Në emër të kryeqytetit, kryetari Përparim Rama i dhuron mirënjohje Merita Halilit dhe Raif Hysenit

Më 21 korrik në sheshin e Prishtinës, këngëtarët Merita Halili dhe Raif Hyseni do të mbajnë një koncert për adhuruesit e muzikës së tyre.

Kjo është edhe arsyeja kryesore që e solli çiftin në Prishtinë ku po qëndrojnë tash e disa ditë.

Ndërsa sot i ka pritur në takim kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama i cili edhe i nderoi me mirënjohje.

Rama është shprehur se është kënaqësi e veçantë të presësh ikonat e muzikës qytetarë shqiptarë, siç janë Merita Halili e Raif Hyseni.

“Kënaqësi e veçantë të prisja ikonat e muzikës qytetare shqiptare, znj. Merita Halili e Raif Hyseni.  Për të nderuar angazhimin e tyre të vazhdueshëm në promovimin e kulturës e traditës shqiptare, në emër të Kryeqytetit u dhuruam nga një Mirënjohje”, ka shkruar Rama. / KultPlus.com

Ministrja Dumoshi i ndau mirënjohje alpinistes Mrika Nikçi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Vlora Dumoshi priti në takim alpinisten Mrika Nikçin.

Ministrja Vlora Dumoshi gjatë këtij takimi e përgëzoi alpinisten Mrika Nikçi për sukseset e saj duke thënë se “është kënaqësi e veçantë për mua si Ministre që t’i ndaj mirënjohje një alpinistje të suksesshme siç jeni ju, vajza e parë në botë e cila i ka pushtuar 7 majat më të larta në 7 kontinente ende pa i mbushur 18 vite”.

“Puna dhe angazhimi juaj është një motivim i madh për rininë e vendit tonë sepse ju keni arritur të dëshmoni se me punë dhe angazhim gjithçka arrihet. Andaj unë po ju dorëzoj këtë mirënjohje si shenjë motivimi shtesë për ju që të vazhdoni tutje dhe të arrini suksese tjera të njëpasnjëshme në të ardhmen”–tha ministrja Dumoshi.

Ndërkaq alpinistja Mrika Nikçi u shpreh e lumtur për marrjen e mirënjohjes dhe tha se: “Vlerësimi i punës dhe angazhimit tim nga ana e Ministrisë për mua do të thotë shumë, kjo mirënjohje është një motivim shtesë e cila me shtyn të vazhdoj më tutje”- tha alpinistja Nikçi. / KultPlus.com

Dumoshi i ndan mirënjohje shkrimtarit Shpëtim Selmani, laureat i çmimit të BE-së për letërsi

Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, priti sot në takim Shpëtim Selmanin, prozator e poet dhe së fundmi laureat i çmimit të Bashkimit Evropian për letërsi, për vitin 2020.

Shkrimtari Selmani ka fituar edicionin e dymbëdhjetë të ndarjes së çmimeve të BE-së për letërsi (EUPL) i cili njeh shkrimtarët nga e gjithë Evropa dhe përfshin 31 vende.

Ky çmim i është ndarë autorit nga Kosova me motivacionin një rrëfim që trajton një larmi temash nga e zakonshmja, e botshmja dhe shpirtërorja duke ndërtuar monologje të brendshme të cilat demonstrojnë transformime njerëzore në mes personazhesh.

Ministrja Dumoshi, si drejtuese e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit i ndau mirënjohje shkrimtarit Selmani për të arriturat në përmasa ndërkombëtare, në fushën e letërsisë si dhe i bëri dhuratë okarinën – instrumentin e lashtë ilir.

Ministrja u shpreh e lumtur që emrat e shkrimtarëve e artistëve shqiptarë çdo ditë e më tepër po tejkalojnë kufijtë shqipfolës e po njihen ndërkombëtarisht.

Ky është jo vetëm sukses personal por sukses dhe përforcim i imazhit të Kosovës në Evropë e botë – theksoi ministrja Dumoshi. Ajo u zotua se do të mbështesë gjithmonë shkrimtarë që kanë suksese ndërkombëtare të cilët janë ambasadorët më të mirë të vendit.

Shkrimtari Selmani e falënderoi Ministren Dumoshi për pritjen dhe për mirënjohjen e cila është një njohje e kontributit të tij dhe njëkohësisht shtysë për rrugëtimin e tij të mëtejmë letrar. / KultPlus.com