‘Kreolët e Ballkanit’, drama që shpërfaqë ballafaqimin dhe luftën e pranimit të vetvetes

Suada Qorraj

Dyert e Teatrit Kombëtar mbrëmë u hapën e pritën ‘Kreolët e Ballkanit’ për të parën herë për këtë vit. Përballja e identiteteve të dyfishta të atyre që dikur ishin fëmijë të martesave të përziera, erdhi para publikut si një ballafaqim me të kaluarën e dhimbshme. Ku pikërisht këta fëmijë, shpërfaqën udhëkryqet jetësore që dikur e ndoshta gjithmonë, fëmijët e tillë do të gjendeshin në mes dy udhëkryqeve, të qenurit heronjë apo tradhëtarë, shkruan KultPlus.

‘Kreolët e Ballkani’ drama që u shkrua në vitin 1989, dhjetë vite para se të fillonte konflikti në Kosovë, erdhi para publikut si një kujtesë historike e si një thirrje për të mos u harruar se çfarë populli i Kosovës kishte përjetuar përgjatë atyre viteve të kobshme.

Për një orë e gjysmë, aktorët Blin Sylejmani, Agron Shala, Vanesa Petrovci, Leonit Maloku dhe Armend Zeqiri kanë interpretuar mbrëmë përballë një publiku më të shumtë në numër sesa që e kishin menudar.

Regjisori Enver Petrovci pas shfaqjes në një prononcim për KultPlus tha se është shumë i kënaqur që ndonëse në një perudhë pandemike shfaqja ka arritur që të ketë një publik të madh. Ai ka shtuar se premiera e kësaj shfaqje ishte e supozuar qe të bëhej në muajin nëntor, mirëpo deri në natën e mbrëmshme ishte shtyer tre herë.

‘Pas peripecive të gjata që i kemi pasur ne dhe krejt bota me këtë Covid, shfaqjen e kemi shtyer tre herë radhazi. Kjo shfaqje ka qenë në plan të ketë premierën në nëntorë. Mirëpo, ja që më në fund doli dhe jam shumë i lumtur edhe me pjesëmarrjen e publikut pasi kam pritur shumë më pak’, ka potencuar tutje Petrovci.

Sipas tij bukuria që mban në vete ‘Kreolët e Ballkanit’, ka të bëjë me faktin se edhe pse kjo dramë është shkruar në vitin 1989, çdo gjë doli që të jetë e vërtetë. Petrovci ndër të tjera tregoi se teksti si tërësi përgjatë gjithë këtyre viteve pati vetëm një ndryshim të vetëm, emri i personazhit nga Mallina në Maria.

“Është një ndjenjë shumë e mirë dhe nuk e kam të vështirë aspak. Me babanë jemi edhe shokë, edhe baba e bijë”, ka potencuar Vanesa Petrovci, e cila në ‘Kreolët e Ballkanit’ erdhi në rolin e Marias.

Për aktorin Leonit Maloku të luaj në një shfaqje ku regjisor është profesori i tij, ka qenë një ëndërr e bërë realitet.

‘Eksperienca ime me profesorin ka qenë shumë e mirë, ka qenë ëndërr e imja që të luaj me profesorin apo të jem pjesë e një drame të shkruar apo drejtuar nga ai, kështuqë kjo ëndërr u bë më në fund realitet. Ndër të tjera, procesi ka shkuar mjaft mirë, kemi pasur ndërprerje deri sa kemi arritur që më në fund të luajme shfaqjen, mirëpo ky pushim na ka bërë mirë sepse jemi kthyer fuqishëm’, ka deklaruar tutje Maloku për KultPlus.

E pranishme në preimerën e parë për këtë vit në Teatrin Kombëtar ishte edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi për të cilën ‘Kreolët e Ballkanit’ ishte një ndër shfaqjet përmes së cilës tregohej historia e dikurshme e martesave të përziera.

“Historia nuk duhet harruar asnjëherë dhe këto janë ndër format se si duhet ta tregojmë atë. Në këtë dramë për ndërgjegjen njerëzore u shpërfaqën edhe talentet e aktorëve të rinj që dhanë një interpretim fantastik”, theksoi Dumoshi për KultPlus.

Drama ‘Kreolët e Ballkanit’ merret me kreolë- fëmijë të lindur nga martesa të përziera (raca). Ato rrallë janë adresuar në të gjithë botën e letërsisë. Gjatë ish Jugosllavisë, këta fëmijë – njerëz kërkoheshin për çdo punë dhe veçanërisht për poste të ndryshme të larta shtetërore. Ishte pikërisht sepse ata llogariteshin që gjatë lindjes, për të mos qenë nacionalistë.

I gjithë tregimi zhvillohet midis dy Krijuesve: Hekuran (Celik) dhe Inspektorit, që janë themeluesit e konfliktit. Kreatori i tretë është Maria, e cila është vajzë infantile dhe nuk e di se çfarë po ndodh përreth saj. Ajo lufton për të mbijetuar, dhe ndërkohë, ajo dashurohet me Hekuranin sepse ai është i vetmi që i jep ushqimin, dhe nuk ka tendencë ta dhunojë.

Drama ka të gjitha emocionet themelore njerëzore. Të tilla si dashuria, urrejtja, ambicia politike, hakmarrja, torturimi, besimi në Zot, dinjiteti dhe më shumë. / KultPlus.com

Maloku: Për Komunën e Prishtinës, aktorët janë ‘bira e fundit e kavallit’

Suada Qorraj

Dikur Teatri i Faruk Begollit, vendi ku aktrimi i jepte jetë publikut edhe vetë sallës, sot ballafaqohet me probleme të shumta, duke u nisë prej atyre bazike, mungesës së aktorëve rezident.

Aktorë të shumtë kanë kërkuar prej Komunës së Prishtinës të jenë pjesë e ansamblit rezident të Teatrit “Dodona”,  për të pasuar me konferencë për medie, e kërkesë që tashmë po del edhe në rrugë, pasi që, një grup i aktorëve kanë paralajmëruar edhe protestë që pritet të organizohet nesër.

Një iniciativë që kishte filluar dy vite më parë, nga aktorët e kryeqytetit ende nuk ka gjetur zgjidhje. Është fjala për shtimin e numri të aktorëve rezident në Teatrin ‘Dodona’, nga katër sa janë tani, në 20, sa e kërkon edhe ligji për teatro në Republikën e Kosovës.

Në një intervistë për KultPlus, Leonit Maloku, një nga përfaqësuesit e komuniteti të aktorëve të Prishtinës ka treguar se që kur kanë filluar të ngrisin zërin për këtë çështje dy vite më parë, ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje definitive nga ana e Komunës së Prishtinës.

Sipas tij, ishte reagimi i kryetarit të Komunës, Shpend Ahmeti, pas rrëzimit të Teatrit të Shqipërisë, ajo çka i nxiti edhe më shumë komunitetin e aktorëve që të reagojnë për këtë çështje, por edhe premtimet e kryetarit që së bashku të gjejnë një zgjidhje.

“Pasi kryetari i Komunës, Shpend Ahmeti, bëri një status duke shprehur keqardhjen e tij për rrëzimin e Teatrit Kombëtar në Shqipëri, unë i reagova me anë të një komenti duke e pyetur se çka ka bërë për komunën tonë, menjëherë pas kësaj ishte vetë kryetari ai që më kontaktoi dhe tha që të punojmë së bashku në mënyrë që të qojmë përpara kërkesën tuaj. Mirëpo që nga ajo kohë takimet dhe mesazhet me kryetarin kanë qenë të pamundura”, ka thënë Maloku.

Maloku tregon se që nga koha kur është mbajtur konferenca me gazetarë në gusht të këtij viti, Komuna nuk i ka njoftuar lidhur me vendimet që janë marrë së bashku me Ministrinë e Financave.

Përfaqësuesi i komunitetit të aktorëve të Prishtinës, ka vetëm një hall, votimin e buxhetit nga ana e asamblesë komunale gjatë ditës së nesërme. Sipas tij në qoftë se nuk ndahet buxheti përkitazi me kërkesat e tyre atëherë teatri ‘Dodona’ do mbes edhe një vit tjetër me vetëm katër aktorë të punësuar.

“Ne kemi bërë kërkesa për shtimin e 16 aktorëve rezidentë në teatrin ‘Dodona’ përpara votimit të buxhetit në asamblenë komunale, sepse në qoftë se nuk aprovohen kërkesat tona atëherë teatri do të mbetet ashtu siç është, me vetëm 4 aktorë, edhe për një vit tjetër”, ka shtuar ai.

Leonit Maloku thotë se për Ministrinë e Financave, të punësuarit janë vetëm numra, ata shohin 17 të punësuar, por nuk e marrin në konsideratë faktin që teatri ka vetëm katër aktorë. Sipas tij janë aktorët atë që e bëjnë teatrin.

“Ministria e Financave të punësuarit i nuk i sheh ndryshe vetëm si numra të punësuar. Dodona ka 17 të punësuar, ka teknik, ka rojtar, ka biletashitës, ka ndriçues dhe vetëm katër aktorë. Por teatri nuk mund të bëhet pa aktorë, sado të nevojshëm dhe të domosdoshëm që janë pjesa tjetër e stafit, aktorët janë të pazëvendësueshëm”, ka pohuar ai.

Aktori ka thënë se Ministria po synon që të punësoj vetëm edhe 5 aktorë, e që sipas tij nuk janë të mjaftueshëm, madje në kundërshtim me ligjin për teatrot. Ai ka potencuar se Prishtina si kryeqytet ka nevojë për më shumë aktorë, sesa cilido teatër në vend.

Maloku ka shtuar se pas konferencës ata kanë menduar edhe organizimin e një proteste. Duke mos dashur të shpalosë shumë detaje rreth saj, ai ka bërë të ditur se nesër në orën 12:00 përballë Komunës së Prishtinës, komuniteti i aktorëve do të organizojë protestë, për të plotësuar kështu edhe kërkesat e tyre.

“Ne pas konferencës hapin tjetër e kemi menduar protestën dhe tash do dalim në protestë nesër në orën 12:00 para Komunës. Kurse me kohë do të mendojmë se cili do të jetë hapi tjetër që do ndërmarrim edhe pse realisht nuk di ndonjë formë tjetër që mund të kryej punë më mirë se protesta”, ka thënë Maloku.

Krejt në fund Leonit Maloku ka thënë se për komunën komuniteti i aktorëve deri më tani ka qenë ‘bira e fundit e kavallit’.

“Siç duket për komunën ne artistët jemi bira e fundit e kavallit, kështu do të mund të thoja, sepse për komunën çdo gjë po ecë edhe pa komunitetin kulturor”, ka përfunduar Maloku./ KultPlus.com