Tetë vite pa Bekim Fehmiun

Sot shënohet tetë vjetori i vdekjes së një prej aktorëve më të mëdhenj shqiptarë që pati famë kudo nëpër botë, Bekim Fehmiu.

Gjurmët e tij në kinematografinë e huaj dhe atë shqiptare nuk janë të vogla. Fehmiu u bë i famshëm me filmin “Mbledhësit e Puplave”, në vitin 1966. Deri në atë kohë, ai kishte studiuar dhe ishte bërë i njohur nga shumë shtëpi filmi nëpër botë.

Ai është aktori i parë shqiptar i filmit dhe i teatrit, që ka luajtur me sukses në filmat dhe skenat e gjithë hapësirës së ish-Jugosllavisë. Ndër rolet më të njohura të Bekim Fehmiut janë “Prova speciale”, “Odiseu”, “Aventurieri”, “Rruga”, “Vitet e nxehta”, “Dezertori”, të cilat përmenden si kryevepra.

Fehmiu ka bashkëpunuar me emra të njohur të kinematografisë botërore si John Huston, Olivia de Havilland, Ava Gardner, Robert Shou, Dirk Bogart, Irene Papas e të tjerë.

Në rolet e tij, Fehmiu ka interpretuar në disa gjuhë.

Në Bajgorë, falja e Fitër Bajramit u bë me plisa në kokë

Është falur Namazi i Fitër Bajramit, në Xhaminë e Fshatit Bajgorë, në Komunën e Mitrovicës.

Këtu pothuajse të gjithë pjesëmarrësit në këtë ceremoni, kanë vënë nga një plis në kokë. Kjo si shenjë dhe mesazh për të ruajtur traditën kombëtare.

Organizatori Drilon Mehmeti, ka thënë se qëllimi i kësaj forme të faljes ka qenë mesazhi për ruajtjen e identitetit kombëtar.

Edhe përfaqësuesi i fshatit Rrahman Beqiri, ka bërë thirrje që identiteti kombëtar të ruhet dhe të kultivohet, e të shmangen kulturat e huaja.

Fshatin Bajgorë sot e vizituan edhe shumë persona me origjinë nga ky fshat të cilët jetojnë në vende të ndryshme të Kosovës dhe në perëndim.

Zelanda e Re zbulon Shqipërinë

Turizmi shqiptar po merr gjithnjë e më shumë famë përtej kontinentit. Shqipëria është aktualisht një prej destinacioneve turistike në zhvillim më të kërkuara në agjencitë e mëdha të udhëtimeve në Zelandën e Re. Për këtë arsye, sipas mediave neo-zelandeze, agjencitë turistike po e përfshijnë gjithnjë e më shumë mes guidave turistike të Europës.

E përditshmja New Zealand Herald e vendos Shqipërinë mes destinacioneve më të bukura të Europës Lindore, duke u bërë thirrje turistëve të nisin planifikimin e “arratisë” në Ballkan nga Kroacia në Shqipëri. Turizmi shqiptar këshillohet për marshimet në malet e larta të veriut e verilindjes, por edhe për të apasionuarit pas alpinizmit, të cilët mund të zbulojnë natyrën e panjohur në malësinë e Thethit dhe luginat e Valbonës.

Këshillohet të vizitohet si qyteti i Shkodrës, por edhe bujtinat në zonat malore, për të parë ndërthurjen e kulturave me kisha e xhamia.

Në renditje, Shqipëria vjen e treta pas Kroacisë e Malit të Zi, në një guidë që vijon me Bosnjen e Bullgarinë. Bregdeti, por edhe natyra e qytetet shqiptare sugjerohen këtë vit edhe nga media të tjera prestigjioze si Lounli Planet etj./ TvKlan

Sëmundja ia pamundëson Bekim Lumit pjesëmarrjen në premierën e “Arturo Ui”

Sonte në Teatrin Kombëtar të Kosovës erdhi premiera e shfaqjes “Arturo Ui” e regjisorit Bekim Lumi, por jo dhe regjisori i shfaqjes i cili po përballet me sëmundjen e rëndë të kancerit tash e sa kohë, shkruan KultPlus.

Për shkak të shëndetit të dobët, ai është dërguar për në spital, duke e pasur kështu të pamundur ta ndjekë përse afërmi finalizimin e kësaj shfaqje të cilën e kishte pasur ëndërr shumë vjeçare, që nga koha e studimeve. / KultPlus.com

‘O Zot na kthe nerën e shpisë, Mos na le vet n’tmerrin e vetmisë’ (VIDEO)

Ka vdekur rock-kitaristi i grupit Jericho, Suad Jamini.

Lajmin për vdekjen e tij e kanë konfirmuar familjarë dhe miq të basistit të njohur nga Kosova.

Gruaja e tij, Aida Jamini, ka postuar fotografinë e zisë në profilin e saj në Facebook, ku ka marrë ngushëllime nga miqtë e familjarët.

Ka plot këngë nga Jericho të cilat i kujtojmë sonte më shumë se kurrë, por po e sjellim ‘Kanga Jonë’, për ta kujtuar Suad Jaminin dhe për tu lutur që shpirti i tij të jetë i qetë në botën tjetër.

Vdes basisti i grupit Jericho, Suad Jamini

Basisti i grupit Jericho, Suad Jamini, ka ndërruar jetë sot.

Lajmi për vdekjen e Jaminit është konfirmuar nga familja e tij, shkruan Gazeta Express.

Mësohet se Jamini ka ndërruar jetë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pjesë e grupit, përveç të ndjerit Jamini, janë edhe vokalisti Petrit Çarkaxhiu, kitaristi Leonard Canhasi dhe bateristi Visar Rexha.

Tash për tash nuk janë dhënë më shumë detaje për shkaqet e vdekjes së rok-baskitaristit. Ai ka lënë pas gruan dhe dy fëmijë.

Detaje të tjera pas pak…

Nelly Haliti, fituese e çmimit kryesor për arte pamore në Zvicër

Zyra Federale për Kulturë (BAK) ka ndarë të martën në Bazel çmimet vjetore zvicerane për artet pamore dhe për disenj. Bëhet fjalë për vlerësimin më të lartë që jepet në Zvicër për këto dy drejtime dhe secili shpërblim përmban edhe vlerën në të holla prej 25 mijë frangash.

Në mesin e 17 të shpërblyerve për arte pamore është edhe shqiptarozvicerania Nelly Haliti.

31 vjeçarja Nelly Haliti është e bija e piktorit të njohur nga Kosova, Jetullah Haliti-Eti dhe jeton e krijon në Gjenevë, Zvicër, shkruan albinfo.ch. Ajo ka mbaruar studimet për pikturë dhe masterin në Akademinë Arteve në Gjenevë. Në po këtë qytet Nelly jeton si artiste e lirë dhe hyn në mesin e artistëve më të shquar të gjeneratave të reja në Zvicër.

Instalacionet dhe teatrologjia janë në qendër të krijimtarisë së artistes së re.

Çmimet janë ndarë të martën në kaudrin e aktiviteteve që janë zhvilluar në Javën e Panairit të Arteve, në Bazel. Në po këtë panair janë ekspozuar ehde veprat artistike të artistëve të shpërblyer, pra edhe të Nelly Halitit.

Çmimet janë ndarë nga niveli më i lartë i vendit. / KultPlus.com

Iara Boubnova, kuratore e çmimit Muslim Mulliqi

Iara Boubnova, një emër i njohur në artin bashkëkohor do të jetë kuratorja e edicionit të 12-të të çmimit Muslim Mulliqi.

Ky çmim jepet çdo vit nga Galeria e Arteve të Kosovës. Boubnova është kuratore e artit bashkëkohor dhe kritike arti nga Sofja. Ajo u lind në Moskë, Rusi, ku edhe diplomoi në Departamentin e Historisë dhe Teorisë së Artit në Universitetin Shtetëror të Rusisë. Që nga viti 1985 ajo punon në Galerinë Kombëtare për Art të Huaj në Sofje si Kuratore në Departamentin e Artit të Evropës Lindore.

Në vjeshtën e vitit 2013 Ministri i Kulturës e emëroi Drejtoreshë të Galerisë Kombëtare për Art të Huaj, në Sofje, Bullgari. Që nga janari 2015 ajo u bë Zëvendës Drejtoreshë e Galerisë Kombëtare të themeluar së voni dhe është përgjegjëse për koleksionin ndërkombëtar të Galerisë.

Që nga viti 1995 Iara Boubnova është Drejtoreshë Themeluese e Institutit të Artit Bashkëkohor – Sofje. Në mes të viteve 2003 dhe 2006, ajo ishte Udhëheqëse e Projektit të Seminarit Vizual Multidisiplinar që i dedikohej mjedisit urban të neo-kapitalizmit. Në vitin 2017 së bashku me kolegët e saj nga ICA- Sofje, ajo e themeloi dhe e udhëhoqi programin arsimor të studimeve të avancuara “Takime të Afërta – Dialogjet Vizuale Shkolla për artistë” (“Close Encounters – Visual Dialogues School4artist”). / KultPlus.com

Performancë e papërsëritshme nga Robbie Williams dhe Aida Garifullina në Rusi

Kampionati Botëror, Rusia 2018, ka filluar me një ceremoni hapëse madhështore që do të hyjë në histori.

Ishte legjendari britanik, Robbie Williams ai që performoi në ceremoninë e hapjes bashkë me Aida Garifullinan, sopranon e njohur ruse.

Dyshja performuan hitet e Robbiet, si “Feel”, “Let Me Entertain You” dhe “Angels.

Publiku u ndez gjatë performancës së Robbiet, i cili pushtoi stadiumin Luzhniki në Moskë.

Plot 81 mijë tifozë janë të pranishëm në stadiumin Luzhniki në Moskë. / KultPlus.com

Ti do të heshtësh

Mimoza Ahmeti

Ti do të heshtësh gjatë atë ditë,
ndoshta për fare atë natë,
kur të mos jetë
mbi sferën e humbur të tokës,
figura ime krenare
me sytë e fuqishëm si shpezë
që veç lirisë i përkasin,
që ti e deshe aq shumë.
Ti do të heshtësh djalë,
ti do të heshtësh, burrë,
ti do të heshtësh, shpirt,
kur të mos jem më unë.

Dhe mjekra jote mbështetur mbi klavikul,
do të heshti.

Oh, nuk do të jetë më ajo heshtje, nga ato që vibrojnë afrimin.
Ajo heshtje e madhe,
ajo heshtje e mungesës,
ajo heshtje e kthimit tënd,
në një,në një,në një.

Ti që gjithmonë me mua ishe dy,
dhe prapë njësuar,
po kurrë bir vetmie.
Do të heshtësh,
ti që aq pak flisje dhe heshtjet i krisje,
ti që i kishe fjalët si guaska të rralla,
që m’u desh aq rrugë të eci për ti gjetur,
do të heshtësh ti, që aq shume të desha.
Do te kthehesh ne nje burrë si mijëra,
(kurre nuk mbaron argateria se ngreni burra.)

Do të heshtësh. Do të çohesh. Do të ikësh që andej,
krahëthyer drejt gojës së argatërisë do t’ikësh
duke tu zvogluar trupi, shpatullat në largësi.
Do të ikesh argati im, do të zhdukesh,
dhe këtu historia jonë do të mbarojë
historia jonë e padëgjuar ,
që e përgjonin yjet e pikuar ,
e që kapnim me dorë nën çati…

Roboti i Flaka Halitit, pjesë e Art Basel 2018

Do të nisë sot edicioni i radhës i Panairit të njohur Art Basel.

Edicioni i 49-të e gjen si pjesëmarrëse edhe artisten nga Kosova, Flaka Haliti.

Madje, ajo konsiderohet si një prej artisteve që duhet të marrë vëmendjen në këtë edicion, me punën e saj artistike që konsiston në një robot të punuar me objekte të gjetura në kampet ushtarake të KFOR-it në Kosovë.

Deborah Schamoni është galeria përfaqësuese e Flakës, shkruan KultPlus.

Its Urgency got lost in reverse (while being in constant delay) #2, është emri i punës së Flakës, vazhdimësi e vitit të kaluar por tani me një robot me pamje tjetër.
Haliti kësisoj krijon një hapësirë ku e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja mjegullueshëm e kthejnë robotin në një metaforë të kohës. Roboti vazhdon të jetë një pajisje trans-historike. Roboti qëndron në një dysheme argjendi me mjete izolimi, e cila bashkë me elementet tjera të punës e kthejnë hapësirën në një skenar futurist.

290 galeri nga 35 shtete janë pjesëmarrëse në këtë ngjarje të madhe të artit, e cila do të zgjasë deri me 17 qershor.

Flaka Haliti është ndër artistet më të njohura dhe aktive nga Kosova. Ajo është fituese e Henkel Award dhe Sallonit të Tetorit, dhe pjesëmarrëse në Bienalen e Venecias në Itali.

ART BASEL mbahet në Sallën Messe Basel. / KultPlus.com

Kënga e Botërorit me Era Istrefin arrin 20 milionë klikime

Videoklipi i këngës së Kampionatit Botëror, ku këndon Era Istrefi, Will Smith dhe Nicky Jam, u publikua tek gjashtë ditë më parë, dhe tashmë ka mbledhur mbi 20 milionë klikime.

Ndërkaq sot është ceremonia hapëse e Botërorit në Rusi, ku raportohej se e pranishme do të jetë edhe kosovarja e cila pritet ta këndojë hitin “Live It Up”.

Ndërsa kënga e tyre ishte publikuar dy javë më parë, e cila po ashtu numëron mbi 20 milionë klikime në YouTube. / KultPlus.com

Sopranoja Lorika Ismajli do të performojë në Gala mbrëmjen e Juan Diego Florez

Sopranoja kosovare, Lorika Ismajli, e cila jeton në Vjenë prej disa vitesh, do të interpretojë në koncertin e Juan Diego Florez “Il viaggio a Reims” në Sallën e Artë të Wiener Musikverein, të shtunën, më 16 qershor, shkruan KultPlus.

Solistja Lorika Ismajli do të interpretojë një nga rolet solo në këtë ngjarje të jashtëzakonshme, të cilën Juan Diego Florez po e mban me pjesëmarrës të zgjedhur me kujdes çdo vit për të mbështetur fondacionin e tij në Peru.

Në koncert do të jenë 15 solistë të rinj të cilët do të shoqërohen nga Filharmonia Gioachino e cila do të dirigjohet nga Christopher Franklin.

Prodhimi i këtij viti, “Il viaggio a Reims”, nuk është performuar në Vjenë që prej më shumë se 30 vitesh dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në televizionin Austriak, si dhe në platformën digjitale për muzikë klasike www.myfidelio.at./ KultPlus.com

Dëfrim Heshtnaje

Shkruan Elvi Sidheri

Kur lexon “Dëfrim Heshtnaje” të artistes polivalente Valentina Saraçini, menjëherë të krijohet si fillim përshtypja se ky libër poezish të shumëllojshme, shumë qëllimshme, shumëkuptimshme, plot zhanre, trajta e fjalë të përdorura me një larmi të admirueshme, të ofron një këndvështrim krejt burimor mbi botën e poetes pikësëpari, por njëkohësisht edhe lidhur me vetë stadin e zhvillimit, evolucionit të poezisë së krijuar në universin letrar shqiptar.

“Dëfrim Heshtnaje” është pikërisht i tillë, një Heshtnajë nga ku buron thelbi i krijimtarisë së poetes, krejt dimensionet e shprehjes së saj poetike, ngjizjet e artit të saj të fjalës, gjithçkaje në diapazonin e saj poetik, që paskëtaj rrjedhimisht shndërrohet domosdoshmërish në një Dëfrim për lexuesin, por edhe vetë venën e pashtershme poetike të autores, dëfrim që ka për gurgullimë veç këtë heshtnajë themeltare.

Është një kapicë poezish, një pirg poetik, një Kullë Babeli artistike që rreket dhe synon qiellin, “Caput Mundi-n” e letërsisë dhe poezisë më të zgjedhur, duke rrëzuar mite, vrarë paragjykime, zhbërë sajesa e shpërfaqur botën më shndritëse ku gjallon krijueshmëria e poetes përmes disa nëndegëve poetike: Orë e Paparë; Përtej Mitikes; Kumte Krahënderë; dhe Si Dunë.

E në secilën pjesë, lexuesi do të hasë një univers të ri, një mendësi të re, një stil të vijueshëm krijues të poetes, që prapëseprapë sendërtohet pandalshëm në forma e shpërfaqje të ndryshme të poezisë dhe artit të saj burimor.

Do të takoni “Shumëkushët”, këtë shprehje kaq origjinale e njëkohshëm krejtësisht gjithëpërfshirëse për mjedisin e sotëm jetësor shqiptar.

Do të ndeshni Antigonenë, qytetin mishërues të dashurisë epirote, grahmat e Pirros legjendar, frymërat, epikën dhe tiset e së shkuarës së largët që përditësohet mrekullisht nga poetja duke na e servirur të gjithën me elegancën e gjuhe të zgjedhur dhe metaforash të denja për antologjinë më të epërme të poezisë shqipe.

Do t’ua zënë udhën Dunat, këto trupëzime shkretëtirash e rëre, simbolika të një realiteti njerëzor e mendor të stisur me synime e smira djerrinash e shkretimesh.

Tematika e rërës vjen e shpeshtë në këtë libër, nga Klesidra, ora e lashtë e rërës, të cilës poetja i avitet me aq shije, e gjer te dunat e sipërpërmendura.

Është një kushtrim poetik, një orvatje kulturore mbi të gjitha, e shkruar me një gjuhë të rrallë për ditët e sotme, ku ndërthuren toskërishtja juglindore e origjinës së autores, me shkreptima e vetëtima gjuhësore të gegërishtes së Kosovës, që e lartësojnë këtë stil të shkruari edhe më shumë, duke e fisnikëruar këtë libër mëtejshëm.

Gjithçka në këto poezi është njësore, e pahasshme tjetërkund, e rrallë dhe pavarësisht këtyre karakteristikave kaq dalluese, këto poezi, qysh nga e para syresh “Orë e Paparë” e gjer te kushtimet për miqtë e penës dhe poezisë, korifejtë e letrave dhe artit shqip, Ali Podrimja, Azem Shkreli e Bekim Fehmiu, për të përfunduar me shpirtin e këtij libri, vetë poezinë “Dëfrim Heshtnaje”, të tëra bashkërisht arrijnë të depërtojnë krejt natyrshëm në psiken dhe etjen më burimore poetike të çdo lexuesi.

Mbetet vetëm t’i lexoni, me pasionin që do t’u shtohet poezi pas poezie (sepse faqet nuk do të keni kohë as t’i vëreni), dhe të ndiheni mirënjohës për këtë dhuratë nga autorja./ KultPlus.com

PriFest publikon listat e para të programit

Prishtina International Film Festival ka publikuar disa nga titujt të cilët do shfaqen gjatë edicionit të dhjetë të festivalit, konkretisht në një prej programeve më të rëndësishme, përcjellë KultPlus.

Programi garues i cili i kushtohet traditës më të hershme të kinemasë, asaj europiane në këtë edicion vjen me tituj të cilët nuk kanë tërhequr thjesht vëmendjen e kineastëve dhe kritikëve, por kanë sjellë frymë dhe stil të ri në filmbërje. Sivjet, PriFest publikon listën me 6 filma të metrazhit të gjatë, te cilet garojne ne kete kategori per te fituar cmimin Hyjnesha e Arte per filmin me te mire Europian.Intrigues, të guximshëm, argëtues, melankolik, tradicional e seksi. Përzgjedhja e kësaj kategorie do i japë publikut të PriFest të shijojë risitë më të spikatura të kinemasë Europiane ne dy vitet e fundit.

“ANCHOR AND HOPE”, “FOAM AT THE MOUTH “,“I WAS A DREAMER”, “ wAJIB”, “WHEN THE TREES FALL”, “APOSTASY”, janë disa nga filmat titujt e të cilëve janë bërë të ditur.

PriFest, që sivjet mban edicionin e 10-të jubilar, është ngjarja më e madhe kinematografike në Kosovë. Datat e PriFest janë 17-22 korrik 2018./ KultPlus.com

Pjesëtari i komunitet rom: Isha pjesa e UÇK’së, nuk jam në listën e veteraneve

Shkruan: Denis Galushi

Në nëntëmbëdhjetë vjetorin e çlirimit të Kosovës nga forcat e NATO-së, dua të ndaj diçka të rëndësishme me Ju.

Sot është një ditë e rëndësishme për secilin qytetarë të Republikës së Kosovës. Ata, të cilët e kanë dashur atdheun e tyre, dhanë kontribut për liri dhe çlirim, pa marrë parasysh së cilit grup etnik i takojnë.

Sepse, lufta nuk njeh grupe etnike, por vetëm njerëz të mire dhe të këqij.

Romët kishin dy zgjidhje: me të mirët, ose të këqijtë.

Mirëpo, shumicën e rasteve ata gjeneralizohen me grupin e dyte, dhe e mira e tyre po shuhet. Për këtë arsye, po e ndaj me Ju këtë intervistë të bërë më një ish – luftëtar rom të UÇK-së.

Kur filloi lufta në Kosovë, unë isha katër vjeç, dhe u deshën plotë nëntëmbëdhjetë vite të kalojnë që sot, unë të raportojë për kontributin e komunitetit tim, romë, në Luftën Çlirimtarë të Kosovës, sepse deri me tani një gjë e tille nuk ka ndodhë!

Jo vetëm Mirsadi, po ka edhe shumë të tjerë të cilët kontribuan, por për ata nuk flitet.

Së shpejti, besoj që do të flasë edhe për pjesëtarë tjerë në ndonjë TV Dokumentar.

Mirsad Berisha, i komunitetit rom, nga Prizreni, ka zgjedhur valët e Radio Kosovës për të rrëfyer për herë të parë angazhimin e tij në Forcat Çlirimtare të Kosovës – pjesëtar i Gardës Mërgimi

‘’Kjo ka qenë njëra ndër sakrificat më të mëdha qe kemi dhënë për vendin tonë, Kosovën. Qëllimi ka qene t’i bashkohemi mikut të këtij vendi për çlirimin ndaj armikut. Nuk kemi hyrë si shqiptar, apo ndonjë komunitetit i këtij vendi, por si vendas, në emër të popullit që e do lirinë. Kemi luftuar qe t’i themi ‘’mjaftë më’’, forcave shtypëse të armikut ndaj popullit. Numri i pjesëtareve të cilët kanë kontribuar në çlirimin e vendit tonë në fshatra që unë i njoh, ka qenë afër pesëdhjetë veta. Në fshatra të Kosovës, ku ka pasur romë, ata kanë dhënë kontributin dhe kanë ndihmuar vendasit e tyre, ku disa prej tyre janë gjalle edhe sot, e disa të tjerë kanë rënë dëshmorë’’, tregon Berisha.

Edhe pse shumica e romëve në Kosovë, ka qenë në anën e çlirimtarëve të këtij vendi, për fat të keq, ata edhe sot etiketohen me emra të ndryshëm dhe nuk i njihet kontributi nga shoqëria kosovare. E kjo, sipas Mirsadit, ka disa arsye.

M. Berisha: Kjo po ndodhë për disa shkaqe. Njëra prej tyre është që deri tani, neve, asnjëherë nuk na kanë thirrur ndonjë gazetar në një emision debatues për të rrëfyer për kontributin tonë, se si jemi bërë pjesëtarë të luftës për të çliruar Kosovën. Cilat kanë qenë aksionet qe kemi ndërmarr dhe si erdhi deri tek ideja t’i bashkohemi forcave çlirimtare të këtij vendi. Në kohën para sa të fillonte lufta, ju shumë mirë e dini që, shumica prej nesh e kanë lëshuar Kosovën. Por, në kohen kur filloi lufta dhe bombardimet, ne ishim ai grupi që jemi kthyer në Kosovë, për të luftuar. Kjo është një gjë e rëndësishme që duhet ta dinë vetë romët dhe jo romët, për romët. Unë kam qenë vetë aktiv në disa fronte, ku sot emri im nuk përmendet fare ne listat e veteranëve, përkundër ankesave qe i kam bërë. Unë kam qenë në gardën e grupit ‘’Mërgimi’’, tregon Berisha.

Si ndiheni sot pas njëzet viteve për kontributin e dhënë në luftë si pjesëtari i komuniteti rom?

M. Berisha: T’ju them të drejtën jemi të kënaqur që kontribuuam për vendin tonë, por jo edhe nga vetë shoqëria dhe politika e Kosovës. T ‘jemi të qartë, nuk po kërkojmë që ata t’na paguajnë kontributin tonë për luftën që kemi bërë, por së paku t’na respektojnë më shumë. Të punojnë për interesa të përbashkëta, për avancim dhe jo stagnim. Ne kemi ndihmuar mijëra fëmijë të kolegëve tanë, të cilët kane rënë dëshmorë. Jemi përkujdesur për jetimë dhe familjet e tyre. Por, kemi hasur gjithmonë në vesh të shurdhër dhe askush nuk e kishte vullnetin dhe dëshirën për kontributin tonë dhëne në Luftën e Kosovës për çlirimin e vendit.

Edhe pse me dhjetëra pjesëtarë të komunitetit romë ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për fat të keq, vetëm disa prej tyre janë në listën e veteraneve. Nga ana e tjetër, për kontributin dhe meritat e tyre, shumë pakë fletë shteti i Kosovës.

Jeto

Poezi e shkruar nga Zhuljana Jorganxhi.

Jeto dhe jetën time po e deshe,
Eja dhe merre, veç jeto.
Ata që s’duan dashurinë,
Nuk dine seç është mirësia.
Folenë e ngrenë në errësirë,
Edhe mbi ty lëshojnë stuhira.
Se jane mësuar të zvarriten,
Të të helmojnë, pastaj të vdesin.
Pa prekur trupin tënd të ngrohur,
Nga afshi i puthjesh, ledhatimit.

Dhe pena ime nis e shkruan,
Kaq e lodhur nga mundimi.
Kërkon nga ty dhe merr dy fjalë,
Dhe ndalet lumi i zemerimit.

Te dua, te dua, te dua,
Oh, këngë hyjnore e kesaj bote.
Që pëshperitet nga buzët e dashuruara,
Që frymë ty të dhanë.
Shumë të kërkova gjersa të gjeta.
Dhe nëse vdes mos u trishto,
Por ti jeto!

Nëpër rrugët e dashurisë,
Enden këngët dhe legjendat.
Nëpër vargjet e poetit,
Zemrën ta njoh.
Dhe në vija pentagramesh,
Derdhet shpirti i nje artisti.
Por dicka pa thënë pa mbetur,
Le te tjeret ta tregojne.
Dhe jeten time po e deshe,
Eja dhe merre,
Por ti jeto..

Veliaj: Teatri i ri kushton rreth 30 milionë euro, për 13 vite nuk do kishim asnjë investim

Në bashkëbisedimin me artistët, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj sqaroi edhe çështjen e financimit të ndërtimit të teatrit të ri kombëtar në kryeqytet.

Në fjalën e tij, Veliaj shprehu bindjen se është zgjedhur formula më e mirë qoftë për artistët, qoftë për qytetin e Tiranës që do të marrin një dhuratë fantastike me teatrin e ri.

Ai tha se sipas vlerësimeve, teatri i ri do të kushtojë rreth 30 milionë euro, një kosto tepër e lartë.

“Pas vlerësimeve tona kush ka qenë jashtë dhe ka pyetur sa janë kostot e teatrove të rinj dhe atyre që ndërtohen e di që pak a shumë shkon 4-5 fishi i një pallati se nuk është pllaka manjelike dhe tuba hidraulikë. Pra kostot dhe me çmimet e Shqipërisë për teatrin nëse do ti bënim një ekuivalentim për rreth 9500 m2 do të ishin 30 milionë euro duke pasur parasysh një investim prej 3000 eurosh/m2 që të ketë gjithë parametrat e një teatri modern. Pyetja është sa janë, janë shumë apo pak? Unë e di që 99 % e njerëzve pas 3 shifrave nuk i kuptojnë më sa janë vlerat.

Nga viti 2005-2013, pra në dy mandate të qeverisë së kaluar janë harxhuar 1.8 miliardë lekë për kulturën në total. Nga qeveria e re në 5 vite 1.5 miliardë lekë. Pra në total 13 vite investim për çdo gjë në kulturë kanë këto lloj kosto.

Është një mënyrë për të ilustruar se nëse ne do të pranonim që ta bënim këtë gjë vetë atëherë në 13 vite ne nuk do të kishim asnjë investim, asnjë performancë, as një financim apo sponsorizim të artit dhe të kulturës në republikën tonë nëse të gjitha do të shkonin për këtë projekt dhe do të duhej që për 13 vjet t’i fusnim në frigorifer të gjitha idetë dhe të gjitha planet që kemi për të bërë këtë.

Ua jap vetëm për efekt llogaritje se për çfarë shumash po flasim edhe në fakt sa kushton arti dhe kultura ose buxhetet normale në Shqipëri”, deklaroi Veliaj./a.g/

Baleti Kombëtar i Kosovës

Trupa e parë e Baletit të Kosovës u formua në vitin 1972. Valltarët e baletit nga ky brez u arsimuan në Shkollën e Mesme të Baletit në Shkup nën udhëheqjen e drejtorit Tatjana Petkovska. Njëzetepesë kërcimtarë nga Kosova u diplomuan nga shkolla – 19 meshkuj dhe 6 femra.

Pas përfundimit me sukses të shkollimit të tyre, shumica e kërcimtarëve u kthyen në Prishtinë. Baleti i Kosovës u formua në kuadër të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Anëtarët e parë të baletit ishin: Ahmet Brahimaj, Rrustem Selca Nikçi Elez, shqip Hoxha, Asma Mulla, Selajdin Kice, Gani Loshi Jonuz Beqiraj, Hysen Podrimçaku, Rustem Bajrami, Rrustem Metaj, Isa Bajraktari, Gani Shala, Skender Domniku, Shaban Shabanaj , dhe Enver Berisha. Abdurrahman Nokshiqi u emërua drejtor. Më vonë, 5 balerinë femra nga Shkupi u bashkua me trupën (Nexhmije Meha Selca, Sabrije Spahiu Shkreli), si dhe dy balerinë të Kosovës (Enver Elshani dhe Jashar Berisha).

Për shkak të mungesës së valltarëve të baletit, Baleti i Kosovës gëzonte shumë artistë të ftuar nga e gjithë bota, si Anglia: Vanda Ibra, Suzan Lejk dhe Xhoana Xhenkins; Poloni: Joana Andziak, Lidija Tomashevska dhe Ana Stavnjak; Rumani: Lilana Benudau; Beograd: Vjollca Curri dhe nga Filipinet: Marja Bertlan.

Rr. Nene Tereza,Prishtina
Republika e Kosovës

Email: [email protected]
http://www.baletikosoves.com/index.html
https://www.facebook.com/BaletiKombetariKosoves/

Shuhet shkrimtari Apostol Nasi

Apostol Nasi një personazh i njohur i letrave dhe mendimit shqip është shuar në moshën 77 vjeçare. Autor i disa librave, Nasi ka një kontribut dhe në fushën e botimeve si themeluesi i shtëpisë Botuese “Elite”, e cila për një hark kohor solli në gjuhën shqipe autor të rëndësishëm nga letërsia botërore.

I lindur më vitin 1941, ai mbaroi studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Politike e Juridike në Universitetin e Tiranës ku u diplomua si jurist. Gjatë karrierës së tij ka kryer detyra të ndryshme shtetërore dhe është marrë me studime shkencore në profilin e punës së tij.

Ka drejtuar organe të ndryshme shtypi dhe është marrë me botime politiko-shoqërorë. Ka qenë Pedagog dhe Shef Katedre në profilin e tij të punës. Në vitin 1994 është pranuar anëtar i Dhomës së Avokatëve të Shqipërisë. Ka qenë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Por pasioni i Nasi ishte letërsia. Ai është autor i një sërë vëllimesh me tregime, e novela apo romane si “Ema me sy të kaltër”, “Edlira”, “Kërkohet një aktore”, “Kreshnikasit” , “Doriana”. Nasi ka një kontribut edhe në kinematografi si autor i disa skenarëve. Në kohë e periudha të ndryshme është marrë edhe me publicistikë.

Gjatë periudhës së tranzicionit të shoqërisë shqiptare, ka botuar neper gazeta të ndryshme mjaft artikuj problematike, ku mund të përmenden: Përballë plagës së emigrimit, Persë s’do të na falin brezat, Çështja shqiptare – çështje e të gjithë shqiptarëve, Ngjyrimet e shoqërisë shqiptare, Shqiptarët ashtu siç janë në të vërtetë, etj. Romani i tij i fundit me titull Refuzoj të Kërcej ka qenë ndër librat Bestsellers në vitin 2003. Nasi do të kujtohet për kontributin e dhënë në historinë e prozës shqipe./ Gazetashqip

Dua Lipa barazon një rekord të vitit 1998 të Edwin McCain

“New Rules” ka barazuar rekordin e këngës që ka qëndruar më së gjati në krye të listës së pop muzikës së Billboard.

Dua me këtë këngë që është shikuar mbi 1.2 miliard herë në YouTube, ka qëndruar për 41 javë në top listë.

Ajo në këtë formë ka barazuar rekordin e vitit 1998 të Edwin McCain me këngën “I’ll Be”.

Këto matje janë bërë përmes transmetimit të këngëve në 40 radio stacione.

Projekti “H.A.M.L.E.T” bënë bashkë Shqipërinë, Italinë dhe Malin e Zi

Projektin H.A.M.L.E.T, (Highlighting Artisanal Manufacturing, cuLture and Eco Tourism), ka bërë bashkë Shqipërinë, Italinë dhe Malin e Zi në një nismë të hartuar nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë dhe të financuar nga Programi IPA CBC INTERREG, shkruan KultPlus.

Projekti H.A.M.L.E.T e vë theksin në njohjen dhe vlerësimin e pasurive të shumta natyrore, prodhimtarisë artizanale e kulturore të fshatrave dhe qytezave me tradita historike, duke synuar kthimin e tyre në vende tërheqëse për turizimin, me qëllim rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm të këtyre zonave.

Projekti ka fituar mbështetjen nga Fondet IPA të Bashkimit Europian dhe së shpejti nis faza e zbatimit që do të zgjasë dy vjet.

Italia, Shqipëria dhe Mali i Zi njihen për praninë e pasurive të shumta natyrore, fshatrave historike dhe qyteteve të vogla, ndaj projekti do të zbatohet në vende ku ka monumente, artefakte historike dhe pasuri natyrore që aktualisht nuk shfrytëzohen plotësisht, por që mund të luajnë një rol të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit kombëtar.

Përtej modernizimit të sinjalistikës turistike, me një vëmendje të veçantë për shërbimet dhe aksesin e personave me aftësi të kufizuara, projekti synon të kryejë një hartëzim gjeografik dhe kulturor, duke ofruar një listë të plotë të traditave historike, punimeve dhe veçorive natyrore, në mënyrë që të zhvillojë një ofertë të re turistike me itinerare të reja dhe aktivitete të grupuara nën një markë të përbashkët.

Financuar nga Programi IPA CBC INTERREG, nisma synon të minimizojë përpjekjet ekonomike të secilit vend dhe në të njëjtën kohë të maksimizojë ndikimin pozitiv në ruajtjen e trashëgimisë. Pritshmëria kryesore mbetet rritja e njohurive dhe ndërgjegjësimit mbi trashëgiminë lokale, përfshirja e komunitetit dhe entiteteve publike në promovimin e turizmit dhe përmirësimi në fushën e përfshirjes sociale dhe punësimit.

H.A.M.L.E.T trajton valorizimin e qendrave historike, fshatrave dhe qyteteve të vogla dhe përfshin zonat e përzgjedhura në qarqet turistike si dhe synon të rrisë bashkëpunimin dhe rrjetëzimin ndërmjet tre vendeve të Mesdheut, duke punuar drejt identifikimit të veçorive në zonën e Adriatikut./ KultPlus.com

Era Istrefi nuk do ta bëjë sot hapjen e Kampionatit

Sot nis Kampionati Botëror ‘Russia 2018’. ‘Live it up’ është kënga zyrtare dhe zërat kryesor janë Era Istrefi, Will Smith dhe Nicky Jam, shkruan lajmi.net.

Gjatë ditës disa media shqiptare kanë shkruar se Era do të jetë atje për ta bërë hapjen e Kampionatit por nëna e saj, Syzana Tahirsylaj në një prononcim për lajmi.net e ka mohuar një gjë të tillë.

Ajo tha se Era do të jetë pjesë e Kampionatit për të perfomuar ‘live’ por kjo do të ndodhë në mbyllje, pas një muaji në ceremoninë e ndeshjes finale.

”Era ka me qene ne finalen e Kampionatit, ka me performu ‘live’”, ka thënë ajo.

Ndryshe sot do të zhvillohet ndeshja e parë në mes të Rusisë dhe Arabisë Saudite, dhe hapjen e këtij kampionati sipas mediave të huaja do ta bëjë Robbie Williams./KultPlus.com

Veliaj me artistët: Teatri Kombëtar duhej transferuar që në vitin 1954

Kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj i shoqëruar edhe nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, zhvilloi një bashkëbisedim me komunitetin e artistëve për nismën e ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar.

Në fjalën e tij, Veliaj shprehu bindjen se sikurse çdo projekt tjetër i Bashkisë së Tiranës, edhe ai për Teatrin e ri do të rezultojë një sukses i vërtetë. Kreu i Bashkisë deklaroi se ky debat për një teatër të ri daton që në vitin 1998, kur vetë artistët shprehnin pakënaqësi për kushtet e tyre të punës.

Veliaj deklaroi se që në 1954 ministria e Industrisë dhe Ndërtimit ka një korrespondencë me drejtorinë e Teatrit Popullor ku shpreh mendimin që teatri të transferohet tek salla e Kuvendit Popullor sepse nuk përmbush kushtet. “Pra, plot 64 vjet më parë. Që atëherë situata vetëm është përkeqësuar. Në vitin 2004, Këshilli Shkencor i Institutit të Monumenteve të Kulturës e klasifikoi ndërtesën e Teatrit Kombëtar si një ndërtesë pa vlerë”, u shpreh ai.

Më tej, Veliaj tha se “studimi shkencor i vitit 2007-2008, ‘Architettura Moderna italiana per le citta D’Albania’, publikoi raporte të italianëve ku theksohet se qëllimi i ndërtimit të kësaj godine që në vitin1938 nga një kompani italiane ka qenë shfrytëzimi i ambienteve të saj për arsye argëtimi dhe aktivitete sportive. Studimi shkencor sqaron se për shkak të nevojës për të minimizuar kostot në situatë lute, edhe për ndërtimin e kësaj godine që kishte qëllim tjetër, janë përdorur materiale me kosto të ulët, madje materiale skarco, si tallash e alga deti”.

“Relacioni i vitit 2014 të Institutit të Monumenteve të Kulturës thotë se gjendja e përgjithshme e objektit shfaqet e rënduar dhe e amortizuar në kohë. Gjatë viteve, në objekt është ndërhyrë pjesërisht në rifiniturë, dhe në mirëmbajtjen e pjesëve të dukshme të tij. Ndërhyrje rrënjësore në strukturë, nuk ka pasur asnjëherë që prej kohës së ndërtimit të tij. Akt kontrolli i bërë në vitin 2014 , pa qenë unë kryetar bashkie, pa pasur lidhje me këtë realitet, nga inspektorët e parandalimit pranë shërbimit zjarrfikës të Tiranës konstatohet sesa e rrezikshme është situata e zjarrit”, u shpreh ai.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se edhe raporti i 2018 i Institutit të Ndërtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për godinën e Teatrit Kombëtar në 23 mars 2018 thotë se nga inspektimi i situatës së godinës, situata paraqitet shumë problematike me përkulje dhe dëmtime në disa zona të soletës dhe me ambiente që nuk ofrojnë kushtet jo vetëm për stafin por edhe për qytetarët që e frekuentojnë.

Më tej Veliaj renditi listën shumë të gjatë të kritereve që duhet të ketë një teatër modern, por që i mungojnë teatrit ekzistues dhe nuk mund të instalohen atje./ ata