“Rrëfimi i fundit i Titos: Kosova do rrënojë Jugosllavinë”

Historiani Vjençeslav Çençiç ka shkruar një libër për atë që konsiderohet si testmanent i Tito’s.

Çençiç, librin e tij, e ka shkruar bazuar në bisedat me Josip Kopinic që konsiderohet si spiuni më i madh jugosllav i të gjitha kohërave, njoftojnë mediat kroate.

Historiani Vjenceslav Çençiç librin e tij “Rrëfimi i fundit i Titos e ka publikuar 20 vjet pas vdekjes së Josip Broz Tito’s, që është një lloj testamenti politik i diktatorit jugosllav e që jep një pamje të re për figurën edhe veprat e tij.

Libri, sipas mediave kroate, bazohet në stenogramet e fjalimit të tij më Karagjorgjevë më 1979, dhe bisedave të tij me Josip Kopiniç, që për shumëkënd është spiuni më i madh jugosllav i të gjitha kohërave.Libri, sa i përket besueshmërisë e ndanë fatin e Titos, i cili dikur lavdërohej ndërsa më vonë kontestohej.

Sipas librit, Kosova do të jetë ‘sherri’ kryesor për rrënimin e Jugosllavisë.“Kam qenë kundër Kushtetutës të vitit 1974!Kam qenë kundër dhënies së shtetësisë për krahinat dhe pjesëve që republikave u mundësojë shkëputje nga federata pa marrëveshje me republikat, pa referendum në krejt vendin.

Edhe sot, edhe atëherë e përsëris se kjo “e keqe” nga këto të drejta kushtetuese të krahinave do ta rrënojnë Jugosllavinë.E kam ditur se gjendja e sigurisë në Kosovë është e keqe, por nuk e kam ditur që raportet ndërmjet republikave tona kanë rënë kaq poshtë.

Shokë, më duhet të them se kur është në pyetje Kosova, të gjithë ata që kanë votuar për Kushtetutën e vitit 1974 do të jenë fajtorë për fatin e Jugosllavisë” ka thënë Tito, bazuar në këtë libër, raporton a-news24.

Më pas, Tito ka folur edhe për pasardhësin e tij duke thënë se ai e kishte bërë këtë, por më pas kishin filluar edhe rivalitetet të thella të cilat kanë përfunduar edhe me vrasje./KultPlus.com

Amerikanët zbulojnë detaje nga konflikti Shqipëri-Jugosllavi më 1956-1957, Hoxha dhe Tito sulme e akuza ndaj njëri-tjetrit

Gazeta amerikane “New York Times” ka zbardhur detaje nga përplasjet mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë në vitin 1956 dhe 1957. Përmes disa shkrimeve, tregohen sulmet mes qeverisë shqiptare dhe asaj jugosllave.

29 nëntor 1956

Jugosllavia sulmon regjimin e “terrorit” në Shqipëri

Jugosllavia raportonte sot për një valë të re terrori nga Shqipëria me vrasje dhe arrestime masive. Diplomatët e kthyer prej andej së fundmi raportojnë se dy javë më parë rreth njëzet njerëz të rreckosur, nisën një demonstratë duke kërkuar dru për zjarr për familjet e tyre, por ata u ndaluan nga autoritetet dhe pesë prej tyre u pushkatuan.

Fakti që shqiptarët guxuan të demonstronin konsiderohet i jashtëzakonshëm, por ata mund të jenë inkurajuar nga lajmet për revoltën në Hungari e Poloni ku manifestime të tilla nuk ishin dënuar. Shqipëria ka mbetur prapa vendeve të tjera komuniste nën regjimin e Enver Hoxhës. Edhe kur udhëheqësit e BRSS bënë paqe me presidentin jugosllav Tito vitin e kaluar, Shqipëria i ndoqi në politikë por me pendesë. Përmirësimi i ngadaltë i lidhjeve mes Beogradit e Tiranës nuk ka arritur avancime të mëdha.

Edhe sot armëpushimi mes tyre i ka dhënë rrugë një debati ideologjik. Hoxha ka qenë udhëheqësi i parë komunist që sulmoi jugosllavët për konceptin e rrugëve të ndara drejt socializmit, në një artikull të gazetës sovjetike Pravda. Kjo u ndoq nga dënesa e Mautice Thores, kreu i Partisë Komuniste të Francës, nga Rude Pravo i partisë çekosllovake dhe nga vetë Pravda. Jugosllavët nuk hezituan të dënojnë Hoxhën me fjalët më të ashpra.

Këtë mëngjes Borba raportonte se Tirana ka nisur arrestime masive të personave që dyshohen se shprehin simpati pro-jugosllave. Borba shton se në të gjithë vendin po mbahen konferenca partie ku sulmohet dhe demonizohet Jugosllavia. Duke iu përgjigjur kritikave ndaj fjalimit të Titos në 11 nëntor mbi ndërhyrjen sovjetike në Hungari, gazeta e Beogradit tha se Tirana ishte rikthyer në gjuhën e sharjeve dhe të urrejtjes së të kaluarës.

“I gjithë artikulli vijon të tregojë se udhëheqja shqiptare nuk devijon nga rruga që ka ndjekur prej vitesh. Ajo e ka shtruar mirë këtë rrugë me skuadra pushkatimi dhe shpifje e intriga ndaj të gjithë atyre që guxojnë të mendojnë ndryshe. Është një çështje tjetër të mendosh se sa socialiste është kjo rrugë në të vërtetë”, shkruan Borba.

19 shkurt 1957

Hoxha akuzon Titon për komplot

Të tjera akuza të rënda ndaj Presidentit Tito u bënë dje nga kryeministri shqiptar Enver Hoxha gjatë një fjalimi në Komitetin Qendror të Partisë së Punës. Hoxha akuzoi Jugosllavinë se kishte inkurajuar zv. kryeministrin shqiptar Tuk Jakova dhe anëtarë të tjerë të qeverisë të komplotonin kundër tij. Fjalimi i Hoxhës u transmetuar nga Radio Tirana dhe u monitorua nga afër.

Kreu i partisë shqiptare akuzoi më tej Titon se po dobësonte dhe ngatërronte kauzën e komunizmit duke sharë Bashkimin Sovjetik dhe duke ndërhyrë në punët e brendshme të Hungarisë dhe të Shqipërisë, me qëllim përmbysjen e qeverive atje. “Pretendimet e liderëve jugosllavë dhe interpretimi i tyre për ngjarjet në Hungari si një revolucion popullor, është një gabim i rëndë. Akuzat e tyre janë jo vetëm të pabaza, por tentojnë të ngatërrojnë më shumë situatën me qëllim të mbulojnë luftën e klasave dhe të mbjellin konfuzion mes radhëve të partive komuniste.

Goditet politika jugosllave

Hoxha tha se politikat jugosllave kërkojnë ta përfaqësojnë veten si të parët që kanë vendosur një marrëdhënie të re me Bashkimin Sovjetik dhe vendet e tjera duhet të ndjekin shembullin e tyre, nëse nuk duan të pësojnë atë që i ndodhi Hungarisë. “I gjithë populli shqiptar e refuzon këtë këshillë pasi ajo që na kërkojnë në të vërtetë është të shkëputemi nga Bashkimi Sovjetik, siç ka bërë Jugosllavia”, tha Hoxha.

“Komiteti Qendror i Partisë Shqiptare ka qenë korrekt në sulmet e tij kundër revizionistëve fashistë dhe elementëve tradhtarë që janë përpjekur haptazi ose fshehurazi të përgatisin kushtet për rivendosjen e kapitalizmit dhe zgjedhës imperialiste në Shqipëri. Armiq të partisë sonë si Tuk Jakova dhe Bedri Spahiu (ministri i Arsimit) e të tjerë, kanë marrë pjesë në konferenca në Tiranë të organizuara nga Jugosllavia”, tha Hoxha më tej, pa zbuluar fatin se çka ndodhur me dy zyrtarët e rrëzuar.

Pasi mbrojti Stalinin si një marksist i madh që gabimisht mendoi se po mbronte revolucionin me gabimet e tij, Hoxha shtoi se udhëheqësit jugosllavë sulmonin Stalinin për kultin e individit por e bënin këtë në vendin e tyre.

24 shkurt 1957

Beogradi i kundërpërgjigjet akuzave të Hoxhës

Jugosllavia ka refuzuar sot goditjet verbale të kreut komunist të Shqipërisë Enver Hoxha. Denoncimi i kryeministrit shqiptar është në “kundërshtim flagrant” me kontributet për paqen në Ballkan, tha në një deklaratë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme të qeverisë së Titos.

Jugosllavia nuk mund të pranojë sulme të tilla sidomos pas deklaratave të fundit nga Bashkimi Sovjetik dhe Bullgaria mbi rëndësinë e solidaritetit socialist, shtoi ai. Ankesa kryesore e Hoxhës në Radio Tirana ishte se Beogradi është fajtor për ndërhyrje të rënda në punët e brendshme të Hungarisë e Shqipërisë dhe se kishte refuzuar ofertat paqësore të Bashkimit Sovjetik.

27 shkurt 1957

Jugosllavia pranon konfliktin me BRSS

Qeveria jugosllave ka akuzuar sot Bashkimin Sovjetik se po kryen një fushatë të organizuar për izolimin dhe diskreditimin e vendit. Beogradi pranoi hapur se ka një konflikt të ri me Moskën e cila sipas tyre kishte anuluar kreditë e ndihmës prej rreth 250 milionë dollarë. Zëdhënësi tha se Jugosllavia nuk mbante përgjegjësi për prishjen e marrëdhënieve qeveritare dhe ekonomike.

Zëdhënësja e qeverisë tha se fushata sovjetike me vendet lindore kundër Jugosllavisë nuk vinte nga ndryshime ideologjike por ngaqë Beogradi nuk i bashkohet ‘kampit socialist’ të udhëhequr nga BRSS dhe për të pranuar komandën e tij. Një deklaratë e ngjashme u dha më vonë dhe nga ministri i jashtëm Koca Popoviç në Parlament. Me një ton të moderuar ai e përshkruante Jugosllavinë si një komb të futur në mes të dy konkurruesve që nuk e kuptonin atë.

Deklarata ngrinte lart ‘ndihmën e çmuar’ të SHBA dhe shprehte shpresën për zgjerimin e marrëdhënieve me Perëndimin. Popoviç i kushtoi shumicën e fjalimit të tij konfliktit me Moskën dhe foli fjalë të rënda për Kremlinin dhe aleatin e tij të vogël Shqipërinë. Reagimet e para ndaj fjalimit të Popoviç thoshin se me këtë presidenti Tito kishte hequr dorë nga pretendimet se dallimet e tij me Bashkimin Sovjetik janë vetëm ideologjike.

Raporti konsiderohej si një paralajmërim se era që fryn nga Lindja do të sjellë një ‘kafshim’ të veçantë në muajt në vijim. Popoviç tha se nuk mund të gjendet asgjë në ngjarjet e vitit të fundit që të justifikojë këtë dënim të Jugosllavisë nga Blloku Socialist Sovjetik e madje përmendi fjalët e javës së kaluar të Nikita Krushov, i cili tha se çdo vend është i lirë të ndjekë rrugën e tij në kërkim të zhvillimit.

24 mars 1957

Hoxha i Jugosllavisë refuzon akuzat e keqtrajtimit të shqiptarëve

Fadil Hoxha, kreu i Këshillit të Kosovës, rajonit autonom shqiptar të Jugosllavisë, ka refuzuar sot pretendimet e kreut komunist të Tiranës Enver Hoxha për keqtrajtim të minoritetit shqiptar. Në një miting në Prishtinë, Fadil Hoxha akuzoi dje Enver Hoxhën se po përpiqej të nxiste urrejtje shoviniste mes popujve të Shqipërisë e Jugosllavisë dhe se qëllimisht po ndërhyn në punët e brendshme të Jugosllavisë. Konflikti kryesor mes dy Hoxhave është pozita politike e minoritetit shqiptar në Jugosllavi prej rreth 750 000 njerëzish në një kohë kur popullsia e Shqipërisë është rreth 1 200 000.

Rritja e shpejtë e popullsisë

Por shqiptarët nuk janë vetëm minoriteti më i madh në Jugosllavi por dhe ai më primitiv dhe me rritjen më të shpejtë. Që prej censusit të parë jugosllav në 1921 kur shqiptarët numëronin 440 000, ata janë rritur me 71 përqind, në një kohë kur popullsia jugosllave është rritur vetëm me 36 përqind.

Por, Enver Hoxha tha në fjalimin e tij se “udhëheqësit jugosllavë kanë nisur një fushatë shoviniste e anti-marksiste ndaj popullit të Kosovës, një rajon në të cilin situata është e mjerë. Liderët jugosllavë po ndjekin politika të shkatërrimit të karakterit kombëtar teksa dhjetëra mijëra prej tyre janë detyruar të japin tokën dhe shtëpitë e tyre duke emigruar në Turqi. Udhëheqësit jugosllavë po përpiqen ta transformojnë vendin në një bazë veprimi kundër Shqipërisë”, tha Hoxha.

Refuzimi i akuzave

Shtypi jugosllav nuk e ka publikuar fjalimin e Hoxhës por më 28 shkurt ka dërguar një notë proteste qeverisë shqiptare duke u ankuar për “provokime kundër integritetit territorial të Jugosllavisë”. Fadil Hoxha citonte në përgjigjen e tij se shqiptarët në Kosovë kishin të drejta të njëjta me qytetarë të tjerë të Jugosllavisë dhe se ndërhyrjet nga jashtë nuk do të arrinin kurrë të përçanin ata me serbët, malazezët apo turqit që janë të gjithë fqinjë në Kosovë e Jugosllavi.

Ai shton se shqiptarët atje kanë shkollat e tyre, shtypin dhe teatrin ku përdoret gjuha shqipe. Fadil Hoxha shton se minoriteti shqiptar përfiton nga zhvillimi ekonomik i rajonit, ndërsa Shqipëria nga ana tjetër nuk ka bërë asgjë për t’i dhënë të drejta minoriteteve të saj malazeze e maqedonase.

Këto grupe sipas tij, nuk kanë shkolla në gjuhën e tyre apo mundësi të tjera mësimi. Ndërsa për akuzat e Hoxhës së Shqipërisë se shqiptarët po detyroheshin të emigronin në vende të tjera, Fadili tha se ishte një gënjeshtër e madhe.

Ai argumentonte se prej fundit të Luftës vetëm 291 shqiptarë kanë ndryshuar qytetarinë nga rreth 500 000. Zyrtarët e qeverisë jugosllave janë të shqetësuar nga përpjekjet shqiptare për të nxitur minoritetin e saj të Kosovës, dhe e konsiderojnë këtë një nga lëvizjet më kërcënuese të Hoxhës./sotnews/KultPlus.com

Tito në letërsinë shqipe në Jugosllavi

Nga Ibrahim Rugova
Prishtinë, Dhjetor 1977

Duke punuar në këtë temë, vetvetiu m‘u imponua problemi i një vështrimi teorik të çështjes, apo ndoshta, po ashtu, vetvetiu m‘u imponua edhe nga interesimi im teorik, që po e formuloj në formë pyetëse – tezë: përse shkrimtarët dhe artistët, për objekt të veprave të veta i marrin shëmbëlltyrat e kohës së vet, dhe madje përse në mënyrë të vazhdueshme! Në vijim do të përgjigjem me shembullin e Titos dhe me praktikën krijuese të letërsisë sonë.

Që në fillim mund të thuhet se shëmbëlltyra e Titos është mjaft e pranishme në letërsinë shqipe në Jugosllavi, do të thotë në të gjitha format e krijimit letërar. Me këtë rast çështjen e pranisë duhet ta vështrojmë dhe ta pranojmë në kuadër të procesit të difirencimit që ekziston midis formave letrare, e cila gjë i tregon dhe i vërteton mundësitë dhe validitetin e formave të veçanta ndaj objektit. Ky shpjegim teknik letrar na sjell në përfundimin se prania e objektit realizohet përmes shkallëve të ndryshme, po me funksion e me qëllim të njëjtë e të përbashkët. Po i theksojmë këto ndryshime të formave në prosede, në metodat e krijimit. Në prozë, vërtetë në roman dhe në tregim, fytyra e Titos dhe prania e tij identifikohen plotësisht dhe nënkuptohet me të drejtë me ngjarjen e madhe të revolucionit të armatosur, të cilën ai e vuri në lëvizje dhe çka është e arsyeshme artistikisht dhe jetësorisht. Nuk del fare si personazh i drejtpërdrejtë në mënyrë deklarative, po përmes frymës së veprës – aksionit – veprimit të tij, të njerëzve që bëhen realizues të ideve dhe të ndërmarrjeve të veprës së tij. Kjo ka të bëjë me faktin se shkrimtarët duan që fytyrën e tij ta realizojnë artistikisht, natyrshëm, ashtu çfarë është e madhe në realitetin historik dhe në realitetin bashkëkohës.

Pra, vetëm ajo që jepet artistikisht mirë e me vlerë, është ekuivalente e reales, vërtet vetë realja, e që merret si një nga çështjet – çelës, në të cilat sprovohet arti, e edhe letërsia, në rastin kur ka të bëjë me fytyra të njohura historikisht dhe bashkëkohësisht, siç është Tito me këtë rast.

Ndërsa po e shqyrtojmë këtë çështje duhet të përmendim një të vërtetë tashmë të njohur e të pranuar në historinë dhe filozofinë e artit se, shkrimtarët dhe artistët, si idhtarë të përhershëm të njeriut, të lirisë së tij, te fytyrat historike të jetës sociale – revolucionare, ndalen vetëm atëherë, kur në to, brenda tyre, pos tjerash gjejmë figurën- njeri të plotë, i cili punon dhe vepra e tij i kushtohet plotësisht njeriut, mirëqenies së ekzistencës së tij. Ky shpjegim teorik letrar, e njëkohësisht filozofik bashkëkohës e vërteton dhe e qartëson fortë mirë interesimin e shkrimtarëve tanë për Titon, sepse tek ai gjetën, zbuluan njeriun e vërtetë me të gjitha cilësitë që e karakterizojnë veprimin e madh njerëzor, veprimin e përjetshëm. Më shkurt, artistët ndalen tek ata që i zgjerojnë hapësirat e realizimit të njeriut në jetë dhe në vepër, ashtu siç bëri Tito. Pra, njerëzit e tillë, që shkenca i shpejgon si gjenialë, krijojnë vazhdimisht hapësira të reja për njeriun, pra janë krijues e jo dogmatë e statistë në skenën historike e shoqërore, sepse ata, me aftësi të rrallë i shtrojnë dhe i zgjidhin kërkesat dhe nevojat e kohës në të cilën jetojnë e veprojnë, do të thotë prekin në pikat neuralgjike vendimtare të shoqërisë njerëzor duke i vënë njerëzit në lëvizje të orientuar, të drejtë, në aksion.

Përveç kësaj, shkrimtarët tanë e përjetësojnë fytyrën e Titos, sepse në të që me kohë kanë gjetur me të vërtetë realizimin e vet nacional, social e intelektual, do të thotë tri elementet qenësore për ekzistencën individuale e kolektive. Nëse pranohet e vërteta e thënë metaforikisht se artistët-poetët janë antena të shoqërisë, atëherë mund të nxjerrim një konstatim se, shkrimtarët tanë, në vizionin dhe në praktikën revolucionale të Titos, gjetën një nga idealet e veta më të qëlluara dhe sinjalizuan në mënyrë arstitike vlerën e vërtetë të pamohueshme të tij.

Përderisa në prozë është i pranishëm, në radhë të parë, në kuadër të mundësive dhe të efekteve artistike të realizimit të zhanrit, pra në mënyrë të plotë që na e sinjalifikojnë “Ditari…” i F. Hoxhës një pjesë e prozës së H.Sylejmanit dhe të Sinan Hasanit, në poezi, e cila konsiderohet si zhanër dhe formë solemne më komunikative, fytyra e Titos ngritet vazhdimisht, duke u bërë objekt qëndror-poetik, në dritën e plotë të veprës së tij të madhe. Kështu, poezia e kuptuar si formë më komunikative, ka një aftësi dhe fuqi të jashtëzakonshme për identifikim apo për simbolizimin e veprave të mëdha në histori dhe në bashkëkohësi, të vizioneve të tyre të pandërprera e thelluese.

Thënë historikisht, fytyra e Tito në poezi bëhet objekt i rëndësishëm që në krijimet e para gjatë Revolucionit të armatosur dhe vazhdon deri në ditët më të vonshme. Ajo nuk qe vetëm inspirim, po edhe realizim i poezisë dhe i artit në përgjithësi.

Në një pjesë të mirë të poezisë ku poezitë kushtuar Titos nga Esad Mekuli, Mehmet Hoxha, Tahir Jaha, Latif Berisha, Enver Gjergjeku e të tjerë, shfaqet një komunikim i drejtpërdrejtë me të dhe merret me të drejtë në kuptim të gjerë të krijuesit të madh. Për shembull të gjithë këtë e shëmbëllen më së miri poezia e E.M, “Ty që je liria jonë”, ku Tito shfaqet si simbol i lirisë dhe i realizimit kombëtar e social të shqiptarëve, krahas me atë të kombeve dhe të kombësive të tjera.

Në disa poezi të tjera siç janë “Flamur shekujsh” (Ali Podrimja), “Dy ditëlindje” (Rrahman Dedaj) dhe “Flet Tito” (Mirko Gashi), kemi të bëjmë me një përpjekje tjetër të poetëve tanë, me atë që përmes prosedeut poetik të simbolizimit fytyra e Titos të marrë kuptim universal të gjithëkohshëm, si simbol i një kreatori për të mirën e përgjithshme, se vepra e tij është model real, që hyn në fondin e përgjithshëm të njerëzimit.

Përveç identifikimit, si kusht i domosdoshëm i fuqisë poetike dhe i bindshmërisë së saj, në poezinë e përmendur të Ali Podrimjes, kemi simbolin flamur, i cili simbolizonte, emblemën e ekzistencës kombëtare dhe atë shoqërore, të vendosur në përjetësimin e flamurit që qëndron në hapësirat kohore të shekujve të historisë. Ndërsa me simbolet e tjera si Diell, Bukë, Qiell, poeti simbolizon tri kushte të rëndësishme e të domosdoshme të ekzistencës, të cilat me këtë rast, nuk po i përkthej në gjuhën teorike.

Në vjershëm e Mirko Gashi, “Flet Tito”, e cila përmes theksimit të aktivitetit të ligjërimit të Titos, që gjithmonë i ka në pajtim fjalën dhe aksionet, poeti simbolizon qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë e tij në të gjitha momentet e kohës. Kështu simboli i tij qëndror, Kepi i Shpresës së Mirë (Tito) del si një Parim i Shpresës dhe i realizimit real, siç do të mund ta shpejgonim me filozofinë e paraqitur në parimin e Shpresës të E.Blochut.

E këtillë, fytyra e Titos shfaqet edhe në letërsinë për fëmijë, e që do të mund të ishte objekt i një studimi të veçantë. Tito si simbol i së Mirës, i heroit, i mësuesit dhe i edukuesit trajtohet me sukses në veprat e Maksut Shehut, Rifat Kukajt, Agim Devës e të tjerëve.

Në fund, me qëllim që të përforcojë edhe me përgjigjen lidhur me pyetjen që shtrova në fillim të kësaj paraqitjeje po shtoj edhe këtë se, mesazhi simbolik i artistit, i poetëve dhe shkrimtarëve tanë në përgjithësi, është plotësisht adekuat me mesazhin e veprës së Titos, i cili sot gëzon një unanimitet të jashtëzakonshëm e të përgjithshëm, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, çfarë e gëzonte vetëm Lenini. Adekuatësia e këtij mesazhi, pos momenteve të tjera që i përmenda më sipër, ka të bëjë edhe me të njohurën teorike e historike se, poetët dhe revolucionarët e mëdhenj i lidhin vizionet dhe idealet më të thella për njeriun, pra bëhet bashkudhëtarë në rrugën e infinitumit për të mirën njerëzore. Këtë lidhje midis artistëve dhe revolucionarëve, në mënyrë më të natyrshme dhe të paimponuar, pra të dalë nga situata reale historike, e gjejmë në historinë më të re kur është fjalë për fytyrën e Leninit. Le t’i kujtojmë me këtë rast Majakovskin, Bllokun, Jeseninin e të tjerë. Të njëjtën lidhje, po ashtu të natyrshme dhe të fuqishme, e gjejmë kur e vështrojmë fytyrën e Titos në veprat artistike, e sidomos në ato poetike.

Në përfundim e sipër të theksojmë edhe një fakt tjetër mjaft të rëndësishëm se Tito, duke qenë vazhdimisht në krye të shoqërisë sonë, krijoi një liri të vërtetë arti e krijimi në kuptim të realizimit të plotë të lirisë, çfarë nuk gjendet në ndonjë vend tjetër socialist, e cila ishte e pranishme vetëm në kohën e Leninit, kurse te ne kjo u bë parim shoqëror e kulturor.

Përveç kësaj, shkrimtarët tanë e përjetësojnë fytyrën e Titos, sepse në të që me kohë kanë gjetur me të vërtetë realizimin e vet nacional, social e intelektual, do të thotë tri elementet qenësore për ekzistencën individuale e kolektive. Nëse pranohet e vërteta e thënë metaforikisht se artistët – poetët janë antena të shoqërisë, atëherë mund të nxjerrim një konstatim se, shkrimtarët tanë, në vizionin dhe në praktikën revolucionare të Titos, gjetën një nga idealet e veta më të qëlluara dhe sinjalizuan në mënyrë artistike vlerën e vërtetë të pamohueshme të tij.

Jahti luksoz i Titos shndërrohet në muze

Jahti i Josip Broz Titos, i njohur si “Galeb”, në të cilin dikur qëndronin yjet e Hollywoodit dhe liderët botërorë, do të shndërrohet në muze në ujë, transmeton AP.

Autoritetet lokale do të riparojnë jahtin në kuadër të projektit në vlerë prej 5.4 milionë eurosh.

Jahti do të marrë një pamje të re dhe ajo pritet të rregullohet gjatë vitit të ardhshëm./ KultPlus.com

Tito mund të jetë në monedhën 2 Euro

Javën e kaluar, portali kroat “Otvorena”, ka zhvilluar një anketë në të cilën kanë pyetur lexuesit se si do të dukej monedha prej 2 eurove në momentin që shteti kroat hyn në euro-zonë.

Pothuajse 50 për qind e lexuesve kanë votuar që në këtë monedhë të paraqitet fytyra e marshallit Josip Broz Tito. Ish-shefi i Jugosllavisë doli i parë në garën mes tij dhe presidentit kroat, Franjo Tugjmanit, kardinalit Aloysius Stepinac dhe Johnny B. Shtuliqit (ish-frontmen i ish-bendit jugosllav “Azra”), transmeton Koha.net.

Mes garuesve ka qenë edhe Nikolla Teslla, por që as ai nuk arriti t’i bënte ballë konkurrencës së fortë të Titos.

Mediumi në fjalë, me të marrë rezultatin, ka dizajnuar monedhën 2 euroshe me fytyrën e Titos./ KultPlus.com

Kur Tito vizitoi Kosovën për herë të fundit

Një fotografi nga cikli i fotografive të vjetra të Kosovës, të punuara nga fotografi Arben Llapashtica.
“Fotografitë i kam nxjerr edhe përpunuar nga disa libra, monografi edhe nga gazetat e vjetra. Shumica e fotografive janë nëpër Arkivat e Kosovës”, thotë Llapashtica në albumin e tij në rrjetin social Facebook./ KultPlus.com