“Për kopenë dhe kasapin që kremtohet”

Nga Jusuf Buxhovi

Kur nxora atë oshëtimen se deshtakët si unë i kanë fat jeniçerët dhe po i jepesha ndjenjës së zhberjes si shpëtim, ishte zëri i Baba Talit që sikur përpak më ndali nga ai shkallmim shpirti. Siç më kishte thënë para katërdhjetë ditësh kur buzë detit ishim ndarë me premtimin ngushëllues se ishim të pandashëm, ngaqë na bashkonte forca e shpirtit të lirë dhe ajo e mendimit ndryshe që mbante Urdhrin tonë dhe do ta mbante pa marrë parasysh masakrat që e prisnin, tash po më thoshte se në kasabën tonë të mjerë, kasapit nuk mund t’i ikja, ngaqë ata ishin arma e fundit e tiranisë. Por, duhej që thikën e tyre të mos e puthja, siç ndodhë me kopenë që pret në radhë para tyre dhe falendërohen që po u ndihmohet për t’u larguar sa më parë nga bota e mekateve për tek amshimi…
Në atë pahintikë sikur nxora fjalët dëshpëruese se ç’fuqi ka viktima e shkretë para kasapit?… Çfarë mund t’i thuhet atij që vrasjen e merr si pastrim nga mëkati?…
“Thuaj nuk jam pjesë e kopesë, por shpirt i lirë…”
“Mund ta ndryshojë kjo fatin tim të mjerë kur më pret gropa e coftimave ku përfundojnë ata që therën?…”
Një copë herë ia përsërita vetit ato fjalë. Dhe, kur mendova se ishte dëshpërimi im, që po më rrokulliste kah fundi i pashmangshëm, prapë m’u bë se Baba Tali po më thoshte se kundërshtimi i rendit të kopesë, nuk më shpëtonte nga thika që më priste, por do ta ndryshonte gjendjen time,ngaqë gjaku im, nga frika se mund t’i infektonte me mikrobin e shpirtit të lirë, nuk do të derdhej në ata kazanat që pastaj u shërbejnë atyre çorbave ku pihen nga tiranët për kuvet, por do të varrosesha shtatë pash thellë…
“Herezinë duhet ta mbajë toka të mbyllur përgjithmonë… Ndërsa mbi atë varr, nga frika se kryeneqësia dhe liria janë të pandalshme, ata do të ngrisin lapidar për lavdinë e tyre të përgjakshme…”

(Shkëputje nga romani “Jeniçeri i fundit”, 2013). / KultPlus.com

Zoti në kohë murtaje

Nga Jusuf Buxhovi

Zefi ma bani me dije se disa besimtarë nga Dushkaja po më prisnin te altari. Mendja më shkoi se kishin ardhë për me u ankue shkaku i ndaljes së meshës së të dielës nga fermani. Ishin pesë veta, që po u shihej në fytyrë pakënaqësia.

“Nuk po na lanë me iu afrue kishës, folën si me një gojë. Këtë nuk po na e ha mendja. Sëmundje ka pasë përhera. Shkojnë e vijnë dhe jeta vazhdon…”
Zura t’u flisja se kjo nuk ishte si çdo sëmundje, por murtajë, që faron njerëzimin. Por, atyre assesi t’u mbushej mendja se njerëzimi farohet. Thoshin se edhe sëmundjet janë nga zoti, se çdo gja vjen nga zoti, andaj nuk duhet për me u fshehë prej tyre që i kemi të shkrueme prej tij…
“Sëmundjet dhe e keqja nuk vinë nga zoti, sepse ai do të dilte shkaktar i së keqes…Ky asht mashtrim që duhet me e heqë nga mendja,.. Përkundrazi, Zoti nuk ngatërrohet me punët e liga… Ai na jep mendjen që t’u largohemi atyre, të jemi të ndershëm, të punojmë për të mirën tue e luftue edhe të keqen kudo dhe kurdoherë… Kjo është rruga e zotit…”

(Shkëputje nga romani “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982)/ KultPlus.com

Shpirti nuk vritet

Nga Jusuf Buxhovi

“Në të dalë te Çarshisë së Madhe, te vija e ujit që shkonte në drejtim të lumit, veshi ma kapi zërin e Selamiut, që e njihja nga vargjet e ëmbla që i lidhte me këngë… E gjeta të shkallmuar skaj një kaçube.

“Kush të solli në këtë gjendje, vëlla”, i thashë edhe pse e dija se e kishte nga ata që i merrnin për të rrezikshme vargjet dhe këngët e tij nëpër Çarshi në atë kohë të murtajës, kur i madh e i vogël duhej t’i nënshtroheshin atmosferës së saj dhe të mendonin për vdekjen që thuhej se e kishim hak…”

“Pse më pyet, vëlla, kur e din…”
E mora ngryk dhe po e shtrëngoja si fëmijën jetim… Mbas pak më tha se kishte një vjershë për detin, edhe pse nuk e kishte parë kurrë.
“Poetët shohin me shpirt”, i thashë.

“Ç’e do që po na vrasin edhe shpirtin, vëlla…Kërkojnë të vajtojmë, të lutemi për mëshirë e çmos që njeriun e kthen në gjësend të pavlerë, në numër…”

“Shpirti nuk vritet…”
“Fjalë koti,vëlla, në kohë murtaje njerëzit bëhen të paqenë… Kjo po kërkohet sot…”!

Desha t’i thosha se vargjet e tij dëshmonin se qyteti ynë, edhe në këtë kohë vdekjeje, nxirrte impulse jete dhe shprese, por ai, ashtu mundimshëm, u largua në drejtim të lumit.

Mbas la vargjet e këngës rreth detit, ujit të njelmët dhe tallazeve, që po mbyteshin nga thirrjet e telallxhinijve që, sikur me mburrje, përhapnin lajmin për shpërthimin e sëmundjes në disa pjesë të qytetit.

(Shkëputje nga “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, 1982) / KultPlus.com