Babai i Bekimit, Ibrahim Fehmiu, u lind më 1892 në Gjakovë, në një familje tregtare dhe shumë fetare dhe kreu shkollën e mësuesisë dhe Medresenë në Shkup.
Me pushkë në krah dhe libër në dorë, ai ishte dora e djathtë e Bajram Currit, udhëheqësit të kryengritjes kombëtare në luftë kundër turqve më 1912. Si njëri ndër mësuesit e parë shqiptarë, ai iu dedikua hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe Shqipëri, për çka atëherë pushteti serbo-malazez e gjykon me vdekje.
Ishte i ndjekur si bashkëpunëtor i Bajram Currit dhe Fan S. Nolit. Në vitin 1929, ai privohet nga liria prej pushtetit serbo-malazez dhe izolohet në Valevë (Serbi). Në atë kohë familja e tij jetonte në Gjakovë, më pas e gjithë familja, në vitin 1931, shkon në Sarajevë, ku, përveç tre fëmijëve që kishte, i lindin edhe 3 djemtë e tjerë, Arsimi, Fatmiri dhe Bekimi.
Pas okupimit të Shqipërisë nga forcat italiane në vitin 1939, familja shpërngulet në Shkodër (Shqipëri) ku lind edhe një vajzë, Afërdita.
Me shpërbërjen e mbretërisë jugosllave në vitin 1941, familja kthehet në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, ku Ibrahimi edhe vazhdon angazhimin e tij patriotik dhe atdhetar.
Edhe në kohën e Jugosllavisë së pasluftës, ai torturohet dhe pas një procesi të montuar, ai gjykohet me burgim. Shumë pak kohë pas daljes nga burgu, në vitin 1951, ai vdes.
Mijëra qytetarë nga Prizreni, nga Gjakova, nga mbarë Kosova, e përcollën xhenazën e tij deri në xhami, ku u krye shërbimi fetar, ndërsa trupi i tij ishte i mbuluar me flamurin kombëtar. Trupi i tij i mbuluar me flamurin kombëtar, deri në varreza u përcollë me nderime nga mijëra shqiptarë.
*****
Besa, Shpresa, Afërdita, Luljeta, Bashkimi, Arsimi, Fatmiri dhe Bekimi.
Djali i madh, Bashkim Fehmiu ishte arkitekti i parë shqiptar… Prof.Arsim Fehmiu doajen i sportit kosovar… Prof. Fatmir Fehmiu ekspert i së Drejtës Kushtetuese Aktori, Bekim Fehmiu i njohur në botën mbarë…
Janë bërë gati pesë muaj prejse shtatorja e Anton Çettës qëndron në atelienë e atij që e realizoi. Më 10 tetor të vitit të kaluar, shtatorja e shkrirë në bronz ishte vendosur në atelienë e skulptorit ferizajas, Agon Qosa. Ai ende nuk e di se kur do të tërhiqet ajo për t’u vendosur në Prishtinë. Realisht këtë nuk e dinë as Këshilli organizativ, as Agjencia për menaxhimin e komplekseve memoriale, që e ka porositur shtatoren, e as Komuna e Prishtinës.
Hapësira në hyrje të Institutit Albanologjik të Prishtinës, mbetet ende alternativë megjithëse Instituti ka refuzuar një kërkesë për vendosjen e shtatores para ndërtesës. Opsion tjetër është këndi i oborrit të Fakultetit të Filologjisë. Poras për këtë s’ka diçka definitive. Ka dy vjet që çështja e lokacionit për shtatore s’ka marrë epilog.
Këshilli organizativ para disa ditësh i është adresuar me kërkesë Komunës së Prishtinës. Këtë çështje e ka marrë përsipër nënkryetari i Komunës, Selim Pacolli.
Ai i ka thënë gazetës se njëri opsion është hapësira para Institutit Albanologjik të Prishtinës. Si opsion të dytë ka përmendur këndin te semaforët.
“Kemi dy probleme. Te Instituti Albanologjik i Prishtinës toka është e Komunës dhe shfrytëzohet nga IAP-ja, dhe nuk jemi të interesuar që shtatorja të vihet me fjalë”, ka thënë ai, duke aluduar në refuzimin e IAP-së që shtatorja e prijësit të Lëvizjes për faljen e gjaqeve të vendoset aty. Sa i përket këndit te oborri i Fakultetit Filologjik ka thënë se Komuna planifikon që aty të bëhet parkingu nëntokësor.
Ndarja e hapësirës për shtatoren e Çettës duhet të bëhet nëpërmjet një vendimi të Kuvendit Komuna
Vdes në moshën 77 vjeçare Peter Tork, muzikanti më i famshëm i kohës së tij me grupin e adoleshentëve “The Monkees” në vitet 1960.
Vdekja e tij u njoftua nëpërmjet faqes së tij zyrtare në median sociale, ndonëse nuk është përmendur asnjë arsye. Në vitin 2009 Tork u diagnostikua me një kancer të rrallë, megjithatë dukej se ai kishte arritur ta merrte veten.
“The Monkees” u krijuan për një spektakël televiziv, një lloji versioni amerikan i “The Beatles”, por këngët e tyre bënë jehonë edhe përtej këtij programi, që u shfaq nga viti 1966 deri në 1968.
Grupi zhvilloi disa turne pasi përfundoi programi televiziv, duke performuar këngë si “I’m a Believer”, “Last Train to Clarksville”, dhe “Daydream Believer”.
Tork, i lindur në vitin 1942, ishte pjanisti dhe kitaristi i grupit.
Një fotografi e një gruaje të mbuluar. Një tjetër, është një fëmijë që qan, në një ambient që qan bashkë me të prej zymtësisë dhe trishtimit. Një tjetër fotografi është e një vajze që shikon me vëmendje në aparat, sikur ka diçka t’i thotë atij.
Të gjitha fotografitë janë në hapësirën e bardhë të Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë. Neron Deshishku i ka nxjerrë me dorën e tij, me lensin e aparatit, në ekspozitën e cila u hap në Prishtinë, nën titullin ‘ICY’.
Ekspozitën e shpalli të hapur Vjosa Berisha – kryesuese e Qendrës Informative dhe Kulturore, duke treguar se për Neronin kjo ekspozitë vjen në momentin e duhur, pasi ai po e fillon mbarë një karrierë në këtë fushë dhe kësisoj do të stimulohet tutje për të punuar në këtë fushë.
Në natën e hapjes foli mes tjerash edhe Fahredin Spahija, fotograf i njohur.
Duke e quajtur Neronin si një emër që karakterizohet me një
ndjeshmëri të theksuar për kapjen e imazheve që i vë rreth e rrotull tij,
Spahija tha se Deshishku e dëshmon me këtë ekspozitë dhe këto momente të jetësuara
përgjithmonë, se ka narracion fotografik shumë interesant dhe është një
paralajmërim i zgjerimit të mozaikut të kulturës fotografike që i ka karakterizuar
shqiptarët në retrospektivë.
Neroni, djalë i ri nga Prishtina, ka studiuar për një kohë në Paris ndërsa u kthye në Kosovë që ta vazhdojë pasionin e tij për fotografinë.
“Fotografitë janë realizuar dimrit, gjatë një aksioni me
shoqëri, për të ndihmuar familjet në nevojë. Fotografitë tregojnë që edhepse këta
njerëz janë të anashkaluar, ata janë të bukur, kanë krenari, pra jo gjithçka është
depresion. Ka fëmijë që luajnë, gëzohen buzëqeshin, dhe unë kam dasht me i kap
këto momente” tregon për KultPlus artisti.
Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri me 6 mars. / KultPlus.com
Filmi “Vera andrron detin” me regji të Kaltrina Krasniqit, është filmi i parë i kësaj regjisore që përveshë mëngët për film të metrazhit të gjatë, shkruan KultPlus.
“Vera
andrron detin” është projekt i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës
dhe tashmë ekipi i këtij filmi është kompletuar dhe bëhet e ditur se janë në
prag të xhirimeve.
Sipas
një njoftimi, xhirimet e këtij filmi do të nisin më 12 mars, kurse aktorët që
do të luajnë në këtë film janë: Teuta Ajdini, Alketa Sylaj, Astrit Kabashi,
Refet Abazi, Xhevat Qorraj…
Filmi
është me skenar të Doruntina Bashës, kurse ka dy produksione, atë Papadhimitri
Production nga Shqiperia dhe Dream Factory nga Maqedonia.
Në sinopsisin e këtij filmi shkruhet se Vera e Fatmiri e kanë një vajzë të falur, Sara (30), aktore, e cila është zhbirësuar nga Fatmiri kur ka mbetur shtatzënë dhe ka refuzuar të martohet. Si pasojë, Fatmiri e ka përzënë nga shtëpia dhe mbështetja financiare, dhe ia ka ndaluar Verës që ta takojë. Vera, megjithatë, e ka ruajtur marrëdhënien me Sarën dhe mbesën e saj, Hanën (5), duke e takuar fshehtë, kryesisht gjatë pauzave të drekës gjatë ditëve të javës…/KultPlus.com
“Në kohën e vezirit, midis myslimanëve të Shkodrës, kishte filluar të hynte bektashizmi me një frymë liridashëse. Vezirët, pikë së pari, nuk e kuptuan këtë rrezik kundër autoritetit të tyre, por kur e panë se disiplina e verbër e myslimanëve ballë vezirit po tronditej, u ranë bektashinjve, i ndoqën edhe i dëbuan nga Shkodra, edhe për të mbajtur fanatizmën mysliman sollën nga Turkestani hoxhallarë edhe myderizë. Jezuitët midis krishterëve, hoxhallarët edhe myderizët të ardhur nga Turkestani midis myslimanëve, përhapnin fanatizmin fetar të papajtueshëm me vëllazërimin kombëtar. Këto propaganda të dëmshme, mbase vdekje prurëse për kombin shqiptar, morën kaq flakë, sa në Shkodër, moralisht edhe shpirtërisht, kishte turq edhe kaurë, edhe jo shqiptarë.”
Trupa e Baletit të Kosovës është i vetmi institucion buxhetor në Republikën e Kosovës në fushën e baletit profesionist. Në mungesën e një konkurrence të brendshme, si e tillë ajo ka përgjegjësine e madhe të investojë në cilësi, ide dhe qasje origjinale në ç’do produksion të repertorit të saj. Ky obligim i patjetërsueshëm ka ndikim direkt jo vetëm në kultivimin e shijeve të publikut tonë, por duhet dhe i ka mundësite e përfaqesimit dinjitoz në qendra dhe Festivale të rëndësishme ndërkombëtare. Te gjithë e dimë sa e rëndësishme është të tregojmë vlera e cilësi jashtë Kosovës, duke filluar nga rajoni, Europa etj. Ky institucion, padyshim duhet dhe mundet të përfaqësojë nivele krahasuese me simotrat e saj Ballkanase, Europiane e më gjërë.
Ky shkrim mori shkas
nga 3 produksionet e fundit që janë vënë në skenën e trupës sonë të baletit nga
3 “koreografë”, që në rastin më të mirë do të quheshin fillestarë…. të cilët
nuk plotësojnë as minimumin e dëshmive dhe kualiteteve të cilat ky institucion nuk guxon ti shkelë.
Në harkun kohor të një viti, çuditerisht në mënyrë të papritur, shfaqen në skenën e koreografisë sonë jo një por tre persona të pa çertifikuar, të panjohur, pa përvojen minimale koreografike për të ndërtuar shfaqje të plota të dramaturgjisë së lartë të baletit.
Në opinionin tim dhe të shumë profesionalistëve të fushës, që çuditerisht nuk prononcohen për media, shfaqjet “Pa mure” me koreografi të Teauta Krasniqit, “O. Taka” me koreografi e muzikë të Sinan Kajtazit, dhe së fundi shfaqja “Andërr” e Kreshnik Musollit, shenojnë pikën më të ulët të krijimtarisë koreografike në Kosovë. Ne këto shfaqje reflektohet niveli gati amator i këtyre “krijuesve”, bie në sy mungesa e ideve, varfëria e gjuhës koreografike, qasjet e vjetëruara, mugesa e një koncepti të qartë, si dhe mosqëllimi i qasjes së tematikave përkatëse.
Sigurisht për të bërë
një analizë profesionale të këtyre shfaqjeve (nuk e di nese do t’ja vlente) nuk
do të mjaftonte një shkrim si ky, qëllimi i të cilit nuk është thjesht dhe vetëm
analiza e tyre.
Nga ana tjetër duhet
përmendur se kjo trupë e rikrijuar pas lufte, pati shënuar disa suksese të
rëndësishme nëpermjet realizimit të krijimeve koreografike cilësore dhe kompetitive.
Këtu do të përmendja shfaqjet “Aty ku bie drita” me koreografi të Antonio Pio
Fini, “Performancë” me koreografi të Gjergj Prevazit, “Friendly Fire” me
koreografi të Arthur Kuggeleyn, “Rikompozim” me koreografi të Christophe
Beranger & Jonathan Pranlas-Descours etj. Këto shfaqje kanë qenë jo vetëm
të sukseshme, por në njëfarë mënyre kanë treguar edhe kapacitetet më të mira të
trupës sonë. Ato kanë mundur të jenë modele se si do të qasej repertori i
trupës së Baletit Kombetar të Kosovës. Në menyrë të pabesueshme, këto arritje
nuk i kanë shërbyer drejtuesve të këtij insitucioni, por situata me repertorin
ka pësuar një rënie të lirë për të cilën ndjehem realisht i keqardhur.
Pyetja që shtrohet është se kush janë arësyet profesionale që kanë shtyrë drejtuesit e këtij insitucioni në këtë vendimarrje? Kush janë përgjegjesit që paratë e taksapaguesve kosovarë të shkojnë për autorë që nuk kanë asnjë çertifikatë zyrtare për të ushtruar profesionin e koreografit? A janë të diplomuar këta persona në fushën e koreografise? A kanë këta një experiencë të mjaftueshme dhe të çertifikuar nga istitucione të specializuara kombëtare apo ndërkombëtare (stages, konkurse, festivale, eksperienca krijuese me trupa apo individë të tjerë brenda dhe jashtë trupës së Baletit të Kosovës) të paktën në miniaturën koreografike (solo, duo, trio, koreografi të shkurtra)? A kanë dhënë këta garancinë mimimale të “suksesit” të shumëpritur? A kanë dhënë këta prova të mjaftueshme për t’i besuar jo pak por tre produksione të mëdha që financohen direkt dhe vetëm nga buxheti I Ministrisë së Kulturës? A ka analiza të specializuara të këtyre produksioneve, dhe a ka pasur një reflektim për nivelin e dobët krijues?
Nga ana tjeter a nuk
është ky një shembull negativ që zhvlerëson dëshirën për shkollim në nivel
universitar të talentëve kosovarë. A dekurajon kjo politikë repertori ata
persona që sakrifikojnë mjete, kohë e vullnet për të investuar neë përvetësimin
e njohurive të thella artistike e profesionale ne fushën e koreografise? Pse
kaq e lehtë qenka të transformohesh nga balerin në koreograf pa diplomën
perkatëse? Natyrisht që një diplomë nuk të bën automatikisht koreograf apo
krijues me vlera. Po ajo është dëshmia minimale e një profesionisti, është garancia
institucionale më e besueshme.
Këto janë pyetje
retorike, që kanë si synim të zgjojnë interesin e vetë trupes në radhe të parë,
së dyti të Ministrisë së Kulturës, të komunitetit artistik dhe padyshim të
opinonit publik në përgjithesi.
Do të mjaftonin
çeshtjet e ngritura më lart për të parë e reflektuar se si orientohet dhe
aplikohet profesionalizmi në fushën e koreografisë dhe baletit në Kosovë, si dhe
për ç’farë shkojnë mjetet tona buxhetore. Por fatkeqësisht problemi nuk mbyllet
këtu.
Në dijeninë time z. Sinan Kajtazi, (momentalisht ushtrues detyre i drejtorit të Baletit të Kosovës) në kohën kur është marrë vendimi për të realizuar shfaqjen “O.Taka” si koreograf dhe kompozitor, ka ushtruar detyrën e Kryetarit të Këshillit Drejtues (për t’u verifikuar). Nëse do të ishte kështu, a është ky një konflikt i pastër intersi? A do të zgjonte ky rast interesimin e Agjensisë Kundër Korrupsionit. Dhe së fundi, a ka raste të ngjashme me institucione të tjera në varësi nga Ministria e Kultures së Kosovës si p.sh. në Teatrin Kombëtar apo në Ansambiln “Shota”ku një anëtar, apo më keq akoma, një kryetar i Keshillit Drejtues do të firmoste e vuloste një shfaqje për vetën e tij?
Në opinionin tim por
edhe të shumë kolegëve, Baleti Kombëtar i Kosovës është transformuar në një “Bunker”,
ku vendimarrja është atribut I vetëm një grupi njerëzish brenda një rrethi
vicioz, duke moslejuar përfshirjen e profesionistëve të tjerë, sado të rinj, të
aftë apo të diplomuar të jenë. Pra kjo situatë
duket më teper si një klan interesash të vogla e të ngushta, që nuk
përfaqesojnë interesin e madh publik e shoqëror në drejtim të vlerave më të
mira artistike e më perfaqesuese të Republikës së Kosovës. A do të vazhdohet akoma kështu?
Sigurisht pa harruar traditën dhe arritjet e mëparshme, Baleti Kombëtar i Kosovës, dhe në përgjithësi koreografia kosovare ka nevojë për t’u hapur më tej, ka nevojë për më shumë bashkëpunime me profesionistë shqiptarë e të huaj, ka nevojë për një drejtim më profesional e më efikas.
(Ky opinion, dhe opinionet tjera në KultPlus, nuk paraqesin qëndrimin e redaksisë së KultPlusit)
Shumë herë Ismail Kadare ka shprehur indinjatë për shqiptarët që nuk e duan Shqipërinë.
Shkrimtari i madh shqiptar, i dashur dhe i urryer prej shumë shqiptarëve, tregon në plot intervista që mallkimi shqiptarëve i vjen pikërisht prej vetes dhe mendimeve të tyre pesimiste.
France. IDF. Paris. Saint Germain des Prés. Café de Flore.
Alejtin Berisha nga Shkolla Finlandeze në Kosovë do të jetë një prej folësve kryesorë në EdTechx Europe.
Konferenca në fjalë është më e rëndësishmja në botë për teknologjinë
në edukim, ndërsa Berisha bashkë me të tjerë ndërmarrës do të flasin në ditën e
hapjes së kësaj ngjarjeje.
Pos Berishës, pjesëmarrës në këtë ngjarje janë edhe përfaqësuesit
nga Ibis Capital, Tyton Partners,
Tassomai – Learning Program, ImpactED, The World Bank dhe kompani e
institucione tjera.
EdTechx Europe bashkon rreth 900 vendimmarrës, investitorë dhe kompani nga e tërë bota. Ngjarja mbahet me 18 qershor në Londër.
Gjatë EdTechx Europe diskutohet për trendet e fundit të
edukimit dhe teknologjisë në botë. Vitin e kaluar u diskutua mes tjerash nëse
shkollat do të ekzistojnë në vitin 2060-të dhe se si duhet të ndihmon studentët
dhe nxënësit që me anë të edukimit e teknologjisë bashkë të shprehin tërë
potencialin e tyre mësimor.
Shkolla Finlandeze është një ekosistem që rritë çdo fëmijë të jenë të mençur, të shëndetshëm, kreativ dhe të shoqërueshëm, me metoda të dëshmuara nga sistemi nr 1 i rankuar në PISA, ai i Finlandës.
Në Shkollën Finlandeze fëmijët mësojnë të menduarit
kompjuterik dhe programimi që nga mosha 3 vjeçare.
Kjo Shkollë është funksionale edhe në Kosovë. / KultPlus.com
Ndodhte gjithmonë në këtë qytet që shtrihej në shtatë kodra, dy kontinente, tre dete dhe pesëmbëdhjetë milionë gojë. Ndodhte pas dyeve të mbyllura dhe në oborret e hapura, në dhoma motelesh të lira dhe suita luksoze me pesë yje, në mes të natës ose në mes të ditës. Bordellot e këtij qyteti do të kishin treguar shumë histori, sikur të gjenin veshë për t’i dëgjuar.
Vajza me porosi, djem me qira, prostituta të vjetra që rriheshin, abuzoheshin e kërcënoheshin nga klientët që dukej sikur kërkonin shkakun më të vogël për ta humbur durimin, transseksualë që nuk shkonin kurrë në polici se e dinin që do t’i ndëshkonin për së dyti. Fëmijë që kishin frikë nga ndonjë pjesëtar i familjes, nuse të reja që kishin frikë nga vjehrri ose kunati, infermiere, mësuese dhe sekretare që ngacmoheshin nga dashnorë të magjepsur vetëm se nuk kishin pranuar të shoqëroheshin me ta në të shkuarën, gra shtëpiake që nuk flisnin kurrë një fjalë, se nuk kishte fjalë në këtë kulturë për të përshkruar dhunimin martesor.
????????????????????????????????????
Ndodhte gjatë gjithë kohës. I fshehur nën mantelin e heshtjes që turpëronte viktimat dhe mbonte agresorët, Stambolli e njihte mirë abuzimin seksual. Në këtë qytet ku të gjithë ua kishin frikën të panjohurve, shumica e sulmeve vinin nga ata që ishin shumë të njohur apo shumë të afërt.
(Pjesë nga libri ‘Tri bijat e EVËS’ nga Elif Shafak)
Kjo pyetje nuk më shtrohet edhe aq shpesh nga vajza ime, e cila tashmë është 6 vjeçe. Ne luajmë lojëra dhe kalojmë mjaft kohë produktive së bashku duke u marrë me gjëra të dobishme si sporti, arti apo leximi.
Një ditë isha duke pastruar shtëpinë, kur ajo ma shtroi pikërisht këtë pyetje, dhe e dija se më duhej ta ndërprisja punën që isha duke bërë, për t’i ofruar vëmendjen të cilën e kërkonte nga unë.
“Fëmijët nuk thonë ‘sot kisha një ditë të vështirë, a mund të flasim’? Në vend të kësaj ata thonë: ‘A mund të lozim së bashku?’” – Lawrence Cohen.
Herën e parë që e lexova këtë citat nga Lawrence Cohen e ndjeva atë. E dija se ishte shumë e vërtetë.
Ndonëse me kalimin e kohës fëmijët rriten dhe bëhen përherë e më të mençur, shpesh ata nuk dinë të artikulojnë saktësisht atë çfarë ndiejnë dhe cilat janë realisht nevojat e tyre. Kjo është arsyeja përse fëmijët kur kanë ndonjë ankth, nuk tregojnë se janë nervoz, por thonë “po më dhemb stomaku”.
Ata ju tregojnë gjërat në mënyrën që ata dinë.
Ajo çfarë duhet pasur parasysh si prindër, është fakti se ata nuk kërkojnë edhe shumë kohë nga ju. Ata kanë nevojë për vëmendje dhe përqendrim të plotë dhe të pandërprerë për një periudhë të shkurtër kohore.
E dija se, kur vajza ime kërkoi një pjesë të kohës sime, do të kthehesha për të përfunduar punët e mia brenda një gjysmë ore.
Ajo kishte nevojë për mua dhe kjo nuk ishte ndonjë kërkesë e madhe nga ana e saj.
Kur ju gjeni kohë për të luajtur me fëmijët tuaj:
♥ U siguroni atyre hapësirë për të komunikuar me ju.
♥ I lironi ata nga ankthi që mund t’i preokupojë ata.
♥ U ndihmoni në shtimin e vetëbesimit të tyre.
♥ Kjo liron oksitocinën në trurin TUAJ!
Pra, mos harroni: kur fëmija kërkon vëmendjen tuaj përmes lojës, e tëra ajo çfarë ata kanë nevojë, është vetëm që të bisedojnë me ju. /www.familjadheshëndeti.com/ KultPlus.com
O gjuhë-e shentëruar, o mall me shpirtin plot. O vetëtim’ e qjellit që fërfëllon me flakë, O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot… Si pikë lot e ndritur po ndrij në reze tuaj, Po ndrij e papandehur po qaj pak e nga pakë Sepse prej botës s’uaj kam mbetur kaq i huaj…
Kam mbetur kaq i huaj, dh’ i ndrydhur edh’ i shkret Prej ligjëtarës s’ate që më çudit, o zjarr! Me gjuhëra prej flake ti djeg… ti flet… ti pret… Do vi! do të vi pranë mjerush e dyke vuar, E flakën vraparake nër kraha do t’a marr, Posi kuvënd të shkruar do të t’a çik me duar.
O këng’ e shentëruar, o verb i larë n’ar. O zjarr që më përflakesh si yll vetëtimtar. O fshehtësir’ e ndezur në fill prej shkrepëtime. Kur të këndoj me gojë, kur të kuptoj në kartë, Posi një kraharuar ti dhemb, o Gjuhë-e zjarrtë, Posi kullim’ i gjakut që rreh në zemër time.
Ti ndrin në thelb të jetës si dritë-e përvëluar, O gjuhë-e zemrës s’ime, o mos-e kuvënduar./ KultPlus.com
Ngado që më çuan teoritë e mia, zbulova që një poet tashmë kishte shkuar atje.
Mashkulli i vërtetë është monogamik.
Njeriu është produkt i traumave në moshën e fëmijërisë.
Të shumtët e njerëzve në të vërtetë nuk duan liri, sepse liria presupozon marrje përgjegjësie, dhe të shumtët dridhen nga marrja e përgjegjësisë.
Pyetja më e madhe që kurrë nuk ka patur një përgjigje dhe që as unë nuk kam arritur t’i përgjigjem pas 30 vjet studime, është: çfarë do një grua!
Një ditë, duke parë prapa, vitet që luftoje do të duken më të bukurat.
Prapa çdo gruaje të fortë, fshihet një baba tiran.
Djalli mbetet gjithnjë justifikimi më i mirë për të shfajësuar zotin.
Ku shkon një mendim kur është harruar?
Kur një fëmijë ishte padyshim fëmija i dashur i nënës së tij, gjithë jetën e tij kryeson ndjenja e triumfit, besimit në sukses, që shpesh të çon drejt suksesit.
Në çështje të rëndësisë dytësore, është e nevojshme të analizojmë të mirat dhe të këqijat. Në çështje kritike, vendimi duhet të vijë nga zemra.
Nga gabimi në gabim, zbulon dikush gjithë të vërtetën.
Interpretimi i ëndrrave është rruga mbretërore për hulumtimin e subkoshiencës.
Feja është neurozë.
Dy gurët themel i lumturisë: dashuria dhe puna.
Gruaja duhet ta zbusë dhe jo ta dobësojë një burrë.
Nuk mundem të mendoj asnjë tjetër nevojë në fëmijëri, sesa mbrojtja atërore.
Çfarë evolimi! Në Mesjetë do më digjnin në zjarr. Tani në zjarr djegin librat e mi.
Amerika është një gabim.
Mendimi është veprimi në provë.
Histerikët vuajnë përgjithësisht nga kujtimet.
Demonët nuk ekzistojnë, siç nuk ekzistojnë dhe perënditë. Është thjeshtë një aktivitet psiqik i njeriut.
I vetmi kusht paraprak i civilizimit është Drejtësia.
Fëmijët janë tërësisht egocentrik. Ndjejnë nevojat e tyre fortësisht dhe pa mëshirë luftojnë për t’i kënaqur.
Përballë dikujt që vdiq, marrim një qëndrim të veçantë. Diçka si admirim për dikë që mbaroi një punë shumë të vështirë.
Aq mësues të mirë sa bëhen homoseksualët, po aq të këqinj dhe të ashpër bëhen ata që ndjejnë neveri për homoseksualitetin e tyre.
Shakatë nuk janë vetëm një deklarim i neurozës seksuale, por një simptomë psikopatologjike.
Ego- nuk është superior në shtëpinë e tij.
Shumë herë, ëndrrat më të rëndësishme janë ato që duken dhe më të çmendurat.
Vërtet, pse asnjëri nga të mëdhenjtë, kurrë nuk zbuloi psikoanalizën? Pse duhej të priste një Hebre komplet ateist?
Anatomia është destinë.
Një njeri që dyshon në dashurinë e tij, mundet, ose ndoshta, duhet të dyshojë çdo gjë të ulët.
Që të jesh tërësisht i sinqertë me veten, është një praktikë e mirë./ KultPlus.com
“Artistet gra gjatë rezistencës së viteve të 90-ta në Kosovë”, debati i katërt me radhë, në lidhje me ekspozitën “Burrneshat” dhe çështjet sociale që ajo prek.
Edhe ky debat si debatet e tjera, do të moderohet nga Zana Hoxha Krasniqi, e cila do të ndajë përvojën e saj me Artpolisin, e njohur për organizimin e disa edicioneve të festivalit FEMART.
Paneliste do të jenë: Blerta Zeqiri, Igballe Rogova, Safete Rogova, Zake Prelvukaj. Më 23 shkurt nga ora 12:00.
Këngëtarja e njohur shqiptare Bebe Rexha ka publikuar sot videoklipin e këngës “Last Hurrah”.
Videoklipi fillon me Rexhën e veshur si një engjëll, dhe vazhdon me skena të tjera duke vallëzuar, festuar, pirë e të tjera, për të përfunduar me flakë./ KultPlus.com
21 shkurti është Dita ndërkombëtare e Gjuhës Amtare e shpallur nga OKB për të promovuar diversitetin gjuhësor. Dr. Lumnije Jusufi mbi sfidat e gjuhës shqipe si gjuhë amtare.
Deutsche Welle: Pёrse i ёshtё dedikuar gjuhёs amtare njё ditё ndёrkombёtare?
Dr. Lumnije Jusufi: Termi apo koncepti gjuhё amtare nё gjuhёsi ёshtё vjetёrsuar me kohё. Kjo pёr dy arsye. Nё njёrёn anё ky term ka qёndruar nё thelb tё shumё lёvizjeve politike. Nё epokёn e lёvizjeve kombёtare gjuhёt amtare pёrbёnin qё nё fillim thelbin e konceptit komb dhe identitetit kombёtar. Nё politikat kolonialiste tё shumё shteteve kolonizatore evropiane, gjuhёt amtare tё kёtyre shteteve iu imponuan popujve tё nёnshtruar, duke shtypur apo zhdukur shumё gjuhё vendase. Nё bllokun socialist gjuha amtare qёndronte nё thelb tё ideologjisë dhe nё rolin e gjuhёs sё normuar, ajo u instrumentalizua jo vetёm nё luftimin e dialekteve, por edhe nё shtypjen dhe asimilimin e pakicave gjuhёsore nё shtetet pёrkatёse.
Arsyeja e dytё pёr mёnjanimin e konceptit gjuhё amtare nё gjuhёsi ka tё bëjë me degën shumё të re linguistike, atë të hulumtimit tё shumёgjuhёsisё (multilingualizmit). Kjo degё flet pёr gjuhёt L1, L2 etj., çfarё nёnkupton radhёn e gjuhёve nё procesin e pёrvetёsimit tё njё gjuhe, pavarësisht rolit tё saj nё pёrbёrjen e identitetit tё njё bashkёsie gjuhёsore. T’i marrim kёtu si shembull pasardhёsit e migrantёve shqiptarё nё Gjermani, tё cilёt me shumicё e ndjejnё veten si shqiptarё, por si L1, dmth. si gjuhё primare, nё tё cilёn ata edhe alfabetizohen, ёshtё gjermanishtja. Me gjuhё amtare nё kёtё kontekst nёnkuptohet shqipja, por me njё domethёnie vetёm pёr identitetin kombёtar dhe jo për zotёrimin e saj real.
Ideja e shpalljes sё ditёs ndёrkombёtare nuk synon pёrkrahjen e praktikave asimiluese me anё tё konceptit gjuhё amtare, por mbrojtjen e larmisё gjuhёsore nё botё, si hap kundёr pёrhapjes sё gjuhёve tё mёdha, siç ёshtё anglishtja, apo gjuhёve shtetёrore ofensive nё shёrbim tё politikave asimiluese shtetёrore qoftё ndaj gjuhёve tё pakicave, qoftë ndaj varieteteve tё panormёzuara.
Deutsche Welle: Si mund ta zbatojmё kёtё ide pёr gjuhёn shqipe?
Dr. Lumnije Jusufi: Gjuhёn shqipe mund ta gjejmё nё tё gjitha aspektet e lartёpёrmendura, pёrveç nё rolin e gjuhёs sё kolonializmit. Ajo qёndronte nё thelb tё krijimit kombёtar shqiptar qё nё shekullin e 19-të. Me larminё fetare tё shqiptarëve dhe traditёs sё varfёr shtetёrore, Rilindasit ngritёn gjuhёn nё elementin e vetёm kombpёrbёrës dhe dallues nga popujt fqinj. Kёtё proces e pёrforcoi Shqipёria socialiste edhe mё shumё. Nё politikёn mik-armik tё kёsaj ideologjie, gjuha shqipe u shpall si mburojë e popullit shqiptar nё luftё kundёr gjithё botёs. Me kёtё rol atё e gjejmё edhe sot, madje nё nivel aq absurd, saqё çdo ide ndryshimi tё normёs aktuale apo tematizimi tё larmisё gjuhёsore tё shqipes qoftё nё nivel dialektor, rajonal apo shtetёror, shihet si akt kundёr njёsisё kombёtare shqiptare. Rolin asimilues tё saj e hasim tek pakicat gjuhёsore nё Shqipёri, p.sh. te romёt, vllehёt, maqedonasit etj. Rolin shtypёs tё shqipes letrare/standarde e hasim nё kohёn komuniste kundёr çdo varieteti tjetёr, sidomos kundёr Shkodranishtes Letrare.
Por gjuha shqipe ka edhe rolin e pakicave gjuhёsore nga mё tё ndryshmet. Fillimisht ajo, apo shtresa historike tё saj, sot ose ёshtё/janё zhdukur (p.sh. arvanishtja nё Greqi), ose ёshtё e rrezikuar (p.sh. arbёrishtja nё Itali). Shqipja paraqiste apo paraqet ende gjuhё pakicash nё hapёsirёn ish-jugosllave. Dhe si e tillё ajo ёshtё ballafaquar apo ballafaqohet ende me probleme tё presionit, asimilimit, por edhe tё nacionalizmit dhe instrumentalizimit tё saj politik ndaj politikave shtetёrore ose ndaj pakicave rajonale (sot shtetёrore), si p.sh. romёt dhe turqit nё Kosovё.
Shqipen e gjejmё edhe si gjuhё pakicash tё shtresave migruese mё tё reja, si nё SHBA dhe Evropёn Perёndimore. Pёrmbajtjen e mirёfilltё tё termit gjuhё amtare e realizojnё kёto grupe. Hapja e kёtij koncepti nё kuptim tё degёs linguistike tё shumёgjuhёsisё do tё ishte fitimiprurёse nё pёrhapjen e zotёrimit tё shqipes dhe zbutjes sё rolit vetёm simbolik kombёtar tё saj. Njohja dhe recitimi i poezive tё Naim Frashёrit dhe kёndimi i kёngёve tё Ilir Shaqirit nuk e pajisin njё tё ri shqiptar, si punonjёs i ndonjё banke nё Evropёn Perёndimore nё bisedime biznesi me ndonjё bankё shqiptare apo kosovare.
Dita ndёrkombёtare e gjuhёs amtare i ndihmon shqipes nё disa mёnyra. Ajo na kujton humbjen tragjike tё arvanishtes dhe tё shqipes moderne te shumё tё rinj dhe fёmijё nё migracion. Ajo kujton mbrojtjen e saj si gjuhё pakice nё Itali dhe vende tjera ballkanike. Mbrojtja e gjuhёve ёshtё e drejtё thelbёsore njerёzore. Por ajo na detyron tё jemi tё kujdesshёm me synime unike gjuhёsore dhe na kujton pёrgjegjёsinё e rolit tё shumicёs ndaj pakicёs. Çdo gjuhё apo varietet gjuhёsor ka vlerёn dhe vendin e saj/tij nё botёn globale. Kjo pёrgjegjёsi me ditёn ndërkombёtare tё gjuhёs amtare ju jepet edhe shqiptarёve.
Dita ndёrkombёtare e gjuhёs amtare na kujton zbatimin e gjuhёve amtare nё tё gjitha fushat dhe aspektet e jetёs. Moszbatimi apo simbolizmi i saj nёnkupton vdekjen e saj. Globalizimi ёshtё njё aspekt pёr jozbatim tё shumё gjuhёve amtare. Pёr shqipen ёshtё edhe simbolizmi i saj si nё vendet atdhetare tё shqipes nё Ballkan, ashtu edhe te migracioni shqiptar jashtё Ballkanit.
Deutsche Welle: A duhet bërë unifikimi i gjuhës në aspekt pluricentrik, sipas mendimit tuaj? Çfarë fitojmë dhe çfarë humbasim me unifikim?
Dr. Lumnije Jusufi: Me unifikimin e shqipes nё kёtё fushё do tё kishim vazhdimёsinё e politikёs gjuhёsore tё Shqipёrisё komuniste, tё cilёn nuk do ta donte as pёrkrahte ndokush. Humbjet gjuhёsore me njё unifikim tё tillё do tё ishin jo vetёm gjuhёsore, por edhe shoqёrore. Do tё humbnim zhvillimet e shqipes letrare sidomos nё Kosovё, e cila ёshtё dёshmitare mё vitale pёr pёrpjekjet e njё shqipje letrare pёr tё gjithё shqiptarёt. Shqipёria komuniste, me purizmin e saj tё fortё gjuhёsor ka zhdukur shumё gjurmё tё kёtyre pёrpjekjeve dhe elementë tё çmuara historike tё shqipes, siç janё turqizmat. Pёr shoqёrinё do tё kishte pasoja fatale nё aspektin e zotёrimit tё shqipes letrare/standarde, sidomos nё atё tё shkruar. Sa mё larg gjuhёs sё folur tё jetё njё normё gjuhёsore, aq mё e huaj dhe jo atraktive ёshtё ajo. Njё shqipe letrare identike me Tiranёn nuk do tё jetё kurrё e mundur nё Prishtinё, sё paku jo pёr masat e gjera. Detyrimi i saj do ta bёnte shqipen jo tё natyrshme dhe nuk do ta pajiste aspak me rolin e gjuhёs amtare. Dita ndёrkombёtare e gjuhёs amtare duhet tё shihet edhe nga ky kёndvёshtrim, hapja e koncepteve gjuhёsore nё favor tё ngritjes sё nivelit tё zotёrimit tё gjuhёve standarde nё tё folur dhe nё tё shkruar.
Deutsche Welle: Cili është rreziku më i madh për gjuhën shqipe, në kohë globalizimi?
Dr. Lumnije Jusufi: Shqipja letrare/standarde me rolin e saj simbolik kombёtar humb detyrat e saj shoqёrore si gjuhё pune, gjuhё profesioni, gjuhё shkolle. Ajo shumё rrallё ose pothuaj fare nuk ka arritur tё kalojё nё sferёn private apo familjare. Me globalizimin bёhen gjuhё tjera standarde atraktive pёr kёto role, sidomos te shtresat migruese. Moszotёrimi i saj, shqipes standarde si gjuhё amtare nё nivel tё lartё nuk i pёrgatit shqiptarёt sa duhet pёr pёrvetёsimin e gjuhёve tё huaja, sidomos tё anglishtes, tё cilat janё bёrё thelbёsore nё sferёn e punёs. Le ta kujtojmё edhe kёtё detyrim nё ditёn ndёrkombёtare tё gjuhёs amtare.
Dr. Lumnije Jusufi ёshtё albanologe nga Gjermania, sё fundi drejtuese e njё projekti shkencor pёr rajonin e Dibrёs nёn ndikimin e kufirit, në Universitetin Humboldt të Berlinit. Ajo merret me çёshtje gjuhёsore nga fusha e sociolinguistikёs dhe didaktikёs sё gjuhёve tё huaja. Ka botuar disa libra nё gjermanisht dhe shqip, dhe shumё artikuj nё revista tё ndryshme shkencore./ KultPlus.com
“Le Radical” ka botuar, të premten e 13 marsit 1914, në faqen n°3, një shkrim në lidhje me deklaratën e Princ Vidit drejtuar shqiptarëve, para ngjitjes së tij në fron
Në Shqipëri,
Një deklaratë nga mbreti
Durrës, 12 mars. – Nesër në mëngjes do të publikohet shpallja e mëposhtme e mbretit për popullin :
“Shqiptarë,
Sot, Shqipëria e lirë dhe e pavarur hyn në një histori të re. Fati i vendit i është besuar mbretit, urtësisë së qeverisë dhe virtyteve të patriotëve. Rruga përpara është e gjatë dhe plot pengesa, por asnjë pengesë nuk është e pakalueshme për një popull që ka tradita të famshme në historinë e lashtë dhe i cili, si ju, ka (ka pasur) një vullnet të madh për të punuar dhe përparuar. Detyra jonë dhe ajo e pasardhësve tanë do të jetë gjithmonë kërkimi për mirëqenien e kombit, me të gjitha forcat tona. Frymëzuar nga këto ndjenja, ne kemi pranuar nga duart tuaja kurorën e Shqipërisë.
Shqiptarë,
Ndërsa ngjitemi në fron, ne presim që të gjithë ju të nxitoni rreth mbretit tuaj dhe të punoni me ne për përmbushjen e aspiratave kombëtare.”/ KultPlus.com
Dua Lipa, shqiptarja më e përfolur në botë për momentin, mbrëmë ka rrëmbyer një tjetër çmim shumë të rëndësishëm për karrierën e saj, pas dy çmimeve Grammy që i mori javën e kaluar, shkruan KultPlus.
Lipa e cila ishte e nominuar katër herë në Brit Awards 2019
, mbrëmë rrëmbeu çmimin “Brish Single” me këngën “One Kiss” të realizuar së
bashku me Calvin Harris.
Por, Dua mbrëmë mori vëmendje edhe gjatë parakalimit në
tapetin e kuq si dhe me performancën e saj të shkëlqyer.
Por, pa vëmendje nuk kaluan as familja e saj.
Prindërit e Dua Lipës, motra dhe vëllai i saj ishin gjithashtu të pranishëm në këtë ceremoni, ata u përcollën edhe nga mediat, madje babai i Duas është komentuar për stilin dhe dukjen e tij shumë elegante. / KultPlus.com
Më kërko kur ndjen që të rrëshket një pikë lot. Më kërko kur në vetmi shtrin dorën tënde në boshllëk. Më kërko kur muzika bashkohet me shpirtin tënd. Më kërko kur mendja jote është bosh, pa ëndrra, pa dashuri …. Më kërko dhe unë do të të marr përdore, e do të çoj në botën time. Plot emocione të ëmbla dhe buzëqeshje. Më kërko, unë jam këtu për ty.
Posta e Kosovës, këto ditë ka lansuar edhe një pullë postare që i dedikohet Blinajës, e së cilës i referohet si Park Nacional (Kombëtar).
Pas kësaj ka reaguar Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ku thonë që statusi i zonës së Blinajës nuk është Park Nacional (Kombëtar), sikurse i referohet Posta e Kosovës
“ Blinaja nuk është Park Nacional por është Rezervat i Gjuetisë me rëndësi të veçantë i shpallur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Kjo kategori e kësaj zone nuk ka të bëjë asgjë me Parkun Kombëtare e as me ndonjë zonë tjetër të mbrojtur të natyrës, përkundër vlerave me të cilat disponon”, shkruan AMMK-ja.
Ja postimi i plotë i AMMK-së:
Sqarim: Blinaja nuk është Park Kombëtar!
Posta e Kosovës, në kuadër të procesit të promovimit të vlerave natyrore të Kosovës, këto ditë ka lansuar edhe një pullë postare që i dedikohet Blinajës, e së cilës i referohet si Park Nacional (Kombëtar).
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, informon opinionin e gjerë që statusi i zonës së Blinajës nuk është Park Nacional (Kombëtarë), sikurse i referohet Posta e Kosovës por Rezervat i Gjuetisë me Rëndësi të Veçantë i shpallur nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural. Kjo kategori e kësaj zone nuk ka të bëjë asgjë me Parkun Kombëtare e as me ndonjë zonë tjetër të mbrojtur të natyrës, përkundër vlerave me të cilat disponon.
“Parku Kombëtar është zonë e gjerë e tokës dhe/ose ujit, me vlera të jashtëzakonshme dhe të shumëllojshme natyrore, përfshin një ose më shumë ekosisteme natyrore të ruajtura ose pak të ndryshuara dhe kryesisht dedikohet për ruajtjen e vlerave burimore të natyrës”, gjë që nuk e ka Blinaja.
Shpallja e Parqeve Kombëtare si zona të mbrojtura bëhet gjatë një procesi që përfshinë hartimin e arsyeshmërisë profesionale nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës dhe hartimin e ligjit përkatës nga MMPH. Pas miratimit të këtyre dokumenteve nga Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës, zona përkatëse merr statusin e Parkut Kombëtarë.
Meqenëse Rezervat i Gjuetisë me Rëndësi të Veçantë “Blinaja” nuk e gëzon statutin e Parkut Kombëtar, AMMK i bënë thirrje Postës së Kosovës që të bëjë përmirësimin e pullës postare dhe para editimit të pullave të ngjashme të konsultohet me organet përkatëse.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka nënshkruar Rregulloren për punën e Këshillit Drejtues të Muzeut Kombëtar të Kosovës (MKK).
Rregullorja e nënshkruar nga ana e ministrit Gashi do të përcaktojë mënyrën e funksionimit, detyrat dhe përgjegjësitë, procedurat e punës, thirrjen dhe mbajtjen e mbledhjes, mënyrën e vendimmarrjes dhe votimit si dhe çështjet e tjera përkatëse të rëndësishme për punën e Këshillit Drejtues të MKK-së, ndërsa dispozitat e kësaj rregulloreje do të zbatohen nga Këshilli Drejtues, Drejtori i MKK-së, njësitë organizative dhe departamentet përkatëse të MKRS-së.
Ndër të tjera rregullorja parasheh që së paku njëherë në vit llogaridhënia e MKK-së të mbikëqyret nga auditori i pavarur, dhe për këtë KD i MKK-së duhet t’i drejtohet me kërkesë MKRS-së. Vet KD i MKK-së, sipas rregullores, përcakton politikat e Muzeut, po kështu, monitoron dhe vlerëson punën e Drejtorit të MKK-së, të shkarkojë dhe të zgjedhë atë. Sipas rregullores, KD përbëhet nga pesë anëtarë me një mandat katër vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje dhe anëtarët duhet të jenë persona të dëshmuar nga fusha përkatëse profesionale. Për punën e tij, KD, duhet t’i raportojë së paku një herë në tre muaj ministrit.
Ministri Gashi tha se përpilimi i rregullores që parasheh punën dhe funksionimin e Këshillit Drejtues të MKK-së, nga këshilli i ri është cilësuar si një nevojë imediate për të përmirësuar funksionalizimin e këshillit si dhe për të ngritur efiqiencën dhe llogaridhënien në këtë institucion. Deri më tani, roli i Këshillit Drejtues të MKK-së, nuk ka qenë i specifikuara detajisht, prandaj, kjo rregullore mundëson një transparencë më të mirë në kryerjen e punëve të Këshillit Drejtues të MKK-së.
“Zbatimi në përpikëri i kësaj rregulloreje pritet të ngritë efiqiencën, efektivitetin dhe llogaridhënien në të gjitha instancat menaxhuese të MKK-së. Kjo pritet të rezultojë edhe në statisfaksion më të mirë të anëtarëve të Këshillit Drejtues, menaxhmentit të MKK-së, posaçërisht në aspektin e aktiviteteve të përditshme dhe administrative në MKK”, ka theksuar Ministri Gashi pas nënshkrimit të Rregullores në fjalë. / KultPlus.com
Ceremonia e ndarjes së çmimeve “BRIT 2019” ishte një ngjarje e rëndësishme dhe një nga fituesit ishte edhe Dua Lipa.
Ajo ka marrë vëmendjen e mediave vendore për dukjen fantastike gjatë mbrëmjes së kaluar në Londër.
Shumëkush mendon se zgjedhja e fustanit të kaltër me shumë yje mund të ishte politike – edhe nëse ishte e rastësishme.
Dua Lipa nuk mungoi sivjet në “Brit Awards” (Foto: Stuart C. Wilson/Getty Images/Guliver)
Duket se shikuesit mendonin se veshja e saj dukej si Flamuri Evropian, i cili duket si përgjigje kundër klimës aktuale të Brexit, shkruan e përditshmja britanike, express.co.uk.
Disa prej komentuesve shkruanin se veshja e saj e kaltër me yje të bardhë i referohen flamurit të vendlindjes së saj, Kosovës.
Ndërkohë, këngëtarja 23-vjeçare është shpërblyer me çmimin “Kënga më e mirë britanike e vitit” në saje të këngës “One Kiss”, të cilën e solli në bashkëpunim me Calvin Harrisin.
Ndryshe, Dua së fundi ka bërë të ditur se ka arritur shifrat prej dhjetë milionë abonuesve në kanalin e YouTubes. /KultPlus.com
Pasionin shumëvjeçar, Arbërore Riza tanimë e ka shndërruar në profesion. Ajo e ka pasur ëndërr të kamotshme që të merret me prodhimtari, por ëndrra e saj më e madhe ka qenë që në produktet e saj të shkruhet MADE IN KOSOVO. Gjatë studimeve të saj në Britaninë e Madhe dhe në Romë, atje kishte hulumtuar produktet natyrale, mirëpo pa pasur idenë që një ditë vet ajo do t’i prodhojë ato. Riza është themeluese e kompanisë vendore “HUUMë” e cila merret me prodhimin e produkteve të higjienës personale, më saktësisht, të prodhimeve të sapunëve, balsameve për buzë, etj.
Produktet janë 100% natyral dhe janë të punuara me dorë me metodën e procesit të ftoftë, ku shumica e përbërësve janë organikë që importohen nga vendet e Bashkimit Evropian. Në këto produkte është i dallueshëm edhe aspekti artistik, pasi që produktet të cilat shpesh marrin forma të ndryshme që lidhen me produktet e natyrës. Ato edhe të paketuara dhe në ambiente të brendshme, duket sikur po qëndrojnë diku në natyrë.
Arbërore Riza në një intervistë për KultPlus tregoi se
fillimisht prodhimin e kishte fokusuar për nevoja të veta dhe të rrethit
familjar, duke u zgjeruar tani në zhvillimin e kompanisë.
“Ishte një rrugëtim i gjatë. Gjatë qëndrimit tim ne Britaninë e Madhe, ku edhe kam përfunduar studimet Bachelor e më pas kam vijuar studimet Master ne Romë, gjatë gjithë kohës kam hulumtuar produktet natyrale, edhe pse nuk a kam ditë që një ditë do të jem unë ajo që do t’i prodhoj këto produkte. Fillimisht, fillova me prodhim për nevoja të mia, duke u zgjeruar tek rrethi familjar, e më pastaj edhe te miqtë e mikeshat e mia. Çdo sukses i produkteve fillestare ishte shtytje shtesë për punë të mëtutjeshme. Hulumtimet në libra, internet ishin të pafundme. Më ishte bërë pjesë e jetës. Dhe erdhi momenti, pas shumë e shumë testimeve, të vendosi që të prodhoj për tregun vendor”, tregon Riza për fillimet e saj.
Kompania HUUMë operon që
nga muaji korrik 2018 dhe ka arritur që deri tani të sjell 8 lloje të sapunëve,
kurse së shpejti do të lansojnë edhe deodorantin 100% natyral. Me një paketim prej druri dhe elemente te
natyrës, ato që në dukje tregojnë për produkte tejet natyrale. Arbërore Riza,
duke qenë për nga natyra idhtare e tradicionales që gjërat mundohet t’i
modifikojë sipas kohës së sotme, ajo këtu kishte gjetur edhe inspirimin për ta
emëruar kompaninë e saj. Riza thotë se emërtimi i kompanisë HUUMË lidhet me trashëgiminë
dhe mënyrën se si e kanë mbajtur pastërtinë më herët në Kosovë.
“Në kohërat më të vjetra, edhe atëherë e kanë mirëmbajt pastërtinë e trupit me produkte që iu ka ofru natyra. E tek ne në Kosovë këtë gjë e kanë bërë me humë/argjilë e gjelbër. Andaj, kjo ishte ideja fillestare për emërtimin e kompanisë dhe, gjithnjë duke i mbet besnike tradicionales, dhe arsyeja pse në emërtim i kam 2 shkronja të njëjta U (HUUMë) është se kur e shqiptojmë fjalën humë disi e zgjasim këtë shkronjë më shumë gjatë shqiptimit. Pra, emërtimi i kompanisë ka të bëjë me trashëgiminë tonë”, u shpreh tutje Riza.
HUUMë është kompania e parë e llojit të tillë të regjistruar në Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë. Riza tregon se produktet e HUUMë-s, përveç që ushqejnë natyrshëm lëkurën tonë, kanë dhënë rezultate të shumta në përfitimet që kanë sjell, ndërsa ajo thekson se këto produkte kanë edhe efekte shëruese.
Arbërore Riza ka një
porosi që të blihen sa më shumë produkte natyrale, ndërsa thotë se duhet të
hulumtohen gjithnjë përbërësit dhe efekti që mund të kenë tek organizmi.
“Porosia ime është kjo: Bleni produkte natyrale, largojuni produkteve
industriale, sepse, ato përmbajnë toksina apo kimikate të cilat në periudha të
ndryshme kohore bëjnë që shëndeti i juaj të dobësohet. Nëse jeni idhtare të
produkteve natyrale, e keni mundësinë t’i provoni produktet e HUUMë-s, të cilat
produkte janë 100% natyrale, ku 85% të tyre janë organike, janë produkte të
testuara dermatologjikisht, pa asnjë kimikat, dhe mbi të gjitha prodhim kualitativ
dhe vendor”, tha për fund ajo.
HUUMë është prezente me produktet e saja pothuajse në të gjithë territorin
e Kosovës (kryesisht në barnatore dhe dyqane bio/natyrale). Produktet e HUUMë gjenden edhe në Tiranë në
dyqanin BioSHop, ndërsa aktualisht janë në fazën e përgatitjes për tregun e
Maqedonisë, ndërsa kërkesat nuk kanë munguar as nga tregu i Britanisë së Madhe.
“Pas një kërkese të një dyqani me produkte bio në Londër (Britani të Madhe), së shpejti do të jemi prezent edhe atje”, tregon Arbërore Riza./ KultPlus.com
Ibrahim Rugova ishte shkrimtar, filozof e intelektual. Është një nga themeluesit e Republikës së Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), pa të cilin historia moderne e Kosovës nuk do të mund të shkruhet, pa e përmendu, shkruan Gazeta Metro.
Shumë mite dhe fjalë janë thënë e publikuar për Presidentin e ndjerë Ibrahim Rugova. Por të paktë janë ata që i dinë mirë faktet rreth tij. Gazeta Metro, është kujdesur dhe ka biseduar me të afërmit e Rugovës, këshilltarë të tij, shokë të klasës fillore e të studimeve, për të sjellë fakte interesante që nuk dihen publikisht.
Më poshtë ju sjellim 6 fakte interesante për Rugovën, jetën dhe shijet e tij, që nuk i keni ditur deri tash.
1. Gjithmonë e mbante nënën me vete. Rugova në momentin e parë që krijoi mundësitë finaciare dhe fitoi bursën… u kujdes që nënën e vet ta marrë në Prishtinë, që ishte e veçantë dhe e rrallë në atë kohë për një student në Kosovë. Ai mori me qira një banesë, në lagjen Lakrishte në Prishtinë ku jetoi me nënën e vet përgjithmonë, edhe pasi u martua, deri sa ajo ndërroi jetë.
Ibrahim Rugova, sa ishte student
2. ‘Presidenti Legjendar’ i pinte mesatarisht ‘shtatë esspreso dopio’ në ditë. Dhe këtë e bënte në embëltoren e famshme ‘Elita’ që gjendet ende në qendren tregtare që atë kohë quhej “Boro Ramizi” në Prishtinë. Tavolina e tij, ende mbetet e njejta në këtë lokal ku ruhen legjenda të tilla për të.
3. Rugova, nuk kishte pasion për pronën dhe botën materiale. Po ashtu edhe nga familja fillimisht nuk i trashëgoi hise. Pasi që ja vranë babën dhe gjyshin Presidenti Rugova është rritur fillimisht me mixhën e tij, deri sa fitoi bursën dhe një punë mësuesi për t’u shpërngulur në Prishtinë.
4. Rugova ishte 9 vjeç, dhe jo 6 kur u regjistrua në klasë të parë të shkollës fillore. Ai ishte më i vjetri nga nxënësit e klasës për faktin se familja e vonoi të regjistrohet se nuk i kishte kushtet dhe mundësitë finaciare. Kjo i ndodhi pasi që babain dhe gjyshin e tij, e kishin pushkatuar partizanët komunistë, për një ditë, në afërsi të Istogut. Dhe nga prindërit, të gjallë e kishte vetëm nënën.
5. Rugova i pinte deri katër pako duhan në ditë. Këtë duke e përcjellur kafen që shumë e preferonte e pastaj vazhdonte edhe me bisedat e gjata me miq e tij. Pinte lloje të ndryshme të duhanit gjatë studimeve dhe karrierës së tij. Por, marka e tij e preferuar e duhanit ishte ‘Dunhill’, që prodhohej atë kohë në Fabrikën e Duhanit në Gjilan.
6. Nëse shumë kush në Kosovë sot e idhujzon Presidentin Rugova, le ta dijë se edhe ai i kishte idhujt e vet të letërsisë dhe poezisë. Ata ishin Frederiko Garcia Lorca dhe Sergej Aleksandrovic Jesenjin, të cilëve edhe ua dinte pothuajse të gjitha poezitë përmendësh, dhe nuk pritonte t’i recitonte para miqve të vet. Sidomos atyre të gjinisë femërore. / KultPlus.com