Ekspozita e Ridvan Slivovës pasqyron ngjarjet e viteve 98-99, thirrje që të ruhet historia

Bujar Meholli

Fotografinë artistike e dallon forma ose koncepti, pra një artist gjithmonë ka ngacmim estetik ose konceptual. Siç dihet, arti fotografik është tejet i rëndësishëm. Të jesh fotoreporter është natyrisht më e vështirë, sepse një fotoreporter ngarkohet t’i përcjellë ngjarjet përmes fotografive, rrjedhimisht të merr pjesë edhe vet në to, shkruan KultPlus.

Emri i Ridvan Slivovës është tashmë i njohur për publikun shqiptar. Fotoreporteri Slivova e ushtron këtë profesion për mëse 30 vjet. Pjesëmarrës në shumë ekspozita e bashkëpunëtor i shumë gazetave dhe revistave. Përgjatë kësaj periudhe me aparatin e tij, ai arriti të përjetësoi shumë ngjarje të rëndësishme, në të cilat qe prezent.

Specifikisht, në luftën e fundit në Kosovë gjatë viteve 98-99, ai arriti t’i nxjerr disa fotografi të cilat sot i ekspozoi në hapësirat e Bibliotekës Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë. Dhe këtë Slivova vendosi ta bëjë pikërisht në përvjetorin e 12-të të Pavarësisë së Kosovës.

Ekspozita që u organizua me rastin e këtij përvjetori mban titullin “Kujtesa e Kosovës: Jeta nën qiell e najlon”. Ky titull domethënës e kthen shikuesin në retrospektivë, dhe ia ngjallë ato kujtime të dhimbshme, kur kosovarët e detyruar nga gjenocidi serb ikin dhe braktisin vendlindjen. E kush më mirë mund t’i përjetësoi këto dyndje të shqiptarëve sesa aparati fotografik i Slivovës?

Drejtori i Bibliotekës Kombëtare Fazli Gajraku e hapi ekspozitën, i ngazëllyer dhe krenar për bashkëpunimin me Slivovën.

“Jemi mbledhur për ta hapur këtë ekspozitë, dhe për t’i shprehur mirënjohjen e sinqertë fotografit Slivova, që ka qenë çdoherë i gatshëm për bashkëpunim, ai i ka realizuar këto fotografi në periudha shumë të rëndësishme për Kosovën”, tha Gajraku.

“Mendoj se është ekspozitë e rëndësishme, dhe i nxis edhe individët tjerë që t’i shfaqin materialet që i kanë në arkivat e tyre”, vazhdoi ai.

“Dëshirojmë të kemi këso bashkëpunime dhe ndërgjegjësime, është me rëndësi jetike që të pasqyrohen ngjarje të tilla të historisë së Kosovës në mënyrë që të ruhet kujtesa” përfundoi drejtori Gajraku.

E pranishme në këtë ngjarje ishte edhe ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi, e cila vlerësoi artin e Slivovës dhe organizimin e ekspozitës.

“Kjo veprimtari kujton kohën e luftës së Kosovës dhe mbijetesën e popullit kosovar në atë tragjedi. Përmes këtyre fotove shohim fuqinë e artit dhe paraqitjen e realitetit, njëkohësisht përçimin e mesazhit të fortë, që ta kujtojmë atë kohë”, potencoi Dumoshi, duke premtuar mbështetje për organizime të tilla.

“Ky dokument me foto e ngjarje gjatë atyre viteve është dëshmi që paraqet solidaritetin, mallin për vendlindjen, një realitet për ata që e përjetuan atë kohë”, përfundoi ajo duke falënderuar Bibliotekën dhe duke nxitur bashkëpunim në organizime të tjera.

Edhe Sazana Çapriqi, kryesuese e Këshillit Drejtues të Bibliotekës Kombëtar, u shpreh e lumtur për jetësimin e kësaj ekspozite.

“Një popull që nuk e mban mend historinë e tij, është i dënuar t’i përsëritet historia” pohoi ajo. Çapriqi e konsideroi të rëndësishme ekspozitën derisa falënderoi Slivovën për angazhimin.

“Angazhimi i artistit Ridvan Slivova për të kontribuar ishte i madh, dhe mendoj se është inkurajues edhe për artistët tjerë. Të gjithë e kemi për detyrë ta ruajmë të kaluarën dhe ta përcjellim te gjeneratat e ardhshme”, potencoi ajo.

Para se ekspozita të jetë e qasshme për publikun, fjalën e mori vet autori Slivova, i cili tha se është shumë i lumtur për interesimin dhe mundësinë e ofruar për ta jetësuar këtë ekspozitë.

“Ndihem mirë që m’u dha mundësia ta shfaq punën time”, tha ai fillimisht.

“Në ato vite, isha edhe vet mes popullatës dhe për mua ishte e vështirë. Këtu shihet largimi i popullatës nga fshati, më vonë edhe gëzimi me ardhjen e KFOR-it dhe kthimi i tyre do të thosha në gërmadha, në shtëpitë e shkatërruara”, u shpreh Slivova duke përfunduar.

“E fundit që do të dëshiroja të jetë storie e përfunduar është ajo për të pagjeturit”, tha ai duke i ftuar të interesuarit t’i shohin fotot e ekspozuara.

Ekspozita tashmë është e hapur në hollin e Bibliotekës Kombëtare dhe qysh në fillim ka zgjuar interesimin e shumë njerëzve, i cili pritet të dendësohet në vazhdim. /KultPlus.com