“Jeta e Re”, publikohet numri i dytë i revistës letrare për këtë vit

Posa ka dalë në qarkullim numri i dytë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”.

Revista fillon me një ligjëratë të shkrimtarit shumë të njohur Spanjoll Javier Marias, mbajtur gjatë ceremonisë së çmimit “Romullo Gallego”, kurse rubrika e prozës nis me tregimet “Jeta është matematikë”, “Ha dhe mbaje hidhërimin”, “Lotët e artë” dhe “Hiri i nxehtë” të shkrimtarit Ibrahim Berisha, “Lëkura e ariut” të Binak Kelmendit, “Një ngjarje e vogël” të Gëzim Aliut,”Na ishte një herë… deportimi” të Arben Idrizit, “Shpërfillja e një udhëheqësi” të Ndue Ukajt”, “Nëpër Veld” të nobelistës Nadine Gordimer, “Tregimet që ia rrëfejmë njëri-tjetrit” të David Albaharit dhe disa tregime të shkurtra të shkrimtarëve të njohur hispanikë Amado Nervo dhe Martha Rivers.-Garrido.

Rubrika e poezisë nis me një cikël poetik të Milazim Krasniqit, për të vazhduar me Romeo Çollakun, Arif Kutleshin, Brikena Ceraja-Bekën, Mazllum Sanejen, poetin irlandez Geoffrrey Squires, dy autorë italianë, Antonella Anneda dhe Nelo Risi, si dhe poetin, piktorin dhe aktivistin amerikan Lawrence Nonsanto Ferlinghetti-n.

Në rubrikën qendrore të revistës Dossier, këtë herë vjen Rafael Alberti, figura madhore e poezisë spanjolle. Ai në këtë numër është përfaqësuar me një cikël të gjerë poetik, me një vështrim të poetit, eseisti dhe prozatorit të njohur kilean Mandres Morales me titullin “Rafael Alberti-Një vështrim nga përtej detit” dhe një intervistë të Rafael Albertit, realizuar nga Antonio Garcia Rago.

Te rubrika e kritikës vijnë katër autorë të huaj tashmë klasikë: Jacques Derrida me “Ligji i zhanrrit” ( vijon në numrin e ardhshëm), Erich Auerbach me teksin “Figura” ( vijon në numrin e ardhshëm), Janathan Culler me “Disa probleme rreth rrëfimtarërve të romaneve dhe të folësve të poezive”, “Kujtesa komunikuese dhe kulturore “ të Jan Assmann, pastaj “Zbulimi i Pllumit” të Kujtim M. Shalës, “Proza e Mira Meksit“ të Afërdita Imerit Halitit dhe “Kodi semantik i shpirtërores” të Gentiana Bajramit-Atashit.

Përkthyesit që kontribuan në këtë numër janë: Bajram Karabolli, Mira Meksi, Alket Çani, Eqrem Basha, Arben Idrizi, Erion Karabolli, Alfred Beka, Arta Hallaçi, Ilir Breca dhe Qerim Ondozi. / KultPlus.com

Vjen numri i dytë për këtë vit i revistës “Jeta e Re”

Me një vëllim prej 400 faqesh, posa ka dalë numri i ri i revistës letrare të traditës “Jeta e re”.

Ky numër fillon me Arif Demollin, shkrimtarin tonë të mirënjohur, i cili vdiq më 6 mars 2017 në Prishtinë. Në shenjë kujtimi e nderimi, ky autor, në një hapësirë prej 65 faqesh, është prezantuar me një përzgjedhje shkrimesh nga krijimtaria e tij, shoqëruar me tri tekste të kritikëve e të studiuesve tanë për veprën e tij.

Numri fillon me tekstin “Arif Demolli – shkrimtar i moralitetit letrar” të Nysret Krasniqit dhe vazhdon me prozat “Gjarpri i shtëpisë” dhe “Ishulli i qafështrembëve” të Arif Demollit, pastaj me tekstet “Gazi i zi- një profil i fiksionit të Arif Demollit” të Kujtim Rrahmanit dhe “Letërsia për fëmijë e Arif Demollit” të Xhevat Sylës.

Në rubrikën Ligjëratë kemi studimin e Kujtim M. Shalës me titullin “Ligjërata e Katedrales”. Rubrika e prozës nis me shkrimtarin spanjoll, tashmë të njohur botërisht, Javier Marias-in. Ai vjen në këtë numër me tregimet “Në udhëtimin e të sapomartuarve” dhe “Më pak turp”, për të vazhduar me tregimet “Shkollari prej bronzi” të O.- Shateaureymand, njërit prej shkrimtarëve të sotëm më të rëndësishëm e më të veçantë francezë, dhe “Luftës nuk mund t’ia merrni një libër” të autorit italian Beppe Fenoglio.

Rubrika vazhdon me një numër tregimesh të autorëve tanë të njohur. Kështu, Zejnullah Rrahmani vjen me prozën “Vakti i natës, kënga”, Zija Çela me “Mermeri që pikon”, Bajram Sefaj me “Malli për visoret e humbura”, Agron Tufa me “Veshpreri” dhe Lulzim Mjeku me “Trotuari i vdekjes”. Me nga një cikël poezish në këtë numër janë paraqitur Hermann Hesse, Salvatore Quasimodo, Sali Bashota, Sali Bytyçi, Arif Kutlleshi, Petraq Risto dhe Parajsa Shtini, ndërkaq në rubrikën Intervista vjen sërish shkrimtari Javier Marias.

Në rubrikën Dossier kemi Richard Brautigan-in, njërin ndër shkrimtarët kryesorë të të ashtuquajturit “Fiksioni i ri”. Rubrika nis me një paraqitje mbi jetën dhe veprën e tij, për të vazhduar me një cikël të gjerë poetik, pastaj me tregimet e shkurtra të tij “Një vdekje në Kanada”, “Qëllimi”, “Sombrero”, “Fantazma”, “Fshirësja” dhe “Frymëmarrja” e për të përfunduar me një bisedë të Virginia Aste-s, gruas së tij të parë, në të cilën ajo shpalos shumëçka nga jeta Brautigan-it. Në rubrikën e kritikës kemi një numër autorësh tanë dhe të huaj. Kështu, Tzvetan Todorov prezantohet me tekstin “Poetika dhe estetika”, James Olney me “Stili i biografisë”, Alison Gibbons me “Posmodernizmi ka vdekur. Çka pas tij”?, Shefkije Islamaj me “Kumti dhe gjama e erës”, vështrim për poezinë e Enerestina Gjergjit-Halilit, Adil Olluri me “Modeli studimor i Bajram Krasniqit” dhe Saranda Buzhala me “Sprovë për një poetikë të komparistikës”. Përkthyesit që kontribuan në këtë numër janë: Gëzim Aliu, Alket Çani, Arben Idrizi, Erion Karabolli, Meliza Krasniqi, Alfred Beka, Rexhep Maloku, Rrona Jaka dhe Lorenc Hajdari. / KultPlus.com