Qendra për Art Bashkëkohor sjellë në Prishtinë Alenka Zupančič

Stacion – Qendra për Art Bashkëkohor Prishtina do të prezentoj “Fundi i qeshjes” nga Alenka Zupančič si pjesë e “Shkolla Verore si Shkollë 2018” në kuadër të programit publik, shkruan KultPlus.com

Prezantimi fillon me kryeveprën e Preston Sturges, “Udhëtimet e Sullivan-it”. Kjo komedi ‘screwball’ (ekscentrike) përfaqëson një pjesë të të ashtuquajturit “Hollivud i vjetër” dhe trajton problemin se si arti, dhe nëse arti duhet t’iu përgjigjet problemeve aktuale (shoqërore).

Nga kjo perspektivë specifike, prezantimi do të propozojë disa ide të mëtutjeshme në funksionin dhe në funksionimin e ‘seriozitetit’ në art, si dhe në atë se çfarë në përgjithësi quhet ‘kritikë shoqërore’.

Alenka Zupančič është filozofe dhe teoriciene sociale sllovene. Ajo doktoroi në Universitetin e Lubjanës dhe në Universitetin e Parisit VIII. Ajo punon si këshilltare për hulumtim në Institutin e Filozofisë, në Qendrën Shkencore për Hulumtim të Akademisë së Shkencave në Slloveni. Ajo gjithashtu është profesoreshë në Fakultetin ZRC SAZU (Ljubljanë) dhe në Fakultetin Evropian (Saas Fee).

Bashkë me Slavoj Žižek dhe Mladen Dolar, Zupančič është një nga anëtarët më të spikatur të “Shkollës së Psikoanalizës në Ljubljanë”. Ajo njihet për punën e saj në ndërthurjen e filozofisë dhe psikoanalizës, si dhe për teoritë e saj origjinale filozofike të komedisë. Ajo ka publikuar disa libra dhe mbi 150 artikuj. Punët e saj më të reja merren me marrëdhënien ndërmjet seksualitetit dhe ontologjisë.

Disa nga publikimet e saj të përzgjedhura janë: What is Sex? Cambridge (Ma) & London, The MIT Press 2017; The Odd One In: On Comedy, Cambridge (Ma) & London, The MIT Press 2008; Why Psychoanalysis: Three Interventions, Uppsala, NSU Press 2008; The Shortest Shadow: Nietzsche’s Philosophy of the Two, Cambridge (Ma) & London, The MIT Press 2003; dhe Ethics of the Real: Kant and Lacan, London & New York, Verso 2000, 2011. /KultPlus.com

“Kinematografia e viteve ’90” risjellë filmat e Gjergj Xhuvanit dhe Fatmir Koçit

Programi veror “Kinematografia e viteve ’90” kuruar nga AQSHF solli mbrëmë projeksionin e tre titujve filmi, për të mos harruar vitin e vështirë 1997.

Filmat e regjisorëve të njohur Gjergj Xhuvani dhe Fatmir Koçi u shfaqën për publikun në Tulla Nouvelle Terrace te Pallati i Kulturës në vijim të këtij programi, që ka nisur javë më parë.

Filmat që u shfaqën ishin “Tirana ‘96” dokumentar nga Gjergj Xhuvani prodhim i vitit 1996, dokumentari “Jeta në Tiranën e vitit 1996” po nga Xhuvani realizim i vitit 1996, po mbrëmë në tarracën e Pallatit të Kulturës u shfaq dhe filmi artistik “Funeral business” prodhim i vitit 1999. Skenari Dhimitër Xhuvani, regjia Gjergj Xhuvani.

Në qendër të filmi është Shqipëria, një vend i zhytur në krizë. Tension, ankth dhe tmerr, vetmi e forca që e mposhtin një grua që e do dhe mbaron familjen e saj. Aktorë në filma janë Luiza Xhuvani dhe Vasjan Lami.

Për publikun pjesë e programit të kinemasë verore ishte dhe filmi dokumentar “Super Ballkan” nga Fatmir Koçi, prodhim i vitit 1998. Regjisori Fatmir Koçi pyet artistët shqiptarë mbi arsyet e tyre për të qëndruar në atdhe dhe se si çlirimi nga diktatura totalitare ka ndikuar në punën e tyre krijuese.

Programi veror “Kinematografia e viteve ’90” organizuar nga AQSHF dhe Tulla Culture Center të martën, që vjen do të sjellë të tjerë tituj filmash, shkruan a.t.a.

Koleksioni i AQSHF është krijuar kryesisht nga fondi i depozitës legale të prodhimit shqiptar të filluar prej vitit 1947, i cili ka qenë kryesisht prodhim i një qendre të vetme shtetërore, Kinostudios “Shqipëria e re”, aktiviteti i së cilës fillon në vitin 1952 dhe përfundon në vitin 1992. /KultPlus.com

Qeveria vendos të kthejë në atdhe eshtrat e Mid’hat Frashërit

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit Mid’hat Frashëri.

Për kthimin e eshtrave në atdhe të personalitetit të shquar të letrave shqipe, Këshilli i Ministrave akordoi për Ministrinë e Punëve të Jashtme fondin prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore.

Vendimi i plotë

V E N D I M

PËR

KTHIMIN NË ATDHE TË ESHTRAVE TË PERSONALITETIT TË SHQUAR TË LETRAVE SHQIPE DHE TË KULTURËS MBARËKOMBËTARE MID’HAT FRASHËRI

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 e 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të nenit 13, të ligjit nr.109/2017, “Për buxhetin e vitit 2018”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Kulturës, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Kthimin në atdhe të eshtrave të personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri.

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, nëpërmjet misionit diplomatik të Republikës së Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të organizojë procedurat e nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit Mid’hat Frashëri.

Ceremonia shtetërore e kthimit në atdhe të eshtrave do të organizohet gjatë javës përkujtimore të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, 14-22 nëntor 2018, e cila përkon me një nga kremtimet madhore të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, në buxhetin e miratuar për vitin 2018, në programin 01120 “Mbështetje diplomatike jashtë shtetit”, t’i shtohet fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind) lekësh, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore për të sjellë në atdhe eshtrat e personalitetit të shquar të letrave shqipe dhe të kulturës mbarëkombëtare Mid’hat Frashëri, me qëllim zhvillimin e ceremonisë shtetërore gjatë periudhës 14-22 nëntor 2018.

Fondi prej 3 239 400 (tre milionë e dyqind e tridhjetë e nëntë mijë e katërqind)) lekësh të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit.

Ngarkohen Ministria e Kulturës, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”. /ata

“Sofra Gurbetqare” përçon vlera të mirëfillta kulturore shqiptare

Nën përkujdesjen e ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, është mbajtur “Sofra Gurbetqare” në Shatërvan të Prizrenit, ku Ansambli “Emin Duraku” nga Zhuri dhe grupe e solistë tjerë mysafirë kanë performuar me këngë e valle për bashkatdhetarët që cilët po kryejnë pushimet e tyre verore në vendlindje.

“Sofra” shtrohet për mërgimtarë në shenjë mirënjohjeje dhe falënderimi për punën dhe kontributin e tyre që kanë dhënë dhe po japin për Republikën e Kosovës në përgjithësi e posaçërisht për zhvillimin e jetës kulturore dhe ruajtjen e traditave shqiptare në mërgatë.

Në kuadër të aktivitetit të organizuar në nderim të Mërgatës, u shpërndanë edhe mirënjohje për individë dhe organizatë që kanë kontribuuar për zhvillimin e kulturës së Kosovës në vendet e Mërgatës ku jetojnë dhe veprojnë shqiptarët, duke e ruajtur kësisoj traditën, gjuhën e kulturën tonë.

Me këtë rast, ministri Gashi, i cili mori pjesë në këtë organizim, u shpreh se me kënaqësi MKRS-ja dhe pa hezitim e ka përkrahur këtë ngjarje. “Aktivitete të kësaj natyre që përpos shprehjes së falënderimit për kontributin e bashkatdhetarëve tanë, Ministria po mbështetë edhe përçimin e vlerave të mirëfillta kulturore duke e pasuruar jetën kulturore. Ne po punojmë vazhdimisht që organizimet e mirëfillta kulturore të kenë hapësirën dhe përkrahjen e nevojshme ashtu që bashkatdhetarët dhe qytetarët e Kosovës të kenë se çfarë të shohin e dëgjojnë dhe si ministër ndjehem jashtëzakonisht i lumtur për këtë”, u shpreh ndër të tjera ministri./ KultPlus.com

Ura e Vashës

Ura e Vashës ndodhet mbi lumin Mat mes Klosit dhe fshatit Guri i Bardhë, 200 m linear nga rruga e Arbërit.

Ndërtuar në fillim të shek.XVIII 18-të si vepër bamiresie nga Haxhi Hajrulla Skura.

Ura është ndërtuar me gurë e llaç gëlqeror dhe ka hark në krahun e djadhtë dhe një dritare shkarkuese.

Gjithashtu, ura ka qemer të dyfishte. Këmbët e urës janë vendosur mbi dy brigje shkëmborë.

Gjatësia e urës është 11m, lartësia e saj nga sipërfaqja e ujit është 7m, gjerësia 2.8m dhe largësia mes dy këmbëve është 7m.

Sipërfaqja e urës është shtruar me kalldram me gurë lumi, llaç gelqere dhe rasa guri.

Ura e Vashës vizitohet nga shumë turist Shqiptar e të huaj, madje edhe një tabelë e vogel ku shkruhet “Ura e Vashës” është vendosur nga turistë Çek.

Për tu mundësuar turistëve të vizitojnë Uren, duhet të hapet një rrugë automobilistike nga rruga e Arbërit e deri te monumenti, një kosto jo shumë e lartë për shkak të afërsisë me rrugën.

Kjo urë mbart vlera të mëdha historike por edhe arkitektonike, për më tepër në nje peisazh natyror të mrekullueshëm.
Ura e Vashës është një ndër urat më të vjetra, të këtij stili të ndërtuar në Shqipëri.

Është shpallur Monument kulture nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës me nr vendimi 2509/1 date 30.06.1983. /KultPlus.com