Euronews: Përjetoni parajsën në parkun kombëtar të Vjosës

Rafting në ujë të bardhë, ushqime të shijshme dhe banja termale ju presin në parkun më të ri kombëtar të Evropës Lindore, shkruan Franc Merkuri për Euronews.

Parku Kombëtar i Lumit Vjosa është një mrekulli.

Pas vitesh fushate nga marka e veshjeve ”Patagonia”, IUCN dhe askush tjetër përveç aktorit Leonardo Dicaprio, këtij pellgu prej 6 500 kilometrash katrorë degësh dhe rrugësh të egra ujore iu dha mbrojtja që meritonte duke e bërë atë parkun e parë lumor të egër në Evropë.

Mund të jetë parku i parë, por është lumi i fundit i egër i Evropës, shtëpia e 1 110 llojeve të kafshëve dhe bimëve, nga të cilat dy specie bimore dhe 13 kafshë janë në rrezik të zhdukjes globale. Prandaj, mbrojtja zyrtare është kaq e rëndësishme.

Vjosa fillon në Greqi si Aoos, përpara se të kalojë në Shqipëri, duke gjarpëruar nëpër malet e Ballkanit dhe në fund të arrijë në detin Adriatik.

Gjatë rrugës, ajo kalon nëpër fusha të blerta dhe përgjatë shpateve malore duke krijuar kanione mbresëlënëse, ishuj rërë dhe kthesa të mrekullueshme.

Bukuria dhe domethënia e lumit e kanë fituar emrin “Zemra Blu e Evropës”.

Ku është vendi më i mirë për të eksploruar parkun kombëtar të lumit Vjosa?

Ne kemi zgjedhur dy nga qytetet më piktoreske ku mund të përjetoni këtë lumë të fuqishëm – Përmetin, Tepelenën dhe Gjirokastrën. Nëse vini nga Tirana është rreth tri orë e gjysmë me makinë deri në këto qytete.

Duke qenë se Shqipëria është ende një destinacion nën radar, ju do të gjeni lehtësisht strehim në të gjitha vendet tona të rekomanduara.

Një bujtinë e drejtuar nga vendasit është mënyra më e mirë për të njohur shqiptarët dhe mënyrën e tyre të jetesës. Por, ka edhe hotele më të mëdha nëse doni një përvojë më të mirë.

Përmet – Shëtitje me kalë dhe ushqime vendase

Vjosa është një habitat natyror ku mund të ndjeni fuqinë e vërtetë të një lumi të egër. Rafting është mënyra më e mirë për t’u njohur nga afër me fuqinë e tij dhe Përmeti ka shumë kompani që do të organizojnë turne për ju.

Ka edhe operatorë turistikë që organizojnë udhëtime me kalë. Me ndihmën e një ”shoku” me katër këmbë, ju do të vizitoni pyjet dhe fshatrat lokale – këto janë vendi më i mirë për të shijuar ushqime vërtet tradicionale shqiptare.

Nëse po kërkoni një mënyrë më të ngadaltë për të kaluar nëpër Përmet, një shëtitje nëpër këtë qytet të luleve do të jetë perfekte. Vendasit pëlqejnë të thonë se “përveç detit, mund të gjesh gjithçka tjetër në këtë qytet”. Edhe këtu kuzhina shqiptare është e bollshme, e bërë me produkte organike të kultivuara nga fermerët vendas.

Ndërsa jeni në Përmet, mos humbisni urën e Ottoman Kadiut. Ujërat bruz të lumit Langaricë rrjedhin nën urë, duke krijuar një pamje mahnitëse. E ndërtuar në mesjetë, ajo është përdorur prej shekujsh për të kaluar lumin, që nga ditët kur Perandoria Osmane kontrollonte Shqipërinë.

Tepelenë – Banja termale dhe kala

Tepelena është e vendosur mes vargmaleve të thyer malore dhe ka pamje nga bashkimi i lumenjve Vjosë dhe Drinos. Ajo shtrihet rrëzë një kodre, duke krijuar një peizazh të mrekullueshëm rreth saj.

Tepelena u bë e famshme nga Ali Pashë Tepelena, i cili e filloi karrierën e tij si bandit duke grabitur karvanet tregtare, por përfundoi si një guvernator i pamëshirshëm për osmanët, duke sunduar mbi një sipërfaqe të madhe toke midis Tepelenës, Gjirokastrës dhe Janinës.

Kalaja e tij e dikurshme ia vlen të vizitohet për një pamje tjetër të Vjosës, ku bashkohet me lumin Drinos.

Nëse doni aventura, kanioni i Langaricës dhe shpellat përreth Petranikut janë ideale për zhytje dhe kanion.

Ose për diçka më të rehatshme, shfrytëzoni sa më shumë llixhat natyrore në këtë zonë.

Në kohën e komunizmit frekuentoheshin nga shqiptarët për të kuruar problemet e tyre të ndryshme shëndetësore. Ju mund të vizitoni rrënojat e një kampi të ndërtuar gjatë Perandorisë Osmane. Mund të shihni akomodimin ku qëndronin pacientët, dhomat për relaksim dhe madje edhe vaska të asaj kohe.

Edhe sot e kësaj dite, ujërat termale janë të njohur për fuqitë e tyre shëruese.

Ku është vendi më i mirë për të parë kafshët në parkun kombëtar të lumit Vjosa?

Ne do të rekomandonim Lagunën e Nartës në bregun perëndimor të Shqipërisë.

Është një nga lagunat më të mëdha dhe më të pasura ekologjikisht në vend. I caktuar si një Rezervat Natyror i Menaxhuar, ju jeni të garantuar të shihni peizazhe të paprekura këtu.

Kafshët e egra më të rëndësishme që banojnë në këtë lagunë përfshijnë flamingo, pelikani dalmat, çakalli i artë dhe delfini i zakonshëm me sqep të shkurtër./atsh/KultPlus.com

Parku Divjakë-Karavasta zgjon interes për biologë dhe botanistë gjermanë

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta, gjatë fundjavës që lamë pas, shënoi një një numër të lartë turistësh vendas e të huaj.

Administrata e Zonave të Mbrojtura Fier ndau në rrjetet sociale momente nga vizita e turistëve në këtë park.

“Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta pati një numër të lartë vizitorësh. Midis vizitorëve të shumtë, binte në sy edhe ky grup i madh nga Gjermania. Midis tyre kishte biologë dhe botanistë të interesuar për faunën dhe florën e parkut”, theksoi AdZM Fier.

Safi i AdZM Fier ishte në krye të detyrës, duke bërë, jo vetëm shoqërimin e këtij grupi, por edhe duke asistuar vizitorët e tjerë.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga destinacionet më të preferuara për argëtim, qetësi dhe pushim gjatë fundjavës për qindra qytetarë që e frekuentojnë në çdo stinë.

Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash./atsh/KultPlus.com

Biologë holandezë vizitojnë parkun kombëtar Divjakë-Karavasta

Parku Kombëtar i Divjakë-Karavasta është kthyer në një atraksion turistik për vëzhgimin e florës dhe faunës së veçantë të zonës.

Ky park gjithmonë e më shumë po ngjall kureshtje edhe për shumë biologë e të pasionuar të natyrës. Këto ditë në Divjakë-Karavasta kanë mbërritur biologë holandezë, të cilët kanë parë nga afër florën e pasur të këtij parku.

“Koha asnjëherë nuk mjafton për t’u treguar shumë bukuri që vërtet atyre u nguliten në shpirt. Vëzhgimi i orkideve dhe i shumë bimëve që mbushin dyshemenë e pyllit na bënë që të devijonin edhe disa lëvizje nga axhenda e planifikuar. Mbyllja si gjithmonë tek koleksioni që për ta ishte një suprizë”, theksoi në një postim në rrjetet sociale administratori i guidës turistike Divjakë-Karavasta, Altin Hila.

Sipas tij, ka kohë që biologët e huaj vijnë dhe studiojnë parkun Divjakë-Karavasta.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një nga destinacionet më të preferuara për argëtim, qetësi dhe pushim gjatë fundjavës për qindra qytetarë që e frekuentojnë në çdo stinë.

Përveç natyrës, parku kombëtar u ofron qytetarëve edhe “shoqërinë” e specieve të rralla dhe të veçanta që ndodhen në këtë park si pelikani kaçurrel, apo edhe gjitari globalisht i kërcënuar – lundërza (Lutra lutra), çakalli, dhelpra, baldosa, dallëndyshja e detit, por edhe disa lloje të rralla pishash.

Në parkun kombëtar Divjakë-Karavasta gjenden edhe delta lumenjsh, laguna, duna ranore dhe bimësi e rrallë, çka e bën këtë park një ndër më të rëndësishmit në Mesdhe./atsh/KultPlus.com

‘Në parkun që mbuluan fletët’

Poezi nga Ismail Kadare

Në parkun që mbuluan fletët
Të dy ne ecim qetësisht,
Pas shijes saj ka shtruar vjeshta
Qilim të verdhë natyrisht.

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë
Ju fanit një muzg i vonë
Ky park q’ë kan’ mbuluar fletët
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon.

Nga vagabondët me cigare
Ti mos u tremb e dashur kot
Imazhin tënd as dinosaurët
Shekuj më parë s’e shtypën dot.

Që ti të vije kaq e bukur
Me këta flokë, me këtë hap
Toka të egrën klimë e zbuti
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht.

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe
Të ndodhte ndryshe s’kish se si.
U desh të zhdukeshin përbindshat
Që te kjo botë të vije ti/KultPlus.com

Rikualifikimi i Drilonit, Kumbaro: Pol i ri ekoturistik për gjithë qarkun

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka inspektuar punimet për rikualifikimin e parkut të Drilonit, pjesë e zonave të mbrojtura.

E shoqëruar nga ministri Niko Peleshi, Kumbaro tha se ky do të jetë një pol i ri ekoturistik në Pogradec dhe në qarkun e Korçës.

“Ishim mësuar që në Drilon vihej për një shëtitje dhe për një drekë. Praktikisht këtu do të ofrohen atraksione që mund të qëndrohet dy-tre ditë, mund të qëndrohet në hotelet e zonës dhe të kalohet dita në gjithë këtë hapësirë”, u shpreh Kumbaro.

Ajo përmendi disa nga veçantitë që do të ofrojë zona si infrastruktura për xhiro me biçikleta, kullat e vëzhgimit për shpendët, vijat ujore që mund të përshkohen me varka, mjetet elektrike miqësore me mjedisin.

Rikualifikimi shtrihet në 170 hektarë të parkut dhe faza e parë e tij do të jetë gati për t’u aksesuar nga publiku në pranverë.

Projekti po zbatohet në bashkëpunim mes Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe AADF. Të gjitha ndërhyrjet janë bërë me qëllim ruajtjen e mjedisit dhe biodiversitetit të zonës, si edhe do të pasohet nga një plan menaxhimi.

Ky projekt lejon që vizitorët të mos shëtisin vetëm në pedonalen e Drilonit, por përmes kalimeve dhe urave të shkohet deri tek burimet e Drilonit dhe në Tushemisht./ atsh / KultPlus.com

Te parku në Sllatinë një burrë i drejtohet tetëvjeçares me “A po vjen shetisim në pisha?”

Parku Rekreativ “Te Pishat” në Sllatinë ka njoftuar përmes një postimi se një vajzë tetëvjeçare është provuar të joshet nga një burrë i moshës së mesme mbrëmjen e së premtes.

Sipas njoftimit në Facebook, rastin e ka lajmëruar prindi i vajzës.

Gjithmonë sipas njoftimit nga ky park dhe rrëfimi i prindit, personi i panjohur ishte fshehur afër një makine dhe i ka bërë thirrje tetëvjeçares “a po vjen shëtisim në Pisha”.

“Fëmija ka qenë 10 metra larg prindit dhe me vrap ka shkuar t’i tregojë se një ‘axh më tha hajde shëtisim por unë nuk e njoha e as nuk është shok i babait”, thuhet më tej në njoftim. /KultPlus.com

Japonia jetëson parkun e video-lojës së famshme

Universal Studios Japan (USJ) hap të enjten investimin e saj  saj prej 550 milion dollarësh, me temë Mario në një hap të madh nga prodhuesi i lojërave Nintendo Co Ltd përtej botës virtuale.

Duke hyrë përmes një tuneli gjigant, vizitorët e “Super Nintendo World”, një version në botën reale të krijuesit të lojërave Shigeru Miyamoto’s Mushroom Kingdom, ju mund të kujtoni se po hyni në tunelet ku hyn Mario në lojën e tij.

Në atraksion, hapja e të cilit u vonua për shkak të pandemisë COVID-19, vizitorët mund të blejnë një “bandë energjie” prej 30 dollarësh e cila sinkronizohet me aplikacionin e parkut për t’i renditur ndërsa mbledhin monedha dhe mposhtin ‘armikun’, transmeton KultPlus.

“Ju mund të bëheni Mario”, u tha gazetarëve Ayumu Yamamoto, nënkryetar në departamentin e marketingut të USJ. USJ është në pronësi të Comcast Corp.

Lojërat e reja janë: “Mario Kart: Koopa’s Challenge”, një udhëtim duke përdorur kufje të realitetit të shtuar dhe “Yoshi’s Adventure” më e qetë për vizitorët e rinj.

Vizitorët formuan një radhë të gjatë për t’u bashkuar me provën teknike të Super Nintendo World një ditë para hapjes. USJ aktualisht po operon me kapacitet të reduktuar. / KultPlus.com

Rehabilitohet parku ‘Mbretëresha Geraldinë’ në Burrel, një nga më të vjetrit në Ballkan

I konsideruar si një nga lulishtet më të vjetra në Ballkan, parku i Mbretëreshës Geraldinë në Burrel është rehabilituar tërësisht.

Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga ky park i rehabilituar me fonde të qeverisë shqiptare.

“Mirëmëngjes dhe me rehabilitimin e parkut të Mbretëreshës Geraldinë në Burrel, ju uroj një javë të mbarë”, tha Rama.

Parku “Geraldinë” është një dhuratë nga Nëna Mbretëreshë, pasi ishte dhe vendlindja e mbretit Ahmet Zogu.

Parku që nderon emrin e mbretëreshës gjendet i vendosur në pjesën veriore të qytetit të Burrelit dhe është ende një ndër parqet me bimësinë më të rrallë, jo vetëm në vendin tonë por edhe në Ballkan.

Sipërfaqja është rreth 30000 m2, ku përfshihen një Xhami dhe Pallati i Kulturës së Burrelit. /atsh/ KultPlus.com

Shndërrimi i aeroportit të Shanghait në një park përrallor


Ka gati pesë vjet që autoritetet kanë hequr dorë nga aeroporti Longhua në Shanghai, por jo edhe ka hapësira.

Pista 1.800 metërshe tash është një park përrallor, me mbi 2.200 pemë, 82 lloje bimësh dhe një kopsht fantastik për të kaluar momente të qeta.

Projekti është realizuar nga kompania Sasaki, e cila ka transformuar tërësisht një sipërfaqe betoni, siç ishte pista e aeroportit Longhua, e hapur për fluturime për 80 vjet, deri në vitin 2011, transmeton KultPlus.

Puna për shndërrimin e pistës në park nisi në vitin 2016 dhe përfundoi në prill 2020. / KultPlus.com

Parku i fshehtë i New Yorkut, ku futen vetëm ata që kanë çelës

Thellë në Manhatan është një park me histori të veçantë, histori që e bën të jetë një nga thesaret e qytetit.

Pak veta kanë privilegjin të zotërojnë çelësat që duken të zakonshëm në pamje, por që të fusin në parkun më ekskluziv të qytetit të njohur amerikan.

Historia e parkut Gramercy nis në vitin 1831, kur një avokat vizionar për hapësirat e mëdha, Samuel B. Ruggles, bleu atë që në atë kohë ishte jo më shumë se një kënetë.

Ai e thau kënetën dhe tokën e quajti “Ferma Gramercy”. Më pas planifikoi një qendër banimi me 66 shtëpi dhe me një park rreth 8000 metra katrorë, të cilin e kuroi me kujdes.

Më pas ai nisi të pranojë vetëm banorë që do të binin dakord për një kusht: që ta mirëmbanin parkun brez pas brezi.

Dhe banorët e kanë mbajtur fjalën për 174 vite. Parku i rrethuar ka qëndruar i mbyllur gjithë këto vite, dhe u lejohet vetëm banorëve që kanë çelësat, duke krijuar kështu një standard prestigji dhe ekskluziviteti.

Banorët paguajnë rreth 350 dollarë në vit për të mbajtur çelësin, dhe bravat e parkut ndërrohen çdo vit. Sot janë 39 ndërtesa rrotull parkut, banorët e të cilave kanë të drejtë të marrin një çelës./ KultPlus.com