Kryevepra e Molierit vjen sot nga Artan Imami

Rikthehet me kujtimet e 24 viteve më parë, kur në skenë, ai mori duartrokitje dhe admirim. “Don Zhuani” i Molierit, nga Artan Imami, vjen sërish para publikut shqiptar. Tashmë, Imami e sheh këtë rikthim, ku ai është protagonist, regjisor dhe skenograf në një prej veprave më të suksesshme tragji-komike, si një sfidë profesionale.

“Pas 24 vitesh, pasi ka lënë shije të mirë në mendjen e publikut që e ka parë shfaqjen, për mua është një sfidë që të jetë po në të njëjtin nivel. I ka bazat për të pasur sukses, sepse vepra është shumë e mirë” – ka theksuar artisti, për mediet.

Në kërkim të aventurave, “Don Zhuani” lë pas histori, që duket se nuk krijojnë tek ai aspak pendesë. Ndonëse Dona Elvirën e bind të lerë edhe manastirin, forca e zakonit nuk e bën të fortë t’i rezistojë tundimeve.

Sepse natyra njerëzore është e tillë, ripërsëritëse. Ndryshojnë vetëm metodat, ndërsa thelbi mbetet po ai. Ishte viti 1996, kur Artan Imami sprovoi veten në regji, duke ngjitur në skenën e Teatrit Kombëtar komedinë tragjike, “Don Zhuani”. Një vepër e jashtëzakonshme e Molierit, që bëri bujë dhe u ndalua në kohën e vet, pasi përmes personazheve të tij godiste kishën. Don Zhuanin e “mbajti” për vete. Tashmë e kishte korrur suksesin me “Zbutjen e kryeneçes” dhe deri diku ishte i familjarizuar me karaktere të “vështira”, veçse këtë herë nuk do të duhej të zbuste një kryeneçe, por ishte ai që duhej “zbutur”. Pas 24 vjetësh, si për të shlyer një peng, pse asokohe shfaqja e veprës së tij u ndërpre nga trazirat e vitit të marrë 1997, Artan Imami i rikthehet sërish “Don Zhuanit”.

Sërish Don Zhuan, regjisor, madje edhe skenograf. Premiera e veprës do të jetë në datën 6 mars, në skenën 400 të “arTurbinës”. Në rolin e regjisorit, ai premton një shfaqje mbështetur në simbolika të fuqishme, që nuk vizaton vetëm portretin e një gruari, një fisniku të shthurur ateist, që nuk lodhet duke vrapuar nga njëra aventurë dashurore te tjetra, pa gjetur asnjëherë paqe.

Përkundrazi, i neveritur nga mishi, ndërsa nxiton te një tjetër histori, te një tjetër grua, fati i së cilës nuk do të jetë më i mirë se i paraardhëses. Artan Imami synon të “zhveshë” hipokrizinë politikoshoqërore të kohërave që jetojmë, shënjuar nga mashtrimi, raportet e dyshimta dhe sipërfaqësore.

Ngjarjet do të zhvillohen në një ambient, që i ngjan një mauzoleu. Janë historitë e dashurive ngurosur nëpër mure, që do të donin të shpëtonin prej kësaj gracke të thurur mjeshtërisht nga një njeri, jo i pashpirt, por tragjik. Kësaj skene do t’i përshtaten edhe kostumet, të cilat ai ia ka besuar as më pak e as më shumë, por bashkëshortes së tij, Florenca Bellova.

E gjithë kjo duke i dhënë publikut një ndërthurje emocionesh, sa komike aq edhe dramatike.

“Do të mbeten të kënaqur edhe ata që vijnë për të parë një komendi, edhe ata të cilëve u pëlqen drama, sepse ka momente që do t’ju mbushen sytë me lot” – thotë Imami.

Nën interpretimin gjithashtu të Luiza Xhuvanit, Xhejni Famës, Dajana Nenaj, Alesia Xhemalaj, Genti Deçka, Donald Shehu dhe Xhuliano Briskut, “Don Zhuani” vjen prej 6 marsi, për 10 shfaqje rresht, në sallën e ArTurbinës, ora 19.30. /KultPlus.com

“Kur është për të zgjedhur një burrë, e zgjidhni letë”

“Komedi të Zgjedhura” është njëri nga librat më të famshëm të Molierit, autorit të famshëm francez, i cili radhitet si njëri ndër autorët më të mirë të kohës së tij, sidomos në komedi, shkruan KultPlus.com

Këtu keni një pjesë që KultPlus e ka shkëputur, ku njëri nga personazhet gjatë dialogut jep këshilla me një gjuhë të pasur sesi të shmanget një “ burrë i keq”.

“Atje…. Nuk më përket.
Kur është për të zgjedhur një burrë, e zgjidhni letë.
Një tjetër është ai që kam gati për ju
Dhe, sa i përket zotnisë, m’falni t’jau them këtu:
Sikur shkaktare vdekje të bë bëhet sëmundja e tij,
Edhe sikur t’ju vij në shtëpi, të mos e qasni
Dhe derën, ndershmërisht, turinjëve t’ia përplasni
Dhe po t’trokasë, me gur i sillni, e qëlloni,
Që sipër nga dritarja, shpejtazi ta dëboni.
A merrni vesh, Anjezë? Fshehur duke ju parë,
Se si do të veproni, do jem vet dëshmitar”. / KultPlus.com

“Tartufi” i Molierit korr sukses nën interpretimin e aktorëve shkodranë të “Migjenit”

Me komedinë e famshme “Tartufi” të Molierit, e ardhur nën regjinë e Kushtrim Bekteshit, trupa e teatrit “Migjeni” të Shkodrës hapi sezonin artistik.

Kjo komedi klasike, ngjarjet e se cilës zhvillohen brenda një shtëpie, asaj të Orgonit ku brenda atyre mureve vishet por edhe bie maska e hipokritit dhe mashtruesit, rrëmbeu duartrokitjet e spektatorit dhe solli një lojë brilante të trupës së aktoreve.

Një gjetje regjisoriale me ndërhyrje të kujdesshme nga vepra origjinale ka bërë regjisori Bekteshi, duke i veshur kësaj komedie aktualitetin e sotëm siç është mania e rrjeteve sociale, apo bombardimi me informacione të shumëllojshme nga shtypi i shkruar. Misioni është i qartë, përmes të qeshurës spektatori duhet në të njëjtën kohë të vetëkorigjohet.

Në role të tjera në këtë pjesë erdhën aktoret: Pjerin Vlashi, Merita Smaja, Enver Hyseni, Simon Shkreli, Jozef Shiroka, Sara Smaja, Krist Lleshi, Kristiana Dodaj, Nikolin Ferketa, Astrit Fani, Divni Gushta, Fritz Selmani.

Tema e kësaj komedie është hipokrizia e shtresës klerikale, që mundohet të pasurohet në mënyrë shumë të shpejtë, duke shfrytëzuar besimin që kanë të tjerët për profesionin e tyre të shenjtë dhe mendjelehtësinë e shtresës borgjeze që një kohë bëhet viktimë e hipokrizisë klerikale.

“Tartufi” do të vazhdojë të shfaqet sonte dhe nesër në orën 19:00. / KultPlus.com

“Tartufi” bën bashkë shqiptarët nga të gjitha trojet në skenën e teatrit “Migjeni” në Shkodër

Me 15 shtator në skenën e Teatrit “Migjeni” do të shfaqet komedia “Tartufi” nga Molieri në regji të regjisorit shqiptar nga Maqedonia, Kushtrim Bekteshi.

Një tekst i cili në thelb të kritikës së tij ka luftën ndaj hipokrizisë e fshehur në shumë shtresa shoqërore, si ato fetare, politike, akademike.

Regjisori i shfaqjes, Kushtrim Bekteshi shprehet se shfaqja ndodh sot dhe sa herë që të jepet ajo ndodh pikërisht atë ditë. Për drejtoreshën e Teatrit “Migjeni” të Shkodrës, bashkëpunimi me regjisorin Bekteshi ka qenë shumë i mirë dhe sipas saj, shfaqja premton shume. Kostumografia e shfaqjes erdhi nga kostumografja e njohur e teatrit Samka Ferri, e cila ka mbi 40 vite karrierë në fushën e kostumografisë në teatër dhe në film kryesisht në ish-jugosllavi. Teksti ka pësuar adoptime të lehta, e ndërsa hipokrizia është një dukuri e rëndomtë në shoqërinë njerëzore. Besfort Berberi nga Kosova do luajë rolin e Tartufit, Elmira i është besuar aktores Kristi Lleshi, që janë edhe dy aktorët jashtë trupës permanente të teatrit “Migjeni”.

Ndërsa në këtë komedi janë pothuajse pjesa më e madhe e aktorëve të teatrit si Rita Gjeka, Merita Smaja, Pjerin Vlashi, Enver Hyseni, Jozef Shiroka, Simon Shkreli, Nikolin Ferketa, Sara Smaja, Kristjana Dodaj, si dhe figurantet Astrit Fani, Divni Gushta dhe Fritz Selmani. Komedia “Tartufi” sjell për herë të parë në Shkodër një bashkëpunim të gjerë kombëtar duke bashkuar gjithë trojet shqiptare, Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi dhe do shfaqet premierë me 15 shtator në Teatrin “Migjeni” të Shkodër.

Molieri me “Tartufin”

Tartufi është personifikimi i hipokrizisë. Shpesh në jetën e përditshme, kur kemi të bëjmë me njerëz gënjeshtarë e hipokritë themi; “Ai është një Tartuf”. Hipokrizia është edhe problemi kryesor që trajtohet në këtë vepër. Te “Tartufi” historia është e thjeshtë. Orgoni, një aristokrat me emër dhe me reputacion të lartë në shoqëri, gënjehet nga Tartufi, një hipokrit e sharlatan, i cili shtiret si i shenjt e njeri fetar. Ai kërkoi t’i marrë pasurinë, shtëpinë e madje edhe gruan e tij të dytë. Orgonit i janë zënë sytë aq shumë, sa nuk e shikon dot se ç’njeri është Tartufi.
Por më në fund, Tartufi e zbulon fytyrën e vet mizore dhe është gati t’i marrë shtëpinë, por është “shpirtmadhësia” dhe “mençuria” e mbretit që shpëton Orgonin dhe familjarët e tij nga makinacionet dhe dredhitë që ishin përgatitur kundër tij. Fundi është një “Deux Ex Machina”, ku zgjidhja vjen nga mbreti. Me lajka të pabesueshme e pa lidhje me historinë e temat e veprës. Por, për Molierin, ka qenë e vetmja mënyrë që t’i shpëtonte censurës nga ana e kishës. Por, një fund i tillë nga ana e autorit, është një armë e mirë për të thënë disa të vërteta të realitetit, të aktualitetit tonë. A është problem “Hipokrizia” në këtë vend? Ka njerëz të tillë këtu? Vepra na bën thirrje të jemi të përmbajtur dhe të hapur. Të dëgjojmë e të shohim të tjerët, por edhe thellë brenda vetes sonë.(Shkruan SotNews)./ KultPlus.com