Fadil Vokrri merr statusin ‘Qytetar nderi’

Ministri Kujtim Gashi ka pritur në takim familjen e legjendës, Fadil Vokrri, për t’i dorëzuar vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes të cilit, të ndjerit i njihet statusi i qytetarit me merita të veçanta për kontributin e tij dhënë në promovimin e sportit në arenën ndërkombëtare.

Familjes së Vokrrit, e përfaqësuar nga bashkëshortja zonja Edita dhe djemtë Gramozi e Alberti, ministri ua dorëzoi vendimin i cili parasheh që familjes së Vokrrit i transferohen mjete financiare prej 1000 euro në muaj.

Me këtë rast, ministri Gashi, tha se përmes këtij vendimi shteti e shpreh mirënjohjen për kontributin dhe angazhimin që ka dhënë legjenda Fadil Vokrri.

 “Qeveria ka marrë vendim që të ndjerit Fadil Vokrri t’i njihet statusi qytetar nderi me merita të veçanta për kontributin që ka dhënë në sport e veçanërisht në futboll dhe natyrisht ta ndajë një pagë mujore.  Ne ju kemi ftuar që sot të ju japim vendimin e Qeverisë andaj edhe takimi jonë është i veçantë dhe emocional. gjithë ne që e kemi njohur Fadil Vokrrin krenohemi për angazhimin dhe punën e tij. Ne kemi pasur obligim që ta marrim këtë vendim pasi që të ai ishte një njeri i cili me veprat e tij të mëdha ka lënë gjurmë në futboll e veçanërisht me kontributin e tij në anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare të sportit”, tha ministri.

Ndërkaq, bashkëshortja e të ndjerit, Vokrri, zonja Edita, ndër të tjera falënderoi ministrin Gashi për vendimin e marrë si dhe për nderimin që jep për bashkëshortin.

Fadili ka punuar jashtëzakonisht shumë dhe ka qenë i përkushtuar maksimalisht për futbollin e veçanërisht për finalizimin e stadiumit. Po ashtu falë punës dhe angazhimit të tij Kosova tashmë është pjesë e shumë organizatave ndërkombëtare sportive andaj ju falënderoj për vendimin e marrë si dhe për nderimin për bashkëshortin tim”, tha ajo./ KultPlus.com

I dashur prind, po ju plotësojmë ëndrrën për një fëmijë të shkëlqyer me nota pa u lodhur me librat

Nga Ermal Hasimja

I dashur prind

Lexova me vëmendje mesazhin tuaj me ankesat për notat e djalit. Siç e prisja, ju nuk keni ankesa për shkollën, por për notat. Për këtë arsye, vendosëm të ndërmarrim hapat e mëposhtëm për të rritur notat e djalit:

Çdo mëngjes para se të fillojë mësimi do shërbejmë djalit kafen e mëngjesit (me qumësht besoj) që të ndihet mirë psikologjikisht. Pampersat besoj se ia ndërroni vetë.

Tri herë në ditë mësuesi i matematikës do t’i recitojë disa vargje magjike nga një libër magjish egjiptiane, ndërsa mësuesja e gjuhës do këndojë yshtje kundër syrit të keq.

E udhëzuam mësuesen e fizikës që pasi të shpjegojë mësimin për gjithë klasën, të bëjë një shpjegim në version hip-hop ekluzivisht për djalin tuaj (meqë ndryshe nga nxënësit e tjerë që ka. për modele frymëzues shkencëtarë e sipërmarrës, djali juaj ka model Noizin dhe Stresin).

Meqë ju këmbëngulni se nuk duhet t’i lodhim fëmijët me shkencë mësuesja e kimisë tani e tutje do ta pyesë vetëm për efektet e Redbullit dhe patatinave mecjenëse kemi konstatuar se këto i njeh më mirë se lëndën.

Nëse këto masa nuk funksionojnë kemi vendosur që t’ju emërojmë Juve personalisht Kryevlerësues të djalit tuaj dhe t’u japim të drejtën e vënies së notave. Natyrisht vetëm për djalin tuaj, sepse prindërit e tjerë kanë qëlluar të përgjegjshëm.

Meqenëse po ju plotësojmë ëndrrën tuaj në sirtar për të patur një fëmijë të shkëlqyer me nota pa u lodhur me librat në këmbim ju kërkojmë një nder. Kur djali të mbarojë universitetin e të bëhet mjek, siç ëndërroni ju, ju lutemi të na njoftoni në cilin spital do t’i gjeni punë më mik. Thjesht ta dimë se njerëz jemi e na verbon shejtani sytë e na çon te ai spital dhe marrim më qafë veten a familjen. Faleminderit për bashkëpunimin./KultPlus.com

DokuFest i fton nxënësit që të bëhen pjesë e shkollës së filmit dokumentar

DokuFest i fton të gjithë nxënësit që të aplikojnë për kampin pranveror ku do të aftësohen për të xhiruar filma të cilat do të shfaqen në edicionin e ardhshëm të festivalit.

Kampi Pranveror mbahet në vikendin e fundit të muajit mars të këtij viti.

Deri më tani 6 gjenerata të nxënësve kanë kaluar nëpër shkollën e filmit dokumentar dhe që nga viti 2013 janë prodhuar mbi 36 filma të shkurtë dokumentar që trajtojnë tema të ndryshme shoqërore.

Shkolla e filmit është pjesë e projektit “Shkolla dhe Filmi Dokumentar” që ka për qëllim promovimin e vlerave demokratike dhe të drejtave të njeriut përmes filmit.

Kampi udhëhiqet nga ekspertët vendor dhe ndërkombëtar. Aplikantët duhet të jenë nxënës të shkollave të mesme dhe të kenë aftësi komunikimi në gjuhën Angleze.

Formulari për aplikim:

Shqip: Kliko këtu.
Turqisht: Kliko këtu.
Boshnjakisht: Kliko këtu.

Afati i fundit për aplikim është 10 mars 2019./KultPlus.com

Violinisti i çmendur

Poezi nga Fernando Pessoa. Përkthyer nga Moikom Zeqo.

As nga udha e Veriut
As nga e Jugut s’erdhi
Muzika e tij e egër
Për herë të parë në fshat.
Violinisti u duk në shteg,
Të gjithë dolën ta dëgjonin
Ai iku. Me dëshpërim, më kot,
Shpresuan të rishihnin.
Po muzika e tij e jashtëzakonshme
Qe veç ndjesi lirie.
S’ishte thjesht melodi,
As e kundërta e saj!
Në këtë vis të largët,
Në këtë truall antik
Banorët e shtrënguar
Të jetonin aty, u tronditën.
Dhe reaguan ndaj tingujve
Sipas një domethënie të harruar,
Që gjithkush e kish
Në një kërkim të vdekur.
Sakaq nusja e lumtur kuptoi
Se kish bërë martesën e gabuar,
Të dashuruarit e ethshëm
S’dashuruan dot më.
Ndoshta nusja dhe dhëndri qenë të lumtur
Thjesht se e kishin ëndërruar këtë,
Po veç zemrat e trishta vetmitare
Befas u ndjenë më pak të vetmuara.
Në çdo shpirt shpërtheu një lule,
Që po të prekje linte pluhur pa dhe.
Çdo shpirt binjak
Plotësonte ç’ka i mungonte.
Dhe vjen një hije që bekon
Nga thellësitë e pashprehura,
Një shqetësim drite
Më i mirë se sa ndalja në vend.
Se violinisti i çmendur
Ashtu siç erdhi edhe iku
Tamam si një gjysmë qenie
Plotësuar nga heshtja dhe kujtesa.
Ah, të qeshurat i braktisën ata,
Vdiq çdo shpresë e fandaksur
E pastaj harruan
Se violinisti i çmendur kishte qenë.
Megjithatë, kur ankthi i të jetuarit –
Se jeta s’është siç e do
Rikthehet në orët e ëndrrave
Të prekë ftohtësinë e ndjenjave,
Befas secili kujton
Nën shkëlqimin e Hënës së re
Mes hirit prej jete dhe ëndrre
Melodinë e violinistit të çmendur!/ KultPlus.com

‘Nëse unë do të vdes nesër’

Nga Paulo Coelho.

“Thuhet se një sekondë përpara vdekjes, secili nga ne e kupton arsyen e vërtetë të ekzistenvës së vet. Nëse unë do të vdes nesër, gjëja e parë që do të mendoj është se e shpenzova më shumë se gjysmën e jetës sime me gruan që doja. Sa njerëz në këtë planet mund ta thonë këtë gjë?

Gjeja e dytë, është se unë bëra gjithçka. Kam bërë çmenduri. Kam shkuar në ekstreme me sjelljet dhe veprimet e mia. Kështu që, nuk kam asgjë për t’u penduar.

Gjëja e tretë, është se luftova për ëndrrat e mia. Nuk e kam pranuar asnjëherë “Jo” si një përgjigje përfundimtare. Doja të bëhesha shkrimtar dhe shkruajta”.

A mund të themi edhe ne të njëjtat gjëra?

Nëse unë vdes nesër, nuk mund të them dot se e kalova më shumë se gjysmën e jetës sime me një grua që e doja. Unë as që e kam bërë gjithçka. Mund të kem bërë gjëra të prapta, por jo çmenduri, siç shprehet Coelho. Ndoshta kam shkuar në disa ekstreme dhe më pas jam penduar. Edhe pse pendimet janë të kota, sepse nuk mund ta ndryshojnë dot të shkuarën. Për sa u përket ëndrrave, nuk mund të them se i kam arritur gjithë ëndrrat që kam. Fillimisht duhet të kesh ëndrra që më pas të mendosh se si t’i realizosh ato. Në një realitet si yni, ëndrrat tona mbyten prej të tjerëve rreth nesh dhe konsiderohen të pavlera.

Por unë gjithsesi besoj dhe shpresoj se me pak mundim, secili mund të jetojë një jetë interesante dhe të ndihet krenar në çdo moment për jetën që jeton. Nëse ne dashurohemi me personin e duhur dhe mësojmë se zgjidhjet e problemeve në çift arrihen me komunikim dhe jo me ndarje, edhe ne mund të jetojmë gjithë vitet e mbetura të jetës sonë me atë person. Nëse ne kuptojmë se ndonjëherë duhet të dalim nga kornizat e seriozitetit tonë, mund të bëjmë edhe çmenduri dhe të kënaqemi (gjithmonë në limite të shëndetshme). Nëse ne projektojmë ëndrra për veten dhe jetën tonë, ne kemi bërë gjysmën e punës. Rruga për realizimin e ëndrrave, kur i kemi të ngulitura mirë në mendje se çfarë ëndrrash kemi, na shfaqet natyrshëm përpara syve.

Duhet vullnet dhe përpjekje. Ne jemi të aftë të arrijmë çdo gjë dhe në fund, të themi se vërtet kemi jetuar, sepse nëse nuk i bëjmë këto, ne thjesht ekzistojmë dhe ka një diferencë të madhe midis jetesës dhe ekzistencës… / Bota.al/ KultPlus.com

Mynihu renditet ndër atraksionet kryesore turistike për 2019-ën

“New York Times” e rendit Mynihun si një ndër atraksionet kryesore të udhëtimeve për vitin 2019. Kryeqyteti i Bavarisë ia ka dalë të renditet në 5 destinacionet më të rëndësishme të listës, pas zonave të njohura për bukurinë e tyre natyrore si Karaibet apo dhe objekte kulti si tempulli Hampi në Indi.

Arsyeja nuk është birra bavareze, por gazeta prestigjoze e rekomandon me forcë qytetin gjerman si pikë kulturore udhëtimi. Teatro si “Münchner Kammerspiele” dhe “Residenztheater” janë ndër më kreativet në Europë, thuhet në artikull.

Vetëm midis muajve janar dhe maj të këtij viti, atje do të shfaqen 30 premiera. Si arsye për të vizituar Mynihun, përmenden gjithashtu muzetë e njohur si Lenbachhaus me koleksionin e artit modern dhe opera Bayerische Staatsoper e drejtuar nga drejtori muzikor, Kirill Petrenko, shkruan koha.net

Mynihu zë vend qendror, por nuk është i vetmi në këtë land që tërheq turistë si me magnet; të huajt duket preferojnë shumë edhe malet, kështjellat dhe qytetet e gjithë Bavarisë.

Sipas një vlerësimi të Zyrës Federale të Statistikave, landi i Bavarisë pati rritje prej 6,1 përqind të turistëve të huaj në vitin 2018./KultPlus.com

Grevat, mësuesit dhe llafet e budallme

Nga Rrahman Paçarizi

Në parim kërkesat e punëtorëve gjithmonë janë të drejta. Ato janë presion i grupeve të caktuara sociale e profesionale drejtuar punëdhënësve apo qeverive, zakonisht me kërkesa për rritjen e të ardhurave, përmirësimin e kushteve të punës apo përmirësimin e përgjithshëm të pozitës së atij grupi social apo profesional.

Edhe greva e mësimdhënësve dhe punëtorëve të tjerë të arsimit do pa si e tillë. Unë personalisht nuk i mbështes grevat si mjete të presionit, pasi shpesh dyshoj se një pjesë e këtyre grupeve mund të jenë të orientuara politikisht dhe rrjedhimisht pjesa tjetër të jetë e manipuluar. 

Sektori i arsimit në Kosovë aktualisht është ndër sektorët e privilegjuar në kuptim të pagave. Mësimdhënësit kosovare paguhen relativisht mirë krahasuar me shkallën e zhvillimit ekonomik të vendit, krahasu me sektorë të tjerë e sidomos krahasu me sektorin privat, i cili në Kosovë nuk prin në kuptim të mirëqenies së punëtorit, por përkundrazi.

A është kjo arsye që t’u mëshohet hundëve arsimtarëve? Unë mendoj se jo. Mendoj kështu pasi një shoqëri që synon zhvillimin dhe rritjen e standardit duhet të synojë rritje pagash. Të arsyetueshme sigurisht. A është arsye t’u mëshohet hundëve arsimtarëve se paskan dëshmu performancë të dobët? Sërish jo. Faji nuk është te secili mësimdhënës veç e veç, por te sistemi i pareformuar apo i reformuar keq, i ndikuar nga politika në kuptim të punësimit etj. Tash nëse ka mësues që janë punësu mbi baza partiake, mësuesit e tjerë nuk duhet t’i vuajnë këto pasoja, por duhet të reformohet dhe depolitizohet sistemi. Arsimi parauniversitar duhet t’i nënshtrohet konkurrencës siç i është nënshtru stafi i UP-së. Keqpërdorime ka pasur dhe me siguri ka ende në kuptim të përzgjedhjes së stafit, por në minimum, kryesisht falë monitorimit rigoroz nga publiku dhe shoqëria civile.

A duhet t’u mëshohet hundëve arsimtarëve se ata punuakan “dy-tri orë në ditë” siç thonë budallenjtë që nuk dinë se sa kohë i duhet një arsimtari për të përgatitë secilën orë të mësimit veç e veç, sa kohë i duhet që të merret me detyrat e secilit nxënës veç e veç përveç atyre dy-tri orëve që mbaka mësim? Sigurisht që jo, madje është marrëzi të mendohet se arsimtarët punojnë dy-tri orë në ditë.

Tash, pa gogolët: PISA, dy-tri orë mësim dhe rrogat më të larta në rajon, mendoj se nuk është moment i duhur dhe as e ndershme t’i bëhet presion qeverisë për pagat. Qeveria është në një situatë të rëndë politike, MASHT është në mesin e disa reformave që nuk e di saktë se ç’rezultat do të japin. Gjithmonë ka kohë të mjaftueshme për grevat. Mirëpo orkestrimi i grevave në disa sektorë përnjëherësh është një punë me rrezik dhe me erë të keqe. /KultPlus.com

Action Bronson publikon videon e gatimeve të realizuar në Kosovë (VIDEO)

 

Action Bronson, apo Arian Asllani është një ndër reperët shqiptar që bën karrierë përtej oqeanit Atlantik, në SHBA.

Këngëtari ka qenë gjatë verës së kaluar në Prishtinë pas një kohe të gjatë gjersa ka performuar në “Sunny Hill Festival”.

Ai njihet edhe për një emision televiziv që merret me gatime, “Fuck thats Delicious” dhe herë pas here ka përgatitur ushqime tradicionale shqiptare.

Por, gjatë qëndrimit në Kosovë, Bronson ka regjistruar edhe disa episode të emisioneve, ku shihet disa gra teksa gatuajnë ushqime të ndryshme.

“Ja disa prej xhirimeve që kemi bërë në Kosovë gjatë “Sunny Hill Festival”. Shpresoj se do t’i kemi në YouTube dhe do të keni mundësi që të gjithë t’i shikoni”, ka shkruar ai në llogarinë personale në Instagram.

Kujtojmë se Action kohë pas kohe ka edhe të ftuar shqiptar si në rastin e këngëtares shqiptare, Dua Lipa.

Ndryshe, Bronson është duke punuar në këngë të reja që do t’i sjell gjatë muajve në vijim. /Telegrafi/KultPlus.com

A

Në Tiranë nisin aktivitetet për shënimin e Vitit të Ismail Qemalit

Edhe pse pa mbështetje financiare nga shteti, Instituti i Albanologjisë në 100 vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit ka organizuar një seri aktivitetesh. Me këtë rast studiuesit kanë mbledhur një fond prej 1 milion dokumentesh që flasin për rolin e Ismail Qemalit si shtetformues.

Në 100-vjetorin e vdekjes së themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemali, Instituti i Studimeve Albanologjike ka organizuar një seri aktivitetesh edhe pa financim nga buxheti i shtetit, transmeton oranews.

Viti jubile i vdekjes së Ismail Qemalit e gjen Institutin pa financim nga shteti dhe me vetëm 17 studiues, të cilët trajtohen me paga modeste.

Drejtori i Institutit, Marenglen Verli, thotë se institucioni që ai drejton ka një axhendë aktivitetesh që do të zhvillohet në 24-26 janar dhe disa botime dokumentarë që janë fryt i punës së studiuesve.

Marenglen Verli: Në mënyrë të posaçme i është kushtuar vëmendje ndër të tjera edhe Ismail Qemalit i cili ka 100 vjetorin e ndarjes nga jeta, në vitin 1919. Në bashkëpunim me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, Akademia e Studimeve Albanologjike ka kordinuar punët edhe me bashkinë e Vlorës për të bërë këto ditë, me 24 ose 26 janar, një konferencë në Vlorë. Sikundër Skëndërbeu, edhe Ismail Qemali si një figurë brilante ka marrë vëmendjen e posaçme të studiuesve. Por edhe në të gjitha periudhat pas 1912 në një mënyrë apo një tjetër ai ka qenë në vëmendje të pushtetit.

Ndonëse me financim të kufizuar, studiuesit kanë arritur të sigurojnë 1 milion dokumente të rëndësishme historike ku spikat figura e Ismail Qemalit si burrë shteti dhe aftësia e tij shtetformuese dëshmuar nga historianë e diplomatë të huaj. /KultPlus.com

Muzeu Kombëtar i Tiranës së shpejti me pavijon kushtuar diasporës

Grupi ndërinstitucional i punës për bërjen funksional të Pavijonit të veçantë kushtuar Diasporës në Muzeun Historik Kombëtar, mbajti sot mbledhjen e parë ku u diskutua mbi realizimin konkret të këtij pavijoni.

Në takimin e kryesuar nga Ministri i Shtetit për Diasporën, përfaqësues nga ministritë e Kulturës, MASR, Turizmit dhe Mjedisit si dhe atë të Punëve të Jashtme, u bisedua mbi strukturën që ky pavijon do të ketë.

Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko u kërkoi përfaqësuesve të ministrive, propozimet përkatëse për ndërtimin e të parit pavijon historik kushtuar Diasporës shqiptare, shkruan koha.net./ KultPlus.com

Përplasje për monedhat e shatërvanit të Trevit në Romë

Një mosmarrëveshje ka shpërthyer mes kryebashkiakes së Romës dhe Kishës Katolike romane, në lidhje me atë që do të ndodhë me monedhat e marra nga shatërvani i Trevit.

Ooo Çdo vit, rreth 1.5 milionë euro nxirren nga shatërvani i famshëm. Tradicionalisht, ato i jepen një organizate katolike bamirësie për të ndihmuar njerëzit në nevojë, por tani, kryebashkiakia e Romës Virginia Raggi kërkon që paratë të shpenzohen për infrastrukturën e dëmtuar të qytetit, raporton koha.net.

Organizata humanitare “Karitas” thotë se, humbja e këtyre të ardhurave do të rëndojë mbi të varfrit.

“Ne nuk e kishim parashikuar këtë rezultat”, thotë drejtori i “Karitasit”, At Benoni Ambarus. “Unë vazhdoj të shpresoj se ky nuk është një vendim përfundimtar”.

Mediet italiane e kanë pasqyruar gjerësisht konfliktin, nën tituj si “Paratë u merren të varfërve” etj..

Këshilltarët e qytetit e kanë miratuar ndryshimin, që pritet të hyjë në fuqi në prill. Sidoqoftë, shumë italianë u janë drejtuar medieve sociale për t’iu kërkuar këshilltarëve të rishikojnë vendimin.

Raggi e mori kontrollin e Romës në vitin 2016, nën siglën e “Lëvizjes 5 yjet”. Popullariteti i saj ka shënuar rënie, për shkak të dështimit në adresimin e problemeve të pafundme të qytetit.

Shatërvani i Trevit, rreth 300-vjeçar, vizitohet nga miliona turistë çdo vit. Tradita e hedhjes së një monedhe në të është bërë e famshme nga kënga e Franc Sinatrës “Tre monedha në shatërvan”, në një komedi romantike të vitit 1954 me të njëjtin titull.

Po ashtu, shatërvani shfaqet edhe në filmin e vitit 1960, “La Dolce Vita”, ku aktorja Anita Ekberg futet në ujërat e tij./ KultPlus.com

“Një martesë nuk shpëtohet vetëm nga njëri, duhet vullneti i të dyve”

Isabel Allende ishte e bekuar: kishte ngrohtësinë e një shtëpie dhe adhurimin e bashkëshortit. “Një vit më parë do të kisha thënë se shtëpia është atje ku është dashuria. Tani që nuk e kam më dashurinë nuk e di ku është shtëpia ime”,- thotë Allende.

Pas 27 vitesh martesë dhe dhjetëra librave mbi eksplorimin e dashurisë dhe familjes, shkrimtarja 73-vjeçare jeton vetëm në shtëpinë e saj në periferi të San Franciskos. Megjithatë, e vetmja gjë që nuk dëshiron është keqardhja: “Mos më ngushëllo, sepse martesa ime përfundoi mirë. Nuk i bërtitëm kurrë njëri-tjetrit, nuk përplasëm dyer në fytyrë, nuk pati një person të tretë në mes.

Një grua që ka përjetuar mërgimin, dhimbjen, famën dhe suksesin, Allende duket gati për të përqafuar të renë, një kapitull të ri në jetën e saj. “Është e çuditshme të vish në shtëpi dhe të gjitha dritat janë fikur, është qetësi absolute dhe ftohtë. Është e çuditshme të mos ndjesh praninë e dikujt tjetër. Por do të mësohem”.

Bestsellerat e saj, si “Paula”, një libër për të bijën që ndërroi jetë në vitin 1992, kanë treguar aftësinë e shkrimtares për të depërtuar në shpirtin njerëzor.

E braktisur nga i ati në moshën trevjeçare, Allende lëvizi me të ëmën dhe njerkun nëpër të gjithë Amerikën e Jugut, para se të ktheheshin në Santiago. Pas grushtit të shtetit nga Pinoçeti, Isabela e re, kushërirë e presidentit të rrëzuar, u detyrua të mërgonte. U vendos në Venezuelë, ku ndoqi gazetarinë, u nda nga bashkëshorti i parë dhe shkroi romanin e saj të parë dhe mbase më të njohurin, “Shtëpia e shpirtrave”, e frymëzuar nga kujtimet në shtëpinë e gjyshërve. U martua sërish dhe kur u vendos me të shoqin në Kaliforni ishte bërë një fenomen. Tre fëmijët e Gordonit nga një marrëdhënie e mëparshme ishin të varur nga droga dhe dy prej tyre vdiqën nga mbidoza.

“Kur vdiq djali i vogël, ai humbi interesin në çdo gjë. Na përjashtoi të gjithëve, përfshi mua. Është e trishtë. Të dy ne kemi humbur tre fëmijë. Shumë pak çifte përballojnë humbjen e një fëmije, imagjino tre”. Ajo u mundua ta shpëtonte martesën: “Provova terapinë, antidepresantë, gjithçka. Por një martesë nuk shpëtohet vetëm nga njëri, duhet vullneti i të dyve. Duhet më shumë kurajë të rrish në një marrëdhënie të vdekur sesa ta braktisësh atë”.

Pavarësisht gjithçkaje, Isabel e quan veten me fat: “Kam pasur periudha të errëta dhe tragjedi, por kam përjetuar shumë gëzime e plot sukses. Nuk besoj se ka njeri që nuk përjeton gjërat të tilla, me mua thjeshtë të gjitha kanë qenë të 

6-vjeçari që reciton 40 minuta pa u ndalur, vargjet e Gjergj Fishtës


Prindërit shqiptarë mburren shpesh me aftësitë e fëmijëve të tyre. Dikush është “mjeshtër” celulari, një tjetër i talentuar në muzikë, e shumë e shumë veçanti të tjera.

Por Niko Prendi është befasues. 6-vjeçari mund të recitojë edhe për 40 minuta vargjet e Gjergj Fishtës.

Videoja e Nikos është bërë publike nga “Mrizi i Zanave”, ndërsa në përshkrimin e saj shkruhet: “Niko Prendi 6 vjeç reciton vargjet e Fishtës edhe për 40 minuta pa u ndalur”.

https://www.facebook.com/MriziIZanaveAgroturizem/videos/281296635869834/

“Kur ti nuk i ofendon nxënësit me fjalë si budall/icë, hajvan, idiot/e, meriton pagë më të lartë”

“Kur ti, i ndale kurset private dhe në vend të tyre ofron orë plotësuese(sipas ligjit)- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, e ligjëron lëndën që njeh dhe e dinë, e jo atë që të duhet për mbushje te orëve (për pagë)- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, të gjithë nxënësit i trajton te barabarte, kur një rome nuk e ulë në fund te klasës, kur një vajze i tregon që është e barabarte me një djalë, kur një të varfër nuk e trajton keq pse nuk të ka ble dhuratë për 7 Mars- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, i vlerëson nxënësit për dije dhe jo për sjellje- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, je edhe pedagog- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, nuk i ofendon nxënësit me fjalë si budall/ice, hajvan, idiot/e pse të ka ik rendi dhe qetësia në klase, meriton pagë ma të lartë;

– Kur ti përdor metoda kreative e alternative për praktike kur shkolla nuk ka mjete- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, dine qysh më përdor kompjuterin e me ligjëru mirë anglishten(për mësimdhënësit e këtyre lëndëve)- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, e luan rolin tënd si duhet në administrim të testit të maturës- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, nuk dikton po pajisesh me materiale shtesë (printon) edhe pse të mungojnë tekstet- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, përditësohesh e nuk ligjëron statistika të gabuara- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, pranon kritikat e nxënësve e nuk i ndëshkon me notë për inat- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, pranon të testohesh- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, nuk ushtron dhunë ndaj nxënësve- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, nuk pranon të korruptohesh për të vënë nota më të larta- meriton pagë më të lartë;

– Kur ti, nuk pranon te hysh ne pune veç pse e njeh Drejtorin/en e DKA-se apo dike ne Qeveri- meriton pagë më të lartë;

-Kur ti, i proteston padrejtësitë dhe te intereson mirëqenia e nxënëseve para interesit tënd personal- meriton pagë më të lartë.

E për ta mbyllë, kur te kemi rezultate më të mira në PISA (pa marrë parasysh mangësive që i ka), ti meriton pagë më të lartë.

Tash, jepi punës, nxënësit kanë nevojë për ty, kanë nevojë për arsimim!”

Agnesa Qerimi

Rihapen dyert për tek Përmendorja e Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu

Këtë të enjte, me rastin e 551 vjetorit të kalimit në amshim të Heroit Kombëtar,  Katedralja mesjetare e Shën Nikollit (Përmendorja e Vendvarrimit të Gjergj Kastriotit-Skënderbeu) do të rihapë dyert e saj për vizitorët, pas një periudhe shkëputjeje prej 7 muajsh, shkruan KultPlus.

 “Pas një restaurimi shumë cilësor si në aspektin fizik dhe atë estetik, më në fund “Altari i Kombit Shqiptar” ka marrë pamjen që meriton”, shkruhet në njoftimin e Paulin Zafi,  Përgjegjës i Sektorit të Trashëgimisë Kulturore (Drejtoria e Arsimit, Kulturës, Turizmit dhe Sportit) pranë Bashkisë Lezhë./ KultPlus.com

Të duash atë që bën, puna në librari të ndryshon jetën

Të gjesh një punë që bën me dashuri është fat i madh. Jo të gjithë ia arrijnë. Shpesh zgjedhim profesione që nuk na përmbushin shpirtërisht, por na sigurojnë financiarisht; herë të tjerë nuk kemi as luksin e zgjedhjes; ndokush tjetër thjesht qëllon të nisë një punë që më vonë i bëhet rutinë. 


Për ata që i duan librat, puna në shtëpi botuese, revista letrare apo librari është mrekulli.
Sigurisht, puna mbetet punë, sidomos kur flasim për ndërmarrjet e prodhimet të librit, kur ndonjëherë lodhjet dhe kokëçarjet janë aq të mëdha sa e humb kënaqësinë e leximit. Por produkti final të kujton se pse e ke zgjedhur këtë profesion. 
Puna në librari është e mrekullueshme. Sigurisht, përballesh me klientë të pasjellshëm, pagesat nuk janë edhe aq të mira, por ke kaq shumë përfitime të tjera….

Të kujton se pse i do librat


Puna në librari do të thotë shitje librash. Të jesh një tregtar i suksesshëm duhet që së pari të njohësh produktin që shet. Kjo të nxit të lexosh, edhe libra që më parë mbase nuk do të të nxitnin asnjë interes. Jo të gjithë njerëzit që hyjnë në librari i kanë idetë e qarta se çfarë duhet të blejnë dhe shpesh personit përballë i kërkohet rekomandim. Pikërisht kjo të shtyn të bëhesh më kritike; të mendosh se pse i do disa libra dhe pse nuk të pëlqejnë ca të tjerë.

Të zgjeron horizontin 


Siç e trajtova më sipër, puna në librari të nxit të lexosh libra që më parë nuk i kishe konsideruar kurrë për shumë arsye. Njoh njerëz që nuk kishin lexuar kurrë libra për adoleshentë, por puna me librat i nxiti t’u jepnin një shans dhe nuk u zhgënjyen.

Lexon shumë më tepër se më parë 


Kjo është e sigurt. Ndonjëherë madje mund të të duket sikur të paguajnë për të lexuar. Ke më shumë kohë dhe alternativa pa fund. Dhe më e bukura, përveç klasikëve apo librave që ke dashur gjithnjë të lexosh por nuk ke mundur për arsye objektive, ke mundësinë të lexosh të gjitha botimet e reja, që sigurisht nuk do të mund t’i përballoje financiarisht.

Dhe e fundit, puna në librari do të të mësojë të kesh më shumë respekt për librin, të kujdesesh për të dhe t’i sistemosh raftet me shije./ Elona Qose

Reçaku, fshati që e vizitoi vdekja dhe e harroi drejtësia

Shkruan: Përparim Isufi

Dy dekada nga dita kur vdekja e vizitoi fshatin e vogël të Reçakut në Shtime, të mbijetuarit e masakrës kujtojnë tmerrin që kanë përjetuar dhe presin drejtësinë që të veprojë. Masakra që ringjalli përpjekjet e diplomacisë ndërkombëtare për t’i dhënë fund katastrofës humanitare në Kosovë, nga historianët shihet si pikë kthese në zgjidhjen e çështjes së Kosovës.

Bilall Avdiu hedh hapat ngadalë në borë, dhe ndalet e merr frymë thellë. Dy dekada më parë ishte një ditë e ngjashme, e ftohtë kur vdekja erdhi në Reçak.

Buzët i dridhen teksa përpiqet të ndërtojë rrëfimin për ditën kur forcat serbe hynë në fshat dhe vranë 45 banorë.

Është pikërisht para vendit ku ai, dy dekada më parë u nxor nga një ahur bagëtish bashkë me 30 fqinj të tjerë për ta parë vdekjen me sy.

Vdekje e cila e braktisi në rrethana të pabesueshme.

Ahuri prej nga ai e kishte bërë rrugëtimin drejt vdekjes nuk ekziston më, por era e rëndë brenda tij dhe muret e ftohta janë ende në kujtimet e plakut 72 vjeçar.

“Unë dhe disa shumica e fqinjëve ishim mbledhur këtu. Ishim mbi 30 burra. Na nxorën në oborr, na shtrinë në tokë  dhe filluan të na godasin. I dëgjuam tek flisnin në radiolidhje duke thënë: Ku t’i vrasim këto apo në kodër?”, rrëfen Bilalli për KALLXO.com pasditen e 15 janarit në Reçak.

Policia i kishte urdhëruar ata të ngjiteshin në kodër ku ishte planifikuar ekzekutimi. Një skuadër e vdekjes po i priste atje.

“Kur shkuam atje policia që priste thanë “Mirë se erdhët terroristë”, tregon Bilall Avdiu.

Por të gjithë ata që ishin grumbulluar për pushkatim ishin civilë, të paarmatosur dhe të ngrirë nga i ftohti.

Bilall Avdiu kujton tmerrin e para 20 viteve në Reçak. Foto: Kallxo.com

“Ka qenë ftohtë sikur sot, veç borë ka pasë ma pak”, kujton ai.

Të gjitha viktimat ishin civile, pavarësisht insistimit të policisë serbe se shumica e “terroristëve” mbanin uniforma të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Bilalli rrëfen se kur breshëritë filluan ai kishte rënë përtokë  pa e kuptuar nëse e kishin goditur plumbat apo u rrëzua  pavetëjdishëm derisa shihte trupat tek binin mbi njëri-tjetrin në hapsirën e ngushtë midis të shpateve të malit.

“Unë rrija shtrirë, me ftyrë nga toka duke pritur të vritem. Dikur krismat pushuan. Por unë vazhdoja të qëndrojë palëvizur. Më dukej që isha ngrirë. Dikur u ngrita. Nuk pashë asgjë, pastaj eca zvarrë dhe hyra në mal”, kujton ai.

Derisa nata po afrohej mbi Reçak ai kishte vërejtur një plak dhe kishte thirrur të afrohej.

“Derisa ai po vinte desha ta ndez një cigare. Por kutia ishte prishur nga plumbat në xhep dhe xhepat ishin bërë shoshë”.

Asnjë nga plumbat nuk e kishte prekur në trup.

Pastaj ishte ngjitur sërish në kodër të shohë mos dikush ka shpëtuar.

“Shkova duke i prekur një nga një trupat deri diku kah gjysma e grumbullit. Asnjëri nuk ishte gjallë. Pastaj më kishte rënë të fikët derisa një fqinj kishte ardhur dhe më kishte prekur”, thotë ai.

Bilall Avdiu thotë se së bashku me tre fqinjë të tjerë kishin qëndruar në mal natën midis 15 dhe 16 janarit, jo shumë larg trupave të vrarë.

Walker, shpëtimtari

Statuja e ambasadorit William Walker në Reçak. Foto: Kallxo.com

Të nesërmen rreth orës 10 fshatarët që kishin mbetur aty po dëgjonin zëra duke thënë se forcat serbe janë larguar dhe “të huajt kanë ardhur në fshat”, duke iu referuar Misionit Verifikues të OSBE-së që në atë kohë udhëhiqej nga amerikani William Walker.

“Kishte ardhur Walker me ekipin e tij  dhe  mediat. Ai më pa në sy dhe më tha: Shko në shtëpi”, rrëfen ai.

Pak minuta më vonë mbërriti një helikopter i forcave serbe duke mbikëqyrur kufomat.

“Walker na tha se ata mund t’i marrin trupat por ne tashmë i kemi filmuar”, tregon Bilalli.

Diplomati amerikan i cili sapo i kishte parë pasojat e atij sulmi, e kishte quajtur atë si “krim kundër njerëzimit”, ende ruan një “figurë babai” për banorët e fshatit dhe Bilall Avdiu nuk fsheh asnjë pikë admirimi kur flet për këtë.

Kryetari i fshatit, Adem Ramadani, e sheh Walkerin në një horizont më të gjerë.

“Reçaku sot e 20 vjet e shpresoj se do të shkojnë edhe me mijëra vjet që William Walkerin e shohin si një shpëtimtar. Jo shpëtimtar vetëm të Reçakut, por si shpëtimtar të gjithë popullit shqiptar në Kosovë”, thotë Ramadani.

Mbi të gjitha, Ramadani e vlerëson vendosmërinë e Walkerit për ta ruajtur të vërtetën e asaj që ndodhi, përkundër presioneve nga Serbia.

“Serbia do ta kishte blerë dhe paguar fjalën e tij, dhe me siguri Kosova do të kishte edhe shumë masakra tjera të cilat nuk do të kishin pasur jehonë të madhe për botën”, thotë ai.

Vetë Walker kujton përpjekjet e regjimit të Milosheviqit për t’i manipuluar dëshmitë menjëherë pas masakrës.

I kishte shkuar në mëngjesin e 16 janarit në Reçak dhe kishte incizuar tërë situatën, përfshirë edhe kufomat e shtrira në rrugën e ngushë malore mes shkurreve.

“Mbërrita aty vetëm disa orë pasi kishte ndodhur masakra. Pashë në mesin e asaj dite të acartë dimri trupat dhe atë që kishte ndodhur ndaj atyre burrave dhe djemve. Qeveria e Beogradit doli që ditën e parë me versione të ndryshme që i përshtaste me atë që mësonte bota për atë ngjarje dhe vazhdimisht ka ndryshuar opionionin e saj”, thotë Walker në një intervistë të tri ditëve më parë për “Zërin e Amerikës”.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian reaguan me zemërim ndaj masakrës së 45 shqiptarëve. Presidenti Bill Clinton kishte thënë se “ky ishte një akt i qëllimshëm për të mbjellë frikë në mesin e popullit të Kosovës”.

Ndërsa Ministri i atëhershëm i Jashtëm i Gjermanisë, Joshka Fischer, duke folur në emër të BE, deklaroi se “ata që janë përgjegjës për këtë akt duhet ta dinë se bashkësia ndërkombëtare nuk është e gatshme të pranojë vrasjen brutale të civilëve”.

Në vitin 2002, Bilalli udhëtoi për në Hagë për të dëshmuar në gjykimin kundër  ish liderit jugosllav Sllobodan Millosheviq. Por ai mbeti shumë i dëshpëruar me drejtësinë. “I thashë Milosheviqit se 45 njerëz u vranë me urdhrin tënd”.

20 vjet pas Bilalli vuan ende traumat e tmerrit që kishte përjetuar.

“Për Reçakun nuk pati kurrë drejtësi askush nuk u dënua. E tash po fillon punën edhe  gjykatë për Kosovën”, thotë ai.

Masakra e Reçakut ka qenë edhe një nga pikat e akuzës së Tribunalit të Hagës ndaj Vlastimir Gjorgjeviq, kolonel i përgjithshëm i pensionuar serb, ish- ndihmës ministër i Ministrisë së Brendshme të Serbisë dhe kreu i Departamentit të Sigurisë Publike. Ai qe dënuar me 27 vjet burgim.

Prokurorja Speciale e Kosovës, Drita Hajdari, thotë se edhe Prokuroria Speciale është duke e hetuar këtë masakër.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke hetuar edhe për rolin e personave të tjerë në këtë masakër”, tha ajo për KALLXO.com.

Banorët si Bilalli në Reçak thotë se masakra në këtë fshat dhe Walker u bënë pikë kthese që NATO të intervenonte në Kosovë dy muaj më vonë.

Kompleksi i varrezave të të vrarëve në Reçak. Foto: Kallxo.com

Por para se të vijnë aeroplanët luftarakë të NATO-s, ekipet negociatore të Kosovës dhe Serbisë u desh të mbylleshin me javë të tëra në  kështjellën mesjetare të Rambujesë në Francë në përpjekje për ta gjetur një zgjidhje politike për krizën politike dhe katastrofën humanitare që po i kanosej vendit.

Një dokument-marrëveshje e diktuar nga bashkësia ndërkombëtare e mori mbështetjen e palës kosovare, përkundër hezitimeve dhe kundërshtimeve të shumta.

Bujar Dugolli, profesor i Historisë në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës dhe pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë, thotë se atëbotë përshkallëzimi i konfliktit po rritej në Kosovë përderisa forcat serbe filluan ofensivë policore e ushtarake me qëllim “futjen e frikës dhe tmerrit te popullsia civile” që ata të braktisnin sa më shumë shtëpitë e tyre dhe të largoheshin nga Kosova.

“Kjo ishte një politikë e kahershme serbe që u aplikua në Kosovë shumë herë gjatë historisë që kishte për qëllim spastrimin etnik dhe ndryshimin e strukturës etnike në Kosovë. Për dallim që masakrat tjera mbetën në harresën e historisë masakra që u bë ndaj civilëve shqiptarë në fshatin Reçak u evidentua nga misioni ndërkombëtar i OSBE-së i kryesuar nga ambasadori amerikan William Walker, i cili nuk hezitoi t’i jepte epitetin që e kishte kjo masakër, krim kundër njerëzimit”, thotë Dugolli për KALLXO.com.

“Rasti i Reçakut dhe krimet tjera që ndodhnin vazhdimisht gjatë atyre ditëve në Kosovë i dhanë shtytje procesit diplomatik ndërkombëtar në kërkim të ndalimit të konfliktit dhe zgjidhjes së çështjes së Kosovës”, shton ai.

Krimi i pandëshkuar

Bujar Dugolli thotë se “pa drejtësi të mirëfilltë, nuk ka as paqe të qëndrueshme”.

Sipas tij, dy misionet e deritanishme ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK dhe EULEX, por as institucionet kosovaretë drejtësisë “nuk bënë sa duhet për zbardhjen dhe vendosjen para drejtësisë së kriminelëve që shkaktuan masakrën e Reçakut dhe krimet tjera në Kosovë”.

“Duke e ditur se edhe në aspektin e të drejtës krimi nuk plaket, është shumë me rëndësi të mos hiqet dorë që përgjegjësit për këtë masakër e masakrat e tjera në Kosovë të dalin para drejtësisë”, thotë ai.

Institucionet e drejtësisë në Kosovë, thotë ai, e kanë obligim që të evidentojnë provat, t’i intervistojnë dëshmitarët e gjallë, dhe mbi provat e tilla të kërkohet që kriminelët të dënohen për krimet e bëra.

Reçaku. Foto: Kallxo.com

“Kjo do të jetë një satisfaksion për familjet dhe mesazh i qartë për të gjithë ata që mendojnë se drejtësia nuk vepron”, thotë Dugolli.

Besim Jakupi nga Reçaku, që kohën e masakrës ishte 12 vjeç, thotë se ende jeton me përjetimin kur parë trupat e vrarë dhe të gjymtuar në kodër të grumbulluar në baltë. “Ishte një skenë e tmerrshme”, thotë ai.

Në mesin e trupave të vrarë, gjendej edhe një i afërm i tij.

Disa prej të viktimave tjera u gjetën me sytë e të nxjerrë ose kokat të shtypura në oborrin e shtëpisë , përfshi edhe një grua të re dhe një djalë 12-vjeçar. Por shumë prej tyre ishin të moshuar. Më i vjetri nga ta ishte 77  vjeç.

Adem Ramadani, kryetar i fshatit Reçak, thotë se çdo janar e kthen fshatin në kujtimet e rënda të asaj dite të vitit 1999.

“Kjo dhembje do të jetë me ne së paku deri sa të ndërrohen gjeneratat të cilat janë direkt të lidhura me humbjen e familjarëve të tyre”, thotë ai.

“Këtu secili ka humbur ndonjë familjar e të afërm. Kjo është gjenerata e cila do ta përjetojë ende këtë ngjarje”, shton Ramadani.

Shkurret e kanë mbuluar vendin e ekzekutimit dhe Bilallin mezi e mbajnë këmbët teksa përshkon një pjesë të asaj rruge sërish.

Është rrugë të cilën ai e merr shpesh, saherë që ka nevojë ta shohë në sy fatin e keq të bashkëfshatarëve.

Besim Jakupi, i cili merret me mjeshtrinë e ndërtimtarisë, në ditët e dimrit, kur memoriali i Reçakut mbulohet nga bora e akulli, merr lopatën në dorë për ta larguar borën nga shkallët e rrëshqitshme që dërgojnë te 45 piramidat e varreve, sipër të cilave qëndrojnë të varur dy flamuj gjigantë kombëtarë shqiptarë.

Besim Jakupi, Reçak. Foto: Kallxo.com

Anash varrezave, një shtatore e William Walker i bën roje fshatit.

Diplomati amerikan është skalitur në bronx me shikimin kah fshati dhe gishtin tregues që bën me shenjë në tokën e Reçakut.

“Rendi është që të jetë edhe një flamur i Kosovës këtu”, thotë Jakupi.

Por, një flamur më shumë apo më pak, megjithatë, nuk çon peshë fort në vëmendjen e tij.

Jakupin e preokupon fakti që fshatin të cilin 20 vjet më parë e vizitoi vdekja, drejtësia e ka lënë anash.

“Duhet të ketë drejtësi për krimet kundër njerëzimit që kanë ndodhur në Kosovë. Deri më tani nuk e pamë”, thotë ai.

Takimi pas njëzet vitesh

Poezi e shkruar nga Xhevdet Bajraj

Në qorrsokakun e përgjakshëm

ku e vranë foshnjën e sapolindur

dhe babanë e saj

u desh të kalojnë 20 vjet

për t´ia gjetur eshtrat

e për t`ia dhënë nënës së vet

Ajo sapo i mori eshtrat në dorë

i afroi tek gjiri i saj

Më paska pritur

a

se nuk qenka rritur fare tha

e buzëqeshi

mu para se të hapej toka

e ta përpinte

“Vitet që nuk e sollën pranverën”, De Rada, Ferizaj, 2018

Fotografia që ka thyer rekord në Instagram

Një fotografi e një veze, është ajo që ka thyer rekord në rrjetin social Instagram.

Kjo ve u bë njëra ndër fotografitë më të pëlqyera që nga hapja e Instagramit.

Fotografia ka mbi 27 milionë pëlqime.

Kjo foto, ka thyer rekordin që deri tash e kishte Kylie Jenner.

View this post on Instagram

A post shared by EGG GANG 🌍 (@world_record_egg) on Jan 4, 2019 at 9:05am PST

“Havana” e Cabellos shpallet kënga më e dëgjuar e të gjitha kohërave, mposht Adelen

Këngëtarja e njohur Camila Cabello është bërë mbretëresha e re e muzikës në platformat online.

Kënga e famshme e saj “Havana” është shpallur kënga më e dëgjuar e një artiste femër e të gjitha kohërave.

21-vjeçarja hodhi nga froni këngën e “Hello” të këngëtares britanike Adele.

“Havana” mbizotëron me 3.4 miliardë dëgjime ndërsa “Hello” mban vendin e dytë tashmë me 3.36 miliardë dëgjime.

Cabello është nominuar me dy çmime në “Grammy 2019”, në kategorinë “Best Pop Solo Performance” me “Havana” dhe në kategorinë “Best Pop Vocal Album” me albumin e saj të vetë-titulluar “Camila”.

Ceremonia e ndarjes së çmimeve do zhvillohet më 10 shkurt./oranews

Ç’mund të ishim nëse nuk do ishim?

Poezi nga Flutur Mustafa.

Ç’mund të ishim nëse nuk do ishim?

mbase fare nuk do kishim me çfarë ta vrisnim mendjen.

po ç’mund të ishim nëse nuk do ishim ne ?

veçse të huaj ndër jorgan dy sy që të kujtojnë gështenjën. 

Ç’mund të ishim nëse nuk do ishim?

ca fjolla bore që mbase nuk shkrijnë,

Ç’mund të ishim nëse nuk do ishim?

mbase orteqe që farën se lënë të mbijnë.

Ç’mund të ishim nëse nuk do ishim?

mbase pa mund do dergjeshim në shtegtim 

Ç’mund të ishim nëse nuk do ishim?

dy murgj duke i bredhur dashurisë, në kërkim.

Mbase s’do mundoheshim të ishim çfarë sjemi

dhe do kënaqëshim pa mund me pak,

po ç’mund të ishim nëse nuk do ishim,

mbase veç një zjarr, zjarr pulpulak.

Por ja që jemi zemër, me ç’mund ndërtuam 

hapëm themele me armaturë besnikërinë

deri sa ngriu betoni me po aq mund qëndruam

të përqafuar, duke thithur në vend të ajrit, dashurinë.

“Vendi për të cilin luftoi babai im, sot nuk ka vend për mua”

Ilir Bunjaku nga Komuna e Kaçanikut ka publikuar një mesazh prekës në rrjete sociale, derisa nga varri i babait të tij është përshëndetur me Kosovën, duke kërkuar jashtë vendit një jetë më të mirë.

Iliri i ka kërkuar falje prindit të tij, duke shkruar se nuk i ka mbetur zgjidhje më e mirë.

“Më fal Babë, unë nuk doja të ndodhte kështu, por nuk më mbeti zgjidhje tjeter sepse vendi për të cilin luftove sod nuk ka një vend pune për mua, në vendin tim po e lë birin tim do të sjell lule siq të sillja un”, ka shkruar ai duke publikuar edhe foto nga varri i dëshmorit të UÇK-së.

Ilir Bunjaku është djali i dëshmorit Fadil Bunjaku nga Komuna e Kaçanikut.

Gashi: MKRS-ja e gatshme për bashkëpunim konkret me Zvicrën


Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi ka pritur në takim Kryetarin e Odës Ekonomike Kosove-Zvicër, Stefan Sarakany dhe kryetarin e fondacionit të artistëve nga Zvicra Jacob Abraham.

Qëllimi i këtij takimi ishte fillimi i bashkëpunimit kulturor mes Kosovës dhe Zvicrës.

Konkretisht në këtë takim u bisedua rreth fillimit të bashkëpunimit të MKRS-së dhe Odes Ekonomike Kosovë-Zvicër për bashkëpunim në aktivitetet kulturore.

Më këtë rast ministri Gashi tha se bashkëpunimi mes Kosovës dhe Zvicrës është në interes të realizimit të aktiviteteve kulturore që kanë për qëllim promovimin e kulturës shqiptare në vendet e ndryshme të Evropës, me theks edhe në Zvicër ku ndodhen edhe shumë bashkatdhetarë nga Kosova.

Ministri tregoi gatishmërinë për të mbështetur projektet të cilat mundësojnë edhe shkëmbimin e artistëve, profesionistëve si dhe përvojave të mira mes Zvicrës e Kosovës për zhvillimin e mëtejmë të ndërkëmbimit kulturor.

Ndërkaq të pranishmit në takim e falënderuan ministrin Gashi për pritjen dhe u shprehën të gatshëm për të filluar bashkëpunimin dhe realizimin e projekteve kulturore të cilat kanë për qëllim fuqizimin e kulturës ne vend dhe në rajon./ KultPlus.com

Dua Lipa kthehet në fëmijëri përmes një video ku flet shqip

Këngëtarja e njohur nga Kosova, Dua Lipa po vazhdon rrugën e saj të suksesshme nëpër botë duke dominuar në festivalet me prestigjioze atje, shkruan KultPlus.

Dua Lipa verën e vitit të kaluar i dha një koncert të paharrueshëm Prishtinës në kuadër të festivalit “Sunny Hill Prishtina”. Dua Lipa nuk i ka harruar asnjëherë rrënjët dhe gjatë koncertit u prezantua edhe me flamurin kombëtar e duke vallëzuar këngë shqipe. Së fundmi, përmes një video ajo është kthyer në fëmijërinë e saj, teksa shihet se bisedon me babain e saj dhe prezanton motrën e saj të vogël, Rinën.

Dua Lipa ka ndarë këtë video me miliona fansa që e ndjekin në “Instagram”, ndërsa ka theksuar se po flet në gjuhën shqipe.

“Unë jom Dua, Dua Lipa”, thotë fillimisht Dua në këtë video derisa prezanton nënën dhe motrën e saj.

View this post on Instagram

Speaking in Albanian and doing a little show and tell to the camera with a lil baby @rinalipa . Who can guess what i’m saying 🤣Missing my fam a little extra today 💕

A post shared by Dua Lipa (@dualipa) on Jan 14, 2019 at 7:38am PST

“Duke folur shqip e duke bërë pak “shoa” derisa i prezantoja kamerës motrën time të vogël Rinën. Kush mund ta dij se çfarë po them. Familja është duke më munguar më shumë sot”, ka shkruar në postimin e saj Dua Lipa. / KultPlus.com