Ekspozita e Ridvan Slivovës pasqyron ngjarjet e viteve 98-99, thirrje që të ruhet historia

Bujar Meholli

Fotografinë artistike e dallon forma ose koncepti, pra një artist gjithmonë ka ngacmim estetik ose konceptual. Siç dihet, arti fotografik është tejet i rëndësishëm. Të jesh fotoreporter është natyrisht më e vështirë, sepse një fotoreporter ngarkohet t’i përcjellë ngjarjet përmes fotografive, rrjedhimisht të merr pjesë edhe vet në to, shkruan KultPlus.

Emri i Ridvan Slivovës është tashmë i njohur për publikun shqiptar. Fotoreporteri Slivova e ushtron këtë profesion për mëse 30 vjet. Pjesëmarrës në shumë ekspozita e bashkëpunëtor i shumë gazetave dhe revistave. Përgjatë kësaj periudhe me aparatin e tij, ai arriti të përjetësoi shumë ngjarje të rëndësishme, në të cilat qe prezent.

Specifikisht, në luftën e fundit në Kosovë gjatë viteve 98-99, ai arriti t’i nxjerr disa fotografi të cilat sot i ekspozoi në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Dhe këtë Slivova vendosi ta bëjë pikërisht në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së Kosovës.

Ekspozita që u organizua me rastin e këtij përvjetori mban titullin “Kujtesa e Kosovës: Jeta nën qiell e najlon”. Ky titull domethënës e kthen shikuesin në retrospektivë, dhe ia ngjallë ato kujtime të dhimbshme, kur kosovarët e detyruar nga gjenocidi serb ikin dhe braktisin vendlindjen. E kush më mirë mund t’i përjetësoi këto dyndje të shqiptarëve sesa aparati fotografik i Slivovës?

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku e hapi ekspozitën, i ngazëllyer dhe krenar për bashkëpunimin me Slivovën.

“Jemi mbledhur për ta hapur këtë ekspozitë, dhe për t’i shprehur mirënjohjen e sinqertë fotografit Slivova, që ka qenë çdoherë i gatshëm për bashkëpunim, ai i ka realizuar këto fotografi në periudha shumë të rëndësishme për Kosovën”, tha Gajraku.

“Mendoj se është ekspozitë e rëndësishme, dhe i nxis edhe individët tjerë që t’i shfaqin materialet që i kanë në arkivat e tyre”, vazhdoi ai.

“Dëshirojmë të kemi këso bashkëpunime dhe ndërgjegjësime, është me rëndësi jetike që të pasqyrohen ngjarje të tilla të historisë së Kosovës në mënyrë që të ruhet kujtesa” përfundoi drejtori Gajraku.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, e cila vlerësoi artin e Slivovës dhe organizimin e ekspozitës.

“Kjo veprimtari kujton kohën e luftës së Kosovës dhe mbijetesën e popullit kosovar në atë tragjedi. Përmes këtyre fotove shohim fuqinë e artit dhe paraqitjen e realitetit, njëkohësisht përçimin e mesazhit të fortë, që ta kujtojmë atë kohë”, potencoi Dumoshi, duke premtuar mbështetje për organizime të tilla.

“Ky dokument me foto e ngjarje gjatë atyre viteve është dëshmi që paraqet solidaritetin, mallin për vendlindjen, një realitet për ata që e përjetuan atë kohë”, përfundoi ajo duke falënderuar Bibliotekën dhe duke nxitur bashkëpunim në organizime të tjera.

Edhe Sazana Çapriqi, kryesuese e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtar, u shpreh e lumtur për jetësimin e kësaj ekspozite.

“Një popull që nuk e mban mend historinë e tij, është i dënuar t’i përsëritet historia” pohoi ajo. Çapriqi e konsideroi të rëndësishme ekspozitën derisa falënderoi Slivovën për angazhimin.

“Angazhimi i artistit Ridvan Slivova për të kontribuar ishte i madh, dhe mendoj se është inkurajues edhe për artistët tjerë. Të gjithë e kemi për detyrë ta ruajmë të kaluarën dhe ta përcjellim te gjeneratat e ardhshme”, potencoi ajo.

Para se ekspozita të jetë e qasshme për publikun, fjalën e mori vet autori Slivova, i cili tha se është shumë i lumtur për interesimin dhe mundësinë e ofruar për ta jetësuar këtë ekspozitë.

“Ndihem mirë që m’u dha mundësia ta shfaq punën time”, tha ai fillimisht.

“Në ato vite, isha edhe vet mes popullatës dhe për mua ishte e vështirë. Këtu shihet largimi i popullatës nga fshati, më vonë edhe gëzimi me ardhjen e KFOR-it dhe kthimi i tyre do të thosha në gërmadha, në shtëpitë e shkatërruara”, u shpreh Slivova duke përfunduar.

“E fundit që do të dëshiroja të jetë storie e përfunduar është ajo për të pagjeturit”, tha ai duke i ftuar të interesuarit t’i shohin fotot e ekspozuara.

Ekspozita tashmë është e hapur në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe qysh në fillim ka zgjuar interesimin e shumë njerëzve, i cili pritet të dendësohet në vazhdim. /KultPlus.com

Hapet ekspozita ‘Bukuritë përmes fotografisë’, një mrekulli e artit nga të rinjtë e veçantë (FOTO)

Emocionalisht, nuk është e lehtë të parakalosh para fotografive të cilat janë realizuar nga disa duar të lumtura, ndoshta të goditura nga jeta por asnjëherë të dorëzuara para saj, të fëmijëve me Sindromën Down. Që ata janë fëmijë të mbushur dashuri, kjo nuk ka asnjë dyshim, edhe në një shoqëri e cila në formatin e saj akademik ka zgjedhur ti konsiderojë ndryshe.

Arbër Selmani

Mbrëmë në Muzeun e Kosovës, u hap një ekspozitë me fotografitë e disa fëmijëve të cilët kanë zgjedhur ti shesin ato fotografi. Pamje të qytetit, të luleve, të ndërtesave e arkitekturës, pamje të peizazhit të qytetit nga perspektiva të ndryshme, e rrumbullakuan ekspozitën “Bukuritë përmes fotografisë” e cila solli freski e buzëqeshje në fytyrat e këtyre fëmijëve.

Shoqëruar me fotografin Ridvan Slivova, fëmijët kanë krijuar diçka magjike me fotografitë e tyre, duke i futur ato në gurë dhe në dru, duke i kthyer në kopertina librash, duke luajtur me formë e drurit dhe përzierjes së fotografisë. Mbrëmë, ekspozita shitëse erdhi me qëllimin që paratë e mbledhura nga shitja e fotografive të futen në fondin e Down Syndrome Kosova.

Slivova tregoi sa i rëndësishëm ishte për të personalisht një mision i tillë, një bashkëpunim me këta fëmijë.

“Kemi punuar për gjashtë muaj, me këta të rinj të cilët janë të sjellshëm por edhe kanë prodhuar fotografi shumë kreative. Ju do ta shihni vetë ekspozitën, ndërsa unë jam tejet i kënaqur me veprat dhe produktin që ka dalë si përfundim. Jam i nderuar për këtë mundësi” tha Slivova në fjalën e hapjes së ekspozitës.


Ekspozita erdhi mbrëmë në kuadër të muajit tetor, muajit ndërgjegjësues për Sindromën Down.

“Për mua çdo muaj duhet të jetë një muaj ndërgjegjësues, prandaj më mirë po e konsideroj si fillimin e ndërgjegjësimit dhe jo fundin e tij, fundin e tetorit. Kjo ekspozitë le të shërbejë si nisje për ndërgjegjësim për më shumë dashuri për këta fëmijë” vazhdon Slivova.

Dorontina Luma, Eloida Alija e Donik Berisha, dhe të gjithë fëmijët e të rinjtë e tjerë të përfshirë në këtë projekt, morën edhe mirënjohje për pjesëmarrjen e tyre.

Ivo Silhavy – Ambasador i Çekisë në Kosovë, foli para të pranishmëve duke çmuar guximin dhe entuziazmin e këtyre të rinjve për të krijuar art dhe për ta paraqitur atë para publikut, shkruan KultPlus.

“E falënderoj secilin prej këtyre pjesëmarrësve, sepse kanë treguar guxim e po na japin dashuri me fotografitë e tyre. Askush nuk duhet të jetë i përjashtuar, dhe ne nuk do të lejojmë që ata të përjashtohen. Kjo ekspozitë sonte është një projekt për të ndihmuar këta fëmijë dhe për ta rritur kreativitetin e tyre” tregoi mes tjerash Silhavy.
Sebahate Hajdini-Beqiri – drejtoreshë e Down Syndrome Kosova, tregoi se është punuar me zell të madh për një ekspozitë të tillë, ndërsa ka shfrytëzuar rastin të përmend edhe njëherë skandalin e librave mësimorë të cilët përdorin edhe sot, në shekullin 21 në Kosovë, terminologji pezhorative kur flasin për këtë komunitet.

Së fundmi, në tekste shkollore në Kosovë, personat me këtë sindromë janë quajtur “Idiot mongoloid”, saktësisht në lëndën e biologjisë.

Në anën tjetër, nuk justifikohet një shkrim akademik katastrofal apo një ndjellje e urrejtjes nga ana e atyre që i shkruajnë këta libra.

Sindroma Down është kusht gjenetik. Trupi i njeriut është i përbërë nga qelizat. Çdo qelizë në trupin e njeriut ka 46 kromozome, 23 kromozome të trashëguar nga njëri prind dhe 23 të tjera të trashëguar nga tjetri prind. Në rastin e sindromës Down, në çiftin e 21-të bashkëngjitet një kromozom shtesë si pasojë e një ndarjeje anormale qelizore, dhe si rezultat individi ka 47 kromozome në çdo qelizë ose në një pjesë të qelizave të trupit të tij.

Sindroma Down është sindroma më e hasur në botë, 1 në 691 lindje. Në bazë të të dhënave të Shoqatës Down Syndrome Kosova, në Kosovë brenda vitit lindin rreth 35-40 foshnja me sindromë Down, ndërsa numri i përgjithshëm i individëve me sindromë Down në Kosovë është mbi 920. / KultPlus.com

Sonte hapet ekspozita “Bukuritë përmes fotografisë” e fëmijëve me Sindromën Down

Në kuadër të muajit tetor, muaji i ndërgjegjësimit për Sindromën Down, Down Syndrome Kosova prezanton ekspozitën “Bukuritë përmes fotografisë”, përcjellë KultPlus.

Fotografitë janë realizuara në vende të ndryshme të Kosovës nga të rinjtë e Shoqatës Down Syndrome Kosova dhe janë vendosur në dru dhe në gurë nga fotografi Ridvan Slivova.

Kjo ekspozitë shitëse për ju do të thotë pak, mirëpo për shoqatën Down Syndrome Kosova do të thotë shumë.
Ekspozita do të hapet sonte më 30 tetor, në ora 19:00, në Muzeun Kombëtar të Kosovës. /KultPlus.com