78 vjet nga vdekja e Petro Poga, një nga figurat e rëndësishme të Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Përkujtojmë sot më 27 shtator 1944 ndarjen nga jeta të patriotit e burrit të shtetit Petro Poga, një nga figurat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe më pas ministër i shtetit shqiptar.

Mësimet e para i ndoqi në Erind të Gjirokastrës. Studimet e larta i kreu në Stamboll në shkollën e drejtësisë “Mestebi Sultan” më 1883. Njihte mirë disa gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. Në Stamboll bashkëpunoi me vëllezërit Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, si dhe me Jani Vreton, Koto Hoxhin, Shahin Kolonjën, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin. Në vitin 1884 themeloi dhe botoi gazetën “Drita” të Stambollit, dhe të përkohshmen “Promitheu” në gjuhën greke. Më 1883-1885 vazhdoi rendin e dytë të shkollës së drejtësisë dhe në periudhën 1885-1886 punoi si avokat në kryeqytetin perandorak dhe dha mësim lëndën e historisë në liceun Stavrodhromit në Pera.

Në vitet 1886-1912, Poga punoi si avokat dhe këshilltar ligjor i Prefekturës së Gjirokastrës. Roli i tij qe i rëndësishëm në themelimin e Klubit Patriotik “Drita” të Gjirokastrës, të cilin me vonë e udhëhoqën atdhetarët Hasan Xhiku, Idriz Guri, Hysen Hoxha, Veli Hashorva dhe Elmaz Boçe. Më 1912 qe përfaqësues i Gjirokastrës në Kuvendin e Vlorës, ku nënshkroi Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, Poga u caktua Ministër i Drejtësisë, si pjesë e Qeverisë së Parë Shqiptare.

Pas veprimtarisë në Vlorë, shkoi në Durrës ku iu dha posti i Ministrit të Drejtësisë në qeverinë Përmeti nën Princ Vidin. Së bashku me avokatët e shquar Kristaq Tutulani dhe Feim Mezhgorani hartoi Statusin që shkëputi Gjykatën Shqiptare nga juridiksioni i Perandorisë Osmane. Mori pjesë në hartimin e Legjislacionit Shqiptar dhe ndërtimit të Kushtetutës së Mbretërisë më 1928. / KultPlus.com

Nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet

Nga Naum Veqilharxhi

(letra polemizuese enciklike dërguar nipit të tij në Vjenë, më 1845, që çmohet si një ndër dokumentet e para që radhit në vija të përgjithshme idetë e Rilindjes Kombëtare)

Mora letrën tënde të 6 marsit nga Vjena, i dashur nip, dhe menjëherë që në fillim, apo edhe ata si ne filluan një ditë dhe duke ecur përpara dora-dorës dhe me siguri, kanë arritur atje ku ne i shohim sot?

Së fundi, si filloi Konfuci në Kinë, Zoroastri në persët, Moisiu në ebrejt, Brahma në hindusët, Thefshi në finikasit, Zallamoksi në sllavët, Likurgu në Laqedemonasit, Karondi dhe Soloni në athinasit, Orfeu në trakët, Krishti në të krishterët, Muhameti në muhamedanët, Luteri në evangjelistët dhe të tjerë ligjvënës dhe prijës kombesh? Këto kombe me kalimin e kohës dhe dora-dorës, sa u përmirësuan!
Mësimet janë si farërat. Kështu kanë filluar para nesh të gjithë udhëheqësit e kombeve, punët e të cilëve ishin shumë më të vështira për t’u realizuar se sa e imja.

Ata morën përsipër riformimin rishtaz të një kombi të ri, kurse unë përpiqem vetëm të bëj të shkruhet gjuha e Kombit, jo siç e përshkruan ti, keq.

Duket se nuk ke kënduar kurrë historinë e fisit njerëzor që të shohësh se kurrë kombet nuk kanë filluar menjëherë, por njeri ka filluar pardje, tjetri dje, tjetri sot dhe tjetri nesër; fundi i fundit një ditë do të fillojë edhe ky…

“U ke besuar trashë mësuesve të tu grekë, nipi im”!…

O nip! Vetëm kafshët nuk gjykojnë, e kanë të përcaktuar nga vetë natyra edhe fatin, edhe jetën e tyre; kurse njeriu ka një destinacion, të cilin mund ta arrijë veçse duke filluar të ecë gradualisht nga gjërat më të vogla…Ti, siç thua, ke lexuar shumë historianë dhe për shqiptarët nuk ke gjetur as gjënë më të vogël.

Ti, të gjitha studimet e tua i ke bërë në shkollat greke, të cilat janë organizuar për të ndriçuar rininë greke dhe jo për ndriçimin e kombit shqiptar; por ti, si një burrë me arsim, si nuk e kape idenë nga krahasimi i të gjitha kombeve të tjera, që një komb si ai shqiptari, i krijuar në të njëjtën kohë me kombet e tjera, që zë një vend të caktuar në tokë, që ka tipare të veçanta të gjuhës, të dokeve dhe zakoneve, si ishte e mundur të mos kish dhe dy shekujt e tij mitologjikë, heroikë, politikë dhe fetarë, të shpërnguljeve dhe të rivendosjeve të tij?

Por, u besove trashë e trashë mësuesve të tu, se që nga të gatuarit e njeriut dhe gjer tani ky komb paska qenë një gur inorganik, i mbetur në pa veprimtari të plotë ose si një larvë insektesh, e cila nuk ka pësuar ende metamorfozën e saj natyrore si flutur…

Shpikësit e shkronjave nuk sjellin dëm, por përparim!…

Më këshillon të ruhem nga këshillat e të huajve, por nuk ka këshillë më të keqe nga ajo që e shtyn njeriun të mohojë kombin e vet, d.m.th. prindërit e tij, farefisin e tij, miqtë e tij, bashkëkombësit e tij, vetë vatrën e tij atërore, varret e stërgjyshërve të tij, gjërat e shenjta të vetë familjes së tij dhe të shkojë për t’i kërkuar të gjitha këto gjetkë, ku kurrë nuk do të ketë mundësi për t’i gjetur, duke vuajtur gjatë jetës:

Pra, atë që këshillon gjëra të tilla, nuk di në ç’kategori ta vendos. Unë, i dashur nipi im, mund të zgjatesha më shumë akoma dhe të bëja më shumë sqarime, por kujtoj se edhe këto janë të mjafta, nga të cilat kuptohet edhe pikëpamja ime edhe sistemi im, a është një ëndërrim i thjeshtë, apo ka edhe ky bazat e tij duke pasur për të ardhmen të mirat e tij që shpresojmë. Të uroj shëndet, mos pusho të duash xhaxhanë tënd, i cili është i gatshëm të dëgjojë këshillat e tua dhe nga këto do të zgjedhë gjithnjë, vetëm të dobishmet. / KultPlus.com

Në 224 vjetorin e lindjes përkujtohet autori i abetares së parë shqipe, Naum Veqilharxhi

Naum Veqilharxhi krijoi një alfabet krejt origjinal për gjuhën shqipe, që e quajti Alfabeti i Vithkuqit. Veqilharxhi është ndër figurat më të shquara të viteve të para të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, dhe çmohet si njëri prej ideologëve të saj të parë.

U lind në fshatin e Vithkuqit, pranë Korçës, më datën 6 dhjetor 1797. I ati, Panajot Bredhi qe njeri i oborrit të Ali pashë Tepelenës në Janinë, tregtar që furnizonte me ushqime ushtrinë angleze kur kjo kishte pushtuar ishujt jonianë më 1811. Ka të ngjarë që Naumi mësimet e para t’i ketë marrë në shkollat angleze ndër ishujt jonianë.

Pas shkatërrimit të Vithkuqit më 1819, u shpërngulën si familje në Rumani. Naumi student mori pjesë në revoltat e 1821 të Vllahisë e Moldavisë. Pak vite më pas nisi të punonte avokat, vuri prokopi dhe kontribuoi në jehimin e ideve të Rilindjes Kombëtare. Në Brăila u bashkua me një shoqëri intelektualësh shqiptarë, që çmonin të domosdoshëm kultivimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare për Rilindjen Kombëtare Shqiptare.

Më 1824 ose 1825, nisi të krijonte alfabetin e tij për gjuhën shqipe. Varianti përfundimtar i alfabetit të tij me tridhjetetre shkronja sajuar prej tij, u botua për të parën herë më 1844-5 titulluar “Evëtori Shqip Fort i Shkurtër”. Veqilharxhi shmangu përdorimin e shkronjave greke, latine dhe arabe për shkak të bashkëshoqërimit fetar dhe prej rrezikut se mund të ndillnin përçarje mes shqiptarëve me fe të ndryshme. Ëvetori i Veqilharxhit u përhap fillimisht në Korçë e më pas deri në Përmet dhe Berat, ku gëzoi përdorim të madh.

Më 22 prill 1845, Athanas Paskali në një letër i kërkoi Veqilharxhit që të niste sa më shumë kopje që ta kishte të mundur. Sipas historianëve, botimi i këtij vëllimi shënjon fillimin e Rilindjes Kombëtare Shqiptare.

Më 1845 Veqilharxhi i dërgoi një letër polemizuese të nipit në gjuhën greke, që ia kish quajtur idetë e tij kimerike: letra çmohet ndër dokumentet e para që radhit në vija të përgjithshme idetë e Rilindjes Kombëtare. Mendohet se Veqilharxhi vdiq prej një helmimi nga Patriarku Ekumenik i Kostantinopojës.

Në vitin 1800, familja Veqilharxhi braktisi Vithkuqin, për shkak të dyndjeve të turqve dhe ashpërsimit të procesit të myslimanizmit (1800-1823). Duke qenë ortodoks dhe me lidhje patriotike, babai i Naumit, Panajot Veqilharxhi, zgjodhi si destinacion njërën prej principatave rumune (Tara Romaneasca).

Por që në rini, Naumi, duke qenë dhe tip jokonformist dhe i influencuar nga idetë atdhetare arriti të bëhej një nga liderët e shqiptarëve të Rumanisë, duke bashkëpunuar dhe me figurën e njohur Ipsilantin. Naumi atëherë luftonte për emancipimin e popullit të tij dhe për krijimin e një shteti kombëtar shqiptar.

Pas vitit 1829, familja Veqilharxhi ishte një nga më të pasurat dhe më të respektuarat në qytetin e Brailes. Naumi zotëronte disa prona të patundura dhe ndërkohë ushtronte dhe profesionin e avokatit.

Më 1838, vit në të cilin të gjithë Veqilharxhët e deklaruan veten si grekë, Naumi nuk ngurroi të pranonte origjinën e tij e të regjistrohej si shqiptar pranë autoriteteve rumune. Po në këtë periudhë, ai arrin të finalizojë dhe punën e mundin e tij 20-vjeçarë për krijimin e një abetareje, e cila ishte e para në llojin e saj për shqiptarët, pasi deri atëherë gjuha jonë shkruhej me ndihmën e alfabetit grek dhe atij arab.

Abetarja e parë e tij u shkrua dhe u botua në vitin 1844. Kjo abetare përmbante dhe një alfabet origjinal, por meqë ai ishte unik në llojin e tij, i vështirë për t’u shkruar dhe pa asnjë ngjashmëri me ndonjë gjuhë tjetër, nuk pati mundësinë për ta bërë popullore. Gjithsesi orvatja, mundi e puna e tij u vlerësuan maksimalisht dhe këtë e tregon dhe fakti se autorit iu kërkuan disa abetare me qëllim ndritjen e mendjes së popullit të etur për kulturë dhe dije.

Naum Veqilharxhi, përveç abetares së tij, kishte dhe shumë libra të tjerë të shkruar në alfabetin e tij, që për fat të keq nuk kanë arritur të mbijetojnë. Kontributi i Naum Veqilharxhit kurorëzohet pas me krijimin e shoqërisë “Drita” pas vdekjes, në vitin 1848. Në këtë kontekst Naumi gjeti të gjitha kushtet për të manifestuar idetë e tij iluministe rilindëse. Ai u bënte thirrje shqiptarëve për bashkim e ruajtje të identitetit të tyre qoftë fetar apo etnik, atëherë kur më shumë se kurrë perandoria osmane ushtronte presionet e fundit në trevat e banuara nga shqiptarët.

Ndërkohë familja Veqilharxhi i ka dhënë një kontribut të rëndësishëm, jo vetëm Shqipërisë, por dhe Rumanisë. I pari president i gjyqtarëve për qytetin e Brailes u emërua Konstandin Veqilharxhi.

Muzeu Historik Kombëtar ka kujtuar sot në 224 vjetorin e lindjes Naum Veqilharxhin (1797-1854), ideologun e parë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, përcjell KultPlus.

Ai lindi në Vithkuq të Korçës, ku kaloi fëmijërinë. Para vitit 1806 mërgoi me familjen në Moldavi (Kishinjev). Më 1821 mori pjesë në kryengritjen e eteristëve në Rumani kundër robërisë osmane si një nga udhëheqësit e saj, bashkë me shqiptarë të kolonisë së atjeshme.

Iu kushtua çështjes së Çlirimit të Shqipërisë, duke u udhëhequr nga ideja themelore iluministe se një popull mund të dalë nga prapambetja vetëm po të shkruajë gjuhën amtare dhe po të përhapen arsimi dhe kultura kombëtare. Më 1824 nisi punën për përpilimin e një alfabeti të veçantë të shqipes me 33 shkronja, të pranueshëm nga të gjithë, për të kapërcyer dasitë që lidheshin me alfabetet e tjera. Synoi që sistemi shkrimor t’u përshtatej veçorive të fonetikës së shqipes.

Me këtë alfabet botoi më 1844 të parën abetare të shqipes, “Evëtarin”. Abetarja u prit me entuziazëm dhe u përhap në krahinat Jugore të Shqipërisë. Për të plotësuar kërkesat e shumta që pati, e ribotoi më 1845 me titullin “Fare i ri Evëtar shqip”, të shoqëruar me një “E parathënme për djemtë e rinj shqiptarë”. Përgatiti gjithashtu një gramatikë dhe libra e dorëshkrime të tjera që nuk janë ruajtur.

Më 1846 hartoi një “Letër qarkore” (enciklikë) greqisht, drejtuar bashkatdhetarëve ortodoksë në Shqipëri. Largpamësia e Naum Veqilharxhit qëndron, jo vetëm në shtytjen që i dha lëvizjes së popullit shqiptar kundër robërisë shekullore osmane, por edhe në faktin se është i pari që dalloi e paralajmëroi rrezikun që do t’i vinte kombit nga qarqet shoviniste greke e nga politika e Patrikanës.

Shqiptarët i shihte si komb me karakter të veçantë, me gjuhën e zakonet e veta, me një thesar kulturor të trashëguar. Kishte besim tek aftësitë dhe virtytet e popullit të vet dhe fshikulloi ata që ishin vënë në shërbim të të huajve.

Naum Veqilharxhi e kuptoi rrezikun e madh të shkombëtarizimit që vinte nga shkollat e huaja dhe punoi për një shkollë shqipe me përmbajtje laike dhe për të gjithë fëmijët e popullit. E pasuroi shqipen me një varg termash të kulturës e të dijes.

Naum Veqilharxhi u përpoq gjithashtu të krijonte një shoqëri kulturore që të bashkonte atdhetarët e tjerë. Vdiq në Stamboll, i helmuar nga Patriarkana. Me veprën e tij u bë shprehës i një kthese me rëndësi në historinë e kombit shqiptar. / KultPlus.com

Sami Frashëri, intelektuali më i rëndësishëm i Rilindjes Kombëtare

Shemseddin Sami, ose Sami Frashëri siç e njohim të gjithë është intelektuali më i rëndësishëm i Rilindjes Kombëtare.

Veç kësaj, ai ka një rëndësi të veçantë edhe për kulturën turke, pasi si intelektual vendosi theksin mbi rëndësinë e gjuhës turke.

Shteti osman, me Reformat e Tanzimatit, kishte hyrë në procesin e modernizimit institucional për të formuar një sistem që do të bënte të mundur vazhdimin e shtetit multietnik.

Sami Frashëri, duke patur parasysh veçoritë e shtetit osman, në shkrimet e veta trajtoi rëndësinë e studimit, zhvillimit dhe të të mësuarit të gjuhës turke si gjuhë të përbashkët në Perandorisë Osmane.

Në punimet e veta vlen të përmendim Taaşşuk-ı Tal’at ve Fitnat (Dashuria e Talatit me Fitneten, 1872-1873), që është romani i parë në letërsinë turke; fjalorin Kâmûs-i Türkî (1901), fjalor enciklopedik i gjuhës osmane me shpjegim sipas botëkuptimit të ri; Enciklopedia Kamûsü’l-A’lâm, e cila është vlerësuar si anciklopedia e parë turke, etj.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave bën të ditur se në bibliotekën e arkivit gjenden veprat e lartpërmendura të Sami Frashërit, ndërsa vlen të theksojmë se për studiuesit e periudhës osmane fjalori enciklopedik Kâmûs-i Türkî është një vepër që nuk e humb asnjëherë vlerën. / KultPlus.com

Abdyl Frashëri, ideologu e atdhetari i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare

Kujtojmë sot në ditën e lindjes një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare, Abdyl Frashëri.

Si sot, më 29 gusht 1839, në Frashër të Përmetit lindi Abdyl Frashëri biri i Halid beut. Emrin e vërtetë e ka Abdullah Hysni. Është një nga personalitetet më të rëndësishme të Rilindjes Kombëtare. Është shquar si personalitet politik gjatë Krizës Lindore, në shek. XIX. Në Parlamentin e Parë Osman të vitit 1877 hyri si deputet i Janinës; u zgjodh kryetar i Komitetit të Janinës (1877) dhe në dhjetor të po këtij viti u zgjodh kryetar i Komitetit të Stambollit, që u formua për të mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në Perandorinë Osmane.

Në vitin 1877, Abdyl Frashëri u zgjodh kryetar i Komitetit Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë Shqiptare që u formua në Stamboll si dhe ishte kryetar i Komitetit Shqiptar të Janinës. Pas thyerjes së ushtrisë osmane nga ushtria ruse në vitin 1878 dhe nënshkrimit të Traktatit të Shën Stefanit, A. Frashëri shtroi tezën se në kushtet e krijuara për shqiptarët, zgjidhja më e drejtë për interesat e tyre kombëtare ishte krijimi i një vilajeti të bashkuar shqiptar në kuadër të Perandorisë Osmane.

Abdyl Frashëri ishte një nga aktivistët kryesorë për mbajtjen e Kuvendit të Prizrenit në vitin 1878. Ai u ngarkua nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit për të mbrojtur çështjen shqiptare pranë qeverive të Fuqive të Mëdha. A. Frashëri mori pjesë në kuvendet e Dibrës, Prevezës dhe Gjirokastrës. Në janar të vitit 1881, u zgjodh anëtar i qeverisë së përkohshme të drejtuar nga Ymer Prizreni.

Autoritetet osmane e arrestuan dhe e dënuan me vdekje, dënim që u kthye më pas në burgim të përjetshëm. Vdiq në Stamboll më 23 Tetor 1892. Eshtrat e tij u sollën në Tiranë në vitin 1978, me rastin e 100 vjetorit të formimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. / KultPlus.com

153 vite nga lindja e poetit të shquar, Josif Bageri

153 vjet më parë, më 15 gusht 1868 në fshatin Reka e Epërme të Dibrës lindi Josif Bageri, arsimtar dhe veprimtar i Rilindjes Kombëtare.

Poet me talent të rrallë, prozator që shkroi shumë tregime, sidomos për fëmijë, një ndër figurat më të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, si dhe gazetar e atdhetar i flaktë, ai ia kushtoi tërë jetën dhe veprën e tij çështjes kombëtare shqiptare.

Fëmijërinë dhe një pjesë të rinisë e kaloi në vendlindje. Leximin dhe shkrimin shqip e përvetësoi në Sofje në moshën 17 vjeçare, ku mërgoi dhe për një kohë të gjatë punoi si këpucëtar. Krahas kësaj pune, prej vitit 1887 u përfshi edhe në lëvizjen kombëtare shqiptare atje.

Josifi ishte njëri ndër themeluesit dhe aktivistët më të shquar të shoqërisë shqiptare “Dëshira”, e cila u themelua më 1 janar të vitit 1893, në Sofje. Kah fund i vitit 1899 shkoi në Stamboll për të vizituar poetin tonë të madh, Naim Frashëri, i cili ishte shumë i sëmurë dhe dergjej në shtrat. Ky takim i la mbresa të mëdha.

Josif Bageri punoi shumë për çështjen shqiptare, pa u lodhur, duke lënë pas shumë shkrime të botuara e të pabotuara; poezi e prozë, platforma politike, artikuj, komente, reagime.

Gjatë veprimtarisë së tij pati një bashkëpunim të ngushtë me Said Najdenin e Jashar Erebarën, Atanas Albanin nga Reka e Epërme, me Nikolla Ivanajn, Luigj Gurakuqin dhe shumë atdhetarë të tjerë.

Vdiq në Prishtinë në vitin 1915. / KultPlus.com

Sot mbushen 88 vjet nga vrasja e Hasan Prishtinës

Hasan beg Prishtina ishte ideolog dhe veprimtar i shquar i Rilindjes Kombëtare Shqiptare; përfaqësues i lëvizjes për një shtet demokratik në Shqipëri dhe një nga frymëzuesit kryesorë të idesë për çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e saj me shtetin shqiptar.

Ky ideolog i shquar dhe udhëheqës i palodhur i kryengritjes së përgjithshme për pavarësinë e tokave shqiptare, tërë pasurin e dha për çështjen kombëtare shqiptare. U lind në Vushtrri, më 27 prill 1873, i njohur si Hasan Berisha, Polaci. Pinjoll i bejlerëve të Vuçiternit, dera e tyre ka qenë një familje e nderuar spahinjsh vendas.

Hasan Prishtina ka qenë i përkushtuar vazhdimisht në çështjen kombëtare dhe si deputet, ai në parlament ka diskutuar kryesisht tema të karakterit ekonomik e social. Në fillimin e vitit 1912, Hasan Prishtina, vazhdoj me rritjen e vendosmërisë revolucionare për të siguruar liritë kombëtare shqiptare, duke organizuar një revolucion kombëtar e demokratik në bashkëpunim me popujt tjerë, kundër pushtimit otoman. Mori pjesë në përgatitjen dhe organizimin e Kongresit të Lushnjës (1920) dhe në prill 1921 u zgjodh deputet i Dibrës në parlamentin shqiptar.

Ai u shqua si luftëtar për mbrojtjen e “zonës neutrale” të Junikut nga forcat serbe dhe ato zogiste, si udhëheqës i Lëvizjes nacional-çlirimtare të Kosovës kundër sundimit serb. Më 7 dhjetor 1921 u zgjodh nga Kuvendi Popullor Shqiptar, Kryeministër dhe Ministër i jashtëm por, më 10 dhjetor 1921 ai jep dorëheqjen mbas kundërshtimeve të disa deputetëve që i kryesonte Ahmet Zogu. Kështu, për të shmangur gjakderdhjen midis shqiptarëve, Hasan Prishtina vendos të mbetet vetëm deputet i atij Kuvendi. Përpos ndikimit dhe aktivizmit në politikë, Hasan Prishtina ka pasur kontribuuim të madh edhe në arsim. Duke kundërshtuar qeverinë turke, ndau 5% e të ardhurave të tij, poashtu përmes një artikulli në gazetë, ai kërkoj nga patriotët e tjerë shqiptarë të ndanin edhe ata një pjesë të të ardhurave në ndihmë të shkollave shqipe. Me këto mjete financiare ai ishte në gjendje të siguronte mirëmbajtjen e dhjetë shkollave shqipe në Kosovë.

Hasan Prishtina njihet si një veprimtar me vlera të larta morale e mbi të gjitha, si një atdhetarë i flaktë. Ai u vra më 13 gusht, 1933 në Selanik të Greqisë.

Në vitin 1977 eshtrat e tij u sollën nga Selaniku në Shqipëri. / KultPlus.com