“Enigma” e kodit të dashurisë

Besnik Mustafaj: “Fati i marrë”, roman. Botoi “Onufri”, Tiranë 2023.

Nga Jusuf Buxhovi

Enigma e dashurisë është vetë dashuria. Ajo nuk ka kod, meqë nuk do të ishte dashuri. Kështu parafrazon Markezi dashurinë në romanin e njohur “Dashuria në kohën e kolerës”. Shkrimtari Besnik Mustafaj, në romanin e tij më të ri “Fati i marrë”, sikur të mos i besonte Markezit, ngreh çështjen e një enigme te një dashurie, e cila kohësisht ka dy pamje (njëra në mesejte dhe tjetra në shekullin e kaluar), siç ka edhe dy personazhe historike të ndërthurura në përjetimin e saj imagjinativ (Gjergj Kastriotin-Iskander beun me të bijën e Hunijadit hungarez, Idunës dhe të Benjamin Disraelit, kryeministër britanik me Hanën, një malësore nga Veriu shqiptar).

Në përputhje me prosedeun tashmë të njohur të Mustafajt nga tre romanët e fundit, ku participimi imagjinar i shkrimtarit në ndërtimin e rrëfimit ndërthuret me anticipimin nga veprat e botuar (këtë herë novela “Historia e një mushke”) me ç’rast madje ai kthehet edhe në personazh, kërkimi i “enigmës” së dashurisë paralele: asaj mesjetare (Gjergj Kastrioti-Iskander beut me Idunën hungareze) dhe të Benjamin Disraelit me Hanën malësore, mbështetet mbi dilemën si moto të veprës se ç’i bashkoi këto martesa aq të largëta, cilat interesa fshiheshin para tyre e të ngjashme, të cilat ndiqen fillimisht nëpër rrugë historike (lufta e Skënderbeut kundër osmanëve e vetmja asokohe ndër popujt e pushtuar, dhe më vonë nëpër ato politike, nga koha e Kongresit të Berlinit e deri te pavarësia e Shqipërisë), që për referencë kanë pikëtakimin e shqiptarëve me britanikët në planin kulturor, diplomatik dhe shtetëror.

Natyrisht se në këtë vorbull të dashurive paralele, shkrimtari ndërthur personazhet historike jashtë fakteve historike, kështu që në dashurinë mesjetare shohim Gjergj Kastriotin-Iskander beun, pas takimit me Huniadin, para se të largohet nga beteja e njohur e Nishit, fillimisht të dashurohet me të bijën e mbretit hungarez, Idunën dhe mandej edhe të martohet (pas një konflikti me shumë intriga me princin grek Niketa). Ndërsa në dashurinë e vonshme, shohim kryeministrin pritanik Benjamin Disraeli, me Hanën, gjatë qëndrimit në kullën e Resulajve, në kërkim të zbardhjes se një vrasjeje midis krushqve të familjes Resulaj me një tjetër te një urë kur “nga krenaria” nuk pranojnë t’ia lëshojnë rrugën njëra-tjetrës. Në këtë histori tragjike, që për Disraelin e kohës së rinisë, duket fare e pabesueshme, Hana shfaqet si urë që lidh dashuritë, përkundër asaj të malësisë, që për arsye të pakuptimta për të huajt, shkatërron dashuritë deri në tragjicitet. Leja që Hana të shkojë me të huajin me arsyetimin thuajse mazohist të bashkëshortit “që ajo të jetë e lumtur” (shpjegimi i të cilit gjendet te impotenca), dashuria e tyre rrugës si dhe martesa para se të shkojnë në Londër, në dukje të pakuptueshme për sjelljen e një familjeje fisnore patriarkale, ndërtojnë rrëfimin e një romance ndër më të parëndomtat, që është në gjendje t’i krijojë vetëm imagjinata krijuese, gjë që arsyetojnë referenin e dilemës “si mbiu ashtu papritur në zemrën e kryeministrit britanik Benjamin Disraeli dhe të mbretëreshës Viktoria kjo dashuti e pakufijshme për Shqiptarët”, mbi të cilën ndërtohet edhe i gjithë koncepti i romanit.

Hapjën e kësaj enigme dhe dilemat që e përcjellin atë, ku ecuria e zbërthimit të saj ngrihet mbi supozimin, në dukje të një interesi politik, por që porosia përfundimtare le për të kuptuar afrinë kulturore dhe shpirtërore mbi konceptet e civilizimeve të njëjta, për të cilat edhe luftohet, siç ndodh me atë të Gjergj Kastriotit me hungarezin Huniad kundër osmanëve, shkrimtari e ka mbështetur në dy plane rrëfimtare, në dukje kohësisht të shkëputra: nga Pëkthyesi M. B. dhe Historiani D.D.

Përkthyesi M.B. në pjesën hyrëse, shfaqet “si një intrigues” i rrëfimit në raport me vetë shkrimtarin, ku edhe ndërtohet pasazhi mesjetar i dashurisë së Gjergj Kastriotit-Iskander beut me Idunën, princeshën hungareze. Përqendrimi i përkthyesit te vepra “Naltësimi i Iskanderit” dhe “ngjashmëritë” me “Historinë e mushkës”, në të vërtetë paraqesin reminishenca të historisë kulturore, shpirtërore dhe shoqërore të një shoqërie perëndimore, që arsyetojnë sjelljen e Skënderbeut nga pasha i njohur osman te kundërshtari i pushtimeve osmane, ku Shqipëria dhe shqiptarët ngritën në nivelin e një shëmbëllese ndër më të fuqishmet e kohës.

Ndërsa te Hitoriani D.D. një shqiptar, pinjoll i një familjeje të vjetër në Tiranë, të nderuar nga një brez në tjetrin dhe njëri nga nxënësit më të mirë të gjimazit “Sami Frashëri”, i cili do të vazhdojë studimet në Britani të Madhe ku edhe do të mbesë përgjithmonë, me nënshtetësi britanike, i integruar tërësisht në mentalitetin kulturor, intelektual dhe politik të Mbretërisë së Bashkuar, kemi pjesën e dashurisë së Benjamin Disraelit me malsorën Hana dhe martesën e tyre në Londër, kur ajo do të shfaqet si njëra ndër damat më të njohura të lozhës politike të kohës.

Kështu, Përkthyesi M.B. dhe Historiani D.D. ndërtojnë kornizën e tërësisë së veprës, në të cilën argumentet historike vihen në shërbim të fakteve jetësore (shoqërore, kulturore dhe poltike) që i prodhon pikërisht historia, gjithnjë si mesazhe në kuadër të realiteteve jetësore.

“Shkëputja” nga historia dhe inkuadrimi i tyre imagjinativ në narrativen e veprës, ku përsëritjet e ngjarjeve (martesat mbretërore në mesjetë dhe në rrethanat e krijimit të shteteve në shekullin e kaluar), në rastin e dhënë të martesës imagjinatave të kryeministrit britanik Benjamin Disraeli me malësoren Hana, ndërton tablonë e simbolikës mbi të cilën qëndron edhe pragmatizmi politik i kohës në raportet e shqiptarëve me rendët mbretërore (ai britanik), si një faktor historik, i një kujtese nga lashtësia mbretërore dardane, maqedone, epirote dhe ajo e Skënderbeut, ku edhe mund të zbërthehet enigma e kodit të dashurisë midis një kryeministri britanik dhe një malësoreje shqiptare, si një avanturë që del jashtë koncepteve shoqërore dhe kulturore të kohës në njërën ose në tjetrën anë, por si të tilla, antagonizmi i kthen në monument letrar?…

Në fund, duhet thënë se, Mustafaj, romancën e dashurive historike, të parën e llojit të tillë në letrat tona, slilistikisht e brumos me filigraniznin e njohur nga romanët e fundit, gjë që veprës i jep një peshë të veçantë artistike. / KultPlus.com

Epistemologjia e diktaturës

-Besnik Mustafaj: “Fajtori”, novela. Botoi “Onufri”, Tiranë, 2022.

Nga Jusuf Buxhovi

Proza më e re e shkrimtarit Besnik Mustafaj do të mbetet e shënuar për dy momente prosedeale. Së pari, për shfaqjen e shkrimtarit, me emër e mbiemër (Besnik Mustafaj, diplomat) – si personazh. Dhe së dyti, për tri novela, që ndonëse të ndara, formësojnë triptikun e epistemologjisë së diktaturës në përmasat që deri më tani nuk janë parë në prozën tonë të kësaj natyre.

Momenti i parë, pra shfaqja e shkrimtarit në rolin e personazhit (diplomat në Paris) thyen konvencat e rrëfimit në vetën e parë, apo në vetën e tretë. Në novelën e parë “Fajtori” dhe në të dytën “O tempora!”, ambasadori Besnik Mustafaj kthehet në bartës të konstruimit të ngjarjes.

Në rastin e parë, tek rrëfimi i një emigranti nga Shkupi në Paris (Hamza Sinani), si kronist, ambasadori Besnik Mustafaj, merr përsipër shpalimin e një intrige jetësore e kthyer në politike, siç ishte ajo e miqësisë së Hamza Sinanit me akademikun maqedonas Hristovski, më vonë ambasador i Maqedonisë në Francë, nga dosjet e policisë jugosllave, e shëndurruar në një konstrukt prej nga Hamza Sinani kthehet në “një armik” të Jugosllavisë titiste. E gjitha do të mbetej ad acta po që se pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe krijimit të shtetit maqedonas, nuk do të promovohet në “patriot”, pra në kundërshtarë të regjimit jugosllav, paçka se nuk ka qenë i tillë. Ndaj Hamza Sinani nuk do pajtohet me atë epitet të shpifur për nevoja të politikës ditore dikur dhe tash, gjëqë do të kërkojë “shpëtim” nga “ndërhyrja” e shkrimtarit!

Ndërsa në rastin e dytë, në novelën “O tempora!”, gjithnjë si ambasador i Shqipërisë në Francë, ballafaqohet me dramën e intelektualit Zenel Meça, i burgosur politik (i akuzuar si spiun francez), që si përkthyes i njohur nga frëngjishtja, sjell të përkthyera në shqipe disa nga veprat madhore të letërsisë franceze. Drama e Zenel Meçës, nuk ka gjithaqë të bëjë me burgun prej dymbëdhjetë vitesh dhe internimit të rëndë. Përkundrazi, ajo shfaqet tek vitet e tranzicionit ( mbi tridhjet sosh), që nuk e lirojnë as nga paranoja e frikës dhe as që e kthejnë në “njeri të lirë”. Përkundarzi, Zenel Meça, ka probleme të mëdha me “lirinë e papërdurshme”, me “lirinë e pavlerë”, me vetminë e papërballueshme dhe të tjerat e atij lëmshi deri në atë masë sa të kërkojë azil në Francë, për të vdekur atje!

Është kjo njëra ndër ironitë më të faktuara të kësaj natyre në letrat tona, ku viktima e diktaturës nuk ia del të lirohet nga ndrydhja e shpirtit, në rrethanat e reja, që doemos kërkojnë përshtatje shpesh edhe të pandershme, ku shpesh viktimizimi konvertohet në “heroizëm”, kthehet në një pasaportë për përfitime të pamerituara. Gjendja e re dhe pamundësia të lidhet me të, neveria që i sjell ajo, Zenel Meçës i kthehen në një pasthirrmë shpëtimi ndaj një gjendje të pakthyeshme, siç ishte ajo e rinisë dhe edukimit të lirë në Paris, gjatë kohës kur i ati ishte ambasador i parë i Mbretërisë Shqiptare në Francë.

Ndonëse “rrëfimet” e Hamza Sinanit nga Maqedonia (si shtetas francez) dhe ato të Zenel Meçës nga Tirana locohen në Paris, ku ambasadori Besnik Mustafaj merr përsipër rrëfimin e Sinanit “ta kthejë në një histori”, ndërsa rastin e Zenel Muços ta përcjell në raport me këmbënguljen e përkthyesit shqiptar që përballë autoriteve franceze të nxjerr të vërtetën se nuk ishte agjent francez, siç ishte dënuar në Tiranë, megjithatë, dramat e tyre kthehen në Maqedoni dhe në Shqipëri. E para, gjatë përndjekjes politike të shqiptarëve kur ata angazhoheshin për barazi dhe identitet kombëtar dhe se në mungsë të saj shumëkush kërkon shpëtim në emigrim. Ndërsa e dyta, në gulagun shqiptar, ku doktrina ideologjike kishte kthyer në armiq çdo gjë, çdo vlerë të brendshme dhe të jashtme, pa kursyer edhe çrrënjosjen e dinjitetit njerëzor deri te përmasat e paparashikueshme!

Dioptria e shkrimtarit këtu (ambasadorit Besnik Mustafaj), nxjerr në pah qëndrime që bien ndesh me konvencat e njohura shoqërore dhe politike në botën shqiptare, kur në njërën anë paradigma e diskursit “të mërgatës së qyqes”, saora anbllok kthehet në “patriotizëm dhe atdhedashuri”, dhe në tjetrën anë, pasqyron absurditetin e abrakadabrës shpirtërore shqiptare në rrethanat e tranzicionit, me ç’rast ndërrohen edhe pozicionet midis viktimës dhe xhelatit e anastjellatas! Të dy këta personazhe ngrejnë çështje të ndërlikuara të moralit të pamoralshëm brenda një shoqërie e cila ndryshimet nuk i sheh si mundësi çlirimi të konvertohe në liri të plotë me gjithë korpusin e vlerave që përfshin ajo, por në një mundësi për përfitime ndër më të ultat, e ku dalin në pah anët më të liga njerëzore! Këtu dhe te këto çështje, me një filigranizmëm të jashtëzakonshëm, shkrimtari nxjerr në pah përmasat e psikomatikës së diktaturës shqiptare, ndër më të egrat e kohës.

Meqë pasoja pa shkak nuk qëndron siç nuk mund të ketë shkak pa pasoja, por që letrarisht këto raporte qoftë edhe të zhdrejta mund të shfrytëzohen për pasqyrimin e dramave të brendshme të përmasave të thella, këtë e arsyeton novela e fundit “Fabrika për prodhim armiqsh”, si një lajtmotiv i asaj që mund të quhet edhe triptik.

Edhe te kjo novelë, ndryshe nga diskurset e trajtimit të temave të tilla nga sfodi i diktaturës dhe tranzuicionit të papërfunduar, të shumtën bardh-zi dhe me prirjet skajshmërisht diskredituese-përfituese, shkrimtari, këtë herë, jo si Besnik Mustafaj, por si rrëfyes i natyrshëm, nga brenda, kapë trekëndëshin më të ndërlikuar të institucionit ideologjik të diktaturës: sigurimin e shtetitit me mekanizmin e inkuizicionit, inkuizicionistët si dhe viktimat e shumta. Në të vërtetë, raportet midis Abdi Golemit – drejtues i Sigurimit të Shtetit, të birit Dashnorit (Dashos) dhe bashkëshortës, janë raporte tejet makabre brenda për brenda një familje, ku i ati, Abdi Golemi, jashtë çdo kodi moral, njerëzor dhe prindor madje, ku mbrojtja meçdokusht e fëmijës është çështje gjenetike, për të fshehur një skenar të të infiltrimit të tij në “radhët e diversantëve”, të brin, bashkë me të ëmën, e dërgon në një kamp pune, ku qëndron katër vjet. Kthimi i familjes në normalitet, pas kryerjes së misionit dhe shpalljes “hero”, në të vëretetë i hap udhën dramës që ndërtohet brenda për brenda mospajtimit të të birit me të atin, dramë kjo që do të kthehet në një armiqësi të përhershme midis tyre, po edhe armiqësisë së të birit me diktaturën dhe mekanizmat e saj jo mbi baza ideologjike po të metodologjisë së shkeljes së të gjitha parimeve njerëzore, ku sakrifikohet edhe familja për qëllime të tilla të sistemit!

Ndonse novela ka titull sugjestiv (Fabrika për prodhim armiqsh), me çka shpjegohet karakteri i një shoqërie të tillë që për ta forcuar diktaturën dhe për ta mbajtur atë prodhon armiq të përhershëm edhe nga radhët e veta, megjithatë, shkrimtari përqendrohet pikërisht te pasojat që nxjerrin në pah dramën e thellë brenda për brenda mekanizmave të diktaturës, ku konfliki babë-bir merr përmasat më çnjerëzore, deri në atë masë sa i biri dëshiron gjenetikisht të mos jetë i lidhur me babën. Ndërsa i ati, kur sheh prirjen e të birit kundër diktaturës dhe mekanizmave të saj, pra kur e sheh se mund t’i kthehet në “kob”, kërkon mbrojtje duke e shpallur të të çmendur! Shpalljen e të birit “të çmendur” e bën që ta mbrojë vetën nga kafshimi i pashmangshëm i sigurimit të shtetit. Nga ana tjetër, çertifikata mjekësore si i çmendur me të cilën do të pajiset, për t’u mbrojtur nga burgosja, Dashoja e di se është për mbrojtjen e të atit prej të birit dhe armiqësive të tij ndaj regjimit, ngaqë mekanizmi i sigurimit të shtetit që drejton ai, është orvellian, përfshinë të gjithë, madje edhe bartësit e tij, siç do të ndodhë në të vërtetë, me fatkeqësinë e kurdisur të komunikacionit ku ai humb jetën bashkë me shoferin.

Eleminimi i tillë i të etë, Dashon do ta lirojë nga ndjenja e ndërgjegjes së papastër për shkak të tij në krye të një mekanizmi vrastar, siç do ta lirojë edhe nga “certifikata e të çmendurit”, për t’iu kthye sado kudo jetës së “njeriut të lirë”.

Por, pikërisht kthimi i përkohshëm në realite dhe ndjesia e lirisë pa damkën e të çmendurit, do t’i kthehet në kob, kur do të burgoset me aktakuzën e “armikut ideologjik”. Këtë akuzë të pritshme edhe do ta pranojë pa kurrëfarë kundërshtimi. Madje edhe si satisfakcion që shpirtërisht kishte qenë i privuar prej shfaqjes së saj nga “mburoja” e të atit, por që e gjitha do t’i përmbyset me atë që hetuesi do t’ia thotë troç se fatkeqësia e komunikaconit kishte qenë e kurdisur nga vetë sigurimi i shtetit, që “heroi” i gjallë të mbrohej nga “tradhtia” e të birit, që doemos do të burgosej!

Dashoja, pra me ato që do t’i thuhen nga hetuesi: “Ti, bastard i ndyrë, vrave babain tënd, heroin tonë. Këtë nuk ta falim kurrë”, nga i vrari duhet të kthehet në vrasës! / KultPlus.com

Dashuria midis vuajtjes dhe besnikërisë

Besnik Mustafaj: “Vera pa kthim”, roman. Botoi “Ora”, Tiranë 2002.

Nga Jusuf Buxhovi

Nëse “alibia” e ngjashmërive “të rastësishme” letërsinë e mbronë nga anatema e identifikimit të personazheve me realitet që atë mund ta kthejnë në një akuzë publike, megjithatë paradigma e “përsëritjes së ngjarjeve”, në romanin e Besnik Mustafajt “Vera pa kthim”, koherencën e kthen në një realitet jetësor thuajse të gjithëkohshëm që përthekon dramat e brendshme të ndikuara nga faktorët e shoqërorë-politik (në rastin konkret diktatura naziste, por që më tepër mund të jetë edhe ajo komuniste) ku dashuria kthehet në një stigmë “të pamundur” një në si ndëshkim makabër, ndërsa besnikëria “e panevojshme”, meqë “vetëm shkatërron njeriun”.

Romani, ndonëse duket se krijon stigmën e dashurisë dhe të besnikërisë në një raport “shkatërrues për njeriun” në rrethanat e pamundësimit të saj nga ndërhyrjet nga jashtë (përfundmi i Gorit në kampin nazist, që përkon fund e krye me kampin e diktaturës komuniste në Shqipëri), siç shfaqet ajo e rikthyer në një kujtesë e Sanës ndaj Gorit, që lehtë mund të cilësohen edhe për të kundërtën (varësisht nga këndvështrimi i leximit të tyre), megjithatë tragjicitetin e saj si reminishencë shpirtërore mbi të cilin mbështetet i gjithë prosedeu i rrëfimit romanesk, e ndërton mbi paralelizmat midis të shkuarës, që thuajse e përjashton të sotmen, ku edhe përjashtohet fare e nesërmja, paralelizëm ky i një obsesioni apoliptik të jetës pa dashuri ose me dashuri të mbikëqyrur? Në këtë trekëndësh kohor: të së djeshmes ( gjuhë e Gorit), të sotmes së Sanës (kujtesës), dhe të nesërmes, që përjashtohet fare nga ballafaqimi i të parës me të dytën, ku e djeshmja, thuajse në tërësi e mbizotëron të sotmen dhe e heq fare të nesërmen, pra ardhmërinë, mbindërtohet aspekti i përsëritjes së të njëjtës, si një filozofi, që sikur krijimtaria (në rastin tonë letërsia) i jep legjitimitet të plotë dhe të përhershëm vetëm aspektit të mbizotërimit të së keqes mbi të mirën, të urrejtjes mbi dashurinë si çështje që kanë preokupuar krijimtarinë nga antikiteti e deri te koha jonë . Në këtë aspekt, dy personazhet e këtij romani të Mustafajt, Sana, që nëpërmes kujtesës dhe “rikthimit të saj” imagjinar pas dekadash i referohet një dashurie “si mburojë shpirti” kur asaj “do t’i kalojë edhe koha”, gjëqë flet për një tragjicitet të skajshëm dhe, Gori, i cili “flet në të kaluarën”, jo vetëm që e demitizojnë besnikërinë, (ngaqë ajo kthehet në një kujtesë që venitet nga koha), por nxjerrin në pah faktorët real që atë e rrënojnë në tërësi (diktaturën fashiste) dhe e kthejnë në një viktimë të realitetit të trishtë jetësor, siç ishte edhe ai i jetës së Gulagut në diktaturën evneriste-staliniste në Shqipëri. Madje, për lexuesin që sado pak është i ngarkuar me këtë realitet të përjetuar apo të dëgjuar, epilogu (përfundimi i Gorit në kampin gjerman) disa ditë para se ai të çlirohej nga antifashistët, përjetohet si një realitet i komunizmit shqiptar dhe i kampeve të tij famkeqe ku kanë përfunduar tragjikisht ëndrrat, dija si dhe dashuria njerëzore, për t’ia lëshuar vendin dehumanizimit si një sindrom rrënues që edhe sot e gjithëditën me të madhe po e përcjell botën shqiptare në planin socio-kulturor dhe politik madje. Ndaj, vlerësimet, që romanit mund t’i vinë nga jashtë, ku nuk mungojnë edhe ato “te një Penelope shqiptare”, që pret dashurinë e të ngjashme, tretën kundruall realitetit shqiptar, ku edhe dashuria si çdo gjë tjetër e vlershme vritet nga diktatura dhe përmasat e saj çnjerëzore, pa gjasa që ajo të rikuperohet në rrethanat e ndryshimeve të mundshme…

Megjithqë, ky “epilog” që edhe është i pritshëm aty ku fatet e dashurisë dhe ato të përgjithshme njerëzore deri te përmasat e tragjikes më absurde përcaktohen nga faktorët politikë dhe ata të vetëdijes totalitare që ngritën në piramidat e pushtetit, është pasqyrimi brilant i kësaj ndjenjeje, që te Sana fiton një dimension ndër më të fuqishmit në letërsinë tonë të kësaj natyre. Autori, me filigranizëm, nxjerr në pah atë tragjikë që dashurinë e kthen në vuajtje të thellë gjithëkohore dhe gjithnënjerëzore, ndërsa dashurisë, tragjikja i atribuohet si një fatum i madhështisë së saj, si një zhdëmtim për besnikërinë ndaj saj?… / KultPlus.com

Refleksioni “kundër” narracionit

Nga Jusuf Buxhovi

Proza më e re e Besnik Mustafajt “Një roman i pamundur”, me atë që e quan sprovë, ndonëse formalisht hap “konfliktin” e vazhdueshëm midis narracionit dhe refleksionit si qasje e prosedeut krijues, praktikisht ngre dilemën e misionit që i ngarkohen veprës, që nuk është që në nuk mund të zgjidhen, por që, për autorin, zgjidhja sikur i bën të pazgjidhshme në kuadër të stereotipeve të krijuara nga dogmat ideologjike! Kjo, madje, theksohet, në fund të librit me atë se “vendimi për ta shkruar romanin shtyhet përsëri, si e vetmja zgjidhje për ta shmangur shtratin e Prokrustit”.

Me këtë, sikur pranohet se edhe më tutje, krijuesi i nënshtrohet anatemës së paragjykimeve morale pa marrë parasysh rrethanat, dhe se, i mbet atij që, të luftojë këtë.

Në të vërtetë këtu dhe të kjo çështje fillojnë dilemat e autorit, që përshkojnë fund e krye veprën të shumtën me premisat e një eseu-amallgam, që edhe mund të përkojnë me atë të “ndjekjes së autorit nga personazhet”, pse janë të pakënaqur me të, ose pse dëshirojnë të duken ndryshe (krejt njëjtë), siç i ndodhin Pirandellos. Por, në këtë rast, ndjekja kthehet në një paradigmë, meqë personazhet (Gjyshja, Shog Sokoli dhe Dren Ceka brenda një qarku kohor prej afër një shekulli, që i lidh tragjedia e gjenocidit serb), me sjelljet thuajse të pakuptueshme kur ndodhën të ballafaquar me tragjicitetin makabër (Shog Sokoli kur këndon para burrave që hapnin varrin e përbashkët, ose Dren Caka, fëmijë dhjetë vjeçar, kur thotë se ndoshta motra do të kursehej nga vrasësit, që para syve ia kishin pushkatuar bashkë me nënën dhe dhjetëra të tjerë në shtëpinë e tyre, po qe se do ta din se ajo kishte ditëlindjen e dytë), autorin e mundojnë deri te shkalla e obsesionit pse nuk përkojnë me shabllonet folklorike e as me ato të “heroit” dhe të “armiqve” në anën tjetër, por as me ato që personazhet të kthehen në patllake me të cilat qërohen hesapet historike.

Këto dilema, megjithatë, sikur gjejnë shpjegimin, siç e pranon me sinqeritet autori, tek shpërputhjet midis botëkuptimit “prej shtetasit komunist” dhe “shkrimtarit shqiptar”, që nënkuptonte dogmën socrealiste dhe pasojat e njohura, me ç’rast ajo e “misionarizmit” ishte kryesorja. Këtu kuptohet edhe hezitimi i autorit që t’i qaset sinopsisit të një proze, nga “kohët e hershme”, që mbetet fletë e bardhë!

Në këtë kontekst mbase duhet kuptuar edhe përcaktimin e autorit që, që pas vite e vite mundimesh me një sinopsis letrar, pra pasi që të ketë përfunduar diktatura komuniste, përmes refleksionit të nxjerrë në pah diskursin midis traumës shoqërore dhe politike e cila në rrethanat e diktaturave komuniste, nëpër të cilat ka kaluar autori gjatë formimit është dashtë t’i nënshtrohen logjikës së urdhrit nga veprimi deri te mendimi, kapërcim ky që sipas Çesllav Milloshit paraqet arketipin e krijimit të botëkuptimi ideologjik, si dogmë, që përcakton të gjitha, pra edhe të të menduarit, me çka fillon ajo gjendja e robërisë së vullnetshme fizike dhe shpirtërore.

Këtu dhe te kjo pikë, refletkimet e autorit si kundërnarracion i mbajnë peng personazhet e skicuar emblematikisht të ngujuar brenda për brenda enigmës së veprimit pse ata edhe në situatat më tragjike sillen thuajse pakuptimisht (këndojnë, siç bën Shog Sokoli, ose mendojnë për “mirësinë” e vrasësve, siç pandeh Dren Ceka për motrën dyvjeçare).

Mbajtja e personazheve në nivel të skicimit si dhe reflektimi për rrethanat që paraqesin viktimat e një gjenocidi mbi një shekullor të serbëve ndaj shqiptarëve, nga reflektimi esejistik, shpalos shkakun dhe pasojat tragjike për shqiptarët, por jo edhe dramën e saj shumështresore, që kërkon pikërisht narracionin. Ndaj, është edhe e kuptueshme që dilemat me të cilat ata rrethohen, mbesin në suazat e një reflektimi.

Sidoqoftë, sprova e Besnik Mustafajt, si reflektim, dimensionin tragjik historik, atë të sjelljes gjenocidiale të serbëve ndaj shqiptarëve gjatë njëqind vjetëve të fundit, si dhe pamundësinë e kthimit të saj në një narracion të njëmendtë letrar, e ndërlidh me mbetjet apo ngarkesat që ka lënë diktatura komuniste dhe shabllonet e saj rreth misionarizmit në kuadër të dogmës socrealiste, që shkel lirinë krijuese dhe integritetin moral të krijimtarisë. Në këtë aspekt, Mustafaj, është ndër shkrimtarët e paktë të gjeneratës së vet, që është kritik dhe autokritik ndaj kohës dhe rrethanave nëpër të cilat ka kaluar.

Andaj, “Një roman i pamundur”, paraqet një reflektim esejistik katarsis, të domosdoshëm për shoqërinë tonë në rrethanat e tanzicioneve të turbullta… / KultPlus.com

Shënohet 100 vjetori i themelimit të PEN International

Në kuadër të bashkëpunimit kulturor Shqipëri-Kosovë, PEN Qendra e Shqipërisë dhe PEN Qendra e Kosovës, sot në Tiranë shënuan 100 vjetorin e themelimit të PEN International.

Me këtë rast u zhvilluan një varg aktivitetesh letrare dhe u ndanë çmime dhe mirënjohje për vepra dhe veprimtari letrare.

Fjalë mbajtën znj. Entela Kasi, kryetare e PEN Qendrës së Shqipërisë dhe z.Binak Kelmendi, kryetar i PEN Qendrës së Kosovës.Gjithashtu, z.Besnik Mustafaj, paraqiti kumtesën 100- vjetori i PEN-it International.

Në kuadër të aktivitetit u nënshkrua Akti i Marrëveshjes për themelimin e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë ‘PEN'( Shqipëri- Kosvë), i cili do të mbahet një vit në Prishtinë, pastaj vitin pasues në Tiranë.

Në këtë përvjetor çmimi për vepër letrare iu nda Ibrahim Berishës për veprën me tregime “Aroma e qiellit” dhe Besnik Mustafajt për veprën “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin”, ndërsa me mirënjohje të veçanta u nderuan: Milazim Krasniqi, Avni Spahiu, Sadik Bejko dhe Mal Berisha.

Gjithashtu, u zhvillua një diskutim i gjerë për përkthimin e letërsisë shqipe në gjuhë të ndryshme të botës, me ç’rast referuan Avni Spahiu dhe Ben Andoni. Më pas, u promovua revista letrare dhe kulturore “PEN Kosova”, ku fjalën e paraqiti kryeredaktori i saj, Osman Gashi.

Ditën e dytë, aktivitetet letrare dhe kulturore do të vazhdojnë në Lezhë. / KultPlus.com

Romani “Një sagë e vogël” i Besnik Mustafaj, një dramë e madhe tronditëse e burgut në tri pamje

Nga Jusuf Buxhovi

Përshtypje

JETA – BURG DHE BURGU – JETË!

Besnik Mustafaj: “Një sagë e vogël”, roman. Tiranë, 1995.

Të kalosh çaste leximi me romanin “Një sagë e vogël” të Besnik Mustafaj, do të thotë të përjetosh thuajse deri në mizori dramën e madhe tronditëse të burgut në tri pamje, që autori, në parathënien që mund të merret edhe si prolog, i quan “tri nyje” te një fatumi, ngaqë hija e burgut ka rënduar vazhdimisht si në ankth i verbër, i pakuptueshëm, që megjithatë vetë rrëfimi në tri pjesë, i viktimave të tre brezave, e zbërthen dhe e bën tejet “të kuptueshme” deri aty saqë të krijohet pamja e një rrethi vicioz, ku në Shqipërinë e shekullit të fundit, jeta paraqet burg dhe burgu jetë!
Ky dimension tepër tragjik, nëpërmes dramës së tre gjeneratave të viktimizuara, shfaq anamnezën më të thellë të kësaj problematike në letërsinë tonë nëpër të cilën ka kaluar Shqipëria e regjimeve të satrapëve dhe diktaturave, tematizimi i së cilës nuk është se nuk është prekur, por rëndom nga dioptria e ndonjë “disidence”, e pragmatizmave ideologjike ose e ndonjë “hakmarrjeje” e të viktimizuarve, e parë nga këndvështrimi personal, nuk ia ka nxjerrë në pah dimensionin e saj jashtë dramave të vërteta dhe të thella, që e kanë ngarkuar shoqërinë shqiptare me fatkeqësi, pasojat e të cilave edhe sot e gjithëditën vazhdojnë të ndjehen.

Këndvështrimi i Mustafajt, nuk është i fokusuar vetëm te diktatura dhe mekanizmat e saj të njohur, ku burgu paraqiste një mjet i pashmangshëm për mbajtjen po edhe për krijimin e njeriut të zhvlerësuar deri në palcë, pa identitet dhe dinjitet elementar madje, ku i përcaktohet çdo gjë, edhe jeta intime. Përkundrazi, autori përcaktohet që “saga e burgut” fillimisht të kapet nga dimensioni socio-etik për te ai socio-politik për t’u përmbyllur me atë jetësor gjithnjë si pasojë e lidhur me shkakun. Kjo qasje shfaq edhe karakteret në raport me burgun po edhe atë që shfaqet si “mentalitet i burgut”, i cili, në rastin e parë, siç ngjet me gjyshin e Lulit Omer Hutën, ka të bëjë me trimërinë si virtyt i shoqërisë patriarkale, që megjithatë bie në kundërshtim me normat dhe rendin që i imponon shteti autoritar çastin që ai shfaqet si kapërcim nga njëra gjendje shoqërore në tjetrën, pra nga ajo e pushtimit tek shteti, ku kundëthëniet e çlirimit me lirinë vazhdojnë në planin e brenshëm. Ndërsa në rastin e dytë, viktimizimin e nipit dhe mbesës (Lulit dhe Lindës), lidhet me kohën e diktaturës, jo nga ndonjë fajësi e tyre, por me konceptin e njohur të mbikëqyrjes së individit deri te përmasat absurde dehumanizuese, që për nga pasojat, ua kalojnë edhe atyre të Gulagut, pra ku vuajtja fizike përdoret si mjet për disiplinim dhe shkatërrim në masë!

Por, ajo që është veçori e kësaj sage “të vogël” për nga faqet por të madhe për nga trajtimi, të veçantë nga rrëfimet e ngjashme dhe madje krejt të ndryshme, ka të bëjë me dimensionin e një të vërtete, të paparë ose të anashkaluar, se “jeta e burgut” kthehet në “burg të jetës” dhe, madje, dimensioni i dytë, përfshinë edhe mekanizmat e saj të brendshëm deri aty sa edhe ata, të identifikuar thellësisht me të, çastin që ai mungon, qoftë edhe te kohët kalimtare, ndjehen viktima “të lirive”! Personazhi i Hyqmet Hidit, gjyshit të Lindës, një gardiani me stazh nga burgu i mbretit te ai fashist, mungesa e burgut, kur ai do të thyhet pas kapitullimit të fashizmit dhe ikja e të burgosure nga ai, do t’i kthehet në një opsesion deri aty sa jetën pa burg dhe të paburgosur si dhe shtetin pa burg, ta marrë për fatkeqësi personale po edhe shoqërore, gjë që paradigma e kësaj fatkeqësie, bashkë me ato të viktimave anbllok të diktaturës, veprës i jep një fuqi të jashtëzakonshme pasqyruese, që atë e radhit ndër veprat më të realizuara të letërsisë shqipe. / KultPlus.com

Mustafaj: Këtu respektohet pushteti më shumë se dija, politikani më shumë se shkrimtari

Forca apo mendja? Pushteti apo dija? Arti apo politika? Dilemat e përhershme kanë gjetur në shoqërinë shqiptare një përgjigje që tregon shumë për natyrën dhe karakterin tonë, duke bërë të arrijmë në përfundime të trishta, siç arrin edhe shkrimtari Besnik Mustafaj, kur flet në rolin e ish-ministrit.

“Unë e kam vënë re që te ne, respektohet më shumë politikani se shkrimtari dhe këtë e vrua re kur ika nga ministria e më thanë, si ikën për të shkruar romane”, tha ai, transmeton KultPlus.

Në një takim letrar mbajtur në kuadër të Festivalit Kryqat e Minaret e Ngurta, ai sjell përplasjen dije a forcë, me shembullin e rrëfyer nga Eqrem Bej Vlora, për xhaxhallarët e tij dhe një krahasim mes eposit shqiptar dhe antikitetit grek.

“Eqrem Bej Vlora, tregon te ‘Kujtimet’ e tij, historinë e dy xhaxhallarëve të vet. Njëri që sillej keq me ata që punonin për të dhe tjetri që ishte i shkolluar dhe ndërtoi për Vlorën një spital dhe rrugën e Skelës. Eqrem bej Vlora tregon se i thoshin që se mos i ngjan atij budallait, dhe budallai ishte ai i shkolluari që i bëri dhuratë qytetit një spital e një rrugë. Respektonin më shumë atë të dajakut”.

Mbi shoqerinë dhe perceptimet, ai ravijëzon edhe raportin e gjuhës shqipe me erosin.

“Kam dashur të di se sa mundësi gjuha shqipe të jetë në prozën për erosin. Duhet të dimë që erosi ka qenë tabu te ne, sepse vinim nga një shoqëri feudale që më pas ishte bërë shoqëri komuniste dhe në të dyja, erosi ishte tabu”.

Takimi u mbajt nga Qendra Kombëtare e Librit dhe u moderua nga drejtoresha Alda Bardhyli. / KultPlus.com

Koliqi, Camaj vs çmitizuesit

Shkruan: Besnik Mustafaj

Javët e fundit ka dalë në qendër të vëmendjes së opinionit tonë publik një debat lidhur me jetën ekstraletrare të dy prej personaliteteve më të rëndësishëm të letërsisë sonë kombëtare, Ernest Koliqi dhe Martin Camaj. Shkak u bë një shkrim i një askushi, i quajtur Auron Tare, botuar në portalin “Peizazhe të fjalës”.

Kanë qenë të shumtë ata që iu përgjigjën autorit. Pjesa më e madhe e tyre, të motivuar vetëm nga emocionet, iu kthyen Auron Tares me të njëjtën gjuhë që kishte përdorur edhe ai, domethënë, spekulative, sharëse, revanshiste. Por, fatmirësisht, pati edhe mjaft dijetarë, të cilët morën penën për të treguar se bëhej fjalë për një shkrim diletant, mediokër, falsifikues faktesh, qesharak në sytë e një historiani, sepse pa asnjë themel shkencor e as metodik, një shkrim thjesht spekulativ e provokativ, i cili nuk meritonte asnjë vëmendje. Pa qenë aspak cinik, do të kisha thënë me kënaqësi se ky rast duket sikur ka ngjallur megjithatë një tërheqje të re, plotësisht të merituar, drejt veprës letrare të Koliqit e të Camajt. Shpresoj se kjo tërheqje do të vazhdojë e do të sjellë një përqendrim të vërtetë të lexuesit të sotëm shqiptar te kjo vepër madhore.

Gjithsesi, do pranuar se Auron Tare ia arriti njërit nga qëllimet e tij kryesore: të zienin thashethemet rreth emrit të tij, pavarësisht cilësimeve poshtëruese, që i shtoheshin më së shpeshti nga pas. U botua, madje, edhe një fotografi e tij nga pranvera 1997, ku ai, – produkt kulturor i shkollës ushtarake – me kallashnikov në dorë, shfaqet në Vlorë (sipas atyre që e botuan) me pjesëtarë të bandës së Zanit. Pandjeshmëria e tij morfologjike ndaj sharjeve e fyerjeve shpesh të skajshme, nxit ta përfytyrosh si një njeri pa sedër e pa nder. Me vjen ndër mend një tjetër orvatje e tij, në të njëjtin stil, për të cilën kam shkruar në librin tim me ese “Bishti i kometës”. Në dhjetor 2011, një nga televizionet tona kombëtare më të rëndësishme transmetoi me disa vazhdime një intervistë të Auron Tares me një ish-emigrant politik çek në SHBA, të quajtur Robert Buchar. Të paktën me këtë identitet na u paraqit i intervistuari, sipas të cilit përmbysja e sistemit komunist në lindjen europiane ishte mirëfilli zbatim i një projekti politik të Juri Andropovit, paraardhës i Gorbaçovit në krye të Bashkimit Sovjetik dhe më parë shef jetëgjatë i KGB-së. Sipas këtij Robert Buchar, Katovica, e përfolur shpesh edhe në mediat shqiptare, ishte gjithashtu një etapë e këtij plani.

Duke u ndalur më gjatë në historinë e vendit të tij të origjinës, Republika Çeke, ky farë Robert Buchar thoshte, pa iu dridhur syri, se Vaclav Havel dhe të gjithë bashkëpunëtorët e tij, që bënë në Pragë revolucionin e kadifenjtë, ishin agjentë në shërbim të KGBsë. Ky pohim i padëgjuar vinte posaçërisht për publikun shqiptar, pikërisht nëpërmjet mikrofonit të Auron Tares. Dhe intervista, jo rastësisht, publikohej pikërisht më 11 dhjetor, në 22-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike. Ka edhe raste të tjera, më pak të zhurmshme se kjo intervistë apo sulmi kundër Koliqit e Camajt, ku Auron Tare, ky sovjetik i vonuar, por konsistent, përpiqet, me aq sa ka në dorë, të hedhë baltë mbi lëvizjet popullore dhe protagonistët e tyre, të cilat sollën lirinë në gjysmën e Europës. Sepse unë, edhe kontributet letrare e kulturore të Ernest Koliqit pas Luftës së Dytë Botërore dhe ato të Martin Camajt deri në fund të jetës i shoh tërësisht të integruara në angazhimin e palodhshëm kulturor të disidentëve të emigruar polakë, çekë, rusë, hungarezë, kontributi i të cilëve do të ishte pararendës i përmbysjeve historike të shënuara në fund të viteve ‘80. Në afat të gjatë, historia pa dyshim që do t’i hedhë në koshin e plehrave këto lloj shllapashitjesh alla Auron Tare. Mëdyshja tani është nëse duhet t’u kushtojmë vëmendje dhe kohë për t’iu përgjigjur flakë për flakë. Duke u marrë me sojin e Auron Tares, kam përshtypjen se gjithsesi biem pak në kurthin e tij. Por edhe duke e shpërfillur si të mos ekzistonte, ka rrezik gjithashtu ta ndihmojmë atë në rolin për të mbjellë konfuzion në mendjen e një pjese të opinionit publik, atij “të palexuarit”, siç shprehet në këtë rast njëri nga polemikët seriozë.

Sidokudo, spekulimet dhe falsifikimet e Auron Tares nuk do të arrinin te lexuesi pa botuesin e tij, në këtë rast Ardian Vehbiu. Parë nga interesi publik, më duket se këtu shfaqet një problem më vete dhe që është i mprehtë. Tani së fundmi, fare pak kohë para botimit të shkrimit të Auron Tares, Ardian Vehbiu u pranua anëtar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Ai jeton në Nju Jork dhe rregullorja e detyron të jetë anëtar i jashtëm. Por në përmbajtje kjo nuk ndryshon asgjë në statusin e tij. Ai ka të gjitha të drejtat dhe privilegjet e një anëtari të brendshëm, përjashtuar pagën mujore. Në parim, çelja e derës së Akademisë së Shkencave shënon, për një njeri të librit, kurorëzimin e një ngjitjeje jo të zakonshme në rrugën e dijes, të shkencës apo të artit e të letërsisë, me kusht që kjo rrugë të jetë e pandarë nga interesat e kombit. Pra, anëtarësimi në Akademinë shqiptare të Shkencave është njëherësh edhe vlerësim i madh moral, sepse parakuptohet medoemos edhe si mirënjohje e veçantë, sipërore nga ana e kombit për shërbimet e shquara, që akademiku i ka kryer me veprën e tij.

Më duket me vend të shtrohet në këtë rast pyetja se çfarë vepre ka Ardian Vehbiu për ta merituar këtë nderim të lartë? Dhe sa kjo vepër u ka shërbyer interesave thelbësore të kombit? Fjala është për një bilanc të domosdoshëm, i cili do ta përligjte zgjedhjen e tij në Akademinë e Shkencave. Edhe pse i ka kapërcyer të gjashtëdhjetat, Ardian Vehbiu nuk është dalluar absolutisht për asgjë as në fushën e dijes, as në fushën e kërkimit shkencor dhe as në atë të letërsisë. E vetmja gjë pak a shumë e dukshme për një publik të caktuar, e lidhur me emrin e tij, është portali “Peizazhet e fjalës”. Dhe, në fondin e këtij portali, i cili ekziston prej disa vjetësh, më të zhurmshmet kanë qenë dhe mbeten fejtonet e pandërprera kundër shkrimtarit më të shquar shqiptar, Ismail Kadaresë, nën mbulesën e çmitizimit.

Unë nuk jam kundër procesit të çmitizimit. Përkundrazi. Pra, kjo që po them nuk ka të bëjë aspak me vlerësimin që mund të ketë secili akademik për libra të veçantë apo edhe për krejt veprën e një shkrimtari, qoftë ky edhe Ismail Kadare. Por çmitizimi, sipas kuptimit që del nga botimet në “Peizazhet e fjalës”, ka synuar të godasë në vazhdimësi Ismail Kadarenë për veprimtarinë e tij ekstraletrare. Po ky argument, “çmitizimi”, është përdorur si justifikim nga Ardian Vehbiu edhe në rastin e botimit të sulmeve ndaj Ernest Koliqit dhe Martin Camajt. Çmitizimi, në kuptimin që postmodernizmi i jep këtij koncepti, synon në thelb të analizojë mirëfilli me mjetet dhe metodat e estetikës një vepër të caktuar letrare apo edhe një korpus të tërë të imponuar ndaj opinionit publik në një periudhë të dhënë të historisë me mjetet e politikës apo të pushtetit, apo edhe nga rrethana të tjera gjithnjë ekstraletrare, për t’i dhënë kështu kësaj vepre vendin që ajo meriton në peizazhin letrar kombëtar apo edhe ndërkombëtar. Unë besoj se kaq gjë Ardian Vehbiu e di. Spekulimi i tij me “çmitizimin” është krejt i vetëdijshëm dhe i shënjestruar me kujdes. Ai fsheh qëllime të tjera, aspak estetike, dashje pa dashje të përfytyrueshme për një person të zakonshëm privat, por të papajtueshme me figurën publike të një akademiku.

Nuk po bëj hamendje fantaziste lidhur me prapamendimet që motivojnë pronarin e portalit “Peizazhet e fjalës”. Vetë Auron Tare pranon publikisht me një qetësi, që vetëm ai mund t’ia lejojë vetes, se nuk e njeh fare veprën letrare të objektit të hulumtimeve të veta arkivore, domethënë veprën letrare të Koliqit e të Camajt dhe se nuk ka interes për të. Pyetja më e thjeshtë në këtë rast është: Atëherë, çfarë çmitizimi po synon ai me gërmimet e tij selektive? Po botuesi (akademik), që është prapa tij, në shërbim të çfarë çmitizimi e ka vënë veten? Një tjetër shqiptaro–amerikan, profesor universiteti diku në SHBA, Gëzim Basha, i cili një pjesë të kohës së vet ia kushton me shumë fisnikëri promovimit të vlerave të letërsisë shqipe, si atyre klasike, edhe atyre bashkëkohore, ushtruar ky promovim edhe si çmitizim, i përfshirë parimisht në këtë polemikë, portalin në fjalë e quajti “Pezhishkat e fjalës”. Ai kishte parasysh pikërisht rolin e botuesit në mbështetje të përbaltjes së personaliteteve të kulturës tonë kombëtare, rol ky që nuk mund të jetë aspak neutral. Ndërsa Akademia e Shkencave (tempulli), në reagimin e saj as mish, as peshk, nuk tha asnjë fjalë lidhur me rolin e njërit prej anëtarëve të saj në këtë përdhosje, duke shpërfillur faktin bazik deontologjik se veprimtaria publike e akademikëve nuk mund të jetë kurrsesi çështje e tyre private. /Panorama /KultPlus.com

Mustafaj: Sikur votuesit shqiptarë të lexonin më shumë, do të ishin më të kthjellët kur të hidhnin votën

Jeta Zymberi

Penda e tij dallon. Ajo shkrihet në letër në mënyrë magjike duke i dhënë mundësi lexuesit të ketë në dorë një vepër me periudha dramatike, personazhe me rrëfime transparente e përshkrime që të marrin me vete. Politikan, diplomat, përkthyes dhe shkrimtar i njohur shqiptar, Besnik Mustafaj është edhe “Autori më i mirë i vitit 2019” me romanin e tij “Dëmtuar gjatë rrugës”. Penda e tij ka bërë që kritika dhe lexuesit të dinë t’ia veçojnë veprën. Mustafaj është po ai i njëjti që refuzoi dy herë postin e ministrit. Por, si ambasador, ai arriti të përmbushte disa qëllime për vendin e me të cilat ishte fort i lidhur shpirtërisht. Sot, kur ai i është përkushtuar plotësisht librit dhe dëshirës që lexuesi ta përqafojë veprën e tij, lumturia më e madhe për të është lexuesi gjithmonë në rritje. Jo vetëm në vepër, Besnik Mustafaj është i mrekullueshëm edhe në intervista. Kësaj radhe, për KultPlus na ka shpalosur shumë nga vetja. Rëndësia e vlerësimit si autor i vitit, komunikimi i veprës me lexuesit, lidhja emocionale me veprat, kontributi në politikë, votuesi apo lexuesi për të, e shumë çka tjetër Mustafaj shpalos në këtë intervistë ekskluzive për KultPlus.

Besnik Mustafaj

KultPlus: Me motivacionin: “Për përshkrim plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike, ende të pranishme dhe të gjallë në mendjet e njerëzve, ravijëzimin plot ritëm poetik, estetik dhe të besueshëm të personazheve dhe rrëfimin transparent të zvetënimit të individit në një shoqëri totalitare”, ju u zgjodhët “Autori më i mirë i vitit 2019” me romanin “Dëmtuar gjatë rrugës”. Sa ishte i rëndësishëm ky çmim për ju dhe a e prisnit?

Besnik Mustafaj: Përtej dyshimeve të mia të fshehta, unë jam i sojit të shkrimtarëve që besojnë fort te vlera e veprës së vet. Në këtë kuptim, duke e ditur që libri ishte në garë, unë sigurisht që e prisja të isha fituesi. Por e prisja siç pritet realizimi i një dëshire. Rëndësinë e vërtetë të këtij çmimi e zbulova pasi e fitova. Pasqyrimi i gjerë që pati në media solli pikërisht ndikimin e dëshiruar: tërheqjen e lexuesve. Doli që botuesi im, “Toena, nuk ishte i përgatitur për këtë ndikim pozitiv të çmimit. Ai u detyrua të bënte me urgjencë një ribotim për t’iu përgjigjur kërkesave të shumëfishuara të lexuesve që donin të përfitonin edhe nga prania ime në Panairin e Librit për ta marrë romanin me firmën time. Kjo është lumturia më e madhe për një shkrimtar.

KultPlus: Romani “Dëmtuar gjatë rrugës” u vlerësua në Panairin e Librit dhe po vazhdon të vlerësohet e kërkohet nga lexuesit, a mund të na zbulosh diçka nga romani për të gjithë ata që janë kureshtar dhe janë në pritje për të lexuar?

Besnik Mustafaj: “Dëmtuar gjatë rrugës” synon ta tregojë sistemin komunist parë me sytë e atyre që e mendonin veten në anën e këtij pushteti. Fjala është për njerëzit e thjeshtë, jo për ata që e ushtronin pushtetin. Një nuseje malësore i kërkohet të bëjë një palë opinga tradicionale që do t’i dhuroheshin Hrushovit gjatë vizitës së tij në Shqipëri në maj 1959. Më pas, kur Shqipëria del nga orbita e Bashkimit Sovjetik, ky fakt bëhet shkak për një paranojë torturuese që e shoqëron fshehurazi këtë grua gjithë jetën. Është pra një roman mbi frikën dhe ndikimet e saj brejtëse si acidi mbi shpirtin e njeriut e që çon në përfundimin se një regjim represiv nuk mbështetet në asnjë rrethanë mbi dashurinë, qoftë kjo dashuri e një pjese të popullit, por vetëm mbi frikën.

KultPlus: Veprat tuaja janë përkthyer në shumë gjuhë si frëngjisht, gjermanisht, italisht e greqisht, por në cilën gjuhë, pas shqipes, konsideroni se vepra juaj ka komunikuar më mirë me lexuesin?

Besnik Mustafaj: Romanet dhe esetë e mia janë botuar deri tani në më shumë se dhjetë gjuhë. Me kënaqësi e them se kudo janë pritur dhe vazhdojnë të priten mirë nga kritika letrare serioze. Lidhur me komunikimin me lexuesin e huaj, ndoshta duhet thënë se më i plotë është në Francë, duke pasur parasysh se në këtë gjuhë kam tetë botime të gjinive të ndryshme. Përfitoj nga rasti të tërheq vëmendjen tuaj edhe në një aspekt tjetër. Përkthyesit letrarë nga shqipja në botë janë të rrallë. Madje, në më të shumtën e gjuhëve edhe mungojnë fare. Kështu shpesh del nevoja që autorët shqiptarë të përkthehen nga një gjuhë e dytë. Kjo ka ndodhur gjerësisht me Kadarenë. Ka ndodhur ndonjëherë edhe me mua. Është një lëshim i padëshiruar nga shkrimtari. Por që duhet bërë për të mos penguar përhapjen e veprës. Kadare ka dhënë versionin frëngjisht për përkthime të tilla. Unë parapëlqej versionin italisht. Përkthyesja ime në këtë gjuhë është Caterina Zuccaro, për veten e saj poeteshë dhe gazetare, që do të thotë se italishten e shkruan shumë mirë. Si përkthyese ajo ka edhe një përparësi: është arbëreshe. Kultura që ka marrë ajo në gjuhën e nënës, besoj unë, e ndihmon shumë për ta kuptuar dhe ndjerë më mirë në brendësi tekstin tim. Fakt është se gazetat më të mëdha italiane, duke folur për librat e mi, kanë dhënë vlerësime shumë të larta për cilësinë e përkthimit të saj.

KultPlus: Keni shkruar shumë vepra dhe thuhet që veprat e veta një autor nuk mund t’i ndajë. Por me cilën vepër jeni më shumë i lidhur emocionalisht ?

Besnik Mustafaj: Nuk është fjala për t’i ndarë veprat në të rëndësishme e më pak të rëndësishme. Por unë besoj se autori ka gjithsesi marrëdhënie emocionale të ndryshme me secilën nga veprat e tij. Këto marrëdhënie nuk përcaktohen nga gjykimi i ndryshëm që ka autori lidhur me vlerat artistike të njërës apo tjetrës nga veprat, por nga arsye krejt të tjera. Unë, për shembull, kam një dobësi të veçantë për “Vera pa kthim”. Është romani i parë që kam shkruar. Isha 27 vjeç. Deri atëherë kisha shkruar poezi dhe artikuj nëpër gazeta. Asnjë përvojë në prozë. Suksesi i tij i menjëhershëm më dha besimin e nevojshëm në vete për të vazhduar të shkruaj prozë në përgjithësi e posaçërisht romane. Por ky është edhe romani im i parë i përkthyer jashtë. Konkretisht në Francë. Pritja e mirë që gjeti atje i çeli rrugën përkthimit të veprave të tjera, duke më dhënë kështu lexues që vinin nga kultura krejt të ndryshme nga kultura ime si autor dhe kultura e personazheve të mia. Kalimi i veprës në gjuhë të tjera shënon edhe kalimin psikologjik të shkrimtarit nga mjedisi lokal në mjedisin global. Është një hap shumë i madh përpara për autorin. Kjo ndjehet sidomos kur shkrimtari vjen nga një gjuhë e vogël, siç është shqipja.

KultPlus: Kur shkruani, vepron më shumë imagjinata apo keni edhe histori të vërteta?

Besnik Mustafaj: Të gjitha romanet e mia, pa asnjë përjashtim, nisen nga fakte të vërteta, të cilat i kam lexuar diku, dëgjuar rastësisht apo në ndonjë rast edhe jetuar. Ato pastaj bëhen pronë e imagjinatës time dhe shtjellohen gjatë procesit të shkrimit për t’u shndërruar në realitet letrar.

KultPlus: Një shkrimtar nuk është gjithmonë i gatshëm të shkruaj. Të shkruarit ka të bëjë më tepër edhe me frymëzimin. Kur shkruani ju më shumë?

Besnik Mustafaj: Më duket se Garcia Marquez ia ka dhënë shumë mirë përgjigjen një pyetjeje të ngjashme. Ai thotë se frymëzimi është vetëm akti i lindjes së veprës në imagjinatën e autorit. Vazhdimi, domethënë shkrimi, është punë, shumë punë, në vetmi, me një disiplinë të hekurt. Qysh kur kam braktisur gjithçka për t’ju kushtuar me kohë të plotë letërsisë, shkruaj rregullisht në mëngjes, nga ora tetë deri në orën njëmbëdhjetë. Pasdite, nga ora pesë deri në shtatë dhe pastaj në mbrëmje, pas darkës e deri vonë pas mesnate, shkruaj zakonisht artikujt apo gjëra të tjera pa lidhje me romanin apo esenë, që kam në duar. Këtu futet edhe kjo intervistë, që po shkruaj për ju. Ose lexoj. Sepse, të them të drejtën, kënaqësinë më të madhe ma jep leximi.

KultPlus: I bazuar në librin tuaj “Vera pa kthim” është realizuar edhe filmi “Inane” me regji nga Besnik Bisha. Si e keni pritur këtë realizim? A mendoni që e ka përfaqësuar veprën tuaj në mënyrë dinjitoze?

Besnik Mustafaj: Ky është filmi i dytë që bën Besnik Bisha mbështetur në romanet e mia. Më parë ka bërë “Maocedun“, skenarin e të cilit e kam shkruar unë, sipas një kapitulli të romanit tim “Daullja prej letre”.
Ndërsa për “Vera pa kthim” nuk pranova të bashkëpunoja si skenarist. Si autor nuk e përfytyroja dot këtë roman të përshtatur në film. Por i lashë dorë të lirë Bishës të bënte veprën e vet. Kur e pashë filmin, mbeta shumë i kënaqur. I shkrova një sms Anila Bishës, e cila luan protagonisten. “Sana jote është më misterioze se Sana ime”,- i thashë. Është, në gjykimin tim, një film që e nderon kinemanë shqiptare.

KultPlus: Pasi u larguat nga politika, deklaruat se nuk jeni më në kërkim të votuesve, por në kërkim të lexuesve. Gjatë kësaj kohe a keni ardhur në përfundim nëse është më vështirë të gjeni votues apo lexues?

Besnik Mustafaj: Ka më shumë se dhjetë vjet qysh kur e kam shpallur këtë slogan. Pra, kam pasur kohë të mjaftueshme për të parë në realitet si janë gjërat dhe për të arritur në përfundimin se është shumë më e vështirë të gjesh lexues se votues.
Por e them me bindje se, sikur votuesit shqiptarë të lexonin pak më shumë, do të ishin më të kthjellët e të vetëdijshëm kur hidhnin votën e nuk do ta lejonin veten të manipulohen shpesh si dele nga politikanët. Nuk di çfarë mund të bëjmë që votuesit ta kuptojnë se shpëtimi i tyre mendor kalon doemos përmes leximit të librave të mirë.

KultPlus: Sot është e vështirë të refuzohet një post si ai i ministrit, është lakmues për shumicën, por ju e refuzuat dy herë një post të tillë, cilat ishin arsyet?

Besnik Mustafaj: Arsyet lidhen me karakterin tim. Zakonisht marr përsipër vetëm gjëra për të cilat jam i sigurt se nuk dështoj dhe që gjatë kryerjes së tyre do të përfitoj edhe kënaqësi. Sado e çuditshme mund të duket për shumicën e njerëzve, mua ushtrimi i pushtetit, qoftë ky edhe pushtet ministror, nuk më jep ndonjë kënaqësi. Periudha kur pranova të bëhem ministër i jashtëm përkonte me disa sfida, me të cilat isha shpirtërisht fort i lidhur. Të tilla ishin: nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, pastaj heqja e vizave për qytetarët e Shqipërisë që dëshirojnë të lëvizin në hapësirën Schengen dhe anëtarësimi në NATO, çelja e negociatave për caktimin e statusit final të Kosovës dhe kurorëzimi me shpalljen e pavarësisë. Kur këto sfida u përmbushën në të mirë të shqiptarëve, dorëzova çelësat e zyrës së ministrit për të mos u kthyer kurrë atje.
Ka edhe diçka tjetër: unë nuk kam asgjë të përbashkët me ata njerëz, të cilët pushtetin e shohin si mundësi të artë për privilegje personale. Kjo gjë më duket degradim i madh i njeriut politikan. Unë kam pranuar dhe pranoj, madje me gëzim, vetëm privilegjet që më jep vepra ime letrare. Më besoni, nuk janë të vogla këto privilegje, që më japin librat e mi.

KultPlus: Keni qenë në detyrën e Ambasadorit të Shqipërisë në Francë, por duke dalë jashtë politikës, a mund ta luajë shkrimtari rolin e një ambasadori me krijimtarinë e tij?

Besnik Mustafaj: Për t’ju përgjigjur me seriozitet kësaj pyetje, do të thosha se shkrimtari, me krijimtarinë e tij, mund ta luaj rolin e një ambasadori vetëm në një aspekt, i cili sidoqoftë është shumë i rëndësishëm. Një nga detyrat kryesore të ambasadorit diplomat është ta bëjë të njohur vendin e tij në vendin ku ai shërben. Shkrimtari, me kusht që të ketë talent të madh, e kryen këtë detyrë më mirë se çdo ambasador funksionar. Ju siguroj se Ismail Kadare, me veprat e tij, e ka bërë të njohur kombin shqiptar pakrahasimisht më shumë se i gjithë trupi diplomatik shqiptar gjatë gjithë historisë së shtetit tonë. Në këtë kuptim, sigurisht që po, një shkrimtar si Ismail Kadare është një ambasador i shkëlqyer dhe e kryen këtë mision pa dalë nga studio e tij. Madje, sa më shumë rri ai i mbyllur në studio duke shkruar, aq më mirë e kryen misionin si ambasador i kombit.

KultPlus: Si e vlerësoni lexuesin shqiptar, a po lexohet në vendin tonë?

Besnik Mustafaj: Lexuesi shqiptar është shumë i mirë. Por, siç pata rast të them më sipër, është shumë i pakët në numër. Por unë nuk jam nga ata që mendojnë se lexuesi shqiptar është një specie në zhdukje. / KultPlus.com

Besnik Mustafaj shpallet autori më i mirë i vitit

Autori më i mirë i vitit 2019 shpallet zoti Besnik Mustafaj, me romanin “Dëmtuar gjatë rrugës” .

Me këtë motivacion:

Për përshkrimin plot realizëm dhe ironi të hollë të një periudhe dramatike, ende të pranishme dhe të gjallë në mendjet e njerëzve; ravijëzimin plot ritëm poetik, estetik dhe të besueshëm të personazheve dhe rrëfimin transparent të zvetënimit të individit në një shoqëri totalitare.
 
Përkthyesi më i mirë i vitit 2019 shpallet zoti Korab Hoxha për përkthimin e vëllimit me poezi, ese dhe proza të shkurtra të shkrimtares ruse Marina Cvetajeva, “Tetori në vagon”.

Me këtë motivacion:

Forca e mrekullueshme e mesazheve poetike dhe filozofike të njërit prej zërave më të rëndësishëm të letërsisë botërore të shekullit XX, është përcjellë në mënyrë mjeshtërore dhe me një shqipe të pasur, pa humbje në origjinalitetin dhe bukurinë e vargut.

Autori më i mirë i prozës memorialistike shpallet zoti Lekë Tasi me librin e tij “Grabjani rrëzë kodrave”.

Me motivacionin

Për sensibilitetin dhe mesazhin e prozës së tij në përshkrimin plot vërtetësi tronditëse të ngjarjeve dhe njerëzve, përmes shquarjes së njerëzores nën terrin e diktaturës. /tch/ KultPlus.com

“Letrat e mia kredenciale”, libri më i ri i Besnik Mustafait

Shkrimtari, poeti e diplomati Besnik Mustafaj promovoi librin e ri “Letrat e mia kredenciale”, në një rrëfim me Arta Markun. Botimet Toena dhe Instituti i Promocionit organizuan sot stendën e tyre në Panairin e Librit promovimin e librit të Mustafajit, ku përveç të tjerëve, i pranishëm ishte edhe gazetari Blendi Fevziu.

“Letrat e mia kredenciale” – Besnik Mustafaj në një rrëfim me Arta Markun.

Gazetarja e njohur Arta Marku nuk ka intervistuar vetëm shkrimtarin. Ajo i ka intervistuar të gjithë: veç shkrimtarit, diplomatin me dyshimet, pasiguritë dhe pengjet; politikanin që tërheq skajin e kundërt të të njëjtit litar tërhequr edhe prej shkrimtarit; deputetin që kur e pa veten në parlament nuk kish lexuar kurrë një ligj; gazetarin që e brodhi Shqipërinë cep më cep; pedagogun që s’e kishte hiç përzemër mësimdhënien; intelektualin për të cilin zgjerimi i horizontit është domosdoshmëri; qytetarin që nuk mund të rrijë shpërfillës ndaj terrenit mbi të cilin vë këmbët; burrin që gratë i mishëron në poezi; bashkëshortin, të cilit i duket e zbrazët Shtëpia pa Donën; babain që ngjan dhe nuk ngjan me babanë e vet; birin, që, sidoqoftë, nuk e vrau kurrë atin; nipin që ruan kujtimin e mrekullueshëm të gjyshit dhe dy grave të tij… Ka intervistuar burrin e sotëm, djaloshin që rritet, adoleshentin që i largohet qytetit të lindjes, fëmijën që nuk i pëlqen të luajë futboll…

Nëpërmjet këtij librin do të njihni Besnik Mustafajin dhe të vërtetat e tij të çuditshme, që nis me një vizatim burri për fëmijën e dikurshëm dhe ndalet te fotografia e të sotmes, kur fëmijën brenda burrit e ka zbehur shkurtimi i kohës që i është dhënë për të jetuar./KultPlus.com

Besnik Mustafaj, promovoi librin me poezi “Harrimi i dashurisë” në Panairin e Librit në Prishtinë

Alberina Haxhijaj

Në kuadër të edicionit të 20-të të Panairit të Librit në Prishtinë po vazhdojnë promovimet e librave. Dita e sotme e këtij panairi u hap me promovimin e librit “Harrimi i dashurisë” nga Besnik Mustafaj, shkruan KultPlus.

Shtëpia botuese “Buzuku” e cila tashmë riradhitë edhe botime të mëparshme të punës së shkrimtarit Besnik Mustafaj, duke e cilësuar atë si njeriun e letrave të dashurisë, përkrahu edhe botimin e librit më të ri të shkrimtarit “Harrimi i dashurisë”.

Pikërisht Abdullah Zeneli nga shtëpia botuese u shpreh se janë të lumtur që pikërisht “Buzuku” realizoi botimin e këtij libri.

“Më vjen mirë që keni ardhur këtu në promovimin e librit të njeriut të letrave, të njeriut të fushës së diplomacisë shqiptare që ka ndikuar shumë në tranzicionin dhe në zhvillimet që ka bërë shteti i Kosovës. Kur ai i botonte librat në Francën e i gëzoheshim sukseseve të tij dhe tani jemi të lumtur që patën mundësin që të botojmë pikërisht librat e tij edhe ne si shtëpi botuese”, tha ai.

I pranishëm në promovim të librit ishte edhe aktori Çun Lajçi i cili edhe interpretoi dy poezi nga libri i botuara.

/…kërkojë tokën e lagësht/ dheun e butë që nuk më vret brinjët/ shikojë plot durim qiellin/ pres renë e vogël që sjellë shiun/ a qoftë edhe pak njomësi/ ky ajër i thatë hyn e del nëpër ujë/ me një vërshëllim të shurdhër/ a thua se ish në një mushkëri të huaj/ duke të pritur ty unë jam si kërmilli/ i harruar në hapësirën time të mjaftueshme/ për të pritur edhe kur s’ka vend për ty/ ti ndoshta do të vish/ eja unë të pres../

Në promovim të librit fjalën e mori edhe shkrimtari Adem Gashi, mik i shkrimtarit Mustafaj. Ai u shpreh se shkrimtari e filloi krijimtarinë e tij me poezinë e cila siç edhe ka thënë edhe Mustafaj nuk është një lum që rrjedh po një vullkan që bënë sikur flenë që të të zgjojë vrullshëm dhe papritur.

“Mua mu bë e papërballueshme që nga krijimtaria e tij të bëjë një përmbledhje të poezive dedikuar pikërisht dashurisë ndoshta duke u bazuar në faktin se lirika me këtë tematikë kap një volum të gjerë të krijimtarisë së tij”, tha Gashi i cili edhe ka zgjedhur poezitë e shkrimtarit dhe i ka radhitur ato në librin më të ri të tij.

Sipas Gashit kur të lexohet ky libër lexuesit do të pyesin se ku është dashuria, të cilën sipas tij lexuesit mund ta gjejnë pikërisht të mungesa e saj, e cila mund të vërehet edhe tek vargjet unë po të pres ty si kërmilli, i strukur në lëvozhgën time…

Shkrimtari Besnik Mustafaj u shpreh se për të më të rëndësishmit janë lexuesit. Ai tha se pikërisht në Kosovë ka ardhur në kërkim të lexuesve të tij.

“Kur e lash politikën para 10-të viteve në mënyrën me spontane thash se tani nuk jam më në kërkim të votuesve por jam në kërkim të lexuesve dhe mund të ju them se në këtë rrugën e aventurës është më e vështirë të gjesh lexues sesa votues. Të pasurit e kaq shumë njerëzve këtu me bën të lumtur pasi që dëshmon se njerëzit janë të interesuar për të lexuar shkrimet e mia”, u shpreh ai.

Poezitë e librit të botuar “Harrimi i dashurisë” nuk janë shkruar gjatë një periudhe të caktuar mirëpo janë përmbledhje e poezive të cilat poeti i ka shkruar gjatë viteve. Pikërisht këto poezi ai i konsideron si një trashëgimi të cilat ai ka vendosur t’ua lë lexuesve edhe kur të mos jetë më.

Ky edicion i Panairit të Librit në Prishtinë do të vazhdojë edhe për katër ditë. Kujtojmë se shkrimtari Besnik Mustafaj ishte shpallur autori i vitit, në edicionin e kaluar të Panairit. Shoqata e Botuesve e vlerësoi atë me këtë çmim për librin “Ëndrra e doktorit” botimet Toena./ KultPlus.com