Maroon 5 rikthen hitin e Bob Marleyt

Grupi i famshëm Maroon 5 ka ringjallur hitin e këngëtarit legjendar Bob Marleyt, “Three Little Birds”.

Krijuesit e hitit “This Love” kanë realizuar “coverin” e këngës së Marleyt me një videoklip.

“Coveri” është publikuar pak ditë pasi grupi realizoi këngën “Girls Like You”./ KultPlus.com

Sot 140-vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Sot shënohet 140 vjetori i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ku aktivitetet kryesore janë paraparë të mbahen në Prizren.

Aktivitetet për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit:

1. Ora 9:00 – Në oborrin e Lidhjes së Prizrenit vihet gur-themeli i kompozicionit të shtatoreve të liderëve të Qeverisë së Lidhjes.

2. Ora 09:30 – Hapja e ekspozitës së buqetave të skulptorëve për konkursin mbarëkombëtar dhe ekspozita e Bankës Qendrore të Kosovës dhe Bankës Qendrore të Shqipërisë me monedha të vjetra, nga koha e Skënderbeut.

3. Ora 10:00 – Mbahet Seanca Solemne e Kuvendit të Kosovës, me rastin e shënimit të 140 vjetorit të Lidhjes së Prizrenit (Hapësira e Kompleksit të Lidhjes).

4. Ora 11:00 -Akademia Solemne (Hapësira e Kompleksit të Lidhjes).

5. 11:30 – Konferencë për media (Hotel Theranda).

6. Ora 12:00- Organizohet turniri ndërkombëtar i Mundjes (Klubi i Mundjes Prizreni), Pallati i Sporteve.

7. Ora 13:00 -Konferencë shkencore 140 vjetori i Lidhjes (Tri institutet e Historisë: Tiranë, Shkup dhe Prishtinë), salla e Kuvendit Komunal të Prizrenit.

8. Ora 15:00 -Hapet Ekspozita mbarëkombëtare në pikturë, Hamami i qytetit në Prizren (10-20 qershor).

9. Ora 20:00 – Mbahet Koncerti i Ansamblit Kombëtar Shota (Prizren, sheshi i qytetit)./ KultPlus.com

Transformimi i Rita Orës në “Summertime Ball” (FOTO)

Rita Ora sonte është shfaqur me stil të veçantë e veshje shumëngjyrëshe në Summertime Ball që po mbahet në Londër, atje ku ajo edhe ka dhënë një performancë të mrekullueshme, shkruan KultPlus.

Kjo nuk është hera e parë që Rita Ora merr pjesë në këtë event. Ajo është paraqitur atje edhe në vitin 2012, 2014, 2015 me dukje të ndryshme.

KultPlus ju sjellë imazhin e Rita Orës përgjatë këtyre viteve.

LONDON, UNITED KINGDOM – JUNE 09: Rita Ora attends Capital FM The Summertime Ball 2012 at Wembley Stadium on June 9, 2012 in London, United Kingdom. (Photo by Stuart Wilson/Getty Images)

Rita Ora me stil të veçantë në “Summertime Ball” në Londër (FOTO/ VIDEO)

UK – Capital FM sonte po mban natën e “Summertime ball” në Londër. Atje është paraqitur edhe këngëtarja shqiptare, Rita Ora e cila përsëri ka marr fokusin e mediave, me një stil ndryshe e më të veçantë, shkruan KultPlus.

Me ngjyrën e re të flokëve, ajo atje është paraqitur edhe me një kombinim ngjyrash verore.
Ky event po mbahet në Webly Stadium në Londër, atje ku Rita Ora sapo ka performuar një nga këngët e saj.

KultPlus ju përcjellë video nga paraqitja e saj atje./ KultPlus.com

Jahja Lluka: Lidhja e Prizrenit, apel dhe dëshmi e qenësisë perëndimore të shqiptarëve

Shkruan: Jahja Lluka- Kryetar i Komisionit Qeveritar për vitin mbarëkombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu

10 qershori 1878, në historinë e popullit tonë shenjtëron vullnetin e një populli atdhedashës, të etur për liri e cila mbarte peshën e pesë shekujve Jetë të Mohuara të qenësisë sonë shqiptare.

Ishin kohëra të rënda atëherë kur pretendimet e fqinjëve, të mbështetura nga Fuqitë e Mëdha kërkonin me domosdo copëtimin e tokave shqiptare. Rrethanat në të cilat ndodhej kombi ynë qëlluan kanosëse për mosekzistencën e tij. Sikur vuajtjet dhe torturat gati për pesë shekuj nuk mjaftuan dhe duhej ç’rrënjosja nga dheu e gjakut dhe gjuhës sonë. Një mallkim që po tejkalonte kohët, një plagë e rëndë e pashuar në gjiun e mëmëdheut. Historia del të jetë tragjike për ne, shqiptari gjatë jetës së tij e kishte vetëm një detyrë të rëndë “mbrojten e pragut të shtëpisë” e që me gjithë rrethanat lufta për ekzistencë tejkalonte kohërat.

Traktati i Shën Stefanit dhe Kongeresi i Berlinit ishin të ashpra për frymën shqiptare, në vulat e tyre janë gjaku, lotët dhe torturat e kombit tonë. Ishte guximi dhe largpamësia e gjithë elitës intelektuale, atdhetare dhe patriotike të cilët e kuptuan më herët se ç’rezultate do sjellnin vendimet e Fuqive të Mëdha, i urti Ymer Prizreni, largpamësi Abdyl Frashëri dhe strategu Sylejman Vokshi u emëruan në pozitat udhëheqëse nga Këshilli i Lidhjes s’ë Prizrenit. Lidhja e Besës për një Atdhe të vetëm, në tokën e lashtë pellazgjike, bëri që burrat pavarësisht rrethanave të pamundura në esencë, të nxjerrin thelbin, të përçojnë mesazhin në çdo cep ku flitej shqip, në Ballkan, Stamboll e deri në Berlin të ngrisin zërin e tyre.

Sot kur kthejmë kohën pas, duhet të ndjehemi krenar për etërit tanë të cilët nuk e njohën dorëzimin dhe më para pranuan vdekjen sesa poshtërimin.

Tri figuat kyçe të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit janë gërshetim i urtësisë largpamësisë dhe guximit.
Në kontekstin politik Lidhja Shqiptare e Prizrenit shënon një kthesë, ishte udhërrëfyese për proceset e mëvonshme politike të cilat do pasonin në Ballkan dhe Evropë.

Në kontekstin shpirtëror Lidhja i ktheu shpresën një populli të mohuar nga bota, një populli që është burim i civilizimit evropian dhe që për faktin e tipareve hynjore, pagoi koston më të shtrejtë që njeh bota.
Rrugëtimi i frymës sonë për liri ishte tejet i gjatë. Ideja për ngjizjen e një shteti të vetëm shqiptar nuk pasoi menjëhere pas Lidhjes sepse u deshën dekada për nje Shqipëri e cila nga Konferenca e Londrës doli e copëtuar.

Sot pavarësisht fatit të vështirë dhe proceseve rrënuese ne u futëm në mileniumin e dytë me dy shtete shqiptare.
Edhe pse dëshira për një Shqipëri të vetme mbetet e pandryshueshme në zemrën e çdo shqiptari, rrethanat tê cilat ne i gëzojmë sot dikur kanë qenë tërësisht të pamundura. Të pamunduara sepse pushtuesit me çdo formë u munduan ta skllavërojnë shpirtin e shqiptarit deri në vetmohim.

Por një popull shqiponjash nuk u arrit që asnjëherë të skllavërohet. Në çdo epokë nga gjiri ynë lindën legjenda që qoftë me penë qoftë me pushkë, i treguan botës se kush ishim dhe që nuk kishim asni synim apo pretendim barbar, ndryshe nga fqinjët, veç faktit që donim të mbronim pragun tonë deri në rrehjen e fundit të zemrës.

Sot në 140 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit kemi përse të jemi krenarë. Kemi përse të festojmë, kemi pse t’i gëzohemi atdheut tonë, sepse po mos të këngulnim, po mos të luftonim, historia më nuk do na njihte.
Brezave të ardhshëm përmes 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare duhet t’i përcjellim mesazh se veprat e mëdha për kombin asnjëherë nuk duhet harruar. Ashtu siç sakrifikuan etërit tanë për një Shqipëri, të sakrifikojmë dhe ne për ta mbajtë gjallë frymën e atdhedashurisë.

Ne ishim në këtë dhe, prej kur historia njeh njeriun. Dhe si popull që ka kode të lashta zakonore, besë e gjuhë të shejtë duhet të jemi krenar dhe ballëlart para botës, sepse vetëm duke ngritur vlerat tona e ardhmja jonë do të jetë e sigurt.

Anna Frank: Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël

Anna Frankës, është vajza që vdiq në vitin 1945 në kampin e përqendrimit Bergen-Belsen, në Gjermani. Ajo u bë e famshme kur ditari i saj iu publikua pas vdekjes, në përfundim të luftës, shkruan KultPlus.

“Askush nuk është varfëruar nga bamirësia”.

“Është e mrekullueshme se si askush nuk duhet të ndryshojë gjë tek vetja për të nisur përmirësimin e botës”.

“Unë i mbaj për vete idealet, sepse pavarësisht gjithçkaje, vazhdoj të besoj se njerëzit janë të mirë në zemër”.

“Mendo për gjithë gjërat e bukura të mbetura rreth teje dhe ji i/e lumtur”.

“Kushdo që është i/e lumtur, do t’i bëjë edhe të tjerët të lumtur gjithashtu”.

“Prindërit japin vetëm këshilla të mira dhe përpiqen t’i fusin fëmijët në rrugën e drejtë, por ajo që u krijon atyre personalitetin, qëndron në duart e tyre”.

“Unë nuk mendoj për gjërat e trishta, por për gjithë gjërat e bukura që kanë mbetur ende”.
“Përtacia mund të duket tërheqëse, por puna jep kënaqësi”.

“Të gjithë jetojmë me objektivin për të qenë të lumtur; jetët tona janë të ndryshme dhe njëkohësisht, kaq të njëjta”.

“Kush do ta besonte se gjithë këto vuajtje i kaloi një vajzë e vogël?”

“Kushdo që nuk e di, duhet ta mësojë dhe ta fitojë me eksperiencë përfundimin se ‘një ndërgjegje e qetë e bën dikë të fortë’”.

“Unë thjesht nuk mund t’i ngre shpresat e mia mbi konfuzionin, mjerimin dhe vdekjen. Mendoj se paqja dhe qetësia do të kthehen sërish”.

“Ne nuk na lejojnë të kemi opinionin tonë. Njerëzit të thonë ta mbash gojën të mbyllur, por kjo gjë nuk të ndalon për të pasur një opinion tëndin. Edhe nëse njerëzit janë shumë të rinj, ata nuk duhet të ndalohen për të thënë atë që mendojnë”.

“Çdokush ka brenda vetes diçka të mirë. Gjëja e mirë është se ti nuk e di se sa i madh mund të jesh, sa shumë mund të duash, çfarë mund të arrish dhe cili është potenciali yt”.

“Çfarë është bërë nuk mund të zhbëhet më, por mund të parandalohet që të ndodhë sërish”. / Bota.al/KultPlus.com

New Yorku vishet kuq e zi, atmosferë e jashtëzakonshme në paradën shqiptare (VIDEO/FOTO)

“Albanians Roots- Rrënjet shqiptare” kanë organizuar Paradën shqiptare në New York të cilën ia kanë dedikuar heronjve të kombit, veteranëve të UÇK-së në dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

“Atdheu mbi të gjitha”, “Thank You UÇK” janë disa nga mbishkrimet që dallohen atje, ku një numër i madh I shqiptarëve janë bashkuar në këtë organizim. Pothuajse të gjithë janë veshur kuq e zi, e disa janë me veshje kombëtare ndërsa në duar mbajnë flamurin kombëtar e vallëzojnë dhe këndojnë këngët e njohura që flasin për Shqipërinë etnike. Gjatë parakalimit të paradës në duar mbajnë shkronjat e mëdha që formësojnë emrin “Albania”.

Përmes disa videove KultPlus ju përcjellë atmosferën e krijuar atje.

“Murgu”, roman nga Artan Fuga

Shkruan: Xhemile Nasufi

– Dy vjedhje paralele në dy epoka të ndryshme-

Akademiku dhe profesori i shquar i filozofisë Artan Fuga sjell për lexuesit romanin e tij “Murgu”, i cili vjen si një rizbulim i identitetit tonë të hershëm europian, një rrëfim dhe një hetim për dy vjedhje paralele të bëra në dy vende, dhe në dy epoka të ndryshme njerëzore. Romani “Murgu” është një libër për njeriun e thjeshtë, i cili ndonëse vuan padrejtësitë e pushtetit duhet të përpiqet të ruajë vlerat, moralin dhe dinjitetin e tij. Për nga struktura romani është një rrëfim i gjatë i ndarë në tre pjesë me nëntëmbëdhjetë krerë. “Murgu” është rrëfim në ngjizjen e personazheve, në linjën drejtuese ideore, me mesazhin filozofik është vetë autori ai i cili e rrëfen ngjarjen, në roman ka edhe rrëfim në vetën e parë, edhe në vetën e tretë, po ndodhë që edhe personazhet e rrëfejnë njëri-tjetrin.

Romanin, autori na e sjell si një dosje hetuese, ku Tristan Bardhi hulumton paratë e vjedhura në dy drejtime, në drejtimin horizontal të ditëve të sotme, por edhe në vertikalitetin e historisë, “Murgu” ka tendencë përtej botës shpirtërore,

Dy grabitje të bujshme kanë ndodhur në botë, njëra në kohën tonë, në një apartament buzë detit, në Durrës, ku janë vjedhur mijëra euro, ndërsa tjetra, përpara disa shekujsh, në katedralen e qytezës mesjetare, dy piktura krejt të veçanta për nga estetika dhe mesazhi i tyre janë zhdukur pa lënë gjurmë.

Dy njerëz hetojnë për të zbuluar grabitësit, Etnologu Tristan Bardhi, një intelektual bashkëkohor, dhe murgu mesjetar, Martin de Chassagne. Përgjatë hetimeve, duke kapërcyer ndarjet shekullore në kohë, ata zbulojnë njëri-tjetrin, përballen me enigma. të papritura, dhe hedhin dritë, secili në kohën e vet, mbi epokat kur kanë jetuar, mbi paranë, pushtetin, pavdekësinë e shpirtit, seksin, historinë dhe gjithçka që e bën njeriun të mendohet kur kërkon kuptimin e jetës së tij.

Me këto dy personazhe tejet misionarë në punën e tyre, duket se del përballë e keqja dhe projeksioni i asaj që autori ngre për mjedisin që e rrethon. Janë pikërisht këto dy personazhe, që edhe ndjejnë të zbulojnë njëri-tjetrin. Ata justifikojnë njëri-tjetrin, por edhe na shpjegojnë periudha të tëra kohore, ku konceptet bazë nuk vinë në formë shablloni.
Nëpërmjet një rrëfimi sa filozofik aq edhe historik, libri i rimerr këto tema për t’ia paraqitur lexuesit nëpërmjet dramave dhe sfidave të personazheve të tij.

“Dosja e Murgut Martin”- misioni hulumtues i Tristan Bardhit-

“Murgu” është një roman fiozofiko-historik i cili vjen në kohën tonë si një vetëdije për identitetin tonë kulturor iliro-arbnorë, Murgu si titull dhe si ide është marrë nga pikpamjet filozofike në të cilat autori ka studiuar dhe është marrë për vitet të tëra, inspirim nga filozofët e mëdhenjë të së kaluarës, është një rrëfim si një roman qytetar, në Durrës për një intelektual shqiptar me dramat e jetës së tij, si dhe mbi jetën e një murgu në një qyteze të Europës perëndimore shekuj më parë, është roman hulumtues me një gjuhë të arkivave, është një meditim mbi jetën dhe vdekjen, me një gjuhë metafizike dhe filozofike. Tristan Bardhi, një intelektual bashkëkohor, është personazhi kryesor, ku ngërthehet boshti i romanit. Kjo qendër e romanit është e vendosur kaq mirë sa që edhe historia e murgut mesjetar Martin de Chassagne duket se rrotullohet rreth tij.
“Murgu” është roman fiksionar me ngjarje e personazhe fiktive, ngjarja fillimisht vendoset në Durrës ku vepron edhe intelektuali shqiptar Tristan Bardhi i cili me profesion është etnolog, i gjithë rrëfimi fillon me Tristanin dhe plaqkitjen e banesës së tij, dhe vjedhjes së mijëra eurove të cilat i kishte fituar nga shitja e në trualli që kishte trashëguar nga gjyshi i tij.

Këtu fillon e gjithë rrjedha e historisë së romanit “Murgu”, me intelektualin durrësak i cili vihet në lëvizje për t’i gjetur dhe rikthyer parat e tij të vjedhura, ai në këtë hetim do të ketë punë me policinë e cila ka në dorë rastin e plaçkitjes së banesës së tij, po edhe me vetën e tij, fillon të hetoj dhe t’i shoh gjërat më qartë se kush do të mund të ishte hajduti i parave të tij, fillon që pistën e hetimeve ta bëjë vetë, dhe më pas t’i kërkoj ndihmë zyrtarit policor që ishte i ngarkuar me zbardhjen e rastit të vjedhjes.

Por sado që Tristani ishte i lodhur, i dërrmuar nga ngjarja që i kishte ndodhur, ai duhej që patjetër që të merrej me punët që kishte, pasi që punonte si etno-antropolog pranë Qendrës së Trashëgimisë Kulturore të qytetit, atij i ishte ngarkuar një detyrë që të hetonte mbi “Dosjen e Murgut Martin”. Ishte kjo një detyrë shumë me rëndësi për Tristanin pasi që këtë detyrë ia kishte ngarkuar instutucioni publik ku punonte, që ta hetonte dosjen dhe ta bënte një studim mbi të, detyra kishte të bënte vetëm me shënimet të cilat i kishte lënë Murgu Martin për Durrësin Mesjetar. Megjithatë, Tristani si studiues me përvojë e dinte se asnjë dëshmi e dhënë nga e kaluara nuk mund të shkëputet nga konteksti i saj historik, ngase aty merrte kuptimin e plotë. Dosja e Murgut Martin, ishte një dosje vuluminoze që tregonte për një vjedhje që kishte ndodhur shekuj më parë, në katedralen e qytezës mesjetare në Europën perëndimore, dy piktura krejt të veçanta për nga estetika dhe mesazhi i tyre janë zhdukur pa lënë gjurmë.

Tani më Tristani ishte futur në ngjarjen e para disa shekujve, me anë të leximit dhe studimit të dosjes së Murgut Martin, ai kishte parë gjithçka që kishte ndodhur në atë periudhë me Martinin si Murg e njeri por edhe me gjithçka që ndodhte në katedrale dhe në atë qytezë të Mesjetës, ishte zhytur aq shumë në ngjarjet që kishin ndodhur, përmes dosjes tani më kishte zbuluar aq shumë fakte të cilat kishin ndodhur në mesjetë me Murgun Martin dhe me dy eprorët e tij kishtar që ishin At Jozefi dhe At Françesku, dy priftërinjë të cilët do të luajnë një rol të rëndësishëm në jetën dhe punën e Murgut Martin, dhe në hetimet rreth dosjes së tij, Tristani i kishte dhënë vetes një mision që ta zbulojë në detaje se çka kishte ndodhur me Martinin, se si kishin rrjedhur ngjarjet shekuj më parë në atë katedrale, çfarë kishte zbuluar Murgu rreth vjedhjes së pikturave, çfarë përmbanin ato, dhe cila ishte vlera e tyre reale dhe mesazhi i tyre në veçanti, çfarë ishte raporti me eprorët e tij, si e përceptonte botën jashtë katedrales dhe jetës strikte prej murgu?

Misioni i Martinit ishte t’i gjente dy pikturat e vjedhura, por që nuk arrin t’i gjej dot, pasi që në misionin e tij hetues përballet me një botë tjetër, një botë të shfrenuar mbi moralin, pushtetin, paranë dhe seksin. Duke i sjellur ngjarjet rreth konceptit të pavdekësisë së shpirtit, autori e trajton atë edhe si besim, edhe si instrument kreditimi financiar në Mesjetë, por edhe nxjerr në pah kuptimin filozofik të kësaj pavdekësie të shpirtit, i cili është sa element fetar aq edhe shkencor pasi që autori si filozof, ai ka një përceptim mbi shpirtin, i cili beson që shpirti nuk vdes, dhe në fund të fundit të gjithë njerëzit duhet të jenë të barabartë, pasi që kanë një shpirt, dhe se një ditë të gjithë do vdesin, trupi do vdes, por shpirti jo, konceptet të cilat njeriu i ka përpunuar në vite në kokën e vet, ato mbesin në shoqëri si kuptim filozofik.

Tristani gjatë leximit dhe studimit të dosjes së Martinit zbulon konfliktet sociale të asaj kohe, duke u hapur në tema me interes sikurse janë një revolucion teknologjik, shpikja e letrës me vlerë pa përmbajtje materiale që është pararendësja e kreditimit të sotëm bankar.

Mbi këtë bazë, me anë të rrëfimit fiksion të jetës së personazheve, Artan Fuga ballafaqon pasojat e këtij hopi në botën e parasë në ditët e sotme ku paraja kishte marrë rol qendror në jetën njerëzore.
Tristan Bardhi gjatë pistës së hetimeve mbi paratë e vjedhura në apartamentin e tij, dhe Murgu Martin mbi vjedhjet e dy pikturave në Mesjetë hetojnë për të zbuluar grabitësit. Përgjatë hetimeve, duke kapërcyer ndarjet shekullore në kohë, ata zbulojnë njëri-tjetrin, përballen me enigma, të papritura, edhe hedhin dritë, secili në kohën e vet, mbi epokat ku kanë jetuar, mbi paranë, pushtetin, pavdeksinë e shpirtit, moralin, historinë dhe gjithçka që e bën njeriun të mendohet kur kërkon kuptimin e jetës së tij.
Nëpërmjet një rrëfimi sa filozofik aq dhe historik, libri i rimerr këto tema për t’ia paraqitur lexuesit nëpërmjet dramave dhe sfidave të personazheve të tij.

Gjate këtij hetimi që i’u është ngarkuar Tristan Bardhit, ai do të duhet që të takohet dhe ta njohë nga afër një zonjë, e cila punon në Bibliotekën Qëndrore të Universitetit Perëndimor të Parisit, ajo është Catherine Lafoli, një përsonazh i rëndësishëm në roman, që bënë lidhjen në mes dy karaktereve kryesore, e cila paraqitet si një person që i di të dyja historitë, si historinë e jetës së Tristanit ashtu edhe atë të Murgut Martin, kjo grua ishte ajo që i bashkoi personazhet, ajo që i dinte të gjitha misteret dhe të vërtetat rreth tyre.
-Romani, një rizbulim i identitetit tonë të hershëm europian-
Durrësi është vendi ku etnologu i ditëve tona Tristan Bardhi jeton dhe punon, ngjarja e romanit vendoset fillimsht në këtë qytet bregdetar, ku shekuj më parë Murgu Martin në mesjetë kishte ardhur me detyrë.
Murgu vjen në Durrës dhe e përshkruan atë në Mesjetë. Vend përzjerjes kulturash, fesh, rivalitetesh midis Bizantit dhe qyteteve italiane, sidomos mbretërisë së Napolit, në një pikë ku ndihet ringjallja e princërve dhe fisnikëve shqiptarë, dhe ardhja e osmanëve.

Pozita strategjike e Durrësit e bënte atë pikë nevralgjike midis Lindjes dhe Perëndimit, midis Jugut dhe Veriut të Europës çka dëshmohet sidomos me rrugët romake, me kalimin e kryqtarëve, me rivalitetet mes Bizantit dhe Romës për ndikimet fetare në këtë trevë, më parë në betejat mes gjeneralëve të republikës romake përreth Durrësit, në qendër të luftrave të Peloponezit, etj.

Nëse ne na duhet ta ribëjmë historinë tonë, ta rigjejmë origjinën e identitetit tonë, duhet të shkojmë patjetër në komunikimin kulturor mes ilirëve me qytetërimet greko-romake që e kanë ngjizjen në Durrës.
Romani i Fugës, i cili si temë kryesore dhe pikënisje kishte hetimin mbi dy vjedhjet që kishin ndodhur në dy epoka të ndryshme njerëzore, ai nuk do ta shoh kurrë një zbulim të së vërtetës, pasi që në vend të parave të Tristanit dhe dy pikturave të vjedhura nga katedralja mesjetare, të dy ata gjatë hulumtimeve të tyre gjejnë diçka që do t’i ndryshonte jetën e tyre rrënjësishtë. Janë dy rrëfime dy jetë shkrime, dy njerëz të ndryshëm, në dy epoka të ndryshme, që hetojnë për një vjedhje ata nisin për të kërkuar një objekt të grabitur në jetën e tyre të cilën nuk e gjejnë, po ata në këtë hetim zbulojnë një gjë edhe më të madhe me të tmerrshme për njerëzimin, ata zbulojnë vjedhjen e jetëve të njerëzve, gjithë shoqëria është e vjedhur është vjedhur edhe vet identiteti i njeriut.

Italia synon përfshirjen e operës në UNESCO pas picës napolitane

Pas përfshirjes se picës napolitane në UNESCO, Italia po synon përfshirjen edhe të operës italine në këtë listë. Peticionin për këtë e ka sjellë në Shqipëri, ish-Ministri i Mjedisit, Pecoraro Scanio, shkruan KultPlus.

Ish-Ministri italian i mjedisit, Pecoraro Scanio ka ndërmarrë një tjetër sfidë, atë të vendosjes në listën e UNESCO-s edhe operën italiane. Peticionin e për këtë ai e ka sjellë edhe në Shqipëri, duke shpresuar se qytetarët shqiptarë do ta firmosin atë.

Ai është shprehur se gjuha e muzikës është italishtja. Sipas tij kur dikush shkruan Allegro apo Dante e shkruan italisht, fjala operë në të gjithë botën shkruhet italisht dhe teatri i parë i muzikës lirike ka lindur në Napoli. Duke theksuar tutje se po ashtu në italisht thuhen edhe fjalët tenor e soprano.

Pas Shqipërisë, Italia është vendi i dytë në të cilën kjo fushatë prezantohet. Një nga arsyet që peticioni ka mbërritur në vendin tonë është dashuria që shqiptarët kanë për muzikën italiane ka theksuar Scanio.

“Në Itali tashmë e kemi lansuar fushatën, i pari shtet i huaj është Shqipëria ku po sjellim peticionin në bashkëpunim me Ambasadorin italian, Alberto Cutillo dhe Drejtorin e shoqatës ‘Dante Aligeri’. Peticioni mund të firmoset edhe online”, është shprehu ai.

Ndër të parët që e nënshkruan peticionin ishte Ambasadori italian, Alberto Cutillo, si dhe Drejtori i shkollës italiane në Tiranë./ KultPlus.com

“The Voice Kids”, pjesëmarrje e madhe në Tiranë edhe në audicionet e ditës së dytë

Vazhdon audicioni i Tiranës në ditën e dytë të tij. Fëmijët aspirantë për t’u bërë pjesë e ‘The Voice Kids 3’ vijojnë të paraqiten në studiot e Top Channel, në “Piramidë”, me të njëjtën energji dhe spontanitet si herët e tjera.

Produksioni vendosi të zhvillojë jashtë parashikimit audicionet e sotme, pasi ishin të shumtë fëmijët që nuk mundën të këndonin në ditën e parë.

Një pjesë e mirë e fëmijëve kanë nisur të këndojnë përpara mikrofonit të ‘The Voice Kids’ duke hapur zyrtarisht audicionet, por ka akoma të tjerë që presin radhën, sipas rendit numerik.

Numri i pjesëmarrësve sa vjen e rritet dhe për këtë arsye audicionet do të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës së sotme.

Gjërat që u ndodhin njerëzve të mirë

Poezi nga Shqiptar Oseku.

U humbin kuletat. Nuk ua vjedh kush,
por u bien nga xhepi
se hutohen nga gjëra që duan.
Nganjëherë edhe ua vjedhin, pse ka plot aso
që abuzojnë hutesën e njeriut të mirë.
U prishet gitara në mes të këngës,
i këputen telat. I bëjnë triing
gjithmonë në mes të tonit:
pasi e kanë zënë C Durin më të mirë
e po kalonin në A Mol.
E pikëllohen, pse duan ta çojnë këngën
gjer në fund një herë.
Veç një herë të vetme bre. Një.
U del flaka nga malli. Shohin një fotografi
të harruar prej njeriut që ua dërgoi,
por të gjallë për ta, ende. Shumë të gjallë.
Shikojnë tiparet e trupit, ndaj detit,
a para një sahatkulle të gurtë
në një qytet të largët pa emër.
Palët e flokëve, vetullën.
Shikojnë sy që ishin, duar që preknin.
Buzëqeshje që buzëqeshnin dikur.
E në trup ndiejne mungesën e vjetër.
Shikimi u turbullohet. Shpesh.
Sytë u perloten prej mallit.
Makina u prishet. E ndreqin vazhdimisht,
te i njëjti mjeshtër.
Tjerët u thonë, ndërro more makinën.
Por s’është aq thjeshtë.
Për njerëzit e mirë, asgjë s’është
thjesht e thjeshtë, hajt ashtu.
Njerëzit e mirë lidhen
për gjërat që duan.

Kalaja e Gjirokastrës atraksioni më i veçantë turistik, mirëpret 10 mijë vizitorë

Kalaja e Gjirokastrës vazhdon të mbetet atraksioni më i veçantë turistik për vizitorët vendas dhe të huaj.

Ajo ka mirëpritur 10.000 vizitorë për periudhën janar – maj 2018, nga 4700 vizitorë që kishte për periudhën janar – maj 2017. Kalaja është një histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës dhe përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336.

Megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë së ekzistenca e Kalasë së gurtë është më e hershme. Kulmin e historisë së saj kjo kështjellë do ta kishte në periudhën e Pashallëkut të Janinës, kur Ali Pashë Tepelena do të realizonte një sërë ndërtimesh të reja apo ndërhyrje të tjera, duke i dhënë Kalasë së Gjirokastrës fizionominë arkitektonike dhe ndërtimore që ka sot.

Duke filluar nga viti 1968-t skena e gurtë e Kalasë së Gjirokastrës do te priste me bujari instrumentistët, këngëtarët dhe valltarët e folkut ne kuadër të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës.

Njëkohësisht gjatë këtyre viteve mjediset e Kalasë kanë shërbyer edhe për organizimin e koncerteve, spektakleve dhe panaireve të ndryshëm kulturorë. Kalaja e gurtë është edhe një prej pikave më tërheqëse në guidat e grupeve turistike vendase dhe të huaja që vizitojnë Gjirokastrën e mbrojtur nga UNESCO.

Falë vlerave historike dhe arkitektonike që mbart kështjella e gurtë e Gjirokastrës, vazhdon të ngelet monumenti më i preferuar për tu vizituar nga grupet turistike vendase dhe të huaja përgjatë guidave dhe udhëtimeve të tyre në zonën e Gjirokastrës./ata

“Tingujt e zemrës sime”, libri që përmbledh kontributin e Shefqet Hoxhës në muzikë

Alberina Haxhijaj

Sot në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, Shefqet Hoxha ka bërë promovimin e librit të tij me veprat muzikore të kompozuara ndër vite. Brenda librit të titulluar “Tingujt e zemrës sime” janë përfshirë melodi për fëmijë, melodi të lehta, këngë popullore, valle popullore, këngë për solo këndim e piano dhe këngë korale, të cilat dëshmojnë vlerën që la brenda vetës ky libër, shkruan KultPlus.

Të shkruash një libër si “Tingujt e zemrës sime” nuk është e lehtë pasi që libri brenda vetës jo vetëm që ngërthen vlera muzikore por shpërfaqë edhe ndjenjat që ka pasur autori gjatë kohës sa ka shkruar dhe kompozuar këto vepra të përmbledhura në një libër të vetme.

E tillë ka qenë edhe kënga e parë të cilën e ka shkruar Shefqet Hoxha, “Nënës sime” të cilën ai ia kishte dedikuar vajzës së tij Elizës dhe nënës së saj. Për të vazhduar me kompozime të tjera ndër vite e të cilat preknin tema dhe zhanre të ndryshme.

Pikërisht ndarja e librit në kapituj është bërë sipas zhanreve. Aty meloditë janë të ndara në kapituj të cilët janë gërshetuara me përmbajtjen e teksteve, që i kishte në dorë Hoxha nga autorët e tjerë por edhe nga ato poezi-tekste që buronin nga vet ai krahas vijës melodike, që shkruante në pentagramin muzikor. E për përmbledhjen e gjithë kësaj punë në një libër autori, Shefqet Hoxha falënderoi të gjithë ata që kanë kontribuar.

“Këto krijime të miat janë një shprehje e realitetit tonë jetësor, realitet ky që bashkërisht e jetuam dhe e përjetuam, andaj mendoj se pikërisht këtu qëndron thjeshtësia dhe sinqeriteti i shprehjes dhe përjetimit të tyre, ngase ato burojnë nga melosi i pastër i popullit tim dhe nëpër të cilat ai kaloi dhe kalon”, theksoi ai.

Muzikologu Kushtrim Jakupi, vlerësoi lartë krijimtarinë e autorit duke theksuar se ajo që i ka lënë shumë përshtypje është prania e elementit muzikor tradicional-folklorik në shumë këngë, jo vetëm në shtrirjen melodike por edhe në atë ritmike.

“Rëndësia e këtij vëllimi të këngëve është jo vetëm individuale, personale, por rëndësia është më e gjerë, pasi që nevoja e madhe e përmbledhjeve të tilla të veprave të atyre që kontribuan për kulturën muzikore është e madhe dhe duhet çmuar dhe stimuluar. Vëllimi i këngëve dhe valleve po edhe këngëve të adaptuara për zë e piano si dhe ato korale, të krijuesit Shefqet Hoxha, do të radhiten në sirtarin e krijimeve të kompozitorëve kosovarë, si një mundësi shfletimi të një punë shumëvjeçare, të një krijimtarie të denjë, të ardhur nga shpirti i një artisti popullor, i cili ia dedikoi krijimtarinë familjes dhe popullit të tij”, u shpreh Jakupi.

Koreografi dhe studiuesi i folklorit, Skender Haklaj për të pranishmit kujtoi fillimisht momente nga takimi i tij i parë më autorin Hoxhaj për të vazhduar tutje për diskutimin e tij për librin duke theksuar kapitullin e katërt ku janë përfshirë 40 muzika vallesh.

“Për realizmin e krijimtarive koreografike, bazuar në muzikën e kompozuar nga autori Shefqet Hoxha, nuk denjoj të flas, pasi që do të ishte më e udhës që ti shikoni të interpretuara sot dhe vlerësimet e juaja do i pranoj më kënaqësi. Pune e kompozitorit në krijimtarinë muzikore buron me hedhjen e krijimtarisë së tij mbi pentagramin muzikor dhe pikërisht në atë moment fillon fantazia e koreografit”, u shpreh ai.

Poeti Isak Gashi, u shpreh se leximi i teksteve të këngës nga Shefqet Hoxha, të jep ndjesinë shpirtërore që të dhuron poezia. Ai vlerësoi lartë tematikat të cilat Hoxha i përfshinë në shkrimet e tij. Sipas Gashit, në të gjithë poezinë e Hoxhës lexuesit do të ndeshen me konceptin e jetës, me mundësinë që i jepet njeriut për të jetuar me plagët dhe me dhimbjet.

“Dhuntia krijuese e poetit, arrin të përthyejë konceptet e kohës, ta bëjë poezinë më kumbuese, më jetësore, më shpirtërore duke e kthyer në një mesazh përjetësues njerëzor dhe artistik, tek të gjithë njerëzit që do ta konsumojnë si art dhe si letërsi”, u shpreh ai.

Gjatë promovimit u interpretuan edhe dy vepra nga Majlinda Bajrami e cila fillimisht u shoqërua nga vajza e autorit, pianistja e njohur Pranvera Hoxha, e cila më vonë i la vendin babit të saj, për të interpretuar në piano veprën e dytë.

Po ashtu pas promovimit u vallëzuan edhe valle pikërisht me këngë e kompozuar nga kompozitori Shefqet Hoxha./ KultPlus.com

Himni i botërorit me Era Istrefin merr mbi 4 milionë klikime për 24 orë

Superylli shqiptar me famë botërore, Era Istrefi, dje ka publikuar videoklipin e këngës ” Live it Up”në bashkëpunim me Nicky Jam dhe Will Smith, që është edhe klipi zyrtar i Botërorit, Rusia 2018.

Kampionati Botëror që fillon pas pesë ditësh e ka tashmë edhe videoklipin zyrtar të publikuar.

Kjo këngë është pritur mjaftë mirë nga të gjithë, pasi vetëm një ditë pas publikimit, kënga ka arritur t’i ketë afër 4 milionë shikime në Youtube.

Këngëtarja shqiptare, Era Istrefi shfaqet në dy skena në këtë klip me dukje ndryshe. Ky është suksesi më i madh i saj deri më tani, pas hitit të sukseshëm “Bonbon” që e bëri të njohur ndërkombëtarisht.

Ndue Ukaj në mesin e më të mirëve në Mad Swirl

Best of Mad Swirl ka veçuar një antologji me 52 poetë, 12 shkrimtarë që shkruajnë fiksion dhe katër artistë, veprat e të cilëve u prezantuan në MadSwirl.com gjatë gjithë vitit 2017, shkruan KultPlus.

Redaktorët kanë vlerësuar punimet e gjithë e vitit ndërsa në mesin e 50 poetëve është edhe shkrimtari nga Kosova, Ndue Ukaj.

Mad Swirl është një platformë online e artit dhe letërsisë që ka arritur tashmë famë botërore. Kjo hapësirë u mundëson autorëve nga mbarë bota të shprehin kapacitetin e tyre artistik duke krijuar një kolektiv krijues të poetëve, artistëve dhe shkrimtarëve nga Nepali në Irlandë, nga Anglia në Kinë, nga Kalifornia në Nju Jork dhe vende të tjera.

Ky forum përmban vepra nga më shumë se 150 poet kontribuues./ KultPlus.com

Rexhep Qosja nderohet me titullin “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe

Akademiku, Rexhep Qosja nderohet me titullin “Qytetar Nderi”, i Malësisë së Madhe me motivacionin “Për vlerat e larta në fushën e studimeve gjuhësore, krijimtarisë letrare dhe etno-kulturore shqiptare në përgjithësi dhe kontributin e tij në themelimin e shtetit të Kosovës”.

Në një ceremoni të organizuar në Bashkinë e Malësisë së Madhe, Rexhep Qosja nuk i fshehu emocionet për këtë titull që i preku mendjen dhe ndjenjat.

“Na flisnin baballarët për Shkodrën sepse aty, në Shkodër, kishin mbërritur si refugjatë pas pushtimit të Luginës së Plavës e Gucisë prej Malit të Zi në pranverë të vitit 1913” wshtw shprehur Qosja.

Ndërsa Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati vlerësoi këtë titull për Akademikun Qosja si tregues se “historia nderon pakicën e veçantë që shumica nuk mund ta harrojë”.

Duke iu referuar veprës së profesor Qosjes, Bushati tha se është “në kërkim të së vërtetës, edhe në kohëra kur e vërteta ishte ilegale, ai është shembulli perfekt i thënies se “pena është më e fortë se shpata”.

Sipas Bushatit, mendimet e tij të mprehta dhe autokritika e pashoq ka bërë që klasa politike shqiptare në të dyja anët e kufirit të gjejë te kritika e Profesor Qosjes një lloj “guri prove” mbi drejtësinë e kursit të mendimit dhe veprimit shqiptar.

“Bir i kësaj toke legjendare, Kelmendit, që do të thotë toka e të urtëve, e të thjeshtëve dhe e të mirëve, ai merr sot një nderim që ndonëse nuk e ka shkëlqimin e çmimeve të akademive të nalta, përbën mirënjohjen që toka që e lindi, i blaton birit të saj”, përfundoi Bushati./ATA

Në Panair të Librit kujtohet Tajar Hatipi, promovohen edhe tri libra të tij

Alberina Haxhijaj

Në kuadër të Panairit të Librit në Prishtinë u përkujtuar puna që ka lënë pas pedagogu dhe shkrimtari elbasanas që jetoi në Prishtinë, Tajar Hatipi. Ky organizmi u bë për të shënuar 100 vjetorin e lindjes së tij, por edhe për të promovuar tri libra me shkrimet që ai ka lënë pas, shkruan KultPlus.

“Një kujtim në mes të miqve”, kështu e titulluan të pranishmit në Panair diskutimin që bënë sot e që ia kushtuan Tajar Hatipit. Mirëpo edhe pse në mesin e tyre pati më të vërtetë miq, kjo figurë tërhoqi edhe vizitorët e panairit të cilit mbase nuk kishin dëgjuar për Tajar Hatipit. Ata rrëmbeheshin për të eksploruar gjësendet që e Hatipit e që qëndronin të ekspozuar, në sallën e improvizuar të promovimeve për këtë edicion të panairit.

Në një panair të tillë kushtuar librit dhe fjalës nuk kishte sesi të mungonte kjo figurë pikërisht për kontributin që ka dhënë në fushën e edukimit, në Kosovë. I dërguar si mësues nga Shqipëria në Kosovë në vitin 1942, Tajar Hatipi do i kushtohej punën në Kosovë duke përfshirë edhe shkrimin e Abetares shqipe për nxënësit e Kosovës, me titullin “Abetare për vjetin e parë t’arsimit të të rriturve” në vitin 1968.

Në mesin e angazhimeve të shumta që pati, u emërua edhe redaktor përgjegjës i revistës “Pioneri”, në Prishtinë në vitin 1961. Pikërisht gjatë punës aty ai takoi kryetarin e Shoqatës së Botuesve, Daut Demakun, i cili ishte edhe koleg pune me autorin të cilin ai e cilëson mik, koleg e shok të vërtetë.

“Profesor Tajar ka qenë një prej të rrallëve në Jugosllavi, ai shtatë herë është shpallur profesori më i mirë i lëndëve pedagogjike nën normalen. Duhet ta keni parasysh se kur një shqiptar në Jugosllavi merr shpërblime shtatë herë nga shteti Jugosllav, flitet për një madhështi të jashtëzakonshme”, tha Demaku i cili për të pranishmit ai kujtoi edhe momente së bashku me Tajarin.

“Një herë kisha përdorur fjalën dashurisht. Lektorët më sulmua dhe unë të të them të drejtë nuk kisha ndonjë argument përveç fjalës burrërisht. Mirëpo profesori reagoi duke theksuar se shqipen e ka krijuar shkrimtarët të cilët edhe e pasurojnë atë. Duke marrë shembull Sylejman Aliun dhe fjalën ‘punësim’ të cilën e ka krijuar ai”, kujtoi Dauti.

Ai e cilësoi pikërisht Tajar Hatipin si kritikun më të madh të gjuhës.

“Pikërisht të shqipja profesor Tajari ka qenë kritiku më i madh, ai nuk ka lejuar gabime gjuhësore gjersa ka qenë redaktori i revistës ‘Pioneri’. Ka qenë tolerant për të gjitha, mirëpo, po ja bërë një gabim gjuhësore, harrojeni tolerancën e tij, aty ai nuk lëshonte pe”, tha ai duke nënvizuar faktin se pikërisht figura e tij duhet të merret shembull nga Ministria e Arsimit.

I pranishëm ishte edhe nipi i Tajar Hatipit, Heral Saraçi. Ai tha se kur kujton dajën e tij, flet për një person i cili shkruante disa letra shumë të ngrohta dhe shumë të përmallshme nga Prishtina në Tiranë, e të cilat ai i ka lexuar vazhdimisht.

“Unë flisja për të mirëpo nuk dija se çfarë më të vërtetë ai ka shkruar kështu që fillova që të shfletojë revistat e Prishtinës dhe kjo është njohja ime me Tajar Hatipin si autorë. E meqenëse unë jam edhe botues kjo mënyrë e njohjes ishte edhe shkak që të realizoheshin këto tri botime ‘Xixëllimat’, ‘Vlon’ dhe ‘Metodika’”, tha ai.
Sot është dita e parafundit në Panairin e Prishtinës, pasi që edicioni i 20-të i Panairit do të mbyllet nesër më 10 qershor./ KultPlus.com

Incesti, tradhtia e orientimi seksual i Hamletit pushtuan mbrëmë Teatrin Kombëtar të Kosovës

Alberina Haxhijaj

Ata që kanë lexuar veprën e Shekspirit e kujtojnë si veprën më tragjike, tek e cila edhe sot i hedhin sytë. “Hamleti simbas Horacit” me një gjuhë të pasur, e interaktivitet të vazhdueshëm nxjerrë shumë më shumë se kaq, e gjithë kjo punuar nga një dramaturg, regjisor e aktorët shqiptarë. Përballja me pushtetin, lufta me nderin përplasen njëra me tjetrën për gjatë shfaqjes që vjen përmes aktorëve që e sjellin ambientin mbretëror pranë publikut. Mënyra se si lëviz ngjarja e bën fort të theksueshme praninë e incestit. Flitet shumë për dashurinë por asnjëherë pa e lidhur me pushtetin. Kur flitet për dashurinë, i gjendur përballë Horacit, Hamleti ua ka kthyer shpinën të gjithëve. Megjithatë në rend të parë e ka veten e tij.

Drama “Hamleti”, e shkruar mes viti 1599 dhe 1602, përbën një nga dramat më të njohur që ka emocionuar publikun e teatrove të njohura. Me emocione të ndryshme u prit edhe në Prishtinë, ku kjo shfaqje erdhi premierë. Salla e vogël ishte e pamjaftueshme për t’i zënë të gjithë ata që kishin ardhë për të parë premierën e shfaqjes “Hamleti simbas Horacit”, me regji të Ilirjan Himaj e tekst të Ag Apollonit.

Shfaqja erdhi përmes lojës së aktorëve Shkëlqim Islami, Labinot Lajçi, Agron Shala, Kreshnik Malushaj, Valina Muçolli dhe Beslidhje Bytyqi, shkruan KultPlus.

A është e mundur që Poloni mund të ishte dashnor i Gertrudës, Hamleti mund të ishte djalë i Polonit, apo ndoshta i Klaudit, Klaudi mund të dashuronte Ofelinë, Ofelia mund të dashuronte Hamletin, Laertin dhe Polonin, po ashtu Hamleti mund të dashuronte Ofelinë dhe Gertrudën? Dhe, meqenëse Hamleti ka mik të ngushtë, Horacin, ta dashuronte edhe atë? Këto janë vetëm disa dyshime të cilat ia ka veshur veprës së Shekspirit, Ag Apolloni në dramën e tij ““Hamleti simbas Horacit” e cila u inskenua mbrëmë në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Shfaqja fillon aty ku e kishte përfunduar Shekspiri, me Horacin i cili e zbulon nëpërmjet dorëshkrimit të tij historinë e vërtetë të Hamletit. Një histori dhe një vizion i cili mbërthen në vete vende-vende edhe situata nga gjendja aktuale në Kosovë duke treguar se ky mund të konsiderohet edhe verzioni shqiptar i Hamletit. Një ritregim i historisë së Hamletit i ndryshuar, një verzion të cili regjisori Ilirjan Himaj e konsideron unik.

“Rëndësi ka që premiera u pritë mirë nga audienca dhe salla ishte plotë. Publiku reagoi, qeshi dhe u emocionua aty ku ne e kemi paraparë dhe kjo është më e rëndësishmja. Zgjedhja pikërisht e këtij teksti tregon se teksti ka rëndësi të veçantë për mua. Interpretimi që Agu i bënë Shekspirit është shumë interesant. Kemi parë me qindra verzione që i bëhen nëpër botë por ky është një verzion unik i cili ngreh disa hipoteza sesi ka mujt me rrjedh ngjarja e princit Hamlet”, tha ai për KultPlus.

Shfaqja veçohet për vijën e hollë të komedisë, rimat që përdoreshin nga aktorët e që kishin një artikulim të veçantësis dhe me pika të këndimit nga aktorët nëpër disa pjesë të shfaqjes.

“Interpretimi i aktorëve ka qenë krahas tekstit dhe vizionit tim regjisorial i cili nuk ka lënë mangët asgjë, prandaj i falënderoj aktorët për punën që kanë bërë. Nuk është e lehtë që të bëhet një shfaqje në kushtet e skenës së vogël ku mungon sasia e dritave dhe ku salla nuk është shumë adekuate. Megjithëkëtë, ne kemi arrit me e sjell një verzion origjinal të Hamletit”, përfundoi regjisori.

E pikërisht “Hamletit” ashtu siç thotë edhe autori i dramës Ag Apolloni mund t’i bëhen mbi njëqind pyetje dhe mund të jepen po aq përgjigje për të.

“Ishte një shfaqje e këndshme. Regjisori e ka marrë dhe e ka zbërthyer tekstin. Unë isha në pajtim të plotë më atë që e ka bërë regjisori. Sigurisht ky ishte një koncepti i tij, përmes imazheve, me lojë, me koncept regjisorial mirëpo unë jam ndarë i kënaqur”, tha ai për KultPlus.

Ajo që veçohet në këtë shfaqje janë edhe vendi që zënë të huajt e “Hamletit”, Princi Fortinbras, kryekëshilltari Polon dhe shkollari Horac. Ishte pikërisht skena kur Hamleti, vret Polonin i cili qëndronte fshehur pas perdeve, në dhomën e gjumit, të Gertrudës, pikënisje e të gjitha dyshimeve të cilat Ag Apolloni i ka hedhur më vonë në këtë dramë.

“Teksti ka qenë fitues i çmimi për Dramën Origjinale Shqipe “Katarina Josipi” dhe teatri ka qenë i obliguar që ta shfaqë tekstin fitues. Sigurisht që dramaturgët shqiptarë, kosovarë pretendojnë skenën shqiptare fillimisht dhe nëse nuk ju ofrohet kjo mundësi ata nuk mund të pretendojnë një sukses ndërkombëtar. Është shumë mirë që edhe teatri por edhe regjisori ka zgjedhur që ta shfaqë këtë shfaqje edhe pse si një lloj hiperteksti dramatik, me një referencë të ‘Hamleti” i Shekspirit. Teksti është tekst shqiptarë autentik i joni dhe me problemet të cilat besojë siç edhe i keni vërejtur prekin edhe aktualitetin shqiptar mirëpo më shumë prekin atë idenë universalë të njerëzimit”, u shpreh Ag Apolloni për KultPlus.

Karakteri kompleksi i Hamletit në këtë shfaqje erdhi përmes lojës së aktorit Shkëlqim Islami i cili u shpreh i lumtur për mundësinë që i është dhënë për të interpretuar në këtë shfaqje.

“Çdo shfaqje e ka sakrificën e vet ku pastaj vjen edhe shpërblimi me duartrokitje. Procesi i shfaqjes na ka zgjatë pak më shumë pas lëndimit që kam pasur dy ditë para premierës. Shpresoj që shfaqja do vlerësohet dhe që e kemi lënë në atë nivelin që e kemi pasur në atë kohë. Hamleti si personazh është shumë kompleks dhe mendoj se aktorëve që u jepet rasti më e sjellë këtë rol janë më fat, prandaj jam i lumtur që në mesin e tyre jam edhe unë. Hamletin jam munduar ta paraqes si një Hamlet klasik edhe pse agu nuk i ka ikë shumë Hamletit klasik. Stili i shfaqjes nuk është stil i zakonshëm dhe ta jep mundësinë që ta luaj një të çmendur në mënyrën komike”, tha Islami për KultPlus.
Në këtë shfaqje Horaci erdhi nga Labinot Lajçi, Poloni dhe Klaudi nga Agron Shala, Laerti dhe Fortinbrasi nga Kreshnik Malushaj, Gertruda nga Valina Muçolli dhe Ofelia nga Beslidhje Bytyqi. Luajtja e dy roleve në të njëjtën shfaqje nuk ka qenë diçka e zakonshme për aktorin Agron Shala.

“Unë kam pasur dy karaktere, diçka që e urrej pra sjelljen brenda një shfaqje të dy karaktereve. Mirëpo, nuk ka mundur që ti them regjisorit jo pasi që e njoh punën e tij dhe e vlerësoj mendimin e tij. Prandaj, e kam shkelur parimin tim e që ka qenë të mos luaj dy role në të njëjtën shfaqje. Megjithëse tani në fund jam shumë i lumtur që e kam bërë këtë pasi që kanë dalë dy karaktere fenomenale dhe po them që mirë ka bo regjisori që më ka caktuar këto dy role”, tregoi Shala për KultPlus duke e çmuar punën e regjisorit një mik të cilit ai i beson e që kanë punuar së bashku në disa projekte.

Kompozitor i kësaj shfaqje ishte kompozitori i njohur kosovar Memli Kelmendi ndërsa skenografia e kostumografia i ishte besuar Agnesa Malushajt. Shfaqja “Hamleti simbas Horacit”. ishte paraparë që të dalë me premierë më 16 prill, por, për shkak të lëndimit të aktorit i cili sjellë personazhin kryesorë të shfaqjes Shkëlqim Islamit, ajo është shtyrë për 8 qershor.

Repriza e parë e shfaqjes është sonte në skenën e vogël të Teatrit Kombëtar të Kosovës, me fillim nga ora 21:00. / KultPlus.com

Shkëlqimi i Fadil Vokrrit përmes fotografive (FOTO)

Sot ka ndërruar jetë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në moshën 57-vjeçare.
Fadil Vokrri ka lindur në fshatin Sfeçël në komunën e Podujevës. Ai njihet si “Legjenda e futbollit shqiptar” dhe mbetet futbollisti më i njohur dhe i adhuruar në Kosovë.

Në vitet ’80 Fadil Vokrri arriti kulmin e karrierës se tij. Ai e filloi karrierën e tij si futobollist me KF Llapi të Podujevës dhe më vonë kaloi tek KF Prishtina dhe luajti për një periudhë edhe me KF Partizani i Beogradit. Ai pati mundësi të arrinte edhe më shumë në karrierën e tij. Në vitin 1987 klubi i futbollit Juventus ishte i interesuar për të dhe i propozoi nënshkrimin e një kontrate disa vjeçare. Në atë vit Fadil Vokrri ishte vlerësuar si futbollisti më i mirë i vitit në Jugosllavi. Mirosllav Bllazheviç, trajneri i KF Prishtina e vlerësonte Fadil Vokrrin si sulmuesin e qendrës më të mirë në Jugosllavi. Mirëpo, në atë kohë Fadil Vokrri u thirr për të kryer shërbimin e detyruar ushtarak. Sipas ligjit jugosllav, sportistët jugosllavë nuk mund të luanin jashtë Jugosllavisë në qoftë se ata nuk kishin kryer shërbimin e detyruar ushtarak përpara moshës 27 vjeç.

Gjatë periudhës së shërbimit ushtarak ai luajti për KF Partizani i Beogradit. Fadil Vokrri ka luajtur 12 ndeshje me ekipin përfaqësues të Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë dhe ka shënuar 5 gola. Fadil Vokrri luan për një periudhë kohe për NIM, Francë ndërsa në vitet 1990-1992 luajti për ekipin e futbollit Fenerbahçe të Turqisë dhe korri shumë suksese për këtë ekip.

Pas përfundimit të karrierës si futbollist, Fadil Vokrri u vendos me banim në Francë, ku u bë trajner i një ekipi futbolli të ligës së dytë. Pas një kohe të suksesshme atje, ai u kthye në Kosovë ku ishte udhëheqës i Federatës së Futbollit Kosovar. Vokrri ishte më meritori që fillimisht Kosovës iu lejuan ndeshjet miqësore nga UEFA dhe FIFA.

Ndërkohë pas kësaj leje, Vokrri përsëri bëri punën më të madhe që FFK të pranohet me të drejta të plota në UEFA dhe FIFA.


KultPlus i sjellë sot disa pamje të cilat flasin për shkëlqimin e tij në fushë.

Shoqëria shqiptare nuk ka nevojë për brainwashing

Shkruan: Ndue Ukaj

Shoqërinë shqiptare e kanë vërshuar debate të gjithfarshme, të cilat, në vend që ta këndellin atë, i kanë shkaktuar asaj molepsje dhe huti. Prandaj, është bërë krejt e zakonshme, që, të dëgjosh dhe të lexosh gjithfarë trillesh dhe rrëfimesh, me vend e pavend, për njerëzit e këtij vendit, për të kaluarën e tij, dhe, për personazhet themelorë që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për historinë dhe kulturën shqiptare. Ky lloj ligjërimi, ka bërë që, njeriu ynë të ligështohet moralisht, të përbuzë dhe mohojë çdo gjë; ndonjëherë edhe vetveten.

Këto debate, si të tilla, më shumë u ngjajnë gulçimave, dhe janë pasojë e frustrimeve dhe inferioritetit të njeriut tonë, sesa debate qëllimmira dhe të frymëzuara nga ideja për të gjurmuar të vërtetën. Përkitazi me këtë, na duket i vlefshëm mendimi i Ernest Koliqit, i cili në librin e tij, “Dy shkolla letrare shkodrane” shkruante: “Nji komb qi përbuzë traditat e veta vendosë vetvrasjen e vet.”

Historia dhe kultura shqiptare, për dikë është bërë hale në sy. Dhe, në emër të një shkolle të çoroditur dhe mohuese, tentohet të zhvleftësohet ajo, duke u përçmuar dhe mohuar, pa asnjë argument dhe pa vlerësime serioze.
Jam dakord që shoqërisë sonë i duhet kritika, por kritika si shenjë e mendjes së pjekur- siç sugjerojnë të diturit- dhe jo kritika destruktive, që bëhet me qëllime dhe synime rrënuese, për ta hutuar dhe molepsë njeriun.

Kritika pa vend, argumentet seleksionuese, në funksion të ideologjive të caktuara, të vërtetat gjysmake, kanë shkaktuar një efekt negativ ndër ne, një kaos të vërtetë moral, duke e bërë shoqërinë tonë apatike, mosbesuese deri në pikë kritike, dhe, të habitur për çdo gjë dhe çdo kënd.

Pikërisht për këtë arsye, sot, janë të paktë ata shqiptarë, që me zemër dhe ndërgjegje, i dëgjon të thonë: lumi unë për vendin tim. Në të kundërtën, gjatë gjithë ditës, në vende pune, kafe, rrugë, institucione, shkolla, etj., dëgjon njerëz tek ankohen, lëshojnë kukama dhe gulçima, shprehin ankth, dëshpërim, paqartësi dhe pasiguri për vendin e tyre. Këto ankime i dëgjon në Tiranë, Prishtinë dhe në qytete tjera shqiptare. Në qytet dhe në fshat. Nga njerëz të sistemit dhe të tillë jashtë tij.

Shoqëria shqiptare, përveç prej prapambeturisë politike, po vuan edhe pasojat e një shkolle ligjërimore, që për qëllim ka shoqërisë t’ia bëjë një brainwashing (shpërlarje e trurit), dhe, njëkohësisht t’ia injektojë një kulturë të re, që bie ndesh me çdo gjë që është historia dhe e kaluara saj. Mbi këtë bazë, luftohet tradita, me të gjitha mjetet, duke u stigmatizuar ajo, për ligështitë dhe pamundësitë tona për të ndërtuar një shoqëri humane dhe solidare. Ky soj ligjërimi, në thelb është konstruksion ideologjik, absurd dhe utopik, e nga i cili, ne kemi kujtesë të freskët.

Në fakt, të ashtuquajturat debatet të shumta historike dhe kulturore që zhvillohen te ne, kanë për qëllim të krijojnë një njeri të ri, që nuk beson në kulturën kombëtare. Ky njeri, sipas inxhiniereve të sotshëm ideologjikë që i gjejmë kudo, i ngjan njeriut komunist: ai nuk duhet të ketë të djeshme, por vetëm të nesërme, drejt së cilës duhet të marshojë pa shikuar prapa. Për dallim nga e kaluara komuniste, ky njeri, sot nuk imponohet me dhunë, shtypje, por me përçmim dhe injorim të traditës, në debate publike, në media dhe universitete. Në emër të kësaj shkolle, është bërë e modës që, të spekulohet dhe të flitet kuturu kundër kulturës kombëtare, pa kurrfarë argumente dhe pa përfillur të vërtetat empirike.
Viteve të fundit, kemi parë sesi shqiptarë të shumtë, përqurrën sa herë gjejnë një copë letre, ku mund të flitet keq për Gjergj Kastriotin, ndërkaq, anashkalohet shumëçka, në mos gjithçka, që është shkruar me admirim për të dhe përmasën e tij ndërkombëtare, përpara Rilindjes Kombëtare. Këta predikues, shqiptarëve tentojnë t’iu mbushin mendjen se, Gjergj Kastrioti qe një trill i Rilindjes Kombëtare, i përdorur nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, ndërkaq, siç dihet, e vërteta është krejtësisht ndryshe.
Shoqëria jonë, sidomos rinia, janë në rrezik real nga ky lloj ligjërimi kundër të shkuarës, i cili po promovohet hovshëm nga predikuesit e kësaj shkolle, që rinisë sonë i ofrojnë një të nesërmes, të projektuara përmes zhbërjes dhe urrejtës së kaluarës.
Këtë ligjërim, sot e promovojnë ata që nuk duan shoqërinë tonë ta edukojnë, por duan ta kontrollojnë. Këta opinionkrijues, punojnë me shumë zell, që asaj t’i shuhet kujtesa, dhe me shumë zell kujdesën dhe shkruajnë, në atë mënyrë, që shqiptarëve t’iu mbushët mendja, se, ne jemi popull pa rrënjë në trojet tona. Thënë ndryshe, jemi komb koti dhe pa vlera.

Natyrisht, në kohë krizash, siç është kjo e jona, mund të gjinden shqiptarë që mund t’u besojnë këtyre dokrrave të tilla. Por, në gjithë këtë amulli debatesh, ata që lexojnë paçavure të tilla, duhet të pyesin: kah buron gjithë kjo urrejtje dhe ky ngazëllim për t’i nxjerrë shqiptarët sa më të pavlerë, pa rrënjë dhe pa identitet?
Në anën tjetër, kur i sheh sesi flasin, arsyetojnë dhe interpretojnë këta predikues, ti, me të drejtë mund të pyesësh, nëse vërtet këta e kanë lexuar dhe kuptuar historinë dhe kulturën shqiptare, nëse e njohin atë, apo formojnë histori sipas qejfit të tyre; histori që mund të jetë e frymëzuar nëpër kafe, në këtë “institucion” të thashethemeve, ku shpeshherë ngjet të formohen “të vërtetat” historike dhe kulturore ndër ne.
Të mësosh nga e kaluara, është këshillë e përhershme, por, kjo nuk do të thotë të mbetesh peng i saj. Gjithë e dimë që historia jonë nuk është me lule, siç nuk është asnjë histori e asnjë populli, por nuk është për t’u përbuzë pafund. Duke e përbuzë dhe nënçmuar atë, nuk mund t’i kurojmë plagët dhe të këqijat e trashëguara, prandaj, nuk duhet të lejojmë që kriteret ideologjike, në thelb utopike, të na shëmtojnë të kaluarën dhe të na konstruktojnë të ardhmen.

Historia dhe kultura shqiptare, me tërë specifikat e saj, tipologjitë dalluese, duhet të lexohet në kontekst me kohën dhe jo të paragjykohet me teori. Nuk është turp ta lexojmë atë. Përkundrazi, nëse e lexojmë dhe e njohim atë, mësojmë që të mos gabojmë.

Ne jetojmë në një vend të kontaminuar, ku rrënimi dhe degdisja shpirtërore, është shumë më e madhe se ajo politike e ekonomik, dhe ku, intrigat dhe mosbesimi, duken si forma më e lartë e komunikimit publik. Prandaj, kur flasim dhe shkruajmë për të kaluarën, duhet të tregojmë respekt dhe kujdes maksimal. Por, atë nuk mund ta zhbëjmë.

Përvoja historike ka treguar se, betejat me historinë, janë të humbura. Të bësh beteja të tilla, është të marrosesh si Don Kishoti, në luftën e tij me mullinjtë e erës. Sepse, siç shkruante shkrimtari Carlos Fuentes: “Nuk mund të ketë të tashme të gjallë me një të shkuar të vdekur. Kur e ndjekim të shkuarën nga dritarja, nuk vonon të na kthehet nga dera kryesore, e maskuar në mënyrat më të çuditshme. Betejat kundër kujtesës janë të humbura që në fillim për atë që i ndërmerr.”

Përballë ligjërimit që e stigmatizon të kaluarën, nuk duhet të heshtim, as të sillemi apatik dhe të pavëmendshëm, edhe pse, historia tregon se, betejat kundër kujtesës janë të humbura.

Filmi i njohur “Tomka dhe shokët e tij” gdhendur në muralin e Tiranës (VIDEO)

Një aktivitet mjaft i veçantë është zhvilluar në Tiranë nga data 25 maj deri më 4 qershor, ku artistë nga 12 vende të botës kanë realizuar 20 vepra të ndryshme murale dhe fasada.

“Tirana Calls for Street Artists” ka mbledhur mjeshtrat e artit mural, ndërsa ai që ka rënë më shumë në sy është “Tomka dhe shokët e tij” duke i rikthyer shumëkujt kujtimet e fëmijërisë nga Elton Sulo.

rbt

Sulo duket se i njeh mirë qytetarët shqiptarë, teksa për të ngjyrosur Tiranën e zbehtë ka vendosur të realizojë një ndër filmat më të preferuar shqiptarë pikërisht në rrugën “Pjetër Bogdani” në zonën e Ish-Bllokut.

KultPlus ju përcjellë një video të shkurtër nga punimi i muralit “Tomka dhe shokët e tij”, i cili përcillet edhe me këngë. / KultPlus.com

Zbardhet dita dhe ora e varrimit të Fadil Vokrrit

Lajmin për varrimin e të ndjerit Fadil Vokrri e ka dhënë nënkryetari i FFK-së Agim Ademi.

Ademi ka thënë se varrimi i Vokrrit do të behet nesër në Prishtinë në orën 17:00.

Ylli i futbollit kosovar Fadil Vokrri ka vdekur pas një sulmi në zemër.

Lajm tronditës për futbollin kosovar. Ka ndërruar jetë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, në moshën 57-vjeçare./ KultPlus.com

Vdes David Douglas Duncan, legjenda e fotos së luftës

Ai fotografoi Luftën e Koreve dhe të Vietnamit para se të gjente mikun e madh, Pablo Picasson.

David Douglas Duncan vdiq në moshën 102-vjeçare në Cote d’Azur ku jetonte, pasi kishte kontribuar për revistën legjendare ”Life”.

“Fotografi amerikan, i cili jetonte në rivierën franceze që prej viteve 1960 vdiq pas një bronkopneumonie i rrethuar nga të afërmit”, ka theskuar drejtori i muzeut të Antibeve, Jean-Louis Andral.

“Foto e Picassos, i lumtur, në banjon e tij, është ai. Ashtu si ajo e një ushtari amerikan, me fytyrën e dëmtuar dhe shikimin e zbrazët para një kutie konserve. Një foto e marrë më 9 dhjetor 1950, mes luftës së Koreve që rriti dhe reputacionin e fotografit të luftës, që e thërrisnin “DDD”.

“Kam një kujtim shumë të gjallë të rrethanave në të cilat janë bërë këto foto”, tregonte ai në 2008 në kuadër të festivalit Visa për imazhin në Perpignan, në jug të Francës.

“Deri në fund, ai kujtonte mbiemrat, emrat dhe gradat e të gjithë ushtarëve që kishte fotografuar në Kore dhe Vietnam”, thekson Jean-François Leroy, në krye të Visa-s për imazhin.