Osmani kërkon mbështetjen e Lituanisë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot priti në takim një grup deputetësh të Lituanisë, të kryesuar nga kryetarja e Grupit të Miqësisë, Laima Andrikienė.

Në takim me deputetët lituanezë, Presidentja Osmani i falënderoi ata për mbështetjen ndaj Kosovës dhe mikpritjen që iu bë gjatë vizitës në Lituani në maj të këtij viti.

Presidentja i njoftoi deputetët lituanezë me situatën e përgjithshme politike dhe reformat që po zbatohen në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Më tej, Presidentja Osmani i falënderoi për përkrahjen e deritanishme të Lithuanisë, dhe kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë tutje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, përfshirjen e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe mbështetjen për statusin kandidat për Bashkim Evropian.

Në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se pala kosovare është konstruktive në këtë dialog dhe se ai duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë.

Ndërkaq sa i përket luftës në Ukrainë, Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova qëndron në anën e popullit të Ukrainës dhe kundër agresionit të Rusisë. Sipas saj, Kosova ka ofruar strehim për disa gazetarë nga ky shtet dhe se agresioni rus është përpjekje për ndryshim të rendit aktual botëror.

Nga ana tjetër, deputetët lituanezë, thanë se Kosovës do t`i jepet fokus i veçantë në kuadër të interesimit për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, thanë se e mbështesin  fuqishëm edhe liberalizimin e vizave për Kosovë. /KultPlus.com

Osmani pret mbështetje nga Lituania për anëtarësim në organizata ndërkombëtare

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadoren e Lituanisë, Jurate Raguckiene me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale, të cilën e uroi për detyrën, duke i dëshiruar sukses në angazhim.

Në këtë takim, Presidentja Osmani, siç bën të ditur presidenca, theksoi se Kosova pret mbështetjen e shtetit të Lituanisë në përpjekjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.

Ndërkaq në kontekst të situatës politike në rajon, Presidentja Osmani ka potencuar rrezikun e destabilizimit nga shtrirja e ndikimit rus dhe eksponentëve të tyre në Serbi. Sipas saj, nevojitet unitet dhe reagim kundrejt tendencave destabilizuese në rajon.

Të dy palët ranë dakord ta rrisin nivelin e angazhimit, me fokus të veçantë në sferën e mbrojtjes, arsimit, shkëmbimit ekonomik dhe sfera të tjera të interesit të dyanshëm.

Ambasadorja Raguckiene ka shprehur gatishmërinë e shtetit të saj ta mbështesë Kosovën edhe më tej dhe në të njëjtën kohë i ka bërë ftesë zyrtare Presidentes Osmani që në një kohë të përshtatshme për të dy palët, ta vizitojë Lituaninë. /KultPlus.com

Shpallet kënga fituese e Lituanisë për Eurovizion (VIDEO)

The Roop me këngën “On Fire”, do të përfaqësojnë Lituaninë në Roterdam këtë vit, shkruan KultPlus.

Në finalen e madhe kombëtare të Lituanisë garuan 8 këngë.

Kënga fituese ishte e shkëlqyeshme dhe ishte tërësisht live. The ROOP kryesuan me vota nga juria, po ashtu edhe nga publiku, duke u siguruar kështu atyre biletën për në Roterdam.

Kjo është përpjekja e dytë e The Roop në Eurovision. Ata së pari garuan në vitin 2018, ku kënga e tyre “Yes, I do” u vendos e treta në finalen e madhe.

Monique u rendit e dyta me këngën e saj “Human.

Kujtojmë që këtë vit Shqipërinë do ta përfaqësojë Arilena Ara me këngën “Shaj”. Versioni i “Shaj” në anglisht është punuar dhe riorkestruar në njërën prej studiove muzikore më të mëdha në botë.

Eurovizion 2020 do të zhvillohet në datat 12, 14 dhe 16 maj 2020, ku në fund do të përzgjidhet vetëm një fitues. / KultPlus.com

Çmimi kryesor në Bienalen e Venecias shkon për Lituaninë

Një performancë operistike në një plazh artificial, në të cilën pushuesit paralajmëronjë një katastrofë ekologjike, ia siguruan Lituanisë çmimin kryesor në Bienalen e Venecias, një nga ekspozitat ndërkombëtare më të mëdha dhe më të rëndësishme të artit bashkëkohor në botë.

“Sun & Sea (Marina)” – prezantuar nga artistet Lina Lapelyte, Vaiva Grainyte dhe Rugile Barzdziukaite, mori çmimin “Luani i Artë” për pjesëmarrjen më të mirë kombëtare në Bienale, duke mundur 89 pavione të tjera, përfshirë edhe atë të Kosovës të përfaqësuar nga Alban Muja, transmeton Koha.net.

SUN & SEA (Marina) – Lithuanian Pavilion at the Venice Biennale 2019 from NEON REALISM on Vimeo.

Kjo është hera e dytë që çmimi shkon për një vepër performuese: Më 2017, fitues ishte Pavijoni i Gjermanisë me Anne Imhof “Faust.”.

Çmimi tjetër i madh në këtë Bienale u nda edhe për artistin amerikan Arthur Jafa. I cili ka treguar film prej 50 minutash “The White Album”, përmes së cilës manifeston supremacinë e bardhë përmes portreteve të njerëzve të bardhë, dhe gjithashtu shfaq një set të skulpturave monumentale të gomave të kamionëve në zinxhirë, shkruan NYT.

Edicioni i 58-të i Bienales së Venecias do të jetë i hapur deri më 24 nëntor. / KultPlus.com