‘HANA’ i regjisorit Ujkan Hysaj mbështetet nga Agjensia Maqedonase e Filmit

Agjensia Maqedonase e Filmit sapo ka publikuar rezultatet e projekteve filmike fituese të konkursit të tyre të fundit ku projekti filmik HANA i regjisorit Ujkan Hysaj është njëri ndër ta.

HANA me skenar nga Fadil Hysaj dhe producent Kushtrim Koliqi është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës në vitin 2017 dhe për temë ka Sarën, një aktore e dhunuar gjatë luftës në Kosovë e që bëhet protagoniste e një filmi të huaj që ka për temë dhunimin. Ndërsa përjeton të njëjtat situata, më në fund arrin të lirojë veten nga trauma e saj.

Ky është i katërti projekt filmik nga Kosova që mbrenda një viti gjejnë mbështetjen nga Maqedonia. / KultPlus.com

Dy projekte filmike të Kosovës në Festivalin e Filmit të Rotterdamit

Ka filluar festivali i filmit të Rotterdamit, pjesë e të cilit është edhe punëtoria Rotterdam Lab, që edhe këtë vit, falë partneritetit që QKK ka me CineMart, do të mirëpres përfaqësues të projekteve filmike kosovare.

Rotterdam Lab nis nga data 27 deri me 31 janar dhe pjesë e kësaj punëtorie pesë ditore do të jenë edhe Blerim Gjoci me projektin filmik ‘Kodra e Diellit’ si dhe Ujkan Hysaj me projektin ‘Hana’, të dy këta filma, të mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës.

Punëtoria Rotterdam Lab ka për qëllim avansimin e producentëve në zhvillim nga e gjithë bota dhe krijimin e mundësive për njohuri dhe ekspertizë. Kjo punëtori është e organizuar nga tregu për bashkëprodhim ‘CineMart’, i njohur si tregu joformal i filmit, i ndjekur nga një numër i madh i profesionistëve ndërkombëtar të filmit, të cilët janë të interesuar të investojnë në projekte të reja filmike. Ky program përfshin diskutime dhe punëtori me ekspertë nga industria e filmit.

Festivali i filmit të Rotterdamit është një ndër festivalet më të rëndësishme evropiane ku sivjet është edicioni i 47-të me radhë dhe gjatë dymbëdhjetë ditëve të festivalit, qindra filmbërës dhe artistë të tjerë paraqesin punën e tyre para një audience të madhe./ KultPlus.com

‘Balkan Film Market’ vjen në Shqipëri, do të prezantohet edhe projekti i regjisorit kosovar Ujkan Hysaj

Organizata ‘Europa Krijuese’ ka dhënë që prej vitit 2013, rreth 700 mijë euro për filmin shqiptar.

Por për producentët ai që mundëson financimin e një filmi, është një projekt i shkruar mirë. Në 20-të vjetorin e krijimit të kinemasë shqiptare, Ilir Butka thotë se është koha për të punuar më shumë për të pasur një produkt cilësor.

Regjisori Andemion Murataj, thotë se në aktivitetin ‘Balkan Film Market’ kanë ardhur producentë të njohur, dhe kjo është një formë që filmi shqiptar të fitojë më shumë të ardhura.

Në ‘Balkan Film Market’, do të prezantohet edhe projekti nga Kosova ‘Hana’ i regjisorit Ujkan Hysaj, i cili është mbështetur së fundmi nga Qendra e Kinematografisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

‘Balkan Film Market’ zhvillohet për herë të parë në Shqipëri, dhe do të zgjasë deri në datën 7 tetor. / KultPlus.com