Shqiperia po zbrazet, 10 mijë fëmijë më pak këtë vit në klasën e parë

Mësuesit rrezikojnë vendin e punës në institucionet arsimore për shkak të rënies së numrit të regjistrimeve.

Pas kërkesës për informacion që Top Channel i drejtoi Ministrisë së Arsimit mësoi se: në të gjithë Shqipërinë janë regjistruar në klasë të parë vetëm 20 235 fëmijë, rreth 10 mijë fëmijë më pak se në vitin e shkuar shkollor.

“10 mijë fëmijë më pak do të thotë 350 klasa të para më pak, pra 350 mësues më pak të arsimit fillor. Ne para 5 viteve kemi pasur nga 6 klasa paralele, sot kemi 4. Ky problem ndihet e do të vazhdojë të ndihet edhe më shumë. Në Sauk, në shkollën ’28 Nëntori’, në shkollën time ku punoj ‘Marie Logoreci’ ka një klasë më pak”, tha Alma Lama, kryetare e Sindikatës së Arsimit në Tiranë.

Në 20 vitet e fundit sipas të dhënave të INSTAT popullata e fëmijëve të ciklit 9 vjeçar ka pësuar rënie me 48%. Numri i ulët i regjistrimeve vihet re edhe në klasë të dhjetë, ku janë regjistruar 17 145 nxënës, 1.2% më pak se vitin e kaluar.

Risia e regjistrimeve këtë herë ishte aplikimi online përmes e-Albania, e sipas drejtorisë së përgjithshme të arsimit parauniversitar ende 0.2% e fëmijëve nuk janë regjistruar kjo për shkak të disa problematikave si pamundësia për të aplikuar apo prindërit nuk respektojnë juridiksionin e shkollave ku u përket për arsimim dhe neglizhimi për t’i regjistruar në shkollat ku dëshirojnë. /Top Channel/ KultPlus.com

Revista “Mësuesi”, në ndihmë të arsimtarëve të shekullit të kaluar

Revista “Mësuesi”, drejtuar nga Karl Gurakuqi, ishte një revistë didaktike në shërbim të mësimdhënies që përfshinte artikuj të ndryshëm ndihmues dhe këshillues për mësuesit dhe botohej në vitet ’20 të shekullit XX.

Artikujt trajtonin tema të ndryshme mësimore, çështje të didaktikës, metodikës etj.

Veç tyre revista përcillte edhe informacione zyrtare të dobishme lidhur me arsimin. / KultPlus.com

‘Jetojmë në një botë ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria’

Shkrimtari, gazetari dhe publicisti Eduardo Galeano i cili ishte i njohur me krijimet e tij fillimisht në Spanjë, e më pas i përkthyer edhe në shumë gjuhë të botës.

Galeano shumë shpesh ka pasë deklarata të fuqishme, të cilat përkojnë edhe me ditët e sotme.

Ndërsa KultPlus ju sjell këtë deklaratë të famshme të Galeanos, që ka të bëjë me vdekjet, dasmat, dukjen e diturinë.

‘Jetojmë në një botë ku varrimi është më i rëndësishëm se i vdekuri, ku dasmat janë më të rëndësishme se dashuria, ku dukja është më e rëndësishme se dituria. Jetojmë në kulturën e ambalazhit, e cila e urren përmbajtjen.’/ KultPlus.com

Mandela: Arsimi është arma më e fuqishme që mund të përdoret për ta ndryshuar botën

Nelson Mandela lindi më 18 korrik të vitit 1918. Gjatë gjithë jetës së tij ai ishte luftëtar i lirisë; ai luftonte kundër shtypjes racore që u bëhej zezakëve në Afrikë. Shumë vite të jetës së tij, Mandela i kaloi nëpër burgje. Që në moshë të re ai u bë aktiv në lëvizjen e anti-aparteidit dhe iu bashkua Kongresit Kombëtar Afrikan. Në vitin 1940, Mandela u bë kreu i krahut rinor të kësaj lëvizjeje.

Nelson Mandela ndoqi Universitetin dhe fakultetin e drejtësisë dhe me kolegun e tij Oliver Tambo themeluan firmën e parë zezake të avokatisë në Afrikën e Jugut, me zyra në Johanesburg. Ata i jepnin këshilla juridike falas ose me çmim të ulët zezakëve.

Në vitin 1962, 44-vjeçari Mandela u arrestua dhe doli në gjyq për aktivitetin kundër qeverisë. Ai i mbrojti veprimet e tij si pjesë e “luftës së popullit afrikan për një shoqëri të lirë.”

Mandela mori qindra çmime dhe medalje gjatë jetës së tij. Në vitin 1993, ai ndau Çmimin Nobel të Paqes me ish-armikun e tij të betuar de Klerk. Ata u nderuan për kontributin në procesin e paqes në Afrikën e Jugut.

“Jugafrikanët kanë krijuar një shoqëri e cila konfirmon se të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë,” deklaroi Mandela duke marrë çmimin.

Si president, zoti Mandela u kritikua se nuk u përball me krizën e sidës në Afrikën e Jugut. Megjithatë, në vitet e tij të mëvonshme, ai u bë një personalitet publik i luftës kundër sidës.

“Së bashku ne mund ta luftojmë sidën dhe të garantojmë një të ardhme më të sigurt për të gjithë,” tha në një rast Mandela.

KultPlus, jua sjell disa nga thëniet frymëzuese te ish-Presidentit te Afrikes se Jugut.

“Askush nuk lind me urrejtje kundër një race tjetër, kundër një religjioni tjetër apo kundër një shtrese tjetër sociale. Njerëzit e mësojnë më vonë urrejtjen. Atëherë, nëse mësojnë urrejtjen, ata mund të mësojnë edhe dashurinë, meqenëse për zemrën njerëzore dashuria është diçka më e natyrshme se urrejtja.”

“Mos më gjykoni nga sukseset e mia, më gjykoni nga ajo se sa herë jam rrëzuar dhe jam ringritur sërish”.

“Unë jam në thelb një optimist. Nuk mund ta them nëse është e lindur, apo e ushqyer. Pjesë e të qenit optimist, është që të mbash kokën drejtuar nga Dielli, dhe me këmbët që ecin përpara”.

“Mirësia e njeriut është një flakë që mund të fshihet, por nuk zhduket” / KultPlus.com

‘Shumica e fëmijëve janë inteligjentë, shumica e të rriturve janë budallenj. Diçka nuk shkon mirë me arsimimin’

Sot shënohet dita ndërkombëtare e arsimit, si një datë e përvitshme për të shënuar shtyllën emancipuese të njeriut, shkruan KultPlus.

E vendosur më 24 janar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në vitin 2018, kjo ditë përkujton rolin që luan arsimi për paqen, përparimin dhe zhvillimin global.

Në Ditën Ndërkombëtare të Arsimit, KultPlus ju sjell thënie që ndërlidhen me simbolikën e kësaj date:

Lumturia e njeriut përbëhet nga arsimi dhe edukimi, jo nga pasuria që fati i jep dhe i merr.

Sot e kam kuptuar se mësuesi më i mirë është ai që mëson nga nxënësi i tij.

Sa më i paarsimuar është një person, aq më e madhe është pikëpamja për veten e tij.

Është më e lehtë të gjykosh arsimin e një personi nga pyetjet e tij, sesa nga përgjigjet e tij.

Ndërsa përpiqemi për t’u mësuar fëmijëve tanë gjithçka për jetën, fëmijët tanë na mësojnë se çfarë është jeta.

Ndërsa shumica e fëmijëve janë inteligjentë, shumica e të rriturve janë budallenj. Pra, diçka nuk shkon mirë me arsimimin.

Mësojmë shumë, dimë pak, nuk pranojmë asnjë

Sa më pak të lexojmë, aq më e dëmshme është ajo që lexojmë.

Koha ideale për të filluar formimin e karakterit të një fëmije është njëqind vjet para lindjes së tij.

Mësuesi mediokër flet. Mësuesi i mirë shpjegon. Një mësues superior demonstron. Mësuesi i madh frymëzon. / KultPlus.com

UP-ja konfirmon se zv.ministri i Arsimit është student

Zëvendësministri i Arsimit, i emëruar ditë më parë nga Qeveria, Driton Bardheci, është ende student i vitit të tretë në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike.

Këtë e ka konfirmuar për KOHËN, dekani i këtij Fakulteti, Ahmet Shala.

Ai ka thënë se Bardheci i ka regjistruar studimet në vitin akademik 2015/2016.

“Ai është student i drejtimit inxhinieri industriale dhe menaxhment, ende nuk i ka përfunduar studimet për është afër përfundimit. Sa i përket suksesit të tij nuk mund të lëshohem në komente të tilla sepse ai ende nuk i ka përfunduar studimet”, ka thënë ai.

Emërimi i Bardhecit si zëvendësministër i Arsimit ka ngjallur reagime të shumta tek shoqëria civile e organizatat studentore.

“Koha” ka drejtuar pyetje në Qeverinë e Kosovës përse është emëruar zëvendësministër një person pa studime themelore dhe nëse do të anulohet ky vendim por deri tash nuk ka marrë përgjigje.

Ministri i Arsimit, Ramë Likaj nuk është përgjigjur që nga dje, ndërkaq shefi i kabinetit të tij, Gëzim Berisha ka thënë se deri tash i vetmi zëvendësministër i emëruar në MASH, është Bardheci.

“Kjo është informata që e kemi, nuk e kam pa që ka dalë sot në punë. Mirëpo për detaje tjera drejtohu te Qeveria sepse ata e kanë emëruar”, ka thënë ai përmes telefonit.

Edhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të MASH, Agim Bërdyna ka thënë përmes telefonit se sipas informatave që i ka deri tash zëvendësministër në këtë institucion është vetëm Bardheci, por që sipas tij, ende s’ka marrë ndonjë dokument zyrtar për këtë.

Bardheci tash e disa vite është aktivist i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) njëherësh edhe kryetar i Rinisë së kësaj partie.

Ai një ditë më parë ka njoftuar përmes një postimi në Facebook se është emëruar zëvendësministër i Arsimit, por më pas e ka mbyllur profilin e tij. “Sot, u emërova zëvendësministër në Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës. E falënderoj kryetarin Ramush Haradinaj dhe strukturat e AAK-së për besimin e dhënë! Është nder dhe përgjegjësi e madhe për mua që t’i shërbej shtetit tim dhe gjithë juve që më mbështetët në çdo periudhë. Zotohem se do të përkushtohem plotësisht me të gjitha kapacitetet e mija njerëzore dhe profesionale, në mënyrë që të përballemi suksesshëm me të gjitha sfidat gjatë reformës së sistemit arsimor”, ka shkruar Bardheci në Facebook.

Ai që nga dje nuk është përgjigjur në pyetjet e KOHËN, rreth emërimit të tij. Koha.net / KultPlus.com

Gjilani nënshkruan marrëveshje për përmirësimin e cilësisë së arsim

Drejtoria Komunale e Arsimit në Gjilan ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi Caritasin zviceran në Kosovë për implementimin e projektit “Vendosja e standardeve parashkollore të cilësisë së lartë duke përforcuar arsimin, shkencën dhe ekonominë – Shpresë”.

Marrëveshja ka për qëllim që të përmirësojë cilësinë e arsimit dhe ofrimin e shërbimeve në nivelin e  arsimit parafillor në komunën e Gjilanit, përmes përmirësimit të shërbimeve të qëndrueshme për trajnimin dhe ngritjen e kapaciteteve të edukatorëve parafillor në nivel komunal si dhe duke krijuar një mjedis miqësor ndaj fëmijëve, në klasat e arsimit parafillor.

Ky projekt përfshin organizimin dhe ofrimin e trajnimit për edukatorët ekzistues të nivelit parafillor dhe  zyrtarëve në Komunën e Gjilanit, organizimin e sesioneve për monitorim të cilësisë dhe mentorim për edukatorët e trajnuar parafillor, mobilizimin e pikave përkatëse kontaktuese për arsimin në nivel komunal, avokimi në nivel komunal për arsimimin e mëtejshëm të edukatorëve në arsimin parafillor, sikurse edhe ofrimin e pajisjeve dhe materialeve didaktike për pesë  klasat e përzgjedhura.

Marrëveshjen e kanë nënshkruar drejtori i Arsimit në Gjilan, Nazim Gagica dhe drejtori i Caritasit zviceran për Kosovë, Kreshnik Basha.​ / KultPlus.com

Krasniqi: Arsimin e organizojnë dhe e drejtojnë të diturit, ata që duan ta arsimojnë e përparojnë kombin

Në një shkrim për Arsimin në Kosovë, nga Jakup Krasniqi, u shpreh se, një vendim i ligjshëm apo i paligjshëm qoftë, në shoqërinë tonë me të drejtë ka nxitur një debat. Nuk është edhe aq e rëndësishme se çfarë është përmbajtja e debatit, e rëndësishme është gjendja në arsimin tonë në përgjithësi e në atë të lartin në veçanti, përcjell KultPlus

Cila është kjo gjendje dhe a mundet kjo gjendje t’i përshkruhet një Ministri të urtë e të kulturuar, siç është Ministri Bytyqi? Jo! Kur problemet i kanë krijuar të tjerët ndër vite, askush nuk thotë pse krijuam shumë mami (lexo institucione të pavarura), për te mbytur arsimin e lartë? Populli thotë: “Shumë mami e mbysin foshnjën”!

Arsimit tonë i janë bërë shumë mami të varura e të “pavarura”, prandaj, arsimi ynë në përgjithësi, e sidomos arsimi i lartë, nuk mund të kishte fat tjetër nga ky qe po e vajtojmë pas njëzet vitesh.

Kur filloi kriza, sidomos në arsimin e lartë?

Kriza në arsimin tonë filloi atëherë kur, pa u rehabilituar procesi arsimor që ishte i dëmtuar rëndë nga Serbia e Millosheviqit, sidomos në fillim të viteve ’90 të shekullit XX u kalua në Sistemin e Bolonjës. Pas këtij kalimi (a thua i gabuar?!), gabimi tjetër i madh u bë me liberalizimin e arsimit – hapja e universiteteve private pa asnjë kriter të vetëm dhe pa asnjë mekanizëm që kontrollon performancën dhe cilësinë e tij. Në fakt, universitetet private, tani kolegje, nuk kishin për qëllim arsimin cilësor, por për biznesin privat thjesht përfitimin material. Këto universitete kanë filluar në baraka dhe shikoni ndonjërin prej tyre se ku kanë përfunduar. Askush në Qeveritë tona të pasluftës nuk është kujdesur për cilësinë në ato universitete a kolegje private.

As Institucioni i pavarur – KSHC – që me ligj i është dhënë ajo përgjegjësi, përkundrazi, po nga ai institucion janë privilegjuar dhe privilegjohen edhe tani kolegjet private (le ta themi disa). Si paska mundësi një institucion i pavarur me 5 a 7 veta mbi bazën e një rekomandimi të ndonjë “eksperti” të jashtëm t’i mbyllë njëherësh tri universitete publike? Pastaj t’i mbyllë edhe disa kolegje private, e t’i privilegjojë vetëm ato që kanë shumë para? Gjërat nuk janë kaq të thjeshta siç po shihen nga disa. Sidomos nga ata që e mbështeten KSHC-në!

Situata e krijuar e obligon Kuvendin e Kosovës dhe Qeverinë që ta shikojnë seriozisht infrastrukturën ligjore ekzistuese. A është e duhura? A duhet ndryshuar? Para se Qeveria e Kosovës të ndërhyjë në vendimin e ngutshëm të një organi të pavarur, ajo duhet urgjentisht se bashku me Kuvendin ta ndryshojnë ligjin dhe përgjegjësinë në arsimin e lartë ta marrë shteti – Qeveria. Përndryshe, cili është roli i Qeverisë dhe i Ministrisë së Arsimit në këtë situatë?

Si kryetar i Kuvendit, dihet kjo tashmë botërisht, kam qenë kundër krijimit të universiteteve publike për vota, pa asnjë analizë a elaborat të studiuar mirë, por atëherë opozita heshtte, heshtte se edhe ajo llogariste në vota. Në demokraci votat janë të rëndësishme, por jo për të shkelur mbi interesin e kombit e të shtetit. Tani universitetet publike janë aty dhe për to duhet të vendosin Kuvendi dhe Qeveria, të mbyllen apo t’ju krijohen kushtet për vazhdimin e aktivitetit studimor. Në një situatë të tillë, Qeveria nuk duhet të flasë se universitetet publike duhet të ekzistojnë për çështje sociale, ajo, para se të ndajë para për autostrada, le të ndajë para për arsimin nëse e ka prioritet, për kryeautostradën e kombit (arsimin), për të tërhequr kuadrot e duhura e jo ta shkelë ligjin që është në fuqi. Ligji duhet ndryshuar e pastaj vijnë veprimet e duhura te institucioneve përkatëse.

Qeveria dhe Ministria e Arsimit duhet të krijojnë një trupë profesionale për t’i kontrolluar të gjithë trupat e deritashme të institucioneve të pavarura apo të Shoqërisë Civile që kanë përfituar nga përgjegjësitë që i kanë pasur ose u janë dhuruar për“ngritjen” e cilësisë, sa ato e paskan ngritur gjatë viteve cilësinë në arsimin e lartë!

Në situatën e krijuar një gjë shihet e dihet! Po zhurmojnë shumë pikërisht ata që deri tani kanë përfituar shumë nga arsimi i lartë, dhe pikërisht pse ky arsim i lartë nuk ka pasur zot shtëpie të përcaktuar qartë!

Gjendja në arsimin tonë seç ma kujtoi thënien e malësores lidhur me vështirësinë për të mbajtur shtëpi: “Mos me kanë për mend e dije, por me kanë për fuqi, Kola i jem i kishte mbajtë tri”! Mbase para qindra viteve, malësorja e jonë e pashkollë e ka ditur se dija e jo fuqia udhëheq me familjen. Prandaj, aq më pak arsimin e bëjnë të fuqishmit apo përfituesit e shumtë që i janë sulur atij nga të gjitha anët për zhvatje!

Si përfundim:Arsimin e organizojnë dhe e drejtojnë jo përfituesit pa parime, por të diturit, të arsimuarit, njerëzit me integritet, ata që qëllim parësor kanë për të arsimuar dhe edukuar të ardhmen e kombit, për ta zhvilluar e përparuar vendin!

Kosova pikërisht për këtë ka nevojë imediate!/KultPlus.com