“Kosharja” e xhiruar në Kopaonik, filmi që rrëfen anën serbe të luftës

Në Serbi vazhdon glorifikimi i humbjeve serbe dhe krijimi i miteve për to. Ky është stili i mbijetesës historike të Serbisë në përpjekje për të mbajtur territore të huaja jo vetëm që nga Beteja e Kosovës në vitin 1389 e deri më sot, 630 vjet më pas.

Një mit i tillë ka filluar të krijohet edhe për Betejën e Koshares në të cilën forcat serbe u thyen nga forcat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Për ta përkujtuar këtë betejë, televizioni publik serb njofton se është në përfundim e sipër filmi, dokumentar e quan rts, me titull “Rrëfime lufte nga Kosharja”, transmeton Koha.net.

Ky film, sipas autores së tij Sllagana Zariq ëshë xhiruar në Kopaonik, në reliefe dhe kushte atmosferike të me ato të Bjeshkëve të Junikut

Filmi merret me kronologjinë e ngjarjeve filluar më 9 prill 1999 kur forcat e UÇK-së sulmuan forcat serbe që qëndronin në kufirin shqiptaro -shqiptar. Beteja ka zgjatur 67 ditë, deri më 14 qershor 1999 kur ushtria jugosllave u largua përfundimisht nga Kosova.

Dokumentar,i që paraqet vetëm anën serbe të luftës, do të fillojë së emituari më 9 prill në rts.

Në mediet serbe Beteja e Koshares është cilësuar si ferri i luftës për ushtrinë e Serbisë.

Përkundër asaj se Serbia këtu është thyer keqas, në Serbi shumë bulevarde e rrugë mbajnë emrin Koshares./ KultPlus.com

Ylfete Fanaj sërish në Parlamentin Kantonal: Fiton më së shumti vota

Me 6908 vota, ajo ka fituar më së shumti nga të gjithë kandidatët e qytetit të Lucernit.

“Jam shumë e gëzuar: me 6908 vota të fituara, kam arritur rezultatin më të lartë në qytetin e Lucernit dhe jam rizgjedhur (në Parlamentin e Kantonit). Kemi 3 vende më shumë (si parti SP) dhe të katër të zgjedhurit rishtas,  janë femra. Gëzuar!”. Këtë postim e ka bërë në faqen e saj në facebook Ylfete Fanaj, e cila fiton kështu në mënyrë bindëse mandatin e tretë në Parlamentin e Kantonit të Lucernit, shkruan albinfo.ch.

Më shumë se ajo kanë fituar katër kandidatë nga FDP, të gjithë nga  zonat tjera të kantonit, jashtë qytetit të Lucernit.

Edhe partia e saj, SP ka shënuar një rezultat shumë të mirë, duke fituar tri vende më shumë në parlament. Nga ana tjetër, partitë e djathta,  SVP, CVP dhe FDP të cilat janë zakonisht favorite në këtë kanton, kanë shënuar rënie të theksuar, me 7 gjegjësisht 4  dhe 3 vende më pak të fituara.

Fitoren më të madhe e ka realizuar Partia e Gjelbër (Grüne Partei) e cila ka dyfishuar numrin e vendeve në parlament: nga 7 sa i ka pasur deri tash, në 14.

Të kujtojmë: Ylfete Fanaj është prej tetë vitesh deputete në Parlamentin Kantonal ndërsa pak më vonë ajo është zgjedhur edhe shefe e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate në këtë parlament, shkruan albinfo.ch.

E lindur në vitin 1982 në Prizren dhe e ardhur në Zvicër në vitin 1991, Ylfete Fanaj ka qenë femra e parë shqiptare që është zgjedhur në nivel asambleje komunale dhe kantonale në këtë vend. Ajo po ashtu është  shqiptarja e parë e Zvicrës në përgjithësi, e zgjedhur shefe e një grupi parlamentar në çfarëdo niveli.

Fanaj është aktive në politikë prej një kohe të gjatë. Ajo, nga viti 2011 ka qenë deputete e Partisë Socialdemokrate në Parlamentin e Kantonit të Lucernit. Para kësaj ajo ka përfaqësuar po këtë parti në Asamblenë e qytetit të Lucernit.

Fanaj ka qenë femra e parë shqiptare në Zvicër, e zgjedhur në një parlament kantoni dhe asamble komune.

Për një kohë Ylfete Fanaj ka qenë edhe kryetare e organizatës Second@s në nivel të Zvicrës.

Ajo ka qenë dhe është shumë aktive në jetën shoqërore të shqiptarëve të /KultPlus.com

Xhamia e Plumbit në Shkodër, ndër 50 më të bukurat e botës

Xhamia e Plumbit në Shkodër është e vetmja xhami shqiptare, e përfshirë mes 50 objekteve më të bukura myslimane në botë.

Ajo renditet në vendin e 37 para xhamisë Vahsiz Khan në Lahore të Pakistanit dhe pas xhamisë Jami Ul Alfar në Sri Lanka. Në vendin e 31 renditet Xhamia Blu në Stamboll të Turqisë, ndërsa dhjetë vende pas xhamisë shqiptare është Xhamia e Madhe në Paris.

Në fund të listës renditen xhami e Lindjes së Diellit në Melburn të Australisë dhe Xhamia Kombëtar e Abujas në Nigeri. Po kush renditet në vendet e para? Është pikërisht xhamia Mashkhur Jusup në Kazakistan, dhe në vend të dytë Xhamia e Kristaltë në Malajzi. Vendi i tretë i takon një xhamie në vendet e ftohta të Europës. Është xhamia e Nusrat Djahannë Kopenhagen të Danimarkës. Në Islamabad të Pakistanit gjendet xhamia e katërt më e bukur në botë, Shah Faisal Masjid dhe fill pas saj renditet Xhamia ?akirin në Stamboll.

Historia e Xhamisë së Plumbit

Xhamia e Plumbit është një monument kulture i kategorisë së parë në Shkodër. Xhamia e Mehmet Pashë Bushatit ose Xhamia e Plumbit u ndërtua në vitin 1773-1774 nga Mehmet Pashë Bushati (Plaku), themeluesi i familjes së njohur të Bushatllinjve të Shkodrës. Kjo xhami është një nga ndërtesat më të vjetra të

Shkodrës dhe xhamia më e madhe dhe më e bukura e Shqipërisë deri në gjysmën e parë të shekullit XX, periudhë në të cilën filluan të ndërtohen xhami të dimensioneve të mëdha. Xhamia ka qenë e veshur me plumb dhe nga kjo u quajt “Xhamia e Plumbit”, e me këtë emër njihet edhe sot.

Xhamia është e vendosur në pjesën e jashtme të ish pazarit të Shkodrës, rrëzë kalasë Rozafat, në një livadh në rrafshinën e lumenjve Kir e Drin. Për nga forma e ndërtimit është frymëzuar nga xhamitë e sulltanëve të Stambollit. Kjo xhami është e vetmja në Shqipëri për nga lloji, që fillon me një oborr me kolona të gjera, para se të hysh në sallën e faljes. Ndërtimi i kësaj xhamie, në këtë formë, ka të bëjë me atë që pashallëku i Shkodrës është në gjendje që edhe në ndërtimin e objekteve të kultit të thyejë të drejtën perandorake për të pasur një element të tillë, vetëm ata.

Salla e faljes paraqitet si një bllok i ulët, kapërcyer nga një tambur oktogonal shumë i lartë, në majë të të cilit qëndron kubeja, gjysmë rrethore. Interieri shfaqet si një dhomë e gjatë dhe e gjerë, pavarësisht se përmasat janë jo dhe aq të mëdha. Vizualisht kjo dhomë është zgjeruar nga një lloj thellësie, në të cilën është vendosur Mihrabi. Në majë të Mihrabit ka tre kube, ndërsa në të djathtë ka dy kube. Xhamia është ndërtuar me gurë të shkëlqyer në të kaltër e të bardhë, që janë shumë rezistent ndaj veprimeve erozive.

Nga dëmtimet e ndryshme që pati kjo xhami, qoftë nga mbulesa, ashtu edhe përbrenda, si dhe nga vërshimet e herëpashershme të lumit Kir, për disa kohë mbeti e papërdorshme, ndërsa në vitin 1978, periudhë që në Shqipëri ishin shkatërruar ndërtesat e bukura dhe të vjetra që tregonin kulturën e shqiptarit, shërbimet e monumenteve të kulturës, u kujtuan t’i vinin një mbulesë me çimento për ta shpëtuar këtë thesar jo si objekt kulti, por si objekt ndërtimor. Me ndërtimin e kësaj xhamie të madhe të Shkodrës, shohim se në Shqipëri po shfaqej një arkitekturë me stil të zhdërvjellët e me shije, që nuk munguan në shekullin XVIII. Ky stil haset edhe në ndërtimin e xhamive të tjera në Bullgari, Anatolinë qendrore, etj.

Në këtë xhami gjendet një shkrim që na jep një informacion historik, ku shkruhet: Madhëria i veprave bamirëse dhe bujare, Mehmet Pasha e ndërtoi këtë xhami madhështore në vitin 1773 Administratori i kësaj xhamie, Haxhi Mahmut Berberi, data e rinovimit 1863. Riparimi i saj është bërë para vitit 1865, periudhë kur në Shkodër ndodhi përmbytja e madhe që shkatërroi një pjesë të mirë të Shkodrës së vjetër. Mbas këtij, kujdestarinë e kësaj xhamie e mori familja e njohur shkodrane e Myftijve të Tabakëve, në fillim nga Hafiz Isuf Tabaku dhe vazhdoi brez pas brezi deri në ditët e sotme. Brezi i ri i këtij trungu amanetin e të parëve e ka mbajtur edhe kur xhamia është lënë pas dore nga pushteti i kuq.

Xhamia e Plumbit në mes të ujit

Fotoja që i referohet klasifikimit të gazetës së njohur The Huffington Post e paraqet Xhaminë e Plumbit në mes të ujit. Ndonëse disa prej xhamive më të bukura janë thuajse në mes të ujit, nuk dihet nëse gazetarët e huaj e kanë kuptuar faktin se uji që rrethon xhaminë shqiptare nuk ka të bëjë fare me një stisje arkitekturore.

Legjenda

Ndërsa po ndërtohej xhamia, vetë Mehmet Pasha mori pjesë në punimet; ky gjest shpjegohet me përkushtimin e tij fetar dhe me qëllimin për ti treguar popullit se puna është e madhërishme, aq më tepër në vepra publike. Në lidhje me pjesëmarrjen e Mehmet Pashës në këto punime ka një anekdotë: Një fshatar donte t’i paraqiste një ankesë personale Pashës; mori vesh se ndodhej mes punëtorëve,

por nuk e dallonte, sepse ai ishte i veshur thjeshtë. Rastisi që vetë personi ta pyeste vetë (vetë Pashën) se ku gjendej Pasha dhe mori përgjigje që të priste pak. Pas përfundimit të punës, Pasha u vesh zyrtarisht dhe i doli para hallexhiut që mbeti i prekur nga thjeshtësia e tij./ndertimi.info/ KultPlus.com

“Do Të Kthehem Nëne”

Jusuf dhe Bardhosh Gërvalla duke i kënduar nënës së tyre. “Do Të Kthehem  Nëne” këngë kjo me një përmbajtje të veçantë të cilël ua sjellë sonte KultPlus.

Ka kohë që më mundon
vetmia o nënë
E votër braktisa një ditë
N´vendlindje e di është vjeshtë vonë
Të presin të korrura e brenga.

N´mendime m´ke tretur
tani o nënë
për birin që të la n´vetmi
Shikimi përhera kah dera t´përgjon
trokitje të lehta dëshiron.

Ref
Kthehu shpejtë m´ke pas thënë
se brengat më kanë molisur
Të presin shokët një vorr nën bli
Porositë e babait tënd.

Kaluan pranvera e vjeshta o nënë
që kur ti e ndjell veç një kthim
nëse vetë nuk do të mundem
do i them birit tim
Në vendlindje le t´shtrojë çdo gëzim

Të lutem jeto me shpresa o nënë
se dikush një ditë do t´trokllojë
N´atë vatër ku së pari zëri im jehoi
Andej nipat le të ngrejnë shtëpinë

Kumnova: Kriminelët serbë po e përdorin trupin e birit tim për hakmarrje

Nesrete Kumnova

Sot mbushen njëzetë vite pritje, ankth, shpresë e zhgënjim, që nga 31 marsi i vitit 1999, kur kriminelët serbë i rrëmbyen në shtëpinë tonë, birin tonë, Albion Kumnova (1977), dhëndrin Gëzim Deva (1970), tezakun e Albionit, Artan Efendia (1976), fqinjin, Lutfi Bunjaku (1952) dhe birin e tij Bekim Bunjaku (1983), pastaj bashkë me ta edhe fqinjën tjetër Shkëlzen Binishi (1966).
Unë dhe familja ime, jemi të zhgënjyer nga faktori kombëtar dhe ndërkombëtar se nuk po angazhohen më shumë dhe më me vendosmëri, për faktin se nga grupi kur u rrëmbyen meshkujt në familjen tonë, të gjithë trupat tjerë janë gjetur, identifikuar dhe varrosur dhe vetëm trupi i birit tonë, Albionit nuk arriti të gjendet e as të identifikohet.
Kjo është një arsye më shumë për të dyshuar se kriminelët serbë po e përdorin trupin e birit tim, Albionit, si metodë hakmarrëse ndaj meje dhe aktivitetit tim në Shoqatën “Thirrjet e Nënave”!
Drejtësia duhet të bie në vend dhe më në fund edhe varri i hapur i Albionit po e pret birin tim të prehet i qetë në dheun e Kosovës për të cilin e dha edhe jetën.
Dhembja është e madhe dhe po shtohet edhe më shumë, kur për çdo mëngjes zgjohemi me shpresë se do të gjendet Albioni, ndërsa kur ngryset dita shuhen edhe shpresat dhe me shpirt të plagosur duhet mbajtur si shkëmb barrën e pritjes së pafund!
Biri ynë Albion, nëna dhe babai nuk do të vdesin para se të varrosim me duart tona, ta ujisim dheun me lotët tonë dhe ta stolisim varrin me lulet më të bukura të pranverës, që të lulëzojë edhe pranvera jote, pasi pranverat tona u shuan këtu e njëzetë vite më parë! Albion, bir të kujtojmë me mall të pa shuar, Mama, Beja dhe motrat, Fllanza, Vjollca dhe Arjeta bashkë me familjet e tyre! / KultPlus.com

‘Përse do të studiosh’

Bertolt Brecht. Përkthyer nga Faslli Haliti

Djali im i vogël më pyet:

Do doja të studioja matematikë?

Përse do doja (të pyes ) unë.

Që dy cope bukë janë më shumë se një,

Do ta shënosh sidoqoftë.

Djali im i vogël më pyet: do doja të studioja anglisht?

Për ç’motiv, do  doja (të pyes ) unë.

Kjo mbretëri po perëndon.

Dhe ti vetëm fërkon barkun me  ( pëllëmbën e dorës) dhe ofshan,

Po do ta kuptosh tashmë

Djali im i vogël pyet:

do doja të  studioja histori?

Pse, do doja (të  pyes) unë.

(Mëso ta mbash kokën fort mbi tokë),

( Atëherë ) mbase do qëndrosh.

Po, studio matematikë, i them,

Studio anglisht, po, studio histori./ KultPlus.com

‘Fshatarja ime, mike e rinisë’

Nën tinguj magjepsëse të muzikës së Sabri Fejzullahut jemi rritur. Këngët e tij me melodi të lehta na shoqëroj prej kohësh. KultPlus sonte po e sjellë këngën e njohur të këngëtarit Sabri Fejzullahu – “Fshatarja ime”, e cila është realizuar para disa vitesh.

Ishim fëmijë të lindur në një stinë
Fshatarja ime, mike e rinisë
Jeta është grackë, mjaltin e bën pelim
Mbesim veçse rob të dashurisë
Jeta është grackë, mjaltin e bën pelim
Mbesim veçse rob të dashurisë


As unazë, as dasëm me flamur
Thëllënza ime, ëndërr e pashpresë
Edhe pse kurrë, ne nuk u prekëm kurrë
Ne në shpirt, lidhëm kurorë e besë
Edhe pse kurrë, ne nuk u prekëm kurrë
Ne në shpirt, lidhëm kurorë e besë


Sa e bukur ish, me vellë
Atë ditë shiu, mu në Maj
Isha i strukur nën ombrellë
Mysafirë në dasmën e saj


Sa e bukur ish, me vellë
Bëja be, se s’do te qajë
Por kot fshehësha nën ombrellë
Mua më lagte loti i saj


Edhe pse kurrë, ne nuk u prekëm kurrë
Ne në shpirt, lidhëm kurorë e besë
Edhe pse kurrë, ne nuk u prekëm kurrë
Ne në shpirt, lidhem kurorë e besë


Sa e bukur ish, me vellë
Atë ditë shiu, mu në Maj

Isha i strukur nën ombrellë
Mysafirë në dasmën e saj


Sa e bukur ish, me vellë
Bëja be, se s’do të qajë
Por kot fshehësha nën ombrellë
Mua më lagte loti i saj

Sa e bukur ish, me vellë
Atë ditë shiu, mu në Maj
Isha i strukur nën ombrellë
Mysafirë në dasmën e saj


Sa e bukur ish, me vellë
Bëja be, se s’do të qajë
Por kot fshehësha nën ombrellë
Mua më lagte loti i saj…../ KultPlus.com

Udhëtimi

Manjola Nasi

Sot ndërrohet ora.
Për 60 minuta
m’u dha mundësia t’i kthehem dy herë
jetës sime
si një fustani që s’hekuroset lehtë.
Rrugës për Amerikë,
diku mbi oqean,
në atë zgavër të përbindshme uji dhe errësire
ishte dera për t’u kthyer pas
në një copë nate
në një copë dite –
një vrimë në kohë ku mund të jetosh
pa paguar me kohë.
Po dikur vjen kthimi pas:
Evropa,
e diela e fundit e marsit,
ku zgjohesh një mëngjes
a në një aeroport
dhe ndien se të kanë vjedhur./KultPlus.com

Aeroporti i Singaporit, për të shtatin vit radhazi më i miri i në botë

Çfarë e bën një aeroport “më të mirin në botë”? Pajisjet e teknologjisë së lartë? Stafi miqësor? Shërbim i shpejtë i emigracionit?

Sipas Skytrax World Airport Awards, për të qenë një udhëheqës global i udhëtimit, nënkupton përpjekjet e vazhdueshme për t’u përmirësuar, për t’u ripërtërirë dhe për të impresionuar.

Image

Dhe kështu për vitin 2019 dhe për herë të shtatë me radhë, aeroporti i Singaporit “Changi” është kurorëzuar si më i miri në botë, pikërisht në kohën kur është pritur aq shumë për hapjen e terminalit Jewel Changi, në prill.

“Të jesh i votuar si aeroporti më i mirë në botë për të shtatin vit radhazi, është një arritje me të vërtetë e shkëlqyeshme për aeroportin Changi, dhe ky çmim vazhdon të nënvizojë popullaritetin e aeroportit nga udhëtarët ndërkombëtarë”, tha Edward Plaisted, Drejtor Ekzekutiv i Skytrax, shkruan CNN, transmeton Koha.net.

Aeroporti i Singaporit është votuar nga konsumatorët në një sondazh global të kënaqësisë së klientëve për aeroportet./KultPlus.com

La Stampa: 48 orë në bukuritë e kryeqytetit shqiptar

”Fotografi/Një shesh në një vend të Lindjes/me flamuj”. Me këto pak fjalë një strofë e ”Pooh” rrëfen për një vend dhe për një atmosferë. Në fakt, shumë vende dhe shumë atmosferë europiano-lindore. Si ai i sheshit ”Skënderbej” në Tiranë, me statujën kalorsiake të heroit kombëtar dhe flamurin e kuq me shqiponjën që valëvitet. I fillojmë që këtu 48 orët tona në kryeqytetin e Shqipërisë, shkruan Luigi Grassia i gazetës së njohur italiane ”La Stampa”, në një përshkrim të gjatë për Tiranën:

DITA E PARË

MËNGJESI

Edhe pse shqiptarët e sotëm janë në shumicë myslimanë (por pak praktikantë), ata festojnë me krenari kujtimin e Skënderbeut i cili iu kundërvu turqve, domethënë popullit që donte të islamizonte vendin. Është e qartë që (në këtë rast) kombi vjen para besimit. Statuja e heroit mbi kalë është qendra e sheshit, ku ndodhen edhe disa nga ndërtesat dhe monumentet më të rëndësishme të Tiranës. Sa për fillim ka disa ndërtesa që rrethojnë supet dhe krahët e Skënderbeut – bashkia dhe disa ministri – që edhe pse nuk janë interesante në mjediset e tyre të brendshme, dallohen nga jashtë për ngjyrat okër dhe vishnje të një tonaliteti elegant. Ndërkohë, Pallati i Kulturës, që ka brenda edhe Teatrin e Operas, ka një stil anonim të realizmit socialist dhe edhe pak fashist. Në kontrast të fortë, me ngjyra ekstravagante, por edhe me një ndjesi të këndshme, gati-gati meksikane apo latinoamerikane, paraqitet Muzeu Kombëtar, me një mozaik të pamatë dhe të gjallë që shfaq një numër personazhesh, sintezë e gjithë përvojës shqiptare. Në brendësi, ky muze ka një pasuri të madhe objektesh.

PASDITJA

Në sheshin ”Skënderbej” ndodhet edhe Xhamia e Et’hem Beut, që është e vogël por shumë e bukur dhe që përfaqëson edhe disa karakteristike të veçanta, pasi dëshmon se Islami shqiptar është unik; për shembull dekoracionet e brendshme nuk janë vetëm arabeskat e zakonshme (të bukura), por janë edhe pikturat me peizazhe që nuk janë pjesë e traditës. Hyrja në xhami është e lirë për të gjithë, edhe për ata që nuk janë myslimanë, me detyrimin që burrat mund të rrinë vetëm në hapësirën e gjerë kryesore, në katin e parë (nuk dimë si ta përcaktojmë ndryshe) dhe gratë vetëm në lozhë. Në teori. Sepse, nëse kërkojnë leje, mund të zbresin edhe ato. Ndërkohë, burrat nuk mund të ngjiten në lozhë. Apo të paktën kështu duket. Ndoshta rregullat janë pak a shumë liberale në varësi të ditës apo të njerëzve që takohen. Megjithatë, këshilla është që të respektoni traditat dhe të mos e prishni atë bukuri duke u përfshirë (në italisht) në diskutime të padobishme.

Pranë xhamisë ndodhet Kulla e Sahatit që për të thënë të vërtetën e parë nga jashtë nuk është ndonjë gjë kushedi çfarë, por mund të ngjitesh në majë të saj dhe që prej aty duket një panoramë e bukur e sheshit ”Skënderbej” dhe e kryeqytetit; e këshilluar sidomos kur dielli i afrohet perëndimit (natyrisht që përbën problem nëse të gjithë ngjiten në këtë moment atje). Për t’u vonuar dhe për të pritur orën e duhur mund të shëtisni në zonën e gjelbër pas sheshit ”Skënderbej”: aty ndodhen parku ”Rinia”, ku ndodhen tavolinat e barit më të vlerësuar të Tiranës, dhe në afërsi të Piramidës, e destinuar fillimisht si një mauzole për diktatorin Enver Hoxha, si të ishte një faraon. Pasi numri një vdiq dhe komunizmi ra, Hoxha nuk dukej kaq i denjë për një respekt të tillë. Në një artikull të paradokohshëm për Tiranën kemi përmendur shqiptimin e rrokjes ”xha”, që tingëllon si ”gia”. Në Shqipëri, Hoxha është një mbiemër shumë i zakonshëm, që i italianizuar bëhet ”Oxa”, ashtu si këngëtarja Anna Oxa, e cila në fakt është me origjinë shqiptare. Edhe rrënjët e Bettino Craxi-t ishin në Shqipëri.

MBRËMJA

Meqenëse cituam Enver Hoxhën, për darkë dhe për pasdarke mund të kemi si objektiv Bllokun, që në kohën e diktaturës ishte i rezervuar për elitën politike të Partisë së Punës, ndërkohë që tani është një nga zonat më në modë të Tiranës, plot me restorante, bare dhe lokale. Nëse nuk arritët të shihnit perëndimin nga Kulla e Sahatit, atëherë, ndërkohë që jeni në Bllok, patjetër që do t’ia arrini kësaj në Sky Tower, që ka një bar me një pamje 360 gradë mbi qytet.

DITA E DYTË

MËNGJESI

Pranojmë që nuk kemi pasion për tregjet, por duke marrë në konsideratë që ato janë një ”detyrim” për pjesën më të madhe të turistëve, atëherë ju sinjalizojmë se për të filluar ditën e dytë në Tiranë, duhet të vizitoni në pazarin, apo për ta thënë ashtu si banorët lokalë ”Pazarin e ri. Mund edhe të drekoni me çmime të volitshme, ndërkohë që e veçanta aty është se ka shumë peshk.

PASDITJA

Tirana ka dy katedrale, atë katolike të Shën Palit dhe atë ortodokse të Ringjalljes së Krishtit. Të dyja ndodhen në jug të sheshit ”Skënderbej”, por nëse dëshironi t’i vizitoni është më mirë që fillimisht të shkoni te katedralja e Shën Palit, pak më larg, dhe pastaj t’i drejtoheni asaj të Ringjalljes, që ka epërsinë e të qenit më pranë zonës që këshillojmë për mbrëmjen e dytë. Pranë Katedrales Ortodokse është një muze që na pëlqeu shumë: ka një emër poetik ”Shtëpia e gjetheve”, por në të vërtetë është Muzeu i Shërbimeve Sekrete, dhe si ky ka edhe në vende të tjera ish-komuniste – kemi gjetur shembuj, që kanë pasuri të madhe dokumentesh, mbi të gjitha në Estoni, Letoni dhe Lituani. Në rastin e Tiranës, ndërtesa ku ndodhet muzeu ka qenë godina jo vetëm e spiunëve të regjimit komunist por edhe, gjatë pushtimit nazist, e Gestapos. Tani, atje gjenden dëshmi të çdo lloj abuzimi të së kaluarës.

MBRËMJA

Mbrëmjen e dytë mund të darkoni në një vend në Tiranë që ka një emër ekstravagant: është Kompleksi Tajvan, i quajtur kështu pasi Kina nacionaliste, shumë kohë më parë, i dhuroi kryeqytetit shqiptar sisteme lojërash uji që zbukurojnë shatërvanin e madh të kësaj zone të Tiranës.

Ky është një koncentrat i asaj që mund të ofrojë Tirana. Por, Shqipëria është e gjitha e bukur, në mënyrë të mahnitshme e bukur dhe, duke qenë e vogël, ndodhet e gjitha në një dorë: Durrësi (në det) është gjysmë ore me makinë, Shkodra dhe Vlora për dy orë. Dhe plazhet shqiptare janë të shkëlqyer./ a.jor.

DAM-i solli mbrëmë magjinë e tingujve të pianisteve Olga Zado dhe Kristel Kragjozi

Fotografitë: Arben Llapashtica

Nën tingujt e kompozuar nga Wolfgang Amadeus Mozart filloi nata e pestë e edicionit të 14-të të festivalit DAM. Koncerti i tij për piano dhe orkestër nr.20 erdhi nën interpretimin e pianistes së re Kristel Karagjozi e cila u shoqërua nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, shkruan KultPlus.

Kjo natë e cila solli një program mjaft të pasur u dirigjua nga dirigjenti polak Szymon Makowski. Magjinë kësaj nate që në fillim ia dhuroi pianistja Karagjozi e cili ishte edhe fituese e garës “Pianisti i Ri 2018”. Një natë të cilën ajo do e kujtojë gjatë pasi që ishte hera e parë që performonte me një orkestër. Këtë fakt e potencoi edhe ajo në intervistën për KultPlus.

“Ishte vërtet një kënaqësi dhe një nder shumë i madh, ishte eksperienca ime e parë me orkestër, dhe ishte e mrekullueshme, shpresoj se edhe në të ardhmen të performoj me Filharmoninë e Kosovës”, tha ajo.

Mirëpo këtë natë vëmendjen për interpretim në piano nuk e mori vetëm pianistja e re Kristel Karagjozi, ishte një tjetër pianiste e cila tashmë është e njohur për publikun në Prishtinë pasi që ka performuar edhe më parë, Olga Zado.

Pianistja Zado këtë herë u rikthye për të sjellë kompozitorin e njohur Ludwig Van Beethoven dhe koncertin e kompozuar nga ai për piano dhe orkestër nr.2 në b-mol, Op.19.

Pianistja Olga Zado u shpreh se çdo herë merr shumë energji dhe inspirim kur rikthehet në Prishtinë pasi që këtu ajo gjen shumë dashuri për muzikën. Bashkëpunimin me DAM-in ajo e ka filluar para tri apo katër viteve, ku kanë realizuar shumë projekte dhe një koncert vitin e kaluar.

“Çdo herë jam shumë e kënaqur që vij përsëri këtu. Jam duke punuar me vepra të Beethovenit dhe e di që këtu nuk e kanë luajtur veprën Nr.2 kështu që shfaqa dëshirën që ta bëjmë këtë së bashku pasi që kjo ishte hera  e parë edhe për mua. Mendoj që është një vepër e cila duhet të vlerësohet pasi që shfaqë përpjekjet e Beethovenit për të gjetur zërin e tij të vërtetë”, tha Zado për KultPlus.

Në pjesën e dytë të kësaj mbrëmje erdhi simfonia e Robert Schumann nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës. Pianoja tashmë e larguar nga skena i dha mundësi publikut që vëmendjen ta ketë edhe më shumë te puna e dirigjentit Syzmon Makowski. E ky i fundit në intervistën e dhënë për KultPlus nuk kurseu fjalët e mira për Filharmoninë por edhe për pianistet të cilat me lojën e tyre arritën që ti bartin emocionet dhe ndjenjat e tyre edhe tek publiku. Duke ju dhuruar atyre një udhëtim të mrekullueshëm, siç e potencon edhe dirigjenti Makowski.

“Më pëlqen atmosfera e punës me Filharmoninë e Kosovës, optimizmi dhe energjia të cilën ata ma japin. Me Kristel ishte një bashkëpunim dhe udhëtim i mahnitshëm sepse ishte hera e parë që ajo performonte me një orkestër. Në anën tjetër me Olgën kemi pasur bashkëpunim edhe më parë dhe e njohim njëri-tjetrin dhe ishte një ritakim shumë i mirë duke punuar në veprën e Beethovenit”, u shpreh dirigjenti.

Ndërsa sa i përket veprës, dirigjenti u shpreh se kjo është një vepër ku kompozitori nuk është shumë i matur mirëpo gjejmë një Beethoven të ri i cili dëshiron që t’iu lë përshtypje të gjithëve përreth diçka që edhe Olga sipas tij ja ofroj publikut.

Sonte duke filluar nga ora 20:00 do të jetë koncerti nga Quartetto Di Cremona  i cili edhe do të përmbyllë këtë edicion të festivalit. / KultPlus.com

80 vjeçarja që punon Dj thumbon moshatarët: Mos bëni si pleq

Ka nga ata që duan të thurin me grep, ata që duan kopshtarinë, kush do të bëjë rolin e gjyshes apo gjyshit e kështu me radhë.

Por, ka edhe nga ata njerëz të moshës së tretë që “thyejnë skemat” dhe vendosin të hidhen në diçka më të zhurmshme dhe të pazakontë.

Kjo është rruga që ka zgjedhur Virginia Szmyt, 80 vjeçarja polake, e cila çdo të hënë mbrëma transformohet në “Dj Wika”.

Ajo luan në ‘Hula Kula’, klub i Varshavës, një lokal që pret deri në 1000 vetë. Mes shumë fansave të saj, ka edhe shumë pensionistë që tërhiqen nga ritmi që luan gjyshja DJ, raporton Ora.

“Kur rrethohem nga muzika, truri im funksionon” rrëfen gruaja, “dhe vazhdoj gjithnjë të mësoj”.

Ajo, e cila ka punuar si mësuese gjithë jetën, ka lënë katedrën për t’u bërë konsull dhe tani lufton me stereotipet, duke ftuar bashkëmoshatarët e saj të mos sillen si pleq.

Mesazhi i saj është se jeta nuk mbaron kur shkon 70 vjeç, përkundrazi, ajo ndihet gjithnjë e re dhe nuk e tregon fare moshën që ka.

Mbase, është merita e rock-ut. / KultPlus.com

Pink publikon videoklipin “Walk Me Home”

Këngëtarja Pink ka publikuar videoklipin e ri.

“Walk me Home” titullohet kënga e re nga albumi i ardhshëm “Hurts 2B Human” që lansohet më 26 prill të vitit 2019.

Ajo ka publikuar një video për këngën që u punua në regji të Michael Grace.

Pink kështu synon rikthimin e fuqishëm të saj pas një pushimi disa vjeçar. / KultPlus.com


https://www.youtube.com/watch?v=J1OsKJW51HY

“Të hollat, le t’i marrin ata që iu duhen edhe pak për të bërë milionat, sepse mua edhe ashtu nuk po më hiqet kredia”

Nga Fitim Uka

Dromca realiteti kosovar (pak më gjatë për t’u mbajtur në mend)

1. Tre prezantime kërkojnë autorin 
Tre prezantime (si autor dhe bashkautor) më ishin pranuar në konferencën më të madhe në botë të Shoqërisë për Hulumtime në Zhvillimin e Fëmijës në Baltimore, Maryland të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Pjesëmarrja në një konferencë të tillë kushton rreth 4000 mijë euro (me të gjitha shpenzimet). Të jetosh në Kosovë, ke dy zgjedhje për të marrë pjesë në këtë konferencë. Zgjedhja është të hysh kredi apo të kërkosh mbështetjen që të takon në institucionet tona, drejtuesit e të cilave e kanë gojën plot kërkim shkencorë, e xhepat bosh kur duhet të intervenojnë. Kështu që, e pashë konferencën nëpërmjet fotografive dhe punimet e mija u prezantuan nga të tjerat. I lumtur sa më nuk bëhet.

2. Milionerët VS të burgosurit e kredive 
Për një semestër të plotë, kisha udhëtuar në Universitetin “Kadri Zeka” të Gjilanit. Kisha nënshkruar kontratën për disa të holla që mezi mbulonin shpenzimet e mija të udhëtimit deri atje, por isha më i motivuar se kurrë. Mbajta disa herë edhe provimet dhe dorëzova rezultatet. Pas gjithë angazhimit, diku pesë muaj më pas, me kërkesën time për sqarime, më njoftuan që nuk mund të më paguajnë për shkak të një problemi, që kurrë se kuptova se cili ishte. Çuditërisht, zv/dekanit e rektorit thanë se iu del paga me rregull, por për mua dhe për ndonjë të dobët si puna ime, kishte probleme. Mbetem me ngushëllimin e vetëm që kam takuar dhe punuar me një grup të shkëlqyeshëm studentësh. E sa për të hollat, le t’i marrin ata që iu duhen edhe pak për të bërë milionat, sepse mua edhe ashtu nuk po më hiqet kredia e po më shtohet mëkati.

3. Kur të vrasin shpresën dhe krenohen me krimin
Për një vit e gjysmë, bashkë me ekipin e jashtëzakonshëm të Qendrës për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, kemi organizuar dhjetëra aktivitete vullnetare. Për mua dhe tre shokët e mi, Besnikun, Ramizin e Liridonin, ky është një ushqim për shpirtin. Në këtë rrugëtim kemi njohur dhjetëra vullnetarë që kanë reflektuar vlera të tilla. Më dhemb të shoh, gjithë këtë potencial intelektual të të rinjëve, kryesisht studentë, entuziastë të hulumtimit, debatit shkencorë, intervenimeve në komunitet, që nëpërkëmbet nga një klasë politike, që njeh vetëm ngjyrat partiake. Më vjen keq për të tashmen e tyre dhe për faktin që askush nuk ua kupton gjuhën. Duket mision i pamundshëm të motivojë për të ardhmen, një grup të rinjsh që iu është vrarë shpresa.

4. Të lumturit në depresion 
Dhe, ne jemi populli më i lumtur në botë. Çfarë çrregullimi kolektiv është ky vallë? Apo ndoshta, unë jetoj në një realitet tjetër? Ndoshta, kreditë, mungesa e perspektivës, korrupsioni, nepotizmi, haraçi, kazinot, krimet, tallavaja, antivlerat e ushqejnë këtë ndjenjë lumturie? Ndoshta, më duhet që të ndërrojë vend. Kjo, sepse një i “palumtur i pandreqshëm”, nuk mund të jetoj në një vend përplot me të lumtur që duken në depresion. / KultPlus.com

“Nuk mbërrini dot në destinacion, nëse ndaleni për të qëlluar çdo qen që leh”

Urtësi nga Uinston Churchill

Duhet guxim që të ngrihesh dhe flasësh; por po guxim duhet të ulesh dhe dëgjosh.

E vërteta është e padiskutueshme. Ligësia mund ta sulmojë, injoranca mund të përqeshë, por në fund ajo mbetet aty.

Nuk është e mjaftueshme që ne të bëjmë më të mirën; ndonjëherë lipset të bëjmë atë që është e nevojshme.

Gjatë gjithë jetës kam ngrënë shpesh fjalët e mia, dhe më duhet ta pohoj që ka qenë dieta më e shëndetshme për mua.

Keni armiq? Në rregull. Kjo do të thotë që keni mbrojtur një kauzë në jetën tuaj

Pacifist është ai që ushqen një krokodil, me shpresën se krokodili do ta hajë të fundit.

Njerëzit pengohen herë pas herë tek e vërteta, por shumica prej tyre ngrihet dhe vazhdon rrugën sikur të mos ketë ndodhur asgjë.

Një fjalim i mirë duhet të jetë si këmisha e një gruaje; mjaftueshëm i gjatë për të mbuluar subjektin, dhe mjaftueshëm i shkurtër për të ngjallur interes.

Suksesi nuk është përfundimtar, dështimi nuk është fatal: ajo që ka rëndësi është guximi për të vazhduar.

Fanatik është ai që s’mund të ndryshojë mendje, dhe që as nuk do të ndryshojë temë.

Ne jemi zotër të fjalëve të pashprehura, por robër të atyre që i lëmë të na rrëshqasin nga gjuha.

Mësimi më i madh në jetë është të dini se edhe budallenjtë kanë ndonjëherë të drejtë.

Çmimi i madhështisë është përgjegjësia.

Ju nuk do të mund të mbërrini kurrë destinacionin tuaj, nëse ndaleni dhe gjuani me gurë drejt çdo qeni që leh.

Sa më shumë pas që mund të shihni, aq më larg keni gjasa për të parë përpara.

Dyshimet mund të largohen vetëm nga veprat konkrete. /bota.al / KultPlus.com

“Children of Kosovo”, kënga që solli përjetimet e fëmijëve gjatë luftës në Kosovë (VIDEO)

“Fëmijët e Kosovës” (Children of Kosovo), titullohet kënga e grupit ‘The Kelly Family’, e realizuar për kohën e luftës në Kosovë.

Para 12 vitesh, grupi i famshëm “The Kelly Family” lansoi këtë këngë që në mënyrë të dhimbshme përshkruan përjetimet e fëmijëve nga Kosova, shkruan KultPlus.

Kjo këngë pas lansimit të saj mori famë të madhe dhe u pëlqye shumë e sidomos nga kosovarët të cilët e kishin ende të freskët kohën e luftës dhe përjetimet e tmerrshme të asaj kohe.

Kjo këngë edhe sot vazhdon të dëgjohet me nostalgji, sidomos nga kosovarët.

 “The Kelly Family” është një grup irlandezo-amerikano-evropian që përbëhet nga një familje prej disa gjeneratash që këndojnë muzikë rok, pop dhe folk.

KultPlusi iu përkujton këtë këngë në përvjetorin e 20-të të Luftës në Kosovë. /KultPlus.com



“Një vend ku adoleshentët njohin çdo lloj modeli arme, por s’të thonë dot një titull libri”

Nga Besard Jacaj

“Atentat. Vrasje. Viktima. Zhdukje. Palermo. Makinë e djegur” 

Po bëhet një mot që drejt Shkodrës nuk udhëtojnë më gazetarë kulture për të bërë reportazhe për biçikletat, por kolegë kronike që shkojnë për të parë provat në qytetin e kthyer tashmë shpesh në vendngjarje. Në “Scutarin” e ahengut (të dy terma që vërtetojnë lashtësinë e saj) krismat e armëve po dëgjohen më shpesh jaret e pazëvendësueshme të shpirtit qytetar.

 Një vit po bëhet edhe që “tuj shetit në mal e në kodër”, lulebora nuk është më në kopshtin më të bukur në Shkodër, sepse u vyshk duke parë se ç’po ndodh në lagjet e vjetra me banesa karakteristike e me njerëzit që nga mungesa e qetësisë nuk flejnë më në zheg.

 Në gjithë këtë situatë, gjëja me e parëndësishme është çorba e institucioneve me gishtin e ngritur të përgjegjësisë (zakon shqiptari) që drejtohet nga kushdo që del përpara, duke harruar se secili kur akuzon, katër të tjerët i ka nga vetja.

Në një vend ku rrisim fëmijët me shprehjet: “i forti ka gjithmonë të drejtë”, “s’të vret kush kot”, “plumbi del me plumb”, e ku adoleshentët njohin çdo lloj modeli arme, por s’të thonë dot një titull libri, shpresa e vetme mbetet ai lart, (jo kryeministri), Zoti!

O Zot, ti e di më mirë se ne ku ka mirë bëjmë keq, e ku ka keq e bëjmë më keq prandaj vër dorë.
Ndërroji edhe ti “drejtuesit e tu të policisë” që të rikthejnë sigurinë jo vetëm tek shkodranët, por tek të gjitha qytetet ku krimi rritet më shpejt se lulet.

Na fal nëse shprehjen “me kenë shkodran, t’tana i ban”, e kemi kapur mbrapsht dhe kemi bërë ato që s’duhen bërë. Riktheji dramat aty ku kanë vendin, në teatrin përballë ish-5 heronjve që prapë na krenon, dhe jo të gjithë qytetin në dramë.

Riktheji prapë bisedat mes shkodranësh për numër shfaqjesh, e jo për numër viktimash.
Derisa ti t’i realizosh këto, lutem të mos ma ndërpresë prapë kafen telefonata nga redaksia: “Lajm i fundit. Hajde shpejt. Vrasje në Shkodër”. / KultPlus.com

Jolie: Nuk mund të ketë paqe apo stabilitet në botë, kur shkelen të drejtat e grave

Angelina Jolie ka marrë pjesë në një takim mes Ministrave dhe Diplomatëve në Kombet e Bashkuara. Ajo ka mbajtur një fjalim për përfshirjen e grave në bisedimet e paqes, për t’i dhënë fund konflikteve në Afganistan.

Bisedat për paqe kanë nisur në fund të vitit 2018 mes zyrtarëve Talebanë dhe atyre të SHBA-ve, por ende gratë afgane frikësohen të kërkojnë lirinë.

“Në Afganistan, mijëra gra kanë folur kohët e fundit në publik duke rrezikuar jetën e tyre për të kërkuar që të drejtat e tyre dhe të drejtat e fëmijëve të garantohen në bisedimet e paqes, ama deri tani nuk kanë mundësuar asnjë prej tyre. Përgjigjja e heshtur e komunitetit ndërkombëtar është alarmante. Nuk mund të ketë paqe apo stabilitet në Afganistan apo kudo tjetër në botë kur shkelen të drejtat e grave”, tha Jolie, si e dërguar e posaçme për agjencinë e refugjatëve të UNHCR-së. / KultPlus.com

Sot mbyta një mi…

Nga Leonora Laçi

Nuk ishte brejtës rrugaq, kishte shtëpi, jetonim nën një çati. Ça haja unë hante dhe ai.

Sot e mbyta këtë mi, askush nuk ishte në “varrimin” e tij, përveç meje dhe lopatës. Lopata dhe unë bashkëpunëtorë gjakftohtë të krimit makaber, ngrirë qëndronim para atij. Vallë në shenjë respekti përballë viktimës?! 

Por për çudi s’derdhem pikë loti ! A thua nuk e meritonte ai?!

E groposem shpejt e shpejt s’shfaqem ndjeshmëri as pendesë.

Mendova -“Ja kështu dhe ne do groposemi nesër, varrimi ynë thjesht një formalitet, edhe nëse do jenë fizikisht prap se prap mentalisht s’janë aty. Ca grushta dhe do hedhin, hedhim, do sjellin e sjellim shpinën e më as emrin s’do ia njohin/njohim.” 

Lot a thua do të derdhin, a do të kujtojnë të mirat apo veç ato gjëra që dot s’bëmë për ta?! Edhe ne endemi si brejtësit për të marrë ndonjë kafshatë të mjerë, kjo kafshatë kaq e pabarabartë na ngelet në fyt përballë problemeve të përditshme, përballë shqetësimeve, përballë forcave më të mëdha se ne që na gjunjëzojnë. Edhe mes të eturve ka luftë, shtyrje, shkelje sepse sërish kafshatën do e marrë i shkathëti mes të dobëtëve, i zoti mes të pazotëve. 

Unë, jam vrasësja, e karma po vrapon drejt meje për të marrë hakun e miut të zi. Nuk ishte dhe aq i zi, veç qimet kishte të tilla.

Mbyta një mi, një banor të vjetër të tokës, dëme nuk bënte, qëndronte kokulur, shokë s’kishte, ushqehej me thërrime, nuk kërkoi asnjëherë asgjë, veç dhembshurisë, e donte jetën por unë s’doja ta dija këtë gjë, sikleti që më shkaktonte si qenie më nxiti ta vrisja me padurim.

Mungesa e dhembshurisë më frikësoi. Sot s’më dhimbset ky mi, po çfarë do më dhimbset pas tij?!

Tek ne ka humbur ndjeshmëria ndaj gjërave të mëdha, e të voglat nuk na hyjnë as në sy.

Mbyta një mi, ishte frymor dhe ai, ashtu si unë. 

E përbashkëta tjetër e jona ishte se rronim nën një çati…

Sot mbyta një mi, askush nuk më akuzoi, gishtin s’më drejtoi, as vështrime përbuzëse, askujt nuk i bëri përshtypje.

Pafajësia e tij, përmasat e tij të vogla nuk më frenuan që unë të përmbahesha, përkundrazi e vrava në pabesi, tregova forcën time para një krijese të pambrojtur!! 

Vazhdoj të jem e lirë. Por me vret ndërgjegjen, jo aq akti, sa pamëshirshmëria e realizimit të tij.

Pse nuk qenka krim të vrasësh një mi ?! A nuk i mbron kush minjtë?! Ashtu si njerëzit e thjesht…

Miu një më pak, numri s’ka rendësi.

Sot mbyta një mi…po nesër?! / KultPlus.com

Mbahen takimet tradicionale letrare të krijuesve në mërgatë

Tashmë që nga themelimi në nëntor të vitit 2013, Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë (LKSHM), po dëshmohet si zëri i përbashkët dhe burimi i artit të bukur i krijuesve nga të gjitha trevat shqiptare, të cilët përkohësisht apo përgjithmonë janë të vendosur në mërgatë, ku jetojnë e veprojnë bashkë me familjet e tyre. Në takimet e LKSHM marrin pjesë edhe krijues të ftuar nga atdheu, përcjellë KultPlus.

Krijuesit e mërgatës janë një shembull i mirë se edhe larg vendlindjes, atdhedashuria atyre nuk iu shua kurrë, përkundrazi u rrit, ndonëse malli ua këputi zemrat. Ata vazhdojnë të thurin vargjet për vendlindjen, gjuhën, truallin dhe rrugët ku u lindën dhe u rritën, të shfaqin ndjenjat për simbolet kombëtare, të kujtojnë vlerat dhe personalitetet e popullit e të bëjnë aktivitete të ndryshme në këtë drejtim. Ata janë vazhdimisht të lidhur me vendlindjen, por dhe janë mirë të integruar në vendet ku jetojnë.

LKSHM mban çdo pranverë takimet tradicionale “Pavarësia Poetike” në mërgatë, që ndërlidhen me festën e pavarësisë së Republikës së Kosovës, gjatë verës ato në vendlindje, kurse në nëntor ato të fundvitit “Nëntori Poetik”, që përkojnë me manifestimet për nder të Ditës së Flamurit. Zakonisht në këto takime ka një orë letrare garuese, ku të pranishmit lexojnë sipas përzgjedhjes së tyre poezi nga më të ndryshmet, pastaj bëhen promovime të titujve të rinj, shpërndahen mirënjohje dhe çmime për të pranishmit dhe fituesit me krijimet më të mira dhe krejt në fund ka pak hapësirë për diskutime të llojllojshme mes krijuesve dhe për argëtim me program të lirë festiv. Herë pas here ndodhë që në program të jetë si pikë e veçantë ndonjë konkurs letrar, i hapur kohë më parë. Takimet i udhëheqin kryesia e punës, që zgjedhet me kohë ose aty për aty në takim, pastaj krijohet edhe një juri që merret me vlerësimin e krijimeve. Vlen të theksohet se këto takime mbështeten nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës dhe nga afaristë të ndryshëm shqiptarë në mërgatë. Për këto ndërlidhje me kujdes të madh angazhohet kryetari i LKSHM, Hasan Qyqalla.

Kësaj radhe, të shtunën, më 23 mars, takimet tradicionale gjetën sofrën tek shoqata “Bashkimi Kombëtar“ në Offenbach të Gjermanisë. Aty u tubuan një numër i madh krijuesish nga Gjermania, Austria, Zvicra, Franca, si dhe krijues të ardhur enkas nga vendlindja. Programin e moderoi poeti Mentor Thaqi, i ndihmuar nga poetët Sevëme Fetiqi dhe Besim Xhelili. Juria për vlerësimin e krijimeve përbëhej nga poetët Gonxhe Letmi Begisholli, Fran Tanushi dhe Shaip Ademaj. Për një fjalë rasti u paraqitën Afrim Bekteshi, zv.ministër nga Ministria e Diasporës e Republikës së Kosovës, i cili përcolli tek të pranishmit përshëndetjet më të përzemërta të institucionit të cilin përfaqëson, dhe Fatmire Musliu, konsulle e përgjithshme e Konsullatës së Kosovës në Frankfurt.

Qysh në fillim të takimit u theksua se ky takim kësaj radhe po i kushtohet ikjes në amshim të akademikut Idriz Ajeti, të cilin të pranishmit e nderuan me një minutë heshtje dhe familjes legjendare Jashari. Në lidhje me këtë, me fjalë rasti në emër të LKSHM u paraqit poeti Anton Marku nga Austria, pastaj Musa Jupolli nga Franca dhe Sylë Bajrami nga Gjermania.

Takimi u përmbyll me sukses, në fund u shpërndanë mirënjohjet dhe çmimet, si dhe u shtrua një koktej rasti. Takimet e ardhshme LKSHM do t‘i mbajnë gjatë verës në vendlindje. / KultPlus.com

Nga Besim Xhelili
Vjenë/Offenbach, 30 mars 2019

Bojken Lako publikon projektin e ri muzikor (VIDEO)

Këngëtari i njohur shqiptar, Bojken Lako, ka publikuar projektin më të ri të tij.

Kënga quhet “Dance on the Weekend” dhe është e shoqëruar edhe me videoklip.

Projekti tashmë është në rrjetet sociale.

Artisti ka kohë që promovoi projektin në rrjetet sociale dhe është rikthim i mirë për të në skenën muzikore.

Bojken Lako njihet për këngët e tij të veçanta. /KultPlus.com

CNN: Shqipëria mes destinacioneve më të mira në botë

Televizioni prestigjioz amerikan CNN rendit Shqipërinë mes destinacioneve më të mira në botë ku mund të zhvillohet alpinizëm dhe ecje në natyrë, në një artikull ku renditen destinacionet perfekte për të zhvilluar këto sporte nga Japonia deri në SHBA, si dhe nga Australia në Argjentinë.

“Ndërkohë që Alpet janë të famshme për alpinistët klasikë europianë, malet e bukura të Ballkanit janë një alternativë e shkëlqyer për ata që preferojnë të qëndrojnë larg turmave”, shkruhet në këtë artikull të CNN.

“Të gjithë ata që dëshirojnë të zhvillojnë një ecje të gjatë mes maleve mund të shëtisin nga Mali i Zi drejt Shqipërisë nëpër shtigjet më të mira, duke u nisur nga Kotori dhe mbyllur udhëtimin e tyre në Tiranë”, thekson televizioni amerikan. /G.S/ KultPlus.com

Rikthehet seriali “Sex and the City” me jetën e aktoreve tashmë në të 50-at

Seriali më ikonë i viteve të fundit do të rikthehet. “Sex and the City” i HBO-së do të ketë një vazhdim që do të ndjekë jetën e Carriet, Samanthas, Charlottes e Mirandas tashmë që i kanë kaluar të 50-at.

“Paramount Television” dhe “Anonymous Company” morën të drejtat e librit të ri të Candace Bushnell, “Is there still Sex in the City?”, për të realizuar një serial të ri.

Libri i Bushnell pritet të dalë më 6 gusht dhe pritet t’i drejtojë projektorët drejt të njëjtit stil argëtues, “glamour” dhe ndonjëherë prekës të jetës së katër grave në New York, ende të bukura, tërheqëse dhe seksi, por që përballen me vitet e menopauzës, transmeton Tch.

Libri do të sjellë historinë e martesave, fëmijëve, divorceve, vdekjeve dhe përballjen me plakjen, gjë që do të shpaloset edhe në serial, që ende nuk ka një datë parashikuese për të dalë në kinema. / KultPlus.com

Kush ishte gruaja që ia rrëmbeu zemrën Sokratit?

Ku e mori Sokrati, figura themelore e filozofisë perëndimore, frymëzimin për idetë e tij origjinale për të vërtetën, dashurinë, drejtësinë, guximin dhe dijen? Studimi i ri që kam kryer, zbulon se kur ishte i ri në Athinën e shekullit V-të Para Erës Sonë, ai u takua me një grua tepër të zgjuar, Aspasinë e Miletit.

Unë argumentoj se idetë e saj mbi dashurinë dhe transhendencën, e frymëzuan Sokratin për të formuluar aspekte kyçe të mendimit të tij (siç dëshmohet edhe nga Platoni). Nëse pranohet dëshmia për këtë tezë, historia e filozofisë do të ketë marrë një kthesë të rëndësishme:një gruaje, që është fshirë padrejtësisht nga historia, duhet t’i njihet merita e hedhjes së themeleve të traditës filozofike 2500-vjeçare.

Një pikturë neoklasike e artistit të shekullit të 19-të, Nikolas Monsio, e tregon Sokratin të ulur në një tavolinë përballë një Aspasie të veshur bukur. Ushtari i ri i bukur, Alcibiades, i vëzhgon që të dy në këmbë. Imazhi prek perspektivën standarte të Sokratit:si i varfër dhe i shëmtuar. Djali i një punëtori në gurore, ai ishte i njohur që në Mesjetë, se ecte zbathur dhe me rroba të vjetra.

Por Platoni, thotë se Sokrati u frymëzua në elokuenca e Aspasias, e cila për më shumë se një dekadë ishte partnerja e burrështetasit kryesor të Athinës, Perikliut. Me sa duket, një “kurtizane” me arsim të lartë, Aspasia tregohet në pikturë duke numëruar me gishta argumentet e një fjalimi që po mban para Sokratit.

Vështrimi i saj drejtohet tek i riu aristokrat Alcibiades, që ishte shërbëtori i Perikliut dhe ndoshta nipi i madh i Aspasias. Pretendohet se Sokrati, u magjeps nga pamja dhe karizma e Alcibiadesit, dhe (siç tregohet në dialogjet e ‘Simpoziumit’ të Platonit), ai i shpëtoi jetën në Betejën e Potidaeas në vitin 432 Para Erës Sonë.

Biografët e tij kryesorë, Platoni dhe Ksenofoni, e njihnin atë vetëm si një burrë i moshuar. Por Sokrati ishte dikur i ri, dhe një bashkëkohës i drejtpërdrejtë i Aspasias. Dhe nga imazhet e mbijetuara të filozofit, informatat e herëpashershme të dhëna nga biografët e tij, dhe në tekstet e lashta që përgjithësisht janë neglizhuar ose keqinterpretuar, shfaqet një tablo e ndryshme e Sokratit:ajo e një të riu të arsimuar, që u rrit pa qenë më pak trim sa si një ushtar si Alcibiadesi, dhe një dashnor i pasionuar i të dyja gjinive, por jo më pak se sa një mendimtar dhe debatues i madh.

Sokrati ishte i famshëm për thënien: “E vetmja gjë që unë di, është se nuk di asgjë!”. Por Platoni tek ‘Simpoziumi’, thotë se ai e mësoi “të vërtetën rreth dashurisë” nga një grua e zgjuar. Kjo grua quhet aty “Diotima”, dhe tek ‘Simpoziumi’, Sokrati shpjegon doktrinën e saj.

Studiuesit, e kanë hedhur poshtë mundësinë që Diotima të jetë një personazh i trilluar. Ajo është përshkruar në dialog si një priftëreshë, ose parashikuese e fatit tek duart e njerëzve (mantis), dhe ajo mendohet të jetë një figurë alegorike, një vizionare që mund të kishte nxitur një mendimtar si Sokrati të eksploronte misteret e dashurisë.

Por Platoni na jep disa të dhëna të çuditshme për identitetin e Diotimas, të cilat deri më tani nuk janë sqaruar. Në librin tim, unë paraqes dëshmi se “Diotima”, është në të vërtetë një maskë e hollë për Aspasian. Ajo vinte nga një familje e vjetër athinase, e lidhur me atë të Perikliut, e cila ishte vendosur në qytetin grek të Miletit në Ioni (Azia e Vogël), disa dekada më parë.

Kur emigroi në Athinë rreth vitit 450 Para Erës Sonë, ajo ishte rreth 20-vjeçe. Asokohe edhe Sokrati ishte rreth të 20-ave. Disa vjet më vonë, Aspasia u lidh me Perikliun, që ishte atëherë një nga politikanët kryesorë të Athinës, dhe 2 herë më i madh në moshë se ajo.

Por një nxënës i Aristotelit, Klearkusi, shkruan se “para se Aspasia të bëhej partnere e Perikliut, ajo ishte e lidhur me Sokratin”. Kjo përputhet edhe me dëshmi të tjera, se Sokrati ishte pjesë e rrethit të Perikliut qëkur ishte i ri. Pa dyshim, në atë mjedis ai do të njihej edhe me Aspasian.

Por duke qenë se ishte pjesë e kësaj elite të privilegjuar në rininë e vet, çfarë nxiti Sokratin t’i kthehej jetës së filozofit, të shmangte suksesin material, dhe të riorientonte të menduarit filozofik për breza të tërë? Askush nuk ka synuar ndonjëherë të gjurmojë jetën e Sokratit në moshë të hershme, pasi burimet biografike janë të shpërndara dhe fragmentare, dhe duket se nuk kanë shumë interes për mendimin e tij.

Por, meqenëse Sokrati ishte i njohur në Athinë si një filozof që në të 30-at e tij, periudha më e hershme e jetës së tij, është ajo ku ne duhet të kërkojmë dëshmi të ndryshimit të drejtimit të tij, për t’u bërë mendimtari që njohim sot të gjithë. Unë argumentoj se njohja e Sokratit me Aspasian, siguron lidhjen që mungon.

Aspasia ishte gruaja më e zgjuar, dhe më me ndikim e kohës. Partnere e Perikliut për rreth 15 vjet, ajo ishte e kritikuar dhe tallur nga dramaturgët komikë – gazetarët tabloidë të kohës – për ndikimin e saj të madh mbi Perikliun. Si pjesë e rrethit të mendimtarëve, artistëve dhe politikanëve të Perikliut, ajo përshkruhet nga Platoni, Ksenofoni dhe të tjerët si një mësuese e admiruar e elokuencës, si dhe një këshilltare mbi martesat.

Në dialogun e Platonit, Menekseni, ajo përshkruhet se si e mëson Sokratin si të mbajë një fjalim në një funeral, ashtu siç kishte pretenduar se dikur e kishte mësuar edhe vetë Perikliun. Pra, ajo ishte e njohur për aftësitë e saj në të folur, dhe në veçanti mbi dashurinë.

Prandaj a ka gjasa që Sokrati dhe Aspasia, të kenë rënë në dashuri me njëri-tjetrin, kur u takuan dhe biseduan për herë të parë në të njëzetat? Fakti që Platoni i jep Aspasisë një autoritet të konsiderueshëm intelektual mbi Sokratin, ka alarmuar gjeneratat e studiesve, të cilët e kanë hedhur në masë të madhe poshtë skenën tek Menekseni si një parodi të teknikave oratorike. Ndërkohë, ato kanë qenë të lumtur ta konsiderojnë Aspasinë si një “prostitutë”, duke e ilustruar këtë me citimet e poetëve komikë të kohës.

Në rastin më të mirë, studiuesit e kanë ngritur Aspasinë në statusin e hetaeras, një kurtizaneje. Por këtë emërtim, ajo nuk e ka pasur në asnjë rast nga burimet e lashta. Ka ardhur koha t’i rijapim Aspasisë së bukur, dinamike dhe të zgjuar statusin e saj të vërtetë, si një nga themelueset e filozofisë perëndimore, bota.al/ KultPlus.com