Suhareka do të ketë stadium të ri modern sipas standardeve të UEFA-s

Një lajm i madh për sportistët dhe adhuruesit e futbollit në Suharekë: shumë shpejt do të nisë ndërtimi i stadiumit të ri të qytetit, një projekt madhor me vlerë mbi 10 milionë euro, i cili synon të transformojë infrastrukturën sportive të komunës.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se kontrata me operatorin ekonomik është nënshkruar dhe se projekti do të realizohet sipas standardeve më të larta të UEFA-s. Stadiumi do të ketë një kapacitet prej 6,518 ulësesh të rehatshme, tribuna moderne, fushë me cilësi të lartë, ndriçim profesional për ndeshjet në mbrëmje dhe hapësira të dedikuara për sportistët, ekipet dhe mediat,njofton KultPlus.

Ky investim do të ofrojë kushte ideale për zhvillimin e ndeshjeve të nivelit të lartë dhe do të shërbejë si një qendër e re e aktiviteteve sportive dhe kulturore në qytet. Përveç ndeshjeve të futbollit, pritet që stadiumi të mirëpresë edhe koncerte, evente komunitare dhe aktivitete ndërkombëtare, duke e kthyer Suharekën në një destinacion të rëndësishëm për ngjarje të mëdha.

Punimet pritet të fillojnë së shpejti, ndërsa entuziazmi në mesin e sportdashësve është i madh. Ky projekt do të jetë jo vetëm një arenë sportive, por edhe një simbol i bashkimit të qytetit rreth pasionit për lojën më të dashur në botë,futbollin./KultPlus.com

Dy të mitur përdhosin flamurin në Suharekë, Policia: Janë penduar, prokuroria mbylli rastin

Një video e publikuar së fundmi në media shihen se si dy të mitur kanë një veprim të papërshtatshëm ndaj flamurit kombëtar.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Studençan të Suharekës, ndërsa rasti është trajtuar nga Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka konfirmuar se të miturit janë identifikuar dhe intervistuar nga policia në prani të prindërve të tyre.

“Me datë 23.07.2025, Policia ka pranuar një informacion dhe video-regjistrim që lidhen me një veprim të papërshtatshëm ndaj flamurit kombëtar nga dy të mitur në Studençan, Suharekë. Pas reagimit të menjëhershëm, të miturit janë intervistuar nga policia në prani të prindërve dhe kanë pranuar veprimin, duke theksuar se nuk kanë pasur qëllim nënçmimi dhe janë penduar”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi po ashtu theksoi se prokurori përgjegjës, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se nuk ka bazë për hetim penal, pasi veprimi është kryer pa vetëdije dhe pa qëllim nxitjeje të urrejtjes. Rasti është mbyllur me raport njoftues. /Telegrafi/

Gjon’s Tears nesër me koncert në Suharekë: Sa herë vij këtu, akoma më shumë më pëlqen

Gjon Muharremaj, i njohur ndryshe me emrin artistik ‘Gjon’s Tears’, ishte përfaqësuesi i Zvicrës në “Eurovision 2021”,  duke arritur të dilte i pari falë votave të jurive profesioniste, ndërsa në rezultatin përfundimtar, ku përfshihet edhe votimi i publikut u pozicionua i treti, shkruan KultPlus.

Ndërkaq, së fundmi, këngëtari i talentuar do të mbajë një koncert në “Sheshin e Qytetit” në Suharekë. Këtë e ka bërë të ditur  kryetari i Komunës së Therandës (Suharekës), Bali Muharremaj.

Nëpërmjet një videoje, kryetari Muharremaj ka ftuar qytetarët që t’i bashkohen gjithsej dy koncerteve që i dedikohen diasporës dhe jo vetëm (2 dhe 3 gusht). E në koncertin e dytë që do mbahet më 3 gusht, i ftuar është këngëtari Muharremaj.

Këngëtari Muharremaj është shprehur tejet i lumtur që është rikthyer përsëri në Suharekë, e që sipas tij, sa herë që vjen këtu, vendi po e tërheq akoma edhe më shumë

“Do të kënaqemi shumë tek sheshi në Suharekë. Më vjen shumë qejf dhe kënaqësi të madhe që po më bie të këndoj përsëri në Suharekë, që është vendi që më pëlqen dhe sa herë që po shkoj, akoma më shumë po më pëlqen”, ka thënë ai.

Gjon’s Tears do të performojë në Suharekë më 3 gusht. / KultPlus.com

Edicioni i dytë i Festivalit të Teatrove në Suharekë fillon sot

Sot do të fillojë edicioni i dytë i Festivalit të Teatrove në Suharekë, shkruan KultPlus.

Për pesë ditë radhazi publiku do të ketë mundësi të shohë pesë filma shqiptarë.

Më poshtë mund të gjeni orarin e filmave që do të shfaqen në këtë festival./KultPlus.com

Milazim Krasniqi: Do të jetojmë ne dëshmia e tmerrit, më pak për veten, më shumë për ju

Vjollca Berisha është një qytetare e Suharekës, e cila i mbijetoj masakrës së marsit të vitit 1999 në këtë qytet. Nga vendi ku po vraheshin pesëdhjetë civilë shqiptarë, shumica e të cilëve gra e fëmijë, ajo shpëtoi duke kërcyer nga kamioni që po bartte pesëdhjetë kufomat e asaj masakre drejt Serbisë, ku autoritetet serbe i patën fshehur kufomat. Këtë e bëri bashkë me të birin Gramozin dhe kunatën Shyhreten, shkruan KultPlus.

Profesori universitar Milazim Krasniqi këtë përballje me vdekje të Vjollcës e ka kthyer në varg poetik, duke e sjellur për publikun një shkrim tejet të ndjeshëm, e që më shumë se emocion ka realitet përbrenda saj.

KultPlus ju sjell poezinë e Krasniqit me emrin ‘’Udhëtimi i Vjollca Berishës’’:

UDHËTIMI I VJOLLCA BERISHËS

Nuk e di ku jam, a është ky udhëtim

Gozhduar në këtë arkivol fluturues

Apo mos është ky një aterrim

Drejt thellësive të ferrit shkrumbues

Nuk di në jam në qiell a jam në tokë

Mes të vdekurve jam, po për besë

Ka të hedhur mbi mua, ka edhe pa kokë

I njoh edhe këta që janë në mes

Janë njerëzit e dashur, njerëzit e mi

Qenkan të pajetë, po të gjithë

Ç’na ka ndodhur, o Perëndi

Pse nuk arrij as të klith!?

Kush na ka shkulur si një rrënjë

E na ka bërë kufoma?

Po të pavarrosur pse na lënë?

Pse na shoqëron fadroma?

Oh e gjallë mes të vdekurish jam

Dhe nuk di nga t’ia mbaj

Ah, im bir, Gramozi, qenka gjallë

A ta gëzohem, a të qaj?

Ja, e mora në prehër, nga tmerri

Mezi e njoh, i tëri i gjakosur

Si ta nxjerr jashtë këtij ferri

Jashtë kësaj makine të xhindosur

Ndihmona, të lutem, o Zot

Tashmë vetëm Ty të kemi

Kërcyem si me flatra, jemi në tokë

Dhe të dytë gjallë jemi

Zbritëm nga makina e ferrit

Ecim përpara, pa e ditur për ku

Do të jetojmë ne dëshmia e tmerrit

Më pak për veten, më shumë për ju. / KultPlus.com