Pasi fitoi çmimin Nobel, Albert Camus shkroi një letër të mrekullueshme për mësuesin e fëmijërisë

Një nga shembujt më të bukur të kësaj mirënjohjeje vjen nga Albert Camus, njeriu me dhuntinë e miqësive të rralla, që e kaloi jetën duke mësuar si të jetonte me një qëllim dhe duke kërkuar kuptimin e lumturisë dhe dashurisë.

Kur Camus nuk ishte as një vjeç, i ati u vra në betejë gjatë LIB. Ai dhe i vëllai u rritën nga një mama analfabete, pothuajse e shurdhër dhe një gjyshe despotike, kushte ku nuk mund të pretendohej  një e ardhme e ndritur, por si provë e asaj që mund të ndodhë kur arsimi nxit potencialin më të mirë të një njeriu duke fisnikëruar shpirtin, një mësues, Louis Germaine, pa te Albert-i i ri diçka të veçantë dhe ndërmori detyrën për të nxjerrë një thelb të konsoliduar  dhe një qëllim nga ai djalë, detyra e çdo mentori të mirë. Nën krahët e mësuesit të tij, Camus i i hodhi poshtë letrat e errëta që i kishin ngecur në duar dhe filloi të shndërrohej në gjeniun e ardhshëm që të gjithë e njohim.

Tridhjetë vjet më vonë, Camus u bë njeriu i dytë më i ri në botë që kishte fituar çmimin Nobel, që iu dha për “seriozitetin e sinqertë” të punës së tij, që “ndriçon problemet e koshencës së njeriut.” Pak ditë pasi kishte marrë vlerësimin më të lartë të njerëzimit, Camus bëri të njohur ndikimin e mësuesit të tij me ka “seriozitet të sinqertë” në një letër të mahnitshme, që është përfshirë në faqet e fundit të librit të tij The First Man.

19 nëntor, 1957

I dashur Zoti Germain,

Po i lë emocionet e forta të këtyre ditëve të qetohen pak para se t’ju flas nga thellësia e zemrës sime. Mua, sapo më kanë dhënë një nderim shumë të madh, që as e kisha kërkuar dhe as isha përpjekur ta merrja, por kur e mora vesh lajmin, mendimi im i parë, pas mamasë sime, ishit ju. Pa ju, pa dorën plot dashuri që ju i zgjatët atij djali të vogël të varfër që isha unë, pa mësimet dhe shembullin tuaj, asgjë nga të gjitha këto, nuk do kishte ndodhur. Unë nuk para bëj shumë nga këto lloj falënderimesh, por të paktën ky më jep mundësinë t’ju tregoj çfarë keni qenë dhe çfarë ende jeni për mua dhe t’ju siguroj që përpjekjet tuaja, puna juaj dhe zemra bujare që vutë në të, jeton ende te një prej nxënësve të vegjël, i cili, pavarësisht që kanë kaluar shumë vite, nuk ka ndaluar kurrë së qeni nxënësi juaj mirënjohës. Ju përqafoj me gjithë zemrën time.

/ KultPlus.com

Nobelisti që pohoi se Jezusi ishte dashnori i Maria Magdalenës

Shkrimtari portugez dhe laureat i çmimit “Nobel”, Hoze Saramago, mbetet ndër shkrimtarët më të shquar të shekullit XX.

Saramago, nuk reshti kurrë, gjatë gjithë punës së tij, të rishqyrtonte sipas mënyrës së vet, historinë e Portugalisë. Lindur në 1922, ky shkrimtar i vonë (i kishte kaluar të pesëdhjetat, kur përjetoi sukseset e para të mëdha), i përket letërsisë së lindur nga “Revolucioni i Karafilave”, që përfundoi, në 1974, i regjimit salazarist. “Ringritur nga toka”, të cilën e botoi në vitin 1980, e merr frymëzimin nga mistika e “ëndrrës së bukur të prillit”. Në roman, shkrimtari rrëfen mjerimin e fshatarëve pa tokë, të punësuar si punëtorë me mëditje në prona të mëdha. 

Nuk duhet harruar origjina e Saramagos, bir fshatarësh të varfër, ai është autodidakt, diploma e vetme e të cilit, është ajo e bravandreqësit, zanat që e praktikoi për tri vjet, para se të bëhej gazetar. Për vite të tëra, bëri fushatë në fshehtësi, për Partinë Komuniste. Herë pas here, botoi disa libra, romane, një përmbledhje poezish. Asgjë shumë e rëndësishme. Duheshin pritur vitet 1980, që të merrte famë me “Zoti pinguin” dhe, mbi të gjitha, “Viti i vdekjes së Rikardo Reisit”. Në këtë roman, Saramago ringjall figurën mitike të Fernando Pesoas.

@Rita Barros/Getty Images

Kritikët vlerësojnë njohuritë, artin e rrëfimit dhe fantazinë e shkrimtarit. Veçse, do jetë skandali ai që prek publikun e gjerë. Në vitin 1991, “Ungjilli sipas Jezu Krishtit”, ikonthyesi i autorit, u kritikua nga “L’Osservatore Romano”, organ zyrtar shtypi i Vatikanit, i cili e gjykonte “vizionin e tij në thelb antifetar”. Shkrimtari i lexon Ungjijtë në mënyrën e tij dhe pohon se Jezui ishte dashnori i Mari Magdalenës. Gjithashtu, ai e paraqet Jezusin si lodrën e një Perëndie, që, i irrituar sepse sundon vetëm mbi popullin hebre, dëshiron të shtrihet në të gjithë botën. Polemika u bë një çështje shtetërore. Sipas një ministri portugez, shkrimtari sulmoi “trashëgiminë fetare kombëtare”. Pas këtij skandali, Saramago u largua nga vendi dhe u vendos në ishullin Lanzarote, në arkipelagun spanjoll të Kanaries.

Nëse ai tronditi katolikët e Portugalisë dhe Spanjës, poshtërimi volterian i portugezëve ishte për shijen e jurisë “Nobel”. Hoze Saramago mori në vitin 1998, çmimin prestigjioz, Akademia Suedeze, sqaronte në shkrimet e tij, se vepra e shkrimtarit “bëri të prekshëm një realitet të largët, falë parabolave imagjinare, dhembshurisë dhe ironisë”. Kur mësoi se mori Nobelin, shkrimtari qesëndisi: “Është njëlloj si “Miss Portugalia”, vitin tjetër do ta kemi harruar”.

Për vite me radhë, ky lexues i apasionuar i Montenjit, Servantesit dhe Kafkës, ushqente rregullisht një blog, në të cilin nuk i përtypte kurrë fjalët. Mbrojtës i çështjes palestineze, ai denonconte vazhdimisht politikën e Izraelit në territoret e okupuara. Madje, Saramago nuk hezitoi të sfidonte as ish-kreun e qeverisë italiane, Silvio Berlusconi, duke e quajtur atë “një kriminel”. Saramago blogeri, shprehte përmes internetit misionin që ai mendonte se ishte ai i shkrimtarit: të bënte një fjalim për gjendjen e botës.
Si ateist pati probleme me qeverinë portugeze, që refuzoi ta paraqiste “Unigjillin sipas Jezu Krishtit” në Çmimin Letrar Europian. I parespektuar ndaj autoriteteve dhe thellësisht i mbushur me humanizëm, Saramago krijoi një prozë unike, të krijuar me një lloj dialogu të vazhdueshëm të brendshëm, në të cilin nuk kanë vend pengesat më të ngurta të shenjave të pikësimit.

Ishte falë një presjeje, që Hoze Saramago u bë shkrimtar i madh. Në fillim të viteve 1980, kur ishte mbi të pesëdhjetat, ndërsa shkruante një roman për fshatarët e Alentejos (Portugali), rajonin e origjinës, arriti të gjente stilin e tij.

“Po shkruaja një roman si të tjerët. Papritmas, në faqen 24 ose 25, pa e pasur mendjen, pa menduar, pa marrë një vendim, fillova të shkruaj me atë që është bërë mënyra ime e të rrëfyerit personal, kjo shkrirje e stilit të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë, pikësimi u reduktua në pikë dhe në presje. Besoj se ky stil nuk do të kishte lindur, nëse libri nuk do kishte filluar nga diçka që e kisha dëgjuar më parë. Duhej të gjenim një ton, një mënyrë për të transkriptuar ritmin, muzikën e fjalës që themi, jo atë që shkruajmë. Më pas, rimora njëzet faqet e para për t’i rishkruar”.

Çelësi i stilit të këtij ish-bravandreqësi janë dialogët, që ndërthuren në një prozë kompakte. Ata prezantohen nga një presje, e ndjekur nga një shkronjë e madhe që tregon ndryshimin e folësve. Ka shkruar vepra të ndryshme, ndër të cilat “Le të ulërijmë”, “Tjetri si unë”, “Kaini” etj. Ligjërimi në veprat e Saramagos, rrjedh vazhdimisht në një masë harmonike fjalësh që marrin, faqe pas faqeje, strukturën konkrete të një ndërtese kryelartë dhe ndoshta, vështirësisht të pranueshme. Shkrimtari portugez vdiq në moshën 87-vjeçare. /Konica.al / KultPlus.com

Sot është përvjetori i lindjes i nobelistit hebre, Shmuel Yosef Agnon

Shmuel Yosef Agnon ishte shkrimtar hebre, fituesi i parë i Çmimit “Nobel” për letërsi, për vitin 1966. Çmimin e fitoi së bashku me poetin Nelly Sachs, shkruan KultPlus.

Në gjuhën angleze veprat e tij i gjejmë të publikuara me emrin S. Y. Agnon.

Në veprimtarinë e tij, ai merret kryesisht me konfliktin midis jetesës tradicionale hebreje dhe botës moderne.

Kontributin e tij në letërsi e vlerësuan lartë për zgjerimin e rolit narrativ prozaik.

Stili i tij po ashtu u konsiderua i vecantë për përzierjen e tradicionales me hebraishten moderne. /KultPlus.com

Më 15 prill 1931 lindi poeti nobelist suedez, Tomas Tranströmer

Tomas Tranströmer ose Tomas Gösta Tranströmer (shqipërimi: Tomas Transtromer) (15 prill 1931 Stockholm Suedi – 26 mars 2015 Stockholm, Suedi), poet suedez.

U lind në Stockholm më 1931. U rrit nga e ëma mësuese, e divorcuar nga i shoqi gazetar. Në Stockholm studioi psikologji dhe poezi. Nisi të shkruajë në kohën e studimeve në Sodra Latin School. Librin e parë “17 Dikter” (“17 poema”) e botoi më 1954 dhe shumë shpejt bëhet një nga poetët më të njohur dhe më të përkthyer në botë, në rreth 30 gjuhë. Përveç të shkruarit, pasioni i tij i madh është psikologjia, profesion të cilin e ushtroi në vitet 1960-1966 në Roxtuna, në një burg të rinjsh. Dy vëllime të rëndësishme janë Klanger och spår (1966, Dritare dhe gurë) libër i lindur nga udhëtimet e tij të shumta, dhe Baltics 1974. Përmbledhja Den stora gåtan (2004, Enigma e madhe) është një kurorëzim i krijimtarisë së tij në vite, sado që pas 1993 Tranströmer nuk arrin të shkruajë dot më. Boton pas kësaj kohe Për të gjallin dhe të vdekurin, Gjysmëparajsa. Fitues i shumë çmimeve Neustadt International Prize, Oevralids Prize, Petrarca-Preis në Gjermani, Swedish Award nga International Poetry Forum, madje edhe i Kurorës së Artë në Mbrëmjet Poetike të Strugës.

“Perandoria e barit” është i vetmi libër i përkthyer në shqip, nga poetja Natasha Lako, botuar nga “Aleph” më 2002. Lako e shikon poezinë e Tranströmer-it të shkëputur nga ideologjizmat. “Unë trashëgoja një pyll të zi, ku shkoja rrallë. Por nga kjo/erdhi një ditë kur këmbyen vendet të gjallët me të vdekurit/Atëherë solla pyllin ndërmend. Nuk ishim pa shpresë/… unë kisha trashëguar një pyll të zi, por ecja në një pyll të shndritshëm…” shkruan në poezinë “Madrigal”.

Në vitet ’60, kur ishte e modës edhe për poezinë e poetët të kishte një kahje politike në rrymat e kohës, Tomas Tranströmer-i zgjodhi gjuhën e poezisë dhe kritika e quan poeti që ka ditur të ruajë ekuilibrat në periudhën e Luftës së Ftohtë.

Në botën anglishtfolëse njohja e veprës së tij i dedikohet miqësisë me poetin amerikan Robert Bly​, i cili prej viteve pesëdhjetë i ka përkthyer shumicën e veprës në gjuhën angleze. Më 2001, Bonniers, shtëpia botuese suedeze e Tranströmer-it botoi korrespondencën e dy shkrimtarëve në librin “Air Mail”.

Fitoi çmimin Nobel për letërsi në vitin 2011. Poeti do të marrë 1.08 milion euro shpërblim. Ceremonia e pranimit të Çmimit bëhet në Stokholm më 10 dhjetor, data e përvjetorit të vdekjes (1896) së industrialistit suedez Alfred Nobel​, themelues i çmimit. Tranströmer është i nënti shkrimtar suedez që merr Nobelin për Letërsinë. Para tij janë: Selma Lagerlöf 1909, Verner von Heidenstam 1916, Erik Axel Karlfeldt 1931, Pär Lagerkvist 1951, Nelly Sachs 1966 (i ndarë), Eyvind Johnson dhe Harry Martinson më 1974.

Vdiq në Stockholm, në moshën 83 vjeçare. /KultPlus.com