Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë të ditur përfundimin e punimeve restauruese në një nga shtëpitë më ikonike të Janjevës, duke theksuar se puna për restaurimin e monumenteve historike nëpër gjithë Kosovën vazhdon me intensitet të lartë, shkruan KultPlus.
Sipas Çekut, drejt përfundimit janë edhe kulla e Azem Ramë Lokajt dhe ajo e Florim Gecajt në Deçan, ndërsa vijojnë punimet në kullën e Bashor Pren Gegajt në Istog, shtëpinë e Naser Thaçit në Han të Elezit, si dhe në shtëpinë Dobruna-Polloshka, kullën e Shain Dulës dhe kullën e Tahsun Beut në Gjakovë.
Ministri ka theksuar rëndësinë e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, duke theksuar se ajo nuk duhet të shihet si një barrë, por si një mundësi e madhe për zhvillim ekonomik dhe turizëm në vend.
“Trashëgimia kulturore nuk është barrë, por mundësi për zhvillim dhe turizëm,” ka shkruar Çeku në njoftimin e tij, duke i bërë thirrje të gjithë aktorëve të përfshirë të vazhdojnë përkushtimin në këtë drejtim./KultPlus.com
Kryeqyteti i Kosovës,Prishtina, është një destinacion i pasur me monumente dhe atraksione kulturore që reflektojnë historinë dhe identitetin e saj. Nga simboli i pavarësisë tek trashëgimia kulturore dhe fetare, qyteti ofron një përvojë unike për vizitorët. Monumentet si Newborn dhe Biblioteka Kombëtare, së bashku me katedralen “Nënë Tereza” dhe parkun arkeologjik të Ulpianës, tregojnë historinë e një kombi në tranzicion, nga periudha romake deri te pavarësia e saj modern,shkruan KultPlus
1.Monumenti Newborn-Ky monument është një simbol i pavarësisë së Kosovës dhe një atraksion kryesor turistik në Prishtinë. Ai ndryshohet çdo vit më 17 shkurt për të simbolizuar ndryshimin dhe përparimin e vendit. Ky monument është një skulpturë tipografike dhe tërheqje turistike në Prishtinë, Kosovë. Është e lokalizuar përballë Pallatit të Rinisë dhe, dhe është promovuar më 17 Shkurt 2008, në të njëjtën ditë kur Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia. Monumenti përmban fjalën angleze “Newborn” në shkronja te mëdha, te cilat janë ngjyrosur me ngjyrë te verdhë të qelët kur monumenti ishte zbuluar për here të pare. Monumenti, më vonë ishte ngjyrosur përsëri me flamuret e shteteve të cilat e njohin Kosovën. Newbornii do të ngjyroset ndryshe qdo 17 Shkurt. Monumenti i tërheqi mediat internacionale për të raportuar pavarësinë e Kosovës, dhe ishte përfshirë dukshëm edhe në faqen e pare të The New York Times.
2.Biblioteka Kombëtare e Kosovës – Një nga ndërtesat më ikonike të Prishtinës me një arkitekturë unike. Biblioteka Kombëtare e Kosovës është një nga ndërtesat më të veçanta të Prishtinës, e njohur për arkitekturën e saj unike, të dizajnuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjakoviq. Ajo luan një rol të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe arsimore të Kosovës. E themeluar nga Kuvendi i Komunës së Prishtinës, biblioteka ka për mision të mbledhë, ruajë, promovojë dhe të bëjë të arritshëm trashëgiminë dokumentare dhe intelektuale të vendit. Ndërtesa e bibliotekës është katërkatëshe dhe përmban 99 kupola, që simbolizojnë dijen. Prej vitit 1999, ajo njihet si Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës, duke shërbyer si qendër kombëtare për mbledhjen dhe ruajtjen e materialeve bibliotekare me vlerë për kulturën, artin dhe shkencën.
3.Katedralja “Nënë Tereza” – Një nga kishat më të mëdha në Kosovë. Katedralja “Nënë Tereza” në Prishtinë është një nga kishat më të mëdha në Kosovë dhe një atraksion i rëndësishëm për vizitorët. E dedikuar për Nënë Terezën, figurën humanitare me origjinë shqiptare, ndërtimi i saj u miratua nga Qeveria e Kosovës në vitin 2007. Ish-presidenti Ibrahim Rugova, një musliman, e propozoi këtë ide. Katedralja u inagurua më 26 gusht 2010, në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës, pavarësisht se ndërtimi i saj përfundoi më vonë dhe shkaktoi disa polemika. Ajo pritet të jetë ndër ndërtesat më të larta në Prishtinë dhe ka pritur ngjarje të rëndësishme, si ekspozita e historisë shqiptaro-austriake në 2015.
4.Parku arkeologjik “Ulpiana”- Një vend arkeologjik që ofron një dritare në të kaluarën romake të rajonit. Ky park është një atraksion i rëndësishëm për të gjithë ata që janë të interesuar në historinë antike të Kosovës. Parku arkeologjik “Ulpiana”, i njohur gjithashtu si Justiniana Secunda, është një atraksion i rëndësishëm që reflekton historinë antike të Kosovës. I themeluar në fillim të shekullit II nga perandori romak Trajan, Ulpiana ishte një qytet i rëndësishëm në Mbretërinë Dardane. Gërmimet arkeologjike kanë zbuluar gjurmë të jetës pararomake dhe ndikimin e popullatës ilire. Qyteti përjetoi lulëzimin ekonomik dhe kulturor në shekujt III dhe IV, por u shkatërrua nga një tërmet në vitin 518. Më vonë, perandori Justinian e rindërtoi dhe i dha emrin Justiniana Secunda. Ky vend ofron një vështrim të vlefshëm mbi trashëgiminë kulturore dhe historike të rajonit.
5.Muzeu ‘Shtëpia e Pavarësisë, dr. Ibrahim Rugova’ – Shtëpia e pavarësisë së Kosovës dhe e liderit të parë të Kosovës së pavarur, Ibrahim Rugova. Ky muze ka rëndësi historike dhe simbolike për qytetarët e Kosovës dhe vizitorët. Muzeu “Shtëpia e Pavarësisë së Kosovës Dr. Ibrahim Rugova” u hap më 2 dhjetor 2007, në përkujtim të 62-vjetorit të lindjes së presidentit Rugova. Ky muze përbëhet nga disa hapësira, përfshirë sallën e konferencave, zyrën e presidentit dhe zyrën e bashkëpunëtorëve të tij. Koleksionet në muze reflektojnë veprimtarinë politike të LDK-së dhe aktivitete të tjera të rëndësishme, përfshirë konferenca të përfaqësuesve të UÇK-së dhe ngjarjet kryesore që udhëhoqën popullin e Kosovës drejt pavarësisë. Ekspozita përmban rreth 100 eksponate, përfshirë zyra dhe pajisje të presidentit Rugova, objekte të bashkëpunëtorëve të tij, dokumente historike si Kushtetuta e Kaçanikut dhe Deklarata e Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu, muzeu përmban fotografi, shirita filmikë dhe dokumente që pasqyrojnë periudhën e pushtetit paralel gjatë regjimit të Millosheviqit (1989-1999)./KultPlus.com
Një grup pune i ngarkuar nga qeveria e kryeqytetit Washington, ka rekomanduar riemërtimin, zhvendosjen ose ndryshimin e kontekstit shpjegues për dhjetëra monumente, shkolla, parqe apo ndërtesa, për shkak se figurat historike që lidhen me to kanë qenë pjesëmarrëse në akte skllavërie ose shtypjeje racore. Në listë janë Monumenti i Xhorxh Uashingtonit dhe Përmendorja e Tomas Xhefersonit.
Disa nga propozimet në raportin e publikuar të martën nuk mund të merren fare në shqyrtim, sepse shumë prej monumenteve dhe statujave më të njohura janë ngritur në truall federal, që është jashtë kontrollit të qeverisë së Washingtonit. Megjithatë, rekomandimet kanë nxitur reagime të ashpra në klimën e një debati mbarëkombëtar mbi historinë racore të Amerikës.
“Për sa kohë që Presidenti Trump të jetë në Shtëpinë e Bardhë, rekomandimet e papërgjegjshme të kryebashkiakes absolutisht as që do të shqyrtohen. Si kryetare bashkie e kryeqytetit të vendit tonë – një qytet që i përket popullit amerikan – asaj duhet t’i vijë turp që sugjeron gjëra të tilla për t’u shqyrtuar,” tha sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany në një deklaratë të martën.
Grupi i punës, i njohur si DCFACES, u formua nga kryebashkiakja e Uashingtonit Muriel Bowser gjatë verës, në atmosferën e një vale protestash mbarëkombëtare mbi atë që protestuesit e quajnë brutalitet i policisë dhe pabarazi racore sistematike që përfshiu edhe Washingtonin. Ajo publikoi të martën një përmbledhje ekzekutive prej 24 faqesh.
Disa nga rekomandimet e grupit priteshin qysh më parë; për shembull, Shkolla e Mesme Woodrow Wilson ka qenë prej vitesh një kandidate kryesore për një ndryshim emri, për shkak të mbështetjes së hapur të Wilsonit për ndarjen racore. Të tjerat janë më të diskutueshme, siç janë propozimet për të riemërtuar shkollat që mbajnë emrat Tomas Xheferson, Benjamin Franklin dhe Francis Scott Key, kompozitori i hymnit amerikan “The Star-Spangled Banner”.
Për statujat dhe monumentet e shumta që ndodhen në truall federal, komisioni i rekomandon zonjës Bowser të kërkojë nga qeveria federale të “heqë, zhvendosë ose ri-kontekstualizojë” monumente të tilla si ai i Xhorxh Uashingtonit, Përmendorja e Xhefersonit dhe statuja e Kristofor Kolombit përballë stacionit qendror të trenit në kryeqytet.
Grupi i punës, në përmbledhjen e paraqitur, shpjegon se është përqendruar tek disa “episode historike kyçe që i skualifikon këto monumente, si pjesëmarrja në skllavëri, racizmi, keqtrajtimi ose veprimet që shtypën barazinë për personat me ngjyrë, gratë dhe komunitetet LGBTQ apo shkelja e Aktit për të Drejtat Njerëzore në Uashington DC.”
Raporti nuk jep hollësi se si do të bëhej “ri-kontekstualizimi”, por kohët e fundit ka pasur rekomandime që në monumentet e Xhefersonit dhe Uashingtonit të shtohen pllaka ku të shpjegohet se ata kanë qenë pronarë skllevërish për një kohë të gjatë.
Zonja Bowser tha të martën se mezi priste të shikonte rekomandimet e grupit të punës, që ajo kishte ngarkuar për të “vlerësuar hapësirat publike për të siguruar që trashëgimia e figurave në fjalë të ishte në përputhje me vlerat e kryeqytetit Uashington”.
Kryebashkiakja Bowser ka shumë pak kompetencë për të kontrolluar atë që ndodh në truall federal. Ajo dhe Këshilli Bashkiak luftuan për vite me radhë për të hequr një statujë të ish gjeneralit të Konfederatës Albert Pike, por nuk patën sukses, sepse statuja ndodhej në truall federal. Në qershor, qindra protestues e rrëzuan statujën ndërsa policia e qytetit mbajti distancë dhe nuk ndërhyri/VOA / KultPlus.com
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar Komunën e Vushtrrisë ku është takuar me kryetarin e Komunës, Bajram Mulakun, me të cilin ka biseduar rreth bashkëpunimit ndërmjet MKRS-së dhe Komunës së Vushtrrisë në fushat e interesit të përbashkët, veçmas për projektet të cilat janë realizuar dhe projektet që janë të planifikuara për të ardhmen në fushën e trashëgimisë kulturore, kulturës, rinisë dhe sportit, përcjellë KultPlus.
Mulaku e informoi ministrin Gashi për fazën se ku kanë arritur investimet e MKRS-së që po realizohen momentalisht në Vushtrri si dhe për aktivitet që organizohen në fushën e rinisë, kulturës dhe sportit në këtë komunë, me 36 klubet që ka Vushtrria. Ai theksoi se Vushtrria është e pasur me objekte e monumente të shumta të trashëgimisë kulturore. Po ashtu, veçoi festivalin “Poeteshat” me një traditë të gjatë, që sivjet do të jetë edicioni i 35-të, e që pritet të organizohet gjatë tetorit.
Në kuadër të investimeve kapitale, në takim u diskutua për projektet konkrete që pritet të hyjnë në planifikim për t’u realizuar në të ardhmen siç janë: ndërtimi i Qendrës së re të Kulturës “Hasan Prishtina”, meremetimi i stadiumit të qytetit, restaurimi i tërësishëm i Urës së Gurit dhe një hulumtim arkeologjik mbi historikun e urës që do të faktojë vërtetësinë e saj.
Në lidhje me këtë të fundit, ministri Gashi, bashkë me kryetarin Mulaku, panë në vend të ngjarjes, gërmimet dhe zbulimin e harqeve të reja që është bërë te Ura e Gurit në Vushtrri, të cilat është duke i zhvilluar Instituti për Mbrojtjen e Monumenteve të Kosovës. Vlerësohet se zbulimi i dy harqeve të reja që është bërë në këtë lokalitet i rrëzon tezat e mëhershme që pretendohej se ura i ka nëntë harqe.
Ardiana Qorraj, udhëheqëse e gërmimeve, e informoi në hollësi për punën restauruese që po bëhet në këtë monument të rëndësishëm të trashëgimisë kulturore jo vetëm të Vushtrrisë por të Kosovës. Në kuadër të restaurimit të urës, si një ndërhyrje emergjente, ka ardhur deri tek zbulimi i harqeve të reja të urës, u shpreh Qorraj.
Ministri Gashi tha se Vushtrria do të ketë vëmendjen dhe përkrahjen e pakursyer të MKRS-së në realizimin e projekteve që janë në realizim e sipër dhe atyre që do planifikohen për të ardhmen. Ai u shpreh se është e nevojshme që të ndërhyhet shpejtë në restaurimin e Urës së Gurit, sepse përpos që është një monument në mbrojtje, ai përfaqëson një identitet dhe një histori në vete për Vushtrrinë por edhe më gjerë.
Gjithashtu, Gashi e Mulaku vizituan edhe Qendrën Rinore i cili është në fazën përfundimtare të ndërtimit, e që do të jetë një hapësirë me standarde moderne për të rinjtë vushtrrias, investim i tërësishëm i MKRS-së, në vlerë prej 275 mijë eurove dhe shtëpinë muze të Mahmut Agë Gjinollit, në të cilat MKRS-ja ka investuar 140 mijë euro. / KultPlus.com