Nora Gjakova pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura

Kampionia olimpike në Xhudo, Nora Gjakova, është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura që nga viti 2021.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se,” xhudistja Nora Gjakova, vajza e artë e Kosovës fitoi medaljen e artë olimpike, në kategorinë deri në 57 kilogramë duke rrëmbyer kështu medaljen e dytë të artë për Kosovën në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”.

“Nora është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura që nga viti 2021”, theksoi Peleshi në një postim në rrjetet sociale.

Në shtator pritet të shkojë në Kuvend edhe ligji që parashikon dhënien e gradës kolonel për kampionët botërorë në sporte. /KultPlus.com

‘Ti ke forcën që nderon kombin’, Distria Krasniqi pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, kishte njoftuar para disa javëve se kampionia olimpike nga Kosova, Distria Krasniqi, do të jetë pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, shkruan KultPlus.

Përmes një njoftimi në rrjete sociale, Ministria e Mbrojtjes ka shpërndarë një fotografi të Krasniqit, duke shkruar se Ti ke forcën që nderon kombin’.

“Distria KRASNIQI, xhudistja e pamposhtur nga Kosova fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”. E para në botë në kategorinë deri në 48 kilogramë me 5,920 pikë. Distria, është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura që nga viti 2021”, thuhet në postimin e tyre.

Ndërkaq, Krasniqi po bëhet gati edhe për Lojërat Olimpike 2024, që do të mbahen në Paris. /KultPlus.com

Ushtarët e FSK-së pushtuan majën Mont Blanc, Ministria e Mbrojtjes: Krenar me ju djema

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës, ka bërë të ditur sot se ushtarët e FSK-së janë ngjitur në majën më të lartë në Evropën Perëndimore, Mont Blanc, përcjellë KultPlus.

Nga kjo ministria janë shprehur se ushtarakët përveç majave të suksesit në operacione arrijnë edhe majën më të lartë, Mont Blanc-un.

“Pas disa ditë ecje tejet sfiduese, ushtarakët e FSK-së, Besart Ejupi, Arben Rexhepi, Fatmir Tahiri, Kushtrim Hyseni dhe zyrtari i Ministrisë së Mbrojtjes, Flamur Arifaj, dje pushtuan me sukses Mont Blanc-un, majën më të lartë në Evropën Perëndimore, në lartësi prej 4810 m.

Ky është sukses i madh i djemve tanë të cilët përveç me angazhimin vetëmohues e profesionalizimin e lartë në operacione ushtarake, na bëjnë shumë krenar edhe me këtë sukses të jashtëzakonshëm.

Krenar me ju djema!

Forca për sfidat e sukseset e radhës!”, shkruan në njoftimin zyrtar. / KultPlus.com

Gjermania ndihmon FSK-në me 1 milion euro donacion

Ministria e Mbrojtjes ka pranuar sot donacion me vlerë prej një milion eurosh për zhvillimin dhe avancimin e FSK-së.

Siç njofton Ministria e Mbrojtjes, transmeton Gazeta Express, ministry Armend Mehaj dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, nënshkruan marrëveshjet për pranim-dorëzimin e donacionit të fondeve për prokurimin, duke përfshirë pajisje, automjete dhe trajnime të specializuara të fushës së EOD-së dhe HAZMAT-it.

Tutje, njoftohet se Mehaj ka shprehur falënderim dhe mirënjohje për qeverinë gjermane.

Njoftimi i plotë i Ministrisë së Mbrojtjes:

Gjermania vazhdon mbështetjen konkrete për modernizimin e kapaciteteve operacionale të FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde, nënshkruan marrëveshjet për pranim-dorëzimin e donacionit të fondeve për prokurimin, duke përfshirë pajisje, automjete dhe trajnime të specializuara të fushës së EOD-së dhe HAZMAT-it. Vlera e donacionit është 1 milion euro.

Me këtë rast, ministri Mehaj shprehu falënderim dhe mirënjohje shumë të madhe për qeverinë gjermane e cila, sikur më parë, vazhdon mbështetjen e madhe në të gjitha aspektet, në zhvillimin dhe avancimin e FSK-së. / KultPlus.com

Mosnjohja e plotë e Kosovës, pengesë drejt NATO-s

Mosnjohja e Kosovës nga katër shtete evropiane që janë edhe pjesë NATO-s, është pengesa kryesore për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, u tha në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë në Kuvendin e Kosovës.

Lidhur me anëtarësimin e Kosovës në NATO, para anëtarëve të këtij komisioni raportoi të martën ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj.

Sipas tij, Ministria e Mbrojtjes ka bashkëpunim të përditshëm me NATO-n dhe objektivë e Ministrisë që udhëheq ai është anëtarësimi në NATO.

Kosova, siç tha ai, ka nënshkruar dhjetëra memorandume bashkëpunimi dhe marrëveshje të ndryshme me shtetet anëtare të NATO-s, kurse “127 pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës po ndjekin studime dhe trajnime jashtë vendit”.

Megjithatë, ka hapësirë që bashkëpunimi me NATO-n të thellohet, tha Mehaj.

“Rrugën e Kosovës dhe FSK-së për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare e lehtëson një kornizë ligjore e koordinuar me partnerët tanë. Në këtë drejtim e veçoj Projektligjin për dërgimin e FSK-së jashtë vendit”, tha Mehaj.

Kosova, në bashkëpunim me forcat amerikane, ka dërguar në muajin mars një kontingjent të FSK-së në Kuvajt. Ka qenë ky misioni i parë i kësaj force jashtë Kosovës.

Gjatë raportimit të martën, deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu – Shoshi, e pyeti ministrin Mehaj se cili është plani i Ministrisë së Mbrojtjes për anëtarësim në NATO, duke përmendur faktin se në bazë të rregullave dhe procedurave të NATO-s, Kosova nuk mund të anëtarësohet, pasi janë katër shtete që ende nuk e njohin pavarësinë e saj.

Spanja, Greqia, Sllovakia dhe Rumania nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur.

Lidhur me këtë, Mehaj tha se Kosova e ka të domosdoshme të ketë ambasador në NATO, por shtoi se procesi i zgjedhjes së tij nuk ka nisur.

Edhe njohësi i çështjeve të sigurisë, Nuredin Ibishi, tha për Radion Evropa e Lirë se mosnjohja e Kosovës nga këto katër vende është pengesë për anëtarësim në NATO.

Sipas tij, hyrja në partneritetin për paqe e jep një garanci për një kohë të caktuar që Kosova mund të futet në NATO.

“Një e arritur e FSK-së që garanton një proces të përkrahjes së atyre vendeve që nuk e kanë njohur Kosovën, me mbështetje të partnerëve tanë strategjikë, [është se] ne kemi kaluar prej misionit paqësor në mision ushtarak, siç ishte ky i fundit me forcat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Ibishi.

Sipas tij, FSK-ja ka ngritur një organizatë profesionale me standarde të miratuara të NATO-s dhe, duke rritur kapacitetet e saj, shtoi ai, mund të shkurtohet edhe periudha e tranzicionit, që është paraparë të zgjasë 10 vjet.

Në dhjetor të vitit 2018, Kuvendi i Kosovës ka miratuar ndryshimet ligjore, për të transformuar mandatin e FSK-së në ushtri.

Si bëhet anëtarësimi në NATO?

“Politika e dyerve të hapura” të NATO-s bazohet në dokumentin themelues të Aleancës, sipas të cilit, anëtarësimi në NATO është i hapur për çdo “shtet evropian që është në gjendje t’i çojë përpara parimet e këtij Traktati dhe të kontribuojë në sigurinë e zonës së Atlantikut të Veriut”.

Sipas kësaj politike, çdo vendim për zgjerimin duhet të merret “me marrëveshje unanime”.

Për t’u anëtarësuar në Aleancë, vendet pritet t’i respektojnë vlerat e Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të plotësojnë disa kritere politike, ekonomike dhe ushtarake, të përcaktuara në Studimin e Zgjerimit, të vitit 1995.

Këto kritere përfshijnë një sistem politik demokratik, të bazuar në një ekonomi tregu; trajtimin e drejtë të popullatës pakicë; angazhim për të zgjidhur konfliktet në mënyrë paqësore; aftësinë dhe vullnetin për të dhënë kontribut ushtarak në operacionet e NATO-s, si dhe përkushtim ndaj marrëdhënieve dhe institucioneve demokratike civilo-ushtarake. / KultPlus.com

Ministri Quni nderoi me mirënjohje Gjergj Kaçinarin dhe Sylë Zhitinë

Ministri i Mbrojtjes, Anton Quni ka nderuar me mirënjohje post mortum kompozitorin e njohur Gjergj Kaçinarin dhe veprimtarin e çështjes kombëtare, Sylë Zhitinë, shkruan KultPlus.

Përderisa Kaçinari njihet për kompozimet e tij muzikore, kontributin në film e teatër, ai poashtu ka hyrë në historinë shqiptare nëpërmjet udhëheqjes së Orkestrës së parë muzikore ushtarake të ish-Trupave të Mbrojtjes së Kosovës dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Në anën tjetër, Sylë Zhitia kishte dhënë kontribut nëpërmjet punës në Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Në nderim të kontributit të tyre, ministri Quni dhuroi mirënjohjet post-mortum për këta dy personalitete të rëndësishme shqiptare, duke ia dhuruar familjarëve të të dyve.

“Me këtë rast, ministri Quni priti anëtarët e familjeve Kaçinari dhe Zhitia, duke u shprehur mirënjohjen dhe vlerësimin më të lartë për ish- bashkëpunëtorët e tij, duke u theksuar se të gjitha të arriturat e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së janë dhe do të jenë të ndërlidhur me kontributin e çmuar të profesor Gjergjit,  Sylës dhe të gjithë ish- bashkëpunëtorëve e bashkëveprimtarëve të cilët fizikisht nuk janë në mesin tone”, thuhet në njoftimin e ministrit të Mbrojtjes, Anton Qunit.

Teksa familjarët e falenderuan për këtë vlerësim, historia do të ketë përherë vend për kontributin e Kaçinarit dhe Zhitisë. / KultPlus.com