Dita Ndërkombëtare e Autizmit, presidenca shqiptare ‘vishet’ me ngjyrën blu

Në Ditën Ndërkombëtare të Autizmit, presidenca shqiptare është veshur me ngjyrën blu.

Presidenti Bajram Begaj ka ndarë në rrjete sociale pamjet e presidencës, si shenjë mbështetjeje dhe ndërgjegjësimi me të gjithë personat që janë me autizëm.

“Presidenca i bashkohet Ditës Ndërkombëtare të Autizmit dhe Muajit të Ndërgjegjësimit mbi të”, ka shkruar Presidenti Begaj./KultPlus.com

Osmani kërkon mbështetjen e Lituanisë për liberalizimin e vizave për Kosovën

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot priti në takim një grup deputetësh të Lituanisë, të kryesuar nga kryetarja e Grupit të Miqësisë, Laima Andrikienė.

Në takim me deputetët lituanezë, Presidentja Osmani i falënderoi ata për mbështetjen ndaj Kosovës dhe mikpritjen që iu bë gjatë vizitës në Lituani në maj të këtij viti.

Presidentja i njoftoi deputetët lituanezë me situatën e përgjithshme politike dhe reformat që po zbatohen në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut.

Më tej, Presidentja Osmani i falënderoi për përkrahjen e deritanishme të Lithuanisë, dhe kërkoi që kjo mbështetje të vazhdojë tutje për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, përfshirjen e Kosovës në programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s, si dhe mbështetjen për statusin kandidat për Bashkim Evropian.

Në lidhje me procesin e dialogut me Serbinë, Presidentja Osmani theksoi se pala kosovare është konstruktive në këtë dialog dhe se ai duhet të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë.

Ndërkaq sa i përket luftës në Ukrainë, Presidentja Osmani ritheksoi se Kosova qëndron në anën e popullit të Ukrainës dhe kundër agresionit të Rusisë. Sipas saj, Kosova ka ofruar strehim për disa gazetarë nga ky shtet dhe se agresioni rus është përpjekje për ndryshim të rendit aktual botëror.

Nga ana tjetër, deputetët lituanezë, thanë se Kosovës do t`i jepet fokus i veçantë në kuadër të interesimit për Ballkanin Perëndimor. Gjithashtu, thanë se e mbështesin  fuqishëm edhe liberalizimin e vizave për Kosovë. /KultPlus.com

Ndërtesa e Presidencës dhe Kuvendit ndriçohet me ngjyrë të kaltër në shenjë solidariteti me personat me autizëm

2 Prilli shënon Ditën Ndërkombëtare të Personave me Autizëm, e cila është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm, shkruan KultPlus.

Ndërtesa e Presidences dhe Kuvendit është ndriçuar në mënyrë simbolike me ngjyrë të kaltër, në shenjë të solidaritetit me personat me autizëm dhe në funksion të ndërgjegjësimit për autizmin në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë.

Vlerësohet se 1 për qind e popullatës globale është autike. /KultPlus.com

Presidenca me thirrje të hapur kërkon nominimin e tre anëtarëve të shoqërisë civile në Këshillin për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka publikuar një thirrje të hapur për nominimin e tre anëtarëve nga shoqëria civile, të cilët do të jenë pjesë e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut.  

Ky Këshill është derivat i zotimeve, të cilat institucionet e Republikës së Kosovës i kanë marrë në kuadër të edicionit të parë të Samitit për Demokraci të organizuar nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.

Rrjedhimisht, Presidentja Vjosa Osmani ka inicuar themelimin e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, i cili do të luaj rolin e mekanizmit përgjegjës për udhëheqjen dhe garantimin e mbarëvajtjes së punës së të gjitha institucioneve të cilat janë drejtpërdrejt përgjegjëse për përmbushjen e zotimeve të prezantuara në Samitin për Demokraci.

Ky Këshill do të jetë përgjegjës për të garantuar monitorimin, transparencën, dhe llogaridhënien në lidhje me përmbushjen e këtyre zotimeve.

Thirrjen e gjeni në vegzën në vijim:

Shpallje – Presidente e Republikës së Kosovës – DR. VJOSA OSMANI – SADRIU (president-ksgov.net) / KultPlus.com

Osmani fton ZRRE-në që të trajtojë me seriozitet komentet dhe t’i integrojë në mënyrë adekuate në dokumentin final

Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, sot ka dërguar komentet në Raportin Konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi Shqyrtimin e Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë të Shërbyer nën FSHU.

Në këtë dokument janë paraqitur qëndrimet e Zyrës së Presidentes lidhur me strukturën e re tarifore të propozuar nga ZRRE-ja dhe janë dhënë rekomandime konkrete të cilat do të rezultonin me respektim të parimit të mosdiskriminimit, përballueshmërisë, qasjes së barabartë dhe furnizimit të rregullt me energji.

“Për Presidenten e Kosovës, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, kërkohet nga ZRRE që, ashtu siç e ka cekur vet në dokumentin e publikuar, të sigurohet që ‘konsultimi publik [të jetë] në qendër të politikave rregullatore efektive. Respektivisht, ZRRE-ja ftohet që me seriozitet t`i trajtojë komentet dhe rekomandimet e palëve të interesit dhe t’i integrojë ato në mënyrë adekuate në dokumentin final, në mënyrë që struktura e re tarifore të mos jetë diskriminuese dhe e papërballueshme ndaj grupeve të caktuara të konsumatorëve në vend’”, thuhet në njoftimin e dërguar nga presidenca.

Sot ka qenë dita e fundit kur palët e interesit kanë mundur të dërgojnë komente në ZRRE. /KultPlus.com

Nesër mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për djalin e presidentit Biden

Nesër do të mbahet ceremonia e dorëzimit të medaljes post-mortem për Beau Biden, nën organizimin e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Me anë të një njoftimi të Presidencës thuhet se se kjo ceremoni do të fillojë nga ora 18:30.

Në këtë ceremoni të pranishmëve me një fjalë rasti do t’iu drejtohet Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, gjithashtu përmes një video-mesazhi edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, si dhe me një fjalë rasti ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip S. Kosnett.

Mediat e interesuara për përcjelljen e ceremonisë duhet të jenë të pranishme në orën 17:45, në Presidencë. / KultPlus.com

Presidenca e Shqipërisë organizon aktivitetin ‘101 vjetori i Tiranës kryeqytet’

Presidenti i Republikës, Ilir Meta festoi së bashku me drejtues dhe anëtarë të shoqatave “Tirana”, “Tirona Intelectum”, “Bashkësia Dibrane” si dhe përfaqësues të familjeve autoktone tiranase 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës kryeqytet.

Në mjediset e Institucionit të Presidentit të Republikës, u mbajt edhe një veprimtari kulturore-historike “101-vjetori i Tiranës kryeqytet” ku pas ekzekutimit të himnit kombëtar dhe përshëndetjeve të personaliteteve dhe historianëve, u promovuan librat “Shqipëria politike” e “Atdhetarët Shtaku”, si dhe u zhvillua ekspozita me piktura të dy mjeshtreve tiranas të penelit, Sadik dhe Buron Kaceli.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës u shpreh se, “11 Shkurti i vitit 1920 është një ditë e veçantë për të gjithë ne, është një ditë e shënuar për qytetarët e Tiranës, të Shqipërisë dhe mbarë kombit tonë!

Ndaj në këtë atmosferë feste, pavarësisht nga situata e pazakontë për shkak të pandemisë, dua t’i uroj të gjithë qytetarët e Tiranës dhe të mbarë vendit: Gëzuar 101-vjetorin e shpalljes së Tiranës, kryeqendra e shqiptarëve! Ta ruajmë dhe ta mbrojmë Tiranën, që të mbetet jo vetëm kryeqyteti ynë, por edhe krenaria jonë dhe për këtë dua të falënderoj shoqatat tuaj dhe gjithë komunitetin, për përpjekjet që ka bërë deri tani, por sidomos për ato që do të bëjmë të gjithë së bashku në të ardhmen”, tha Meta.

Meta vlerëson arkeologun dhe politikanin e shquar, Neritan Ceka me Dekoratën “Nderi i Kombit”

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes, Presidenti i Republikës, Ilir Meta vlerësoi arkeologun, politikanin dhe diplomatin e shquar Neritan Ceka me Dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”, me motivacionin: “Në vlerësim të veprës së çmuar dhe punës së palodhur si shkencëtar dhe arkeolog i përkushtuar në ndriçimin, vënien në dukje, ruajtjen dhe promovimin e thesareve të rralla të trojeve tona, të historisë së lashtë, gërmimeve intensive e afatgjata të qytetërimit ilir.

Me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributet e vyera e të pamohueshme, si politikan aktiv dhe diplomat, qysh në shembjen e diktaturës, vendosjen e sistemit pluripartiak si dhe më pas, në konsolidimin e institucioneve të reja demokratike në vendin tonë”.

Në fjalën e tij përshëndetëse drejtuar familjarëve, kolegëve dhe personaliteteve të pranishëm në ceremoni, Presidenti Meta u shpreh se, “është kënaqësi e madhe, që në ditën e 80-vjetorit të lindjes së tij, të vlerësoj një nga personalitetet më të rëndësishme të vendit tonë, arkeologun, politikanin dhe shkencëtarin e shquar, Neritan Ceka”.

“Duke vlerësuar profesor Cekën synoj t’i transmetoj atij detyrimin e respektin, që ne kemi dhe duhet të kemi për të gjithë ata, që ia kushtuan jetën e tyre konsolidimit dhe përparimit të institucioneve kulturore të vendit tonë por edhe atyre politike”, tha Meta.

“Profesor Neritani është një nga përfaqësuesit më emblematikë të atij brezi, që u quajt i Pasçlirimit, brez që i mbijetoi mungesave dhe padrejtësive të periudhës së diktaturës komuniste”, u shpreh Meta.

“Pavarësisht nga kushtet e vështira, ky brez diti të formohet me trashëgiminë e albanologëve më të mëdhenj të kombit, si Aleks Buda, Hasan Ceka, Eqrem Çabej, Skënder Luarasi, Selim Islami, Gani Strazimiri, e shumë të tjerë, ku do të jepte kontributin e tij të shquar në formimin e arkeologjisë shqiptare”, theksoi Meta. /ata/ KultPlus.com

Dekorohet nga Presidenca aktivistja Sevdije Ahmeti

Në Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, ushtruesja e detyrës së Presidentit të Kosovës, Vjosa Osmani ka dekoruar humanisten Sevdije Ahmeti, shkruan KultPlus.

Dekorata “Urdhri Dr. Ibrahim Rugova” iu është dorëzuar familjes së Sevdije Ahmetit, e cila ishte një aktiviste e pashoq që kishte vdekur në vitin 2016.

Ahmeti do të kujtohet si ideatore dhe shtyllë e lëvizjes së grave në Kosovë, duke përkrahur përherë interesat dhe të drejtat e tyre.

Pas luftës, Ahmeti ishte ndër të parat që inicioi çështjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë. / KultPlus.com

Protestojnë punëtorët e MKRS-së, kundërshtojnë vendosjen e Presidencës në këtë objekt

Punëtorët e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) po protestojnë kundër vendosjen së Presidencës në objektin e kësaj ministrie.

Ata po konsiderojnë se ky vendin i dëmton në mbarëvajtjen e procesit të punës.

Për këtë çështje ka reguar dje edhe kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti.

Hoti ka thënë se nuk mund të rritet komoditeti i zyrtarëve publikë në kurriz të shpenzimeve publike.

Ndryshe, kërkesë për t’u zhvendosur në këtë objekt kishte bërë edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga.

Në Presidencë kishin konfirmuar ekzistencën e kërkesës e deponuar në Kryeministri në fillim të vitit 2014, por nga e cila pak kohë më vonë presidentja ishte tërhequr pas përllogaritjes së kostos për rinovimin e objektit. /Gazeta Express / KultPlus.com