100 vite nga lindja e Bik Ndojës, zaambli i jares shkodrane, fisniku i traditës së kangës dhe qytetarisë

Shkruan Albert Vataj

Kur thue Shkodra, mundesh me nënkuptu tançka përfaqson kyt gurthemel të rand të historisë, kulturës, traditës dhe qytetarisë.

Kur përmend Shkodrën, mundet me ndërmend gjithçkaqë që asht ngjiz dhe ka marrë vullnesë krenie në t’gjallt e t’pasionuemit, bijt e bijat e këtij qyteti, njiksaj përkatësie, e cilla ma shum’ se gjeografike, mundet me ken shpirtnore dhe artistike, siç diti me dëshmu dhe me xan vend në faqet e lavdishme të historisë si gurthemel i rand i kaprcyelleve.

E ndërsa lyp me dallue prej tan atyne yjeve qi kan shndrit qiellin mëkimit të naltuar në shpirtje shkodrane, tue e nusnue këtë amë legjendash, ma i shndritshmi vezullim n’ta asht jarja shkodrane. E kur nëpër këtë tempull të muzikës kërkon me gjet nji emën, nji za, nji prej atyne qi e kanë këndue dhe e naltue këtë mjeshtëri të krijimit, do ta kesh sa t’pamujtun njaq edhe sfiduese. Gjithqysh, prej atyne që u përfaqësuen, e jarja shkodrane u mori njaq sa dhe u dha, nji za i gjithpranum në këtë virtuozitet interpretues, asht Bik Ndoja. Shpirti i tij krijues dhe tansia mëkuese përgjat nji jete në skenën e kangës dhe në ëndjen e adhurimit, u plazmu duke mbetun tash e përgjithmon të pashlyem, shkodrane, n’traditën e jares dhe shqiptare, n’galerinë e veprave që morën status thesari kombëtar.

Bik Ndoja, jo vetëm me jaren, por me tan pasuninë shpirtnore që mori jetë kah kanga, mujti me i dhan njat za qi kishte me mbet ma i epërmi, ma i andshmi, ma i duartrokituni në skenën shqiptare dhe asaj botnore. Bik Ndoja kishte lindun për me këndu dhe kurrgja nuk mujti me e ba njat za me pushue, e njat zemër me rrah me dashni pa cak. Ai u ngjit në apogje dhe shndriti si yll, pa arritun për me shkëlqy si n’skenë njashtu edhe në podet e nderimeve dhe titujve, edhe pse meritoi ndoshta ma shumë se gjithkush tjetër. Shndriti me virtuozitetin e interpretimit të jares shkodrane, njashtu siç shndrin në ag nji diell qi lind tue dëbu terrin.

Bik Ndoja bani jetën e nji njeriu t’përkorë, pa ankime dhe trazime, megjithëse rreth tij, siç nuk i munguen njerëz qi e vlerësuen talentin, u gjindën ndër ta qi u rreken ta pengonin në ngjitjen e këtij ylli n’qiellin e vet. Por ai nuk u dha, nuk e shterri zanin e tij të magjishëm, nuk e la atë shpirt artisti dorzan dredhive dhe smirës. Gjithqysh ai triumfoi.

Në vitin 1969, Bik Ndojës i’u akordua titulli “Artist i merituar”.  Plot 30 vite më vonë, Bashkia e qytetit të Shkodrës i akordoi titullin “Krenaria e qytetit”. Në vitin 2007, Qendra Kombëtare e Veprimtarive Folklorike i jep titullin “Interpretues i shquar i jares shkodrane”, duke qenë ky vlerësimi i fundit së gjalli. Në lëmin e meritave vlen të përmendet fakti se që nga viti 2011, dosja “Mjeshtri i Madh” pret në institucionin e Presidencës, për t’iu akorduar ndoshta pas vdekjes.

Ludovik Ndoj Gjergji i njohur si Bik Ndoja, u lind në Shkodër me 13 gusht të vitit 1925 për t’u shue më 27 dhjetor 2015. Ishte dhe mbetu lëvruesi dhe përçuesi i jares shkodrane, këtij visari të papërsëritshëm, kësaj urëbashkimi mes Lindjes dhe Perëndimit, traditës dhe bashkëkohjes në artin e këndimit./KultPlus.com

Shkodra ndizet me “Dua Fest” – Artistët më të dashur shqiptarë performojnë pranë Kalasë së Rozafës

Mbrëmjet e 8 dhe 9 gushtit e kthejnë Shkodrën në kryeqendrën e muzikës live, me festivalin “Dua Fest”, një ngjarje artistike që premton energji të jashtëzakonshme dhe emocione të paharrueshme.

Nën qiellin e hapur dhe pranë mureve të lashta të Kalasë së Rozafës, festivali sjell në skenë artistët më të dashur dhe më të suksesshëm të muzikës shqiptare, si Shkodra Elektronike, Aleksandër Gjoka, Alban Skënderaj, si dhe emra të tjerë të njohur të skenës moderne.

“Dua Fest po vjen për të ndezur qytetin. Emrat më të mëdhenj të muzikës, performanca elektrizuese dhe energji që nuk harrohen”, kanë premtuar organizatorët.

Në listën e performuesve përfshihen edhe DJ Hermes, DJ Irgen, Eri Dee, Grupi Burn dhe Hektor Jubani, të cilët do të sjellin ritme të ndryshme për një publik të gjerë.

Qëllimi i festivalit është të bashkojë muzikën me historinë dhe emocionet, duke promovuar Shkodrën jo vetëm si qendër kulturore, por edhe si një destinacion modern për evente muzikore të nivelit të lartë.

“Dua Fest” po pritet me entuziazëm nga publiku dhe pritet të jetë një ndër eventet më të suksesshme të verës në Shqipëri./KultPlus.com

Shkodra bëhet gati për magjinë e “Dua Fest”, muzikë, histori dhe emocione pranë mureve të Rozafës

Shkodra po përgatitet të mirëpresë një nga ngjarjet më të veçanta kulturore të verës, “Dua Fest”, një festival që premton të ndezë qytetin me muzikë, energji dhe art të vërtetë.

Në datat 8 dhe 9 gusht, nën hijen e mureve të lashta të Kalasë së Rozafës, do të ngrihet skena që do të mbledhë disa nga emrat më të dashur dhe të suksesshëm të muzikës shqiptare. Shkodra Elektronike, Aleksandër Gjoka, Alban Skënderaj dhe shumë artistë të tjerë do të sjellin performanca që nuk do të harrohen lehtë.

“Dua Fest po vjen për të ndezur qytetin. Emrat më të mëdhenj të muzikës, performanca elektrizuese dhe energji që nuk harrohen,” – premtojnë organizatorët.

Festivali është konceptuar si një bashkim mes muzikës moderne dhe shpirtit historik të qytetit. Emocione, ritme dhe ndjenja do të gërshetohen në një atmosferë unike që vetëm Shkodra di të ofrojë.

Në skenën e “Dua Fest” do të ngjiten gjithashtu: DJ Hermes, DJ Irgen, Eri Dee, Grupi Burn, Hektor Jubani.

“Dua Fest” nuk është thjesht një koncert, është një përvojë për të gjithë ndjeshmëritë, një takim mes së vjetrës dhe së resë, mes historisë dhe të tashmes, ku muzika bëhet gjuhë e përbashkët e brezave./KultPlus.com

Kalaja e Rozafës thyen rekorde: Mbi 100 mijë vizitorë vetëm në 7 muaj

Një nga monumentet më të rëndësishme historike dhe turistike në Shqipëri, Kalaja e Rozafës, ka regjistruar një numër rekord vizitorësh për periudhën janar-korrik 2025. Sipas të dhënave të publikuara nga Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër (DRTK), këtë kala e kanë vizituar 100,500 turistë gjatë shtatëmujorit të parë të vitit.

DRTK ka ndarë edhe një album fotografik emocionues, ku shfaqen grupe vizitorësh nga vende të ndryshme, të shoqëruar nga guida lokale, si dhe pamje spektakolare të kalasë gjatë natës – një ansambël i ndriçuar që shkëlqen mbi qytetin dhe bie në sy që nga largësia.

Kalaja e Rozafës mbetet destinacioni kryesor për çdo turist që viziton Shkodrën, qofshin ata që ndalen për pak orë apo qëndrojnë më gjatë në qytet. Pozicioni strategjik i saj në hyrje të qytetit, mbi një kodër shkëmbore midis lumenjve Drin dhe Buna, ofron një panoramë mahnitëse të liqenit dhe luginës përreth, duke e bërë një ndalesë të paharrueshme.

Ky monument i lashtë, me një sipërfaqe prej 3.6 hektarësh dhe mure që shtrihen në një perimetër prej 881 metrash, është zemra e Parkut Arkeologjik Shkodër dhe një nga krenaritë më të mëdha të trashëgimisë kulturore shqiptare./KultPlus.com

Edicioni i 9-të i ZA Fest ndizet në Kalanë e Rozafës këtë korrik

Edicioni i nëntë i ZA Fest do të vijë për publikun përsëri nga Shkodra në datat 24, 25, dhe 26 korrik.
Zëri që kumbon prej kalasë së Shkodrës për tri net do të sjellë artistët më në zë të momentit duke bashkuar arti modern me traditën, në një skenë plot emocione, intimitet e energji shpërthyese njëherësh.

Pjesë e këtij festivali do të jenë emra si Armend Rexhepagiqi, Rednex, MC Kresha & Lyrical Son, Casadilego, Petrit Çarkaxhiu, Arbër Agalliu, Lorik Cana, Rafael Hoxhaj etj.

ZA Fest është aktivitet kulturor i përvitshëm, krijuar nga pasioni i artistit Vlashent Sata.

Skenë e këtij eventi është bërë Kalaja e Rozafës, shtëpitë muze në Shkodër, lugina e Thethit etj.
“A jeni gati të përjetuar kujtime të paharrueshme në netët plot art, muzikë të mirë dhe ju, publiku më zemërbardhë?”, thotë drejtuesi i festivalit, Vlashent Sata nga Kalaja e Rozafës, në videon promovuese të aktivitetit./atsh/

“Dasma shkodrane” – Vepra që mishëron kulturën dhe historinë e Shkodrës

Nga Albert Vataj

Ka çaste kur një vepër arti bëhet më shumë se një dritare mbi të shkuarën; ajo kthehet në një rit të gjallë, një këngë pa zë që rreh në zemrën e kujtesës. “Dasma shkodrane”, kjo kryevepër e Kol Idromenos e vitit 1924, është një prej atyre mrekullive ku historia dhe arti bashkëjetojnë në një përqafim të rrallë. Një kanavacë ku ngjyrat janë të rrahura nga drita e një qyteti që mbartte mbi supe peshën e traditës dhe hijeshinë e një elegance qytetare, që e shndërron momentin e dasmës në një ikonë të shpirtit kombëtar.
Vështroni këtë peizazh të gjallë: oborri me kalldrëm, muret e larta, portiku që hapet si një skenë teatri, aty ku përplasen zërat e këngëve dhe hapa të veshjeve të trasha, të gjera e të hijshme. Femrat me çitjane të zeza e përparëse të bardha, me shallin e mbështjellë rreth kokës, ecin në një ritëm solemn, një koreografi e lashtë që përçon rregulla dhe krenari. Fëmijët e vegjël, të veshur me rroba festive, mbahen prej dore nga nënat apo qëndrojnë kureshtarë në skaj, duke marrë pjesë pa e ditur në një liturgji të përjetshme. Në sfond, një minare e hollë përshëndet qiellin dhe tingujt e largët të qytetit.

Idromeno nuk e pikturoi thjesht një dasmë; ai ngriti një monument të një qytetërimi të tërë, një kod të heshtur zakonesh e marrëdhëniesh që merr formë përmes veshjes, qëndrimit dhe hapit. Dhe kjo tablo, e veshur me atë tejdukshmërinë e kujtesës që na bën të ndjehemi sikur jemi të fshehur pas xhamit të një dritareje, ose hipur mbi një pemë të lagjes, është një dëshmi e rrallë se si arti shndërrohet në dokument dhe rit njëherësh.
Në të vërtetë, kjo nuk është vetëm një pikturë, por një mjet për të eksploruar shpirtin e një bashkësie. Në fjalët e antropologut Clifford Geertz, një vepër arti është një mekanizëm që forcon rregullat, vlerat, lidhjet shoqërore. Dhe “Dasma shkodrane” bën pikërisht këtë, na lejon të lexojmë kodin e heshtur të një shoqërie ku familja, nderi dhe riti janë të shenjtë.
Nga kjo tablo mësojmë se si ndërtohej marrëdhënia midis fiseve, si peshoheshin rolet gjinore, si merreshin vendimet që mbartnin peshën e një fisi të tërë. Dhe ndonëse sot emocionet tona janë të tjera, ndonëse syri ynë modern sheh më shumë folklor se sa kod social, fuqia e kësaj vepre është se ajo i tejkalon kohët, ajo na lidh me një identitet që, edhe pse i kaluar, është ende i gjallë në rrënjët e shpirtit shqiptar.
Kështu, Kol Idromeno nuk na la thjesht një pikturë; ai na la një rrëfim të përjetshëm, një akt solemn dashurie ndaj qytetit të tij dhe kulturës që e ushqeu. Dhe çdo herë që sytë tanë ndalen mbi këtë kryevepër, ne bëhemi pjesë e asaj dasme, dëgjues të këngëve të vjetra, pjesëmarrës në një vallëzim që nuk resht kurrë.
“Dasma shkodrane” mbetet kështu një dritare drejt një kohe kur arti, tradita dhe jeta ishin një, dhe ku çdo hap i nuseve e çdo vështrim i burrave ishte një poezi e shkruar me ngjyrë e dritë.

Shkodra, qyteti ku lindi fryma feministe shqiptare dhe u ripërcaktua roli i gruas në familje dhe shoqëri

Nga Albert Vataj

Fotografia që e sjell si ilustrim është një imazh i rrallë dhe jashtëzakonisht domethënës, një grua shkodrane, e veshur me kostum tradicional, e ulur me një qasje të lirshme e vetbesuese, pozon duke pirë një cigare, një ikonografi që thyen shumë nga normat gjinore të kohës. Kjo pamje, e kapur me mjeshtëri në studion Marubi, përfaqëson më shumë se një pozë fotografike, është një manifest i qetë por i fuqishëm i ndryshimit të rolit të gruas në shoqërinë shqiptare të fillimshekullit XX.


Në një kohë kur pjesa tjetër e Shqipërisë po përpiqej ende të dilte nga errësira e analfabetizmit dhe izolimit, Shkodra shndërrohej në vatër të emancipimit, qytet i mendimit, artit dhe gruas së vetëdijshme për rolin e saj në shoqëri.


Qysh në vitin 1919, Shkodra thyen tabu, në dramën “Eminia e vorfën”, për herë të parë në historinë e skenës shqiptare, një grua, dhe jo një burrë i veshur si femër, siç ishte zakon, ngjitet në skenë për të interpretuar një rol femëror. Ky ishte një akt i guximshëm artistik dhe emancipues, që hodhi themelet e një mendësie të re në kulturën shqiptare. Akti nuk ishte vetëm estetik apo teatral, por simbolik, ishte vetë zëri i gruas që për herë të parë fliste me zërin e vet në publik.


Konkretizim: Më 11 gusht të vitit 1919, në Teatrin e Shoqnisë “Vllaznia” në Shkodër, u vu në skenë drama me tri akte “Erminia e vorfën”, e shkruar nga Kolë Gurakuqi. Kjo shfaqje shënon një moment historik në skenën teatrore shqiptare: për herë të parë, roli kryesor i një gruaje u interpretua nga një grua e vërtetë — Roza Sovaria Shoshi.


Roza, e cila më vonë do të njihej edhe si nëna e Tonin Topallajt (i burgosur me grupin e studentëve të Gjimnazit “28 Nëntori”), pati guximin të thyejë një rregull të pathënë të kohës, ku rolet femërore interpretoheshin ekskluzivisht nga burra të maskuar si gra. Me interpretimin e saj të Erminisë, Roza jo vetëm që solli një realizëm të ri në artin skenik, por u bë edhe simbol i një emancipimi të hershëm, duke i hapur rrugën grave të tjera drejt skenës dhe zërit të tyre të merituar në artin shqiptar.


Në vitet që pasuan, konkretisht më 1921-1922, Shkodra njohu një lulëzim artistik me shfaqje si “Katër caqet themelore” dhe “E tradhtuemja”, të interpretuara tërësisht nga aktore femra, Tina e Gjon Ashikut, Kristina e Zef Gjonej, Ida e Kel Kodhelit, Marta e Logorecit, dhe shumë të tjera. Këto vajza dhe gra, me guximin e tyre, shkelën në skenën teatrore me zërin e zemrës dhe me vetëdijen se po ndryshonin përjetësisht rolin e gruas në art dhe në shoqëri.


Por ky emancipim nuk ishte rastësor. Ai ishte fryt i vetë Shkodrës, qytet i konsullatave, i misioneve katolike e shkollave laike, i Gjuhadolit dhe Sarreqit që zienin nga librat, ideologjitë dhe përplasjet kulturore të një Evrope që derdhej përmes artit, gazetës dhe mendimit tek qytetarët. Ishte një qytet ku kultura e huaj nuk ishte kërcënim, por frymëzim; ku fjala e shkruar, muzika dhe arti ishin mjet për të ngritur vetëdijen, edhe atë të grave. Një mënyrë e qasshme e jetes perëndimore në një realitet ku ende ishin të dukshme orientalizmat dhe ndikimi i thellë që ishte pleksur nën trysninë e sundimit kohëgjatë dhe një asimilimi asgjësues.


Në një Shqipëri ku zëri i gruas dëgjohej rrallë, Shkodra kishte gra me veshje elegante, me libra në dorë, me këngë në buzë, ëndrra në dëshirime, histori dashurie në zemra, dhe me një qëndrim kritik ndaj shoqërisë patriarkale. Ato nuk ishin vetëm të bukura, por të mençura dhe të zëshme. Ato e morën hapësirën që iu mohua brezave të mëparshëm, dhe këtë e bënë me dinjitet dhe pasion.


Fotografia që sjell këtë histori, një grua shkodrane, e ulur lirshëm, me cigaren në dorë e vështrimin sfidues, është portreti i një kohe që ndryshoi. Është një dëshmi vizuale e vetëbesimit, e sfidimit të normave, e një feminizmi të heshtur por rrënjësor që Shkodra e përqafoi shumë përpara se fjala “feminist” të bëhej pjesë e fjalorit tonë kulturor./ KultPlus.com

CREATOR: gd-jpeg v1.0 (using IJG JPEG v62), quality = 90

Nxënësit e shkollave profesionale spektakël unik veshjesh frymëzuar nga xhubleta

Nxënës dhe mësues të shkollave profesionale nga Shkodra, Tirana dhe Elbasani, përmes përkushtimit dhe krijimtarisë sollën një spektakël unik veshjesh frymëzuar nga xhubleta, veshja e lashtë shqiptare e shpallur nga UNESCO si pjesë e trashëgimisë kulturore botërore.

Në aktivitetin përmbyllës, ku tradita u bë frymëzim dhe zanati u kthye në art, të rinjtë dëshmuan se aftësimi profesional është një rrugë e fortë drejt vetërealizimit dhe inovacionit kulturor.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe inovacionit shprehu mirënjohjen e veçantë për të gjithë nxënësit dhe mësuesit e shkollave profesionale nga Shkodra, Tirana dhe Elbasani.

Xhubleta, me formën e saj të veçantë që daton që nga epoka e bronzit, u bë pikënisja për interpretimet moderne të stilit dhe identitetit, një shembull i gjallë sesi trashëgimia jonë e pasur mund të jetojë nëpërmjet brezave të rinj.

MEKI falënderoi për organizimin e këtij aktiviteti fondacionin “TRE MARIAT”, Qendra Antropologjike XHUBLETA, AKPA – për koordinimin me shkollat profesionale, SDC/S4J – për mbështetjen dhe besimin e treguar, Drejtorinë e Pronësisë Industriale – për ndërgjegjësimin mbi mbrojtjen ligjore të krijimeve, Mësuesit dhe drejtuesit e shkollave, që i japin jetë dijes çdo ditë dhe Albanian Night – një shtëpi e madhe e artit dhe mikpritjes shqiptare.

Ky projekt është dëshmi se kur rinia, kultura dhe edukimi bashkëpunojnë, rrënjët dhe krahët ecin bashkë.

Xhubleta shqiptare katërmijëvjeçare u pranua në 28 nëntor 2022 në listën e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale nën mbrojtjen e UNESCO-s. Veshja simbol e trashëgimisë tonë është tashmë pasuri e gjithë njerëzimit.

Xhubleta njihet si veshje tradicionale e grave të Malësisë. Dosja e dijebërjes artizanale të xhubletës u dorëzua në UNESCO, për shkak se veshja tradicionale unike po rrezikonte të humbiste./atsh/KultPlus.com

Kur artistët kinez vizituan Shkodrën në vitin 1955 (FOTO)

Shkodra është një prej qyteteve më të kahershme të Shqipërisë, me një histori banimi mijëvjeçare në qytet dhe krahinë. Po ashtu Shkodra gjatë viteve të tëra, ka qenë një vend ku është zhvilluar kultura dhe jeta artistike, shkruan KultPlus.

Një fotografi e postuar nga Vinceś Mudroū‎, dëshmon se këtë qytet e kanë vizituar edhe artistë kinezë, në vitin 1955. Derisa ata parakalojnë përmes rrugëve të këtij qyteti, qytetar të shumtë kanë dalë për të pritur ardhjen e tyre.

KultPlus, ju sjellë këtë fotografi që tregon një atmosferë të këndshme në këtë qytet, derisa me buzëqeshje, e duartrokitje artistët kinez përshëndeten me banorët e qytetit të Shkodrës./ KultPlus.com

Karnavalet, Gonxhja: Shkodra, qyteti që feston me traditë dhe shpirt artistik

Qyteti i Shkodrës është në periudhën e tij më magjike, atë të karnavaleve. Prej ditës së djeshme në Shkodër kanë nisur paradat të cilat ia shtojnë gjallërinë edhe Kalasë së Rozafës, ku mes legjendave dhe mureve të lashta të rinjtë e të rejat e qytetit kanë shpalosur kreativitetin e tyre.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale pamje të një qyteti që feston me ngjyra, traditë dhe shpirt artistik.

“Këtë vit, mjeshtëria e artizanatit vjen në duart e studentëve të rinj të shkollës profesionale “Hamdi Bushati”, të cilët me pasion dhe kreativitet po rikthejnë në jetë kostumet dhe maskat e dikurshme”, u shpreh ministri Gonxhja.

Ministri i konsideroi karnavalet, një trashëgimi që vijon të jetojë, falë duarve të talentuara të këtyre të rinjve.

Paradat e karnavaleve të Shkodrës nisën dje dhe do të vijojnë deri më 23 shkurt.

Atmosfera festive ka nisur me interpretimet e shkollave të qytetit, ku fëmijët, të shndërruar në personazhe të ndryshme, kanë dhuruar spektakël dhe gëzim në rrugët e qytetit. Parada madhështore, koncerte dhe performanca artistike do të shoqërojnë qytetin për shtatë ditë, duke ruajtur traditën e pasur kulturore dhe duke e kthyer Shkodrën në një destinacion të vërtetë festash./atsh/KultPlus.com

Shkodra, rajon me rëndësi për kërkimin shkencor arkeologjik nga misionet e huaja

Shkodra mbetet një nga rajonet më të rëndësishme të kërkimit shkencor arkeologjik në Shqipëri, me interes për misionet e huaja kërkimore, të cilat plot përkushtim i dedikohen kërkimit në terren vit pas viti.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër bën me dije se misioni shqiptaro-francez drejtuar nga dr. Etleva Nallbani, CNRS PARIS dhe dr. Elvana Metalla, Instituti Arkeologjik Tiranë vijojnë hulumtime të rëndësishme arkeologjike në dy vendbanime përfaqësuese të Mesjetës së Hershme: Qytetit mesjetar të Sardës në ishullin e Shurdhahut dhe vendbanimit të Komanit, si një bashkëpunim në kuadër të projektit “Lugina e Drinit”.

Ndërsa projekti kërkimor arkeologjik i misionit shqiptaro-polak drejtuar nga prof. Piotr Dyczek – arkeolog, drejtues i Qendrës për Kërkime në Antikitet për Europën Juglindore në Universitetin e Varshavës, Poloni, prof. Saimir Shpuza, Instituti i Arkeologjisë Tiranë dhe Helidon Sokoli, arkeolog pranë DRTK Shkodër, vijojnë kërkimet arkeologjike në zonën e Bushatit, ku vit pas viti po del në dritë një qytet antik i panjohur që daton kryesisht në shek. IV-II para Krishtit.

Në Ditën Ndërkombëtare të Arkeologjisë, DRTK Shkodër shpreh mirënjohje për punën e palodhur në mbledhjen e të dhënave mbi kulturën, urbanizimin, zhvillimin, zhvendosjen e popullsive, riteve dhe stadit që kishin arritur këto vendbanime./atsh/KultPlus.com

Shkodra shënon tjetër rekord vizitorësh

Në Ditën Ndërkombëtare të Turizmit, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se Kalaja e Rozafës shënoi plot 127,538 vizitorë.

Ky tregues, mes të tjerash, tregon që ky sit mbetet një nga parqet arkeologjike më të vizituara në të gjithë Shqipërinë ndërsa shton përgjegjësitë për t’u kujdesur fort për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë kulturore e për të vazhduar punë të bukura përpara për promovimin e turizmit në Shkodër përmes thesareve të trashëgimisë.

Kalaja e Shkodrës, apo siç njihet ndryshe me emrin Kalaja e Rozafës është një prej kështjellave më të rëndësishme të Shqipërisë, emri i së cilës vjen prej një legjende të lashtë. Kalaja është ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, nga ana jug-lindore e tij. Rezulton të jetë ndërtuar qysh nga antikiteti duke ju rezistuar shekujve e duke qëndruar krenare deri në ditët tona.

Kalaja ka një pozicion të fuqishëm strategjik duke kontrolluar të gjithë territorin e gjerë përreth. Ajo përbëhet prej tre oborreve kryesore që janë në formë të shkallëve duke u ngritur njëri pas tjetrit ku dhe ndahen me porta mes tyre. Një strukturë e tillë e bën më të thjeshtë orientimin e turistëve në hapësirat e objektit./atsh/KultPlus.com

Shkodra gjithnjë e më tërheqëse në sytë e turistëve, tashmë edhe për sportet e aventurës me varka

Shkodra po kthehet gjithnjë e më tërheqëse në sytë e turistëve vendas e të huaj jo vetëm për atraksionet historike, por tashmë edhe për sportet e aventurës me varka.

Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetet sociale, teksa ndau pamje nga sportet ujore që turistët po zhvillojnë në këto ditë gushti në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna.

Rama tha se turistët po ushtrojnë sportet e aventurës me varka, kanoe, paddle boards, mbi lumin Buna dhe liqen, që pak e nga pak do të rijetësohet me mjete lundruese të të gjitha llojeve.

Drini Xhafa, themelues i “Drini Times”, tha se ky aktivitet zhvillohet në Shirokë që në vitin 2020. Kjo nuk është thjesht një mënyrë për të bërë sport, por për të bërë një eksplorim shumë të magjishëm në liqenin e Shkodrës dhe lumin Buna”.

“Fillon në Shirokë dhe bëhet në një trajktore mbi 26 km, ku turistët mund të eksplorojnë pjesë të liqenit të Shkodrës, pjesën e zambakëve në liqenin e Shkodrës, të ligatinës që është e mbushur me vegjetacion të dendur me zogj të ndryshëm dhe peshq”, tha Xhafa.

Lumi Buna, vijon Xhafa, përbën një risi për turizmin e paeksploruar të Shqipërisë, ku çdo pjesëmarrës që kemi pasur deri tani është ndier i privilegjuar dhe i habitur se përse nuk eksplorohet një destinacion i tillë.

“Është një perlë, shumë shpesh e krahasuar me lumin Amazona”, tha Xhafa.

Një turist tha se “jam këtu prej 7 ditësh, kemi vizituar Kalanë, liqenin këtu, do të shkojmë në liqenin e Komanit dhe më pas do të kthehemi në Holandë”.

“Është shumë këndshëm, shumë mikpritje, sidomos nëse shkon në restorante. Çmimet? Nëse i krahason me Gjermaninë janë shumë të lira”, tha ai.

Tashmë Shkodrës me bukuri të shumta natyrore dhe historike i është shtuar dhe lundrimi me kanoe, varka, padle boards duke u kthyer në turizmin e aventurës për turistët që e vizitojnë çdo vit.

Në lundrimin me kanoe në lumin Buna mund të vëzhgosh shpendët të cilët ndodhen anës lumit. Në kallamishte ka disa lloje: çafka e vogël të bardhë (Egretta garzetta); pula e ujit (Gallinula chloropus); kllinza e zallit (Tringa glareola) apo shumë baltakë të tjerë që mund të vrojtohen lehtësisht me sy ose me mjete optike, teleskop apo dylbi.

Liqeni i Shkodrës ofron mundësi argëtimi dhe kënaqësie për të gjithë turistët që dëshirojnë të shijojnë turizmin aktiv. Ai është liqeni më i madh në Gadishullin e Ballkanit dhe shtrihet në kufirin ndërmjet Shqipërisë dhe Malit të Zi. Ekosistemi i liqenit ushqen faunën dhe florën e pasur dhe unike, duke e shndërruar atë në një qendër të rëndësishme biodiversiteti në Evropë./atsh/KultPlus.com

Festivali i makinave retro, Rama: E shtuna magjike në Shkodër

Shkodra do të vishet këtë fundjavë me ngjyrat e festivalit “Retro”, ku admiruesit e mjeteve klasike do të kenë mundësi të prekin nga afër magjinë e mjeteve  të viteve 60-‘70-’80, me targa të personalizuara.

Kryeministri Edi Rama solli sot në vëmendje këtë event, i cili do t’i shtojë ngjyrat festive qytetit të Shkodrës me mjetet klasike “Retro” që tërheqin më shumë turistë dhe vizitorë.

“Magjike pritet të jetë e shtuna Retro në Shkodër”, shkruan Kryeministri, ndërsa ndan pamje nga atmosfera e krijuar në festivalet e mëparshme “Retro” në Shkodër.

Festivali “Retro”sjell një ndjesi të veçantë dhe nostalgji për të apasionuarit pas makinave, por edhe interes të veçantë nga vizitorët vendas dhe të huaj.

Përtej paradës së automjeteve “Retro”, gjatë orëve të mbrëmjes do të zhvillohen po ashtu edhe aktivitete festive me tingujt e muzikës “Jazz”, që do t’i shtojnë gjallërinë qytetit të Shkodrës./atsh/KultPlus.com

Banesat e vjetra shkodrane, vlera të trashëgimisë kulturore

“Të çelen arkapijat” është një projekt që sjell vëmendjen te monumentet e kulturës në qytetin e Shkodrës.

Projekti po zbatohet nga Shoqata M.I.R.A dhe mbështetet nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit në kuadër të thirrjes për mbështetje financiare të projekt-propozimeve në fushën art-kulturë-trashëgimi kulturore.

“Të çelen arkapijat” solli në vëmendje banesën shkodrane të familjes Muhamet Shurdha, Monument Kulture, Kategoria I, shpallur në vitin 1977. Kjo banesë është mbi 200 vjeçare dhe përfaqëson tipologjinë e banesës së fund shek XVIII, fillim shek XIX, ku spikat zbukurimorja e ornamentikës së brendësisë së mjedisit, tavan oktagonal me rozetë rrethore, mure të pikturuara të ruajtura pa u lyer deri në ditët tona, me vlera të rralla arkitekturore.

Banesa, sot ruan të patjetërsueshme objekte dhe dokumenta që faktojnë ngjarje historike dhe kulturore të familjes e ngjarjeve të kohës të lidhura ngushtësisht me tregtinë dhe detarinë.

Familja e Muhamet Shurdhës është një ndër të shumtat familje shkodrane që në kohën e luftës së dytë botërore kanë strehuar familje hebreje.

Projekti “Të çelen arkapijat” frymëzohet nga deriçkat që bashkonin kopshtet e shtëpive të hershme shkodrane.

Zakonisht ato lidhnin kopshtet prapa shtëpive, duke lidhur në këtë mënyrë edhe fqinjët me njëri-tjetrin./atsh/KultPlus.com

Shkodra kryeqytet, kërkesa e 26 deputetëve në parlamentin e 100 viteve më parë

26 deputetë të kryesuar nga Luigj Gurakuqi, kreu i opozitës dhe peshkopi Fan Noli, nuk e donin Tiranën por Shkodrën si kryeqytetin e tyre.

Ky fakt interesant vjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave e cila ruan dokumente që vërtetojnë sa më sipër, shkruar edhe në mediet ndërkombëtare më 23 maj të vitit 1924, pra 100 vjet më parë.

Shkodra u kishte bërë ballë pushtuesve për një kohë të gjatë, e po ashtu kishte dëshmuar se ndonëse ishin përpjekur të përçanin shqiptarët për shkak të ndryshimeve në besimin fetar, popullsia e Shkodrës kishte rrëfyer kurdoherë se feja e shqiptarit ishte shqiptaria dhe se bashkëjetesa dhe unifikimi kishin më tepër vlerë.

Në këtë këndvështrim, idea që Shkodra të shpallej kryeqytet, u artikulua edhe në mbledhjet e bëra nga organizatorët e kryengritjes. Kushti ishte që pas fitores, të kërkohej që Shkodra të ishte kryeqyteti i vendit./atsh/KultPlus.com

Shkodra, vendlindja e çiklizmit shqiptar

Nëse ka një qytet që lidhet me historinë e biçikletave në Shqipëri, si pjesë e trashëgimisë, ky qytet është Shkodra.

Ishte viti 1907, më shumë se një shekull, kur në Shkodër u pa të lëvizte një i huaj. Ai përdorte një mjet që askush nuk e kishte parë më parë. Ky burrë ishte Konsulli i Nderit i Suedisë, ndaj edhe kureshtja për ta parë ishte mjaft e madhe. Dëshmitë e kohës rrëfejnë se kush e dëgjoi, u dynd andej nga rruga kryesore ku ai lëvizte që ta shihte me sy atë mjet që ecte mbi dy rrota pa u tërhequr nga kafshët.

Në kuadrin historik duhet të përmendim edhe një foto të dy burrave me biçikleta, të nxjerrë nga fototeka “Marubi” e vitit 1897, me veshje kombëtare shqiptare, por që nuk janë të evidentuar se kush janë.

Por Shkodra shënon edhe një rekord tjetër që lidhet me biçikletën. Gruaja e parë që nisi një biçikletë ishte sërish një grua, e kësaj radhe, vinte nga konsullata austriake. Njerëzit sërish u dyndën nëpër rrugë për ta parë atë dhe kuptuan se dyrrotaku nuk ishte pronësi vetëm e meshkujve, por se edhe femrat mund ta ngisnin një të tillë.

Kështu biçikleta fitoi qytetarinë e saj. Është fakt interesant se në vitin 1915, policia e qytetit u pajis me biçikleta dhe ushtronte detyrën e saj duke përshkuar rrugët me to.

Me shtimin e numrit të biçikletave, një grup qytetarësh shkodranë, në vitin 1920 vendosën të krijonin sportin e çiklizmit. Rrethi i parë çiklistik, që është edhe i treti në Europë për nga vjetërsia, pas Francës e Italisë, është organizuar pikërisht në Shkodër. Ndaj dhe në vazhdimësi Shkodra ia ka dhënë tonin këtij sporti, aq sa jo vetëm të rriturit, por nuk ka fëmijë që të mos dijë të ngasë biçikletën.

Nga fundi i viteve ’50 të shekullit të kaluar, kur Shkodra kishte rreth 60.000 banorë, ka të dhëna të plota se në qytet numëroheshin mbi 10.000 biçikleta. Ishte koha kur edhe biçikletat regjistroheshin dhe çdo qytetar, ndaj një pagese simbolike merrte një llamarinë me fushë të bardhë sa një celular mesatar, ku kishte të stampuar numrin, që ishte i detyruar ta vendoste nën shalën e biçikletës.

Shkodra ka disa rekorde sa i takon biçikletës, p.sh., biçikleta e parë dyshe hyri në Shkodër, sikundër pati edhe numrin më të madh të dyqaneve të shërbimit për riparimin e tyre./atsh/ KultPlus.com

Studentë të arkitekturës “zbulojnë” ndërtesat historike të Shkodrës

Një grup studentësh të Arkitekturës i janë bashkuar nismës së bashkëpunimit midis Drejtorise Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Shkodër, Universitetit Polis e Bashkisë Shkodër, me në fokus rilevimin e godinave që janë klasifikuar si pjesë e trashëgimisë historike e Shkodrës.

Grupi i studentëve zhvilloi rikonicionin dhe njohjen paraprake me 20 pasuri kulturore të integruara në Qendrën Historike si dhe bënë një përcaktim paraprak të dimensioneve dhe gabariteve teknike të tyre, që do pasohen në një fazë të dytë nga hartimi i projekteve të restaurimit.

Në terren u trajtua përdorimi i fotogrametrisë, programeve “Meshroom” dhe “Cloudcompare” dhe i instrumentave specifike si nivelues lazer apo meter lazer, si pjesë e rëndësishme e procesit teknik.

Organizatorët e këtij aktiviteti falënderuan për bashkëpunimin e mbështetjen të gjithë pronarët e pasurive kulturore, të cilët mikpritën me durim e kujdes grupin e arkitektëve të ardhshëm./atsh/KultPlus.com

Fortesa e Shkodrës në gravurën e vitit 1877 të bibliotekës së Firences

 Zgjerimi i Shkodrës gjatë shekujve ka pasur faza të ndryshme deri në ditët e sotme. Drejtoria rajonale e trashëgimisë kulturore e Shkodrës në një postim në rrjetet sociale publikoi gravurën që tregon fortesën e Shkodrës, ruajtur në Bibliotekën Ambrosiana të Firences, e vitit 1877.

Sipas DRTK Shkodër, qyteti ruajti truallin e vet antiko- mesjetar me një zhvendosje më në lindje, në pjesën fushore deri në fillim të shek.XIX. Lagjet e reja kryesisht merrnin emrin e ofiqarëve osmanë, pozicionit gjeografik apo zejeve që ushtronin banorët.

Topat e Hafiz Pashës në 1835 dhe tërmetet e viteve 1815, 1837, 1852, 1905 ndikuan në shpërnguljen e banorëve nga qyteti vjetër, për në perëndim drejt pazarit dhe fushave të liqenit të Shkodrës. Devijimi i Drinit  pas vitit 1858, shënoi deklinin e qendrës që mori hov në periudhën e Pashallekut të Shkodrës.

Nga të paktat gjurmë që ruhen sot janë vetëm toponimia e lagjeve Tabake, Bexhene, Ajasem rrënojat e xhamisë Tabake, dhe të asaj Qafë-Kala, çinari shekullor monument natyre./atsh/KultPlus.com

COD Shkodër hap siparin e aktiviteteve me atletin rekordmen Franko Burraj

Ditën e sotme ka hapur siparin e aktiviteteve Qendra për Hapje dhe Dialog (COD) Shkodër.

Kjo datë përkon me 105-vjetorin e themelimit të klubit shumësportësh “Vllaznia”.

“Personazh në Fokus” kishte të ftuar atletin rekordmen në garat e 200 dhe 400 metrave, Franko Burraj.

Në prani të sportistëve dhe të studentëve të Universitetit të Sporteve – Shkodër, Franko u fokusua tek fitoret dhe stërvitja e tij, e sidomos tek gara e fundit, ku zuri vendin e tretë në Kampionatin Ballkanik.

Sot, Franko identifikohet si xhevahir i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë, që nuk di të ndalet me fitoret e tij, kombëtare e ndërkombëtare.

Ai është modeli i të rinjve që tregon se sporti është vlerë universale e edukative e shoqërisë njerëzore. Motoja e tij është: “Punë shumë e fjalë pak”.

Qendra për Hapje dhe Dialog COD Shkodër i ka uruar suksese Frankos në kampionatin botëror në Glasgow./KultPlus.com

Shkodra i bashkohet Tuzit të Malit të Zi në festimet e karnavaleve

Shkodra i është bashkuar festimeve në Komunën e Tuzit në Malin e Zi, në festën e Karnavaleve.

Banda e qytetit dhe artistët shkodranë janë bërë pjesë e karvanit në qendër të komunë.

Artistët shkodranë janë pritur nga Kryetari i Komunës Tuz, Liridon Gjelaj.

Në emër të bashkisë Shkodër, Nënkryetari Rudin Beka, vlerësoi këtë bashkëpunim mes dy qyteteve Tuzit dhe Shkodrës, ndërkohë që i ftoi ata në javën e ardhshme në festimet 3 ditore të karnavaleve në Shkodër.

Festa e karnavaleve në Komunën e Tuzit është kthyer në një traditë të përvitshme që ka nisur që nga viti 1996. Artistët kanë interpretuar në qendër të komunës duke tërhequr interesin e banorëve të zonës të cilët kanë marrë pjesë në këtë ngjarje festive. Në Shkodër, Karnavalet do të mbahen për 3 ditë me radhë ku përveç ekipit të Tuzit që do të marrë pjesë do të ketë shumë surpriza në datat 23-24-25 Shkurt./TopChanel/KultPlus.com

Shkodra, qyteti që i feston karnavalet që prej 1860-ës

DRTK Shkodër në rubrikën e saj Amarcord, publikoi në rrjetet sociale një foto të hershme nga festimi i karnavaleve prej komunitetit të krishterë, në këtë qytet.

Qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen është Shkodra. Fesimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit të XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve `90.

Megjithëse mendohet të ketë origjinë pagane, në qytetërimin e krishterë perëndimor, festa e Karnevaleve njihet si festë fetare. Vetë emri i saj, në latinisht, nënkupton privimin nga ushqyerja me mish (carnem-levamen ose levare) në 40 ditët që i paraprijnë Pashkëve. Për këtë arsye, nuk ka një datë të caktuar për fillimin e festimeve pasi ajo ndryshon nga viti në vit, sipas Pashkëve.

Karnavalet njihen edhe për ironizimin që i bëjnë fenomeneve të pakëndshëm shoqërore dhe nga ana tjetër Shkodra ka primatin e humorit intelektual, goditës dhe therrës. Kjo është një nga arsyet që Karnavalet për shkodranët njihen si “festa e syrretënve” të cilat kanë gjetur një terren të përshtatshëm për të hedhur rrënjë e për të lulëzuar në këtë qytet, ku festohen më bukur se kudo. / atsh / KultPlus.com

Shkodra me mole turistike, projekti që rikthen lundrimin në Bunë

Në Shkodër vijon puna për ndërtimin e moleve në lumin Buna. Ky projekt, përfitues i të cilit është bashkia Shkodër, synon të rikthejë lundrimin në lumin Buna dhe gjithashtu të zhvillojë turizmin ndërkufitar mes Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Sipas nënkryetarit të Bashkisë Shkodër, Onid Bejleri, projekti parashikohet të përfundojë në vjeshtën e këtij viti dhe pritet ta shndërrojë Shkodrën në një pol të rëndësishëm të zhvillimit turistik, ku këtij projekti i bashkëngjitet dhe muzeu i lundrimit dhe të paktën 20 varka turistike të cilat do të ankorohen në këto mole.

Molet turistike “Almonit” në liqenin e Shkodrës synojnë të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për lundrimin turistik në liqen midis Shkodrës-Shirokës-Zogajt dhe Vir Pazarit. Molet që do ndërtohen do të jenë një vlerë të shtuar në krijimin e mundësive të reja të bashkëpunimit, në zhvillimin e paketave të integruara turistike midis dy vendeve.

Bashkia e Shkodrës është e angazhuar që këto mole të jenë jo vetëm pika për ankorimin e varkave të lehta dhe nxitjes së lundrueshmerisë në liqen, por edhe si qendra rekracionale në të cilat do të jetë e mundur të zhvillohen aktivitete sportive, kulturore e mjedisore që nxisin turizmin. / Klan News / KultPlus.com

Rama publikon video nga festimet e fundvitit në Shkodër

Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga festimet në qytetin e Shkodrës.

Rama uroi ditë të mbarë “me zemrën e hapur dritash për festa të Shkodrës, ku hapen para njerëzisë edhe lidhjet e dashnisë”, siç shkroi ai në rrjetet sociale.

Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ndau pamje nga festa ku të pranishmit shijuan muzikën e këngëtarëve Kamela Islamaj dhe Keli Band.

Në këtë festë nuk mungoi edhe një propozim për martesë, ku Egzoni dhe Elesa kurorëzuan dashurinë e tyre në Shkodër. Ajo i tha po, në mes të festës./atsh/KultPlus.com