Festivali muzikor i Porto Palermos, në një nga sitet më të bukura të trashëgimisë

“Porto Palermo Festival” është pa dyshim një vlerë e shtuar në një nga sitet më të bukura të trashëgimisë kulturore”, u shpreh ministrja e Kulturës, Margariti në rrjetet sociale, për festivalin muzikor i cili po zhvillohet në kalanë e Vasiliqisë, në Porto Palermo.

Festivali i cili ka mbështetjen e Ministrisë së Kulturës si dhe të Ambasadës italiane në Tiranë, shtrihet përgjatë fundjavave të 1 muaji. Ai ka nisur në mes të korrikut dhe përfundon në 15 gusht.

Në Porto Palermo do të interpretojnë artistë të mirënjohur nga Shqipëria, Kosova e vende të tjera, ndërkohë që ministrja Elva Margariti, ka veçuar performancën e këngëtares Vikena Kamenica, që “plot energji ndezi kalanë”.

Mbrëmë në festival interpretoi Enrico Giaretta, një kantautor italian, të cilin Paolo Conte e ka vlerësuar si trashëgimtarin e tij artistik. Më herët kalaja e bukur e Vasiliqisë, e vendosur në një pozicion strategjik të gadishullit, ka pritur Dren Abazin si dhe kuartetin e muzikës jazz, “Ajs Quartet”.

Ky është edicioni i dytë i Porto Palermo Festival. / KultPlus.com

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit për Vikena Kamenicës dhe Kastriot Tushës: Mos këndoni në një skenë krimi

Një debat ka shpërthyer në rrjetet sociale nëse mexosopranoja Vikena Kamenica dhe tenori Kastriot Tusha duhet të këndojnë mbrëmjen e së hënës në sheshin përpara Ministrise se Brendshme ngjitur me ish-Teatrin Kombëtar. Ata kanë njoftuar mbajtjen e një koncerti në kuadër të asaj që njihet si nata amerikane ku do të sjellin muzikën xhaz.

Por Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e ka konsideruar të papranueshëm këtë koncert në rrënojat e Teatrit Kombëtar të cilën pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e quan “skenë krimi”, transmeton KultPlus.

Në një letër të hapur, kjo Aleancë u bën thirrje artesëve të njohur që ta anulojnë koncertin dhe ta zhvendosin diku tjetër. Deri tani nuk ka pasur ndonjë reagim nga Kamenica dhe Tusha.

Më poshtë gjeni letrën e plotë

Të nderuar Kastriot Tusha dhe Vikena Kamenica,*

Ne e duam artin.

Ne e duam artin dhe sigurisht ju jeni në dijeni që ne kemi luftuar shumë për të; kemi organizuar vullnetarisht një festival për mbrojtjen e teatrit me rreth 80 shfaqje të llojeve te ndryshme, duke rijetëzuar teatrin që braktisën.

Kemi kërkuar që të hapen aktivitetet artistike gjatë gjithë periudhës së pandemisë.

Ne e duam artin, pavarësisht se arti bie edhe në duart e injorantëve dhe kriminelëve.

Ne e duam artin dhe ju jeni artistë shumë të dashur për Shqipërinë, që do të vazhdoni dhe duhet të vazhdoni të bëni punën tuaj, pavarësisht se kush kërkon të fshihet pas emrit tuaj.

Por vendi ku ju doni të jepni koncertin, është një skenë krimi. Është skena e krimit më të madh kundrejt qytetarisë, trashëgimisë, kulturës dhe aq me tepër artit.

Ju sigurisht i keni parë pamjet e 17 majit, ku artistë, kolegë tuaj, që kanë qenë dhe në një skenë me ju, u tërhoqën zvarrë me pranga në orën 4:30 të mëngjesit, teksa ndërtesa filloi të shembej me ata brenda.

Pak rëndësi ka çfarë qëndrimi keni ju për këtë çështje, por ju duhet t’i respektoni ata njerëz, z. Tusha dhe znj.Kamenica.

Ata njerëz vazhdojnë të jenë aty çdo ditë, (prej 3 vjet e 5 muaj) pikërisht në atë vend ku ju doni të jepni koncertin.

Ju sigurisht mund edhe të thoni me vete që koncerti juaj nuk ka pse të ketë lidhje me këtë histori, por ky është një naivitet që gjithashtu nuk u shkon për shtat artistëve që i kuptojnë mjaft mirë simbolikat.

E dini që Gjykata Kushtetuese na dha të drejtë vetëm dy ditë para se të shpallej koncerti juaj pikërisht në sheshin ku ne protestojmë?

E nëse edhe kjo ju duket rastësi, e dini që gjithashtu para tre ditësh u zhvillua një aktivitet artistik në Landfillin e Sharrës, pikërisht në skenën e krimit të Ardit Gjoklaj, nga gruaja e vrasësit të këtij të fundit?

Ju nuk duhet t’ia lejoni vetes të bëheni pjesë e filozofisë “hidh valle në skenën e krimit” , sepse jeni artiste qe e keni vene emrin me punen tuaj dhe jo marioneta.

Me shpresën që respekti të jetë reciprok, ju kërkojmë që koncertin ta zhvilloni në një hapësirë tjetër, sepse për ne është fyerje dhe provokim, për sa kohë kjo luftë nuk ka mbaruar.

*Kjo kërkesë u drejtohet gjithashtu të gjithë artistëve të tjerë që do të jenë pjesë e koncertit. / KultPlus.com

Vikena Kamenica risjell këngët tiranase në stilin jazz


Në kuadër të aktiviteteve që po mbahen në këtë periudhë të vështirë pandemie për 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet, artistja Vikena Kamenica ka dhënë një koncert jo të zakonshëm në hollin e Muzeut Kombëtar. Me zërin e saj të mrekullueshëm dhe në repertor të përzgjedhur, artistja ka risjellë në vëmendjen e publikut disa nga këngët më të bukura tiranase.

Koncerti i titulluar “Nur i bukur të ka ra” dhe që është mbajtur pasditen e se hënës, kishte për qëllim te risillte për publikun një pjesë të këngëve më të bukura të Tiranës.

Ky event u vlerësua si i jashtëzakonshëm sikurse ishte edhe mënyra që Vikena e solli në stilin Jazz. Koncerti që duhej t’i adresohej një salle të madhe, u përcoll për një publik të kufizuar nga detyrimet e situatës së pandemisë.

Një pjesë e mirë e këngëve të cilat u kënduan në këtë mbrëmje, janë sjellë më herët nga emrat më të njohur të traditës tironse, sikurse ështe emri i këngëtares së madhe Fitnete Rexha.

Falënderimet e artistes Kamenica shkojnë edhe për mbështetjen e këtij eventi nga Ministria e Kulturës, Bashkia e Tiranës dhe bashkëpunëtorët dhe kolegët që iu bashkuan asaj si Gent Rushi, Kastriot Tusha etj.

Artistja premtoi se këtë event do ta sjellë sa më shpejt të mundet për të gjithë admiruesit e saj dhe të muzikës jazz. /atsh/ KultPlus.com

Vikena Kamenica nuk do të jetë pjesë e Festivalit të 57-të në RTSH

Kënga “Natën e mirë”, e këngëtares Vikena Kamenica nuk do të jetë pjesë e konkurrimit në Fesivalin e 57-të të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar.

Artistja është tërhequr nga gara për shkak të disa impenjimeve të papritura profesionale, të cilat janë bërë pengesë për të repektuar vijueshmërinë dhe rregulloren e Festivalit.

Sipas rregullores së Festivalit bazuar në vlerësimet e Komisionit Përzgjedhës, kënga që do të vijojë garën është “Dua ta besoj”, kënduar nga Artemisa Mithi & Febi Shkurti./ KultPlus.com

Vikena Kamenica dhe Stavros Salabasopolus, sonte me koncert dedikuar muzikës tradicionale greke dhe shqiptare

“Urat e muzikës tradicionale”, një koncert i dedikuar këngës dhe muzikës tradicionale greke dhe shqiptare vjen mbrëmjen e sotme për publikun. Koncerti në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse në Tiranë do të jetë nën interpretimin e dy artistëve të njohur, mezzo sopranos Vikena Kamenica dhe tenorit grek Stavros Salabasopoulos. Në koncert janë kompozimet më të njohura të autorëve shqiptarë dhe grekë, por nuk do të mungojnë dhe duetet mes dy artistëve.

Dy artistët mezzo sopranoja Vikena Kamenica dhe tenori grek Stavros Salabosolopulos do të performojnë këngë solo dhe në duete, si në gjuhën shqipe ashtu edhe në atë greke. Koncerti do të sjellë emrat e njohur të kompozitorëve grekë, si Theodorakis, Hajidakis, etj, dhe të muzikës shqiptare, veprat muzikore e këngët shkruar nga Prenk Jakova, Avni Mula dhe Rexho Mulliqi, ekzekutuar nga Orkestra e TOB nën drejtimin e dirigjentit grek Eleftherios Kalkanis.

Një ditë para koncertit që do të zhvillohet mbrëmjen e sotme drejtoresha e TOB Zana Çela u shpreh se arti dhe kultura gjithmonë kanë gjetur të përbashkëta në trashëgiminë kulturore dhe artistike të dy popujve tanë.

“Përgjatë historisë arti dhe kultura kanë qenë kryesore për të realizuar gjithë misionin e zbulimit dhe rizbulimit të vlerave të fqinjësisë së mirë. Arti dhe kultura kanë gjetur gjithmonë të përbashkëta në trashëgiminë kulturore dhe artistike të dy popujve tanë, ashtu si kanë identifikuar dhe identitetin kulturor”, tha mes të tjerave drejtoresha Çela në fjalën e saj. Koncerti është organizuar nga Teatri i Operës dhe Baletit në bashkëpunim me Ambasadën Greke në Tiranë dhe biletat për koncertin e datës 15 janë shitur të gjitha.

“Janë shitur të gjithë biletat për koncertin në Qendrën Kulturore të Katedrales Ortodokse. Ju mirëpresim, me të njëjtin koncert në datë 16 mars në teatrin “Petro Marko” në Vlorë”, shkruhet në faqen e Teatrit të Operës dhe Baletit.

Mezzo sopranoja e njohur Vikena Kamenica vlerëson shumë interpretimin në këtë koncert, që do të jetë në dy mbrëmje për publikun, në Tiranë dhe në qytetin Vlorës.

“Mbi të gjitha është kënaqësi e madhe ky bashkëpunim me dirigjentin dhe tenorin. Është shumë interesante përzgjedhja tenorit, sepse pothuajse është i të njëjtit stil këngëtari. Ne jemi këngëtarë, që bëjmë dhe formën klasike dhe atë të moderuar. Programi i zgjedhur është ky derbi dhe për artin, sepse janë dy kulturat tonë në një ballafaqim dhe gërshetim shumë të bukur. Janë autorë të njohur shqiptarë si Prenk Jakova, apo kënga “Moj e bukura Arbëri” nga Avni Mula”, u shpreh Kamenica për këtë koncert.

Por një ditë para zhvillimit të koncertit në Tiranë ajo theksoi se është një program që ka një ngjizje të bukur mes poezisë dhe muzikës.

“Ndjehem e kënaqur që janë shitur biletat për koncertin e parë, dhe presim se si do jetë në Vlorë. Program i gërshetuar bukur dhe i sjellë me dashuri, materiale ku ka një ngjizje të bukur të poezisë me muzikën, dhe mbi të gjitha kur flasim për ato bulëza që kanë krijuar artin shqiptar dhe atë grek. Materiale të bukura që i bashkëngjitet repertorit klasik, dhe them se do të jetë nga koncertet më të veçanta, jo vetëm të këtyre viteve, por të shumë viteve, pse jo të hapi rrugë të bashkëpunimit”, vijoi më tej mezzo sopranoja Vikena Kamenica, shkruan SotNews.

Artistja u shpreh se në koncert janë autorë të së njëjtës periudhë, që kanë shkruar muzikë greke dhe shqiptare. “E njëjta periudhë kur janë shkruar veprat është zgjedhur si pjesë repertori. Janë vendosur në program vepra të të njëjtëve kompozitorë, të të njëjtit”, tha Kamenica./ KultPlus.com

Opera “Carmen” projekt gjigant në TKOB, në skenë do të ngjitet edhe Tinka Kurti

Projekti gjigant që hap sezonin e ri operistik në TKOB, është opera “Carmen”, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje ndërthurë ekselencën shqiptare në botë me emra të mëdhenj të muzikës operistike shqiptare. “Carmen” vjen me regji të baritonit të njohur shqiptar Gëzim Myshketa e nën dirigjimin e Ricardo Casero.

Kjo operë që vjen premierë më 30 janar, sjellë në skenë aktoren Tinka Kurti, pastaj i ftuari special, koreografi me famë ndërkombëtare Gheorghe Iancu, të ftuar special janë edhe balerinët: Anbeta Toromani dhe Alesandro Macario ndërsa Carmen vjen nën interpretimin e Vikena Kamenica dhe Ivana Hoxha.

Mjeshtri Gheorghe Iancu do të jetë koreografi i trupës së baletit të TKOB. Ai sot ka mbërritur në Tiranë që t’i bashkohet stafit të operës “Carmen”. Inacu për dy vite radhazi nga viti 2008 drejtoi trupën e baletit të Operas Shtetërore të Bukureshtit.

Kjo shfaqje gjigante, vjen më 30 janar në Pallatin e Kongreseve me fillim nga ora 19:00. Pas premierës pasojnë edhe reprizat ku e para do të jetë menjëherë më 31 janar, 1, 2 dhe 3 shkurt./ KultPlus.com