Orë e pikturuar

Poezia ‘Orë e pikturuar’, nga poeti spanjoll, Pedro Salinas. Përktheu nga anglishtja – Enkeleda Suti.

Dy e njëzetëepesë.

Po. Por jo këtu, jo.
Në cilën ditë do të jetë kjo dy e njëzetëepesë e veçantë,
në cilën botë do të jetë dy e njëzetëepesë, në cilin vit?
Ajo orë është duke ecur për bukuri,
e çuditshme, e lirë,
duke fluturuar përgjatë harresës së kohës.
Qartësisht, ajo ishte një orë ku nuk ka ndodhur asgjë:
Gjashtëdhjetë minutat e saj ishin gjashtëdhjetë minuta puthje të gjata,
të ngadalëta, të pafajshme
mbi faqet e buta të një pasdite shtatori, nuk e di se ku.
Deri sa ndaloi, deri sa koha ndaloi dhe arriti aty ku është tani:
shpirti i një ore të zgjedhur
– përse?
– e shpëtuar midis të gjitha orëve mbi atë orë të pikturuar,
atë fytyrë fallco, ate matëse të së përjetshmes. /KultPlus.com

Lasgush Poradeci: Kur u takova me katër kosovarë

Tiranë, e Djelë 9 Janar 1972:

U takova me 4 kosovarë 30-35 vjeçarë, intelektualë të ardhur prej Kosove për qëllime kulturale, pas 2 javë, më tha njëri, do shkojmë për në Kosovë. Nuk më njihnin personalisht, u entuziazmuan që më njohë, njëri poet më tha: “jeni i adhuruar në tërë Kosovën, rinija entuziazmohet me juve, ju-a kemi botuar në Kosovë të 2 volumet e poezive”. Njëri prej tyre më tha: “Ky është poet, ka qënë nënë influencën tuaj, ju ka imituar etj”. Ay më tha: “e kam për nder të jem influencuar prej Lasgushit”.

Unë: “s’ka influencë, nuk lot rol influenca në poezi, në krijimin artistik. Influencë, imitacion, plagjiat, reminiscencë, çdo referencë ose lidhje ose relacion etjerash si këto terma, nuk ekzistojnë në poezinë e vërtetë. Poezi e vërtetë quhet një poezi, e cila është origjinale. Poezi origjinale është ajo poezi, e cila, gjith dyke qënë tangjente me poezinë e tjetrit, e ka përdorur atë tangjente vetëm si material brut, si lëndë e parë, por prej kësaj materjeje prima ka krijuar një origjinalitet fondi dhe forme dhe stili t’atillë, sa ajo del me atë origjinalitet të krijuar prej poetit, si një poezi më vete, si një krijim i ri, krijim që s’mund t’i-a gjesh shëmbëllën në tjetër poezi, sepse ajo tashi është një gjë më vete, një kontribut i ri në gjithë poezinë ekzistente. Me këtë origjinalitet, ajo e justifikon veten të ekzistojë midis similareve të saj, si krejt indipendente.

Similar s’do me thënë identik, po kategori e veçantë dhe veçantinë e saj i-a kërkon origjinaliteti i saj, origjinalitet fondi, forme, shprehjeje, stili, dhe sipër së gjithash koncepsioni – të gjitha këto të pakraharsueshme aspak me poezi tjetër. Krijimi i ri nuk tutet prej krijimeve anàs, d.m.th. prej similareve, prej similiaritetit. Këto dhe shumë të tjera shpjegime i thashë poetit kosovar rreth imitacionit, influencës që siç tha ay tjetri koleg i tij ishte prej Lasgushit. Ay (më vjen keq që s’ja mora emrin) mbeti i kënaqur, dhe fitoj kurajë prej shpjegimeve të mija, u duk nga fjalët që më tha pastaj – dhe unë i thashë duke e kurajësuar zemërbardhësisht: “bëni poezi, krijoni poezi, mos kini frikë prej poezisë së Lasgushit, sepse duke qënë i zoti të krijojë njeriu poezinë e tij, origjinale, siç thamë s’trembet prej tjetrit.

Ay që krijon një krijim të ri, nuk trembet prej tjetrit, sepse krijon një gjë të re. Si të trembet krijonjësi prej krijesës së tij, prej krijesës së tij të re, origjinale? Poeti, kur është i zoti të krijojë një poezi të re sipas këtij principi që është i vetmi princip poetik nuk ka frikë, s’trembet prej krijimit të tij, por përkundër, gëzohet dhe gëzohet me gëzim të madh, me gëzim të madh sepse i fal botës një gëzim të ri, një gëzim tjetër midis gëzimeve të tjera, dhe ay që i fal tjetrit një gëzim të ri s’trembet prej kësaj të falure prej kësaj dhurate po gëzohet me gëzim absolut për gëzimin absolut d.m.th. gëzimin origjinal që ay i fal të tjerëve nga zotësija e tij. Tashi ne mund të themi në këtë akord të tjera, po njësoj janë tërë të tjerat, esencial, ecenca e poezisë është poezia origjinale, d.m.th. origjinaliteti poetik./KultPlus.com

Përfaqësuesi i Malit të Zi në Eurovizion: Shqipëria është favoriti im, me zemër po e them

Vanja Radovanovic, përfaqësuesi i Malit të Zi në Eurovizion ka thënë se ka dhënë gjithcka nga vetja për ta përfaqësuar sa më mirë vendin e tij në Eurovizion, shkruan KultPlus.

Mirëpo, edhe pse ai nuk ia ka dalë të jetë pjesë e finales, ai ka treguar për favoritin e kësaj mbrëmje të madhe.

“Favoriti i imi është Shqipëria, shumë kisha dëshiruar që Shqipëria ta fitonte këtë garë, prej zemrës po e them, me ta jam” ka thënë ai, duke iu referuar performancës së Eugent Bushpepës./KultPlus.com

Eurovizioni shfaqi flamurin e Kosovës pas performancës së Serbisë, serbët reagojnë në rrjete sociale (FOTO/VIDEO)

Mbrëmë është mbajtur gjysëmfinalja e dytë e Eurovisionit. Në garë kanë qenë 18 shtete, në mesin e tyre edhe përfaqesuesë nga Serbia, Sanja Ilić dhe Balkanika.

Në momentin e përfundimit të këngës së tyre, kamera është fokusuar tek publiku në sallë siç ndodh zakonisht pas përfundimit të çdo kënge.

Por në rastin e Serbisë, në vend të flamurit serb, fansat e Eurovisionit, kanë shfaqur flamurin e Kosovës, shkruan Magazina.al
https://www.dailymotion.com/video/x6jaips
Kjo menjëherë ka ngjallur reagime të serbëve në rrjetet sociale, ku e kanë cilësuar këtë si provokim nga ana e Eurovisionit, pasi sipas tyre shfaqja e flamurit të Kosovës pas përformancës serbe ishte e çëllimshme.

Në serialin e famshëm “Ray Donovan”, edhe ky aktor shqiptar

Ekipit të serialit Ray Donovan i cili tashmë është gati për sezonin e gjashtë, i është bashkangjitur edhe shqiptari i njohur si Mason Alban, shkruan KultPlus.

Këtë lajm e ka bërë të ditur vet aktori përmes rrjeteve sociale ku është shprehur i lumtur për këtë mundësi.

“I emocionuar të ju tregoj se do i bashkohem ekipit të serialit Ray Donovan për sezonin e ardhshëm. Pas 5 sezoneve të suksesshme në LosAngeles, tashme xhirimet do të bëhen në NewYork. Kam qenë një fans i këtij seriali për një kohë të gjatë dhe jam i lumtur që më është dhënë kjo mundësi”, ka njoftuar aktori në rrjetin e tij në Facebook.

Ray Donovan është një serial i njohur në Amerikë pjesë e të cilit janë aktorët si Liev Schreiber, Jon Voight, Paula Malcomson, Katherine Moenning, Dash Mihok e të tjerë./KultPlus.com

Pse Shqipëria ka kaq shumë banditë dhe artistë të shkëlqyer?

Nga Enkel Demi

Dje, katër të rinj, studentë u lënduan me thikë para Presidencës, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Dje, e sollën në Shqipëri Izet Haxhinë, ndërsa të shumtë janë ata që presin të çelet kapaku i gjirizit.

Dje, Eugent Bushpepa, një mirditor si gjithë të tjerët çoi Shqipërinë në finalen e Eurosong.

Dje, Skerdjano Keraj, violinist i mirënjohur në Gjermani shkëlqeu në një koncert me Orkestrën e Radio Televizionit.

Dje, Eleni Foureira, një fierake me fustanin me toka çoi Qipron në finalen e Eurosong. Në këtë festival në finale janë tre shqiptarë si kurrë më parë me asnjë kombësi tjetër. Shqipëria, Italia dhe Qipro janë në garë me të njëjtën racë.

Të gjitha këto ngjanë vetëm dje, por në ditët e shkuara ose ato që do vijnë, kemi dëgjuar ose do të dëgjojmë sërish për tonelata me drogë, banditë që kanë kapur shtetin, rrugaçë që vrasin e presin, skifterë që grabisin, qeveritarë që vjedhin dhe shtojnë taksat të mbushin gropën e hajnisë.

Por ama, kemi për të dëgjuar për shkrimtarë, sportistë, shkenctarë, muzikantë, artistë, aktorë, këngëtarë, piktorë, balerinë që vazhdojnë të shenjojnë në udhën e tyre të lavdisë edhe Shqipërinë.

Në Itali na tregojnë me gisht për Habilajt, por edhe për Saimir Pirgun me zërin kristal. Na tregojnë me gisht për narkotrafikantët dhe vrasësit me pagesë në Angli, por edhe për Ermonela Jahon në Royal Opera House në Londër.

Duket sikur në këtë tokë, trëndafili çel aromëshumë në një kopshtie plot me mut. Prandaj, kam këtë pyetje që më shkakton vramendje prej kohësh: Përse kemi kaq shumë banditë dhe kaq shumë artistë?

Nuk e gjej gjetkë përgjigjen, sepse në vende të tjera, kur e zeza i përpin, këta të mirët numërohen me gishta.

Këtu duket se aty ku lulëzon bari i keq, në kundërshtim me ligjësitë e bujqësisë, hedh shtat më fuqishëm kalliri i grurit. Megjithëse hanë të njëjtën bukë e pijnë të njëjtin ujë, këtu mund të gjesh koka të mendimit dhe artit, ashtu si gjen kriminelë të pamëshirshëm, që aq mirë i ka përshkruar Elvira Dones.

Këtu gjen cubin e politikës që kërkon të prishë shtëpinë e artit dhe skamnorin e artit që e ndan mendjen për vetëflijim.

Gjen shkrimtarë që shkruajnë libra të vërtetë që nuk ua var kush dhe banditë që duan të kthejnë bibliotekat në salla kumari.

Gjen pedofilë që i bëjnë mësues dhe poetë erotikë si Pano Taçi që të ngjethin mishtë. Ke kulla që lartohen me para droge dhe trafikun e mishit të bardhë, kurse në themelet e tyre ka vdekur Frederik Reshpja që e lartoi veten veç në poezi.

Kjo tokë që ka pjellë Enver Hoxhën dhe Gjergj Fishtën, pse vazhdon të mbetet sërish me barrë me vrasës dhe poetë?

Nata finale në Eurovizion, Eugent Bushpepa do të këndojë në këtë radhitje

Shqiptarët po përjetojnë ndjenja të forta të krenarisë kombëtare, pasi si rrallë në historinë e Eurovizionit në finale kanë fituar të drejtën tre këngëtarë shqiptarë. Eugent Bushpepa përfaqëson Shqipërinë, Ermal Meta Italinë dhe Eleni Furera Qipron.

Të shtunën në mbrëmje i pari ndër ta do të këndojë Bushpepa, i 12-ti në renditje, ndërsa Furera dhe Meta do të këndojnë në fund, përkatësisht në vendin e 24-ërt dhe 25-së. Këngët e tyre mjaftë të vlerësuara, sjellin histori jetësore, ngjarje emigracioni të vendit të vogël të Ballkanit gjatë tre dakadave të fundit. Performancat e tyre kanë qenë ndër më të vlerësuarat nga mediat në festival. Natën finale në Lisbonë do ta çeli Ukraina.

Ashtu si dy netët e para RTSH do ta sjelli natën finale të Eurosong 2018 drejtëpërdrejtë në platformat televizive, web dhe telefoni celulare.

Pikturat gjithë kolorit që shpërfaqin shpirtin e piktorit Klodian Valla

Galeria e Ministrisë së Kulturës ka mirëpritur mbrëmë ekspozitën “Kur epshi kacafytet me ankthin koloristik” të piktorit Klodian Valla. Kështu muret e kësaj galerie u veshën me piktura të cilat ishin ndarë nëpër cikle si “Portretet”, “Drunjtë” dhe “Kompozicionet”. Cikle këto të cilat vinin në pah anën shpirtërore të artistit dhe ku asgjë nuk ishte reale, edhe pse mund të krijohej një përshtypje e tillë, shkruan KultPlus.

Alberina Haxhijaj

Pikturat e ekspozuara e që ishin 17-të, element thelbësor kishin koloritin e natyrshëm e që buron nga thellësia shpirtërore e piktorit. Është vet piktori ai që arrin të shoh përtej këtyre pikturave. Prandaj, ai i ftonte të pranishmit të shikonin përtej drunjve apo përtej portretit dy ngjyrësh, kuq dhe verdhë, të bukuroshes Manon Lesko. Ndërsa thekson se ai shpreh vetëm atë që ndjenë dhe shumë pak atë që e sheh.

“Falënderoj të gjithë që kanë gjetur kohë që të vijnë dhe të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë ekspozitë. Unë dëshirojë që të them se para jush kam shprehur atë që e ndjejë dhe jo atë që shoh. Unë shoh ndryshe nga të tjerët, për shembull drunjtë nuk i shoh siç i shohin të tjerët, ndonjëherë i shoh edhe si fytyra e ndonjëherë edhe si drunjë. E kjo vlen edhe për portretet dhe kompozicionet”, u shpreh piktori Klodian Valla.

Dy veprat të cilat tërhoqën edhe vëmendjen e publikut, e të cilat i kishte për zemër edhe kuratori i kësaj ekspozite Shyqri Nimani, tregonin interesin që ka poeti për personazhet e shquara historike apo edhe beletristike.

Pikërisht te portretet piktori solli portretin e Mbretëreshës Teutë, një transformim imagjinar i mbretëreshës së antikitetit ilir në një gocë të hijshme, pasardhëse kontemporane shqiptare.
“Kjo pikturë është mbresëlënëse me tërë tiparet e saj gracioze dhe me transponimet e guximshme koloristike: e kuqrremta, e kaltra, e blerta, tirkizja dhe e verdha me të gjitha nuancat e tyre, rrezatojnë rezonanca të këndshme flakëruese”, shprehet Nimani.

Ndërsa piktura “Portreti i Manon” është pasojë e ngulitjes së thellë në kujtesën e Klodit , e protagonistes kryesore kontraverse të romanit të shkrimtarit francez Abbe Prevost, bukuroshja Manon Lasko.

Për kuratorin Nimani pikturimi i portreteve është diçka që asnjë piktor nuk mund ti shmanget dhe të gjithëe kanë bërë se paku një portret. Ndërsa thekson se Klodiani nuk kishte sesi ti shmangej portretit, pasi që pikërisht babi i tij, artisti Esat Valla, njihet për portretin e Hasjanës.
“Kompozicionet e Klodit karakterizohen me trajta dhe ngjyrat e sajuara me invencë, qoftë kur kanë përmbajtje të caktuar paraprakisht apo kur sintetizojnë shëmbëllesa sponatane për të shfaqur shpërthime të brendshme ekspresive. Është e qartë se piktorit parapëlqen një shprehje vetanake për të arritur vlera të qëndrueshme “evergreen’, se sa të përfshihet nga ndikimet e murlanëve të rastit, jetëshkurtër, që sjellin trendët kontemporane”, thekson kuratori Shyqri Nimani.

Këto punime janë bërë gradualisht nga piktori që nga viti 2000, ndërsa katalogu i kësaj ekspozite përfshinë 25 punime, të cilat dallohen me stilin e kombinuar abstrakt dhe surreal.
Të gjithë të pasionuarit pas pikturës do të kenë mundësinë që të shohin këtë ekspozitë deri më 24 maj./KultPlus.com

Rita Ora në listën e muzikantëve më të pasur britanikë

Rita Ora ka hyrë në listën e këngëtarëve më të pasur britanikë në krah të Ed Sheeran dhe Calvin Harris.

Sipas ‘Sunday Times’, ajo radhitet në vendin e 11-të artistëve britanik më të pasur në moshën nën 30 vjeç, me një pasuri prej 16 milionë paundë, shkruan koha.net.

Ka katër vite që qëndron në top listën e 10 këngëve më të dëgjuara në Mbretërinë e Bashkuar, gjithashtu ajo ka nënshkruar kontrata fitimprurëse me firma të ndryshme veshjesh dhe kozmetike.

Në të njëjtën listën të kryesuar nga Adele , është pozicionuar në vend të dytë Ed Sheeran me 80 milionë paundë, kurse Calvin Harris është e vetmja hyrje e re në 20-shen më të lartë me 140 milionë paundë.

Megjithatë muzikanti më i pasur në Mbretërinë e Bashkuar është Paul McCartney me 820 milionë paundë.

Këto janë shtetet që arritën në finale të Eurovizionit 2018

Tashmë dihen emrat e 26-të shteteve që janë pjesë e finales në garën prestigjioze Eurovizion 2018, shkruan KultPlus.

Mbrëmë është mbajtur edhe pjesa e dytë e gjysmë-finales për Eurovizion 2018. Kështu Serbia, Moldova, Hungaria, Ukraina, Suedia, Australia, Norvegjia, Danimarka, Sllovenia dhe Holanda janë 10-të shtetet që po ashtu kanë hyrë në garë për natën finale.

Ndërsa në natën e parë të gjysmë-finales, në garë për finale kishin kaluar edhe Shqipëria, Austria, Bullgaria, Qipro, Çekia, Estonia, Finlanda, Irlanda, Izraeli dhe Lituania. Po ashtu në finale janë edhe Britania, Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe nikoqiri i festivalit Portugalia, shtetet që janë kualifikuar automatikisht në finale.

Ju kujtojmë se finalja do të mbahet në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë, më 12 maj, të shtunën në ora 21:00./KultPlus.com

Nuk e transmetoi performancën e Eugentit, televizioni kinez përjashtohet nga Eurovizioni

Me faktin se Kina nuk e ka transmetuar performancën e Shqipërisë dhe Irlandës në natën e parë të Eurovizionit, kanë pasur edhe ndëshkimet për Mango TV në Kinë.

Transmetuesi kinez natën e parë, me 8 maj, në gjysmëfinalen e parë të Eurovizionit nuk transmetoi performancën e Eugent Bushpepës shkaku i tatuazheve të tij, dhe performancën e këngëtarit irlandez shkaku se gjatë performancës paraqiten dy meshkuj në skenë, më të afërt dhe të relaksuar me njëri tjetrin.

Megjithatë, Mango TV është përjashtuar nga Unioni i Transmetuesve Evropianë dhe kësisoj nuk është më pjesë e familjes së Eurovizionit e nuk do të mundë ta transmetojë festivalin atje.

Mostransmetimi i këngës së Shqipërisë dhe Irlandës në gjysmëfinale është një shkelje e rëndë e rregullave, ka deklaruar EBU – Unioni i Transmetuesve Evropianë që përkujdeset për të drejtat televizive të Eurovizionit.

Në anën tjetër, të dyja këngët janë kualifikuar për në finalen e datës 12 maj. / KultPlus.com

Kjo ishte gruaja shqiptare që lundroi me tetë anijet, Bubulina shqiptare në kartëmonedha, shtatore e filma

Rajna Kovaçi

Veprimtaria e grave të shquara shqiptare është e lidhur ngushtë me rrethanat në të cilat u krijua, veproi dhe jetoi populli shqiptar. Si rrjedhim është më se i nevojshëm një rrugëtim i shkurtër nëpër të kaluarën për të njohur më thellë jetën dhe veprën e këtyre figurave. Padyshim ndjenja e përkatësisë etnike si dhe robërimi i gjatë krijuan llogjikën e qëndresës së përhershme shqiptare ndaj pushtuesve të ndryshëm. Sic e dimë shtyllë e fuqishme e kësaj qëndrese ka qene gruaja. Ajo e bëri këtë përmes edukimit të gjeneratave, edukim ky që niste që nga ninullat e para që mbajti frymën liridashëse, kultivoi ndjenjën e mosgjunjëzimit e të respektit ndaj vlerave njerëzore e kombëtare. Prandaj në udhën e stërgjatur të historisë meritat e gruas shqiptare zënë një vend shumë të rëndësishëm.

Nëse do të donim të strukturonim një skemë për letërsinë feministe, do të pranonim se Simone De Beauvior e Virginia Wolfe kanë një pararendëse të femnizmit europian dhe romantik e kjo ishtë Elena Gjika. Kjo figurë ka fituar një rëndësi të vecantë për ne shqiptarët nga prejardhja e saj shpallur prej vetë asaj.

Në historinë mijëvjecare të njerëzimt nuk është i madh numri i grave që patën mundësinë të shquhen në sfera të ndryshme të jetës. U njohën kryesisht , emrat e atyre grave që zëvëndësuan apo përkrah burrave të tyre të shquar i mbështetën në cdo hap. Laskarina Bubulina ishte ndryshe, për kohën që jetoj ishte nga gratë më të emancipuara e më trime të kohës. Bota e mbyllur por vepruese dhe krijuese e gruas nisi të gjejë shprehje vetëm nga shekulli XVIII. Në shekujt vijues, falë këmbënguljes individuale të femrave dhe më pas nisi të shpaloset energjia krijuese e gruas. Fundi i shëkullit të XIX shënon inkuadrimin e gruas në të gjitha sferat e jetës dhe, mbi të gjitha në qarqet e vendimarrjes, duke pasuruar kështu trashëgiminë e cmuar të njerëzimit.

Por jashtë rrjedhave historike nuk mbeti as gruaja shqiptare. Duke patur parasysh ulje ngritjet historike të kombit shqiptar, një mori grash meritojnë të njihen më mirë, sepse ishin shtylla të mirëfillta dhe të qëndrushme të familjes dhe të kombit me njemërues të përbashkët: grua shqiptare. Por ashtu si e sheh gruan shqiptare Margaret Jursenal kur shkruan :”Për nënë do të doja një shqiptare!…” Andaj nuk është rastësi që nga gjiri I popullit shqiptar doli Donika Kastrioti, Elena Gjika, Motrat Qirjazi, Dhaskalina Bubulina, Shën Angjelina, dhe më pas, Nëna më e madhe e botës së sotme, Shën Nëna TEREZA.

Qëndresa dhe sakrifica, si formë e rezistencës e grave shqiptare në luftërat për liri dhe pavarësi, sipas burimeve historike paraqitet në vazhdimësi. Ato u rezistuan tendencave të asimilimit atje ku jetonin si dhe të akulturimit, duke mëkuar që nga kohët antike frymën e edukimit human, familjar,patrotizmin si dhe traditën krijuese popullore. Pra siç e dimë ky nuk ishte fushëveprimi I vetëm I gruas shqiptare, ajo u shqua jo vetëm në fushën politike, ushrarako-luftarake, të arsimimit por dhe të kulturës dhe shkencës. Nga bashkësia e grave shqiptare, të cilat qëndruan dhe vepruan në rrethana të vështira të kohëve, dolën personalitete të shquara, veprat e të cilave I tejkaluan kufijtë gjinorë e kombëtar. Ja cfarë thotë Dora d’istria për grate:” Ato dëshmuan se truri nuk ka gjini dhe me veprat e tyre dëshmuan se nuk ka fuqi që mund t’I ndalë synimet e shenjta të një populli për vetëvendosje, emancipim të gjithëanshëm dhe arritje të barazisë gjinore…”
Dhaskalina Bubulina…?

Ajo ka një histori të rrallë, arvanitësja –Kapedania, kjo grua e rrallë, me legjendën më të vecantë e të rrallë mes Greqisë dhe Shqipërisë. Jeta e Bubulinës është një luftë legjendare e jetuar në detet e Greqisë e mesdheut. Shkrimtari francez Michel de Gece përshkruan me vërtetësi betejat historike të Bubulinës të revolucionit grek. Arvanitësja që kishte ardhur në Hidra në këtë ishull sëbashku me shumë emigrant të tjerë shqiptar rretha fër tre shekuj më parë, sic kishun bërë në ishujt e tjerë të Greqisë atje pranë si në Specaj, Psaros, në Peloponez dhe Eubë. Është vërtetë shumë interesant fakti që në muzeun Zhan D’Arka”në Rouen në Francë. Krahas figurave gra luftëtare të vlerësuara nga bota e kulturuar qëndron krenare edhe Bubulina jonë.

Kush ishte Dhaskaina Bubulina?

Dhaskalina lindi në një burg të Stambollit i quajtur “ Kështjella e shtatë kullave”, në mëngjezin e 11 majit të vitit 1771. Nëna e saj Parashqevia, kishte shkuar të takonte burrin e saj Kapiten Stavri Pinotis, që mbahej I burgosur nga turqit. Ai ishte një luftëtar I rezistencës greke, që luftonte për clirimin e Greqisë. Ajo kishte shitur gjithshka që kishte, vetëm që të shkonte e të takonte në burgun e tmerrshëm burrin e saj. Rruga për në Stamboll kishte qenë shumë e gjatë. Më kot kishte kërkuar ta ndihmonin në dyert e Fanarit, por më në fund kishte mundur të siguronte një leje që të shihte bashkëshortin e saj. Fatkeqësisht kur kishte arritur në qelinë e burgut ajo e gjetit ë vdekur burrin e saj. Nga trishtimi I madh gruaja fatkeqe e lindi fëmijën para kohe. Burzino shoku i Pinotis-it ishte i burgosur bashkë me të shoqin të saj, e ndihmoi Parashqevin gjatë lindjes dhe I vuri emrin Dhaskalina, në kujtim të nënës së tij. Më pas bashkë me Dhaskalinën e dobët Shqevo( i thërrisnin shkurt Parashqevisë) u kthye në Hidra, në shtëpinë e saj. Pas disa kohësh Shqevo shkon në Specaj , ku edhe martohet për të dytën herë. Edhe Specaj ishte populluar me arvanitas, por më të butë e më të dashur se ata të Hidrës që ishin edhe rivalët e tyre.
“Në Specaj flisnin arvanitika, pra shqip”, shkruan Michele de Grece nëpërmjet gojës së Bubulinës. “ Në fakt nëna, ati im dhe unë, ishim grekë pa qenë të tillë, Ishim grekë me shpirt e me zemër, me fe dhe me ideale dhe sigurisht grekë, të sakrificës, sepse ne jepnim edhe jetën tonë për Greqinë. Por jo grekë nga gjaku. Unë jam një arvanitase, me një fjalë shqiptare. Që prej kohësh tepër të largëta, raca e jonë ka patur emra tepër të ndryshëm. Vallë a janë pellazgët, ilirjanë. Di që Hidra është shqiptare dhe Specaj gjithashtu…”
Bubulina ka qenë një nga gratë më të shquara ndër pjesëmarrësit që luftuan në revolucjonin grek të vitit 1821. Në moshën 17 Bubulina u martua me kapitenin arbëresh të marinës së Specës-Dhimitër janozës. Në atë kohë Hidrotët dhe Spicotët ishin në luftë me piratët, që e vështirësonin shumë tregëtinë e tyre në detin mesdhe. Më në fund trimat i thyen piratët por në këtë betejë të ashpër mbeti i vrarë bashkëshorti i bubulinës.
Pas disa vjetësh Bubulina u martua përsëri me një kapiten shqipëtar,speciotin Dhimitër Bubulina, nga i cili mori mbiemrin dhe u bë e njohur dhe hyri në historinë e njerëzimit. Nga të dyja martesat pati gjashtë fëmijë, tre djem dhe tre vajza. Lufta që vazhdonte kundër piratëve i mori jetën edhe burrit të dytë, ishte viti 1811. Bubulina vuri në shërbim të luftës kundër turqve të gjithë pasurinë që kishte. Kjo zonjë mori pjesë në shumë beteja, si trime dhe burrëneshë e vërtetë si nëpër betejat në tokë ashtu edhe në det. Vetë ajo i udhëhoqi trimat edhe në Greqinë jugore. Shumë fitore të kryengritësve grek kundër pushtuesve turq kanë lidhje me sgjuarësinë si një stratege e vërtetë dhe trimërinë e saj. Tregojnë që në një betejë shumë të ashpër pasi i armatosi luftëtarët e saj arbëreshë dhe përgatiti anijet. Ajo mori drejtimin e anijes më të madhe, anijet më të vogla i la nën komandën e djemve të saj –janit dhe Gjergjit. Si fillim bllokoi Nafion, zbarkoi në Milos dhe furnizoi me ushqime ushtrinë e këtij qyteti. Më pas Bubulina mori pjesë në rrethimin dhe clirimin e Tripolicës dhe Monemvasit që ndodhet në Peloponez. Por fatkeqësit e ndoqën, në betejën e fundit ju vra i biri –jani. Në të gjitha betejat ku ajo luftoi dolën në pah aftësitë dhe talenti i saj i rrallë si një stratege, trime – një ushtarake e vërtetë., ku spikaste heroizmi dhe guximi shqiptar.
Historianët tregonin, se në Tripolicë ajo hyri e para hipur mbi një kalë, në krye të ushtrisë dhe për cudi ajo cliroi haremet e pashait. Bubulina trime mori pjesë edhe në luftën për clirimin e Naflios, i cili më vonë u caktua edhe kryeqyteti i përkohshëm i Greqisë. Kapedanen e tokës dhe të deteve e gjeje kudo mes luftëtarëve të saj. Bubulina shkoi kudo, e gjeje mes luftëtarëve si me Kollokotronin.
Shkrimtari i madh rus Gogol-i dhe shumë historianë e përshkruanin Bubulinën si një sokoleshë të vërtetë, truplidhur, të hijshme, të fortë si lisi, guximtare, e pajisur me një mencuri natyrale, stratege e vërtetë. Një historjan grek, Filimoni jepte këtë përcaktim për Bubulinën:” frikacaku përpara saj turpërohej, ndërsa trimi tërhiqej…” Kjo figurë e spikatur historike u quajt “heroinë” nga poetët dhe shkrimtarët e asaj kohe. Këtë grua trimëreshë e gjen të përshkruar me gjithë madhështinë e saj tek poeti arbëresh Zef Serembe, Zhyl Verni, tek historiani grek Kosta Biri, Michael Kokkinaris etj. Ajo tashmë është një legjendë nga gojëdhanat, poezia popullore, ka hyrë në pikturë, skulpturë, mbetet e tillë si në Greqi dhe Shqipëri, tek arbëreshët e Greqisë.
Kështu i këndonte Naim Frashëri asaj dhe trimit arbëresh Kanarit:” … Bubulina dhe Kanari shqiptar dhe bij shqiptari…”

Sipas Elena Gjikës, kur shkoi në kryeqytetine Perandorisë Osmane , u pranua në organizatën e shoqërisë së miqve(Heteris), e cila nën shembullin e revolucionit francez, i pranonte me dëshirë gratë në lëvizjen shoqërore revolucionare.

Sa e ashpër dhe e rëmbyer ishte në beteja kundër armiqve, aq e urtë dhe me shpirt humanist ndaj njerzve të pafajshëm. Por në majin e vitit 1825 vdiq Bubulina, e vranë në Specia tradhëtisht, jo në fushëbetejë. Një nga historianët e shumtë grek ,Diege Seria, shkruante për humbjen e Bubulinës:” Duart e një vrasësi e derdhën atë gjak, që gjatë betejave , hekuri i armikut e kishte “respektuar” për tu kushtur lirisë…” Ndërsa Michael Kokinaris thotë kështu për Bubulinën:” Ajo e filloj revolucionin dhe ishte e vetmja grua në histori që ju dha titulli i madh Gruaja e Parë Admirale nga Perandori rus…” Kurse italiani Periviane Xekini theksonte:” Bubulina ishte aq guximtare, sa në det ashtu edhe në tokë, i njihte rreziqet dhe vetëm i përbuzte, ajo luftonte vetëm për lirinë. Edhe pse kanë kaluar shekuj, që në kohën kur stërgjyshërit e saj kishin lënë Arbërinë, por edhe Bubulina nuk e harroi atdheun e saj të dashur, Shqipërinë. Historianët dhe biografët e saj thonë që Bubulina u jepte urdhëra detarëve të saj trima nëpër beteja vetëm në gjuhën shqipe. Ishte kjo gjuhë që i ngriti në këmbë fshatatrët arbëresh të Buas, të Spatës, të Lalës, të Laskës, Lopësit, Muzaqit. Ajo luftoi kundër armikut të përbashkët të Gadishullit Ballkanik. Historiani Hijasin Hekardi në veprën e tij: ” Historia dhe Përshkrimi i Shqipërisë së Sipërme”, pasi vë në dukje se, ”historia jep provat e shkëlqyera të energjisë, zgjuarësisë dhe veprimtarisë të shqiptarëve”theksonte se:” Shqipëria i ka dhënë historisë personalitete të ndritura, njëra prej tyre ka qenë edhe trimëresha Bubulina…”
Për Bubulinën janë ngritur shtatore, figura e saj është përdorë në kartmonedhat greke, sikurse janë realizuar edhe dy filma, i fundit në vitin 2005./KultPlus.com

Ermal Meta performon në Eurovision, shihni detajin shqiptar që i emocionoi të gjithë (FOTO/VIDEO)

Këngëtari shqiptar Ermal Meta, i cili këtë vit përfaqëson Italinë në Eurovizion ka performuar në mbrëmjen e së enjtes po në skenën e kësaj gare.

Ai bashkë me Fabrizio Moron kanë performuar këngën “Non Mi Fatto Niente”, por të njëjtit kanë paraqitur këngën e tyre të titruar në shumë gjuhë të botës, e duke pasë parasysh se Ermal Meta vjen nga Shqipëria, nuk ka pas se si të mos përfshijë edhe gjuhën shqipe.

Zyrtarisht, në skenën e Eurovizionit kjo dyshe do të ngjitet në mbrëmjen finale, të shtunën, shkruan KultPlus. /KultPlus.com


Lansohet projekti i parë i dy super këngëtareve shqiptare, ky është reagimi i Rita Orës dhe Bebe Rexhës (VIDEO)

Është bashkëpunimi i parë i dy shqiptareve me kaq famë të madhe, dhe është pikërisht bashkëpunimi i Rita Orës dhe Bebe Rexhës, të cilat tashmë kanë lansuar këngën e tyre “Girls Girls”, shkruan KultPlus.

Për një bashkëpunim të tillë patën paralajmëruar edhe vete këngëtaret, kurse kënga tashmë është lansuar vetëm në verzionin audio por jo edhe me videoklip.
https://www.youtube.com/watch?time_continue=1&v=6Ud4rep-fxE
Të dy këngëtaret tashmë kanë shprehur përshtypjet e tyre për lansimine këngës, e cila ka të përfshira edhe Cardi B dhe Charli XCX. Rita me këtë rast ka shkruar në rrjetet sociale se ndihet krenare me bashkautorët dhe se ka paralajmëruar edhe turneun koncertal në Skoci./KultPlus.com

Fito banesë N’deti!!!

Një banesë 56m² në rezidencën Luksoze ValaMar, tek Gjiri i Lalzit. Jepi vetes këtë mundësi të artë duke blerë vetëm në Interex.

Është shumë e thjeshtë: Blej nga brendet pjesëmarrëse në lojë dhe jepi vetes pafundësisht mundësi… Sa më shumë produkte blen, aq më shumë kupona fiton… pra nuk ka nevojë të blesh një vlerë, apo sasi të caktuara… vetëm blej produktet e dëshiruara dhe plotëso kuponat e fituara… Pushimet po vijnë, banesa po të pret! Vetëm në Interex.

Për informata kliko : https://goo.gl/dYH8UW ose kontakto 046160113.

Bebe Rexha thotë se është ngacmuar seksualisht nga producenti i Drake

Producenti i reperit Drake është duke u përballur me akuza për abuzime seksuale ndaj dy femrave, por atyre i është shtuar edhe këngëtarja me origjinë shqiptare Bebe Rexha, e cila ka treguar historinë e saj me anë të postimeve në “Twitter”, transmeton tch.

Bebe ka treguar se producenti Detail e kishte ngacmuar atë seksualisht.

“Ai e provoi edhe me mua, kur isha në fillimet e mia, por dola me vrap nga studio e tij. Karma një Bushtër”, shkroi Bebe Rexha në Twitter.

Kur Eugent Bushpepa këndon këngën ‘Jakup Ferri’ (VIDEO)

Eugent Bushpepa po bën krenarë të gjithë shqiptarët me paraqitjet e tij në Eurovizionin e këtij viti.

Megjithatë, një zë i fuqishëm si Eugenti ka pasur edhe më herët fansat e tij shqiptarë.

Eugenti, i njohur për hitin “Maska e madhështisë”, në vitin 2016-të këndoi në Jalë të Shqipërisë këngën “Jakup Ferri” të cilën sonte po e sjellim për lexuesit tanë.

Bushpepa do të ngjitet në skenën e Eurovizionit këtë të shtune, me 12 maj, në finalen e Eurovizionit, me një këngë të fuqishme me titullin “Mall”.

Në ndërkohë ta kujtojmë faktin se Eugenti e ndezë çdo skenë dhe në secilën paraqitje është i zjarrtë. / KultPlus.com

T’kam e jam nânë!

Ernestina Gjergji Halili.

T’kam e jam nânë !
( Për nânën teme sojnike e nânat si ajo!)

Kam rrokë qillin, tuj prekë tokën,
tuj thânë: T’dù !
Kam ul’ zanin, tuj brrit’ n’ajri,
tuj t’thanë: M’fal !
M’ke fshi lodin, tuj m’njeh fajin,
tuj m’thânë: Mo(s) !
Je keshë n’mu, tuj kjâ n’mushkni,
tuj m’thânë: Ani !
Idhnù n’mù, nderù n’mù,
tuj m’thânë: Çikë !
Knâqë n’mù, g’zu n’mù,
tuj m’thânë: Nânë !
Je çikë e grue, je nânë e zot,
Tuj t’thânë:
Nânë, je tanë ç’ka kam !
Jam çikë e grue, nânë e zot,
tuj m’thânë: Bijë, t’kam nânë !

‘Termokiss’ thërret për klubet që i përkrah me nga 1 mijë euro

Qendra shoqërore “Termokiss” fton të gjithë të interesuarit që të aplikojnë në platformën “#JepiJetë Klubeve të Termokissit”, iniciativë kjo që përmbledhë një nga platformat kryesore që përbëjnë programin e Termokissit.

Klubet janë organizime prej 2 ose më shumë personave të cilët janë të interesuar t’i zhvillojnë aktivitetet e tyre në kuadër të hapësirës edhe në bashkëpunim me komunitetin Termokiss. Klubet mund të dedikohen në çfarëdo fushe që nismëtarët e vetë e kanë pasion dhe vullnet t’i zhvillojnë, p.sh: muzikë, film, cirk, psikologji, edukim, ndërmarrësi, arte vizuele, sporte etj.

Katër idetë që vlerësohen nga komuniteti Termokiss si më të denjat, do të fitojnë përkrahje prej 1000 eurove për realizimin e ideve të tyre gjatë këtij viti.

Të martën me 15 maj në ora 18:00 zhvillohet takimi informativ ku komuniteti Termokiss shpjegon në detaj procesin e aplikimit dhe implementimit të kësaj platforme.

Për informata më të hollësishme rreth Klubeve të Termokissit, mund të konsultoheni në këtë vegëz.

Gjithashtu për informata shtesë mund ta kontaktoni Termokissin në [email protected].

Pastrohet Ura e Gurit në Prizren

Ditë më parë në Prizren si pasojë e zjarrit ishte dëmtuar Ura e Gurit. Ndërsa pas intervenimit të Komunës kjo urë është pastruar, shkruan KultPlus.

Komuna e Prizrenit ka njoftuar se pas dëmit të papërgjegjshëm nga djegia që i kishte ndodhur ditë më parë njërit prej objekteve më ikonike të qytetit, Urës së Gurit, komuna ka vazhduar me hapa për ta përmirësuar gjendjen.

“Harku i urës që ishte djegur tani është pastruar tërësisht, janë larguar të gjitha mbeturinat që ishin në të, janë larguar kabllot elektrike dhe është bërë izolimi i vendit. Gjithashtu janë larguar edhe grilat e hekurta dhe do t’i shtohet edhe ndriçimi. Ura e Gurit shumë shpejt do t’i kthehet pamjes që e meriton ta ketë”, thuhet në njoftimin e komunës.

Kujtojmë se duke marrë në konsideratë vlerat e mirëfillta të trashëgimisë, Ura e Gurit që nga viti 1948 është vënë në mbrojtje të shtetit. / KultPlus.com

Aktori Mensur Safqiu flet për shoqërimin në polici

Aktori Mensur Safqiu është arrestuar gjatë ditë së sotme për mospërfillje të urdhrave të policisë dhe për bllokim të një rruge njëkahëshe.

Ai është liruar në procedurë të rregullt ndërsa i janë shqiptuar dy fletëparaqitje, njëra për vozitje në rrugë njëkahore dhe tjetra për mosbindje ndaj policisë.

KALLXO.com ka kontaktuar aktorit për të sqaruar ngjarjen e cila dërgoi atë deri tek arrestimi.

Sipas tij, e gjitha filloi deri sa ishte duke udhëtuar me veturë për punë dhe ka hyrë gabimisht në një rrugë njëkahëshe.

“Ka ndodhë në rrugën e “Muhaxherëve”, kam hy në rrugë në njëkahje, ajo ka qenë rrugë dykahëshe dikur, se di çka më ka folë truri që jam hy edhe është blloku komunikacioni. Ishte mëngjes edhe njerëzit e revoltuar për punë edhe unë i revoltuar për punë të mia. Ai (duke thënë) unë kam të drejtë e unë ‘edhe unë kam të drejtë’. Ai ishte pak gjaknxehtë më provokojke edhe mu pastaj, erdhi policia e unë tu mendu që unë kam të drejtë edhe me policinë u silla pak keq edhe më morën deri në stacion. Shkova e dhashë deklaratën, tash jam në shtëpi”, shpjegon rastin aktori Safqiu.

I pyetur në lidhje me disa lëndë të lëngshme të dyshuara të cilat u gjetën në veturën e tij, Safiqu tha se kanë qenë shishe me ujë.

“Nuk ka, ato substanca të lëngshme janë kanë shishe të ujit, ata kanë të drejtë me dyshu çka të donë sepse e panë edhe ata që u silla pak keq”, tregoi Safqiu.

KALLXO.com gjatë ditës së sotme raportoi në lidhje me arrestimin e njërit ndër tre aktorët kryesorë të grupit të njohur të humoristëve kosovarë “Stupcat”.

Tre kantieret e restaurimit që nisin në verë

Kumbaro: Ca flasin, ca të tjerë punojnë gjithë ditën

Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, Muzeu i Kastriotëve në Sinë të Dibrës – Shtëpia e Vëllezërve Frashëri në Frashër të Përmetit janë tre kantieret e reja të restaurimit që do të nisin këtë verë. Projektet për rijetëzimin e tyre janë miratuar nga Këshilli Kombëtar i Restaurimeve.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ndan në Facebook me ndjekësit e saj këtë lajm, thekson se teksa shumë flasin, të tjerët punojnë për rivitalizimin e vlerave të trashëgimisë sonë. “Behari është kohë për turizëm, por edhe për restaurime. Ca flasin gjithë ditën e ca punojnë gjithë ditën, te këta të fundit bëjnë pjesë inxhinierët e Institutit të Monumenteve që kanë përgatitur projektet e restaurimit për 3 objektet e përfshira në kalendarin e restaurimeve të Vitit e Skënderbeut: – Memoriali i Skënderbeut në Lezhë, – Muzeu i Kastriotëve në Sinë të Dibrës – Shtëpia e Vëllezërve Frashëri në Frashër të Përmetit. Këshilli Kombëtar i Restaurimeve shqyrtoi e miratoi projektet dhe brenda verës fillon puna në të tre kantieret. Është padyshim kënaqësi për mua të ndaj me ju këto projekte. Shtëpia e Vëllezërve Frashëri në një nga zonat më të bukura të Shqipërisë #MbajmePremtimet #TurizmiKulturor #RrugetEKujteses”, shkruan Kumbaro.

Muzeu i Kastriotëve ndodhet në fshatin Sinë të Njësisë Administrative Arras Bashkia Dibër. Muzeu ka filluar të ndërtohet në vitin 1982 dhe për herë të parë është hapur për publikun në vitin 1985. Mungesa e mirmbajtjes së vazhdueshme si dhe shkaqet e agjentëve atmosferik përgjatë viteve kanë ndikuar në degradimin e objektit. Ndërhyrjet e parashikuara do të konsistojnë në hidroizolimin e tarracës, prishjen e degradimeve, pastrime, lyerje dhe riorganizim të ndriçimit.

Gjithashtu, objekt i këtij projekti është edhe muzealizimi, riorganizimi i muzeut duke filluar që nga pisjet përbërës të mobilimit dhe deri të elementët që do të ekspozohen dhe mënyra e ekspozimit të tyre. Në Memorialin e Skënderbeut në Lezhë ndërhyrja e parashikuar nga IMK dhe Ministria e Kulturës konsiston në punimet restauruese në monument dhe muret e qytetit Antik, ne rikonstruksionin e mbuleses, konsolidimin dhe restaurimin e piktures murale dhe mozaikut.

Ndersa per restaurimin “Shtëpia e Vëllezërve Frashëri”, janë parashikuar ndërhyrje në restaurimin e çatisë, dyerve dhe dritareve në përgjithësi, eleminimi i çarjeve në fasadë, restaurim të dyshemeve dhe riparime në suvatime. Gjithashtu do të bëhet sistemimi i terrenit përreth./ KultPlus.com

Fieri, qyteti mikpritës i Panairit Kombëtar të Librit

Qyteti i Fierit do të jetë sërish mikpritësi i Panairit Kombëtar të Librit. Në eventin e organizuar kanë marrë pjesë rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.

Qyteti i Fierit do të jetë sërish mikpritësi i Panairit Kombëtar të Librit. Në eventin e organizuar kanë marrë pjesë rreth 100 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.


Në panair ka rreth 5 mijë tituj, ku rreth 1500 prej tyre janë të rinj, pjesëmarrës janë personalitete të letrave nga bota akademike, shkrimtarë dhe studiues të ndryshëm.

Dita e parë i është kushtuar figurës së Skëndërbeut, në një tryezë shkencore hidhet dritë mbi figurën e Heroit mes historisë dhe letërsisë. Panairi do të qëndrojë i hapur katër ditë. Në fund të tij do të ndahen çmime për 4 autorët më të mirë të vitit./ e.gj./ KultPlus.com

“Derë e Hapur”, një film shqiptar në festivalin e Kanës

Shqipëria përfaqësohet edhe këtë vit në Marche du Film në Festivalin e Kanës. Me një stendë të përbashkët, Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë dhe Qendra e Kinematografisë e Kosovës prezantojnë projektet e reja dhe projektet kinematografike të realizuara, në këtë market të rëndësishëm.

Në 13 maj dy qendrat kinematografike ftojnë në një recepsion koleget e qendrave të tjera ballkanike dhe europiane, institucionet publike dhe private, producente, distributorë dhe drejtues festivalesh për të forcuar networkun midis tyre dhe kinematografinë shqiptare. Më 14 Maj do të zhvillohet në Pavionin Italian, CANNES BALKAN DAYS COPRODUCTIONS MEETING. Kana shënon takimin e parë i cili do të pasohet nga takimi në Tiranë gjatë edicionit të dyte të Balkan Film Market, që do të zhvillohet 3-7 Tetor dhe takimi i tretë do të jetë në Romë gjatë zhvillimit të MIA Market që është më i rëndësishmi i këtij lloji në Itali.

Ky aktivitet organizohet nga Roma Lazio Film Commission në partneritet me Balkan Film Market dhe qendrat kinematografike të Ballkanit, Albanian National Center of Cinematography / Bulgarian National Film Center / Croatian Audiovisual Centre / Macedonian Film Agency / Film Centre of Montenegro / Film Center Serbia. Në ketë takim do të prezantohen projektet ballkanike të cilat kërkojnë financim dhe partneritet nga produksionet dhe institucionet italiane. Gjithashtu filmi shqiptar “Derw e hapur” do të prezantohet në seksionin “Work in Progres’ ku është zgjedhur nga AGORA së bashku me 4 projekte të tjera ballkanike.

Më 14 maj në ora 14:00 filmi do të shfaqet në Palais K në Kanë. Derë e Hapur me regji të Florenc Papas është një projekt filmik që ka filluar në verën e vitit 2015. I mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë së Shqipërisë (QKK) në vitin 2016, skenari I këtij filmi u pranua në First Film First, ku regjisori Papas pati mundësi ta zhvillojë atë. Më pas projekti u zhvillua në programe të tjera si Midpoint, Priforum dhe Eastweek.

Më pas në fillim të vitit 2017 realizoi një pitch (prezantim) në Sofia Meetings. Ky projekt gjithashtu ka mbështetjen e QKK Kosovë dhe shumë forumeve te tjera ballkanike dhe europiane si SEE cinema Netëork, StarMediaFilm Molodist Boat Meeting’s ku u vlerësua si projekti më i mirë. Në shtator të vitit 2017 “Dere e Hapur” fitoi mbështetjen financiare nga Eurimages, duke konfirmuar edhe njëherë kualitetin e këtij projekti ambicioz, nga ky institucion i rëndësishëm evropian, shkruan GSH.

Agora një nga platformat më të rëndësishme që mbështet e promovon projekte filmike nga Greqia dhe rajoni në pjesën e postproduksionit që zhvillohet në Nëntor gjatë Festivalit të Selanikut ka përzgjedhur Derë e Hapur për ta paraqitur në festivalin e Kanës, dhe prezantuar përpara agjentëve të shitjeve, distributorëve dhe programuesve të festivaleve. Në 15 Maj do zhvillohet edhe mbledhja e radhës e EFP, European Film Promotions ku Shqipëria bën pjese si anëtare me të drejta të plota që prej vitit 2010./ KultPlus.com