Përtej çdo sfide dhe traume, Mrika Nikçi dhe shkëlqimi i saj që nuk pushon së rrezatuari

Uranik Emini

“Malet janë problem vetëm kur janë më të mëdhenj se ju. Duhet të zhvillohesh aq shumë sa të bëhesh më i madh se malet me të cilat përballesh.”

Një vajzë me ëndrra të mëdha dhe një baba që e mbështet në gjithçka që kjo e fundit bën, deri edhe në thyerjen e rekordeve botërore. Në shikim të parë kjo mund të duket sikurse një hyrje në një përrallë me fund të lumtur. Por, përpos fundit të lumtur, edhe pjesa e një babai që mbështet vajzën e saj në ngjitjen e majave më të larta të botës, është e vërtetë, shkruan KultPlus.

Mrika Nikçi dhe babai i saj, Arianit Nikçi, kishin filluar një mision më 29 janar të vitit 2018, të ngjiten në majat më të larta të shtatë kontinenteve të tokës. E gjithë kjo filloi kur edhe ishin ngjitur në majën Kilimanjaro të Afrikës, një lartësi detare mbi 5800 metra.

Kur bëhet fjalë për rekordet botërore, është sikurse ato janë të projektuara për t’u thyer, sikurse ekziston një shirit i pafund i vendosur në një vend, që sfidon njerëzimin të jetë gjithmonë në krye. Mrika e kaloi shiritin dhe hyri në histori, duke u bërë vajza më e re në botë që ngjitë shtatë majat më të larta apo të njohur ndryshe edhe sikurse “7 summits”.

Në një periudhë prej 17 muajve, Mrika së bashku me babain e saj, ngjitën majat sikurse Vinson, Aconcagua, Mount Everest, Denali, Mali Elbrus dhe Piramida Carstensz, këtë të fundit më 15 gusht të viti 2019, për të hyrë në histori, si vajza më e re në botë që ngjit shtatë majat më të larta në shtatë kontinente.

Jeta e Mrikës si një vajzë e vogël. Ëndrrat e saj të fëmijërisë dhe kalimi në një botë ndryshe, atë të natyrës. Përballjet e përditshme me vdekjen, shoqëria e prania e përhershme e babait në krahët dhe shpatullat e saj, ngjitja e majave më të larta në botë dhe Mrika përtej maleve e realitetin e saj të përditshëm mund ta lexoni më poshtë në intervistën e vajzës së rekordeve.

KultPlus: Kryesisht, si fëmijë ëndërrojmë për gjëra të mëdha, planifikojmë gjëra sikurse jeta është shumë e lehtë përpara dhe arrijmë që të krijojmë një pasqyrë të jetës sonë. Megjithatë, shumë njerëz edhe sikurse fëmijë nuk mendojnë që të futen në librat e historisë dhe emri i tyre të jetë i njohur anë e mbanë botës. Një gjë të tillë, ju e keni arritur në moshën 17 vjeçare, pra ke hyrë në histori duke i ngjitur 7 majat më të larta të botës në shtatë kontinentet. Tani kanë kaluar disa vite por, si kanë qenë ëndrrat e tua të fëmijërisë dhe sa përkojnë ato me realitetin tani

Mrika Nikçi: Kam ëndërruar të garoj për Kosovën në sportin e karatesë si dhe të kem një karrierë të fortë në profesionin e avokates. Si fëmijë asnjëherë nuk kam ëndërruar që një dite do të ngjitem në majën më të lartë të botës, por jetës asnjëherë nuk i dihet, dhe jo rrallëherë ajo ndërron drejtim. Kur ndalova së praktikuari sportin e karatesë, atëherë nisa hapat drejtë ëndrrës së madhe – ngjitja në 7 Majat e botës para se ti mbushja 18 vjet, me ç ’rast thyeja rekord dhe bëhesha vajza më e re në botë të kaloja këtë rekord. Ndërsa sa i përket ëndrrës e së bërit avokate ende jam duke punuar me pasion çdo dite në atë drejtim, pasi edhe po vijoj studimet në fakultetin e Juridikut.

KultPlus: E ke përmendur pjesën që ke qenë e lidhur me natyrën që nga fëmijëria, a ndodhi kjo natyrshëm apo ishte nga imponimi i prindërve tuaj?

Mrika Nikçi: Ju falënderohem gjithmonë prindërve të mi që më mishnuan me bjeshkët tona, ku unë pata mundësinë të bie në dashuri me to.

KultPlus: Eksperiencat e juaja gjatë ngjitjeve të majave më të larta në botë, përfshijnë histori të shumta. Cila është njëra prej historive që ju e veçoni më së shumti dhe nuk do të harroni asnjëherë?

Mrika Nikçi:  Asnjëherë nuk do ta harroj momentin kur së bashku me babain e ngjitem majën e fundit nga të shtatat me të cilën përfunduam sfidën “Seven Summits”. Asnjëherë nuk kam përjetuar emocione më të forta dhe asnjëherë nuk jam ndjerë më shumë krenare me veten time. E nga historitë e shumta që mbaj në bagazhin e këtij rrugëtimi, do e veçoja momentin kur në kontinentin e akulltë të Antarktikut, nga stuhitë e mëdha kishte filluar të më ngrihej hunda sepse kisha harruar ta mbuloja për disa sekonda…

KultPlus: Gjithë ato ecje, gjithë ato ngjitje, gjithë ato rekorde të thyera dhe gjithnjë pas vetes keni mbajtur dy flamurë që i keni ngritur kudo që keni qenë prezent. Si është ndjenja e të bërit krenar një popull të tërë, duke refuzuar në anën tjetër oferta nga shtete të tjera?

Mrika Nikçi: Vetë fakti që kam qenë dhe kurrë nuk do të ndaloj së qenuri krenare për vendin dhe popullin tim, tregon që edhe pse kam pasur ofertë nga vendet tjera, me kënaqësinë dhe mburrjen më të madhe kam valuar dy flamujt tonë, të Republikës së Kosovës dhe flamurin kombëtar të Shqipërisë.

KultPlus: Përpos bisedave të ndryshme që keni pasur me babin e juaj, ju keni planifikuar gjithnjë edhe pjesën më të keqe. Sa është e vështirë që përpara një nisje të ngjitjes së ndonjë maje, të bisedoni për vdekjen?

Mrika Nikçi: Nuk është aspak e lehtë të bisedosh për vdekjen, e sidomos kur ngjitesh me njeriun më të dashur në njërën anë, e pas vetes lë të dashurit tu në anën tjetër, por është mënyra më e mirë për të menaxhuar me veten gjatë ngjitjes edhe nëse do të ndodh një gjë e tillë. Ka momente të shumta që kemi qenë në pozitë shumë të rrezikshme për jetën, dhe gjithmonë kemi qenë te përgatitur se si të veprojmë në situata të tilla, edhe pse malet e larta shpesh kanë plane tjera e të paparashikueshme nga ato që planifikon mendja e njeriut.

KultPlus: Përpos sportit të alpinizmit, ju më herët jeni marrë edhe me sporte të tjera. Cilat ishin këto eksperienca dhe cili është sporti ku “shpirti” i juaj fle më së shumti rehat?

Mrika Nikçi: Kam qenë garuese në sportin e karatesë të cilin e kam praktikuar përafërsisht 9 vite, dhe kam qenë disa herë kampione e Kosovës, si dhe garuese në sportin e skijimit. Por, shpirti më fle më së shumti rehat në ngjitjen e majave të larta, sepse aty kam gjetur 100 për qind të potencialit tim.

KultPlus: Gjatë jetës, njerëzit përballen me marrjen e vendimeve të ndryshme, qoftë ato të hidhura, të dëshpëruara apo edhe të gëzuara. A mund të ndani me lexuesit e KultPlus njërin prej momenteve më të lumtura që ju keni marrë në jetën tuaj dhe a ekziston një i tillë, që ju ka bërë të pendoheni më vonë ose një vendim që pendoheni se nuk e keni marrë?

Mrika Nikçi: Vendimi më i frikshëm të cilin e kam ndërmarr ka qenë ngjitja e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve në moshën 17 vjeçare. Dhe sot me plot bindje them se është vendimi më i mirë të cilin e kam ndërmarrë ndonjëherë, sepse ky vendim më ka sjellë edhe momente të hidhura, edhe të dëshpëruara por që në fund më ka ofruar gëzimin dhe lumturinë e papërshkrueshme.

KultPlus: Merreni me sporte të ndryshme që një kohë të gjatë, por a ka pasur momente kur keni vendosur që të largohesh dhe të mos mendosh për asgjë tjetër? Ose thjesht ka qenë një moment reflektimi dhe më pas gjithçka është rikthyer në normalitet?

Mrika Nikçi: Gjatë ngjitjes së majave ka pasur momente ku kam menduar të dorëzohem, por gjithmonë e kam shtyrë vetën që të mos ndalem. Njëri nga momentet ku seriozisht e kam konsideruar dorëzimin është kur isha duke u ngjitur për kampin 4 të majës Denali, Alaskë dhe trupi im ndaloi së funksionari, por pas disa minutave vendosa të vazhdoj, dhe aty mund të them se i kam shtyrë të gjitha limitet e mija.

KultPlus: Sfida “7 summits” ka pjesën e tretë më të vështirë në botën e alpinizmit, a keni planifikuar që në të ardhmen t’i realizoni edhe dy pjesë të tjera dhe në një lloj mënyre të kompletoni sfidat që ekzistojnë deri tani?

Mrika Nikçi: Kam dëshirë të përfundoj sfidën e quajtur Grand Slam, që nënkupton ngjitja e shtatë majave më të larta të shtatë kontinenteve dhe ecja e Polit të jugut dhe Polit të veriut.

KultPlus: Fakti që ti je një grua, e bën karrierën tënde edhe më të jashtëzakonshme. Kjo pasi gruaja në Kosovë është në diskriminim e sipër dhe arritjet “vihen në hije”, cili është mesazhi i juaj për të gjithë gratë?

Mrika Nikçi: Mesazhi im për të gjitha gratë është që, asnjëherë të mos ndalen, ti ndjekin ëndrrat e tyre, të punojnë fort për realizimin e tyre, të kenë besim në vetvete dhe mbi të gjitha ta mbështesin njëra tjetrën. Së bashku jemi me të forta.

KultPlus: Ne e njohim Mrikën e majave, Mrikën e rekordeve, Mrikën që bëri krenarë gjithë Shqipërinë e Kosovën, por nuk dimë shumë për jetën e Mrikës jashtë alpinizmit. Ju po studioni juridikun, duke ndjekur edhe një herë tjetër hapat e babit juaj, i cili është një avokat, por a ka diçka konkrete me të cilën po merreni tani, e cilat janë gjithashtu edhe planet e së ardhmes në profesionin tuaj?

Mrika Nikçi: Mrika jashtë rekordeve dhe alpinizmit është si çdo vajzë tjetër 21 vjeçare me plot ëndrra dhe pasion për të ardhmen. Krahas studimeve të cilat i kam prioritet për profesionin e së ardhmes, ushtrimeve në vazhdimësi, daljet në natyrë dhe ecja në malet tona, merrem edhe me kompaninë ‘Mrika Seven Summits’, të cilën së fundmi e kemi hapur me babin dhe ofrojmë shërbime të ecjes dhe ngjitjes për turistët.

Në ndërkohë, bëj fushata dhe mundohem të sensibilizoj çështjet që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe dhunën në baza gjinore, si dhe jap fjalime motivuese.

KultPlus: Kohët e fundit, pas ngjarjeve që keni përjetuar, jeni bërë edhe zë i viktimave të ngacmimeve seksuale. Sa e vështirë ishte kjo gjë?

Mrika Nikçi: Kohët e fundit u bëra cak i ngacmimit seksual – ngjarje kjo e cila më ka goditur mjaft. Por, duke qenë krenare me vetveten dhe çdoherë e vendosur, e ngrita zërin në opinion duke i dalë në mbrojtje vëtës dhe të drejtave të mia, sepse e dija qe me këtë sensibilizim pa marrë parasysh pasojat për vetveten, unë qëndroj dhe bëhem zë për të gjitha gratë tjera.

KultPlus: Mesazhi për fund por edhe për vitin 2023. Çfarë pret Mrika në vitin që po vjen dhe cili është mesazhi për vitin që po lëmë pas?

Mrika Nikçi: Mesazhi për vitin 2023 është që të qëndrojmë të fortë përkundër sfidave që na dalin gjatë rrugëtimit jetësorë, ta duam njëri tjetrin, ta ruajmë njëri tjetrin, të ëndërrojmë shumë e të punojmë edhe më shumë e me vetëbesim për realizimin e atyre ëndrrave.

Mrika e sipërfaqi dhe e dëshmoi fjalinë e parë të shkruar në këtë artikull. Madhështia e saj, është më e madhe se një mal, dhe nuk ka maje ose traumë, çfarëdo qoftë ajo, që mund ta ndalë atë. /KultPlus.com

Kina anulon ngjitjen pranverore në Everest për shkak të koronavirusit

Kina për shkak të shqetësimeve të pandemisë ka vendosur ta anulojë sezonin pranveror 2021 të ngjitjes nga ana tibetiane të Mount Everestit, e cila cilësohet si maja më e lartë në botë, ka thënë të shtunën agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua,

Kjo agjenci ka cituar një njoftim të ditës së premte nga Administrata e Përgjithshme e Sportit, e cila vjen  pas një situate të rëndë pandemie, shkruan Reuters, transmeton Klan Kosova, përcjell KultPlus.

Kombi i Nepalit ka aq shumë mungesa të bombolave ​​të oksigjenit saqë u ka kërkuar malësorëve t’i kthejnë bombolat e boshatisura, teksa paraprakisht kishte lëshuar një leje për 408 alpinistë për të ngjitur Everestin në sezonin prill-maj, pas mbylljes së vitit të kaluar.

Ndërsa në të kundërtën, një total prej 21 alpinistësh kinezë kishin siguruar miratimin për ngjitjet e pranverës, ka shtuar kjo agjenci lajmesh.

Nga ana tjetër, të dielën e kaluar media shtetërore kineze ka thënë se Kina do të vendoste “një vijë ndarjeje” në samitin e Everestit, për të parandaluar përzierjen e alpinistëve nga Nepali dhe atyre që ngjiten nga ana e Tibetit, si një masë paraprake.

Përndryshe, Everesti  është ngjitur nga më shumë se 6,000 alpinistë që nga pushtimi i parë i tij nga Edmund Hillary dhe Sherpa Tenzing Norgay në vitin 1953, e ku të paktën 311 njerëz kanë vdekur në shpatet e këtij mali, i cili është i lartë 8,849 metra./ KultPlus.com

Maja më e lartë në botë rritet për gati një metër

Maja më e lartë në botë, Mount Everest, është për 0.86 metra më e lartë se në matjen e fundit zyrtare, kanë njoftuar Nepali dhe Kina.

Shtetet janë pajtuar që lartësia e re është 8,848.86 metra. Deri tash ato kishin dallime nëse duhej të përllogaritej edhe bora në majë.

Matjet e fundit zyrtare të Kinës prej 8844 metrash e kishin vënë majën më të lartë në botë për katër metra më ulët se Nepali.

Everesti qëndron në kufi mes Kinës dhe alpinistët ngjiten nga të dy anët.

Zyrtarët në Ministrinë e Jashtme të Nepalit dhe mbikëqyrës nga dy shtetet kanë arritur pajtim tani për lartësinë e re. Sipas marrëveshjes, matjet e majës më të lartë në Tokë u bënë gjatë vizitës së presidentit kinez Xi Jinping në kryeqytetin e Nepalit, Katmandu, vitin e shkuar. / KultPlus.com

Covid-19 uli ndotjen, Himalajet shihen për herë të parë nga India

Për herë të parë pas 30 vjetësh malet Himalaje janë të dukshme që nga disa pjesë të Indisë, pas rënies së ndotjes së ajrit prej kufizimeve të epipdemisë së koronavirusit.

Rënia e niveleve të ndotjes së ajrit prej kufizimit të aktivitetit ka bërë që banorët e krahinës Punjab të Indisë rreth 200 km larg Himalajeve, të mbushin mediat sociale me pamje të maleve legjendare, me maja të mbuluara me dëborë.

India ka një popullatë prej 1.4 miliardë njerëz dhe vjet ka qenë në krye të listës botërore te ndotjes për qytetet e mëdha.

Por bllokada tashmë prej 21-ditësh në vend ka reduktuar automjetet dhe bizneset aktive, duke reduktuar ndjeshëm nivelet e ndotjes./koha/ KultPlus.com