij për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, veçanërisht sa i përket ngritjes së kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Ai tha se Republika e Kosovës do të vazhdojë blerjen e pajisjeve ushtarake nga Turqia, e cila mbetet një prej partnerëve kryesor të Kosovës.

Në takim gjithashtu u diskutua rreth mundësive të bashkëpunimit në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, përkatësisht atë të prodhimit të municionit, dhe për kushtet që vendi ynë ofron për investitorë potencialë nga Turqia.

Kurti takohet me Hargreaves, zhvillimet në vend dhe planet e bashkëpunimit temë diskutimi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Të dy kanë diskutuar për marrëdhëniet bilaterale, programet e bashkëpunimit dhe për zhvillimet në vend, transmeton klankosova.tv.

Kryeministri falënderoi ambasadorin Hargreaves për mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar për Doganën e Kosovës me pajisje teknike për luftimin e kontrabandës, si dhe për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe me Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila po trajnon ushtarët e Ukrainës në Mbretërinë e Bashkuar.

Kjo në kuadër të operacionit Interflex dhe ka kryer misione të bashkë-zbarkimit me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar.

Ai gjithashtu veçoi faktin se tash Kosova është pjesë e mekanizmit UK Export Finance, që ofron më shumë mundësi për investime nga investitorët e Mbretërisë së Bashkuar.

Kryeministri Kurti: Uroj që viti i ri shkollor të jetë i suksesshëm për të gjithë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar nxënësit, mësimdhënësit dhe prindërit për fillimin e vitit të ri shkollor 2024/2045.

Përmes një postim në Facebook, Kryeministri Kurti ka thënë se shtatori është muaji i fillimeve të reja dhe i rrugëtimit të përbashkët të mësimdhënësve, prindërve, nxënësve dhe institucioneve të shtetit drejt të ardhmes.

“Edhe këtë vit, po bëjmë subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për nxënësit nga klasa e parë (I) deri në klasën e nëntë (IX), ndërkohë që nga muaji gusht i kemi rritur shtesat për fëmijët deri në moshën 16 vjeç përmes së cilave po ofrojmë mbështetje të vazhdueshme të shtetit ndaj fëmijëve dhe familjeve”.

“Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit është angazhuar dhe kujdesur që ky vit i ri shkollor të fillojë mbarë, e unë uroj që ai të jetë i suksesshëm për të gjithë!”, ka thënë Kurti.

Kryeministri Kurti takohet me albanologët Leonardo Savoia dhe Francesco Altimari

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, u takua ditën e sotme me profesorët dhe albanologët Leonardo Savoia nga Italia dhe Francesco Altimari, i cili është arbëresh.

Sipas njoftimit nga ekzekutivi, diskutimi mes tyre ishte i hapur, i sinqertë dhe plot shkëmbime të dijes.

U bisedua rreth identitetit gjuhësor shqiptar e kulturës, si dhe rreth figurave pionere të Rilindjes dhe çështjes kombëtare, të cilët kanë kontribuar në ruajtjen e kultivimin e gjuhës, por edhe përhapjes së saj ndërkombëtarisht.

“Profesori i nderuar Leonardo Savoia, tha se e ka studiuar kulturën shqiptare dhe ndihet i lumtur që shpesh viziton Republikën e Kosovës, për të thelluar më shumë studimet dhe punën kërkimore të tij. Ai së bashku me z. Altimari, do të marrin pjesë në Seminarin e 42-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare”, thuhet në njoftim.

Profesori Savoia ka mbi 40 vite që merret me studimet mbi shqipen dhe arbërishten. Studime të tij janë botuar edhe nga Akademia e Shkencave të Kosovës e të njëjtat prezantohen kudo ku dëshmohet lashtësia dhe lidhja e shqipes me gjuhët e vjetra. Ndërsa z. Altimari është studiues dhe profesor i shqipes dhe letërsisë në Universitetin e Kalabrisë që prej vitit 1992, si dhe ka dhënë mësim edhe në Universitetin e Napolit, Universitetin e Lecce-s, Universitetin e Triestes dhe Universitetin e Milano-Cattolica.

Admirali Munsch takon Kurtin, bisedojnë për sigurinë dhe dialogun Kosovë-Serbi

Komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admirali amerikan Stuart B. Munsch, ka zhvilluar një takim me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë.

Në një postim në profilin zyrtar të Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në platformën X.

“Admirali Stuart Munsch u takua me z. Kurti në Prishtinë, për të diskutuar mbi aktivitetet e KFOR-it për sigurinë e qëndrueshme në Kosovë dhe mbështetjen e NATO-s për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet” Kosovës dhe Serbisë, është thënë në njoftim.

Për dallim nga Kurti, presidentja Vjosa Osmani nuk ka mundur të takohet me komandantin e Komandës së Forcave të Përbashkëta Aleate në Napoli, admiralin amerikan Stuart B. Munsch.

Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, për Klankosova.tv ka pohuar se presidentja është e prekur me grip sezonal dhe se takimin e paralajmëruar me Admiralin Munsch e pati të pamundur ta zhvillojë.

“Takimi në mes të Presidentes Osmani dhe Admiralit Munsch ka qenë i konfirmuar për sot në orën 15:00, por nuk do të mund të realizohet sot për shkak se Presidentja e kishte të pamundur të dalë në zyrë shkaku i një virusi sezonal”.

“Presidentja ka biseduar me Admiralin Munch nëpërmjet telefonit dhe do të takohet me të së shpejti në njërin nga udhëtimet e radhës”, ka thënë Kupina.

Admirali amerikan Stuart B. Munsch, po qëndron për vizitë në Kosovë.

Ai është pritur nga komandanti i KFOR-it, Ozkan Ulutash, ndërsa lajmi për këtë takim u bë i ditur nga misioni KFOR-i.

“Ulutash ilustroi aktivitetet e KFOR-it në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme në mbarë Kosovën dhe mbështetjen e saj për dialogun e lehtësuar nga BE-ja ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”.

“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, dhe lirinë e lëvizjes në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. KFOR-i vepron si reaguesi i tretë i sigurisë, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), të cilët janë përkatësisht reaguesi i parë dhe i dytë i sigurisë”, thuhet në njoftimin e postuar në llogarinë e KFOR-it në Facebook.

Ndërkaq, në llogarinë e Komandës së Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli në platformën X, u tha se në takimin Munsch – Ulutash, “diskutimet u fokusuan në përkushtimin e KFOR-it për stabilitetin dhe sigurinë në rajon dhe mbështetjen e dialogut të lehtësuar nga BE-ja”. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Kurti: Mbështetja për miqtë ukrainas shkon përtej llogaritjeve politike, tregon përkushtimin për të vepruar në unitet me partnerët

Kryeministri Albin Kurti tregoi në një pritje të organizuar për nder të Ditës Kombëtare të Ukrainës se çfarë ka bërë Kosova për ta mbështetur këtë shtet që prej kur Rusia nisi pushtimin e tij.

Kurti tregoi se Qeveria ka miratuar 13 paketa sanksionesh amerikane kundër Rusisë dhe Bjellorusisë. Ai tha se mbështetja e Kosovës për “miqtë ukrainas shkon përtej llogaritjeve politike”.

Kurti tha se mbështetja e Kosovës për Ukrainën “tregon përkushtimin tonë për të vepruar në unitet me partnerët tanë ndërkombëtarë kundër agresionit të paligjshëm dhe të paprovokuar të Rusisë”.

“Rusia ka qenë gjithmonë joeuropiane”, tha ndër tjerash Kurti në një fjalim në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës.

“Solidariteti ynë [për Ukrainën] është detyra jonë që i përkasim kontinentit europian”, tha ai.

Kryeministri Kurti për patentë shoferët: Komuniteti serb bëri hap drejt integrimit

Qytetarët Kosovës deri dje kanë mund të bëjnë konvertimin e patentë shoferëve nga ato ilegalet në ato të Republikës së Kosovës.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se me konvertimin e patentë shoferëve nga ato ilegale në të Republikës së Kosovës, qytetarët tanë nga komuniteti serb kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt integrimit, duke iu përgjigjur në masë thirrjes për aplikim për konvertimin e këtij dokumenti.

“6509 aplikime për konvertimin e patentë-shoferëve nga ilegale në ato zyrtare të Republikës së Kosovës. Vetëm në katër komunat në veri të shtetit tonë, u konvertuan 5732 patentë-shoferë, prej të cilave 2018 në Leposaviq, 1576 në Mitrovicën Veriore, 1177 në Zveçan dhe 961 në Zubin Potok. Afati për regjistrimin e tyre, nisi më 9 maj, dhe ishte i paraparë deri më 9 gusht. Për shkak të kërkesave të shumta dhe interesimit të lartë për konvertimin e patentë-shoferëve, e kemi shtyrë të njëjtin për 2 javë, deri ditën e djeshme më 23 gusht. Kjo periudhë më shumë se 3 mujore e konvertimit, kaloi pa asnjë incident apo ankesë”, ka shkruar ai në ‘Facebook”.

Shefi i qeverisë, i ka falënderuar të gjithë qytetarët të cilët e shfrytëzuan pozitivisht këtë mundësi, si dhe zyrtarët e institucioneve tona në zyrat e qendrat e regjistrimit, për punën e tyre dhe asistimin e aplikuesve në këtë proces.

Kryeminstri Kurti takon senatorin Welch, flasin për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në ekonomi e politikë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot është takuar me senatorin Peter Welch, me të cilin biseduan për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në ekonomi e politikë.

Kurti përmes një shkrimi në “X” tha se Welch është mik i Kosovës, i cili siç tha ai, vizitoi vendin tonë menjëherë pas sulmit terrorist që i mori jetën Afrim Bunjakut, përcjell Klankosova.tv.

“Ishte një kënaqësi e madhe të takohesha me Senatori Peter Welch një mik i Kosovës, i cili vizitoi vendin tonë menjëherë pas sulmit terrorist që i mori jetën Afrim Bunjakut vitin e kaluar”.

“Diskutuam për thellimin e marrëdhënieve mes dy vendeve tona në frontin ekonomik dhe politik, si dhe eksplorimin e rrugëve të reja për bashkëpunim.  Theksova gjithashtu progresin e rëndësishëm që ka bërë Kosova dhe përpjekjet e qeverisë për ngritjen e të gjithë shoqërisë sonë, siç është futja e arsimit të lartë falas”, thuhet tutje në shkrimin e tij./ KultPlus.com

Kryeministri Kurti bashkëbisedoi me ish-sekretarin e përgjithshëm të NATO-s në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike

Mbrëmë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Konventës Kombëtare Demokratike, e cila do të zgjasë deri më 22 gusht.

Para fillimit të saj u mbajt dhe pritja me mysafirët ndërkombëtarë, e ku kryeministri u takua e bashkëbisedoi me ish-Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Lord George Robertson, ish-ministren e Punëve të Jashtme të Suedisë, Ann Linde dhe presidenten e NDI, Tamara Wittes, ndër të tjerë.

Gjatë punimeve të Konventës Kombëtare Demokratike të natës së parë, folës kryesor ishin edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, Zonja e Parë, Jill Biden, ish-Sekretarja e Shtetit dhe ish-kandidatja e Partisë Demokrate për presidente, Hillary Clinton, si dhe kongresistja e New York-ut, Alexandria Ocasio-Cortez.

Para fjalës së presidentit Biden, edhe zëvendëspresidentja e ShBA-ve, e cila pritet të nominohet si kandidatja e demokratëve në zgjedhjet e ardhshme, Kamala Harris, mbajti fjalë të shkurtër përshëndetëse.

Kryeministri Kurti: Nuk do t’i befasojmë ndërkombëtarët, por nuk do të zvarritet hapja e Urës së Ibrit

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova në hapjen e Urës së Ibrit është e vonuar trefish, dhe se qëllimi qarkullimit është në të mirë të të gjithë qytetarëve të vendit.

Ai, në një intervistë gjatë qëndrimit të tij në ShBA, ka theksuar se nuk mund të thuhet se lëvizja e lirë vlen gjithandej vendit, por urës kryesore mbi lumin Ibër.

“Ura mbi lumin Ibër është dashtë të hapet kur u çliruar Kosova para 25-vjetëve. Ajo nuk është dashtë të jetë e mbyllur, kur Kosova e ka shpallur pavarësinë para 16-vjetëve, ajo është dashtë të jetë e hapur edhe para 8 vitesh në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe planit të zbatimit. Kësisoj, ne jemi trefish të vonuar për shumë vite”.

“Ajo çka duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat dhe kapitalin në të dy anët e lumit ibër, të ketë sundim të ligjit që nuk e përjashton askënd dhe kjo paraqet vet frymëmarrjen e shtetit demokratik. Duhet të na mirëkuptoni se ne nuk mund të themi që sundimi i ligjit e lëvizja e lirë vlen gjithandej Kosovës për të gjithë tërë kohës, përveçse në urën kryesore mbi lumin Ibër”, theksoi Kurti.

Ndër tjera, i pari i ekzekutivit ka pohuar se janë duke i marrë parasysh të gjitha vërejtjet dhe sugjerimet nga partnerët amerikanë dhe evropianë për çështjen e hapjes së urës.

“Kurrë nuk ka pasë më shumë koordinim dhe konsultime dhe jam opotimist se do ta kemi edhe sundimin e ligjit dhe lirin e lëvizjes, paqen, sigurinë dhe qetësinë në anën tjetër. Hapja e urës nuk është kundër askujt, është për komunitetin serb, për shqiptarët, për të gjitha pakicat, pra për të gjithë qytetarët e Republikës sonë demokratike. Evropa i ka shembur të gjitha muret, ne jemi në Evropë dhe duhet të hapim edhe këtë urë”.

Kurti u deklarua edhe rreth mundësisë së shtyrjes së afatit për hapjen e urës në fjalë, ai tha se kjo çështje nuk do të lejohet të zgjatet pafundësisht.

“Ne jemi të interesuar që hapjen ta bëjmë në bazë të planit që e kemi ndarë së bashku me partnerë amerikanë dhe evropianë. Kemi zhvilluar konsultime me komunitetin serb në veri, me shqiptarët në dy komunat, kemi testuar qëndrueshmërinë teknike të urës, duhet të kujdesemi për dizajnim e zbukurimin, për pamjen vizuele të kësaj ure, këtë duhet ta bëjmë sa më parë”.

“As nuk do të befasojmë partnerët dhe aleatët amerikanë e evropian, dhe as nuk do të lejojmë që kjo çështje të zvarritet pafundësisht. Vullnetin dhe qëllimin e kemi të mirë, besojmë se është e nevojshme e mirë e dobishme për të gjithë hapja e kësaj ure”, ka thënë Kurti. /Klankosova.tv/ KultPlus.com

Kryeministri Kurti në ditën ndërkombëtare të fotografisë, vlerëson lartë fotografët shqiptarë

Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar lartë fotografët shqiptarë, sot me rastin e shënimit të ditës ndërkombëtare e fotografisë.

Përmes një postimi në Facebook, Kryeministri Kurti thotë se fuqia e fotografisë është e madhe.

“Ishin fotografët që përmes fotografive dëshmuan para botës vuajtjet e maltretimet, vrasjet e masakrat mbi popullin shqiptar nga shteti i Serbisë”, shkruan Kurti.

“Po ashtu, ishin fotografët ata që kapën shumë momente gëzimi e fytyra të qeshura në Kosovën tonë të lirë”.

Kryeministri Kurti takohet me komandantin e KFOR-it, e njofton mbi punët që po zhvillohen në Urën e Ibrit

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është takuar me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, ku ndër temat kryesore ishte hapja e urës kryesore mbi Ibër.

Sipas Kurtit, hapja e Urës së Ibrit është një gjë e drejtë, e nevojshme dhe e dobishme, teksa bëhet e ditur se kreu i qeverisë e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen mbi të.

“Kryeministri Kurti e njoftoi komandantin e KFOR-it mbi punët e përgjithshme që po zhvillohen në urën kryesore mbi lumin Ibër dhe rezultatet nga raporti preliminar i vlerësimit të qëndrueshmërisë së urës, të dorëzuar nga operatori ekonomik tek Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës”.

“Në kuadër të hapave të nevojshëm të ndërmarrë nga Qeveria për hapjen e urës, ai rikujtoi dhe takimin publik me qytetarët e Mitrovicës së Veriut, të organizuar më 8 gusht nga komuna e Mitrovicës së Veriut e ku të pranishëm ishin qytetarë nga komuniteti serb, organizata joqeveritare dhe përfaqësues nga niveli qendror e lokal si dhe KFOR-i dhe EULEX”, thuhet në njoftimin e qeverisë, transmeton Klankosova.tv.

Më tej, në njoftimin e qeverisë thuhet se Kurti u shpreh i bindur se liria e lëvizjes dhe sundimi i ligjit, paqja e siguria janë të gjitha të mundura bashkë dhe të duhura.

“Në këtë takim u diskutua dhe rreth ballafaqimit me zjarret në këto ditë të nxehta vere dhe ndihmës që KFOR-i do të mund të ofronte në shuarjen e tyre që nisën me fusha e arritën maleve”.

“Kryeministri Kurti, që shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Besnik Bislimi, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi dhe zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, e falënderoi komandantin e KFOR-it, Ulutas për bashkëpunimin dhe komunikimin e rregullt”, thuhet në njoftim.

Kurti kujton ‘Abenë’, Shalën, Zherkën e Vulën në 26-vjetorin e rënies së tyre: Luftëtarë të paepur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kujtuar dëshmorët Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shalën, Elton Zherkën dhe Përmet Vulën, në 26-vjetorin e rënies së tyre.

Kurti, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, shprehet se këta dëshmorë ishin luftëtarë të paepur, që u dhanë shembull të gjithë atyre që u rreshtuan më pas vullnetarisht në radhët e UÇK-së.

“Sot në 26 vjetorin e rënies së tyre, i kujtojmë dëshmorët e lirisë së Kosovës: Bekim Berisha – Abeja, Bedri Shala, Elton Zherka dhe Përmet Vula.  Më 10 gusht të vitit 1998, këta katër luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ranë dëshmorë duke luftuar me forcat serbe në zonën e Junikut. Duke u vrarë në muajt e parë të luftës në Kosovë, Bekimi, Bedriu, Eltoni dhe Përmeti ishin luftëtarë të paepur që me aktivitetin dhe luftën e tyre, u dhanë shembull të gjithë atyre që u rreshtuan më pas vullnetarisht në radhët e UÇK-së. Lavdi Bekim Berishës – Abejës, Bedri Shalës, Elton Zherkës dhe Përmet Vulës, mes dëshmorëve të rënë për lirinë e Kosovës!”, shkruan i pari i qeverisë.

Kryeministri Kurti: Dikur imagjinare Kosova t`i mposhtë fuqitë e mëdha, sot realitet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se dikur dukeshin të pamundura fitoret e Kosovës përballë fuqive të mëdha në sport, por sot kjo është realitet.

Të martën në sheshin “Xhorxh Bush”, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka organizuar një pritje për ekipin olimpik të Kosovës, që ka përfaqësuar vendin në Lojërat Olimpike Paris 2024. 

 Kurti gjatë fjalës së tij ka shprehur krenari dhe gëzim për arritjet e ekipit kosovar.  Ai ka përgëzuar sportistët duke iu uruar mirëseardhje në shtëpinë e tyre. 

“Ekipi ynë i xhudos arriti ta mbajë traditën tone si shtet për të fituar medalje olmpike në secilen olimpiadë që kemi marrë pjesë deri tash. Në emër të të gjithë qytetarëve, kam nderin t’iu përgëzoj dhe t’iu uroj mirëseardhje në shtëpinë tuaj. Ky vend të cilin e bëtë krenar, do ta mbajë gjithmonë rrugën tuaj të hapur për të shkuar drejt sukseseve. Dikur dukej imagjinare që Kosova të triumfojë përballë fuqive të mëdha, por tani ky është realitet. I gjithë ekipi olimpik vazhdoni të punoni, sepse ëndrrat e mira asnjëhere nuk kanë fund”, ka thënë Kurti.

Ekipi i Kosovës këto ditë është kthyer nga Parisi, ku ishin pjesëmarrvs në Lojërat Olimpike. Me vete kanë sjellur edhe dy medalje. Xhudistja Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë e Laura Faziu atë të bronztën. 

 Xhudisti Akil Gjakova ishte shumë afër medaljes, duke përfunduar në vendin e pestë në kategorinë -73 kg, ndërsa Loriana Kuka dhe Donjeta Sadiku mbyllën garat me nga një fitore dhe vendin e nëntë.

Kampionia olimpike e Tokio 2020, Nora Gjakova, për shkak të një lëndimi të pësuar më herët gjatë vitit, u ndal në raundin e parë të kategorisë -57 kg. Notari Adell Shaboviq doli i 58-ti nga 79 garues në disiplinën e 100 metrave stil i lirë, ndërsa Hana Beiqi përfundoi e 43-ta prej 79 garueseve në 50 metra stil i lirë.

Atletja Gresa Bakraçi garoi në 800 metra vrapim, duke përfunduar e 49-ta dje dhe duke u diskualifikuar në raundin e dytë për shkak të daljes nga korsia e saj.