Nexhmije Pagarusha dhe Demir Krasniqi në Festivalin Ndërkombëtar “Danubi i kaltër” (FOTO)

Nexhmije Pagarusha dhe Demir Krasniqi mbetën dy këngëtar të mëdhenj që i kanë sjellë mjaft këngë të bukura vendit të tyre, shkruan KultPlus.

KultPlus sot ju sjellë një fotografi të këtyre dy figurave të rëndësishme të muzikës shqiptare. Në këtë fotografi ata shihen të veshur me veshje kombëtare, derisa po marrin pjesë në Festivalin Ndërkombëtar “Danubi i kaltër” që mbahej në Novi Sad.

Fotografia është shkrepur në tetor të vitit 1976, ndërsa na e sjellë pamjen e artistëve kur ishin më të ri në moshë atëherë edhe kur lanë gjurmë në muzikë përmes zërit të tyre./ KultPlus.com

Sonte në New York, Gala Koncert për nder të Nexhmije Pagarushës

Koncerti do të përmbajë këngë të artistes së mirënjohur Nexhmije Pagarusha, të interpretuara nëpër vite, ndërkaq në koncert do të vijnë të interprtetuara nga këngëtarë të njohur shqiptarë, shkruan KultPlus.

Me rastin e 17 shkurtit, 10 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, sonte para komunitetit shqiptar në New York do të mbahet një gala koncert, shkruan KultPlus. E organizuar dhe e ideuar nga fotografi i njohur shqiptar Fadil Berisha, koncerti do të përmbajë këngë të artistes së mirënjohur Nexhmije Pagarusha, të interpretuara nëpër vite, ndërkaq në koncert do të vijnë të interprtetuara nga këngëtarë të njohur shqiptarë. Vet Fadil Berisha, për KultPlus thekson se ka qenë ide e mëhershme e tij të sillte të rikomponuara këngët e Pagarushës, gjë që vite më parë u interpretuan në një koncert tjetër nga këngëtarja Aurela Gace. Para publikut do të paraqiten: Linda Halimi, Riad Ymeri, Ergin Oda, Dëshira Ahmeti, Angelo Miho, Agona Shporta, Donika Ukshini Ukaj, Elona Muca, Gjilberta Lucaj, Gjon Krasniqi, Igli Tuga, Leke Salihu, Lindita Mezini Lole, Lori Miho, Mialtin Zhezha dhe Pia Salvia.

Ky koncert është mbështetur edhe nga konsullata e Republikës së Kosovës në Neë Yortk, e vecanërisht nga Konsullja e këtij institucioni – ambasadorja Teuta Sahatqija. Në këtë koncert ishte paraparë që të ishte prezente edhe vetë Nexhmije Pagarusha, por në pamundësi për të marrë këtë rrugë të largët, ajo nuk do të jetë e pranishme në këtë koncert/ KultPlus.com

“Kur një ditë të kthehesh ti”, mrekullia që vjen nga Lindita Halimi dhe Ergin Oda (VIDEO)

“Kur një ditë të kthehesh ti”, është këngë e kënduar nga ikona e muzikës shqipe Nexhmije Pagarusha.

Kësisoj, kjo këngë është kënduar edhe nga këngëtarja kosovare Lindita Halimi bashkë me këngëtarin Ergin Oda, me një performancë në piano nga Lekë Salihu, shkruan KultPlus.

Zëri i mrekullueshëm i Halimit dhe Odës janë kombinuar mjaftë mirë me tingujt e pianos së nxjerrë nga Salihu.

Po sjellim këtë performancë të mrekullueshme e që s’do shumë fjalë në KultPlus:

Kur një ditë të kthehesh ti
i përbuzur nga të gjithë
dhe dëshiron ta kesh pranë, ndokënd afër veti
Mos kërko strehim te unë
se ngrohtësia në shpirtin tim
ka shumë kohë që fluturon për ty në amshim
Kur një ditë të kthehesh ti
dhe e kupton se je fajtor
se unë ende po jetoj pa fat dhe dashni
dhe çka do që tash premton
është shumë vonë për shpresën tonë
për urrejtje dhe dashni për ne të dy….

Robert Aliaj: “E dehur jam” tingëllon sikur këngë greke

Një emision i cili bën bashkë emra të njohur të artit e kulturës në Shqipëri, “Dance with me Albania”, mbrëmë ka realizuar gjysmëfinalen e këtij sezoni.

Moderuar nga Alketa Vejsiu, emisioni mbrëmë ka ofruar disa orë muzikë shqipe ku emra të njohur kanë vallëzuar në spektaklin i cili me këtë format vjen në plot shtete.

Në një moment është vallëzuar me këngën “E dehur jam” nga Nexhmije Pagarusha. Komenti i njërit prej anëtarëve të jurisë, Robert Aliaj, megjithatë ka ngjallur debat.

Pasi me këngën kanë vallëzuar Xhensila dhe Trimi, dy pjesëmarrës në këtë emision, Aliaj ka komentuar.

“Kënduam greqisht, por kërcyem shqip” ka qenë njëri prej komenteve të Aliajt, anëtar jurie në këtë emision. Aliaj, një fytyrë e njohur në Shqipëri, menjëherë e bëri këngën e njohur të Pagarushës një këngë greke, dhe njerëzit kanë komentuar në rrjete sociale rreth këtij deklarimi, shkruan KultPlus.

Në po të njëjtën natë, anëtarja tjetër e jurisë, Valbona Selimllari, ka treguar se të gjithë shqiptarët duhet të jenë krenarë me një zë si ai i Nexhmije Pagarushës, Bilbili i padiskutueshëm i muzikës shqipe. / KultPlus.com

Valbona Selimllari: Kosovarët duhet të jenë krenarë me Nexhmije Pagarushën

Sonte, në spektaklin e vallëzimit “Dance with me Albania”, në Shqipëri, të gjithë pjesëmarrësit po kërcejnë me këngë në gjuhën shqipe.

Emisioni, një format i cili transmetohet në disa shtete të botës ku njerëz të njohur kthehen në valltarë, ka ardhur në Shqipëri me emra si Rovena Stefa apo Aurela Hoxha.

Sonte, në një moment vallëzimi erdhi edhe kënga e Nexhmije Pagarushës – E dehun jam. Ajo erdhi e vallëzuar nga Trimi, një reper nga Kosova, dhe Xhensila nga Shqipëria.

“Të gjithë shqiptarët kudo në botë e pëlqejnë Nexhmije Pagarushën, por kosovarët duhet të jenë krenarë që e kanë” tha Valbona Selimllari, anëtare e jurisë në këtë spektakël, derisa po vlerësonte vallëzimin.

Në të njëjtën natë, të performuara erdhën edhe këngë nga Alban Skenderaj, Miriam Cani e Ardit Gjebrea. “Dance with me Albania” javën tjetër e përmbyllë këtë sezon me një finale ku do të këndohet e vallëzohet nga të gjithë pjesëmarrësit. / KultPlus.com

Kënga e famshme e Nexhmije Pagarushës, KultPlus sjellë edhe disa versione të kësaj (VIDEO)

“E Kujtoj Atë Takim” , është një nga këngët magjepsëse që fillimisht erdhi përmes zërit hyjnor të bilbilit kosovar, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.

“E kujtoj atë takim , me lotët e dashurisë
Jetoj në atë përqafim , që ma dhurove ti”, është pjesë e refrenit që me plot muzikalitet e sjellë Nexhmije Pagarusha, ndërsa më pas u këndua për të satën herë nga këngëtarë e zëra të ndryshëm të muzikës shqiptare.

https://www.youtube.com/watch?v=FZFQamDPNRE
KultPlus ju sjellë edhe pesë versione të kësaj kënge të kënduar nga: Aurela Gace, Yllka Kuqi, Esat Bicurri, Edona Llaloshi, po ashtu kjo këngë vjen edhe nën interpretimin e Eliza Hoxhës dhe Sinan Vllasaliut. /KultPlus.com
https://www.youtube.com/watch?v=ZGAAiaqu-4o

Këngëtarja shqiptare këndon këngën “Baresha” në Itali (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare Hersi Matmuja ka zgjedhur ta këndojë këngën “Baresha” nga Nexhmije Pagarusha në një prej paraqitjeve të saj.

Në një koncert në Itali, Matmuja – e cila ka përfaqësuar Shqipërinë në Eurovizion para disa vitesh, ajo zgjodhi të sjellë në versionin e saj këngën e vështirë shqipe.

Matmuja është e shkolluar në Itali dhe shihet se kur vjen puna te notat akute klasike, ajo nuk ka asnjë problem, shkruan KultPlus.

“Baresha” mbetet ndër këngët vokalisht më të vështira për tu performuar, të cilën para disa vitesh e krijoi Rexho Mulliqi për ta sjellë në jetë zëri i Nexhmije Pagarushës.

https://www.youtube.com/watch?v=kGSIqFTbdLE&feature=youtu.be

Hersi Matmuja është këngëtare shqiptare e cila morri pjesë në Eurovizion në vitin 2014-të me këngën “One Nights Anger”, por nuk arriti të kualifikohej për në finale. / KultPlus.com

“Zoti ma ka dhënë zërin”

“Çil njat zemër plot kujtime…
Aaaaa, atë këngë e dua shumë, shumë! – ma kthen.

Ju lidh me ndonjë kujtim të veçantë? – provoj të ndez bisedën ndërsa ajo ndez cigaren, zë të flasë qetë, me zë paksa të shterur:

Jo jo nuk kam ndonjë kujtim të veçantë, por e dua, se më është përshtatur, e kam kënduar me shumë emocion! Në cilat vite? Eeh, unë datat nuk i mbaj mend, se kurrë nuk kam menduar që datat do t`më vyejnë, nuk kam menduar kurrë se unë paskam bërë një punë shumë të madhe, kjo është arsyeja e vetme, pse, vërtet nuk i mbaj mend. Për punën që kam bërë, Zoti ma ka dhënë zërin. Kam dalë në skenë, kam kënduar dhe jam kthyer në shtëpi. Këto kanë qenë të vetmet momente të jetës sime kur kam menduar në këngën, jo ta interpretoj, se ndryshe është kur ti del para publikut dhe do ti tregosh – ja si këndoj unë, por unë kam kënduar nga shpirti, kurrë skam menduar as si po dukem, as ç’kam veshur. Gjithmonë kam pasur emocione të mëdha, tremë, porse kurrë nuk kam bërë ndonjë ‘kiks’. Veçse një gjë e them, kur kam dalë në skenë unë kam pasur një fuqi mbinjerëzore! Si e tek, as vetë nuk e di….Nexhmije Pagarusha

Marrë nga libri “Ecje nëpër kujtesë” – bashkëbisedim mes Sanije Gashit dhe Bilbilit të Këngës Shqipe – Nexhmije Pagarushës.

Nexhmije Pagarusha: Nuk i ka kënduar kurrkush këngët e mia

Për herë të parë, Nexhmije Pagarusha në Tiranë shkon në vitin 1971. Pak vonë për këngëtaren shqiptare por megjithatë kjo ishte koha kur rrethanat e mundësuan një udhëtim të tillë.

“Atëherë kur hapen pakëz rrugët, kur takohet me këngëtarë në zë të asaj kohe, sidomos me Vace Zelën, me të cilën thotë se e lidhin shumë gjëra të përbashkëta, se kanë shumë ngjashmëri shpirti” tregon Nexhmija kur flet për këtë përvojë në librin e shkruar nga Sanije Gashi – “Ecje nëpër kujtesë”, shkruan KultPlus.

“Me vetë paraqitjen e saj në skenë, Vaçja ka pasur diçka madhështore, ka qenë një mrekulli. Kur e kam parë së afërmi- kam menduar – s’ka krijesë më të bukur, me fjalët që fliste, me atë pasurinë shpirtërore. Fatkeqësisht, nuk kemi mundur të rrinim gjatë së bashku, se, siç e dimë, ishte kohë pa kohë. E kam vizituar edhe në Zvicër, kisha takuar edhe Luçie Milotin, edhe Fitnete Rexhën, tani që të dyja të ndjera. Fitnetja ka qenë një shpirt i madh, këngëtare e madhe, por ka pasur një jetë të rëndë, gjithë vuajtje… Po më vjen mirë që sot këngët e Vaçes po i këndojnë të gjithë këngëtarët. Se, ka pasur vërtet, repertor të pasur! Unë kam një repertor shumë të larmishëm, por s`i ka kënduar kurrkush këngët e mia, nuk e di c`është puna, ndoshta pse nuk kam CD, pse nuk më kanë dëgjuar shumë, veç “Bareshës” e cila ka qenë në long play, e incizuar shumë herët nga Lidhja Turistike e Kosovës (Botim i Beogradit) dhe më vonë, në një audiokasetë të botuar në Shtëpinë e kasetave në Prishtinë, para shumë vjetësh. Përzgjedhjen e atyre këngëve e kanë pas bërë ata të radios, natyrisht që nuk më ka pas pëlqyer, por edhe ka qenë ndaluar shitja e saj! Eh” tregon Nexhmija në një pjesë të bisedës së saj realizuar brenda librit.

Marrë nga “Ecje nëpër kujtesë” – Sanije Gashi.

Si e humbi zërin Nexhmije Pagarusha në Sarajevë, në vitin 1984?

Këngëtarja e madhe shqiptare, Nexhmije Pagarusha, ka një karrierë disavjeçare për tu lakmuar dhe kësisoj ka hyrë përgjithmonë në zemrat e shqiptarëve.

Këngëtarja e “Bareshës”, megjithatë, dikur u zhgënjye për faktin se humbi zërin dhe nuk dha maksimumin e saj në skenë. Kjo do të ndodhte kur kulmi arriti në Sarajevë, në një performancë të sajën kur ajo u kritikua për performancën e saj.

Historinë e tregon vetë Bilbili i Kosovës – Nexhmije Pagarusha.

“Kisha disa vështirësi me zërin kohët e fundit, për çfarë edhe e kisha konsultuar një mjek në Beograd, i cili sa herë që mbaja koncerte atje, vinte bashkë me të shoqen e më nderonte me buqetë lulesh. Më pati preferuar: zonjë, juve ju nevojitet një periudhë qetësie, s`kemi nevojë për ilaçe. Ndërprerja definitive e zërit, ndërkaq, ndodhi në Sarajevë, në Lojërat Dimërore Olimpike 1984. Radio Prishtina më çoi bashkë me orkestrën që të këndoja për mysafirët e ardhur nga e gjithë bota. Këndoja në një lokal që i thonin Hamam Bar, përnatë, dhjetë ditë. Kjo ishte e tepërt për mua, në atë tym duhani. Pastaj, isha nervoze, ngase orkestra zbavitëse nuk dinte të më shoqëronte. Kur erdhi Ansambli Shota, bashkë me Luan Hajrën, u gëzova. Këndova dhe të nesërmen mbrëma me këtë ansambël, gjë që askush në botë nuk do të dilte të këndonte me atë zë që pata atë natë! Por, më vinte keq t`i lija, se ndërmjet pikave kur unë dilja, ata të ansamblit ndërronin gardërobën për paraqitjen e radhës. Ajo natë për mua ka qenë e tmerrshme, disa tone mund ti këndoja, disa jo, ndërsa djersët më shkonin, salla ishte përplot, megjithëkëtë duartrokitnin” tregon Nexhmija në librin e Sanije Gashin – Ecje nëpër kujtesë, derisa flet se si nisi zëri i saj të marrë ngjyrim tjetër shkaku i disa viteve performanca por edhe paraqitjeve në lokacione ku zëri i saj përzihej me tymin e duhanit.

“E kisha një koleg të ri, mik, që studionte në Sarajevë, i cili m`u afrua: Nexhi, ti më kështu nuk bën të këndosh! – E di, i thashë. Dhe kurrë më në jetë nuk kam kënduar! Ishte një mbrëmje e ftohtë, e ftohtë, si dimrat e Sarajevës më. Kjo ishte përshëndetja ime e fundit me skenën, me këngën, me zërin” tregon Pagarusha rreth periudhës kur u largua nga muzika për tu rikthyer vite më pas në një tjetër rrethanë dhe ndihmuar nga miqtë e saj këngëtarë. / KultPlus.com

Çka thanë për njëra tjetrën Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela?

Nuk mund të dalin asnjëherë në peshore, sepse të dyja janë figura që kanë hyrë në historinë e kulturës dhe artit shqiptar.

Njëra me zërin e saj madhështor dhe tjetra me vokalin e saj hyjnor, Nexhmije Pagarusha dhe Vaçe Zela ndër vite i kanë dhënë shikuesit shqiptar emocione të fuqishme, rrahje zemre të forta dhe këngë e performanca gati gati teatrore të cilat vështirë se mund të përsëriten.

Për njëra tjetrën, të dyja kanë thënë fjalët më të mira, lavdet që e çojnë në piedestal njëra tjetrën.
“Nexhmija është një këngëtare e madhe dhe unë kam përjetuar kënaqësinë kur e kam parë për herë të parë në skenën tonë. Ishte një grua e bukur, me një dinjitet të plotë artistik” ka thënë dikur Vaçe Zela për Nexhmije Pagarushën, shkruan KultPlus.

“Ajo ndiente nevojë të madhe shpirtërore të këndonte para spektatorit tonë. Atëherë, te Nexhmija pashë një emocion që e kam vërejtur herë pas here te vetja ime. Zëri i saj ishte një vokal në një lirizëm të ëmbël, kishte shumë kolorit popullor, amtar. Ajo kishte një zemër shumë të madhe dhe unë personalisht e vlerësoj këtë virtyt njerëzor” citohet Vaçe Zela kur përmend talentin e madh të Nexhmijes.

Por edhe Nexhmija – Bilbili i Këngës Shqipe, nuk është kursyer kur ka folur për mënyrën e këndimit të Vaçes.
“Nuk kam parë shkëlqim më të bukur që del nga shpirti i njeriut se tek Vaçe Zela” thotë Nexhmija kur pyetet për Vaçen.

https://www.youtube.com/watch?v=kYD5dtQjGNY

“Nuk di çtë them me fjalë se çka ka qenë ajo në shpirtin tim, në jetën time. Si këngëtare, për mua ka qenë krejt diçka tjetër” është shprehur Nexhmije Pagarusha kur ka marrë lajmin për vdekjen e Vaçe Zelës. / KultPlus.com

Nexhmije Pagarusha: Kur e dëgjoj Inva Mulën nuk mund të vij në vete!

Nexhmije Pagarusha është ndoshta personazhi shqiptar për të cilën është shkruar aq shumë e vetë ajo nuk dëshiron të intervistohet në këto vitet e fundit.

Pagarusha, zëri i kristaltë i shqiptarëve, në një intervistë me Sanije Gashin për librin e saj “Ecje nëpër kujtesë – tregime jete të grave me karrierë” tregon se si u krahasua me këngëtaren e madhe Maria Kallas dhe se si gjithmonë e ka dashuruar zërin e Inva Mulës.

“Kur e dëgjoj Inva Mulën, nuk mund të vij në vete. Kam kënduar shumë evergreen dhe të gjitha në shqip…. Këta të Radio Kosovës kanë mbledhur shumë këngë të mia. Ndoshta pse tani kam kohë ti analizoj, natyrisht, gjej aty-këtu të mos më pëlqejë ndonjë takt, ose se do të mund ta këndoja ndryshe etj. I dëgjoj me kënaqësi, por nganjëherë mërzitem, thjesht, nuk mund ti dëgjoj fare” tregon Bilbili i Këngës Shqipe kur flet me Sanije Gashin, shkruan KultPlus.

Pagarusha ka një karrierë edhe në performimin e klasikëve si Verdi e Betoveni, incizime të cilat kanë humbur dhe prandaj nuk na e kanë lënë neve trashëgimi ta dëgjojmë Nexhmijen në ajkën e muzikës në përgjithësi, në muzikën klasike.
Megjithatë, opera është edhe sot e pranishme në notat e bukura të këngëve që i ka kënduar ndër vite Nexhmija. Kush mund ta mohojë se kënga “Baresha” nuk është një provë se Nexhmija ishte këngëtare madje edhe operistike, një artiste e denjë e notave dramatike muzikore?
Ajo tregon se si dirigjenti Oliver Ristiq, para rreth 40-të vitesh, e krahasonte Nexhmijen me Maria Kallasin – këngëtaren e madhe të operës.

“Ku je Kallasova (Maria Kallas), e mua më vinte turp, ulja kokën e kaloja. Dhe një ditë ishte ide e tij që ta bënim një koncert me muzikë klasike… Na angazhoi mua, soprano, Qazim Dushkun e ndjerë, bariton, Mile Jovanoviqin dhe Jordan Nikoliqin, tenorë” vazhdon tregimin Nexhmije Pagarusha, këngëtarja e madhe shqiptare.

Në këtë koncert, i cili me gjasë nuk i ka shpëtuar incizimeve ose nuk është incizuar kurrë, Nexhmija këndoi “Ah perfido” nga Betoveni, pjesë nga “Traviata” bashkë me Jordanin dhe “Madame Butterfly”. / KultPlus.com