Ngjarja bamirëse ‘Meet Us Halfway’ rikthehet përsëri në Nju Jork

12 Tetor, 2018 - 6:10 pm

Pak ditë po na ndajnë nga ngjarja tashmë tradicionale “Meet Us Halfway” e cila po mbahet për herën e tretë me radhe në qytetin e Nju Jork-ut. Kjo mbrëmje filantropie e cila po organizohet nga fondacioni Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është ngjarje e cila do të ngritë fonde për shpëtimin e jetëve të nënave dhe fëmijëve në Kosovë.

Kjo mbrëmje e bamirësisë do të mbahet në klubin prestigjioz Yale të Qytetit të Nju Jork-ut me datën 16 tetor 2018 nga ora 18:30 deri në 21:00.

Gjatë kësaj mbrëmje do te ketë muzikë, rrjetëzim, koktel dhe ankand të qetë, ku shumë personalitete nga bota e biznesit, kulturës, politikës dhe arteve kanë konfirmuar pjesëmarrjen dhe mbështetjen e tyre. Folëse e mbrëmjes do jetë ambasadorja Besiana Kadare, Përfaqësuese e Përhershme e Republikës së Shqipërisë në Organizatën e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ndërsa mysafire nderi do të jetë ambasadorja Teuta
Sahatqija. Me këtë rast do të ketë edhe një pike muzikore nga këngëtarja me origjinë Angleze – Cara Frew.

Në vitin 2016 për here te parë u mbajt ngjarja bamirëse ‘Meet us Halfway’, ngjarje e cila tashmë është shndërruar në aktivitet vjetor të Fondacionit për mbledhje të fondeve dhe rritje të vetëdijesimit. Shuma e mbledhur nga sponsorizimet dhe shitja e biletave gjatë dy ngjarjeve “Meet Us Halfway” të viteve të kaluara ka arritur në shumën rreth $86,025.0, shumë e cila është përdorur e gjitha për programe dhe shërbime që u dedikohen nënave dhe fëmijëve.

Gjithashtu fondet e ngritura nga shitjet e biletave dhe nga donacionet e dhëna në ngjarjen e cila do mbahet me 16 tetor do të dedikohen për mbështetjen e programeve të Fondacionit në Kosovë, specifikisht në: furnizimin me pajisje mjekësore, mbështetjen e dorëzimit të medikamentit Surfaktant, zhvillimin e sistemit të transportit neo-natal, zgjerimin e ‘Klasave për Nëna‘ si dhe skrinimin e kancerit të qafës së mitrës.

Kjo mbrëmje nuk do ishte e mundur pa mbështetjen e miqve dhe anëtareve të bordit të fondacionit që jetojnë dhe veprojnë në Amerikë siç janë, ambasadore Teuta Sahatqija dhe mbështetja e jashtëzakonshme e Konsulatës Gjenerale të Kosovës në Nju Jork, Fadil Berisha, Bledar Asllani, Drin Kukaj, Mark Kosmo, Sara Shala dhe Valon Xharra.

Për të qenë pjesë e ngjarjes, biletën tuaj mund ta bleni përmes platformës Eventbrite të cilin mund ta gjeni në vegëzen vijuese: https://www.eventbrite.com/e/meet-us-halfway-iii-tickets-46105538908. / KultPlus.com

Të ngjajshme