Letra e Lasgush Poradecit drejtuar drejtorit të zyrës së shtypit Mihal Sherko, në vitin 1931.
Të Nd. Zotit Prof M. Sherko
Drejtor i “Zyrës së Shtypit”
Tiranë (Albania)
Graz, 11.10.1931
I nderuar Zoti Sherko,
Nuk munda t’Ju dërgoj nga Bàri poezinë e premtuar, me qënë që pó ditën e daljes nga vapori hymë në tren për këtej. Poezia është një variantë e fundit e “Valles së Luleve”, së shtypur për herën e parë në “Shqipëria e re” sot e nj’a tetë vjet përpara. Arti, ay i VËRTETI, është i RËNDË; sepse art i VËRTETË domethënë ay që del nga fundi i shpirtit t’onë me një sulm të FUQISHMË, – për t’u mveshur me roben e bukur artistike, po plot FUQI dhe kjo, të krijonjësit, domethënë me formën e VETËME të tij, e cila as ka qënë, as do të jetë, po vetëm NJË herë: vetëm NË MOMENTIN e krijimit të VËRTETË artistik realizohet, – dhe për t’u lënë trashëgim kultural, ashtu i, FUQISHMË, – i BUKUR dhe i VETËM siç është brezave të arthme të kombësisë dhe të njerëzimit. Për KËTË art, i dashur mik Zoti Sherko, mundohem unë t’i drejtoj sa më afër hapat e mija: është 1 ideal, i vlefshëm për çdo mundim. Prandaj s’turpërohem dyke shkruar “varianta”. Varianta, në kuptimin banal të saj, është – ç’më shumë se sa 1 banalitet? Varianta në kuptimin e rëndë të artit të vërtetë, është 1 MUNDIM i MATH PËR MË MIRË. – Pritni, Ju lutem nderimet e mija nga zemra.
Lasgush Poradeci
P.S.
Ç’bëtë me çështjen shkollore të t’im nipi? Me nder të math lutem të kini mirëesinë të m’i dërgoni bursat e muajve Shtator, Tetor ect 1931/ KultPlus.com
Poeti i madh Lasgush Poradeci ka pasur një ndjenjë të veçantë për Kosovën.
Në videon e mëposhtme, Poradeci rrëfen ndjenjat e tij patriotike për Kosovën.
Kush është lulja në Ballkan Që bota i ka sevdanë Kosova që s’njeh sulltan Plot difë e kapedanë. Të sedrës e me shpirt krenar S’durojnë cen a dhunë Tregojnë gjoks në sulm e zjarr Si shkaba në furtunë. Kosova që bën sulm në zjarr Posi dragoj me fletë, Siç bënte sulm ngadhërimtar Gjergj Kastrioti vetë. /KultPlus.com
LASGUSH PORADECI, Vepra III, “Shqipja, ditar, korespondence”, përgatitur nga vajzat Kostandina dhe Marie Gusho.
“Kur Nafija mbylli sytë më 3 gusht 1983 në Pogradec, Lasgushi i rënë në gjunjë para saj, i mbushur me lot, pëshpëriste me zë të dridhur e me sy të humbur: “Më fal Nafija ime, më fal” dhe më pas i puthte ballin, faqet, buzët, duart, trupin, çdo gjë. Ne e dinim, e ndjenim në qenien tonë, që ajo e kishte falur, e tani e priste atje lart duke e dashur si gjithmonë. Kjo pamje ishte aq e dhimbshme sa e pabesueshme për një njeri si ai që kish jetuar tërë jetën me kokën lart, pa iu përkulur kërkujt, madje as regjimit.
Lotët tona bashkoheshin me lotët e tij, dhimbja jonë bashkohej me dhimbjen e tij duke krijuar kështu një lumë dhimbjesh për atë njeri engjëll. Kur arkivoli ish vendosur në buzë të varrit, pas ceremonive të rastit nga seksioni i arsimit të rrethit Pogradec, ai u përkul, puthi arkivolin e bëri kryqin mbi të. Në drekën mortore, ne vajzat i thamë: “Baba, si e bëre kryqin mbi arkivolin e mamit, feja është e ndaluar? E ai i humbur në pikëllimin e tij u përgjigj: “Më lini! Unë sot kam dhimbje, politika në dhimbje është falsitet!”.
Edhe në këtë ndarje të përkohshme fizike, babai në heshtje apo në mërmëritje të thella shpirtërore, në meditime të gjata, e kishte me vete Nafijen, fliste, bisedonte e kërkonte e thoshte: “Ishte aq e mirë, nuk ma prishi kurrë!”. E kështu kaluan katër vjet deri sa i shkoi pranë më 12 nëntor 1987 për të mos u ndarë më kurrë./ KultPlus.com
Pse shkruaj, pse parapëlqej të shkruaj vargje dhe jo prozë? Kur them vargje, kuptoj që duhet të jenë të përsosur nga arti. Vetëm këto të përsosurit rrojnë (dhe mezi dhe këto). Të papërsosurit vdesin. Sepse gjuha ndryshon pas 500 vjet. Ajo më s’është siç ishte. Është ligji i saj fiziollogjik dhe shpirtëror (siç është zhvillimi i njeriut). Bibla e Lutherit p.sh. e shkrojtur para 500 vjetëve më s’do mundte të përdorej prej gjermanëve pa i-u bërë përpunime gjuhe. Gjithashtu dhe përkëthimet e “përsosura” mjaftojnë për një kohë të gjatë, po dhe kjo kohë e gjatë një herë mbaron. Vetëm që kur përkëthimi ose një vepër origjinale janë të mira, kanë mundësi të qëndrojnë më gjatë. Pse? Sepse dyke qënë të përsosura, të derdhura si në mermer, pas mbarimit të kohës sa qëndron gjuha e tyre (p.sh. 500 vjet), ato mund të ripunohen në themel të formës, të derdhjes së tyre të parë, pa çformuar derdhjen e parë. Poezija ka mundësi të qëndrojë më shumë se sa proza, sepse poezija ka një formë më skulpturale një derdhje më të pandryshuar.
Përsa i përket toskërishtes, kjo siç duket, një herë mund të mënjanohet prej gjuhës së “mesme” (e cila e mesme, s’është veçse një gegërishte e zbutur -, e zbutur nga influencimi armonios i toskërishtes -).
Gegërishtja ka energji fizike, toskërishtja ëmbëlsi shpirtërore. Dyke bashkuar gegërishten me toskërishten, gegërishtja gjith duke mos humbur forcën, energjinë, fiton dhe harmoní, ëmbëlsí (si gjuhë e “mesme” me karakter geg). Lufton pra forca fizike me harmoninë shpirtërore, trupi me shpirtin. Forca si një gjë brutale, do të fitojë (lëndërisht) përmi shpirtin, do të mbetet (mbase) gjuha e “mesme” gege, sepse gjithnjë forca fiton përmi shpirtin. Ky fitim është lëndor. Lëndërisht do kemi si gjuhë gegërishten (e “mesme”). Po një gegërishte të shpirtëzuar me infuencën e toskërishtes. Shpirtërisht toskërishtja nuk humb, shpirti do duket në ëmbëlsinë, harmoninë, bukurinë e gegërishtes se “mesme”.
Sa më e fortë, më e fuqishme, më e shumanëshme të jetë toskërishtja në harmoninë e saj, aq më shumë do të ndjehet fryma e saj mirëbërëse në gegërishten (e “mesme”).
Edhe unë mundohem, me fuqitë e mija, t’ja nxjerr në shesh toskërishtes potencialitetin e saj shpirtëror, bekimin e harmonive të saj, dyke bërë vargje të përsosur në harmoni. Harmoni nuk është formë (forma e përsosur s’është kurrë art, mund të jetë zejtari, po jo art).
Harmonija ime është manifestim (me anë të vargut), i vetë jetës dhe i vetë botës shqiptare, së kristalizuar në forma të dukura shpirtërore, të cilat janë simbole të jetës dhe të botës. Prandaj rima ime identifikohet me fondin, prandaj formë e fond janë një: janë realiteti shpirtëror i çfaqur identikërisht me anën e poezisë. Prandaj rima ime nuk kuptohet kurrë që është rimë, po tretet në simbolin e jetës, të cilin ajo e shpreh me atë simbol të përsosur. Ky është arti im, një art shqiptar. Kur them rimë, e bashkuar me fondin, nuk kuptoj vetëm rimën, po dhe ritmin dhe masën me stilin e jetës, të jetës shqiptare. Është jeta shqiptare, morali ethik shqiptar që çfaqet me atë simbol poetik, sepse vetëm gjuha shqipe (e derdhur në poezi) me tingujt frymorë dhe lëndorë të saj ka mundësi të shprehë harmoninë specifike së poezisë s’ime. Sa më e përsosur është një poezi, ajo është (njëkohësisht) dhe aq më e fuqishme, d.m.th. aq më shumë përmban potencialin e moralit frymor shqiptar.
Që dua të dali poezija ime (e cila është “harmonija” ime në kuptimin e rrëfyer më sipër) sa më potenciale, kjo nuk shkaktohet prej volles t’ime individore, po prej vetë potencialit të jetës dhe botës, i cili me vitalitetin e tij të plotë e shtyn vetveten që t’a çfaqi, t’a shprehi më plotërisht. Shprehjen ky vitalitet e di (nga vetë natura e tij) e dó të jetë njëjt me potencialin e vet të tij. Nuk ka potencial më të madh ose më të vogël në poezinë e përsosur, po ka vetëm potencial të plotë, d.m.th. vetëm gradën supreme të potencialitetit vital të jetës së racës. Jeta (p.sh. në manifestimin e saj si “dashuri”) ka vetëm një potencial, d.m.th. ajo është e përsosur, d.m.th. e fortë absolutisht. Prandaj dhe poezija duhet të shprehi jetën – me simbolin poetik – në maksimumin e saj, në potencialin absolut të saj. Atëhere poezija është e përsosur, perfekte. Kur s’është e përsosur: kur s’ka fuqinë supreme, poezija nuk se ësht’e metë, po s’i përshtatet, s’i përputhet potencialit moral të jetës, pra s’është poezi, nuk përfaqëson vitalitetin integral të jetës dhe të botës, potencialin absolut.
Nuk ka pra poezi të madhe ose të vogël, të mirë ose të keqe, por vetëm poezi që i përshtatet plotësisht potencialit jetësor dhe poezi që s’i përshtatet. Poezija që i përshtatet, është POEZIJA, ajo që s’i përshtatet NUK është poezi dhe pra duhet të vdesë, të mos rrojë – sikundër dhe s’rron po humbet.
Pse duhet të jetë poezija e fortë, potenciale, e përsosur? Sepse vetëm dyke qënë potenciale, ka fuqinë me vete që të transmetohet më tej, që të transformojë potencialitetin e jetës dhe racës më tej në të ardhmen njerëzore…
Transmetimi moral i jetës (me anë të simboleve poetike) lot një rol aktiv dhe jo absolut. Vërtet, se gjithë poezija sado e fortë, humbet, (edhe përkëthimi i bukur i Shakespeare-it prej Schlyel Tieck, ose përkëthimi i Biblës prej Lutherit) nuk rron përjetë, sado i përsosur që të jetë. Sepse gjuha ndryshon me kalimin e kohës, dhe gjuha si dhe stili i çdo përkëthimi duhet ndrequr, siç ngjet me gjermanishten e Biblës së Lutherit që sot e 500 vjet përpara. /KultPlus.com
Artikull i pabotuar, një përgjigje për Krist Malokin
Ç’është arti?
Përsëri pyetje për artin. Për artin, reth artit, përreth artit, mi artin, përmi artin… Sikur të ish vetëm një pyetje, një bisedim, diskutim, disputim, – mirë. Mirë sikur të ish vetëm kështu. Njeriu në pështjellimin që i trondit kraharorin ka të drejtë, ka detyrë të marë nënë kqyrje çdo gjë: édhe Zotin; më shumë artin që është vetëm një pjesë e Zotit. Po kur shqyrton Zotin; aq më shumë artin (në krye me “eruditët” që janë të thatë nga Zoti dhe nga arti), kur e shqyrton nënë pamjen se ç’është dhe çfar është Zoti dhe arti dyke dhënë përgjigjen ay që është i pa-Zot dhe i pa-art, do të thotë kulm i kuximit që në çështjen t’onë artistike t’i themi fund, fundësirë kuximi dhe gjykimi.
Jo pas kriterit “ç’është”, “çfar është”, mund të vështrohet ky problem i hirshëm po i vështirshëm i jetës dhe i gëzimit njerëzor të jetës. Prej tri mijë vjetesh mundohen “eruditët”, prej Aristotelit gjer ne Croçja, që t’a përcaktojnë me vija diturake qënien e artit, ç’është arti, t’i japin një përkufizim idesë së artit. Definicionet e tyre tregojnë një zotësì të plotë prestidigjiatori. Ajo zotësì, vijon gjer më sot dhe do të vijojë mê tej. Pse? Sepse kurrë eruditët nuk do mundin të ngrihen, me “diturinë” e tyre gjer në kuptimin qoftë dhe të përafërm të artit. Përmi atë kuptim, përtej atij kuptimi jo dhe jo. Kjo është një çështje raporti logjik. Zoti është i math, njeriu është i vogël, le t’i-a risim mëndjen dhe të themi m’i vogël se Zoti: sí mund t’a kuptojë njeriu Zotin? Sí mund t’a kuptojë, t’a shpiegojë e vogla të madhen, ay m’i vogli atë mê të madhin? Prandaj Krishti tha: asnjerí s’e din si është Zoti, as Biri jo. Pra as biri i Zotit dhe biri i njeriut, Zoti-njerí, njeríu.
Ky, njeríu, është m’i “math” se gjëllesat e tjera, m’i math nga kuptimi dhe nga fuqitë e tjera shpirtërore sesa për shëmbëll një kapruall: sí mund t’a kuptojë kaprolli njerínë, i vogli mê të madhin? Kaprolli është m’i “math” se një mizë: sí t’a kuptojë miza kaprollin? Miza është m’e “madhe” se mikrobi: sí t’a kuptojë ky atë? Tashi artisti, si krijonjës i artit, është m’i “math” se eruditi që s’krijon art: sí do mund t’a kuptojë eruditi m’i vogël në art mê të madhin e artit që është vetë artisti? Prandaj në kohën e vjetër Aristoteli, ky estet vërrejts, vëzhgonjës dhe zbulonjës i artit, domethënë i artistit që është krijonjës i artit, bëri që në fillim të kritikës së artit një përjashtim. Ay u përjashtua, u vetëpërjashtua, nga pasonjësit e tërthortë – unë po i-u them këtu këta tërthortëtarë të rrugës së tij së drejtë në gjykimin artistik. Nuk desh ay të na thotë, nga vet’ e tij, ç’është arti, çfar është arti. Nuk desh nga vet’ e tij, të flasë “për” artin, “rreth” artit, “përreth” artit, “mi” artin, “përmi” artin. S’desh kështu as “për”… as “rreth”… as “përeth”…, as “mi”… dhe as “përmi”…
Këto, fjalët vetëvetore “përmi” art, kritikën-mësonjëse përmi art, “docenturën” e artit, ay desh si duket t’i-u-a lerë eruditëve dhe estetëve pasardhës të tij (në Shqipëri i-a la Malokit, veç që Branko Merxhani e tradhëtoj Malokin dyke zëvëndësuar titullin: “Sa pare bên Lasgush Poradeci” të dorëshkrimit të Malokit, titull i vënë sine ira…, me titullin: “A âsht poet Lasgush Poradeci” të pendës së Brankos, dhe këtë zëvëndësim – për hirin e një eufemizme së dyfishtë: për inversimin e kuptimit të të dy substantivëve të lokucionit antik sine ira est studio dyke dalë prej atij inversimi proverbi i ri shqiptar: Breshkat e moçalit, vranë drenë e malit.).
Aristoteli, kryemjeshtri i poetikës, që domethënë i artit të poetit, nuk desh pra të flasë mi art, së-jashtmi artit. Ay mendoj kështu: unë s’jam artist, s’jam poet; jam çdo gjë tjetër, i ditur, i mësuar, kërkimtar, erudit, filozof sipër së gjithash po artist jo; e ndjej unë artin po artist s’jam, nuk di ç’është arti, si bëhet arti, këtë gjë të pa ditur, këtë fshehtësirë mund t’a mësoj vetëm prej të-zot të punës, prej artistit. Ky ishte mendimi, gjykimi i përulur në çështje arti i një vigani të mendimit dhe të gjykimit të artit. Edhe kështu vëzhgimtari grek, mê i pari njëkohësisht më i madhi estet, vendosi të gjykojë artin së-brëndshmi artit prej brëndësirës së vetë artit, dyke lexuar dhe vërrejtur dhe dyke studiuar dhe gjetur dhe nxjerrë normat e artit nga gjiri i artistit që është vetë shkrimtari dhe poeti, nga njohja me themel dhe me dashuri, dyke thelluar dhe dashuruar fundërisht, veprën e shkruar të artistit.
Prej këtij thellimi ay nxorri një regull, një normë, për shëmbëll ligjin e famshëm të të tri njësíve dramaturgjike: vepërim, kohë, vënd. E muar atë ligj eruditët e pastaj më, që s’kanë mundur të gjykojnë gjer më sot mi vlerën artistike nga leximi direkt i veprës së artit, e përvetësuan fjalën e bërë gati prej tjetrit dyke britur (për pronjën e tjetrit): mea ecce lex! Prej moskuptimit dhe keqkuptimit, prej interpretimit të përjashtëm, ata e quajtën ligji gabimërisht “aristotelian”, si të dalë drejt nga koka e kritikut të famshëm, kurse ky ligj ishte shprehja e thjeshtë dhe e vetkuptimëshme e realitetit artistik të dramaturgjisë greke. Sikundër renegatët ashtu dhe prozelitët janë, prej naturës së punës, domethënë prej zellit të besimit i cili është një besim fals dyke mos qënë besimi spontan i tyre më fanatikë se sa besimtarët e vërtetë. Këta fanatikë ose diktatorë – sepse imitatorë, majmunëtorë – këta eruditër dhe estetër, (që në Shqipëri quhen me fjalën kritike-gjenerike “Malokër”) ardhë pra – ja ku po themi në Francë! Dhe urdhëruan, me faktotumin Boileau në krye të urdhërit: shpejt! në njëzetekatër orë të mbarojë gjithë drama, gjithë veprimi dramatik: “en un jour”!
Bënë dramaturgët frëngj ashtu, sepse e muar atë urdhër ashtu, dhe dyke e marrë ashtu, muar më qafë dramën frënge kryesore të një epoke të tërë – me Cornielle dhe Racine së bashku. Ardhi dhe Malokí në Shqipëri, i mbushur dhe i fryrë dhe i bubunjosur me ligje, formula, nene, paragrafe – paragrafe kritike, estetike dhe “kultur-historike” dhe, sa për tashi, dyke qënë tashi për tashi “i zânë me do punime akademike të rânda” (sa kuintal?), që lart prej docenturës katedër-ngushtë po “zemër-gjanë” (sinonim me katedër-ngushtë) pyeti, u përgjegj, urdhëroj:
Pyeti: “Sa pare bân Lasgush Poradeci?” U përgjegj: hiç pare… Urdhëroj: ti, Lasgush Poradeci, që, primo: s’je poet, Sekundo: që s’je poet kombëtar, Tertio: që s’bën “pare”, (Tertio-bis: që domethënë bën hiç pare)
Quarto: që të “kam shok” (aq “shok”, sa, në ato nëntë vjet që ishim në gjithatë qytet dhe në gjithatë universitet, s’kemi baritur bashkë kurrë – pardon: baritmë disa minuta kur ti me Hajro Xhungën, të cilin e ke tashi drejtor të Shkollës Teknike aty në Tiranë, më hastë mbudhë rastësisht dhe Hajrua më tha që t’ju rrëfej ndonjë rrobaqepës për të ndrequr pallton t’ënde: unë ju shpura te rrobaqepësi dhe pastaj u ndava prej jush sepse, si atëherë, kur s’kish shkruar édhe “Sa pare bân Lasgush Poradeci, si tashi që shkrojta “Sa pare bân Lasgush Poradeci”, kisha “do punë akademike të RÂNDA” (prapë një kuintal);
Quinto: dhe që të kam shok (aq shok sa kur u sëmure rëndë dhe gjith studentët shqiptarë të Graz-it të vizituan, të vizitonin përhera, dhe të ndihmuan dhe të dinin ku je; në shtëpi i sëmurë, a në spital i sëmurë, a në Sanator i sëmurë – në atë Sanator ku të shpuri me tren shoku yt Anton Kamsi sepse s’mundje të udhëtoje vetë -, aq shok sa, në të gjith atë kohë aq të gjatë që ndenje në Graz, dhe në gjith atë kohë aq të gjatë prej shtatë vjetësh që ishe i sëmurë në Graz unë nuk të vizitova kurrë sepse kurrë s’të ardha në shtëpi ndonjëherë, siç të vinte p.sh. Eqrem Çabeu gjithnjë. / KultPlus.com
Tiranë 5/5/80: Më ardhi në shtëpi Muzafer Xhaxhi-u, tha se më kërkon në klubin e Lidhjes Prof. Hasan Mekuli, i ardhur prej Kosove. I thashë s’mund të vete se më prishet syri (i operuar) nga e ftohta, le të urdhërojë në shtëpi. Tha: “nuk vijnë në shtëpi” (më dha të kuptoj se nuk lejohen në shtëpi). Tha Xhaxhiu se: “H. Mekuli ju ka sjellë prej Kosove dhe një send…; të vijë prof Mekuli me kosovarët këtu afër shtëpisë Tuaj në ish-hotelin e kinezëve, ja ku është hoteli 100 hapa afër”. Unë; “Afër, pò, po e sheh si filloj era e fortë? mua prej erës së ftohtë më prishet syri sipas urdhrit të doktorëve. Tashi është ftohtë, po bëhet mbrëmje. Po le të vijnë këtu në hotel nesër, si nga ora 11-12 kur do të jetë dita e ngrohur prej djellit, në pastë djellë. Sidoqoftë, ata (kosovarët) le të vijnë, unë do të vi”. Xhaxhiu: “ata nesër në mëngjes shkojnë në Kosovë, i lajmëruan të shkojnë, se vdiq Titua”. Pra, s’u takova dot me Kosovën vullkaneshë. Pse? Sepse “nuk lejohet takim privat”. në Vëndin TIM (Shqipëri), të mos takohem me Vëndin TIM (Kosovë). Pastaj “privat” jam unë – unë Lasgushi i Kombit? Sà më dhemb! dhe sa më dëshpëron! / KultPlus.com
Tiranë, e Djelë 2 Korrik 1939: Ora 8.5’, mëngjes u nisa për Durrës, ora 9.30’ vajta ne Nafija. Pas drekës ora 2 u shtriva në shtrat (larg dritares), Nafija më ndjenji mbanë shtratit, pastaj ra në shtrat me mua (më të djathtën t’ime) dhe u pushtuam ashtu një hof: unë ia hodha krahun nënë qafë, ajo e futi kokën në gjirin t’im; kur u sgjuam e mora nër kraha, ia skuqa faqkat së puthuri dhe lëpiri gushën, sytë me 100 përkëdhelje. Më 6-8 baritmë anës detit përkrah.
Në shtrat më lëçiti 3 vjersha të saj, pas darkës fjeti në shtratin t’im, u sgjuam më 11 para mesnatës, biseduam pak, pastaj fjetmë. Më 6 korrik, E Enten, më 7.30’ të mëngjesit ardhi Nafija në dhomën t’ime. Më shkrojti: “shpirtin t’ënd” = “Nafijen”, “shpirti im” = “Lasgushi”. Më 3 u nismë, më 4.10’ harimë në Durrës. Më 5,40’ filluam, më 6.10’ mbaruam celebrimin e martesës në Bashki. Kur u kthyem në shtëpi të Nafijes i vura në gisht unaskën me brilant prej floriri të bardhë. Natën 6 dyke u gëdhirë më 7 Nafija m’a futi dorën në gji. I vura byzylykun prej ari. Desha t’i-a fut edhe unë dorën, nuk më la, u zemërova. passi shkoj të flerë, ardhi 5 herë në dhomën t’ime që të më pajtojë, më në fund ardhi fjetmë bashkë, më 3 pas mesnate më tha se kish turp prandaj s’ma la dorën. Fjetmë pa bashkim trupor.
Më 7 Korrik, të Premten, ora 1.30’-4.30’, u shtrimë në shtrat bashkë, pa bashkim trupor. E zhveshi gjirin me turp të math. Gjiri i saj një parajsë vajzërore, mezi ka zënë të fryhet, cickat s’kanë maja. U përkëdhelëm me 1000 mënyra: “Puthmë dhe këtu” theshte, “edhe këtu”; “bëmë një vurratë këtu (në llërën lart) dhe këtu, edhe një, edhe një. Ora 5.30. qau, qava. Më 7 Korrik, ora 8.30’ baritmë, ndenjmë në lulishte. Më 6 Korrik ora 6.30-9.30 ndenjmë në lulishte.
Më 7 Korrik natën dyke u gdhirë më 8 fjetmë bashkë, me bashkim trupor, pa bashkim virgjëror. Nafija përkëdheleshe shumë, çuditesha për të gjitha, s’dinte, e mora prej shtratit në divan, vura llambën, në këtë natë sbathi me turp të math dhe breçkat: trupi i saj një bukuri për t’u çmëndur, i bie erë shumë të mirë, u puthmë, gojë e trup me 1000 mënyra. Më tre pas mesnate, u sgjuam dhe u përkëdhelëm (të zhveshur) me 1000 mënyra. Më ora 6 fjetmë pak të lodhur.” Filozofia.Al / KultPlus.com
Pas vitit 1944 Lasgushi pothuajse nuk shkroi asgjë të rëndësishme me përjashtim të “Kamadevës” e cila për mua është e dyshimtë të jetë shkruar pas 44-ës. Në rast se po, përse nuk e botoi por pa dritën e botimit aq vonë? Po të ketë ndodhur kështu është dhe më domethënëse: poeti s’ ka dashur t’i japë asaj kohe një poeme aq të bukur ose ka pasur frikë ta botojë.
Të vetmet vargje që ka shkruar Lasgushi në atë kohë janë një tallje dhe ironi e hapur. Kështu e doni poezinë ju? Ua jap unë: Republika Popullore/ mori Shqipërinë për dore/ dhe e çoi në fitore. Është proverbiale pyetja që i drejton Lasgushi Kadaresë duke pirë kafe në Turizmin e Pogradecit: në ç’sistem jetojmë z.Ismail?
Karantina e Lasgushit ishte aq e thellë sa atë pothuajse për vite te tëra nuk e kishte parë kush. Në vitin 1986 Aurel Plasari me gazetarë të Dritës shkoi ta intervistonte pas kaq vitesh tek shtëpia në Tiranë sepse ai gjysmën e vitit e jetonte në Tiranë, gjysmën në Pogradec. Pasi i la rreth gjysmë ore të prisnin se çelsin e kishte e shoqja dhe kishte shkuar në pazar, (e shoqja kishte nja njëzet vjet që kishte vdekur) porta më në fund u hap dhe filluan pyetjet.
Pergjigjet ishin të gjitha njëlloj. Kush është poeti më i madh i shqipes. Po këtë e dinë të gjithë. Po kush? Po këtë e di dhe Çuçi, qeni im. Po kush? Lasgushi bre. Po pas tij? Rituali fillonte nga e para. E dinin te gjithë, e dinte dhe qeni i tij se nuk kishte tjetër. Po i njëjti format edhe për përkthyesin. E dinte dhe Çuçi që Lasgushi ishte më i miri dhe pas tij nuk kishte tjetër.
Pak kohë para vdekjes në Lidhjen e Shkrimtarëve u vendos të festohej pervjetori i Lasgushit për herë të parë. Interesim i jashtzakonshëm deri në oborr. Në orën 10 ai që mungonte ishte Lasgushi. Pas rreth dy orësh më në fund e gjejnë. Lasgushi hyri, me kostum të zi, me barsolinë, mbështetur mbi bastun, i zbehtë sikur sapo ishte ngritur nga varri (hollësisht e përshkruaj tek libri im “Jeta që na dhanë). Gjatë gjithë kohës që flitej për të ai shikonte vetëm tavanin.
Në fund kur i thanë se sipas zakonit të athershëm duhej të falenderonte Partinë dhe organizatorët, ai goditi me bastun dyshemenë dhe tha vetem dy-tre fjalë: dëgjoni këtu, poeti është Zot, është mbi gjithçka. Kjo ishte hera e parë dhe e fundit që e pamë Lasgushin. Pas vitit 1944 ai refuzoi të shkruante dhe te jetonte siç ia kerkonin të tjerët. Prandaj u mbyll, ose më saktë e detyruan të mbyllet në një karantinë që vazhdoi gati gjysmë shekulli. / KultPlus.com
Letërsia shqipe krijoi një poet me afinitet të jashtëzakonshëm krijues, i cili lirisht mund të futet në mesin e poetëve të mëdhenj evropianë.
Ky është Lasgush Poradeci, i lindur me emrin Llazar Gusho më 27 dhjetor të vitit 1899.
Lasgushi është autori i dy vëllimeve poetike “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”, të cilat i botoi në Bukuresht të Rumanisë.
Përveçse si poet ai njihet edhe si përkthyes i afirmuar, që solli në shqip lirikat e poetëve të mëdhenj si Gëte, Lermontov, Bllok, Hajne, “Eugjen Onjeginin” e Pushkinit e të tjerë.
Lasgush Poradeci është autor i më shumë se 100 poezive, një pjesë e mirë e të cilave janë poezi dashurie. Ai mbeti gjithmonë adhurues i fjalëve arkaike, shprehje filozofike popullore, e po ashtu ishte ithtar i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore.
Sot, vajza e tij Marie Poradeci ka kujtuar një thënie të Lasgushit e të cilit KultPlus e sjell për lexuesit.
“Foshnjat deri në moshën tre vjeç janë engjëj, pastaj ju hyn shejtani dhe bëhen njerëz”.
Lasgush Poradeci pas vete ka lënë shumë dorëshkrime, thënie, që publikohen herë pas herë nga studiuesit, por edhe nga ata që e kanë njohur nga afër këtë shkrimtar të madh. / KultPlus.com
Sot shënohet 103 vjetori i lindjes së disidentes shqiptare, Musine Kokalari. Ndërsa në anën tjetër Lasgush Poradeci mbetet njëri nga poetët më të shquar shqiptarë, shkruan KultPlus.
Në vijim mund të lexoni letrat që këta dy shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë shqipe shkëmbyen mes vete.
‘Zonjushës Musine Kokalari Via Garfagnano 8 int 12 Romë
Tiranë, më 24 Korrik 1940
Fort e ndritur dhe e dashur zonjushë,
Përgjigja Juaj më gëzoj shumë, ardhi shpejt siç e dëshironja dhe e kisha mendimin. Sapo e mora vajta në Durrës ta pyes Nafijen, ajo sgjodhi anglishten dhe më tha t’Ju shkruaj dhe të falat e saj. Mirë kini vënë istori në vend të latinishtes, për degën e pedagogjisë, edhe lëndët e tjera mirë janë vënë. Kështu Ju lutem të m’i dërgoni librat dhe dispensat, vetëm që nuk e di në Ju mjaftojnë të hollat, mua më thanë 20 fr, unë i bëra 25. Mos harroni të më shënoni mungesën.
Kur Ju shkrojta letrën e parë disa veta në kopshtin e Kursal-it, nuk Ju pranonin, i kundërshtova siç mendoja vetë, i-u bëri përshtypje kur muar vesh se ato mendime po botohen. Dje ishim në një mbledhje letrare edhe me ministrin e arësimit, Ernest Koliqi. Ra fjala për Juve, Koliqi foli mire, e dëgjuan dhe disa nga ata “mospranonjësit”. Një koleg i tha për recenzimin tim, Koliqit i ardhi mirë.
Pranoni të falat dhe mirënjohjet e mija nga zemra.
Juaji Lasgush
Romë, 30 korrik 1940.
I ndershmi Zoti Lasgush,
Pas letrës së fundit që mora këto ditë dhe në bazë të degës së zgjedhur Nafijes i bleva librat dhe dispensat e duhura.
Të shtunën në mëngjes libra shitësi postoi paketën. Duke marë parasysh se Tirana është e vogël dhe njihen njerëzit jam e qetë se pakua do të vijë edhe duke pasur adresën e shtëpisë gabim. Në vënd të 34 vuri 54. Ishte vonë kur e mora vesh. Sidoqoftë më lajmëroni marjen, mbasi dua të dal nga meraku.
Ju falem nderit shumë për mendimet e mira dhe për përkrahjen që tregoni për mua. Në çdo gjë sundon pjesa e mirë dhe e keqe. Një gjë e tillë ndodh edhe në mendime. Si thoni dhe vetë janë disa që më pranojnë dhe disa jo. Gjith se kush ka arësyet e veta sipas mënyrës që shikon shkrimet. Kjo gjë më gëzon shumë sepse mendimet e kundërta hapin udhën e kritikës që ka një vlerë të madhe. Në Shqipëri siç e dini dhe vetë rallë mund të gjejmë një kritikë, e cila të jetë analitike edhe pa paramendim. Zakonisht për të mos prishur qejfin e njerit e tjetrit, çdo gjë që botohet kritikohet jo në bazë të veprës, po të personit që shkruan duke i shtuar një barë lavdime.
Letërsisë s’onë që sot po bje poshtë ose po humbet dal-nga-dal i mungon kritika letrare, nga shkaku se nuk ka patur as rymë as kundërshtim mendimesh.
Njerëzit që nuk më pranojnë i çmoj po aq sa ata që më pranojnë. Të dy palët më bëjnë një të mirë, se me përpjekjet e tyre do të kuptoj kur shkruaj mirë dhe çfarë më mungon, duke pasur parasysh që çdo vepër ka pjesën negative që i jep vlerë asaj positives. Më lejoni të mbaroj me kaq. Nafijes shumë të fala. Me respekt Musine Kokalari
(Marrë nga profili i Marie Lasgush Poradeci) / KultPlus.com
Në periudhën e punimit të doktoraturës, Lasgush Poradeci u përball me një problem ekonomik pasi iu hoq edhe bursa që merrte nga ministri i atëhershëm i Arsimit.
Një prej intelektualëve të njohur elbasanas në këtë situatë mendoi t’i kërkonte ndihmë Lef Nosit që ky i fundit të ndërhyjë që t’i rikthehet bursa vjershëtorit tonë që po punon për një komb, shkruan Konica.al
“Fort i dashuni Zoti Lef! Më vjen mirë se sot po gjej rastin t’ju vë një barrë sa do e randë por aq dhe e ambël për t’i shërbye një djal letrar fort të çmueshëm. Asht fjala për Llasgush Poradecin. Juve që dini sa vleftë ka për Shqipninë t’onë të mjerë një mjeshtër si Llazgushi sigurisht që do më epni të drejtë pse ju drejtohem juve.
Natyrisht Juve që për veten t’uaj mbani një modestië me gjith që të gjithë ju çmojnë juve përkit detyrë(!!) të ndërmjetësoni atje ku lypset për përmirësimin të jetesës të një Llazgushi. Mjerisht, fort i dashuni Zoti Lef, këtu tek neve ku shpenzohet mijëra napolona kot vetëm për të përmbushë një egoizëm të poshtër dhe një ambicie të turpshme nuk gjenden disa pak të holla për përmbajtjen me shpirt ndër dhëmbë një vjershëtor? Këtu tek neve ku gjenden me duzina Prefektë, Ndërprefektë, oficera gjith lloj armësh në disposition nuk u gjendka një burim jetese për Llazgushin tonë?
Me anë tjetër njerëzit nuk maten me një kutë. Ka njerëz që janë për dobië të përgjithshme dhe atyre nuk aplikohet ligja integral por bëhet si kur nuk shifet në qoftë se u bë nonjë faj. Ministri i ynë i Arsimit ka gabue mbesoj, tyke i tërhekë bursën Llazgushit. Mbasi Llazgushi i jonë nuk po punon për veten e tij, por për një komb, kombi i tonë ka detyrë t’a përmaj gjall në mos me mish e pilaf ntombaren me bukë e me djath. Zoti Lef jam i sigurtë se fjala juaj ka të shkue shumë dhe më fort në Hili (Hil Mosi- shënim i imi) prandaj guxoj t’ju lutem t’i shkruani Hilit ose më mirë të vini vetënë Tiranë për të siguruë bursën e Llazgushit. Llazgushi, ashtë tepërt t’ju a thom, meriton çdo sakrificë.
Ministria e Arsimit pretendon se bursa t’i jepet Llazgushit po qe se niset për Austrië. Zoti Lef lutem që të dihet Llazgushi në qoftë se rri këtu nuk rri për çështje tjetër veçse ka nevojë për erë të pastër dhe veçanërisht këtu nuk rrij pa punë: Llazgushi këtu po pregatit tezën për doktorat e cila asht ja 600 faqesh dhe po sa të maroj së shkruari domosdo do të shkoj që ta paraqisi tezën në Universitet për aprovim dhe për shtypie. Kjo asht e vërteta. Llazgushi s’ka seç kërkon sot në Austrie.
M’a falni Zoti Lef që ju drejtohem juve por juve jeni në shkallë që t’më kuptoni ma mir se çdo njeri tjetër. Për çështjen e Llazgushit mbesoj sigurisht se do të gjini përkrahjen dhe të Z.Mit-hat Frashëri. Juaj me nderime Filip Papjani 10.X.1930 Pogradec Foto : Letra origjinale, Dr. Filip Papajani, Lef Nosi…” /KultPlus.com
Lasgush Poradeci, i cili shkroi vargje që depërtuan aq thellë në shqiptrin e shqiptarëve saqë ata vendosën, pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, që një qytet të tërë ta quajnë: “Pogradeci i Lasgushit”
Lasgush Poradeci e pati kulmin e krijimtarisë në mesin e viteve ‘30, të shekullit të shkuar, duke firmosur poezi nga ato që shkruhen vetëm njëherë.
Poezitë e tij “Vdekja e Nositit”, “Poradeci” apo “Trashëgimi” e ndonjë tjetër, për nga vlerat e mesazhi, i kapërcejnë lehtësisht kufijtë e Shqipërisë duke u renditur në nivele dinjitoze të letërsisë më të mirë Europiane apo qoftë Botërore.
Por Lasgush Poradeci shkroi poezi deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore dhe më tej u tërhoq. Ndryshimi i sistemit politik në Shqipëri kishte sjellë një klimë krejtësisht të papërshtatshme për poetin e madh.
Lasgush Poradeci, edhe pse shumëkush, nisur nga gjimnazistët që studjonin poezinë e tij, e dinin të vdekur, jetoi deri në vitin 1987, duke u përballur me jetën e vështirë dhe sidomos me çuditë e letërsisë së realizimit socialist, të cilat nuk linte asnjë rast pa i qesëndisur.
Por në jetën e tij kishte edhe një tjetër anë të medaljes.
Lasgush Poradeci, thellë në qënien e vet jetonte me një frikë e ankth i pazakontë.
Duke e lëvizur veten në drejtim të kundërt të rrymës, duke fshikulluar lart e poshtë çuditë e regjimit komunist, duke parë se si të njohur e miq përfundonin burgjeve nën akuzën e agjitacion – propagandës, duket edhe atë kishte nisur ta mundonte frika, një situatë së cilës ai i ishte përgjigjur me një zgjidhje eventuale dramatike.
Vaso Samsuri, një nga miqtë e tij të ngushtë rrëfen sesi poeti i madh mbante me vete një pilulë cianuri që ta përdorte për çdo rast për të helmuar veten, nëse policia politike e kohës do e arrestonte… /abc/ KultPlus.com
Në 32-vjetorin e largimit nga jeta të Lasgush Poradecit, bashkia e Pogradecit përkujtoi sot emrin dhe veprën e tij.
Zevendëskryetarja e bashkisë së Pogradecit, Entela Gusho, së bashku me stafin e Qendrës së Artit dhe Kulturës “Lasgush Poradeci” zhvilluan homazhe në nder të gjeniut të letrave shqipe.
Ata u ndalën fillimisht pranë vendit ku shpirti i tij prehet dhe më pas tek shtatorja në qendër të qytetit.
“Mirënjohje për veprën e tij dhe gjithçka çfarë ka lënë pas për ne dhe brezat që do të vijnë”, tha Gusho.
Poeti, shkrimtari e përkthyesi Llazar Gusho, i njohur me pseudonimin Lasgush Poradeci, lindi në datën 27 dhjetor 1899 dhe ndërroi jetë më 12 nëntor 1987 në Tiranë.
Vargjet e tij do të pasojnë kohët me krenari të përjetshme për pogradecarët dhe mbarë shqiptarët. Ai ishte shkrimtar, poet dhe përkthyes, i cili nuk bëri kurrë kompromise me artin e tij, duke i kushtuar kjo një gjendje jo të mirë ekonomike dhe indiferentizëm nga shtypi zyrtar i kohës.
Por, pas vdekjes së poetit dhe ndërrimit të sistemit, vargu Lasgushian është dhe vijon të jetë ushqim për brezat.
Poradeci është autor i dy vëllimeve me poezi “Vallja e yjeve” më 1933 dhe “Ylli i zemrës” më 1937, botuar në kryeqytetin rumun. Autor i më se 100 poezish, një pjesë prej të cilave edhe poezi dashurie. Pëlqyes i fjalëve arkaike, shprehive popullore po aq sa i fjalëve të reja dhe eksperimenteve leksikore për një amë të re. Kuteli që i redaktoi “Yllin e zemrës” e quajti “Poeti i vetëm shqiptar që mendoi, foli dhe shkruajti vetëm në gjuhën shqipe”. /atsh / KultPlus.com
Tiranë, e Djelë 2 Korrik 1939: Ora 8.5’, mëngjes u nisa për Durrës, ora 9.30’ vajta ne Nafija. Pas drekës ora 2 u shtriva në shtrat (larg dritares), Nafija më ndjenji mbanë shtratit, pastaj ra në shtrat me mua (më të djathtën t’ime) dhe u pushtuam ashtu një hof: unë i-a hodha krahun nënë qafë, ajo e futi kokën në gjirin t’im; kur u sgjuam e mora nër kraha, i-a skuqa faqkat së puthuri dhe lëpiri gushën, sytë me 100 përkëdhelje. Më 6-8 baritmë anës detit përkrah.
Në shtrat më lëçiti 3 vjersha të saj, pas darkës fjeti në shtratin t’im, u sgjuam më 11 para mesnatës, biseduam pak, pastaj fjetmë. Më 6 korrik, E Enten, më 7.30’ të mëngjesit ardhi Nafija në dhomën t’ime. Më shkrojti: “shpirtin t’ënd” = “Nafijen”, “shpirti im” = “Lasgushi”. Më 3 u nismë, më 4.10’ harimë në Durrës. Më 5,40’ filluam, më 6.10’ mbaruam celebrimin e martesës në Bashki. Kur u kthyem në shtëpi të Nafijes i vura në gisht unaskën me brilant prej floriri të bardhë. Natën 6 dyke u gëdhirë më 7 Nafija m’a futi dorën në gji.
I vura byzylykun prej ari. Desha t’i-a fut edhe unë dorën, nuk më la, u zemërova. passi shkoj të flerë, ardhi 5 herë në dhomën t’ime që të më pajtojë, më në fund ardhi fjetmë bashkë, më 3 pas mesnate më tha se kish turp prandaj s’ma la dorën. Fjetmë pa bashkim trupor.
Më 7 Korrik, të Premten, ora 1.30’-4.30’, u shtrimë në shtrat bashkë, pa bashkim trupor. E zhveshi gjirin me turp të math. Gjiri i saj një parajsë vajzërore, mezi ka zënë të fryhet, cickat s’kanë maja. U përkëdhelëm me 1000 mënyra: “Puthmë dhe këtu” theshte, “edhe këtu”; “bëmë një vurratë këtu (në llërën lart) dhe këtu, edhe një, edhe një. Ora 5.30. qau, qava. Më 7 Korrik, ora 8.30’ baritmë, ndenjmë në lulishte. Më 6 Korrik ora 6.30-9.30 ndenjmë në lulishte.
Më 7 Korrik natën dyke u gdhirë më 8 fjetmë bashkë, me bashkim trupor, pa bashkim virgjëror. Nafija përkëdheleshe shumë, çuditesha për të gjitha, s’dinte, e mora prej shtratit në divan, vura llambën, në këtë natë sbathi me turp të math dhe breçkat: trupi i saj një bukuri për t’u çmëndur, i bie erë shumë të mirë, u puthmë, gojë e trup me 1000 mënyra. Më tre pas mesnate, u sgjuam dhe u përkëdhelëm (të zhveshur) me 1000 mënyra. Më ora 6 fjetmë pak të lodhur.” Filozofia.Al / KultPlus.com
Letër e Lasgush Poradecit për Dhimitër Paskon – Mitrush Kutelin (Graz, 22 shkurt 1930)
“Sot më zotëron shpirtin letra jote e dytë. Në atë letër ti më lajmëron, i dashur Dhimitraq, se ke në mënt të vish kësaj vere në Poradec: Pra zemra ime u shërua. Pas dhjetë vjetësh humbje, do kem gazin e bukur të të shoh prapë, të shihemi prapë…
I shtrentë Dhimitraq, mirë, shumë mirë do bësh, do këputnja një copë qiell, do sbrisnja disa yj të ndritur e të lehtë mi baltën që na rëndon kaq brutalërisht në shpirt, sikur ta vinje në vepërim atë mëndje, atë qëllim aq të shenjtëruar…
Eja, pra, dhe mos u vono aspak! Llazari të pret me krahët hapur. Kur të piqemi, kur të të puth në ballë, jo vetëm njerëzia do çuditen, jo vetëm gurët do dridhen, po dhe Zoti vetë më të madh të Tija, do t’a bëjë buzën në gas… Do t’a bëjë buzën në gas, sepse me pjekjen t’onë do ndjejë dhe Ay, një Tepër-Lumtëri, me gjith që vetëm për një moment, se Drita që Ay pati ndezur për ndritjen, shpëtimin, lumtërimin e së KEQES njerëzí nuk e ka shterur mburimin fare…
Eja pra i dhemshur shok sa më shpejt Atje ku e ka urdhëruar Zoti që të piqemi bashkë. Eja t’a vrasim DJALLIN e Shqipërisë, e shqipëtarëve. Do më gjesh atje, që në ditën e parë, buzë liqerit t’onë të adhuruar. Do më gjesh, ashtu siç e di, ashtu sikundër të isha vetja jote vetë: shpirt i vetëm i etuar për Dritë dhe përparim, dyke patur rreth e përqark skëterrën, prapanikërinë, trurin e çuknavitur të një vëndi, të një populli të mjerë po të dashur, i cili po bën MËKATËN, sepse NUK DI Ç’BËN… Eja t’i themi atë që kemi për t’i thënë…”
(Lasgush Poradeci, Vepra IV. Korrespondencë Lasgush Poradeci – Mitrush Kuteli. Përgatitur për shtyp nga vajzat e Poetit, Kostandina Gusho dhe Maria Gusho. Shtëpia Botuese albPAPER, Tiranë, 2010, f. 27-28/ Letër e përzgjedhur nga Prof. K. Jorgo) Filozofia.Al / KultPlus.com
Fondi i Lasgush Poradecit është restauruar edhe përpunuar. Vajza e poetit shprehet entuziaste për këtë arritje edhe rrëfen se shumë shpejt boton edhe ditarin e të atit.
Puna për restaurimin edhe përpunimin e fondit të Lasgush Poradeci, të cilin familja ia ka dhuruar drejtorisë së Arkivave të Përgjithshme, ka përfunduar, transmeton KultPlus.
Fondi i dhuruar nga vajzat e tij, Marie edhe Kostandina Poradeci përbëhet nga 369 njësi ruajte, që kategorizohen në nëntë dosje edhe në rubrika të ndryshme, si veprimtari krijuese, materiale të familjes, letërkëmbime me figura të njohura kombëtare, si Skënder Luarasin, Odhise Paskalin, Eqrem Çabejn e shumë personalitete të tjerë të kohës.
Vajza e poetit, Marie Lasgush Poradeci, shprehet entuziaste për iniciativën e ndërmarrë para një viti, për t’i dorëzuar arkivit të gjitha materialet e të atit në arkiv.
“Jam shumë e lumtur, sepse ky ishte një amanet i babait tim. E mira e këtij arkivi është se gjithçka është në dorëshkrim, sepse im atë nuk përdorte makinë shkrimi. Edhe kjo ka të mirat e veta për studiuesit. Këtu është e gjithë vepra e tij poetike edhe publicistika në dorëshkrim. Është edhe shkrimi se si u shkrua himni kombëtar, që dorëzohet në dokumente autentike të Bukureshtit. Ka shumë letërkëmbime me Çabejn, Paskali etj., . Babi ishte shumë skurpuloz. Ndoshta, modeli i parë që mbante kopje të korrespodencave, sepse thoshte se kur shkruante një letër, vendoste gjithë zemrën e tij prandaj donte që të më ruhej.
Marie Poradeci është duke punuar edhe për botimin e ditarit të Lasgush Poradecit, sepse në këtë mënyrë, sikundër ajo shpreson, do të kenë mundësi që lexuesin ta njohin të atin më mirë.
“Jemi në fazën përfundimtare. Ditari nis në vitin 1936 edhe përfundon në vitin 1982. Atje është gjithë letra e babit tim, titulli është mbështetur tek poezia “Trashëgimtari” edhe do të jetë: “Ju më lini që të flasë unë”.
Deri tani kanë folur shumë për tim atë, por le që ta lexojnë në vazhdim se çfarë ka thënë ai për jetën e tij. Ka shkruar çdo moment. Edhe pse ka vuajtur thoshte që “dua që të vdes, pasi të kem mbaruar destinin tim”.
“Ditari” i Lasgush Poradecit mendohet që të prezantohet gjatë muajit nëntor në Panairin e Librit. /shqiptarja.com/KultPlus.com
Poeti dhe shkrimtari shqiptar Lasgush Poradeci në një letër drejtuar vajzës së tij të madhe Kostandina, në vitin 1974, i drejtohet me këto fjalë:
“… që të jetë
njeriu vetëm duhet fuqi e madhe e zemrës, si dhe fuqi e madhe e shpirtit, them
që e kam atë fuqi durimtare aq të madhe, d.m.th.aq sa më duhet për valët e
jetës. Shumë herë dëshpërohem me një dëshpërim humbas kurajën, kurajën e madhe,
shumë herë më ka lëshuar kurajo po prapëseprapë kam mundur t’a marr veten, t’i
kaloj valët, t’a kaloj ujin, edhe kështu, bijë e babit, jam si një gur në lumë,
që uji shkon, po guri mbetet. Kjo është filozofija e babkës tënd, tjetër
filozofi nuk gjeta dot, tjetër filozofi nuk kishte si të qëndroj të mos
rrëzohem dhe të kaloj një çikë më tej”.
Letra është publikuar nga vajza e tij Marie Poradeci / KultPlus.com
Lasgush Poradeci i njohur si shkrimtari i poezisë së dashurisë, pas vete ka lënë shumë dorëshkrime, thënie, që publikohen herë pas herë nga studiuesit, por edhe nga ata që e kanë njohur nga afër këtë shkrimtar të madh, shkruan KultPlus.
Meri Lalaj më herët kishte botuar pjesë të shkëputura që kanë ndërlidhje më Poradecin, dhe një pjesë e këtij botimi ka të bëjë edhe me Kosovën, ku Lasgush Poradeci as dasmat po as vdekjen nuk i dëshironte pa bashkimin e Shqipërisë me Kosovën.
Meri Lalaj mbi këtë cështje kishte botuar këtë pjesë:
Diku Lasgushi ka shkruar: “Do të vijë një kohë, kur do të vemë në dasmë e do të urojmë: Mos e pifshim këtë gotë, po të mos bashkohemi me Kosovën! Dhe do të vemë në vdekje dhe do të ngushëllojmë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën…Do të vijë një kohë kur dollia do të fillojë me këto fjalë: Mos e pifshim këtë gotë në mos u bashkofshim me Kosovën.”/KultPlus.com