Posta e Kosovës, emetoi emisionin e ri të pullave postare në nderim të tenorit të shquar shqiptar, Rame Lahaj – një nga zërat më të dalluar të operës moderne ndërkombëtare.
I lindur në Istog, Rame Lahaj ka ngjitur me dinjitet dhe talent skenat më prestigjioze të botës, duke përfaqësuar me krenari kulturën shqiptare në qendra të tilla si ‘Royal Opera House” në Londër, “Teatro Real” në Madrid, “Opera de Paris” dhe shumë të tjera. Zëri i tij është bërë simbol i klasit, shpirtit dhe përkushtimit artistik.
Përveç karrierës së jashtëzakonshme ndërkombëtare, Lahaj është i njohur edhe për kontributin e tij në jetën kulturore të vendit, përmes themelimit të Rame Lahaj International Opera Festival, duke sjellë artin operistik më afër publikut kosovar, por edhe duke përkrahur brezat e rinj të artistëve.
Kjo pullë përjetëson figurën e një artisti që me zërin e tij ka tejkaluar kufijtë, duke u bërë ambasador i kulturës sonë në mbarë botën.
Emisioni i pullës postare është realizuar në bashkëpunim me Fondacionin Rame Lahaj. Pulla postare nga ky emision mbart në motiv fotografinë e realizuar nga Z. Fahredin Spahija, ndërkaq bashkë me Zarfin e Ditës së Parë do të jenë në qarkullim postar deri në konsumim të plotë./KultPlus.com
Pas një jave të mbushur me muzikë të mrekullueshme, emocione të thella dhe përvoja kulturore unike, Rame Lahaj International Opera Festival (RLIOF) po i afrohet finales së tij madhështore me koncertin “Rame Lahaj & Friends”, që do të mbahet nesër më 2 gusht, në Sheshin Skënderbeu, nga ora 20:30.
Në konferencën përmbyllëse për shtyp të mbajtur sot, u prezantuan sukseset e edicionit jubilar, i cili tashmë është kthyer në një ngjarje të rëndësishme për skenën artistike në Kosovë. Të pranishëm në konferencë ishin figura të njohura si tenori Rame Lahaj, kryetari i Prishtinës Përparim Rama, sopranoja me famë botërore Nino Machaidze, basi Dario Russo, dirigjenti italian Roberto Rizzi Brignoli, si dhe Blerta Ristani, drejtoreshë artistike e Orkestrës Simfonike të RTSH. Në mesin e të ftuarve ishin gjithashtu Lorik Cana dhe Besmir Vokopola, transmeton KultPlus.
Gjatë këtij edicioni, RLIOF udhëtoi në tri qytete me koncertin “Nexhmije Pagarusha”, solli masterclass-in unik të Ramón Vargas me artistë të rinj, zhvilloi programin edukativ për fëmijë “Educating the Audience of the Future” dhe dhuroi dy netë të jashtëzakonshme operistike: “Opera Night” me Marigona Qerkezin dhe “Ensemble Evening” me Anita Rachvelishvili.
Finalja e nesërme do të jetë kulmi i këtij rrugëtimi artistik, një gala ndërkombëtare ku opera do të shndërrojë zemrën e Prishtinës në një skenë botërore./KultPlus.com
Mbrëmë, në kuadër të festivalit Rame Lahaj International Opera Festival ka interpretuar për herë të parë në Prishtinë një emër i njohur në botën e operës, Anita Rachvelishvili, shkruan KultPlus. Me një repertor që prek në ariet më të mëdha operistike, duke u shtrirë edhe në këngë italiane, gjeorgjiane dhe argjentinase solistja Rachvelishvili ka dhuruar një mbrëmje të veçantë për të gjithë apasionuarit e artit muzikor.
Kjo festë e veçantë artistike u mbajt në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, nën përcjelljen e Ansamblit të Festivalit Rame Lahaj, me drejtimin e dirigjenit Nikoloz Rachveli. Koncerti ka dhuruar një energji të jashtëzakonshme për rreth dy orë, nën tingujt e Bizet, Gershwin dhe Piazzolla.
Vepra e parë e interpretuar në koncert nga mezzosopranoja Rachvelishvili ishte “Gantiadi”- Lela Revaz Lagidze, e cila me një prezencë të fuqishme skenike të ftonte në një përjetim të rrallë artistik. Ndërkaq, vepra Habanera (Carmen) nga Georges Bizet i dha koncertit një lloj sharmi të veçantë, përmes tingujve të fuqishëm dhe natyrës pasionante të solistes që ka interpretuar në skena të njohura botërore.
Veprat e interpretuara në këtë natë plotë magji ishin: “Mon coeur s’ouvre a ta voix’ (Samson Dalila)- Camille Saint-Saëns, “En vain, pour eviter les responses ameres (Carmen)- Georges Bizet, “Lorsque le temps d’amour a fui” (Don Quichotte)- Jules Massenet, “I love you Porgy” (Porgy and Bess)- George Gershwin, “Don’t call me”- Giya Kancheli, “Cuntry of flowers”- Georgian Folk, “Summertime” (Porgy and Bess)- George Gershwin, “My Funny Valentine”- Richard Rodgers, “Rinascero”- Astor Piazzolla, “Oblivion”- Astor Piazzolla, “Yo Soy Maria” ( Maria de Buenos Aires)- Astor Piazzolla, 5 Musics from the Motion Picture “Don Quichotte- Giya Kancheli.
Në fund të koncertit, interpretuesit u shpërblyen me duartrokitje frenetike nga ana e publikut, të cilët tashmë kishin përjetuar një ndër koncertet më të veçanta të muzikës klasike.
Në një prononcim për KultPlus Mezzosopranoja, Anita Rachvelishvili, u shpreh se kaloi një natë të mrekullueshme, e hapur nga vetë artistja me një këngë shumë të veçantë gjeorgjiane, që ajo e përshkruan si thellësisht patriotike.
“E hapa me një këngë shumë patriotike që quhet “Sunrise”, dhe është për luftën, për dhimbjen që ka kaluar edhe Gjeorgjia, dhimbja që ne kemi përjetuar. Kënga flet për këtë dhe mendova se ishte perfekte për të krijuar një lidhje me Kosovën, si një vend që ka kaluar gjithashtu shumë dhimbje dhe vuajtje. Ka një mirëkuptim të madh mes popullit tonë dhe popullit tuaj, ndaj ndjeva se ishte shumë e rëndësishme të hapja me diçka që flet për dashurinë ndaj vendit tënd dhe dashurinë për popullin tënd.” – u shpreh mezzosoprania’
Sipas saj, në Gjeorgji muzika ka luajtur gjithmonë një rol të rëndësishëm në histori. Ajo pasqyron ngjarjet që ka kaluar populli dhe është një mënyrë për të ruajtur kujtesën dhe për ta përcjellë atë brez pas brezi. E njëjta gjë vlen edhe për Kosovën.
“Pra, ka një lidhje të madhe mes nesh për shkak të kësaj, sepse ne ndajmë dhimbjen dhe, përmes muzikës, mund ta ndajmë atë dhimbje dhe ta sjellim te njerëzit që vijnë për të na dëgjuar.” – shtoi Anita.
Në lidhje me festivalin, ajo e vlerëson Rame Lahaj International Opera Festival si një nga ngjarjet më të rëndësishme në botë për vende në zhvillim artistik si Kosova. Vlerësimi i saj për punën që po bëhet është i madh, sidomos për faktin se festivali sjell artistë nga e gjithë bota dhe i prezanton ata me publikun e Kosovës dhe me kulturën vendase. Ajo thekson se festivali nuk kufizohet vetëm te muzika klasike, por i jep vend muzikës në tërësi si një forcë e rëndësishme për zhvillimin e një vendi.
“Për vende si Kosova, ky është një nga festivalet më të rëndësishme në botë, sepse ajo që bën Ramë Lahaj dhe ajo që bën festivali është të sjellë njerëz nga e gjithë bota dhe t’i prezantojë ata me njerëzit e mrekullueshëm të Kosovës dhe me kulturën e operës, me kulturën e muzikës klasike. Dhe siç e patë sonte, jo vetëm muzikë klasike, por në përgjithësi muzikë, e cila, sipas nesh, ka një rol shumë, shumë të rëndësishëm në zhvillimin e një vendi. Jam shumë mirënjohëse ndaj festivalit dhe shumë mirënjohëse për gjithë mbështetjen që vendi i jep festivalit. Dhe vetëm shpresoj që ky festival të bëhet një ngjarje shumë e madhe dhe e njohur ndërkombëtarisht, që të gjithë të dëshirojnë të vijnë dhe ta përjetojnë.”
Pjesë e kësaj mbrëmjeje të veçantë ishte edhe mezzosopranoja kosovare Merita Juniku, e cila ndau emocionet e saj pas koncertit, në një intervistë për KultPlus, duke e përshkruar festivalin si një përjetim të jashtëzakonshëm:
“Sonte patëm rastin të dëgjojmë një nga mezzosopranot më të njohura botërore. Është vërtet kënaqësi që publiku i Prishtinës pati mundësinë ta shfrytëzojë këtë mbrëmje, të cilën nuk mund ta shijojë askund tjetër. Mezzosopranoja ishte e shkëlqyeshme dhe programi jashtëzakonisht i bukur. Ishte bombastike.” – u shpreh mezzosopranoja Juniku.
Fjalët e saj përshkruajnë jo vetëm nivelin artistik të performancës, por edhe rëndësinë që ka një ngjarje e tillë për publikun vendas dhe për zhvillimin kulturor të vendit. Nata e 30 korrikut u shënua si një natë ku arti operistik u ndje më pranë se kurrë, dhe ku Prishtina u kthye për disa orë në një nga qendrat më të ndritura të muzikës klasike evropiane./ KultPlus.com
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim tenorin e mirënjohur ndërkombëtar, Ramë Lahaj, së bashku me yjet e operës botërore që po marrin pjesë në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Ramë Lahaj”, një prej ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në Kosovë dhe rajon.
Në këtë takim solemn, Presidentja Osmani ka mirëpritur edhe artistët e ftuar special të këtij edicioni, përfshirë Ramón Vargas, një nga tenorët më të shquar të skenës operistike botërore, Anita Rachvelishvili, mezzosopranoja me famë ndërkombëtare nga Gjeorgjia, si dhe dirigjentin Besmir Vokopola, i njohur për bashkëpunimet e tij me institucione prestigjioze të muzikës klasike.
Presidentja Osmani ka vlerësuar lart kontributin e Ramë Lahajt në promovimin e Kosovës përmes artit dhe kulturës, duke theksuar rolin e tij si ambasador kulturor në skenat më të mëdha të operës në botë. Ajo gjithashtu ka përgëzuar përkushtimin e tij për të sjellë artistë të kalibrit ndërkombëtar në Prishtinë dhe për të ngritur standardet e artit operistik në vend.
“Festivali ‘Rame Lahaj’ tashmë është bërë një ngjarje kulturore me dimension evropian, që i jep Kosovës një vend të merituar në hartën ndërkombëtare të muzikës klasike,” – u shpreh Presidentja Osmani. Festivali, i cili këtë vit po zhvillon edicionin e tij të pestë, ka arritur të bëhet një platformë elitare për bashkëpunim artistik dhe përfaqësim të denjë të kulturës kosovare në botë./KultPlus.com
Mbrëmjen e kaluar, arti operistik mori jetë në zemër të Prishtinës, aty ku tingulli u bashkua emocionin dhe e shndërroi hapësirën përballë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës në një skenë të magjisë muzikore. ‘Opera Night’, e zhvilluar në kuadër të Rame Lahaj International Opera Festival, solli para publikut kosovar sopranon shqiptare me famë botërore, Marigona Qerkezin, shkruan KultPlus.
Ky rikthim kishte një simbolikë të veçantë. Pas një karriere që ka marrë hov në skena prestigjioze të Evropës, Qerkezi u kthye në vendlindje jo vetëm si një artiste e suksesshme, por si një zë që i përket këtij publiku dhe që flet në gjuhën e shpirtit të saj. Emocionet e saj në skenë u reflektuan qartë edhe në përzgjedhjen e repertorit – një udhëtim muzikor përmes epokave, stileve dhe kulturave të ndryshme, që ndërthuri elegancën franceze, pasionin italian, ndjeshmërinë shqiptare dhe frymën amerikane të shekullit XX.
Mbrëmja u hap me një nga veprat më prekëse të repertorit lirik, ‘Après un rêve’ të Gabriel Fauré. Më tej, Qerkezi solli një nga ariet më të dashura të repertorit operistik, “O mio babbino caro” nga Giacomo Puccini, e cila u interpretua me ndjeshmëri të thellë. Në vijim, u zhyt nën emocionet që u transmetuan përmes ‘Casta Diva’ nga opera Norma, e që u vu në jetë përmes zërit të Qerkezit, shoqëruar nga pianistja, Jess Rucinski.
Pas kësaj, vëmendja u pozicionua tek pianistja Rucinski, e cila interpretoi me finesë veprën “Lied ohne Worte” të Felix Mendelssohn, duke krijuar një atmosferë melankolie përmes tingujve të pastër të pianos.
Marigona Qerkezi u rikthye më pas me një tjetër perlë të Puccinit, “In quelle trine morbide”, pasuar nga aria e fuqishme “Vissi d’arte” nga Tosca – një interpretim që ndërthurte shpirt, kontroll teknik dhe forcë dramatike, për të vazhduar më pas me veprën e fuqishme ‘Merce, dilette amiche’ të Verdit.
Pianistja Rucinski sërish erdhi me një interpretim solo teksa solli në piano veprën impresioniste “Sonatine, II. Animé” të Maurice Ravel.
Pjesa e dytë e mbrëmjes mori një ton më të ngrohtë dhe modern, me interpretimin e këngës “Summertime” të George Gershëin – një përzierje e klasikes me jazz-in, që nxori në pah fleksibilitetin vokal dhe interpretativ të Qerkezit.
Ndërkaq, me veprën “Sinfonia” të kompozitorit shqiptar Aulon Naçi, Marigona Qerkezi solli në skenë edhe frymën e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke emocionuar publikun me një ndjeshmëri të veçantë.
Pas kësaj, ajo interpretoi këngët “Non ti scordar di me” e Ernesto Curtis dhe “I Feel Pretty” nga West Side Story të Leonard Bernstein. Në pjesën finale të koncertit, Qerkezi interpretoi “Klänge der Heimat” të Johann Strauss II, një vals që u përcoll me mjeshtëri dhe finesë të jashtëzakonshme.
E momenti kulminant dhe më emocionues i mbrëmjes erdhi tek vepra e fundit, teksa Qerkezi solli perlën e muzikës shqiptare ‘Margjelo’ të Prenk Jakovës. Interpretuar me një mjeshtëri të rrallë, kjo performancë u përmbyll me ovacione të zjarrta nga publiku.
Si surprizë e veçantë e mbrëmjes, në skenë u ngjit tenori dhe themeluesi i festivalit, Rame Lahaj, i cili bashkë me Marigona Qerkezin solli një duet nga opera Tosca e Puccinit. Ky moment i përbashkët, përveçse një dhuratë për publikun, ishte një dëshmi e vërtetë se opera në Kosovë po jeton përmes emrave që jo vetëm përfaqësojnë vendin me dinjitet në botë, por edhe i rikthehen atij me dashuri dhe përkushtim.
Pas kësaj paraqitje dinjitoze që erdhi si një rikthim për të në Kosovë, Marigona Qerkezi tha për KultPlus se ndjehet shumë e lumtu që ishte pjesë e këtij koncerti, dhe çdo ndjenjë që ka arritur në çdo paraqitje në teatro prestigjioze, iu shtua në këtë mbrëmje teksa performoi përpara publikut të saj.
“Ishte një mbrëmje shumë e bukur dhe shumë e veçantë që me siguri do të mbetet shumë gjatë në zemrën time, një rikthim për publikun tim të dashur, një paraqitje e parë për pesë-vjetorin e këtij festivali madhështor ‘Rame Lahaj International Opera Festival’, po besoj që publiku e ka shijuar shumë po aq sa e kam shijuar edhe unë. Unë erdha nga performancat e mia në Royal Opera House në Londër prej rolit të Leonorës, kjo magjia e punës dhe e asaj që kam zgjedhur ta bëj gjatë gjithë jetës që dashurinë e publikut e mbaj gjithmonë me vete dhe e kam të freskët atë të publikut londinez, ajo mu shumfishua, mu shtua dhe mu thellua edhe më shumë me publikun tim i cili është gjithmonë i veçantë dhe ajo dashuria mbizotëron dhe vullneti për të performuar para publikut tim”, theksoi Qerkezi.
Tutje ajo foli edhe për programin duke theksuar se ka dashur të interpretojë vepra të periudhave të ndryshme, por duke mos lënë anash as krijimtarinë shqiptare.
“Ka qenë një program mjaft i pasur, me kompozitorë të ndryshëm nga periudha të ndryshme stilistike dhe përveç veprave të cilat i kam interpretuar si të plota në skenë, disa prej tyre dhe të tjera do t’i interpretoj edhe në të ardhmen. Kam zgjedhur edhe vepra të kompozitorëve tanë, interpretova veprën e kompozitorit tonë Aulon Naçi, një simfoni që e kam interpretuar për vite e vite në vende të ndryshme. Gjithashtu, përmbylljen e koncertin e kam bërë me një perlë shqiptare siç është ‘Margjelo’”, tha Qerkezi, duke shtuar mes tjerash që ndjehet e lumtur edhe për prezantimin e saj në formë të surprizës, bashkë me tenorin e mirënjohur, Rame Lahaj.
Ndërkaq, për KultPlus foli edhe pianistja Jess Rucinski, e cila përveç se e shoqëroi në piano soprano Qerkezi, dhuroi edhe momente të veçanta teksa performoi dy vepra solo.
“Ishte shumë bukur. Më pëlqeu kjo hapësirë midis qytetit. Ishte kënaqësi të shihja se sa shumë njerëz erdhën dhe se sa shumë e vlerësojnë Marigonën. Për mua, edhe pse nuk kam qenë kurrë në Kosovë dhe kisha vetëm lidhje indirekte me Festivalin, ndihem shumë e mirëseardhur me njerëzit me të cilët kam punuar dhe jam takuar”, tha Jess Rucinski.
Ju kujtojmë se Rame Lahaj International Opera Festival, vazhdon rugëtimin e tij duke sjellë performance të muzikës operistike nën interpretimin e muzikantëve vendor dhe të huaj, ku do të kurorëzohet më datë 2 gusht ku do të mbahet koncerti ‘Rame Lahaj & Friends’./KultPlus.com
Mbrëmja e kaluar në Prishtinë shënoi hapjen e edicionit të pestë të Rame Lahaj International Opera Festival, me një koncert të jashtëzakonshëm nën qiellin e hapur, përballë Bibliotekës Kombëtare të Kosovës. Në një atmosferë të ndriçuar hijshëm dhe me një publik që kishte zënë vend në çdo cep të kësaj hapësire, festivali filloi rrugëtimin e tij artistik në mbrëmjen dedikuar tërësisht krijimtarisë së ikonës së muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.
E pozicionuar në hapësirën përballë bibliotekës, mbrëmja ofroi një skenografi ku stolat dhe dritat krijuan një ambient që në shikim të parë e paralajmëronin një natë të mbushur me emocion, nostalgji dhe melankoli. Nën moton “Ëndrra pa kufi, opera pa mure”, RLIOF solli para publikut një koncert që u bë urë-lidhësemes operës dhe trashëgimisë muzikore shqiptare.
Mbrëmja u hap me interpretimin e ndjeshëm të këngës “Unë ty të kam dashtë” nën zërin e Edona Reshitaj në përcjellje nga orkestra e Genti Rrushit. Pas saj, Adhurim Grezda solli një version të fuqishëm të “Perëndeshë e bukurisë”, ndërsa artistja Arbëreshë interpretoi me delikatesë këngën “Ti mor djalë”.
Pas këtyre performancave, në skenë u ngjit mezopranoja egjiptiane, Gala El Hadidi, e cila me këngën “E dehur jam” përçoi emocione të thella dhe një përjetim të veçantë të muzikës së Pagarushës. Reshitaj u rikthye me “Kur më del në derë”, ndërsa El Hadidi interpretoi ndjeshëm “Vetë ke mbet”. E më pas Grezda solli “Kur më shkon si zog n’hava”.
Vazhdimi i koncertit solli këngë të tjera të paharrueshme si “Dashuro” nga Arbëreshë, “Zani i tij më thërret” nga Reshitaj, “O moj bukuroshe” nga Grezda, si dhe “O në atë fushë t’mejdanit” nga Arbëreshë, për të vijuar me “Sytë për ty i kam të njomë”, “O dritë, sa të dua”, dhe për t’u përmbyllur me “E kujtoj atë takim”, në interpretimin plot emocion të Gala El Hadidi.
Pwrfundimi i koncertit erdhi me një kolazh të përbashkët të këngëve më të dashura të Nexhmije Pagarushës, ku të gjithë artistët u ngjitën sërish në skenë për të interpretuar së bashku “Baresha”, “Mora testin”, “E kujtoj atë takim” dhe shumë këngë të tjera që përbëjnë thesarin e muzikës shqiptare.
Pas një paraqitje ku u pasua me një grumbull ovacionesh, këngëtari Adhurim Grezda u shpreh shumë i lumtur që ishte pjesë e kësaj mbrëmje hapëse, e aq më tepër në një koncert që i dedikohet ikonës, Nexhmije Pagarusha.
“Padyshim që ndjehem shumë i lumtur dhe shumë krenar që po ripërtrihen këngët divës së madhe të muzikës shqipe, Nexhmije Pagarusha. Po vazhdojmë me këtë edicion të pestë, vit jubilar i Rame Lahaj International Opera Festival dhe besoj se si kjo mbrëmje e suksesshme, të tilla do të jenë edhe mbrëmjet e tjera të këtij edicioni. Kryesisht jemi bazuar tek krijimtaria e Nexhmije Pagarushës, unë kisha edhe një këngë që e kam marrë nga repertori i Shkodrës, kisha dëshirë ta prezantoja si risi në këtë edicion”, theksoi Grezda për KultPlus.
Ndonëse është paraqitja e saj e parë në Kosovë, mezosopranoja nga Egjipti, Gala El Hadidi ndan me KultPlus përshtypjet e saj për Kosovën. Ajo e përshkruan këtë paraqitje të saj si një përvojë të mrekullueshme dhe që mezi pret të rikthehet sërish në Kosovë.
“Kam krijuar përshtypje të mrekullueshme për Kosovën, dua të rikthehem sërish, më ka pëlqyer shumë dhe nuk mund ta besoj që do të largohem pas dy ditësh. Është gjë e mrekullueshme të performoj këtu para publikut të Kosovës, publik që e shijon muzikën dhe kam mundur të vërej se këtu ka një trashëgimi kulturore muzikore dhe vërtet një publik i hapur dhe që i pranon të gjithë, pavarësisht pse sot unë këndova këngë në gjuhën shqipe, është vërtet një nder për mua të jem këtu. E kam njohur Rame Lahajn në Gjermani dhe të dy, ku kisha kënaqësinë të performoj me të para disa viteve, dhe pasi ai krijoi këtë festival më ftoi disa herë po nuk pata mundësi të vija deri më tani dhe sigurisht duke e njohur atë se sa i suksesshëm është, gjithmonë kisha dëshirë të vija”, u shpreh El Hadidi duke shtuar më tutje se Lahaj është një ambasador shumë i mirë i Kosovës dhe është një prej arsyeve pse Hadidi dhe shumë artistë të muzikës operistike kanë vendosur që të vijnë të performormojnë në Kosovë.
Pasi koncertit, për KultPlus foli edhe artistja Edona Reshitaj, e cila u dha sërish jetë disa prej këngëve ikonike të Nexhmije Pagarushës. Reshtaj e përshkruan si ndjenjë të jashtëzakonshme paraqitjen në këtë koncert dhe vlerëson lart kontributin e festivalit Rame Lahaj International Opera Festival.
“Është ndjenjë e jashtëzakonshme, kam një nder të madh dhe një kënaqësi të madhe që marr pjesë në këtë festival fantastik dhe tjetra është se ky festival ka bërë kthesën e muzikës sepse gjithmonë është paragjykuar që Kosova nuk ka publik për muzikën e mirëfilltë dhe muzikën klasike, me këtë festival ne e kemi kuptuar që ka hala shpresë për vendin tonë”, tha Reshitaj teksa shtoi se me festivale të tilla po shënohet edhe një rikthim masiv i publikut edhe në koncertet artistike dhe klasike.
Pas përfundimit të mbrëmjes së parë, për KultPlus foli edhe koordinatori artistik i festivalit, Besmik Vokopola, i cili përveçse foli për natën hapëse, shpalosi edhe qëllimin e këtij edicioni të Rame Lahaj International Opera Festival.
“Ne sapo përfunduam mbrëmjen e parë të dedikuar të madhes Nexhmije Pagarusha dhe këtë vit festojmë pesë – vjetorin e Festivalit Ndërkombëtar të Operës Rame Lahaj nën moton ‘Ëndërra pa kufi, opera pa mure’ sepse gjithçka nisi si një ëndërr dhe ja ku jemi sot, që sjellim në Prishtinë dhe në disa prej qyteteve të Kosovës art të mirëfilltë, jo vetëm muzikë klasike por edhe gërshetimin me ato që janë tingujt e kulturës sonë”, tha Vokopola, teksa më tutje shpalosi edhe mbrëmjet që do të pasojnë festivalin deri në natën përmbyllëse.
Ndërkaq, përgjatë këtyre mbrëmjeve të festivalit RLIOF, publiku do të ketë mundësinë të shijojë performanca të artistëve të mirënjohur vendorë e të huaj deri më datë 2 gusht, ku edhe do të kurorëzohet me mbrëmjen ‘Rame Lahaj & Friends’./KultPlus.com
Sonte, më 23 korrik nga ora 20:30, në hapësirën e jashtme të Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, ngrihet sipari i edicionit të pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operës “Rame Lahaj”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend dhe rajon. Nën moton inspiruese “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure”, festivali hapet me një koncert të veçantë, dedikuar ikonës së pavdekshme të muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus
Publiku do të ketë mundësinë të përjetojë një mbrëmje të jashtëzakonshme artistike ku emocionet dhe nderimi ndërthuren në mënyrë të paharrueshme. Në skenë do të ngjiten emra të mëdhenj të muzikës operistike dhe moderne, përfshirë mezzosopranon e njohur egjiptiane Gala El Hadidi, e cila për herë të parë do të këndojë në gjuhën shqipe, një moment historik dhe emocionues për artdashësit vendas. Ajo do të shoqërohet nga artistë të afirmuar shqiptarë si Edona Reshitaj, Adhurim Grezda dhe A R B Ë R E SH Ë, nën përcjelljen muzikore të Gent Rushi Group.
Ky koncert i parë do të sjellë në skenë interpretimet e disa prej këngëve më të dashura të Nexhmije Pagarushës, duke ringjallur frymën, pasionin dhe artin e saj përmes një qasjeje të re muzikore që bashkon traditën me modernitetin.
Pas Prishtinës, festivali do të vazhdojë më 24 korrik në Pejë dhe më 25 korrik në Mitrovicë, duke përhapur emocionin e operës dhe muzikës shqiptare në qytete të ndryshme të Kosovës.
Edicioni i këtij viti do të zgjasë deri më 2 gusht, kur do të përmbyllet me një natë të madhe gala “Rame Lahaj & Friends – Gala Night”, një mbrëmje kulmore që premton interpretim të nivelit ndërkombëtar dhe një përvojë muzikore që nuk duhet humbur. Prishtinë – Pejë – Mitrovicë | 23 korrik – 2 gusht Opera shqiptare jeton, frymon dhe ndërton ura pa kufij, pa mure./KultPlus.com
Edhe këtë vit, Festivali Ndërkombëtar i Operas Rame Lahaj, hap dyert e muzikës klasike brezit më të ri në Prishtinë, atyre që dëgjojnë me zemër dhe ëndërrojnë pa kufi.
Në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Operas Rame Lahaj, organizohet një koncert i veçantë dedikuar fëmijëve, në bashkëpunim me Korin e Fëmijëve dhe Orkestrën “Amadeus”. Ky projekt është pjesë e përpjekjeve për të mbështetur edukimin kulturor të brezave të rinj, duke i afruar ata me bukurinë dhe emocionet e muzikës klasike.
Një nga shtyllat themelore të rrugëtimit të festivalit mbetet edukimi i brezave të rinj përmes artit dhe kulturës duke krijuar hapsira për pjesëmarrjen e femijëve jo vetëm si spektatorë por edhe si pjesëmarrës.
Pse muzika klasike për fëmijët?
Sepse ata janë publiku dhe artistët e së ardhmes. Përmes kësaj nisme, dëshirojme t’u japim fëmijëve mundësinë të përjetojnë tinguj dhe ngjyra të reja të muzikës dhe të nxisim pasionin për artin në një moshë të hershme.
Ejani më 27 korrik bashkë me fëmijët tuaj, në Hyperactive, Prishtina Mall ora 13:30, sepse muzikantët e së nesërmes, rriten sot!/ KultPlus.com
Në edicionin e pestë të Festivalit Ndërkombëtar të Operas “Rame Lahaj”, publiku do të ketë rastin të përjetojë një bashkëpunim të jashtëzakonshëm: për herë të parë, Orkestra Simfonike e Radiotelevizionit Shqiptar do të ngjitet në skenën e këtij festivali prestigjioz.
Kjo gala-mbrëmje e shumëpritur, me titullin “Rame Lahaj & Friends”, do të mbahet më 2 gusht, ora 20:30, në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, dhe do të udhëhiqet nga Maestro Roberto Rizzi Brignoli, një emër i njohur i dirigjimit operistik ndërkombëtar, përcjellë KultPlus
Orkestra Simfonike e RTSH-së, një nga institucionet më të rëndësishme muzikore në Shqipëri, vjen në këtë koncert me një histori të gjatë dhe të lavdishme që prej themelimit të saj më 16 maj 1962. Në vitin 2017, ajo u nderua me titullin “Nderi i Kombit”, si vlerësim për rolin dhe kontributin e saj në jetën artistike dhe kulturore shqiptare.
Ky koncert vjen me mbështetjen e Zyrës së Kryeministrit të Qeverisë Shqiptare, dhe shënon një tjetër gur themeli në afrimin e institucioneve muzikore të Shqipërisë dhe Kosovës përmes artit dhe bashkëpunimit. “Ne besojmë thellësisht se arti është forma më e pastër e lirisë dhe se kufijtë mes Shqipërisë dhe Kosovës mund të ekzistojnë në letra dhe harta, por asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë pengesë për bashkëpunimin e për rrjedhën e lirë të artit,” – thuhet në njoftimin zyrtar të Festivalit.
Të gjithë dashamirët e muzikës klasike dhe operës janë të mirëpritur të marrin pjesë në këtë ngjarje të veçantë që premton të jetë një natë e paharrueshme artistike në zemër të Prishtinës./KultPlus.com
Festivali Ndërkombëtar i Operës Rame Lahaj (RLIOF), do mbahet nga 23 korriku deri më 2 gusht 2025, duke sjellë edicionin e tij të pestë, me temën “Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” një thirrje për tejkalimin e barrierave dhe për fuqinë transformuese të artit.
Festivali konsiderohet jo vetëm si një festë e muzikës por një dëshmi e forcës së ëndrrave dhe vizionit për Kosovën.
Më poshtë gjeni njoftimin e plotë të festivalit:
Në një vend ku mungon një shtëpi opere, ne nuk pamë një pengesë, por një mundësi për të ndërtuar diçka më të madhe. Me pasion dhe përkushtim, kemi kthyer çdo hapësirë në një skenë tingujsh që përkëdhelin zemrat e publikut.
“Ëndrra pa kufi, Opera pa mure” është më shumë se një moto, është fryma që do të na udhëheq në këtë edicion. Artistë nga çdo cep i botës na janë bashkuar, duke treguar se muzika është gjuha universale. Ajo nuk njeh barriera, nuk njeh kufi.
Kosova është gati. Është e denjë, dhe ka nevojë për një shtëpi ku arti të marrë frymë, ku talenti të lulëzojë, ku brezat e ardhshëm të besojnë se ëndrrat bëhen realitet.
Në këtë 5-vjetor, ne nuk ndalemi. Ne ëndërrojmë më fort, krijojmë më lart dhe ndërtojmë themelet e së ardhmes.
Arti nuk ka nevojë për kufi, ai ka nevojë për zemra që besojnë. E në këtë edicion jubilar, një rrugëtim që ka shënjuar historinë e artit operistik në vend, RLIOF ka ndërtuar tashmë një traditë, duke vendosur çdo vit një tullë më shumë për shtëpinë e ardhshme të artit muzikor në Kosovë./ KultPlus.com
Mbrëmë, në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, u mbajt koncerti ‘Rame Lahaj & Friends’, një gala mbrëmje e veçantë që përmbylli Festivalin Ndërkombëtar të Operës ‘Rame Lahaj International Opera Festival’. Kjo mbrëmje e magjishme mblodhi së bashku tre tenorë të famshëm: Rame Lahaj, Charles Castronovo dhe Murat Karahan, përcjellë nga Orkestra e Operës së Kosovës që u drejtua nga dirigjenti Sascha Goetzel, shkruan KultPlus.
Koncerti nisi me një interpretim të shkëlqyer të ‘Ouverture’ të Rossinit nga Orkestra e Operës drejtuar nga Goetzel. Ky fillim energjik dhe emocionues e përgatiti skenën për një natë të mbushur me muzikë të bukur dhe interpretime të mrekullueshme.
Rame Lahaj hapi pjesën solo të koncertit me veprat shqiptare, ‘Moj e bukura More’, ‘N’mes dashurive’ dhe ‘Hej ju male’, të cilat u pritën me duartrokitje të ngrohta dhe emocionuese nga publiku, duke dëshmuar edhe një herë për talentin dhe përkushtimin e tij ndaj muzikës shqiptare.
Pas Lahaj, në skenë u ngjit tenori i njohur amerikan, Charles Castronovo, i cili solli një interpretim të fuqishëm dhe emocional të ‘Una furtiva lagrima’ nga Donizetti. Performanca e tij u mirëprit me entuziazëm dhe vlerësime të larta nga të pranishmit, duke shtuar një tjetër dimension të pasur në mbrëmjen gala.
Më pas, mbrëmja vazhdoi me performancën e tenorit turk, Murat Karahan,i cili u paraqit me një interpretim të mrekullueshëm të ‘E la solita storia del pastore’ nga Cilea. Zëri i tij i fuqishëm dhe teknika e përsosur e tij solli një atmosferë të veçantë dhe të paharrueshme në sheshin ‘Skënderbeu’.
Mbrëmja vazhdoi me interpretimet e veprave ‘Farandole’, ‘O souveain, o juge, o pere’, ‘Non piangere Liu’,’Nessun dorma’,’Prelude’, ‘Ch’ella mi creda’, ‘E lucevan le stelle’,’Canta pe ‘me’,’Tu, ca nun chiagne’,’Core n’grato’ dhe ’My way’.
E teksa mbrëmjes po i vinte fundi, tre tenorët u ngjitën bashkë në skenë për të performuar së bashku veprat e radhës ku fillimisht Lahaj dhe Castronovo interpretuan veprën ‘Lolita’ të Peccias. Pas kësaj u interpretua vepra ‘Senede Galmaz’ nga Murat Karahan dhe Rame Lahaj.
Rame Lahaj solli më tutje nostalgji në publik me interpretimin e këngës ‘Pranvera në Prishtinë’, këngë kjo që përcolli emocione të pafund në publik.
Mbrëmja ‘Rame Lahaj & Friends’ u përmbyll mjestërisht me performancën e përbashkët të tre tenorëve, orkestrës dhe dirigjentit Goetzel, të cilët interpretua veprën ‘Torna a Surrieno’.
Pas koncertit, për KultPlus foli tenori Charles Castronovo, i cili thotë se u mrekullua nga mikpritja që iu bë në Kosovë.
“Jam shumë i lumtur, me këtë super energji, me një publik të tillë dhe në një ambient të hapur, kjo mbrëmje ishte përfekte. Unë isha shumë i lumtur,i emocionuar, por edhe me një energji të mirë që më dha publiku këtu e për këtë mezi pres që të kthehem prapë. Mendoj që gjëja më e madhe që do e marr me vete është ngrohtësia që më dhaë njerëzit në Kosovë, u mirëprita sikur të isha një anëtar i familjes që nuk ishte ardhur që një kohë të gjatë dhe për mua kjo është gjëja më e rëndësishme e këtij rrugëtimi”, u shpreh Castrovo.
Pasi bëri bashkë një numër të madh instrumentistësh, pas koncertit për KultPlus foli edhe dirigjenti Sascha Goetzel i cili theksoi rëndësinë e muzikës në bashkimin e njerëzve.
“Muzika vërtet na bashkon, e sot ne patëm shumë kombësi në publik dhe shumë kombësi në skenë. Pashë në audiencë e edhe skenë gjithashtu te orkestra tek rridhnin ca lot. Bëhet fjalë për një institucion të ri e cila ka plot ëndrra, beson në të ardhmen e saj, të vendit të tyre, janë zëri që prezantojnë çfarë në të vërtetë është Kosova, dhe kjo më bën shumë të nderuar që më zgjodhën të jem pjesë e këtij koncerti”, u shpreh Goetzel.
“U ndjeva shumë i lumtur përpara këtij publiku të mrekullueshëm me të cilët patëm një lidhje të përkryer, u ndjeva në Kosovë si të isha në shtëpinë time. Njerëzit, qëndrimet, pozitiviteti, mikpritja , ushqimi , më bënë që të ndjehem si në shtëpinë time. Koncerti ishte i mrekullueshëm, do të doja të rikthehem sërish në Kosovë. Rame Lahaj është një mik i imi i vjetër, Charles Castronovo është një tenor i mrekullueshëm, po ashtu edhe dirigjenti Sascha Goetzel ëstë mik i imi, të gjithë së bashku e bëmë një ekip të mrekullueshëm . Ishte një sinergji e mrekullueshme, mes nesh, oskestrës dhe publikut.”, u shpreh Karahan, duke shtuar më tutje se u ndje i vlerësuar nga duartrokitjet e shumta që mori nga publiku.
Ndërkaq, ju kujtojme që festivali ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ u mbajt nga 21 korrik deri më 2 gusht dhe këtë vit erdhi me moton ‘T’knoft zemra’./KultPlus.com
Rame Lahaj, Charles Castronovo e MUrat Karahan do të jenë pjesë e mbrëmjes gala në kuadër të RLIOF që do të mbahet më 2 gusht në Prishtinë, shkruan KultPlus.
Për këtë prurje artistike është bërë e ditur nga vet organizatorët, ku njoftimi i plotë është i abashkangjitur më poshtë.
A jeni gati për ‘TRE TENORËT’?
Vetëm edhe pak ditë na ndajnë nga mbrëmja magjike e artit operistik në kryeqytet
Tre emra të skenave prestigjioze, Rame Lahaj, Charles Castronovo e Murat Karahan bëhen bashkë për të na dhuruar një natë plot emocion nën moton ‘T’knoft zemra’.
Nën dirigjimin e Sasacha Goetzel, shoqëruar nga Orkestra e Operas së Kosovës.
Tenori nga Kosova, Ramë Lahaj, gjendet në Shkodër së bashku me një tjetër tenor të njohur ndërkombëtarisht, të famshmin Alessandro Safina. Lahaj ndau në rrjet një foto së bashku me kolegun e tij, të cilin është duke e njohur me bukuritë natyrore të Shqipërisë, e siç shprehet Lahaj “me mrekullitë kulturore të Shkodër loces tonë”.
Së shpejti, dy tenorët do të këndojnë në një koncert, në Shkodër. “Ramë Lahaj & Friends” do të jetë i pari koncert i plotë i tenorit nga Kosova, në Shqipëri.
Koncerti do të mbahet më datë 8 qershor në sheshin e Shirokës, organizuar nga Bashkia Shkodër, nën patronazhin e kryebashkiakut, Benet Beci.
Në postimin e sotëm, në rrjetet sociale, Ramë Lahaj shkruan se, secili prej nesh e ka për detyrë të kontribuojë në imazhin e vërtetë të shqiptarëve, e jo atë negativ që është lobuar ndër vite nga dashakeqët.
Tenori Ramë Lahaj është ngjitur në disa prej skenave më prestigjioze të botës. Ndonëse karriera e tij zhvillohet jashtë kufijve shqiptarë, artisti nga Kosova nuk harron rrënjët e tij, duke interpretuar edhe për publikun shqiptar./atsh/KultPlus.com
Tenori Ramë Lahaj sapo ka zbuluar datat e edicionit të katërt të RLIOF, dhe sipas këtij njoftimi, pritet të realizohen pesë mbrëmje të paharrueshme me yje të operës, shkruan KultPlus.
Më poshtë e keni njoftimin e plotë të Ramë Lahaj.
Të dashur miq të operas dhe festivalit RLIOF,
Me kënaqësi të madhe ju njoftojmë që edicioni i 4-të i festivalit ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ do të mbahet nga data 21 Korrik deri më 2 Gusht.
Edicioni i sivjetmë i RLIOF sjell:
5 mbrëmje të paharrueshme muzikore me yjet e operas
Ekspozitë të veçantë
Masterklasë frymëzuese për artistët e rinj
Tani që na ndajnë fiks dy muaj nga festa e madhe e artit operistik, ju ftojmë t’i ruani datat në kalendar për t’iu bashkuar edhe njëherë rrugëtimit tonë magjik me emra të mirënjohur të botës operistike.
Detajet dhe lajmet e reja, do t’i shpalosim vazhdimisht në rrjetet tona sociale dhe webfaqen zyrtare të festivalit www.rliof.com./ KultPlus.com
“Për ty Atdhe” është një ndër këngët më të bukura që e ka sjell tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj.
Prishtina, Prizreni, Tirana, Kruja e vendet tjera të dy shteteve shqiptare janë nikoqire të kësaj kënge, teksa përgjatë videoklipit shfaqen motive të kulturës shqiptare, si veshja, plisi dhe shumë elemente të tjera të cilat e kurorëzojnë këtë këngë.
Kënga muzikën e së cilës e kreu Pjetër Gaci, orkestrimin Shpëtim Saraçi dhe me video produksion nga Entermedia, në të gjitha pamjet shfaq dashurinë e një çifti të ri që vizitojnë vende shqiptare dhe praktikojnë tradita tona, teksa përmbyllja e këngës bëhet me propozimin e Lahajt ndaj vajzës pranë monumentit të Skënderbeut.
KultPlus ju sjell në mendje sot, në 16 vjetorin e pavarësisë së Kosovës.
Për ty Atdhe
Për ty Atdhe, ma të bukurën kangë, me fuqinë e kësaj zemre do të kendoj, për këto male, për këto fusha të gjana, për këtë vend ku sot i lumtur jetoj.
Për këto male, për këto fusha të gjana, për këtë vend ku,sot i lumtur jetoj.
x2 I bukur je, ngrihesh madhështor, si një kështjellë e pamposhtur ti qëndron, në mes dallgësh shkëmb graniti vigan, s’u përkule nga çdo stuhi e tufan./ KultPlus.com
Tenori i njohur kosovar, Ramë Lahaj ishte mysafir i kryeministrit të Shqipërisë në episodin e radhës të podcastit të Edi Ramës.
Biseda mes tyre preku pak edhe çështjen e religjionit. “Beson në Zot?”, e pyeti Rama tenorin, i cili pasi u përgjigj për besimin e tij, preku një çështje tjetër, numrin e madh të xhamive në Kosovë.
“Në fakt unë vij prej një familjeje ku babin e kam pasë haxhi, siç i themi ne në Kosovë. Kam dalë prej shtëpisë dhe kam ardhë në shtëpi duke u lutë me ritualet e tij, por në aspektet e besimit ka qenë shumë i hapur. Do me thënë, unë edhe pse jam rritë në një provincë ku bajramet dhe festat e myslimanëve janë festu në një formë shumë fanatike. Unë nuk jam zgju asnjëherë nga gjumi nga baba sepse duhet me shku në xhami në orën 4 të mëngjesit për Bajram. Do me thënë ka pasë një qasje fantastike sa i përket fesë, ku mua më ka lënë të lirë me u rritë dhe me vendosë. Besoj në Zot, besoj në karmë, besoj në univers, besoj verbërisht në energji. Kështu që kam një mix të, po e zbusë pak, të xhamisë dhe të kishës”, tha Lahaj.
Ai foli për një “tendencë të panevojshme në Kosovë”, ku ai tha se sheh më shumë xhami sesa kopshte fëmijësh.
“Desha me e ripotencu edhe një herë sepse në Kosovë ka një lloj trendi ku shoh më shumë xhami sesa, po them, ‘kindergarten’, kopshte, shkolla fëmijësh. Ka një lloj tendence e cila është e panevojshme. Këtu u lidha pastaj për ta treguar se sa i rëndësishëm ka qenë rrugëtimi im në raport me besimin, thjesht për faktin që kam qenë i lirë”, tha tenori Ramë Lahaj. /KultPlus.com
Rame Lahaj International Opera Festival sonte sjell mbrëmjen e pestë muzikore të titulluar ‘Nexhmije Pagarusha’, përcjell KultPlus.
Këngët e Nexhmije Pagarushës do të vijnë në përpunim tejet të veçantë dhe origjinal, për të zgjuar tek secili prej jush përjetime e momente unike siç vetëm muzika e saj dinte t’i zgjonte.
Artistët që do të interpretojnë në këtë mbrëmje janë: Kaltrina Miftari, Adhurim Grezda, Ardiana Bytyqi, Gerald Murrja, Besarta Murtezani, drejtuar e shoqëruar nga Keli Band.
Koncerti ‘Nexhmije Pagarusha’ mbahet sonte, e Hënë, 31 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik). / KultPlus.com
Zëri i talentëve të rinj, të përzgjedhur nga vetë legjenda e muzikës operistike, Maestro Francisco Araiza, jehoi në mbrëmjen e katërt të Festivalit Rame Lahaj International Opera Festival, është bërë e ditur nga RLIOF.
“Në koncertin e së shtunës mbrëma, publiku shijoi rrugëtimin muzikor që rezultoi nga Masterklasa me Maestro Araizën, i cili ka qëndruar në kryeqytet që nga fillimi i edicionit të 3-të të festivalit operistik, për të ndarë eksperiencën e tij me zërat e së ardhmes.
RLIOF e ka një prej qëllimeve kryesore promovimin e gjeneratës së re dhe ndërlidhjen e tyre me botën. Mbrëmja ‘New Generation’ u dha rastin solistëve nga vende të ndryshme të botës, si Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Ukraina etj, që t’i bashkohen misionit tonë.
Koncerti ‘New Generation’ u përmbyll me ndarjen e certifikatave të Masterklases me Maestro Araizën, por udhëtimi i këtyre talentëve nuk mbaron në Prishtinë. Mbështetja e RLIOF për zërat e ‘Gjeneratës së re’ vazhdon edhe pas përfundimit të festivalit”, thuhet në njoftimin e RLIOF!/ KultPlus.com
Nata e tretë e ‘RLIOF’ solli pranë vetes tre artistë të huaj, që me veçantinë e tyre artistike i dhanë magji këtij koncerti, shkruan KultPlus.
Me një profesionalizëm të pashoq, treshja e huaj e përbërë nga Leonor Bonilla, Mert Sungu dhe Simon Mechlinski, bashkë me shqiptaren Ardita Bufaj, bënë të mundur realizimin e një performance të jashtëzakonshme përpara publikut kosovarë.
Talenti, puna, përkushtimi, praktika e dhënia e shpirtit në skenë quan performancën e këtyre artistëve deri tek e ‘përsosura’ që rrallëherë gjendet mes nesh.
Kjo mbrëmje muzikore u nis me zërin e mrekullueshëm të Simon Mechlinski, interpretimi i të cilit dridhi sallën e dha emocionet më të forta në publik.
‘Ah per sempre…’, e Mechlinski-t, ngjalli një përjetim të thellë tek secili pjesëmarrës, duke u dhënë atyre, entuziazmin më të madh për të dëgjuar vëmendshëm edhe interpretimet e tjera pasuese.
Pas duartrokitjeve të forta e brohorimave të pandalshme të publikut, skenës i’u bashkua edhe sopranoja, Leonor Bonilla, një vajzë shumë pozitive që me buzëqeshjen e saj ngjitëse, bëri për vete gjithë pjesëmarrësit, ende pa e filluar mirë shfaqjen.
Përshtypjet e mira të publikut nuk i hodhi poshtë por i lartësoi edhe më shumë me performancën unike të këngës së saj ‘Una voce poco fa’.
Veçantia e shfaqjes nuk përfundoi këtu, pasi ajo erdhi lehtas edhe me bashkëpunimin mes dy muzikantëve, Bonillas dhe Mechlinski, me këngën ‘Pronta io son’. Me veçoritë e stilin unik të të dyve bashkë, u forcua edhe më shumë e i dha drita kësaj nate muzikore.
Pas përfundimit të interpretimit të këngës së përbashkët nga të dy artistët paraprak, skenës së Amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, i’u bashkua edhe Mert Sungu. Tenori, Mert Sungu erdhi nga Turqia vetëm për të realizuar këtë interpretim, e që rezultoi të jetë mjaft magjepsës.
Kënga e parë e Sungut, nga të pestat në total, ishte ‘La donna e mobile’, i cili me të parën paraqitje, ndezi flakë publikun në sallë.
Duartrokitjet i stoponte vetëm interpretimi i këtyre artistëve, pasi diçka tjetër nuk i ndalonte dot.
Surpriza më e madhe e kësaj nate solli edhe përmbylljen e koncertit, kur përpara publikut doli edhe njëherë baritoni, Simon Mechlinski, duke kënduar një këngë shqipe.
Kënga ‘Dashnor tu bana’ preku në telat e zemrës audiencën kosovare, duke bërë ata të brohorasin pandalshëm e të duartrokasin furishëm.
Koncerti ishte unik që në fillesë e gjer në mbarim. Secili nga këta muzikantë performuan në skenë me nga pesë këngë.
Leonor Bonilla përpos këngës ‘Una voce poco fa’, këndoi edhe katër këngë të tjera, ‘O luce di quest’anima’, ‘Je veux vivre’ Romeo et Juliette’. Ndërkaq, këngët ‘Pronta io son’ dhe ‘Tornami a dir che m’ami’, i pati në bashkëpunim me Sungun dhe Mechlinskin.
Përpos bashkëpunimeve me njëri-tjetrin, tenori, Mert Sungu këndoi edhe këngët, ‘E serbato questo acciaro’, ‘Me llaman la primorosa’ dhe ‘Non t’amo pio’.
Ndërsa, Mechlinski përformoi me këngët, ‘Votre Toast’, ‘Alla,Alla’ dhe ‘Dashnor tu bana’.
Pas përmbylljes së koncertit, sopranoja me origjinë meksikane, Lonor Bonilla u shpreh e lumtur për pjesëmarrjen në një koncert të tillë dhe se kjo shfaqje për të ka qenë shumë e veçantë, pasi që me këtë shfaqje edhe shkeli për herë të parë në Kosovë.
“Ndihem pafund e lumtur qe jam këtu edhe pse është hera e parë që ndodhem në Kosovë. Edhe pse për një kohë të shkurtër kam qenë këtu, mezi pres të kthehem përsëri”, u shpreh Bonilla për KultPlus.
Ndërkaq, artisti tjetër, Simon Mechlinski, u ndje pafundësisht i lumtur për koncertin, dhe krahas kësaj edhe për të është hera e parë që ndodhet këtu, në Kosovë.
“Është hera e parë në Kosovë por prapë se prapë më pëlqen shumë. Nesër më duhet të kthehem për në vendlindjen time por nuk do ta lë pa u kthyer prapë për vizitë në Kosovë”, u shpreh Mechlinski.
I pyetur se si ju duk vizita në Kosovë, ai tha që Kosova i pëlqeu shumë dhe përpos vendeve të bukura e njerëzve pozitivë që gjeti këtu, edhe ushqimi ishte fantastik.
Përpos artistëve të huaj që performuan natën e sotme për audiencën kosovare, për KultPlus nuk la pa folur edhe pianistja shqiptare, Ardita Bufaj, e cila e kompletoi skenën me talentin e saj.
Bufaj, fillimisht falënderoi tenorin Ramë Lahaj për ftesën e bërë e më pas doli edhe tek publiku, dhe mikpritjen e bërë nga ta.
“Ne kemi përfunduar koncertin e titulluar ‘Opera Night’ ku unë së bashku me tre artistët e tjerë ishim ftuar sot nga tenori i mirënjohur, Ramë Lahaj, të cilin e shfrytëzoj rastin ta falënderoj shumë. Ndërkohë, mendoj që me duartrokitjet e zjarrta të publikut, ia kemi dalë dhe kemi finalizuar një punë të fuqishme”, përfundoi Bufaj.
Kjo performancë e shkëlqyer me këta katër artistë të mrekullueshëm solli edhe fundin e natës së tretë të këtij koncerti të quajtur ‘Opera Night’.
Kujtojmë që “Ramë Lahaj International Opera Festival” ka nisur me datë 21 korrik dhe do të vazhdojë rrugëtimin deri më datën 31 korrik. / KultPlus.com
Rame Lahaj International Opera Festival po vjen me mbrëmjen e tretë muzikore të titulluar ‘Opera Night’.
Koncerti ‘Opera Night’ mbahet sonte, e enjte, 27 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik).
‘Opera Night’ mbrëmja që i dedikohet tërësisht muzikës së mirëfilltë operistike, vjen në festivalin RLIOF për ta pasuruar programin e festivalit. Në këtë mbrëmje në skenë do të ngjiten solistë të skenave operistike, të cilët për publikun e gjerë sjellin një repertor premierë në pjesën më të madhe të tij.
Këtë herë do të prekim belcantizmin në të gjitha ngjyrimet e tij, përmes zërave të jashtëzakonshëm të sopranos Leonor Bonilla, tenorit Mert Sungu dhe baritonit Simon Mechlinski, shoqëruar në piano nga Ardita Bufaj.
RLIOF mban emrin e tenorit të mirënjohur kosovar, Rame Lahaj, i cili falë eksperiencës dhe namit të tij në komunitetin botëror të operas sjellë para publikut shqiptar emra të mirënjohur të muzikës operistike. Më shumë detaje për festivalin mund t’i gjeni në website-in e RLIOF. / KultPlus.com
Rame Lahaj International Opera Festival vazhdon sonte me koncertin e dytë me radhë për këtë edicion, përcjell KultPlus.
I titulluar ‘Ensemble Evening’, ky koncert për protagonist do të ketë kontratenorin e njohur iranian, Cameron Shahbazi.
Koncerti ‘Ensemble Evening’ mbahet sonte, e Martë, 25 Korrik, nga ora 20:00 në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare (objekti në afërsi të Institutit Albanologjik).
‘Ensemble Evening’ në edicionin e 3-të të RLIOF do të sjellë jo vetëm një artist, por mbi të gjitha një histori, një mesazh, një reflektim. Të tilla emocione dhe shumë më tepër se kaq, do t’i dëgjoni të shprehur në timbrin melodik dhe unik të kontratenorit Cameron Shahbazi, gërshetuar me personalitetin e tij të spikatur, i cili i shoqëruar në piano nga Sophia Munoz, sjellë në skenën e RLIOF për gjithë publikun tonë të dashur, një repertor premierë.
Kryefjalë e kësaj mbrëmjeje muzikore është figura e gruas, nënës, motrës, të dashurës, mikes e kujtdo të shenjtë për ne. Përtej çdo sakrificë, vetëmohimi e mundimi, simboli femëror shprehet i gdhendet nga personaliteti i Cameron Shahbazit.
Mbrëmja e dytë muzikore e RLIOF është konceptuar rreth temës së edicionit të sivjetmë ‘Opera për Liri’ (Opera for Freedom), nëpërmjet së cilës festivali i vetëm operistik në vend synon ta shtjellojë idenë e përfshirjes së artit operistik si ndërmjetësues për ta promovuar e mbrojtur lirinë, të drejtat e njeriut dhe ato sociale.
RLIOF mban emrin e tenorit të mirënjohur kosovar, Rame Lahaj, i cili falë eksperiencës dhe namit të tij në komunitetin botëror të operas sjellë para publikut shqiptar emra të mirënjohur të muzikës operistike. Më shumë detaje për festivalin mund t’i gjeni në website-in e RLIOF. / KultPlus.com
Gala Mbrëmja ‘Rame Lahaj & Friends’ ndalet edhe një herë në zemër të Prishtinës, me yjet e operas, përcjell KultPlus.
Programi qëndror i edicionit të 3-të festivalit ndërkombëtar ‘Rame Lahaj’ risjellë para publikut tenorin kosovar të skenave botërore, nën shoqërinë e miqve të tij si: sopranon e njohur Yulia Suleimanova, tenorin Alessandro Safina e baritonin Massimo Cavalleti.
Nën dirigjimin e Pier Giorgio Morandi, shoqëruar nga Filharmonia e Kosovës, në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, ju pret një natë magjike.
Gala Mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” nis rrugëtimin e pesë netëve muzikore të Festivalit Ndërkombëtar të Operas.
Biletat për Gala Night Rame Lahaj & Friends po shiten shumë shpejt! Edhe 4 ditë na ndajnë nga koncerti. Siguroje biletën tënde këtu: https://www.rave-travel.com/tickets-en.nspx?eventid=2616 dhe pikat fizike të shitjes. / KultPlus.com
RLIOF është duke shpalosë programin e edicionit të sivjetmë, dhe në kuadër të këtij edicioni do të prezantohet edhe një ekspozitë që ka për qëllim ruajtjen e natyrës, shkruan KultPlus.
Kjo ekspozitë do të prezantohet në Galerinë e Fakultetit të Arteve dhe njoftimin e plotë mbi këtë ekspozitë mund ta lexoni më poshtë.
Rrnofsh sa malet!
Ç’të mbjellësh do të korrësh. “Kultura jonë e përçmon botën.” shkruan Michel Serres duke ju drejtuar qytetërimit perëndimor në veprën e tij të mirënjohur “Kontrata Natyrore”. Në të vërtetë, për shekuj me rradhë, natyra është përdorur si një burim i pashtershëm përfitimi ose si pronë për tu zaptuar dhe për tu këmbyer pastaj sërisht për përfitime. Pasojat nga kjo, shterimi i burimeve të ujit, tokat e ndotura, specie të florës dhe faunës që po zhduken, formësojnë jetën tonë. Bimët dhe kafshët kanë mbetur pothuajse pa frymë në hapësirat urbane të Kosovës. Shumica e peizazheve të bukura të natyrës së egër, janë të ndotura nga mbetjet plastike dhe mbeturinat. Po në këto territore, ka një sërë bimësh endemike si, Solenantë Krasniqi (solenanthus krasniqii) ose çaji i malit (sideritis scardica), të cilat janë në rrezik zhdukje për shkak të veprimtarisë njerëzore dhe zjarreve, përpara se për to, të mblidhen mjaftueshëm të dhëna për database-t botërore.
Çfarë mund të propozojnë praktikat artistike për të ndryshuar këtë prespektivë të zymtë? Imagjinata e nxitur nga pikturat e peizazhit si gjini, mund të na frymëzojë të lidhemi me gjallesat përtej njerëzores nga të cilat rrethohemi dhe të mos nënçmojmë rëndësinë e tyre. Që në lashtësi, pikturat e peizazhit kanë ndikuar fort në mënyrën se si njerëzit vëzhgojnë, lidhen, përvetësojnë dhe imagjinojnë tokën. Qasjet e ndryshme të peizazhit Kosovar, të paraqitura në “Rrnofsh sa malet”, na zbulojnë përjetime herë të grysura e herë shumëngjyrëshe, të provokuara nga këto pamje. Shumë male të Kosovës vazhdojnë të magjepsin artistë të brezave të ndryshëm. Por mbi të gjitha, këto vizione artistike nxjerrin në pah atë çfarë duhet të kultivohet në të ardhmen, një kulturë që vlerëson bashkëjetesën e botës me të gjitha të mirat e saj. Prandaj, ekspozita jonë e Festivalit RLIOF, me tematikën “Opera për Liri” – duke mbështetur betejën e mbrojtjes së mjedisit krahas zgjidhjes së shumë konflikteve njerëzore – vjen me uratën, Rrnofsh sa malet!/ KultPlus.com