“Tre dimra” sjellin në Teatrin Metropol emrat e mëdhenj të skenës

Teatri Metropol vë në skenë për herë të parë, duke çelur sezonin e ri artistik shfaqjen “Tre dimrat” një vepër e autores Tena Stiviçiç me regji nga Rozi Kostani.

Shfaqja vjen me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme të aktorëve: Yllka Mujo, Luiza Xhuvani, Marjeta Ljarja, Viktor Zhusti, Sokol Angjeli, Elia Zaharia, Armela Demaj, Sonila Kapidani, Xhino Musollari, Klea Konomi, Kastriot Ramollari, Klesta Shero, Ketjona Pecnikaj, Ina Morinaj, Amri Hasanlliu dhe Lindar Kaja.

Kjo shfaqje e shkruar nga autorja kroate është një vepër që ndjek fatet e katër brezave të grave të një familjeje gjatë një shekulli të trazuar. Është një vepër, e cila hedh dritë mbi problemet në shoqërinë moderne duke vëzhguar gjendjen e botës nga këndvështrimi i grave.

Ngjarjet e veprës zhvillohen në një vilë të ndërtuar në vitin 1898 në Zagreb të Kroacisë. Ky udhëtim në kohë ndodh gjatë 75 viteve, ku ngjarjet fokusohen në tre dimra, në tri pika të ndryshme të zhvillimit të vendit, në vitin 1945 gjatë krijimit të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, në vitin 1990 te shpërbërja e saj, e më pas deri në 2011 kur Kroacia e pavarur, aspiron e negocion për t’u bashkuar me BE-në.

Ndërkohë që fokusi i shfaqjes është vetëm një shtëpi dhe një familje, në atë shtëpi është shkruar e gjithë historia e fundit e Kroacisë dhe bashkë me të forcat kryesore politike dhe ndryshimet ideologjike që kanë formësuar Evropën moderne.

“Janë tre periudha historike të tranzicionit që ka kaluar apo vazhdojnë të jenë në process popujt e rajonit tonë, si Shqipëria ashtu edhe Kroacia me një ngjashmëri të plotë me realitetet e tri periudhave: në 1945 me ardhjen në pushtet të komunistëve, në 1990 ardhja e një demokracie të brishtë dhe në 2011 prona akoma e pa zgjidhur dhe përpjekja për të hyrë në Evropë. Këto periudha janë të vëzhguara nëpërmjet rrugëtimit të një familjeje në Zagreb të Kroacisë. Tre netë të gjata dimri, në tre periudha historike me ngjarje vendimtare që ndryshojnë rrjedhën logjike të këtyre personazheve, gjithashtu edhe me ngjarje personale”,  shprehet regjisorja Rozi Kostani.

Sipas saj, kjo vepër trajton historinë e një familje eklektike, të mbajtur së bashku nga guximi për të mbijetuar.

“Nga mbetjet e monarkisë, përmes komunizmit, më pas demokracisë, luftës dhe pranimit eventual në një Evropë më të gjerë, katër breza të grave të Kos, secila më e pavarur se tjera, të cilat duhet të përshtaten për të mbijetuar. E vetmja konstante është shtëpia: e ndërtuar nga aristokratët, e ndarë, e nacionalizuar, ajo është dëshmitare e brezave që kalojnë”, tha Kostani.

Stivicic pati suksesin e saj të parë si dramaturge në vitin 1999 me Can’t Escape Sundays, e cila u shfaq në Slloveni dhe Serbi, si dhe në vendin e saj të lindjes.

Veprat e saj që atëherë janë vënë në skenë në Gjermani, dhe në vitin 2007 Fragile premierë në Arcola në Londër. Ajo është inskenuar në Londër mes emigrantëve nga Serbia dhe Kroacia dhe që atëherë është parë në disa vende të Ballkanit. Tena Stivicic jetoi një pjesë të kësaj periudhe të trazuar. Tani banon në Londër.

Autorja u rrit në Kroaci dhe ishte vetëm 13 vjeç kur Jugosllavia filloi të shpërbëhej dhe tensionet etnike shpërthyen në një luftë të tmerrshme. Familja e saj, që jetonte në Zagreb, ishte relativisht e sigurt.

Drama “3 dimrat” e Tena Štivičić u shfaq premierë në Teatrin Kombëtar, Londër, në nëntor 2014 dhe fitoi çmimin Susan Smith Blackburn 2015. / KultPlus.com

Premiera e dramës ‘Aroma e hënës’ hapi sezonin vjeshtor në TKK, shpalos problematikën thelbësore të shoqërisë kosovare

Drama “Aroma e Hënës” erdhi fuqishëm me ngrehjen e problematikave thelbësore që janë të rrënjosura thellë brenda shtetit të Kosovës, me ç’rast pyetjet se kush është ky vend, çfarë duam në këtë vend dhe çfarë presim nga ky vend, nëpërmjet gërshetimit të fakteve politike ditore si dhe atyre mediale, hyrën thellë brenda mendimeve njerëzore të pranishme duke ngacmuar atë ‘mjegullën’ që ka kapluar popullin. E kjo u shpalos pikërisht në premierën e shfaqjes “Aroma e Hënës”, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”, e që vjen nën regjinë e Rozi Kostanit, për të shënuar kështu hapjen e sezonit të ri vjeshtor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Gjithçka nisi kur numri i madh i të pranishmëve, ngadalë po mbushte sallën e Teatrit Kombëtar e i cili tërë kohës po shoqërohej nga meloditë drithëruese që dëgjoheshin ende pa filluar shfaqja. Në skenë, e vendosur si një simbol preciz i shfaqjes, ishte edhe hëna për të portretizuar pjesën e tretë të triologjisë të titulluar “Hëna prej Letre”. E kjo hënë e cila së bashku me shfaqjen që ndërronte formë, përmes zhvillimit të saj, njëkohësisht vinte dritë mbi shqetësimin e madh kolektiv të shoqërisë tonë, e i cili mbetet vdekja e empatisë njerëzore që dita ditës po shpërbëhet.

Protagonisti kryesor i kësaj shfaqje, aktori Ismet Azemi, i cili shfaqet me nofkën “Prokulsakati”, identifikohet si njëri prej pronarëve të një gazete në Kosovë i cili lufton për vendin e vetë. Në një vend ku njeriu kërkon lirinë hap pas hapi, ai humb veten duke e kërkuar atë dhe jo vetëm. E vërteta, e drejta, liria, lumturia e ëndrra për lirinë, duket se nuk kanë vend në redaksinë e gazetës e aq më pak në misionin e tij për të ndjekur rrugën drejt së ardhmes e për ti dhënë një kuptim lirisë.

“Aroma e Hënës”, dramë e cila vë në pikëpyetje lirinë e fituar nga lufta dhe lirinë demokratike, pasqyron realitetin në të cilin po jetojmë. Por mbi atë pikëpyetje vendoset një tjetër pikëpyetje më e madhe; ‘A do të ndahet Kosova apo jo?’, e që nëpërmjet lojës mjeshtërore të kastës së aktorëve, dilema se a do të shiten vuajtjet e dhimbjet e popullit për pesë euro, të frymojë jo vetëm në skenën e Teatrit por edhe në publik.

Ndërlidhja e mahnitshme e përjetimeve personale të personazheve në skenë si dhe historisë tonë reale, shtyu që kjo shfaqje e cila fton publikun që të jetë pjesë e saj, të prek thellë në zemrën e problematikës kryesore të shoqërisë tonë.

Për të ndërgjegjësuar publikun e gjerë më tutje, shfaqja vë në fokus lirinë e ëndërruar të njeriut, një liri që ndoshta nuk është e drejtë për tu përjetuar apo ndoshta edhe nuk është e merituar fare. Këto dilema herë shfaqen si arritje e të vërteta idealiste e herë si histori të cilat ngërthejnë në vete anët më negative të mundshme të perceptimit të ndjerë të lirisë.

Me dialogun e personazheve të cilët në qendër kanë lirinë e tashme në të cilën jemi duke jetuar, ata gërmojnë në të kaluarën për t’iu vënë pas një shpjegimi të panjohur, por ndoshta ai gërmim në të kaluarën rrezikon kohën e tanishme apo edhe të ardhmen, duke dërguar kështu në një fatalitet. Kurse, në anën tjetër dialogjet njëkohësisht thumbonin pikërisht në mendjen, zemrën dhe shpirtin e pranishëm.

Ndërsa, për të treguar më shumë rreth përshtypjeve të saj për shfaqjen, për KultPlus foli regjisorja Rozi Kostani.

“Të gjitha elementet që sjell demokracia janë të dyshimta dhe ne kemi dashur të ngremë pikëpyetjen e fuqishme se a do të ndahet Kosova apo jo. Janë disa thirrje e ulërima të ujkonjës të brendshme, të thella për të arritur empatinë ndër ne sepse po bëhemi të ftohtë si akulli”, thotë ajo.

Sipas saj, shfaqja ka pasur një komunikim kulturor me audiencën dhe në fakt është arritur të realizohet dinamika e përçimit të ideve dhe mesazheve, pra ngacmimit të ndërgjegjësimit të popullit.

“Në teatër vihet për të menduar, për të reflektuar, për tu thelluar e për tu angazhuar me një pikëpyetje. Kur njeriu humbet forcën e gravitetit, ne shkojmë lart por të shkuar lart ne duhet të shohim poshtë dhe ky lloj raporti me universin, është ajo pikëpyetja që kanë këto personazhe brenda vetes”, përfundon Kostani.

Kurse, protagonisti kryesor i kësaj shfaqje, aktori Ismet Azemi, i cili shfaqet me nofkën “Prokulsakati”, për KultPlus tregoi përshtypjet e tij rreth shfaqjes,

“Me thënë të drejtën tani e dy muaj ditë kemi qenë shumë të angazhuar në këtë punë, por unë besoj se kjo puna jonë, kreacioni jonë artistik në dramën e Krajës, ishte një realizim që komunikojë me publikun. Ne bëmë përpjekje ta ndjejmë, dhamë shumë energji, u kënaqëm dhe shpresojmë që kjo shfaqje të ketë jetë më të gjatë”, thotë Azemi.

Po ashtu, aktori Shpëtim Kastrati foli rreth rolit të tij, të cilin ai e konsideron koxha të vështirë për tu luajtur.

“Një shfaqje shumë kompleksive, e në fakt ato personazhe që përpëliten në skenë, fatkeqësisht ndodh edhe në jetë dhe janë shumë aktuale që do të thotë se asnjë nuk është i lumtur e andaj shumica përfundojnë në fatalitet”, thotë Kastrati.

Sipas tij, roli i tij ishte një rol shumë i vështirë për arsye se personazhi është një person i mbyllur në vetvete dhe prandaj edhe është shumë problem të qëndrosh në skenë e të thuash shumë pa fol asgjë.

Gjithashtu, Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, për KultPlus foli rreth përshtypjeve të tij për shfaqjen, të cilën e konsideron të një cilësie të lartë.

“Besoj se ishte një dramë politike me një përshkrim goxha të saktë të realiteti tonë në të cilin jetojmë edhe sot por sidomos për dy dekadat e fundit. Besoj që kombinimi i tekstit me regjinë të dy njerëzve me shumë vlerë, ka sjell një cilësi shumë të lartë të lojës dhe loja e mirë e aktorëve të njohur të skenës teatrore e bëri që sonte të kemi një përjetim të veçantë”, thotë Çeku.

Sipas tij, ishte premiera e shfaqjes, dhe ai beson që me cilësinë që është parë sonte, atëherë do të ketë mjaft shumë publik në reprizat e ardhshme, në kuadër të kalendarit kulturor me Kosovës dhe Shqipërisë.

“I përgëzoj të gjithë që kanë qenë sonte pjesë e kësaj shfaqje dhe besoj se sonte e kemi dhënë një dëshmi që Teatri Kombëtar i Kosovës është duke prodhuar një cilësi shumë të lartë artistike”, përfundon Çeku.

Ndërkaq, shfaqja “Aroma e Hënës” këtë muaj do të ketë edhe katër repriza në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe pastaj rikthehet përsëri në muajin dhjetor si dhe më pas do të paraqitet edhe në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë. / KultPlus.com

Hëna do të ‘lëshojë’ aromën e saj të martën në mbrëmje kur edhe do të shfaqet drama ‘Aroma e hënës’

Uranik Emini

Drama “Aroma e Hënës”, me tre akte dhe epilog, pjesa e fundit e trilogjisë “Hëna prej Letre” e autorit Mehmet Kraja, do të ketë premierën e saj nesër në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Një dramë provokatore e ditëve tona, filozofike dhe surrealiste e cila ngre teza të fuqishme ekzistenciale dhe social-politike e politiko-mediale.

Regjisorja nga Shqipëria, Rozi Kostani, në një prononcim për KultPlus ka rrëfyer pjesë nga shfaqja “Aroma e Hënës” një ditë përpara premierës së madhe.

E pyetur mbi pjesën se si erdhi deri te bashkëpunimi mes Tetarit Kombëtar, Kostani u shpreh se kur vjen një propozim i cili e intrigon apo e ngacmon teksti, atëherë e bind atë për të punuar rreth projektit.

“Pjesa e fundit trilogjisë së Mehmet Krajës, ishte ngacmuese për mua sepse jo vetëm mundesh të flasësh për lirinë individuale në raport me botën por ajo përshkallëzohet në një liri dimensionale, dhe duke qenë kështu ti provokohesh dhe mund të thuash të fshehtat e tua”, tha ajo për KultPlus.

Tutje, Kostani tregon se si drama flet për një vdekje të empatisë njerëzore, gati një gjendje amogu shpirtëror dhe sigurisht kjo vepër është politiko-mediale, prek politikën, prek socialen, prek shpirtëroren, mendoren e të gjitha të bashkuara që përfaqësojnë njeriun në shoqëri, apo e identifikojnë atë.

Sa i përket kastës së aktoreve, Kostani deklaron se nuk kishte njohuri për të gjithë ata, mirëpo përmes audicioneve ka bërë edhe përzgjedhjen e tyre.

“Kam ndjekur një parim të regjisorit Peter Brooku. Në këtë fshatin tonë të madh ne bëjmë teatër, nuk e kam për ambicie monetare, e bëj punën për pasion, ambicie profesionale, dhe e kam kthyer listën mbrapshtë. Audicioni ka qenë shumë interesant dhe meqenëse dikush ka punuar është këtu në skenë”, theksoi ajo.

Shfaqja në fjalë do të ketë katër repriza në Teatrin Kombëtar të Kosovës këtë muaj, 16 17 19 dhe 30 nëntor, dhe pastaj rikthehet në dhjetor. Në vitin e ardhshëm, kjo shfaqje pritet që të paraqitet edhe në Teatrin Kombëtar të Shqipërisë.

Regjisorja nga Shqipëria thotë se duhet të krijohet një bashkëpunim më i madh mes Kosovës dhe Shqipërisë kur vjen puna te veprat teatrale.

“Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë së bashku jo vetëm në formë të letrave e llafeve, por me punë dhe vepra. Të fillojmë t’i qasemi gjërave, por ku vjen puna për të bërë gjëra konkrete që vlejnë”.

Një ditë përpara premierës të kësaj pjese teatrale, ekipi i “Aroma e Hënës” ka bërë një publikim të trailerit, për të cilin foli edhe Rozi Kostani.

“E kam si parim të punës të bëjë një trailer, jo për të dhënë gjithçka se çfarë do të shfaqet. Por në një mënyrë ngacmimi, për të menduar. Teatri është një medium që i bënë njerëzit të mendojnë e jo të argëtojnë. Nuk jemi cirk, edhe në cirk madje ka një mendim e derisa ne të shkojmë drejtë një teatri të angazhuar, unë trailerin e përdori për të provokuar shikuesin”.  

Protagonisti kryesor i kësaj shfaqje, Ismet Azemi, njihet me nofkën “Prokulsakati” që identifikohet si njëri prej pronarëve të një gazete në Kosovë, që synim kryesor ka mbijetesën dhe luftën për vendin e vetë.

Aktori tregon se puna në këtë shfaqje ka qenë shumë e vështirë dhe madje kanë punuar shumë ditë për të shfaqur në mënyrë sa më profesionale vetën e tyre.

“Sot së bashku me asistentin e regjisores, Lirim Behluli, bëmë një llogaritje se sa punë kemi bërë deri tani, që i bie diku rreth 50 ditë. I gjitha ekipi kemi pasur një punë të madhe, jemi të përzgjedhurit e regjisores, Rozi Kostanit, e të gjithë kishim një përkushtim të madh me një bashkëpunim shumë kolegial, shumë njerëzor, të natyrshëm nga të gjitha anët”, ka thënë ai.

I pyetur për bashkëpunimin me Rozi Kostanin, Azemi thotë se e ka njohur edhe më parë regjisoren, por një bashkëpunimi i tillë ka qenë kënaqësi e madhe për të.

“Domethënë ka qenë një bashkëpunim shumë i vyer do të thoja, por edhe mbingarkesë për arsye se në rrethanat në të cilit ishim nuk janë ato të cilat plotësojnë të gjitha kërkesat e një pune me të cilat ne jemi zotuar që të punojmë. Shpresoj që ky bashkëpunim që kemi bërë të rezultojë me sukses dhe të jetë komunikativ me audiencën, të cilët kanë shpreh dëshirën që të vijnë dhe të komunikojnë me neve”.

Protagonistët e “Aromës së Hënës” kanë paralajmëruar për një konferencë, të zakonshme përpara premierës, në të cilën ka qenë e pranishme vetëm KultPlus, gjë për të cilën Azemi ndjehet shumë keq.

“Për aq sa unë di për teatrin, unë mendoj se kam bindje të thellë se është institucioni më i lartë kulturor në një vend. Ne shqiptarët e kemi një shkamb me tri kambë, dhe unë mendoj që ajo këmba në shpinë nga kurrizi është institucion i teatrit, kultura, identetiti dhe unë mendoj që këtë pjesë nuk jemi duke e ruajtur aspak, prandaj jemi në kurriz të shpinës. Vetë fakti që ne e gjitha ekipa përgatiteshim që të dilni në media përpara gjithë portaleve, mediave televizive, këtu u paraqitet vetëm ju (KultPlus) dhe ne themi se çka po ndodhë këtu, a jemi në teatër apo ku jemi ne. A jemi në teatër apo jo?”.

Në fund, ai e lidh këtë ngjarje me dramën të cilën do ta jap premierën ditën e martë. “ Kjo dramë trajton pikërisht këtë problem, gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në këtë vend ti prapë ia vënë një pikëpyetje vetes, kush jemi ne? Pse jemi ne? Gjithmonë ekziston ajo pikëpyetja se kush është ky vend, kah duhet të shkojmë ne dhe kjo është një shqetësim shumë i madh kolektiv të cilin duhet, nëse ka mendje të ndritura në këtë vend, duhet të afrohen dhe ta shohim se është një komb që ka një kulturë dhe lashtësi shumë të lashtë, ta varrosim në këtë mënyrë, ta hedhim në këtë mënyrë, unë mendoj që është varfëri e madhe dhe është shqetësim i madh, është vrastare, tragjike, nuk di se si ta quaj këtë situatë, flas me zemër për këtë aspekt”, përfundoi ai.

“Përmbysjet e mëdha sjellin ndryshimin”, është mesazhi që pritet të përcjellët nga kjo dramë e përgatitur maksimalisht nga gjithë aktorët pjesëmarrës.

Shfaqja do të jepet në ora 20:00, në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar./KultPlus.com

TKK fillon sezonin me “Aroma e Hënës” të Krajës, regjisorja Kostani: Publiku duhet ta ndjejë këtë pulsim bashkë me ne në skenë

Para disa ditësh në Teatrin Kombëtar të Kosovës kanë filluar provat e kastës së aktorëve për shfaqjen “Aroma e Hënës”, sipas dramës me të njëjtin titull të Mehmet Krajës, që njëherazi është pjesa e tretë e trilogjisë “Hëna prej Letre”, e që vjen nën regjinë e Rozi Kostanit, për të shënuar kështu hapjen e sezonit të ri vjeshtor në Teatrin Kombëtar të Kosovës, shkruan KultPlus.

Elementi i një teatri të angazhuar i cili ngreh problematika thelbësore të një vendi, duket se ka ‘ngacmuar’ dhe intriguar regjisoren e shfaqjes, Rozi Kostani, e cila është bazuar në pyetjet e zakonshme se çfarë duam ne në këtë vend, çfarë është ky vend dhe se çfarë na plotëson. Por që sipas saj, vendin e bëjnë njerëzit dhe jemi ne fajtorët që ky vend nuk ecën përpara.

Artikulimi që bënë autori dhe problematikat e shpalosura në vepër, duke u bazuar në faktet e politikës ditore dhe politikës mediale janë cilësuar si temat kryesore që përfshihen në shfaqjen e cila brenda vetës ngërthen ndërlikimin dhe ndërveprimin e politikës me median dhe gërshetimin e tyre që shpërndan mesazhe në popull si p.sh: gjithçka po shkon mirë dhe është një lloj mjegulle që ndikon te populli.

Ndërsa për të treguar më shumë rreth shfaqjes, për KultPlus, foli vetë regjisorja Rozi Kostani.

“Ka qenë e vështirë përzgjedhja e kastit të shfaqjes, sepse unë kam pasur nevojë të njihem me ta, të jem brenda ngjyrimeve të personazheve që më ka propozuar autori në këtë vepër. Ka qenë një përpëlitje që të qoja rolet në ‘ato ujëra’ dhe mendoj se kam bërë përzgjedhjen e duhur”, thotë Kostani.

Sipas saj, puna e palodhshme paraqitet në ‘teatrin e fjalës’ e jo në një teatër ‘me lule e fishekzjarre’, ku publiku konsiderohet si një medium i cili të fton në ngritjen e tezave të autorit, si dhe në bashkëpunimin midis tyre deri në një rezultat.

“Publiku kur të dal nga skena duhet të mendoj, të fillojë të ‘përtyp’ mendimet e tij, e jo vetëm të dal i çlodhur nga një shfaqje. Teatri ka për qëllim ndërgjegjësimin dhe ndriçimin, ne vërtet kemi edhe hënë të madhe për të dhënë pak dritë mbi mendime dhe veprime njerëzore pikërisht për këtë vend i cili është pjesë themelore dhe përmbajtësore e këtij populli”, thotë Kostani.

Sa i përket procesit të provave, konsiderohet se është në një proces analitik ku po bëhet zbërthimi i veprës, shfaqen mendimet dhe ndjesitë e kastës, duke iu referuar tekstit në pika të ndryshme të cilat duhet të deshifrohen.

Publiku do jetë pjesë e shfaqjes sepse vepra është zemra e problematikës, është pjesë e këtij vendi dhe është super konkrete, e andaj dhe publiku duhet ‘të rrah’ dhe ta ndjejë këtë pulsim bashkë me ne në skenë”, thekson ajo.

Për Kostanin, masat anticovid nuk janë se kanë ndikuar në mënyrë negative në procesin e provave, për arsye se tashmë është mësuar me masat parandaluese të pandemisë.

Duke marrë parasysh se shfaqja “Aroma e hënës” hap sezonin e ri në Teatrin Kombëtar, regjisorja ndjehet shumë e lumtur që po punon me kastën e aktorëve të përzgjedhur për këtë shfaqje, me ç’rast ajo dëshiron të barazoj ndjeshmërinë kombëtare. Ndërsa, Kostani tutje bëri të ditur se po punon për herë të parë me kastën e Teatrit Kombëtar të Kosovës, edhe pse me disa prej tyre njihet paraprakisht prej shfaqjeve të mëparshme në të cilat kanë punuar bashkë.

“Është e rëndësishme që ne jemi në të njëjtat ujëra, unë po kuptohem mirë me aktorët, e kjo është një gjë mjaft e rëndësishme”, thotë Kostani.

Ndërkohë, për prezantimin e kësaj shfaqje edhe në teatrin e Tiranës, regjisorja pohoi se kjo gjë patjetër që do të ndodh dhe është e paevitueshme.

Kështu krejt në fund, për dëshirën e mëtutjeshme për të bashkëpunuar me Teatrin Kombëtar të Kosovës, në kuadër të shfaqjeve tjera, regjisorja Kostani ka shprehur gatishmërinë e saj. / Edlira Musliu / KultPlus.com

Në PITF, Shqipëria solli rrëfimin për një vend të çrrënjosur

Nata e tretë e Festivalit Ndërkombëtar të Teatrove në Kosovë, “Prishtina International Theater Festival 2017″ (PITF 2017), solli shfaqjen e ekipit të Shqipërisë “Vdes siç vdes një vend”, në AAB, në Teatrin ‘Faruk Begolli”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje e cila është në programin garues të këtij festivali erdhi me regji të Rozi Kostani dhe të aktorëve: Alfred Trebicka, Rozi Kostani, Violeta Trebicka, Ina Morinaj, Benada Mulla, Silvio Goskova, Lejda Celi, Artan Skenderasi, Kesina Lami, Arild Stafa, Jona Hoxha, Armando Mehmeti.

Kjo dramë në thelb synon të nxjerrë marrëdhënien njerëzore me vendin, përmes zhgënjimit, urrejtjes dhe frikës për një identitet të zhdukur, ku më i riu s’kujton asgjë nga i vjetri. Ajo filloi nën tingujt e violinës, për të vazhduar më pas me një gjuhë e cila bëhet çdo here e më e drejtpërdrejtë. Shfaqja rrëfen për tmerret e luftës, për përndjekjen dhe robërinë, për fushat , në të cilat digjet mundi i një brezi të terë, për vajzat e dhunuara nga ushtarët, e foshnjat e vdekura në prehrin e nënës. Mbi të gjithë mllefin, ajo sjellë shpresën dhe ngazëllimin e fundit të luftës, derisa aktorë të veshur në kostume që kanë elemente tradicionale orvaten për të ndjellë fundin e saj, ku me “fundi i luftës është në favorin tonë”, brohoritej në korin e shfaqjes.

Kjo dramë edhe pse nuk e përcakton hapësirën gjeografike dhe kohore, flet për një vend emri i të cilit tjetërsohet vazhdimit dhe i cili përballet me rrezikun që të humb farën e saj nga kjo gjendje që po zgjaste me shekuj.

Përveç që prek kontekstin social, gjithnjë thumbimi i kësaj shfaqje bie mbi kontekstin politik të një vendi me institucione të përmbysura, një politikë të korruptuar, qeveri të cilat trashëgojnë njëra-tjetrën dhe ku ministrat dhe politikanët veprojnë vetëm për ambicie personale dhe familjare. Në një vend, ku krimi është i legalizuar me vrasje e varreza masive, ndërsa njerëzit zhduken brenda natës e “Kryemadhi vret kryevoglin”. Përgjatë shfaqjes, në skenë e fuqishme vjen edhe një zonjë e veshur me të kuqe, e cila në skenë hyn dhe del duke lëvizur nga personazhet e tjera dhe gjatë parakalimit të saj sjellë të qeshura, të cilat më shumë tingëllojnë ironike,e herë ndodh që të kaplohet nga mërzia derisa nxjerrë syzet dhe lexon letrën në të cilën shkruhet për një vend me armiqësi të stërzgjatur, e ku kanë mbetur vetëm të sëmuret dhe pleqtë, të cilët të mirën e presin vetëm nga armiqtë.
Duke qenë se e gjithë kjo shfaqje solli një revoltë ndaj këtij sistemi, ajo krejt në fund ngriti në këmbë publikun derisa përfundoi mes vallëzimit dhe nën përcjellje të këngës “System of a down” të Chop Suey.

Shfaqja “Vdes siç vdes një vend”, është vepër e autorit grek, Dimitris Dimitriadis, e kthyer në kontekstin shqiptar nga regjisorja Rozi Kostani. “Vdes siç vdes një vend”, është inskenuar në shumë skena teatrore të Evropës, duke filluar nga Parisi pastaj në Itali, Gjermani, së fundmi në Spanjë etj.
Edicioni i parë i këtij festivali do të vazhdoj nesër natën e katërt me shfaqjen garuese “SPEAK MEDEA” nga Irani, për të vazhduar deri më 21 tetor me “Darka e Thërrimeve” nga Maqedonia dhe “Armiku i Popullit” nga Kosova./ KultPlus.com

“Vdes siç vdes një vend” sjellë në Teatrin Kombëtar të Tiranës, Alfred Trebickën e Rozi Kostani

Foto: Edvina Meta
Më 21 shtator është premiera e shfaqjes “Vdes siç vdes një vend”, me tekst të Dimitris Dimitriadis e me regji të Rozi Kostanit, në Teatrin Kombëtar të Tiranës, shkruan KultPlus.

Por jo vetëm regjinë do ta bëjë Rozi Kostani, pasi që e njëjta do të paraqitet edhe me rolin kryesor në këtë shfaqje, ku për partner ka aktorin e njohur Alfred Trebicka.

Kjo shfaqje është paralajmëruar që do të ketë reprizat e para më 22, 23 dhe 24 shtator, kurse shfaqjet me tekst të Dimitris Dimitriadis, tashmë kanë shënuar një sukses të paparë në teatro të ndryshme të Evropës. /KultPlus.com