30 vjet nga zgjedhjet e para kur Ibrahim Rugova u votua për president

24 Maji i vitit 1992 është një datë e shënuar në historinë e lëvizjes politike dhe të rezistencës së Kosovës drejt pavarësisë së saj. Atë ditë janë organizuar zgjedhjet e para parlamentare dhe presidenciale. Zgjedhjet u organizuan duke u mbështetur në Kushtetutën e Republikës së Kosovës të miratuar me 7 Shtator 1990 dhe në Ligjin mbi Zgjedhjet Parlamentare dhe Presidenciale në Republikën e Kosovës.

Zgjedhjet i përcollën vëzhgues të huaj nga SHBA-të, Anglia, Gjermania, Franca, Danimarka, Norvegjia.  Këto zgjedhje, përkundër gjithë pengesave nga pushteti serb, ishin mbuluar shumë mirë nga mediat. Zgjedhjet i kanë përcjellë 82 ekipe, apo gazetarë nga vende të ndryshme. Në këto zgjedhje me votë plebishitare për President të Republikës së Kosovës ishte zgjedhur Ibrahim Rugova.

Ibrahim Rugova u zgjodh katër herë President i Kosovës: dy herë me votë të drejtpërdrejtë popullore (1992, 1998), dy herë në Kuvend (2002, 2004). Më 24 maj 2004, kur 24 maji u shpall Dita e Presidentit, duke njohur rëndësinë e zgjedhjeve të 24 majit të vitit 1992, kur për herë të parë Presidenti i Kosovës u zgjodh me votë të drejtpërdrejtë, Presidenti Rugova ka thënë: Këto zgjedhje janë përkrahur nga i gjithë populli i Kosovës, me përkrahje të gjerë e masive.

Po ashtu në formë demokratike qytetarët shprehën vullnetin e tyre politik për Presidentin dhe për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Këto zgjedhje kanë hyrë në analet e historisë më të re të Kosovës si ditë e rëndësishme dhe e shënuar, ndërsa janë regjistruar në të gjitha dokumentet e rëndësishme ndërkombëtare dhe në publikimet e ndryshme enciklopedike për funksionimin e shoqërisë dhe të shtetit të Kosovës. / KultPlus.com

15 vjet pas: Radhët e gjata të njerëzve që prisnin në acar për t’i bërë homazhe Rugovës

Më 21 janar të vitit 2006 kishte ndërruar jetë Presidenti i parë i Republikës së Kosovës, Ibrahim Rugova, pasi për disa muaj me radhë kishte vuajtur nga sëmundja e kancerit që i kishte prekur mushkëritë.

Me 23 janar të 2006-tës, funerali me trupin e Presidentit Rugova ishte vendosur në hollin e Kuvendit të Kosovës, ku qytetarë të shumtë kishin mundësinë që t’i bënin nderime e t’i jepnin lamtumirën e fundit Rugovës.

Qindra mijëra qytetarë kanë qëndruar me orë të tëra në radhë për t’i bërë nderime Rugovës në hollin e Kuvendit, kjo edhe përkundër acarit të madh që kishte përfshirë Kosovën ato ditë.

Ceremonia e varrimit të Presidentit Rugova ishte bërë të enjten e 26 janarit.

Në ceremoninë e varrimit të Rugovës kanë marrë pjesë shumë delegacione botërore si, delegacioni i ShBA-së, delegacioni i Bashkimit Evropian, delegacioni nga zyra e UNOSEK-ut, delegacione nga Austria, Britani, Belgjika, Shqipëria, Gjermani, Spanja, France, Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Greqia dhe disa vende afrikane./Express/ KultPlus.com

Vjosa Osmani: Premiera e baletit ‘Sisters’ ishte thirrje për vëmendje ndaj artistëve

Teksa dje u dha premiera e veprës “Sisters”, e pranishme për të shijuar magjinë që krijuan balerinët e Baletit Kombëtar ishte edhe ushtruesja e detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, shkruan KultPlus.

Osmani ka çmuar lartë këtë shfaqje e cila ishte dedikim për “babain” e Baletit në Kosovë, Ahmet Brahimaj. Ajo e vlerësuar premierën e shfaqjes “Sisters” si një thirrje për vëmendje ndaj artistëve të vendit të cilët veprojnë në sfera të ndryshme kulturore.

KultPlus ua sjell të plotë reagimin e u.d. Presidentes, Vjosa Osmani:

Janë padyshim disa nga ditët më të vështira këto me të cilat po ballafaqohemi, për shkak të pandemisë. Por rikthimi mbrëmë në Teatrin Kombëtar të Kosovës për të parë premieren e baletit ‘Sisters’ ishte shpresëdhënës, frymëzues, por njëkohësisht, një thirrje për vëmendje. Thirrje për vëmendje të shtuar ndaj artistëve tanë, qofshin baletanë, kineastë, kompozitorë, piktorë, skulptorë, regjisorë, të gjithë ata që me mjeshtrinë e talentin e tyre e ngjyrosin jetën, momentet e veçanta, skenën ku ata përformojnë me ngjyra, lëvizje e tinguj shpesh përtej imagjinatës tonë.

E di që fjalët nuk mjaftojnë për të adresuar sfidat e tyre, që për fat të keq janë të shumta, por sonte jam plot fjalë mirënjohjeje ndaj tyre. Sidomos ndaj Baletit Kombëtar të Kosovës, një grup fantastik i vajzave dhe djemve të talentuar, e mbi të gjitha shumë punëtorë, të përkushtuar dhe këmbëngulës, që përkundër sfidave për shkak të kushteve të vështira të punës si dhe sfidat e shkaktuara nga pandemia, sollën në skenë një performancë për çdo lëvdatë. Ju lumtë!

Kjo shfaqje e baletit e dedikuar mjeshtrit të ndjerë, z. Ahmet Brahimaj, është mirënjohje për punën e pashoq të tij për të mbajtur gjallë dhe për të kultivuar baletin në Kosovë. Le të na shërbej në të tjerve si thirrje për këndjellje dhe për vlerësim për punën, kontributin, dhe veprën e gjithë artistëve tanë! / KultPlus.com

Presidenti i Maqedonisë së Veriut uron Ditën e Alfabetit në gjuhën shqipe

Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski ka uruar Ditën e Alfabetit shqip, duke përdorur pikërisht këtë gjuhë, shkruan KultPlus.

Presidenti i vendit me një përqindje të lartë të popullsisë shqiptare ka shpërndarë urimin presidencial në gjuhën maqedonase në facebook, teksa mbishkrimin e ka lënë në gjuhën shqipe.

‘’Gjuha dhe kultura janë themele të çdo populli dhe mohimi i tyre do të thotë përpjekje për të shkatërruar origjinën kombëtare. Në shekullin 21 përpjekjeve të tilla nuk u duhet hapur dera, në mënyrë që kurrë të mos triumfojnë mbi vlerat e vërteta.

Të gjithë bashkëqytetarëve të mi shqiptarë ju uroj Ditën e Alfabetit’’, ka shkruar President Pendarovski.

Stevo Pendarovski që nga 12 maji i vitit 2019 mban pozitën e kryesuesit të presidencës së këtij vendi. / KultPlus.com

CNN: Biden zgjidhet president i ri i SHBA-së

Mediumi amerikan CNN ka shkruar se Joe Biden është zyrtarisht presidenti i 46të i ShBA’ve, transmeton KultPlus.

“Amerika ka zgjedhur demokratin Joe Biden si presidentin e 46’të, sipas projektimit të CNN”, thuhet tutje

Me 20 votat elektorale të Pensilvanisë, Biden tani ka një total prej 273 votash elektorale.

Para se të bëhej i nominuari për president i Demokratëve, Biden shërbeu si nënkryetar nën ish Presidentin Barack Obama. Ai është gjithashtu senatori më jetëgjatë i Delaware.

Gjatë gjithë fushatës së tij, Biden ka argumentuar se “shpirti i kombit” është në rrezik dhe ka premtuar se ai do të kërkojë të shërojë një vend të thyer nga presidenca e Trump./ KultPlus.com

“Ne nuk mund t’i ndihmojmë të gjithë, por të gjithë mund të ndihmojnë dikë”

Roland Reagan ka lindur më 6 shkurt të vitit 1911 në Tampico të shtetit Ilinois, shkruan KultPlus.

Reagan pati një karrierë të shumëllojshme, nga komentator sporti, në aktor filmash, zëdhënës konservator, guvernator i Kalifornisë e më në fund President i Shteteve të Bashkuara.

Ai vlerësohet për kontributin e tij për t’i dhënë fund Luftës së Ftohtë me ish-Bashkimin Sovjetik.

Ronald Reagani ka qenë popullor jo vetëm për konservatorët por edhe për shumë amerikanë të të gjitha bindjeve politike. Njihej për aftësitë e vecanta komunikuese me njerëzit.

Sot shënohet përvjetori i 109 i lindjes së tij, dhe KultPlus sjell disa nga thëniet e tij më të njohura.

Politika nuk është një profesion i keq. Nëse keni sukses ka shumë shpërblime, në qoftë se dështoni ju gjithmonë mund të shkruani një libër.

Liria përparon kur feja është e gjallë dhe sundimi i ligjit nën Perëndinë është pranuar.

Pikëpamja e qeverisë për ekonominë mund të përmblidhet në një fjali të shkurtër: Nëse lëviz, tatoje atë. Në qoftë se ajo vazhdon të lëvizë, rregulloje atë. Dhe në qoftë se ajo ndalon së lëvizuri, subvencionoje atë.

Unë kam menduar shumë kohë se si do të dukeshin Dhjetë Urdhërimet në qoftë se Moisiu do t’i kishte dhënë nëpërmjet Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Ne nuk mund t’i ndihmojnë të gjithë, por të gjithë mund të ndihmojnë dikë.
Si mund të përkufizoni një komunist? E po, ai është dikush që lexon Marksin dhe Leninin. Dhe si mund të përkufizoni një anti-komunist? Ai është dikush që e kupton Marksin dhe Leninin.

Fjalët më të tmerrshme në gjuhën angleze janë: Unë jam nga qeveria dhe ndodhem këtu për të ndihmuar.

Një popull që është i lirë të zgjedhë, gjithmonë do të zgjedhë paqen.

Recesioni është kur një fqinj humb punën e tij. Depresioni është kur ti humb punën tënde.

Për demokracinë ia vlen të vdesësh, sepse kjo është forma më shumë e nderuar e qeverisë e hartuar ndonjëherë nga njeriu.

Brenda kapakëve të Biblës janë përgjigjet për të gjitha problemet me të cilat njerëzit ballafaqohen.

Të rrish duarkryq duke shpresuar se një ditë, disi, dikush do të bëjë drejtësi, është sikur të shkosh në gojën e krokodilit, duke shpresuar se ai do të të hajë ty të fundit.

Nëse duam vendin tonë, ne duhet gjithashtu të duam bashkatdhetarët tanë.

Ne kurrë nuk do të mposhtemi, nëse nuk do të heqim dorë nga Zoti.

Kur ju nuk mund t’i bëni ata të shohin dritën, bëjini ata të ndjejnë ngrohjen. /KultPlus.com

Këngëtari i njohur kroat Skoro, kandidat për president

Në zgjedhjet presidenciale të Kroacisë, të planifikuara për në fund të vitit, është regjistruar sot edhe këngëtari Miroslav Skoro, i cili gëzon mbështetjen e së djathtës nacionaliste dhe sovraniste.

Skoro është një nga këngëtarët më të njohur në Kroaci, i njohur për këngët e tij me një sfond patriotik, sidomos ato të krijuara gjatë viteve ’90 gjatë konfliktit të armatosur serbo-kroat.

Tani për tani këngëtari është prezantuar si i pavarur, por është e qartë, se për pak kohë kandidatura  e tij do të do të gëzojë mbështetjen e së djathtës.

I njohur kryesisht si këngëtar, Skoro ka një përvojë politike modeste.

Në të kaluarën ai ishte konsull i Republikës së Kroacisë në Pecs, Hungari, dhe deputet në parlament/ ATSH/ KultPlus.com