Mirëdita, dobar dan

Nevena Radosavljević

Temperatura mbi 30 gradë, kaos dhe rrëmujë në trafik, aroma e njohur kaherë e blirëve të Beogradit – fundi klasik i muajit majit, do të thoshin shumë vetë. Ndoshta një ditë klasike maji, por situata në Beograd është gjithçka vetëm jo„normale“. Dje të gjitha mediat kanë gumëzhuar për fillimin e një festivali anti-serb në Beograd. Në kalimin administrativ midis Serbisë dhe Kosovës, artistët nga Kosova janë mbajtur me orë, pas së cilës janë konfiskuar edhe disa fotografi që ishin paraparë për ekspozitë. Pas ardhjes së tyre në Beograd, zyrtarisht u hap festivali „Miredita, dobar dan“. Por, natyrisht, siç po ndodh kohëve të fundit në Serbi, as ky festival nuk mund të kalonte „normalisht“. Dhe për shumicën e këtyre abnormaliteteve është fajtor askush tjetër pos krimineli i dënuar i luftës Vojislav Šešelj. Ithtarët e Partisë radikale serbe (PRS), të grupit Zavetnici dhe të Veprimit Serb tentuan që të pengojnë mbajtjen e festivalit, duke filluar protestat e tyre me ndezjen e qirinjve dhe me shëtitjen kah Qendra për dekomantimin kulturor, ku po mbahej festivali. Mund të jeni edhe për edhe kundër këtij festivali, mund t’ju pëlqejë apo jo, por t’i lejosh një krimineli të luftës të bëjë kaos në qytet dhe të shpërndajë urrejtje të cilën e ka shpërndarë edhe gjatë atyre viteve të tmerrshme të ”90-ave, këtë nuk mund ta bëni. Por këtu edhe një herë u tregua dobësia e Serbisë (ose thjesht mungesa e vullnetit) si shtet për t’iu kundërvënë edhe një propagande të urrejtjes. Që çështja të jetë edhe më e keqe, Vjerica Radeta, anëtare e PRS-së, duke përdorur çdo formë të gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale, paralajmëroi ardhjen e radikalëve në festival duke i dërguar „përshëndetje“ organizatores së festivalit „Shihemi, Sofija“. Policia reagoi, Sofija dhe Vjerica Radeta nuk u panë, por mbeti një ndjenjë e tmerrshme se radikalët edhe një herë bënë kaos të udhëhequr nga krimineli i luftës, kurse vajzën njëzet e ca vjeçe e kërcënoi personi kundër të cilit është ngritur aktakuzë pranë Mekanizmit të gjykatës ndërkombëtare në Hagë.

T’i kthehemi asaj dite të nxehtë beogradase. Për shkak të kaosit në trafik, hyj në taksi dhe them „Birčaninova 21“. Sa e nxituar qe kjo. „Kjo rrugë është mbyllur, mundet vetëm deri tek Slavija“ thotë taksisti. Natyrisht, e kisha harruar paksa kaosin e ditës së djeshme. Nga Slavija deri tek Qendra për dekomantimin kulturor rrugët e mbyllura, policia kudo përreth… Kurse në hyrje – kërkojnë dokumentet e identifikimit dhe bëjnë pyetje sikur keni bërë diçka gabim. E shikoj e hutuar derisa polici më pyet se kush jam dhe pse kam ardhur. „Që të marrë pjesë në konferencë“ përgjigjem me mosbesim. Biseda me policinë zgjati disa minuta, duke filluar nga pyetja „prej nga jeni, çka studioni, a keni qenë dje“ e deri tek deklarata „mund të hyni brenda vetëm nëse e njihni dikë”. Për fat të mirë, e njihja dikë. Njihja shumë prej tyre. Dhe për këtë arsye munda të hyj brenda. Është e çuditshme se si mund të gjeni në një vend aq shumë njerëz të cilët në fakt i njihni. Kjo është mbase përparësia e të jetuarit në veri të Kosovës, njihni njerëz edhe nga Beogradi edhe nga Prishtina e ju jeni zakonisht „ndërmjet“. Më në fund, fillon edhe konferenca „Kosova-Serbia: çka përfaqësojmë ne për njëri-tjetrin.“ Konferencën mund ta ndiqni në tri gjuhë: serbisht, shqip dhe anglisht, derisa moderatori, Idro Seferi, flet rrjedhshëm edhe serbisht edhe shqip. Midis folësve janë Jovana Prusina, Emel Ajdini, Eraldin Fazliu dhe Bojan Elek. Secili në mënyrë të ndryshme, nga perspektiva e tij, flet për luftën në Kosovë dhe jetën që pasoi dhe të cilën të gjithë ne po e ndajmë. Jetën e mbushur me propagandë mediale, kujtimet për të kaluarën por edhe mospasjen e rasteve që të njihemi me njëri-tjetrin. „Vitet e nëntëdhjeta ishin tragjedi, tani po e përjetojmë një farsë“ konkludon Bojan Elek, duke iu referuar Marksit, për situatën politike të cilin po e jetojnë së bashku edhe Serbia edhe Kosova. Në sallën përplot me serbë e shqiptarë, folësit i përmbyllën paraqitjet e tyre me thirrje për pajtim, njohje reciproke dhe mësim të gjuhëve.

Edhe atë pak optimizëm të krijuar midis mureve të Qendrës për dekontaminim e thyen dalja jashtë dhe edhe një përballje me policinë e cila dënueshëm ju shikon edhe vetëm pse keni ardhur të mbështetni këtë „tradhti të Serbisë“.

Derisa i drejtohem Sofisë me një „përshëndete Vjerica Radetën“ largohem nga festivali e së shpejti edhe nga Beogradi. Prapa meje mbetet kordoni i policisë, raportet në media dhe edhe një festival „Mirëdita, dobar dan“. Mendoj për ata policë dhe shikimin e tyre që më përcolli. Sipas të gjitha gjasave sot e kam tradhtuar Serbinë. Atë Serbinë e luftës, atë të Šešeljit. Atë e cila e sulmon Sofijen sepse ajo po përpiqet të ndryshojë diçka. Atë e cila urren. Atë Serbi e kam tradhtuar shumë moti. Gjenerata ime është dënuar të rritet në luftë dhe të kalojë fëmijërinë e saj në mënyrën që askujt nuk do t’ia dëshironit. Por brezi im nuk duhet të jetë i dënuar të urrejë. Brezi im është ai që duhet t’i kundërvihet krimeve, të mos bie pre e thirrjeve luftënxitëse të Šešeljëve të rinj e të vjetër. Brezi im është ai që duhet të tregojë se mund të bëjmë ndryshe. Ajo që do t’u thotë “lamtumirë, zbogom” tmerreve të së kaluarës dhe “mirëdita, dobar dan” një të ardhmeje më të mirë.

Elida Dakoli, së shpejti për një kauzë në Shqipëri

Elida Dakoli, një pianiste e talentuar nga Shqipëria që jep koncerte në shumë qytete të Amerikës, ishte këtë javë në Uashington për një recital dhe për të treguar përpara një audience se si familja e saj i mbijetoi komunizmit. Ajo tha se në Shqipëri do të duhet kohë që njerëzit ta kuptojnë se çfarë kanë kaluar, sepse ata janë ende nën efektet e vështirësive të tranzicionit.

Elida Dakoli mbërtheu vëmendjen e dhjetëra të pranishmëve me tingujt delikatë dhe elegantë të pianos së saj, shkruan Zëri i Amerikës.

Ajo jeton në Teksas, pas një karriere që mund të quhet mjaft e suksesshme me standardet amerikane. Sot ajo mban doktoratën për arte muzikore nga Universiteti Shtetëror i Luizianës.

Elida interpretoi në një sallë të Uashingtonit, një objekt nëntokësor në zonën e quajtur Dupont Circle që i ngjan një tuneli dhe ku janë ekspozuar imazhe të atyre që vuajtën në Gulagun sovjetik gjatë komunizmit.

Organizator i aktivitetit ishte Fondacioni për Përkujtimin e Viktimave të Komunizmit. Marion Smith, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit tha se Elida përfaqëson jo thjesht një pianiste të talentuar: “Ajo na dha një shfaqje të bukur. Ne mësuam historinë e saj, mësuam se si ajo u bë një pianiste e shkëlqyer në një regjim totalitar që ishte kundër saj dhe kundër familjes së saj. Ajo kuptoi bukurinë e muzikës, ajo mbijetoi. Muzika dhe talenti i saj i mbijetuan regjimit totalitar të Enver Hoxhës.”

Elida erdhi të interpretojë këtu, sepse ajo ruan kujtime të dhimbshme nga vuajtjet që kaloi familja e saj nën komunizmin shqiptar.

Familja e saj nga ana e babait dhe e nënës pati një fat mjaft të dhimbshëm. E pyetur se si e shpjegon mungesën e ndjeshmërisë që ekziston në Shqipëri për atë që hoqën njerëzit gjatë komunizmit, ajo thotë: “Mendoj se do të duhet kohë për Shqipërinë që njerëzit ta kuptojnë se çfarë kanë kaluar. Mendoj se ata janë ende në atë periudhë tranzicioni që është ende shumë e vështirë dhe ata po përpiqen të përballojnë jetën nga dita në ditë, jetën që do të thoja është ende e vështirë”.

Elida është sot fytyra e kompanisë prestigjoze amerikane të pianove Mason & Hamlin. Së shpejti ajo do të shkojë në Shqipëri për të dhënë koncerte dhe do të çojë një piano, një dhuratë e saj dhe e kolegëve të saj në Dallas.

Bashkë me pianon ajo do të çojë në Shqipëri një pjesë të ndjenjave dhe do të flasë për një kauzë që ndikoi mjaft në jetën dhe karrierën e saj.

Dritëro Kasapi, drejtori i ri i Riksteatern në Suedi

Regjisori shqiptar Dritëro Kasapi është zgjedhur drejtor i ri i Riksteatern – kompanisë teatrore të njohur në Suedi.

Me rreth dy dekada përvojë pune si drejtor artistik dhe si regjisor në Suedi dhe në shtete tjera evropiane, Kasapi ka marrë kësisoj postin e tij të radhës.

Ai vjen nga Maqedonia dhe do të fillojë punën në këtë pozitë në nëntor të këtij viti.

‘Riksteatern është një institucion me njerëz të talentuar dhe i cili u jep mundësi të ndryshme artistëve. Më vjen mirë që kam fituar besimin për të udhëhequr me këtë teatër, e kam përcjellë për shumë vite dhe mendoj se do të ndihmoj në zhvillimin e tij të mëtutjeshëm” ka thënë Kasapi për mediat suedeze.

Ai ka inskenuar ndër vite punë nga Bertol Brecht, Henrik Ibsen e Carlo Goldoni.
Janë rreth 240 asociacione që janë pjesë e Riksteatern – të cilat edhe e financojnë atë, pasi ai shërben si teatër lëvizës nëpër Suedi me qëllimin të prodhojnë vepra teatrore me kualitet që ato të shihen më pas nga njerëzit e të gjitha zonave në Suedi. / KultPlus.com

Sopranoja Jeta Çitaku me koncert në Bullgari

Sopranoja Jeta Çitaku do të koncertojë në Bullgari.

Bashkë me Melos Buzën në piano, sopranoja me datë 26 qershor do të performojë në Sofia Music Weeks në Sofje të Bullgarisë.

Çitaku do të jetë pjesë e edicionit të 49-të të këtij festivali të rëndësishëm.

Ariet nga Verdi, Puccini dhe Mozarti do të vijnë të mishëruara nga zëri i ëmbël i Çitakut.

Sopranoja Jeta Çitaku është emër i njohur në muzikën klasike shqipe. Në vitin 2005 ajo morri çmimin e parë në ARS Kosova ndërsa ka ndjekur masterklasa nga emrat Nina Mula, Josip Gjipali e Ivan Konzulov. / KultPlus.com

Varroset Suad Jamini nga Grupi Jericho

Mes familjarëve, miqve e kolegëve, iu dha sot lamtumira e fundit Suad Jaminit, basistit të rock-grupit kosovar ‘Jericho’, i cili vdiq të enjten mbrëma.

Mësohet se Jamini ka vdekur në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa deri tash nuk ka ndonjë informacion zyrtar për vdekjen e tij.

Lajmi për vdekjen e Suadit u bë i ditur nga bashkëshortja e tij, ndërkaq të shumtë kanë qenë ata që kanë ngushëlluar familjen dhe janë shprehur të tronditur nga ky lajm.

Pjesë e grupit, përveç të ndjerit Jamini, janë edhe vokalisti Petrit Çarkaxhiu, kitaristi Leonard Canhasi dhe bateristi Visar Rexha.

Ai ka lënë pas gruan dhe dy fëmijë.

‘Gratë duhet t`i adhurosh ose t`i braktisësh. Rrugë të mesme s`ka’

Që të bëhesh qesharak s`të mjafton vetëm guximi, por duhet të kesh edhe moskokëçarjen e nevojshme.
Ka më shumë prostituta ndërmjet grave që s`kanë fjetur kurrë me një burrë sesa ndërmjet atyre që janë të detyruara të nxjerrin bukën e gojës me atë zanat të vështirë.
Karakterin më të fortë e kanë cinikët, kurse ata që nuk durohen fare janë idealistët.
Pushteti është sëmundja më ngjitëse që ekziston.

Çdo gjë që mund të rregullohet me para është lirë.
Portretet të ngushëllojnë vetëm në dhé të huaj.
Njeriu është i madh kur llap për parimet e veta, por është i dobët kur vjen puna për t`i zbatuar.
Jeta është një çështje tepër e madhe, saqë të kalojë përpara se ne të pushojmë së marri frymë.
Mëshira është diçka që u shkon kohëve të qeta, të paqta. Mëshira nuk bën kur vjen puna për jetë a vdekje.
Po të harrojë njeriu diçka, ajo i mungon më vonë gjatë jetës. Kurse atë që s`e harron dot ajo ta nxin jetën.
E pakushtueshme është vetëm ajo që njeriut nuk i rri natyrshëm.

Kur ke ndër mend të bësh diçka, mos pyet për pasojat. Përndryshe nuk e bën kurrë.
Për gjërat e vogla s`është keq të pyesësh, për të mëdhatë kurrë.
Të dashurosh do të thotë të lidhesh me dikë me të cilin do të plakesh.
Fjalët e vërteta kanë nevojë për më shumë dritë.
Gjithmonë njëri braktis i pari. Dhe nganjëherë ai tjetri është më i shpejtë.
Nga kuptimi i tepërt vijnë të gjitha keqkuptimet në këtë botë.
Ai që është vërtet i humbur, nuk flet fare.
Gjithmonë ishin gjërat e vogla ato që të bindnin, kurrë të mëdhatë. Të mëdhatë ndodheshin shumë pranë gjesteve dramatike dhe tundimit për ta gënjyer tjetrin.
Vetëm gjërat e thjeshta nuk të zhgënjejnë kurrë.
Kur njeriu dashuron dikë, gjen edhe fjalë të përshtatshme.

Qetësia është e mirë vetëm atëherë kur je vetë i qetë.
Për t`u gëzuar, njeriu s`ka nevojë për dikë tjetër.
Gjithmonë gjëja më e lehtë në ndarje është të ikësh.
Dashuria e bën gruan të mprehtë, ndërsa burrin konfuz.
Me vrasje nuk arrin të shuash shumë. Kush ka vrarë shpesh, nuk vret nga dashuria. Atëherë vdekja bëhet e vockël dhe qesharake. Pastaj ajo s`është punë grash, është vetëm çështje burrash.
Ishujt nuk izolonin dot. Dhe shqetësimit të zemrës nuk mund t`i viheshin kufij; njeriu e humbiste gjithmonë më lehtë atë që e mbante ndër krahë dhe kurrë atë që braktiste.
Rruga më e mirë për të humbur një grua ishte që t`i tregoje asaj një jetë të cilën mund t`ia siguroje vetëm për ca ditë. Ajo do të përpiqej pastaj ta rifitonte atë jetë, por me dikë tjetër i cili do të ishte i zoti t`ia siguronte vazhdimisht.

Njeriu plaket vetëm kur nuk ndien më.
Është heroizëm i kotë të zgurdullosh sytë pas hijeve të së kaluarës pa alkool në bark.
Shpjegimet janë gjëra të dorës së dytë. Ndjenja nuk njeh shpjegime. Vetëm veprime.
Skenat janë me vend vetëm kur njeriu është mesatarisht i mërzitur.
Gratë duhet t`i adhurosh ose t`i braktisësh. Rrugë të mesme s`ka.

Mjekët s`duhet t`i njohësh kurrë personalisht… Mjekët duhet të banojnë nëpër spitale dhe s`duhen lejuar kurrë të dalin jashtë e të bien në kontakt me profanen.
Edhe kafshët eksperimentale duhet të kenë njëfarë krenarie profesionale.
Kush nuk u beson çudirave në dashuri, është i humbur.
Me gratë nuk duhej diskutuar… Del gjithmonë i humbur. Në duart e tyre logjika kthehet në dyllë dhe përpunohet sipas qejfit. Duhej veprim dhe pikë.

– Erich Maria Remarque, “Harku i Triumfit”

Përgatiti: Muhamet Rexhaj

Artisti Petrit Halilaj, me ‘Abetare’ në Paris

Kësaj radhe ai ka synim Parisin.

Në vetëm pak ditë, Petrit Halilaj do të jetë pjesë e një ekspozite kolektive në Palais de Tokyo në Paris.

Puna e tij, instalacioni “ABETARE” është në mesin e punëve ekspozuese në “Childhood – another banana day for the dream-fish”, ekspozitë kjo që sjellë ashtu siç tregon vetë titulli i saj, fëmijërinë artistike.

Për Petrit Halilajn, koha e fëmijërisë është një inspirim për punën e tij. “ABETARE” është një nga punët më të mira të Petritit, artistit fitues në Bienalen e Venecias por edhe në çmimin Mario Merz, shkruan KultPlus.

Me anë të kësaj pune ai hulumton fëmijërinë, identitetin dhe kujtesën e një kohe tjetër, duke ndërtuar objekte të ndryshme brenda një hapësire të madhe që sjellin fëmijërinë e tij në trajta të ndryshme.

Sandra Adam-Couralet dhe Yoann Gourmel janë kuratorë të ekspozitës e cila do të hapet me 22 qershor dhe do të qëndrojë e tillë deri me 9 shtator.

Në ekspozitë do të vijnë edhe punë artistike nga Jonathan Monaghan, Chihiro Mori, Kiki Smith , Tomoaki Suzuki, Sabrina Vitali, Yûichi Yokoyama, Andy Warhol, Anna Hulačová, Binelde Hyrcan e artistë tjerë.

Në ekspozitë vijnë artistët të bashkuar me zanatçinjtë. / KultPlus.com

Eleni Foureira do të këndojë në Tiranë

Këngëtarja me prejardhje shqiptare, Eleni Foureira, do të këndojë në Tiranë.

Në kuadër të turneut evropian, ajo me 25 korrik do të këndojë në Tiranë. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ajo në Instagram.

Turneu fillon në Qipro dhe vazhdon në Angli, Spanjë, Maltë, Suedi, Holandë e Greqi, me ndalesë edhe Tiranën shqiptare.

Summer tour 2018 … stay tuned more to come… #fuegotour#foureira #fuego

A post shared by Eleni Foureira (@foureira) on

Eleni së fundmi i dha një shtysë karrierës së saj duke marrë pjesë në Eurovizion dhe duke dalë e dytë në fund, shumë afër fitores.

Eleni kohë më parë e ka mohuar prejardhjen e saj por kohën e fundit ajo ka treguar se është krenare që ka prejardhje shqiptare dhe se i falenderon të gjithë fansat nga Shqipëria për mbështetjen e tyre. / KultPlus.com

Mira Meksi- “Flutura mes gjinjve”

Shkruan: Liridona Rrahmani

Vepra e atyre që guxojnë të dashurojnë

Në veprën e Mira Meksit ndeshemi me shtjellimin, zgjerimin dhe thellimin e jo pak tematikave dhe ideve, ajo i paraqet në trajtë shkëndijimesh, përvojash, përjetimesh, ndjesish apo reflektimesh në lidhje me jetën, vdekjen, kohën, hapësirën, psikikën njerëzore, identitetin, kujtesën, harresën, traditën, erosin, dashurinë, lirinë, shkrimësinë, të vërtetën, realen, irrealen etj.

Meksi tregimet e saj i ka shfaqur si një udhëtim nëpër një mori kohësh e vendesh të njohura dhe të panjohura, reale dhe irreale, psikike dhe fizike. Vepra përmbledh tregime dhe novela pjesa më e madhe e të cilave botohet për herë të parë, ndërsa pjesa tjetër është botuar nëpër organe të ndryshme letrare.

Njëra ndër temat më të pranishme ,pothujse në të gjitha tregimet është dashuria si fenomen i reales njerëzore, të cilën autorja e ka skapitur në mënyrë origjinale, mirëpo duke e paraqitur në rrjedhim të situatave të ndryshme.
Dashuria si fenomeni më i plotë njerëzor është shfaqur në titull të veprës “ Flutura mes gjinjve”, dhe është titulli hyrës i tregimit. Titulli i veprës ,si asocion në kuptimin e tatuazhit të fluturës japoneze mes ginjëve të një gruaje të bukur, që fsheh mistere erotike. Meksi misterin e fluturës e fsheh tek Viola, kurse origjinën japoneze tek Jorikua dhe të dyja së bashku përbëjnë simbolin e dashurisë së përjetshme, të dyja kishin mes gjinjëve tatuazhin e përgjakur dhe të përjetshëm të profilit të fluturës.

Në këtë tregim përveq temës së dashurisë, temë tjetër përmbajtësore është misteri dhe fshehtësia e trinomit: Viola,personazhi femër ose personazhi rrëfyes i ngjarjes dhe Jorikua, që nuk është personazh konkret, mirëpo përmes figurës së saj Viola, personazhi kryesor, kthehet në retrospektivë duke rrëfyer ngjarjet e njëjta të jetës së saj, në ato të Jorikuas.

Personazhi femër është rrëfimtarja, përmes të cilës autorja bart idetë e ndërtimit dhe krijimit të tregimit. Lidhja e personazhit femër dhe Violës ishte miqësi, dhe elementi që i bashkonte të dyja ishte qyteti i Parisit, mirëpo ngjarja zhvillohet në Tiranë.

Jorikua si e kaluara e humbur e Violës, bëhet shkaku kryesor i krijimit të lidhjes personazhit femër- Viola; momentet e vajtimit të Violës shfrytëzohen nga e shoqja për arritjen e synimit, synim, që përbënte tërheqjen fizike, emocionale dhe seksuale.

Pasqyra e Jorikuas shfaq dashurinë njerëzore dhe misionin e tyre: Jorikua kërkon sublimimin e poezisë dhe përfundon tragjikisht, blaton jetën dhe dashurinë trupore përmbushjes të misionit të saj përkatës, përmes vetvrasjes. Vetëvrasja për të ishte e vullnetshme.

Realiteti paralel apo bota paralele është e pranishme në tregimet e Mira Meksit, është dashuria, rastësia, aksidenti dhe befasia, kjo botë paralele ralizohet në tregimet “ Dashuri e fajshme”, “ Dashnorët e Venedikut”, “ Befasi”, “ Verë në Firencë” etj.

“Dashuri e fajshme” zhvillon një dashuri të lindur në rrethana rastësore, dashuri e papërshtatshme, dashuri, të cilën Meksi e paraqet përmes një vajze 20 vjeqare dhe profesorit 50 vjeqarë. Rastësisa që bashkoi këta dy personazhe është letërsia, vajza pasionante e letersisë kurse profesori studiues i saj.
Tradhëtia me intrigë pëson lëshim të përgjithshëm nga viktima (bashkëshortja), lëshim, që nënkupton heqje dorë nga ajo, dhe kapja e dorës së të dashurës, rrethanat e vazhduara atë lëshim e krijojnë kapje të dorës së lëshuar, bashkëshortja nuk është e paraqitur sikur personazh.

Dashuria e humbur dhe tradhëtia janë dy faktorët kryesorë, që i shtynë viktimat në krimin hyjnorë, pra vetvrasjen; krim, që ndëshohet me jetën në ferr. Autorja në çastin e vetvrasjes e paraqet si aksident të befasishëm, që nënkupton plumbin e befasishëm të revolës që kalon përmbi kokën e viktimës, dhe shkakton vetvrasjen e munguar-aksidentin. Këtë dukuri Meksi e rrëfen përmes të kaluarës së profesorit. Tregimi përfundon me ndarjen e heshtur të një dashurie të fajshme, pa ndonjë arsyie konkrete.

Dashnorët e Venedikut ka të njëjtën tematik sikurse tregimi“Dashuri e fajshme”; dy të dashuruar, që gjejnë shpëtim në dashurinë e tyre, mirëpo elemeti i shpëtimit tek personazhi mashkull, është paraqitur ndryshe nga ana ndijeore, sepse Alfred de Musset arrinë të lirohet prej djajëve të errësirës së shpirtit të tij, kurse profesori i letërsisë rikrijon jetën e tij të vetmuar në jetë të plotësuar.

Meksi i karakterizon dy personazhet e saj në këtë tregim me të njejtin profesion dhe pasion, që është shkrimi mirëpo i dallon nga karakteri, të menduarit, paraqitjes, veprimeve, çasjes së shkruarit. Aurore Dupin, e njohur me pseodonimin mashkullor letrar Georges Sand, si shkrimtare kërkon të shijoj kënaqësinë e dashurisë mbrenda paqës, kurse Alfred de Musset, si shkrimtar që kërkon të mbaj zemrën e varur nga shqetësimi, apo të shtrënguar nga tmerri.
Hapat e tyre të lumturisë në Parisë, kishin filluar të bjernin shkallëve të ngatërresave dhe palumturisë, të cilat u shfaqën në udhëtimin e tyre në qytetin e Italisë. Sëmundja e papritur e Sand-it, neveria dhe kthimi i krizave të çmendurisë së Musset, shërimi i të dashurës dhe përpjekja e saj, për ta shpëtuar Musset-in, dhe në fund pësimi, pra vdekja e tij.

Legjendën e portave të Venecias, autorja e shfaq përmes personazhit kryesor, në të cilën shpalos misterin e legjendës e cila zbulohet nga Sand-I, misteri i mundësisë për ta hapur zemrën. Këtu portat personifikojnë rastësinë e personazhit për gjendjen e saj, ishte nisur për te gjetur ilaqin për të dashurinë dhe përfundon rastësisht para portave, dhe elementi befasues për ndryshimin që realizohet në qenien e saj. Hapja e portave simbolizon hapjen e jetës së realitetit, dhe mundësinë e krijimit të jetës së re.

Për Mira Meksin tregimi është hapësira e kultivimit poetik të elementit fantastik, nëpërmjet të cilit zhvillon imagjinatën e lexuesit përtej botës reale, dhe krijon nje pikëtakimi fantastik të tregimeve si “ Dashnorët e Venedikut”- të fshehtat e tri portave magjike në Venecia, “Kukullat Binjake”- paraqitja e së vdekurës në jetë të kujtimeve, dhe novelës “ Drakula në labirintin e tij”-paraqitja mistike e labirintit, pamjet mistike, historitë e vdekura, dhe personazhet fantazmë të tij.

Autorja në novelën “ Drakula në labirintin e tij,” përshkruan të vërtetën e mizorisë, luftës, dashurisë dhe vdekjen e Kontit Drakula, që e sjell përmes një shkrimtareje dhe djalit të saj, të cilët vizituan ambientin e labirintit. Përsosmëria misterioze e labirintit pasqyrohet nëpërmjet hapësirës së tij të pabesë, mënyrat e fshehura, errësirës së pafund, shkrimeve, vizatimeve, statujave humanoide, kafshëve , simbole guri, objekteve të ngarkuara me energji të lashtë, të cilat krijonin energji negative dhe shprehnin dhimbjen, gjakun, torturat, barbarit, mizorinë, që është përjetuar në labirint.

Viktimë e mizorisë është princi Vlas III Drakula, mizori e krijuar nga mbreti Matthia Covin I. Tradhëtia e mbretit të Hungarisë së Mesjetës përbënte, mbylljen e njeriut të vet në labirint, njerun që mbronte mbretërinë dhe luftonte kundër perandorisë osmane, mbyllje me kohëzgjatje 10 vjeqare e shoqëruar me tortura fizike, emocionale dhe psikologjike.Përmes kësaj novele, Meksi e konkretizon besimin si akt të mosdorëzimit dhe imagjinimit, të ekzistimit të gjërave që ndodhen brenda kaosit dhe ndoshta nuk ekzistojnë.

Kujtesa tek Mira Meksi shfaqet si frymëqëruese, vetëm ajo mund të kthehet në proces katarsik. Për këtë arsyie, të tërë personazhet e Mira Meksit ngarendin vazhdimisht me këmbgulje të kujtojmë.
Kujtesa dhe ndërkujtesa e njeriut paraqitet në novelën “ Kukullat binjake”, si kujtesë e kujtimeve të reja dhe ndërkujtesë e kujtimeve të vjetra. Kujtimet e vjetra që me kohë zëvendësohen, mirëpo Meksi këtë faktë e shfaq ndryshe, ajo e ruan rëndësinë e kujtimeve të vjetra duke i paraqitur si kujtime të pazëvendësueshme.
Vajza 9 vjeqare është kujtesa, kurse dy kukullat e saj Majli dhe Mejli ndërkujtesa, të dy kukullat harrohen për një moment të caktuar kohor nga pronarja, mirëpo varreza janë shenjat e rikujtimit të tyre nga pronarja, kryesisht varri i saj është shenja.

Këtu personazhi i Meksit është e vdekur, një shpirtë i valvitur. Autorja sjell shpirtin e një vajze të ndjeshme me të gjitha karakteristikat fëmijërore, duke filluar prej paraqitjes, përshkrimit, veprimeve, të menduarit etj.
Për lexuesin është interesante sesi autorja e shfaq këtë vajzë, në fillim të tekstit ajo jeton, në fund kuptohet që është e vdekur. Kjo mënyrë e të shkruarit nxit lexuesin për të lexuar dhe e befason, kur sjell elemente të papritura.

Politika e Shqipërisë në këtë vepër shfaqet në dy pjesë përmes dy tregimeve, së pari tregimi “Flutura mes dy gjinjëve”, në të cilën shfaqet koha e Shqipërisë, ku mbizotëronte tradhëtia ndaj atdheut, vrasjet e krerëve të vendit të planifikuara mizorisht, burgime të pafajshme, librat e ndaluar të autorëve, së dyti tregimi “Dashuri e fajshme”, ku shfaqet Shqipëria e viteve 90-ta dhe vendi i intelektualeve në politik ishte i skaduar, kohë në të cilën shpresa për demokraci dhe mirëqenie ishte shkatërruar. Tregimi “Prifti i mallkuar dhe gjuha shqipe” përmbën një tematik të rrjedhimit politik, ku paraqiten intersat e dy fuqive, fuqive osmane dhe naziste për shkatërrimin e gjuhës shqipe.

Titulli është paralajmërim për lexuesin, që ka të bëjë me një prift shqiptar të mallkuar, mirëpo jo të mallkuar në kontekstin e mëkatëve, por të mallkuar nga puna dhe mbrojtja e gjuhës shqipe. Mallkimi i tij përfshinte torturat,ndjekjet, burgimet që përjetoi nga perandoria osmane fillimisht, pastaj nga nazistët gjerman.
Vlerat jetësore të gjuhës shqipe shquanin shkakun e luftës së priftit me perandorinë osmane, rimohuesit e atdheut shqiptar dhe në fund nazistët gjerman. Lidhja mes priftit shqiptar dhe nazistëve gjerman ishte fshehtësia e gjuhës shqipe, të shenjtë, fshehtësi që zbuloi prifti shqiptar. Fshehtësi e zbuluar në librat e shenjët të Sibilave, që i paraqiste nazistët si shkatërrues të njerëzimit.

Meksi në këtë tregim ngritë vlerën e gjuhës shqipe, sepse sjell në pah origjinën e saj të ilirishtes, që e solli si të vërtetuar në tekstin alkimik, si një gjuhë, që rrjedhte prej dialektit të ilirishtes ishte e njëllojt.
Prostitucion në tematikën e Meksit “ Flokëkuqja e Parisit” është krahasuar përmes dy kohëve të tij, kohës së fillimit të botës, ku bota prostitucionale shquhet si modesti në veti, aty ku prostitutat krahasoheshin me Afërditën. Kurse, koha e komunizmit e shquante këtë profesion të pandërgjegjshëm, kohë në të cilën bëhej dhunshëm trafikimi i vajzave të reja dhe të mitura për prostitucion, punë që ushtrohej edhe si mjet për të shpëtuar nga varfëria, vrasja dhe tortura.

“Flokëkuqja e Parisit” është tregimi që ngërthen në vete jetën e një femre që ushtron punën si prostitut, dhe nga vet titulli kuptojmë që kemi të bëjmë me një femër, ngjyra kuqe përcakton dashurinë, mirëpo në këtë tekst nuk ka asnjë shenjë dashurie, vetëm dashuria është rrjedhimësi e punës prostitucionale, dhe misterit, që përmbante dama flokëkuqe e moshës 50-të vjeqare.

Flokëkuqja si personazh përmbanë karakter misterioz, prostitut profesionale, përveq moshës të vjetër që kishte, njëkohësisht dhe veprimeve të saj e përcaktonin profesionalitetin e saj, me lëvizje të prera dhe inponuese saqë të gjithë humbnin para saj kur bisedonin me të, kishte një elegancë të sodisur me fshehtësi, një tërheqje fshehurazi, një kod të pazbulueshëm. Përmes këtij tregimi, Meksi paraqet dukurinë e prostitucionit, si punë, e cila ushtrohet nga gjinia femërore me dëshirë, punë që ngel në shpirtin e tyre dhe ndalohej në momentin, kur vdisnin.
Mira Meksi përbënë një risi në tregimin shqip, qoftë përmes elementeve të larmishëm të ndërteksteve, të pranishëm deri tek titujt, siç shfaqet rasti i Pierre Menard-i, dyti autor i Kishotit dhe i “Buzëqeshja e fundit e Beatriçes”, të përvetësuar nga Borgesti apo rasti “Dashnorët e Venedikut”, i përvetësuar nga Charles Maurras.
Shkrimi i Mira Meksit është një nga shembujt letrar, të tejkalimit të rrëfimit tradicional dhe të krijimit të një tregimi të ri në letërsinë shqipe ku gërshetohen elemente të esesë, realizmit magjik dhe tregimit neofantastik.

Pjetër Logoreci në Vjenë: Figurat si Aleksandër Moisiu, Gjergj Kastrioti e Nënë Tereza i tregojnë botës që nuk jemi njerëz më bisht siç na kanë quajtur

Nën moton “të rizbulojmë të përbashkëtat“, Viti i përbashkët i Kulturës Austri-Shqipëri 2018, vazhdoi serinë e aktiviteteve kulturore ne Vjenë, kësaj radhe me një aktivitet të veçantë, shkruan KultPlus.

Me mbështetjen dhe bashkëpunimin e frytshëm me Theater Museum dhe ndihmën e studiuesit Pjeter Logoreci, ambasada e Vjenës bëri të mundur ekspozimin për herë të parë për publikun e gjerë, të 15 objekteve personale të aktorit të madh të skenave austriake dhe Evropiane, Alekander Moisiu. Trashëgimia e tij është kthyer tashmë në një simbol të lidhjeve të ngushta tradicionale kulturore midis Austrisë dhe Shqipërisë.
Aktiviteti u ndoq me shumë interes nga komuniteti shqiptar me banim e punë në Austri, si dhe miq e artdashës austriak.

Të pranishmit u përshëndetën nga Drejtori i Theater Museum Thomas Trabitsch, Drejtore e Departamentit të Kulturës në Ministrinë Federale për Evropën, Integrimin dhe Punët e Jashtme, Ambasadore Teresa Indjein dhe Ambasadori Roland Bimo. Për jetën dhe veprimtarinë e aktorit të madh Aleksandër Moisiu, fjalën tematike e mbajti studjuesi Pjeter Logoreci.

Pjetër Logoreci në fjalën e tij u shpreh se kur flet për Aleksandër Moisiun nuk mund t’i ndal emocionet ndërsa u shpreh i lumtur që për katër vite ka pasur kontakt me objektet e tij, të cilët u ekspozuan mbrëmë atje. Më pas ai ka lexuar prezantimin e tij lidhur me jetën e Aleksandër Moisiut, ku fillimisht tregoi për fëmijërinë e vështirë të Moisiut.

“Aleksandër Moisiu ka pasur një fëmijëri shumë ë të vështirë dhe të lidhur me Shqipërinë, që kur ka qenë katër vjet familja është detyruar të ndahet për gjysmë kurse ata kanë qenë dhjetë fëmijë prej të cilëve dy kanë vdekur dhe tetë ishin gjallë dhe për arsye që i ati kishte përkeqësime me mbarëvajtjen e tregtisë është ndarë nga familja ku gjysma ka jetuar me babain dhe gjysma me nenën në Trieste, pra Moisiu ishte ai që e bën një fëmijëri shumë të vështirë sepse Shqipëria ishte nën sundimin osman dhe nuk funksiononte as shkolla, e as gjuha shqipe por nuk zgjati më shumë se katër vite kjo periudhe” u shpreh Logoreci.

Ai tutje theksoi edhe prejardhjen e nënës së Moisiut për të cilën flietet që është shqiptare dhe e cila ka tërhequr fëmijët nga Triesta në mungësë të preskepetikvës së edukimit të tyre.

“Ndërsa për nënën e tij flitet shumë që është shqiptare, mu më pëlqen por nuk dihet saktë nëse është shqiptare nga ajo që kam lexuar. Ajo ka tërheq fëmijët nga Triesta pasi që ata nuk kishin mundësi të shkolloheshin, edukoheshin me frymën dhe emancipimin perëndimor”, tregoi tutje Logoreci.

Në fjalimin e tij, ai fuqishëm theksoi se figura e Moisiut për çdo shqiptar është një figurë për të cilën të gjithë krenohen, ndërsa ai se bashku me figurat e tjerë të rëndësishme kombëtare i tregojnë botës që shqiptarët janë njerëz të emancipuar.

“Aleksandër Moisiu për çdo shqiptar është një figurë për të cilën të gjithë krenohemi pasi që është emri i tij që ka sjellë të gjithë këtu por ashtu edhe si figurat e tjera kombëtare si Gjergj Kastriot- Skënderbeu e Nënë Tereza janë figura për të cilat secili prej nesh mburret dhe i tregojmë botës perëndimore që ne nuk jemi njerëz me bisht siç na kanë quajtur por jemi njerëz të emancipuar”, ka thënë në fjalimin e tij Logoreci.

Një nga veçoritë e kësaj mbrëmje kulturore ishte pjesëmarrja e artistëve shqiptarë Janela Nini (Violinë) dhe Franz Gjoni (Kitare), të cilët lanë mbresa të thella tek publiku pjesëmarrës për interpretimet e tyre me nivel të lartë artistik. / KultPlus.com

Kadare merr çmimin e Karrierës nga Akademia e Shkencave

Ismail Kadare, shkrimtari i madh shqiptar ka qënë i pranishëm në ceremoninë e dorëzimit të çmimit të karrierës nga ana e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Në një ceremoni ku merrnin pjesë personalitete të letrave Kadare është nderuar me vlerësimin e lartë.

“Ardhja Juaj këtu na jep të gjithëve gëzim të brendshëm, që fjalët tona modeste nuk e shprehin dot deri në fund. Ky çmim është kurora e çmimeve shkencore kombëtare vjetore të akademisë sonë, krahas çmimit Ҫabej, atij Radovicka dhe çmimit për kërkuesin e ri më të suksesshëm. Megjithatë, Çmimi i Karrierës, që juria e posaçme vendosi t’ju akordohet Ju, është thjesht një shenjë nderimi krahasuar me çmimet e mirënjohjet e larta ndërkombëtare dhe titujt e nderit që keni fituar për merita të veprës Suaj ngado nëpër botë. Kur juria mori këtë vendim, ne të gjithë kemi menduar njësoj:-që emri Juaj, vepra Juaj, janë të tilla që asnjë çmim nuk i mbulon dot!”, u shpreh në fjalën e hapjes Vasil Tole sekretar shkencor i akademisë.

Më tej Tole nënvizoi se “ krijimtaria e Kadaresë ishte dhe mbetet “buka” jonë shpirtërore, e cila ushqente dhe ushqen imagjinatën, shtynte dhe shtyn, zgjeronte dhe riformatonte përmasat e munguara të lirisë individuale të ҫdo shqiptari”. ”Gjuha shqipe, gjuha jonë e përditshme, kurrë nuk e kishte arritur atë fuqi shprehëse që ne të gjithë gjejmë në veprën Tuaj.

Kjo vepër është konfirmimi më i padiskutueshëm i barazisë së shqipes me çdo gjuhë tjetër si gjuhë letërsie e si mundësi për të shqiptuar e kënduar të gjitha kumtet e mundshme të kësaj bote, letrare, muzikore a shkencore qofshin. Këtu ne e kemi për detyrë të saktësojmë dhe rolin Tuaj vetjak për lartësimin e shqipes letrare si gjuhë e njësuar në mënyrë sovrane dhe vendimtare. Përtej kësaj, e gjithë karriera Juaj ka qenë në shërbim të promovimit të identitetit historik dhe kulturor të shqiptarëve. Shqipëria tjetër, ajo e ndritshmja, qoftë dhe në prapësi, që gjendet në veprën Tuaj, është pa dyshim një arritje për të cilën brezat e shqiptarëve duhet t’Ju jenë dhe do të jenë përjetë mirënjohës.

Letërsia shqipe ka pritur plot pesë shekuj për të arritur atë që arriti me veprën Tuaj: të bëhet njëkohësisht letërsi europiane dhe fenomen botëror. Ju e lidhët atë me fillimin e fillimeve, veprën e Marin Barletit, e para vepër që e bëri dheun e Arbërit çështje të një qytetërimi të tërë. Prandaj mund të themi pa patetizëm se atë që bëri për mbrojtjen e Shqipërisë evropiane shpata dhe rezistenca e Skënderbeut në kohën e vet, Ju e bëtë në kohën tonë me penë dhe i vetëm. Miku dhe kolegu ynë e ka quajtur këtë Shqipëri Ismailand, duke përngjitur një idiomë të bukur të gjuhës angleze: Is my land, ky është vendi im, kjo është Shqipëria ime.

Shqipëria letrare e Ismail Kadaresë është një Shqipëri evropiane” tha Tole.Më tej ai foli për misionin e Akademisë duke thënë se “Akademia e Shkencave është trashëgimi, para se të jetë institucion”. “Kjo trashëgimi nuk na takon vetëm ne, nuk i takon vetëm një brezi, por është e gjithë kontribuuesve të saj që prej themelimit të saj deri më sot. Ne kemi përgjegjësi kundrejt kësaj trashëgimie, me të cilën lidhen emrat e intelektualëve më të shquar të vendit nga Aleks Buda e Eqrem Ҫabej deri tek Ismail Kadareja.

Në emër të kësaj përgjegjësie jemi përfshirë në një proces vetëreformimi që ka qenë kryefjala e kësaj periudhe, me qëllim që Akademia e Shkencave të jetë në funksionet e veta të ligjshme, si institucioni që bashkon dijetarët, mendimtarët, shkencëtarët e krijuesit me rol të shquar intelektual në shoqëri; si institucioni që vetëpërtërihet me studiues të rinj që i sigurojnë asaj të ardhme; si institucioni që mbështet zhvillimin ekonomik të vendit e që mbron nderin, dinjitetin dhe deontologjinë shkencore; si institucioni që ruan përbërëset themelore të identitetit shqiptar: gjuhën tonë të përbashkët, traditën tonë origjinale, historinë dhe letërsinë shqipe. Ne kemi hedhur hapat e domosdoshëm, duke i dhënë vullnetit tonë shprehje ligjore dhe shpresojmë se projekti që kemi paraqitur të aprovohet në kohën e duhur nga Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi i Shqipërisë”, tha Tole./gazeta shqip

Tetë vjet pa kolosin e filmit

Fahri Musliu

Bekim Fehmiu, është një emër, pa të cilin nuk mund të shkruhet historiografia e filmit shqiptar, e në radhë të parë ajo e filmit jugosllav e ballkanik, i cili gjithashtu la gjurmë të thella edhe në historinë e filmit evropian dhe amerikan. Sepse Bekimi ishte dhe do të mbetet tregues i profesionalizmit të lartë, i suksesit, i bukurisë, i forcës, i talentit, i mburrjes dhe i frymëzimit për çdo shqiptar kudo që jeton…

Në albumin kujtimeve të mia, Bekim Fehmiu qëndron menjëherë pas prindërve dhe më të dashurve të mi, dhe nuk ka shqiptar të shekullit të XX që e ka arritur atë që e ka bërë Bekimi në skenën kulturore ndërkombëtare.

Me ikjen tënde, i dashur Bekim, humbëm të gjithë:
Ti – jetën ;
Djemtë – babanë;
Bashkëshortja – burrin;
Familjarët – vëllanë;
Kurse ne – njeriun me kode të rrepta njerëzore, shokun, mikun, profesionistin, aktorin zulmëmadh – e humbëm bukurinë e artit të aktrimit.

Do të kujtojmë për jetë e mot, se ti na e dha krenarinë!

Arbëreshët me veshje kombëtare rrugëve të Prishtinës (FOTO)

Një grup i arbëreshëve nga Italia të veshur me kostume kombëtare dhe të mbështjell me flamujt Kuq e Zi, janë parë sot në mesditë në sheshin “Nënë Tereza” në Prishtinë.

Ata prej ditësh po qëndrojnë për vizitë në Kosovë ku po shohin bukuritë e vendit tonë, transmeton Indeksonline.

Hajdutët thyejnë dhe plaçkisin Xhaminë në Prishtinë në ditën e Bajramit (FOTO)

Një ngjarje e turpshme ka ndodhur sot në ditën e festës së Bajramit, në Prishtinë. Pas faljes së namazit të Fiter Bajramit hajdutët e kanë thyer një Xhami.

Ngjarja ka ndodhur në lagjën Tophane të kryeqytetit. Disa dëshmitarë i kanë thënë “Zëri.info”, se kur kanë shkuar për ta falur namazin e xhumasë e kanë gjetur të hapur derën e Xhamisë.

Dhe, me të hyrë brenda, aty i kanë parë disa mjete të forta të cilat besohet se janë përdorurë për ta thyer një kasafortë ku xhemati zakonishtë po linte para për të kontribuar në mirëmabjtjen e Xhamisë.

Nga kasaforta janë vjedhur një shumë e parave që i kishtë lënë xhemati për sadaka qe disa ditë, sidomos sot në ditën e Bajramit.

Po ashtu janë vërejtur edhe disa dëme të vogla materiale brenda Xhamisë të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga hajdutët në përpjekjet e tyre për të gjetur diçka me vlerë.

Bekim Lumi emblema e teatrit modern shqiptar, mbrëmë me “Arturo Ui” përmbushi ëndrrën e tij përgjatë 20 vitesh karrierë

Sarandë Selimi

“Arturo Ui”, është gjakim i çdo regjisori dhe ëndërr e çdo aktori”, këto ishin fjalët e para që regjisori Bekim Lumi, i pati thënë në një intervistë për KultPlus, asokohe kur teksti i Bertolt Brecht, ishte vetëm në sallën e leximit në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Pas plotë 1 viti prova “Arturo Ui”, u punua nga Bekim Lumi dhe realizoi ëndrrën e aktorëve në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, aty ku mbrëmë erdhi në jetë kjo shfaqje përpara një audience jashtëzakonisht të madhe.

Për 2 orë e disa minuta, kasta e aktorëve në përbërje të: Bujar Ahmeti, Afrim Kasapolli, Afrim Muçaj, Labinot Raci, Faris Berisha, Ylber Bardhi, Ismet Azemi, Edon Shileku, Valmir Krasniqi, Shpëtim Kastrati, Kushtrim Qerimi, Muhamed Arifi dhe Alban Rexhaj, sollën në çdo cep të skenës frymën e Bekim Lumit. Ata sollën teatrin modern, ashtu siç di vetëm Bekim Lumi ta bëjë. Sollën gegnishtën e toskërishten e pastër ashtu siç Bekim Lumi flet. Sollën lëvizjet, lojën e thellë e të fuqishme dhe shpirtin artistik e të madh, që kush më shumë se Bekim Lumi e ka.

Bekimi mbrëmë nuk ishte vetëm fizikisht në premierën e “Arturo Ui”-së, të cilën e punoi përgjatë 1 viti, duke sjellë një perlë që do mbetet gjatë në memorien e artdashësve.

“Bekimi ishte aty ne çdo sekondë, ishte ne çdo finesë dhe në çdo moment të shfaqjes. Mendoj që kjo shfaqje do të jetë shumë gjatë në repertor dhe mendoj që është një nga kryeveprat e historisë së artit shqiptarë. Është një vepër e jashtëzakonshme që korrespondon dhe e bënë një biopsi të realitetit të rëndë në të cilën kalon Kosova në realitetin e pasluftës. E trajtime me finesë, thellësi, guxim të jashtëzakonshëm dhe art të rafinum”, tha menjëherë pas shfaqje regjisori Fadil Hysaj, duke vazhduar të thotë se ndihet mirë që po e sheh këtë shfaqje pikërisht nga Bekim Lumi, të cilin ai e sheh si një zë të fuqishëm të skenës shqiptare.

“Lirisht mund të them që është një emblemë e teatrit modern shqiptar”, theksoi Hysaj, për KultPlus.

“Arturo Ui” është një dramë e shkruar në vitin 1941 nga dramaturgu i shquar gjerman dhe botëror Bertolt Brecht (1898 – 1956), gjatë kohës së ekzilit të tij trejavësh në Helsinki (Finlandë), përderisa ai, për shkak të përndjekjes nga fashizmi, po e priste vizën për emigrim në SHBA. Me formën, me përmbajtjen dhe me personazhet e saj, kjo dramë, në mënyrë simbolike, përshkruan, tematizon dhe portretizon historinë e dhunshme të uzurpimit të pushtetit politik dhe ekonomik nga gangsteri Arturo Ui (alias Adolf Hitler) dhe pasuesit e tij në vitet ‘30 të shekullit 20. Edhe pse ngjarjet janë të përqendruara në Çikago dhe në Cicero të SHBA-së, ato, në të vërtetë janë një aludim metaforik për ndodhitë dramatike të kësaj kohe në Austri dhe në Gjermani. Dhuna fizike, plaçkitjet, djegiet, grabitjet, haraçi, korruptimi dhe kërcënimet ndaj tregtarëve e politikanëve, deri edhe vrasjet e tyre e, më tutje, edhe gjyqet farsë përmes presioneve dhe shantazheve ndaj dëshmitarëve të krimit, janë vetëm disa nga tablotë e kësaj drame me 17 pamje, e cila, për shkak të temës që e trajton dhe për shkak të aktualitetit të saj të vazhdueshëm, vlerësohet si një nga satirat më të mira politike dhe historike të shekullit ’20. Për shkak të disa ngjashmërive dhe përkimeve të qëllimshme, “Arturo Ui”, me përmbajtjen, me disa nga motivet dhe me kryepersonazhin e saj, nga kritikët, krijuesit dhe njohësit e teatrit vlerësohet edhe si kipci bashkëkohor i tragjedisë “Rikardi III” të William Shakespeare-it.

Ky ishte “Arturo ui” luajtur nga aktori kosovar Bujar Ahmeti, që solli krejt këtë rrëfim mbrëmë në TKK. Për çudi, mbrëmë në këtë teatër u panë edhe shumë njerëz që jo shpesh i shohim mes artit kosovar. Padyshim që ishte një mbledhi e madhe, sepse, përveç premierës dhe 120 vjetorit të lindjes së autorit që shkroi këtë dramë, mbrëmë ishte edhe 20 vjetori i krijimtarisë së regjisorit Bekim Lumi.

Sëmundja e rëndë me të cilën po përballet tash e sa kohë, pikërisht në ditën e premierës e shtriu në spital. E duartrokitjet e audiencës dhe fjalët e kolegëve të Lumit, e dëshmonin që presin edhe shumë krijimtari të tjera nga ai. Ata thanë që mbrëmë festuan për Bekën, sepse ishte festë.

“Ajo çka është e bukur është që shfaqja e pati premierën pas një kohe të gjatë që është punuar duke i ditur edhe ne problemet shëndetësore të Bekimit. Në punën e Bekimit të gjithë e njohim, stilin e tij por unë pres ende nga Bekimi. Ai sonte nuk ishte këtu por jam i bindur që ne do të shohim edhe shfaqje të tjera nga ai. Duhet të jemi të gëzuar që e kemi”, u shpreh për KultPlus regjisori Fatos Berisha, duke vazhduar të thotë se ishte një trupë e mirë e aktorëve, të cilët sipas tij funksiononin shumë mirë si grup.

Një lojë e fuqishme erdhi nga aktori Bujar Ahmeti, aktor ky të cilit Bekim Lumi, ia ka besuar rolet e mëdha, siç janë edhe Hamleti dhe Nëna dhe Fëmija. Bujari, është aktori më i ri që luajti “Arturo Ui”-n. Ai me shumë emocione e me lot në sy, për KultPlus, u shpreh shumë i lumtur për gjithë këtë, por njëkohësisht, tha se po ndihet i zbrazët.

“Sikur të ishte këtu, padyshim që do të na kritikonte për diçka”, tha Bujari, i cili duke qeshur u shpreh se beson që gjithçka ka shkuar mirë.

“Po ndihem pak i zbrazët, pasi që, prezenca e Bekës e kish bërë edhe më të veçantë këtë natë, por nganjëherë kur nuk është kapiteni lojtarët luajnë edhe më mirë. Besoj shumë që ka shku mirë, ishte një periudhë e gjatë e provave por mendoj që ia dolëm. Ishte eksperiencë shumë e mirë, jam shumë me fat që Bekimi më ka thirrë mua dhe më ka ofruar role të mëdha, pasi që, me Bekën mund të bësh vetëm role të mëdha”, tha për KultPlus Bujar Ahmeti.

“Arturo Ui”, riktheu në skenën e madhe të Teatrit Kombëtar të Kosovës, pas dy vitesh Bekim Lumin. Ndërsa ai njihet për shfaqjet e tij me karakter minimalist e eksperimental. Ai e ka përfaqësuar Kosovën në disa festivale teatrore ndërkombëtare, në të cilat është nderuar me çmime të ndryshme. Para dy vitesh, ai, në Teatrin Kombëtar të Kosovës ka krijuar shfaqjen “Nana dhe fëmija”, ndërkaq në Teatrin Laborator “Loja” shfaqjen “John Cage’s Hamlet”.

Rikujtojmë se shfaqja do të jetë në repertorin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që nga muaji shtator i këtij viti./ KultPlus.com

Imzot Dodë Gjergji u shërben kafe për Bajram të gjithë udhëtarëve në aeroplan

I pari i Kishës Katolike të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka shpërblyer me nga një kafe të gjithë udhëtarët në aeroplanin e vijës Frankfurt-Prishtinë, sot në mëngjes, për nder të festës së Bajramit.

Në rrugën e kthimit për në Kosovë, sipas disa udhëtarëve të pranishëm, Imzot Dodë Gjergji ka kërkuar nga ekuipazhi i aeroplanit leje për të përdorur pajisjet e komunikimit dhe nëpërmjet tyre ka uruar të gjithë udhëtarët, besimtarë të fesë islame, për festën e Bajramit të Madh.

“Të nderuar vëllezër e motra, me fat ju qoftë Bajrami. Më lejoni t’ju shpërblej të gjithëve me nga një kafe”, ka uruar Imzot Dodë Gjergji.

Aeroplanët e Adria Airways shërbejnë kafet dhe pijet tjera, përveç ujit, me pagesë. Stjuardesat e aeroplanit të Adria Airways më pas i kanë shërbyer të gjithë udhëtarët me nga një kafe.

Gjesti i Imzot Gjergjit është duartrokitur nga udhëtarët. Kosova është e njohur për tolerancën dhe bashkëjetesën në mes të feve.

13-vjeçarja që mahniti jurinë me zërin e saj (VIDEO)

Vajza me emrin Courtney Hadwin mund të ketë qenë e fundit në episodin e “America’s Got Talent” të 12 qershorit, por ajo ishte e para dhe e vetmja që mori butonin për zërin e artë, e cila e dërgoi atë direkt në shfaqjet e drejtpërdrejta.

Para se të performonte këngën “Hard to Handle” të Otis Redding, kjo vajzë 13-vjeçare pranoi se ishte rrënuar nga frika në skenë. Vetëm me inkurajimin e Mel B, ajo ishte në gjendje për të ngritur zërin e saj, transmeton rtv21.tv.

https://www.youtube.com/watch?v=gPHVLxm8U-0

Hadwin tingëllon si një këngëtare që performon për vite me radhë. Në të vërtetë, me paraqitjen e saj, ajo kthehet prapa në ritëm të 60-tës. Howie Mandel goditi butonin për zërin e artë. Edhe gjyqtari i “America’s Got Talent”, Simon Cowell ishte po aq i kënaqur nga kjo adoleshente e talentuar, duke lavdëruar këmbënguljen e saj dhe duke e krahasuar atë me luanin.

Vendimi që burrat e Shqipërisë të bartnin kapela kishte hyrë në fuqi para 81 vitesh, kjo ishte arsyeja (FOTO)

Më 15 qershor 1937 pas ligjit mbi heqjen e ferexheve, hyri në fuqi ligji mbi mbulesën e kokës, që i detyronte burrat të mbanin kapelë dhe bastune, shkruan KultPlus.

Ky vendim ishte një hap drejt evropianizimit të shoqërisë shqiptare pas sundimit 5 shekullor osman.

KultPlus ju sjellë një fotografi të postuar nga Micky Haxhiislamit ku shihen burrat foto burra shkodran në festimin e Ditës së Flamurit më 28 nëntor 1937.

Publikohet “I’m a mess” e Bebe Rexhës (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare, Beba Rexha para disa orësh ka publikuar edhe këngën e saj më të re “I’m a mess”, shkruan KultPlus.

Rexha, që po dominon akoma në Amerikë me hitin “Meant to Be”, ka paralajmëruar që më 22 qershor, do të lansoj albumin e ri “Expectations”.

Në mesin e disa këngëve të përfshira është edhe kënga e saj e sapopublikuar “I’m a mess”./ KultPlus.com

Tek gjyshërit tanë

Poezi e shkruar nfa Dritëro Agolli.

T’u japim fund të gjitha marrëzive
Dhe ndofta fund dhe gjërave idiote,
Madje të shkojmë larg dhe prej shtëpive
Që mbledhin ndyrësirat e një bote.
T’u japim fund të gjitha marrëzive.

Të shkojmë atje ku rrojtën gjyshërit tanë
Tek bimët , shpezët, kafshët dhe insektet,-
Këta të vjetër gjyshër tru na dhanë,
Kur s’ishin as katundet, as qytetet.
Të shkojmë atje ku rrojtën gjyshërit tanë.

Të shkojmë atje ku nis rrëkeja jonë,
Ku vdekja vdekje është e jeta jetë,
Ku rrenën me çarçaf nuk e mbulojnë,
S’e futin në krevat si të Vërtetë.
Ndaj shkojmë atje ku nis rrëkeja jonë.

El Observador: Zbuloni kanionin idilik të Shqipërisë

Në jug të Shqipërisë ndodhet një vend krejtësisht i izoluar nga civilizimi dhe që është ideal për adhuruesit e turizmit të aventurës, shkruan gazeta uruguajane “El Observador” në faqen e saj të internetit.

Natyra mahnitëse e Shqipërisë po tërheq gjithnjë e më shumë të apasionuarit pas aventurave, që kërkojnë argëtim dhe emocione të forta sikurse mund të ofrojë raftingu, një sport për ata që adhurojnë ujërat e rrëmbyer dhe që mund të praktikohet në kanionin idilik të lumit Osum.

I krijuar rreth tre milionë vite më parë në rajonin jugor të Skraparit, i ashtuquajturi “Grand Canyon” i Kolorados shqiptare, është krejtësisht i izoluar nga civilizimi dhe e vetmja mënyrë për të vajtur atje është me varka.

Përgjatë një rruge prej 13 kilometrash dhe i rrethuar nga shkëmbinj 100 metra të lartë, praktikuesit e rafting kalojnë nëpërmjet shumë ujëvarave dhe disa kryeveprave natyrore të krijuara nga erozioni, të pagëzuara me emra si “syri”, “dera e djallit”, “katedralja” apo “krokodili”.

“Në Itali kemi shumë lumenj ku praktikohet rafting, por veçantia e këtij lumi është kanioni, që i jep një bukuri të rrallë dhe i emocionon turistët”, thotë Efe Elia, guida i rafting, me origjinë nga Trento në Itali.

Ka tri nivele vështirësie që varen nga rrjedha e lumit sipas sezonit.

Në verë, ujërat e lumit bien dhe përgjatë shtratit të tij zhvillohen ecje.

“Më pëlqeu shumë, është një eksperiencë speciale sepse kombinon sportet me natyrën, nuk e dija që në Shqipëri kishim vende kaq të bukur”, tregon Blerina Raça, që ka ardhur këtu që nga kryeqyteti, Tirana, me një grup shokësh.

“Kam udhëtuar shumë në Europë, por nuk kam parë asgjë të ngjashme, ky kanion është unik”, thotë Kujtim Sallaku, një tjetër turist.

Gjatë komunizmit (1945-1991) askush nuk e dinte se aty kishte tunele me armë të fshehura.

Diktatori paranojak, Enver Hoxha, që izoloi Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës, ndërtoi tunele sekrete në këtë zonë malore për të pritur liderët e partisë dhe oficerët e lartë të ushtrisë, të cilët do të drejtonin luftën, nga këtu, në rastin e një pushtimi të mundshëm që nuk erdhi kurrë.

Eksplorimi i kanionit u bë i mundur falë pasionit të Zamo Spathara, një emigrant shqiptar që u kthye nga Italia në vitin 1999, pasi jetoi dhe punoi në vendin fqinj për tetë vite.

Spathara kujton se gjatë komunizmit, kur ishte i vogël, lundronte përgjatë lumit Osum me goma kamioni dhe më pas në Itali mësoi se është e mundur që të bëhej rafting dhe të praktikohej për turizëm duke gjeneruar edhe të ardhura.

Tani ai është president i Federatës Shqiptare të Raftingut dhe ka krijuar kompaninë e tij private, “Albania Rafting Group”, që ofron gjithashtu sporte natyrore se ecje në male, kajak, alpinizëm, mountain bike si dhe udhëtime me mushkë në malin i Tomorrit.

Numri i turistëve që praktikojnë rafting në Skrapar është në rritje, që po stimulon zhvillimin e një prej zonave më të thella të Shqipërisë.

Vitin e kaluar, 10 000 turistë vizituan këtë rajon, mes të cilëve kishte italianë, francezë, gjermane dhe nga vendet nordike, 5 000 prej të cilëve praktikues të rafting.

Turizmi natyror është marka e re e Shqipërisë turistike, që vitin e kaluar u vizitua nga pesë milionë turistë të huaj./ ata

“Janinës ç’i panë sytë” këndohet nga grupi anglez në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar (VIDEO)

“Janinës ç’i panë sytë” është një këngë popullore polifonike labe, e cila është kënduar nga zëra të ndryshëm qoftë vendor dhe të huaj, shkruan KultPlus.

Tanimë kjo këngë është dëgjuar edhe në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, atje ku është kënduar nga një grup anglez. British Polyphony Group kanë bashkuar zërat e tyre në zbërthimin e tekstit të kësaj kënge të njohur labe.

KultPlus ju sjellë këtë video të postuar nga koreografi Tomorr Kokona.

Kënga përmend ngjarje historike ndoshta të viteve 1840 – 1890 dhe ka për vendngjarje Janinën, pikërisht Pesë Puset (turq. Beşpınar, greq. Pentepigadhia), si një ish-zonë e jetës kulturore të shqiptarëve. Kënga i referohet Zenel Çelos nga fshati Horë-Vranisht që pasi vret pashain në tendën e tij zihet ne pusi./ KultPlus.com

Nga e hëna Festivali i Komedisë vjen për gjashtë ditë në Mitrovicë

Të hënën në Mitrovicë fillon festivali tradicional i komedisë shqiptare, shkruan KultPlus.

Festivalin e hap Teatri “Migjeni” nga Shkodra, me pjesën teatrale “Amaneti”,ndërsa është jashtë konkurrence.

Më poshtë ju sjellim agjendën e plotë:

Të martën, më 19.06.2018, Tetari i Qytetit të Skenderajt shfaq komedinë “Keqkuptimet dhe realiteti”.

Të mërkurën, më 20.06.2018, Teatri “Osman Gashi” nga Klina, shfaq komedinë “Familja e Snapit”.

Të enjten, më 21.06.2018 Teatri i të Rinjve të Qytetit të Prishtinës shfaq komedinë “Çifti i lumtur”.

Të premten, më 22.06.2018, Teatri i Qytetit në Prizren, shfaq komedinë “Iku Autobusi” dhe të shtunën, më 23.06.2018, Teatri “Migjeni” nga Shkodra shfaq komedinë “Lufta dhe Paqja…Pa Pilaf”.

Të gjitha komeditë shfaqen në sallën e Qendrës së Kulturës “Rexhep Mitrovica”, buzë Ibrit, duke filluar në ora 19:00.

Në skenë do të ngjiten edhe emrat e njohur të komedisë shqiptare Gëzim Kruja, Zef Deda, Bruno Shllaku etj.

Ujërat termalë të Bënjës, vizitorë edhe nga Finlanda e largët

Sot ujërat termalë të Bënjës pritën vizitorë nga Finlanda që u befasuan me natyrën, me burimet e Lengaricës dhe sidomos me ujërat e ngrohta të llixhave.

Tashmë, ujërat termale të Bënjës dhe kanionet e Langaricës janë bërë të njohura edhe përtej kufirit dhe vizitohen çdo vit nga rreth 30 mijë vizitorë vendas dhe të huaj.

Çdo fillim sezoni, përreth burimeve termalë, vendasit ngrenë mure me gurë dhe baltë “çudibërëse” për të krijuar pellgje ku gjatë stinës së verës zhyten mijëra njerëz që kërkojnë të gjejnë shërim për sëmundjet e lëkurës, eshtrave, stomakut dhe reumatizmës.

Pjesa më e madhe e vizitorëve janë njerëz të thjeshtë nga Përmeti, Këlcyra, Tepelena, Gjirokastra, por vitet e fundit ka shumë që vijnë nga gjithë Shqipëria dhe përtej kufijve të saj.

Një pjesë e frekuentuesve qëndrojnë në ngrehina të improvizuara, çadra, auto-kabina dhe ngrehina të tjera më të thjeshta, por edhe në hotelerinë rreth banjave.

Të dyja brigjet e kanionit dhe pellgjet e formuar nga ujërat sulfurore, këto ditë janë të mbipopulluar nga pushuesit, por pjesa më e madhe qëndron në burimet që ndodhen pranë Urës së Katiut, një monument i ndërtuar në kohën e Ali Pashë Tepelenës, që vazhdon t’i rezistojë kohës pa kurrfarë problemi.

Para viteve ‘90, këtu ka funksionuar një llixhë me 40 shtretër, ku nën kontrollin e mjekëve merrnin shërbim pacientë të ndryshëm. Ndërsa sot, rreth zonës janë ngritur disa hotele e restorante që bëjnë të mundur akomodimin e pushuesve që frekuentojnë këto llixha. Finlandezët e zbritur nga brezi i ftohtë i globit, u prezantuan dhe provuan ujërat e ngrohtë mesdhetarë të Përmetit./ ata