Pesë këngëtaret më të pasura në botë

Në krye të listës qëndron Madonna, vlera e pasurisë të së cilës vlerësohet të jetë 800 milionë dollarë (712 milionë euro). Ajo deri më tani ka shitur më shumë se 300 milionë kopje albumesh në mbarë botën dhe për këtë fakt ka hyrë në Librin e rekordeve të Guinnessit.

Madonna (Foto: Neilson Barnard/Getty Images/Guliver)

Vendi i dytë është i rezervuar për këngëtaren latine, Gloria Estefan, që posedon një pasuri prej 700 milionë dollarësh (623 milionë euro). Përpos si këngëtare, ajo është edhe aktore dhe ka në pronësi disa restorante.

Gloria Estefan (Foto: Maury Phillips/Getty Images for BET/Guliver)

Celine Dione cila ka shitur më shumë se 220 milionë kopje albumesh në mbarë botën, me pasurinë e saj prej 662 milionë dollarëve (589.5 milionë euro) – është në vendin e tretë, transmeton KP.

Celine Dion (Foto: Pascal Le Segretain/Getty Images/Guliver)

Pasuria prej 510 milionë dollarësh (454 milionë euro) e bëjnë Mariah Carey që të renditet si e katërta në listën e këngëtareve më të pasura. Carey do të mbahet mend për mbi 200 milionë kopje albumesh të shitura.

Mariah Carey (Foto: Tommaso Boddi/Getty Images for AIDS Healthcare Foundation/Guliver)

Këngëtare, aktore, sipërmarrëse, modele dhe 17 herë fituese e çmimeve Grammy, Beyonce është padyshim një nga artistet më të suksesshme. Pasuria e saj vlerësohet 450 milionë dollarë (400.5 milionë euro), mjaftueshëm sa për t’u renditur e pesta.

Beyonce Knowles (Foto: Mike Coppola/Getty Images/Guliver).Telegrafi/ KultPlus.com

Facebooku ndryshon videot “live” pas sulmit terrorist

Facebooku ka premtuar masa për videot direkte, dy javë pasi një sulmues përdori rrjetin social për të transmetuar sulmin që po e kryente në dy xhami të Zelandës së Re. 

Shefja e operacioneve në Facebook, Sheryl Sandberg, tha se rrjeti social është pajtuar me thirrjet e shteteve që të bëjë më shumë sa u përket masave në platformat e saj. 50 persona u vranë në Christchurch dhe videoja e sulmit ishte shikuar 4 mijë herë para se ta fshinte Facebooku. 

Derisa ka bllokuar faqet e ekstremit të djathtë, Facebook ka thënë se është duke shqyrtuar krijimin e disa rregullave para se përdoruesit të fillojnë videot e drejtpërdrejta, përcjell albinfo.ch.

Facebooku njoftoi se videon e sulmit e shikuan më pak se 200 përdorues, ndërsa përdoruesi i parë që raportoi për videon ishte 12 minuta pas përfundimit të videos./KultPlus.com

‘E urrej shiun kur bie’

Rok grupi i njohur Elita 5 është një nga grupet më të preferuara në vendet shqipfolëse, të cilët i rezistuan kohës, shkruan Kultplus

Me të dëgjuar këngët e tyre, meloditë na kthejnë prapa në kohë. Sot po ju sjellim njërën nga perlat muzikore “E urrej shiun”./ KultPlus.com

Në kitarë teli… i këputur 
ndali këngën më të bukur… 
por s’e ndali, shiun në këtë qytet.. 
Ku je buza e paputhur 
dashuria ime e humbur 
në mes të rrugës.. unë po lagem vetë.. 

I harruar si një letër e djegur… 
në këtë rrugë pa adresë kam mbetur 
E urrej… shiun kur bie… 
se njëherë ma fiku një zjarr.. 
një zjarr dashurie… 
I urrej.. lotët e mi… 
dhe pse ngjajnë me shiun 
që më ndau nga ti.. 

Dashuria ish dikur 
mbet kornizë pa pikturë 
që askund nuk e shoh në mur… 
I harruar.. si një leter.. e djegur… 
në këtë rrugë.. pa adrese kam mbetur… 

E urrej shiun kur bie.. 
se njëherë ma fiku një zjarr 
një zjarr dashurie… 
i urrej.. lotët e mi… 
sepse ngjajnë me shiut.. (2x) 

E urrej shiun kur bie.. 
se njëherë ma fiku një zjarr 
një zjarr dashurie… 
I urrej lotët e mi… 
dhe pse ngjajnë me shiun 
që më ndau nga ti.. 

Ti ndoshta ishe një rrufe 
që erdhe shpejt… 
dhe kur shkove, nuk e dita, as e di 
por këngën edhe shpresën 
i le të treten nëpër shi… / KultPlus.com


https://www.youtube.com/watch?v=jEMjF1y6ZXY

Bota është një vend i bukur

Lawrence Ferlinghetti. Përkthyer nga Fadil Bajraj.

Bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
po s’të prishi punë lumturia
të mos jetë gjithmonë
bash burim kënaqësie
po s’të prishi punë ta shijosh ferrin
herë pas here
bash atëherë kur çdo gjë të shkon për qejfi
ngase bile as në parajsë
nuk këndojnë
gjithë kohën e lume

Bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
po s’të prishi punë që do njerëz vdesin
vazhdimisht
apo ndoshta vdesin urie
për një farë kohe
që nuk është bash aq keq
nëse nuk jeni ju

Oh bota është një vend i bukur
të jesh i lindur në të
nëse fort s’ta ndien për
disa tru trumcakësh
që gjenden në pozita të larta
apo për një a dy bomba
që eksplodojnë herë pas here
në fytyrat tuaja të përmbysura
apo padrejtësi të tjera të tilla
si shoqëria jonë e famshme
që është pre
e njerëzve të saj të shquar
dhe njerëzve të saj të zhdukjes
dhe e priftërinjve të saj
dhe e policëve të tjerë

dhe e segregacioneve të saj të ndryshme
dhe e hulumtimeve kongresiane
dhe e kapsllëqeve të tjera
që trupi ynë i trentë
mund t’i trashëgojë

Vërtet bota është vendi më i mirë
për shumë gjëra të tilla siç është
skena zbavitëse
skena e dashurisë
skena e trishtueshme
këndimi i këngëve të dëshpërimit dhe pasja e inspirimit
endja andej-këtej
shikimi në çdo gjë
marrja erë luleve
qirja e statujave
dhe bile të menduarit
dhe puthja e njerëzve
lindja e foshnjeve dhe veshja e pantollonave
heqja e kapelës
dhe vallëzimi
notimi në lumenj
shkuarja në pikniqe
në mes të verës
dhe në përgjithësi
‘të jetosh sipas qejfit’
Po
ama bash në atë çast
vjen varrtari
buzagaz./ KultPlus.com

Thënie nga veprat e Ernest Hemingway

“Jeta e çdo njeriu përfundon në të njëjtën mënyrë. Janë detajet se si ai njeri jetoi dhe se si vdiq që dallojnë njërin person nga tjetri”.

“Mënyra më e mirë për të kuptuar, nëse e beson dikë, është duke i besuar atij/asaj”.

“Përpara se të flasësh për jetën, së pari duhet ta jetosh atë”.

“Gjëja më e dhimbshme është të humbasësh veten në procesin e të dashurit shumë të dikujt dhe të harrosh se edhe ti vetë je special/e”.

“Asnjë mik nuk është aq besnik sa një libër”

“Lumturia tek njerëzit inteligjentë është gjëja më e rrallë që njoh”.

“Përpara se të flasësh, dëgjo. Përpara se të reagosh, mendo. Përpara se të shpenzosh, kurse. Përpara se të lutesh, fal. Përpara se të heqesh dorë, përpiqu”.

“Mjaft ndoqe nga pas personin e gabuar. Personi i duhur nuk ka për të ikur kurrë nga ty”.

“Është me rëndësi që të arrish në fund të një udhëtimi, por gjëja më me rëndësi, është vetë udhëtimi”.

“Vetëm ata që janë të përgatitur për të shkuar shumë larg, mund ta kuptojnë më mirë se sa larg mund të shkojnë”./ekonomia-online/ KultPlus.com

U akuzua për plagjiaturë nga Dua Lipa, reagon aktorja Alia Bhatt

Aktorja e njohur indiane, Alia Bhatt, ka dhënë një sqarim për akuzat për plagjiaturë të disa fotografive të artistes shqiptare, Dua Lipa.

Fotografitë që ajo realizoi për kopertinën e revistës “FilmFare” ishin tejet të ngjashme, me ato që Dua Lipa bëri për kampanjën e një marke spanjolle të rrobave në shkurt të këtij viti.

Aktorja Alia Bhatt zbuloi të enjten se fotografitë për “Filmfare” për promovimin e filmit ‘Kalank’, u realizuan shumë kohë para Duas.

“Kam xhiruar për këtë kopertinë më 6 shkurt 2019. Nëse nuk gaboj, referimi i dukshëm u ngarkua vetëm më 24 shkurt. Nuk mund të jeni të gjithë detektivë të vërtetë djema, por jepini një vajze disa vlera”, ka shkruar ajo në InstaStory, në një kolazh të dy fotove të ndara, ku shfaqen Dua edhe Alia./telegrafi/ KultPlus.com

Sonte koncert nga Edona Reshitaj në “Schlachthaus Theater” të Bernit

Koncerti jepet sonte me fillim nga ora 21:00, menjëherë pas përfundimit të shfaqjes “55 Shades of Gay”, të Jeton Nezirajt, në të njëjtën skenë të teatrit “Schlachthaus Theater” në Zvicër.

Më 30 mars, në “Schlachthaus Theater” të Bernës do të jepet edhe koncerti i këngëtares dhe aktores nga Kosova, Edona Reshitaj.

Artistja e njohur për publikun kosovar, Edona Reshitaj, në muzikën e saj kombinon trashëgiminë e këngës tradicionale shqiptare me xhazin. Duke i riaranzhuar këngët e vjetra dhe duke i lidhur ato me muzikën bashkëkohore, ajo u mundëson gjeneratave të reja qasjen në muzikën tradicionale.

Biletat për koncertin që zgjat një orë, kushtojnë 15 franga. Me rëndësi: për koncert duhen siguruar bileta të veçanta, nuk vlejnë ato të shfaqjes! Për informacione më të hollësishme: https://www.schlachthaus.ch//albinfo.ch/ KultPlus.com

Sot shënohet Ora e Tokës, fiken dritat për një orë

Sot shënohet Ora e Tokës, një eveniment që kremtohet në mbarë botën.

Ora e Tokës, që është një organizim i Fondit Botëror për Natyrën (WWF), fton të gjithë njerëzit që sonte në mbrëmje në 20:30 me orën lokale secili të fikë dritat dhe pajisjet elektrike.

Ora e Tokës pati pikënisjen e saj në vitin 2007 në Sidnej të Australisë. Atë kohë, dritat u fikën në 2.2 milionë shtëpi dhe biznese për një orë me qëllimin për të pasur vëmendjen globale ndaj çështjeve alarmante të mjedisit.

Dritat do të fiken edhe në ndërtesat apo monumentet më të famshme në botë./botasot/ KultPlus.com

Në Tiranë shpaloset koleksioni i veprave të dhuruara nga artisti Jan Dibbets

Në Galerinë Kombëtare të Arteve u prezantuan veprat e Jan Dibbets të cilët kanë udhëtuar drejt Tiranës 20 vite më parë, në kohë kur Kosova ishte në luftë ndërsa në Shqipëri kishte trazira, shkruan KultPlus.

Në Galerinë Kombëtare të Arteve në Shqipëri është hapur ekspozita “Urimet më të mira për 1999” nën kurimin e Arnisa Zeqos. Kjo ekspozitë prezanton për publikun koleksionin e veprave të dhuruara nga artisti Jan Dibbets në vitin 1999.

Pothuajse njëzet vite më parë , në vitin 1999, këto vepra të ekspozuara kanë udhëtuar drejt Tiranës nga bodrumi i Muzeut Stedeljik dhe nga studioja e artistit Jan Dibbets në Amsterdam. Sipas kuratorës Arnisa Zeqo me shumë gjasë ato kanë ardhur në Tiranë me kamionë ndihmash.

“Qytetin ato e gjetën në një psikogjeografi e një peizazh akustik shumë specifik. Ndërkohë që veprat po udhëtonin për në Tiranë, nga Kosova ishin nisur mbi gjysmë milionë refugjatë. Tirana po mblidhte veten nga ngjarjet traumatike të viteve 1997-1998”, tha Arnisa Zeqo.

Sipas Zeqos Galeria Kombëtare e Arteve ka një histori të pasur të koleksionimit të veprave të artistëve vendas, shumë prej të cilëve kanë krijuar gjatë periudhës së Realizimit Socialist ndërsa ekspozita e hapur sjellë një ndjesi krejtësisht ndryshe.

“Veprat e Koleksionit Jan Dibbets shkaktojnë ndjesi të kundërt me atë të koleksionit permanent, sepse vijnë nga situata krejt të ndryshme sociale e politike. Pikëtakimi mes këtyre dy situatave të ndryshme të koleksionimit, hap një rrugë të trazuar” shtoj më tej Zeqo.

Ajo vijoi më tej duke shtuar se kjo ekspozitë do të shërbejë edhe për të prezantuar për publikun disiplina të tjera të artit, si ajo e performancës nëpërmjet një programi edukativ dhe publik që do të zhvillohet përgjatë muajve të hapjes së ekspozitës.

 Për rendësin e kësaj ekspozitë bisedoi edhe Drejtori i Galerisë, Erzen Shkololli i cili ftoi publikun që të vizitojë ekspozitën e këtij koleksioni si dhe atë të artistit Sokol Beqiri “As Mik as Armik” e cila u hap ditë më parë në sallën e ekspozitave të përkohshme.

“Përveç njohjes me artin e prodhuar nga më shumë se 50 artistë në periudha të ndryshme kohore, këto ekspozita na prezantojnë dhe me situatën që po kalonin të dyja vendet, Kosova dhe Shqipëria në të njëjtin vit”, tha Shkololli.

Ekspozita “Urimet më të mira për 1999” me vepra të artistit Jan Dibbets do të qëndrojë e hapur deri më 22 shtator 2019./ KultPlus.com

20 vjetori i djegies së shtëpi-shkollës në Prishtinë shënohet me ekspozitë

Me rastin 20 vjetorit të djegies së shtëpi-shkollës ”Sami Frashëri”, në Kodrën e Trimave është organizuar një ekspozitë për të shfaqur rëndësinë dhe rolin që e ka pasur kjo shkollë në avancimin dhe mbrojtjen e arsimit shqip në Kosovë.

Shtëpia e djegur e Hertictëve, ishte pikëtakim i shumë njerëzve që kishin ardhur të përkujtuar këtë përvjetor, përfshi shumë mësimdhënës të asaj kohe që kishin punuar në kushte shumë të vështira, vetëm që mësimi në gjuhën amtare të mos ndërpritet. Mes tyre ishte dhe ish drejtori i shkollës, Abdyl Gashi, i cili mes emocionesh evokoi kujtime që për të shfaqin mallëngjimin dhe sakrificën që kanë bërë, që nxënësve të kryeqytetit mos t’iu ndërpritet mësim-nxënia.

Për të edhe pse periudha e kësaj shkolle ka qenë më e hidhura për Kosovën, pasi atëherë iu morr autonomia dhe u mbyllën gjitha shkollat, me mundin e që kanë bërë ka qenë e ndritshme për sistemin e arsimit.

Pasi përkundër gjitha sfidave, mospajisjes me gjëra elementare mësimore, ai thotë se e kanë vazhduar mësimin.

“Të kujtojmë një të kaluar që ishte mjaft e hidhur, por që në fund doli e ndritshme. Doli e ndritshme ngase nuk u lejua që të ndërpritet sistemi arsimor shkollor shqip në Kosovë. Dhe jo vetëm që i mbijeton terrorit dhe dhunës serbe, por dhe gjatë asaj periudhe sistemi arsimor shqiptar u pavarësua, veproj jashtë sistemit arsimor të okupatorit…pak fjalë për të përshkruar, askush nuk kish ide as njohuri se si mund të zhvillohet mësimi në dhoma ku njerëzit kanë fjetur ose kanë qëndruar. Nuk kishim asnjë mjet mësimor, as shkums, as drrasë të zezë, më kujtohet lapsa ka pasur se tregu ka qenë i zhvilluar. Ishte një tjetër që veç ata e kanë përjetuar e dinë, ishte rreziku shumë i madh i dhunës serbe dhe përgjegjësia që jemi grumbulluar në një vend, pasi pasojat do të ishin shumë të rënda, por përgjegjësia do të ishte mbi ne qe e udhëheqshim arsimin”, u shpreh ish drejtori Gashi.

Kordinatori për Kulturë në kuadër të Komunës së Prishtinës, Adrian Berisha, tha se kjo është më e pakta që mund të bëjnë për të përkujtuar këtë shkollë, e cila sipas tij që ka bërë shumë për të mbajtur gjallë sistemin e arsimit në kohë shumë të vështira.

“ Veçanërisht pranë Fadilit i cili është trashëgimtar i familjes Aliu, familje kjo që ka bërë shumë për arsimin në vitet e 90-ta. Njëkohësisht dëshiroj me përshëndet Zijadin Gashin që ka qenë drejtor i arsimit, në atë periudhë të vështirë për edukimin dhe popullin tonë, periudhë të cilën e kemi kaluar mjaft vështirë”, deklaroi, Berisha.

Ndërkaq, organizatorja e kësaj ekspozite, njëherësh kryetarja e Kuvendit të Rinjve në Prishtinë, Kosovare Sadiku u shpreh se me anë të kësaj janë munduar që edhe pse në moshë të re të përkujtojnë sfidat dhe problemet që ka pasur sistemi i arsimit në kohën e okupatorit serb.

“Ka qenë mjaft e rëndësishme që ne si të rinj të jemi vazhdimësi e këtij organizimi për të mos harruar asnjëherë këtë kontribut, dhe pavarësisht se jemi në moshë të re, mos të harrohet asnjëherë vështirësitë që kemi kaluar dhe rëndësinë e sistemit arsimor që e kemi bartur për vite me radhë”, tha, kryetarja e të rinjve, Kosovare Sadiku.

Pasi iu morr autonomia Kosovës, shteti okupues Serbia i mbylli gjitha shkollat në Kosovë./insajderi/ KultPlus.com

Zvicerania ka fituar 184 milionë franga në lotari dhe vazhdon të punojë

Ajo dëshiron të mbetet “normale” dhe as që i shkon mendja të ndërrojë vendbanimin për shkak të tatimit.

Asnjëherë deri tash në Zvicër nuk ka ndodhur që dikush të fitojë një shumë kaq të madhe parashë në lloto, shkruan “Schweiz am Wochenende”. Si krahasim: Roger Federer në gjithë karrierën e tij fituar rreth 122 milionë franga (pa llogaritur paratë nga marketingu). Kaq para i mbeten qytetares nga Aargau pasi t`i hiqen taksat nga fitimi në lotari.

Po të shpërngulej në ndonjë kanton që ka prag më të ulët të tatimit, shuma e mbetur prej 122 milionë frangash do të ishte dukshëm më e lartë, përcjell albinfo.ch. Por kjo për gruan fatlume as që diskutohet. “Unë dua të rri këtu ku jam”, thotë ajo.

Kryetari i komunës në të cilën jeton multimilionerja e re, nuk ka dashur të shprehet për “bekimin tatimor” që ka pasur papritur komuna e tij me fitimin në loto të bashkëqytetares.

Sidoqoftë, fituesja e shumës rekorde dëshiuron të vazhdojë jetën e zakonshme. Të mos “çmendet” nga paraja. Ndërsa miqte e saj gëzohen që ajo ka mbetur kaq “normale. “/albinfo.ch/ KultPlus.com

Lulzim Tafa botohet në Beograd

Shtëpia Botuese “Alma”, një shtëpi e njohur botuese nga Beogradi në edicionin e saj të Botimeve Evropiane ka botuar librin me poezi të zgjedhura të autorit nga Kosova, Lulzim Tafa, me titull “Ne zovi me nedeljom”. (Të dielave mos më thirr), shkruan KultPlus.

Libri përmban  shtatëdhjetë e pesë poezi të zgjedhura, të shpërndara në pesë cikle.  Poeti dhe studiuesi i letërsisë profesori Milutin Gjuriçkoviq, në parathënien e tij thotë se Tafa është poet shumë i rafinuar  dhe origjinal, lyra e të cilit drithëron.

“Tafa është njëri ndër përfaqësuesit kryesorë të letërsisë postmoderne sot, prandaj edhe e kemi zgjedhur për ta botuar. Vargjet e tij për herë të parë i kam lexuar në gjuhën boshnjake, më kanë lënë shumë përshtypje shpërthimet dhe gjetjet e tij poetike dhe i kam rekomanduar për botim edhe te ne. Ne më herët në Beograd kemi lexuar Podrimjen, Shkrelin dhe poetë të tjerë të Kosovës nga koha e Jugosllavisë, kurse tani lexuesit kanë mundësi të lexojnë poetë të gjeneratës tjetër dhe që janë shumë të talentuar siç është Tafa”, thotë profesori Gjuriçkoviq.

Libri “Ne zovi me nedeljom” është promovuar pa prezencën e autorit në Panairin e Librit në Beograd./ KultPlus.com

Mësuesja nga Teksasi vesh fustanin e dizajnuar nga nxënësit

Shumë të rritur i këshillojnë fëmijët të mos i vizatojnë dhe të mos i ngjyrosin veshjet, por një mësuese e artit nga Teksasi jo vetëm që i nxiti nxënësit e saj që të vizatonin në fustan të saj, por ajo gjithashtu e veshi atë dy herë.

CCN shkuan se Rebecca Bonner, mësuese e artit në shkollën fillore McAuliffe në Highland Village të Texas, tha se ajo mori frymëzimin për fustanin e saj nga një grup i mësuesve të artit të shkollës fillore në Facebook.

Bonner mëson rreth 580 nxënës nga mosha 3 deri në 11 vjeç, e cila i lejoi nxënësit e saj të vizatonin në fustanin e bardhë që bleu online në Amason.

“Fëmijët e mi dëshironin të merrnin pjesë në dizajnimin e fustanit tim. Ne biseduam se duhej që të respektonin punën e secilit. Kështu unë do të zgjedhja imazhet vet që dëshiroja t’i kem”, tha Bonner.

Ajo tha se iden për këtë dizajnim e kishte pas një vitë më parë. Qëllimi i këtij fustani sipas saj është që njerëzit të ndjehen të entuziazmuar për artin.

“Këtë fustan e vesha në shfaqjen e shkollës, kjo u pëlqye nga fëmijët e mi. Unë përsëri do ta vesh atë. Po ashtu kemi në plan të dizajnojmë edhe një fustan tjetër për këtë fundvit”.

Vajza e Bonner i ka publikuar disa fotografi në Twitter ku fustani i saj u pëlqe shumë.

Bonner tha se është e lumtur që fustani i saj u pëlqye shumë nga njerëzit, transmeton Klan Kosova.

‘Nëse sëmundja vjen tek unë…’

Më prit se po vij shpejt

Poezi nga Dritëro Agolli

Nëse sëmundja vjen tek unë,
Ju mos më shpini në spital,
Më merrni fshehur e pa zhurmë,
Më ngjitni lart diku në mal.

Atje dyshek e shtrat nuk dua 
Dhe as çarçaf e as jorgan,
Por tek një çezmë e tek një krua
Më shtroni dushk e jargavan.

Ma lidhni kokën me një kulpër,
Ma njomni buzën në burim ,
Dhe kur të vijē andej një flutur
S’ka gjë se rri mbi ballin tim.

As infermier nuk dua pranë,
As nevrolog , as profesor ,
Të kem përkrah një dash të bardhë,
Të kem përbri një cjap përçor .

Të m’i lëpijë faqet dashi,
Të qajë cjapi laraman,
Ta ulë sqepin shpejt larashi
Me mors të japë telegram .

Të presë plot trishtim fshatari 
Në shkop mbështetur me mërzi,
Duke përtypur fije bari,
Duke këputur kullumbri.

Nga guvë e lisit të moshuar
Të derdhet bleta gjithë zgjim ,
Mbi trupin tim e turbulluar 
Si lëmsh të sillet me tërbim.

Të ndalet udhëtari i mirë,
Të pijë heshtur një duhan ,
Të thotë: mjaft qëndrove shtrirë,
Për ty e gjora rrugë qan!

Dhe, ju betohem, po s’u ngrita
I madh , i bukur, plot shëndet,
Dhe rrugës sime nga u nisa
T’i them: më prit se po vij shpejt!…

1963

Nxënësja rrëfen se bën mësim me pamje nga varri i babit

Top Story përqendroi vëmendjen në shkollën Tahir Sinani, në Kodër-Paskuqan. Kjo godinë e ndërtuar në vitin 2002, mund të jetë shkolla e vetme në botë e cila është vendosur sipër varrezave. Një situatë që shkakton frikë dhe ankth tek nxënësit çdo ditë. Ndërsa brenda në klasë bëhet mësim, përtej dritares nxënësit i shoqëron pamja e varrezave. Vetëm pak metra e ndajnë dritaren e klasës nga ky punëtor që po punon në gropën e një varri.“Ndjesi e sertë. Flas për lëndën time. Kam për të bërë përshkrimin e natyrës, instinktivisht zgjas dorën dhe them urdhëro si është koha sot, por ç’të përshkruash, e tërheq dorën pa bërë zë”, tha Adriana Çili, mësuese.

Në video xhirohet teksa klasa e 8 zhvillon mësimin. Teksa të gjithë nxënësit dëgjojnë mësimin, Ardisa qëndron e trishtuar duke para nga dritarja. Sytë e saj kërkojnë për babain, i cili ka ndërruar jetë pak muaj më parë. Ai është varrosur aty, afër klasës ku sot bën mësim e bija.

“E kam të pamundur të qëndroj në klasë”, tha Ardisa Stojku, nxënëse.

Situata në të cilën ndodhet Ardisa sjell trishtim të thellë edhe tek nxënësit e tjerë. Disa prej tyre tregojnë situate edhe më të rënda se kaq. Pak kohë më parë një fëmijë i vogël ndërroi jetë dhe varrimi i tij mes piskamave të prindërve drithëroi të gjithë shkollën.

Drejtori i kësaj shkolle, shpjegon se ish-komuna e Paskuqanit duke mos pasur fonde, dhe duke mos pasur tokë të lirë e ndërtoi shkollën brenda varrezave.

“Kjo është pjesë varrezash, në pjesë varrezash është ndërtuar shkolla. Fajin e ka ish komuna. Sot Bashkia Kamëz as përgjigje nuk na jep”, tha Thanas Anastasi, drejtor i shkollës.

Ky problem është trajtuar disa herë, por për kryebashkiakun e Kamzës Xhelal Mziu, kjo mesa duket është normale. Gjatë mandatit të tij, ai është marrë me emërtime rrugësh nga të çuditshmet, por asnjëherë nuk i ka dhënë zgjidhje kësaj situate të rëndë.

“Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, arti shqiptar në Bienalen e Venecias

Vepra e artistit Driant Zeneli “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, e kuruar nga Alicia Knock do të prezantojë Shqipërinë në Bienalen e Venecias.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti theksoi se prej më shumë se pesë vitesh prezantohet përtej kufijve në Bienalen e Venecias një Shqipëri tjetër, Shqipërinë e kulturës dhe të artit.

“E nisëm këtë rrugëtim me artistë të njohur ndërkombëtarë si Adrian Paci dhe Edi Hila dhe sot përfaqësohemi me një artist të ri si Driant Zeneli, po aq kërkues dhe ngulmues në hulumtimin e artit shqiptar dhe evropian, i cili na drejton drejt pyetjes:
‘Maybe the cosmos is not so extraordinary’- “Ndoshta kozmosi nuk është aq i jashtëzakonshëm”, nën kurimin e Alicia Knock, kuratore në Qendrën “Pompidou”, në Departamentin e Artit Bashkëkohor, në Paris”, theksoi ministrja.

Por, a mund të bashkëjetojnë e mundura/realja dhe imagjinarja?

“Krejt padashur Drianti na çon drejt utopisë dhe ëndrrës përmes konceptit, ndërsa unë do të doja të kthehesha vite më parë, atëhere kur kjo qeveri, e drejtuar nga kryeministri Rama u angazhua që Shqipëria të marrë pjesë rregullisht në ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare të artit e kulturës si Bienalja e Venecias, e jo në mënyrë fragmentare siç kishte ndodhur para vitit 2013.
Nisim rrugëtimin edhe këtë vit duke i uruar suksese jo vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës që përfaqësohet me artistin Alban Muja!”, tha Margariti. 

Do të vijë një ditë kur do të bëheni prind i prindërve tuaj

Fëmijëria është një epokë e artë: jo vetëm sepse çdo gjë është një zbulim i pamasë për sytë tanë të fëmijëve, por edhe për shkak se kemi nënën dhe babanë për të na mbrojtur dhe për të na udhëhequr. Çfarëdo që na nevojitet, çfarëdo pengese që na del në rrugën tonë, ne e dimë se mund të mbështetemi tek to.Rritja, siguria që na japin është më pak; bota bëhet më e komplikuar dhe problemet nuk janë më aq të thjeshta për t’u zgjidhur. Por mbi të gjitha, ata, heronjtë tanë, fillojnë të humbasin “superfuqitë” e tyre, energjitë dhe forcën, për sa kohë që jemi, këtë herë ne duhet të kujdesemi për to.Është e vështirë të pranosh që prindërit plaken: prandaj, fillimisht jemi të acaruar nga ato kufizime të vogla të cilat, nga viti në vit i shohim të shfaqen tek ta. Ne jemi të vetëdijshëm se vitet kalojnë dhe flokët e tyre bëhen gri, rrudhat shfaqen në fytyrë, por duhet të pranojmë që ata nuk mund të reagojnë më si dikur dhe të zgjidhin kërkesat tona dhe nevojat e tyre. E pandërgjegjshmja jonë pretendon  të njëjtën vëmendje si kur ishim të rinj, të njëjtin rol mbrojtës të fëmijërisë, dhe zemërohemi kur kuptojmë se ajo mungon.Nëse harron një takim, nëse duhet të përsërisësh të njëjtën frazë më fort, nuk është nga pakujdesia ndaj nesh: ne gjithmonë do të mbetemi fëmijët e tyre në sytë e nënës dhe babait.

Pastaj, kur ne fillojmë të marrim parasysh këto ndryshime, shqetësimi fillon e shtohet, derisa sëmundjet e moshës së vjetër kthehen në një ankth që vetëm rritet. Dhe këtu, nga fëmijë, bëhemi prindër të prindërve tanë.Të kujdesesh për prindërit do të thotë jo vetëm të shikojmë shëndetin e tyre, por t’i mbajmë larg shqetësimeve dhe dhimbjeve, të mëdha dhe të vogla, të jetës. Pra, nuk i tregojmë prindërve tanë, për vështirësitë në familje; ne i zvogëlojmë problemet me fëmijët dhe i harrojmë ato të punës: me pak fjalë, e zbusim realitetin, lëmë mënjanë çdo pakënaqësi dhe ankth dhe e bëjmë më të menaxhueshëm-fizikisht dhe emocionalisht.

Ndërkohë, ne shtrëngojmë dhëmbët, sepse ajo strehë e sigurt që ata përfaqësonin nuk ekziston më, përveçse në kujtimet tona. Në vend të një zgjidhjeje për problemet, ne duhet të jemi të kënaqur me një buzëqeshje dhe një përqafim të pavetëdijshëm të vështirësive tona. Por ne e dimë se kjo është e drejtë dhe se ata në fund kanë të drejtën të ndihen të lodhur dhe të kujdesen për fëmijët e tyre.

Nga ana tjetër, le të ndihemi mirënjohës, sepse në këtë mënyrë mund t’ia kthejmë atyre pak nga ai kujdes dhe mbështetje që na kanë ofruar me kaq shumë dashuri; e bëjnë atë kohë të jetës së tyre që na kanë kushtuar, duke na konsideruar thesarin e tyre më të madh./Revista Psikologji

ETEA organizon diskutim për librat e autores Erina Rrahmani

2 prilli, Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë do të shënohet edhe në Prishtinë nga organizata “Etea”, e cila do të organizojë një diskutim për librat e autores  për fëmijë Erinë Rrahmani, shkruan KultPlus.

Erina Rrahmani është autore e katër librave për fëmijë: “Gjithçka mund të ndodhë” “Natën e mirën hënë” “Sytë e botës” “Ëndrra prej letre”.

Autorja Rrahmani është anëtare e Karvanit të Shkrimtarëve për Fëmijë ‘Agim Deva’ prej vitit 2006 ndërsa në vitin 2017, ajo ka fituar Çmimin “Ymer Elshani” për “Librin më të mirë për fëmijë”.

Një vit pas, në 2018-en, ajo u shpërblye me “Çmimin për Librin më të mirë për Fëmijë” në Panairin e Fierit në Shqipëri, vlerësuar nga juria në përbërje të  Nasho Jorgaqi e Klara Kodra.

Vjershat e saj janë pjesë e antologjive të shkrimtarëve për fëmijë dhe janë botuar në revista letrare në Kosovë e Shqipëri. Erina Rrahmani është ndër të vetmet autorë të rinj për fëmijë të këtij brezi.

Manifestimi i posaçëm letrar për veprën e saj do të mbahet më  2 Prill 2019 në Bibliotekën “Hivzi Sylejmani” në Prishtinë, duke filuar nga ora 12:00./ KultPlus.com

Berat, një festë të madhe tradite përcjellë nga të rinjtë

Trashëgimia shpirtërore është kujtesë, identitet, kulturë. Ajo është sa tradicionale aq edhe bashkëkohore kur vjen si një festë të madhe tradite e shprehur në të gjitha format e saj nga nxënësit e shkollës 9 vjeçare “Sali Gjuka”, Urë Vajgurore.

Gojëdhënat e legjendat e Kalasë së Beratit dhe Urës së Goricës u interpretuan në formë dramatizimi. Rite dhe zakone të dasmës së rrethit përcollën vlerën shpirtërore të komunitetit.

Aktiviteti u ndoq nga prindër dhe gjyshër të cilët luajnë një rol tepër të rëndësishëm në përcjelljen e kësaj trashëgimie brezit të ri. Në përfundim nxënësit u vlerësuan dhe me certifikata./ata

Një heshtje e bukur

Poezi nga Ndoc Gjetja.

Ka heshtje që na thonë gjëra të bukura,
si për shembull fytyra e gruas
në orët e vona të natës
kur e pagjumë numëron me vete
ditët e fundit të barrës.

Ec e thuaj po munde këtë heshtje
ti, muzikant, me nota
ti, piktor, me ngjyra
ti poet me vjersha
dhe ti, aktore e famshme
me gjeste dhe fjalë !

Për ta thënë duhet të jesh
nje grua shtatzënë
domethënë
dyfish e gjallë.

Eric Clapton feston ditëlindjen e 74-të

Sot është ditëlindja e kitaristit, këngëtarit dhe kompozitorit anglez Eric Clapton, shkruan KultPlus.

Eric Patrick Clapton (i lindur më 30 mars, 1945) është i njohur për këngët e tij “Tears in Heaven”,  “Layla”, “Crossroads”, “White Room”, “Wonderful Tonight” etj.

Këngëtari, autori dhe kompozitori anglez Eric Clapton, u bë legjendë e muzikës blues rock, karriera muzikore e të cilit filloi në vitet ‘60 për të arritur kulminacionin në vitet ‘70 dhe ’80, por që hitet e tij dëgjohen me shumë endje edhe në ditët e sotme.

Ai ishte pjesëtar i grupeve rok Cream dhe The Yardbirds. Ai njihet më shumë për karrierën e tij solo./ KultPlus.com

Clark: Gligorovi më tha më 1999: Shqiptarët nuk janë si boshnjakët, nuk durojnë, do të luftojnë

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, Wesley Clark, i cili drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, në një deklaratë për Zërin e Amerikës në gjuhën serbe, ka treguar se si gjatë një bisede me presidentin e atëhershëm të Maqedonisë, Kiro Gligorov, ky i fundit i kishte thënë se “shqiptarët nuk janë si boshnjakët” dhe se “ata nuk durojnë, do të luftojnë”.

“Presidenti maqedonas, Kiro Gligorov, më thirri dhe më tha: ‘E dini, do të keni problem të madh në Kosovë. Atje do të bëhet luftë, sepse shqiptarët nuk janë si boshnjakët: ata nuk durojnë. Ata do të luftojnë’. Dhe, kështu ndodhi, luftimet nisën”, thotë Clark në këtë bisedë përmes Skype-it, transmeton KTV.

Më tej, ai tregon se si Ambasadori Richard Hoblrooke kishte shkuar në qershorin e vitit 1999 për takim me Slobodan Milosheviqin.

“Më lidhi me telefon me Millosheviqin, të cilin e njihja nga koha e Daytonit dhe i thashë: ‘Ju lutem, mos ia bëni këtë popullit shqiptar’. Ai më tha: ‘Gjeneral Clark, këta janë njerëzit e mi. Unë nuk do t’i lëndoj’. Natyrisht, kjo ishte gënjeshtër, sepse spastrimi etnik tashmë po ndodhte”, ka deklaruar Clark.

Bebe Rexha mahnit duke kënduar në shqip (VIDEO)

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Bebe Rexha, ka treguar gjithmonë se është e lidhur ngushtë me rrënjët e saj.

Me prejardhje nga Dibra e Maqedonisë, artistja ka bërë të pamundur që të promovojë shqiptarë kudo nëpër botë, duke u krenuar gjithmonë me vendin e saj.

Ajo është lindur e rritur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por flet shumë mirë shqip.

Madje, në një video të fundit të publikuar në rrjetet sociale, ajo ka arritur t’ua dëshmojë fansave të saj shqiptarë se di edhe shumë mirë që të këndojë në shqip.

Ka qenë grimeri shqiptar me famë ndërkombëtar, Mario Dedivanoviç, i njohur ndryshe edhe si njeri u besuar i Kim Kardashianit, ka publikuar një video të artistes shqiptare duke kënduar një këngë shqipe, transmeton telegrafi.

Teksa po i realizonte grimin Bebe Rexhës në prapaskenat e një emisioni, ai i ka kërkuar asaj që të këndojë në shqip, dhe artistja Rexha nuk ka refuzuar.  /FaktePlus

Shkrimtari Kraja flet për bashkimin kombëtar: Kosova nuk bëhet provincë e Shqipërisë

Shkrimtari Mehmet Kraja i ftuar në studion e RTV ORA shprehu qëndrimin e tij kundër bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Ai tha se Kosova nuk mund të jetë një provincë e Shqipërisë.

Mehmet Kraja: Kosova asnjëherë nuk ka qenë provincë, nuk arriti të bëhej. Tani më pak se çdo herë tjetër mund të jetë dhe mund të bëhet provincë e Shqipërisë. Që nga dita kur u shpall pavarësia Kosova nuk bëhet provincë e Shqipërisë dhe nuk duhet të shihet si e tillë. Se çfarë ndodh pas 20 viteve në politikë, nuk dihet, por dimë një gjë: Të fusësh në opsion çështjen e bashkimit kombëtar me një lloj aneksimin të Kosovës është no sens, nuk bëhet kjo, nuk do të ndodhë. Është të harxhosh energji dhe të flasësh marrëzira. 

Kraja kritikoi Ramën, i cili ka shpallur Serbinë si partner strategjik.

Mehmet Kraja: Aty u shpall Serbia si partner strategjik i shqiptarëve. Kjo është ajo fjalia e famshme dhe fatkeqe e atyre mbledhjeve, sepse ndonjëherë thuhen gjerat në mënyrë të pamenduar dhe banale. Serbia nuk mund të jetë partnere. Një shtet që ka luftuar shqiptarët në të gjitha format deri në formën e gjenocidit dhe menjëherë të shpallet si partner strategjik, kjo ishte një gjë absurde. Ti thuash kosovarëve këtë gjë në shtëpinë e tyre, është ti fyesh.