‘Paradoksi i epokës sonë është se ne kemi shtëpi më të mëdha dhe familje më të vogla’

George Carlin

Paradoksi i epokës sonë është se ne kemi ndërtesa më të larta, por durim më të shkurtër, rrugë më të gjëra, por këndvështrime më të ngushta. Ne shpenzojmë më shumë, por kemi më pak; ne blejmë më shumë, por shijojmë më pak. Ne kemi shtëpi më të mëdha dhe familje më të vogla, më shumë lehtësira, por më pak kohë. Kemi më shumë grada shkencore, por më pak sens, më shumë dije, por më pak gjykim, më shumë ekspertë, por akoma më shumë probleme, më shumë ilaçe, por më pak shëndet..

Ne pimë shumë, tymosim shumë, shpenzojmë shumë , qeshim shumë pak, ngasim makinën shumë shpejt, nevrikosemi shumë, biem për gjumë shumë vonë, zgjohemi shumë të lodhur, lexojmë shumë pak, shohim tv shumë dhe i falemi Zotit shumë rrallë. Kemi shumëfishuar të mirat material, por kemi pakësuar vlerat tona. Ne flasim shumë, dashurojmë shumë rrallë dhe urrejmë shumë shpesh.

Kemi mësuar si të ndërtojmë jetesën, por jo jetën. I kemi shtuar vite jetës sonë, por jo jetë viteve. Kemi shkuar dhe ardhur në Hënë, por e kemi shumë të vështirë të kryqëzojmë rrugën për të përshëndetur një fqinj të ri. Ne kemi pushtuar hapësirën kozmike, por jo hapërirën brenda nesh.

Kemi bërë gjëra më të mëdha, por jo gjëra më të mira. Kemi pastruar ajrin, por kemi ndotur shpirtin. Kemi mundur atomin, por jo paragjykimet tona.

Ne shkruajmë më shumë, por lexojmë më pak. Planifikojmë më shumë, por realizojmë më pak.

Kemi mësuar të nxitojmë, por jot ë presim. Ne ndërtojmë më shumë kompjutera për të future më shumë informacion, për të prodhuar më shuë kopje se kurrë , por ne komunikojmë gjithnjë e më pak.

Jemi në epokën e fast food-it dhe të tretjes së ngadaltë, njerëz trupmëdhenj me karaktere të vegjël, fitime të shpejta dhe marrëdhënie të cekëta. Jemi në epokën e të ardhurave dyfishe, por kemi më shumë divorce, shtëpi më të bukura, por familje të thyera.

Jemi në epokën e udhëtimeve të shpejta, të bebelinave, të flakjes përtej të moralit, të one night stand-it, të trupave mbipeshë dhe tabletave që na sigurojnë me ëndje qetësinë apo vrasjen.

Jemi në epokën kur ka shumë gjëra në vitrinë dhe asgjë në magazinë.
Epoka kur teknologjia ka zëvëndësuar postierin, e ju me një klik e pranoni, e ndani apo e anulloni letrën.
Mos harroni t’u kushtoni pak kohë njerëzve tuaj të dashur se ata nuk do jenë gjithnjë pranë jush. Mos harro t’i thuash një fjalë të ngrohtë atij njeriut të vogël që të admiron, sepse shpejt ai do të rritet dhe do të të lërë në hije.

Mos harro t’i japësh një përqafim atij që ke në krah, sepse ai është i vetmi thesar që ti mund të japësh me gjithë zemër pa shpenzuar as edhe një qindarkë. Mos harro jo vetëm t’i thuash “të dua” partnerit dhe të dashurve të tu, por edhe ta ndjesh vërtet kur e thua. Një puthje dhe përqafim mund të shërrojnë një plagë kur dalin nga thellësia e shpirtit tënd.

Mos harro të mbash në duart e tua duart e njeriut tënd të dashur, dhe të gëzosh çastin se se dikur ai mund të mos jetë më aty pranë.

Gjej kohë për të dashuruar, kohë për të folur dhe kohë për mendimet më të sakta të mëndjes tënde

(përshtati në shqip: Artan Gj Hasani)/27.al/ KultPlus.com

Arrestohet çifti në Iran për propozim publik martese

Një çift iranian është arrestuar pasi propozimi për fejesë është bërë në një qendër tregtare para shumë njerëzve.

Video e propozimit publik në qytetin verior Arak, u shpërnda në rrjete sociale.

Pasi gruaja thotë po, ajo shihet teksa e përqafon partnerin e saj derisa turma feston.

Ata u arrestuan shpejtë pas propozimit, për arsye, siç thuhet, të shkeljes së parimeve islamike.

Përzierja në publik mes gjinive dhe shfaqja e dashurisë në publik është e kufizuar rreptë nën ligjet islamike të Iranit, raporton BBC.

Mahmoud Khalaji, zëvendës komandat i Policisë në provincën Markazi, i tha agjencisë iraniane të lajmeve “Fars” se çifti janë ndaluar për shkak të “kërkesës së publikut”, transmeton Koha.net.

https://twitter.com/i/status/1104140285993541637

Ai tha se ata u arrestuan për shkak të “shkeljes së njerëzisë publike, që është ndikim i kulturës së degjeneruar të Perëndimit”

Ai po ashtu bëri të ditur se çifti është liruar me kusht.

Incidenti ka ngjallur debat në mediat sociale, me shfaqje të këndvështrimeve të ndryshme.

“Të gjorët, në vend se të festojnë, ata duhet të paguajnë lirimin nga burgu duke qarë”, shkroi një përdorues i Twitter.

“Është budallallëk dhe qëllimi ka qenë për t’u kapur në kamera”, ka thënë një tjetër. “Pse të bësh spektakël për diçka aq personale siç është martesa”./ KultPlus.com

Gratë shqiptare, më punëtoret në rajon

Një raport më i fundit i Organizatës Ndërkombëtare të punës tregon se pjesmarrja e grave shqiptare në forcat  e punës është me e larta në rajon.

Por, vetë gratë të pyetura për këtë raport mendojnë të kundërtën, ndërsa burrat e pohojnë atë. Në të gjithë rajonin gratë shqiptare kanë përqindjen më të lartë të pjesmarrjes në Forcat e Punës. Portali “Our World in Data” referuar të dhënave të organizatës ndërkombëtare të punës, tregon se pjesëmarrja e grave në Shqipëri është 47.22%, duke lënë pas Serbinë me 45.85% të grave pjesëmarrëse në forcat e punës.

Përqindja është edhe më e ulët në Maqedoni dhe Malin e Zi, ku sipas të dhënave të publikuara përqindja e grave pjesëmarrëse në forcat e punës është përkatësisht 42.46% dhe 42.15%. Ndërsa, Bosnja dhe Hercegovina renditen të fundit me 35.16% të grave që marrin pjesë në forcat e punës. Por, vetë gratë shqiptare mendojnë ndryshe nga talboja që paraqet raporti.

“Nuk e besoj të jenë, do të ishin bërë burrat po kaq punëtorë dhe Shqipëria nuk do të ishte në këtë gjendje”. 

“Janë punëtorë si mit por jo në realitet. I sheh në lokale, bare”.

Ndryshe nga gratë mendojnë burrat, të cilët shprehen me keqardhje për ngarkesën e punëve që kanë gratë. ” Janë punëtore dhe shumë të ngarkuara”. “Të gjitha janë në punë, burrat janë më dembela”.

Në Europë, tri janë vendet ku pjesëmarrja e grave në forcën e punës është nën 40%:  Italia, Bosnje dhe Hercegovina dhe Moldavia, raporton oranews./ KultPlus.com

Mbramja ashtë larg

Martin Camaj

Mbramja ashtë larg
e ti je atje mbi kodër të blerueme
ku gurzit që bashin zhurmë
i përpiu dheu.

Ti je atje me të bijën e heshtjes
e me shoqe tjera e mendon për mue.
Unë jam në detin e tingujve
e ndër gjujt e mij ndieva
peshen e tramit tue u ndalue me turr.

Mandej i lëshova vendin një të vjetri
e mes tallazit të krahve thashë:
mbramja ashtë larg e ti andej lumit.
Heshtja prek qiellin me dorë
E ti atje mbi kodër të blerueme
njeh gjurmët e diellit npër qiell./ KultPlus.com

Zake Prelvukaj: Unë jam vetëm artiste dhe pedagoge

Pas disa lajmeve që kanë qarkulluar në media se piktorja Zake Prelvukaj, arkitektja Eliza Hoxha dhe regjisorja Burbuqe Berisha i janë bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës, Prelvukaj ka mohuar një gjë të tillë.

Piktorja Prelvukaj është shprehur se ajo ëhstë vetëm artiste dhe pedagoge.

“Pas një shkrimi në disa media tona e ndjej obligim të ju njoftoj se nuk i takoj asnjë subjekti politik. Unë jam vetëm artiste dhe pedagoge dhe e tillë do të jam edhe me tutje. Shpresoj se do të gjej mirëkuptim”, ka shkruar ajo ne postimin e saj në Facebook.

Anëtarësimin në PDK e ka mohuar edhe regjisorja Berisha e cila në një prononcim për KultPlus u shpreh se ato kanë qenë vetëm pjesëmarrëse në festën e organizuar./ KultPlus.

Mentor Ejupi Toro gërsheton literaturën dhe pikturën në ekspozitën e tij të re

“In excess” titullohet ekspozita e radhës e artistit nga Prishtina me vendqëndrim në Hamburg të Gjermanisë. Mentor A. Ejupi Toro këtë ekspozitë do e hap në galerinë PopArt Store në qendrën tregtare të Edeka nord – Marktkauf-Center Hamburg me 27 mars 2019.

Literatura dhe piktura kanë qenë gjithmonë shtytje për njëra tjetrën, janë bërë shumë shkrime për temat të marra nga pikturat e ndryshme po ashtu janë bërë dhe bëhen akoma shumë piktura të bazuara në ngjarjet e librave nga mjeshtrit e literaturës. Autori i mirënjohur Charles Bukowsky ishte ai i cili shtyu piktorin të merret me ilustrimin apo pikturimin e jetës dhe veprës së autorit autobiografikë.

“Gjatë vitit të kaluar derisa po udhëtoja në metron e metropoles sime, po lexoja gazetën“Zeit“ dhe hasa në një shkrim të mrekullueshëm, ishte letër këmbimi në mes Charles Bukowsky dhe Henry Miller. Isha aq i koncentruar në leximin e letrës saqë kisha kaluar stacionin ku do zbritesha, me dukej vetja se jam në një dhomë në New York dhe po lexoja letrën që më kishte dërguar Charles..“,  shprehet Toro në prezantimin e motivacionit dhe konceptit të kësaj ekspozite.

Pikturat gjigante të formatit si „Charles in New York“ që është 200 x 300 cm e punuar në kanavec të bënë të ndjehesh i vogël si njeri pranë kësaj pune, duke reflektuar një rrëmujë metropolitane, një kaos nga jeta e bujshme e natës por me një kompozicion dhe një perspektiv maestrale, për të dalë në pah „varshmëria“ e Bukowskit ndaj alkoolit dhe epshit erotik por me një abstraksion „konkret“ dallohet dora e zgjatur me një shishe vere në dorë dhe shumë figura femrash që janë të kompozuara me një dinamikë sukseksi – që e bënë të dallohet puna e Toros ndër vite nga artistët tjerë.

Tek puna „ Charles with A.“ kemi një format vertikal 140 x 200 cm i punuar me vaj në kanavec ku përveç portretit të fshehur të Charles Bukowsky kemi një prerje fytyre femre e cila me një epsh shkrihet mbi portretin e fshehur duke dhënë një perspektivë dhe një mashtrim optik të një thellësie të mbyllur në të kaltrën e qiellit. Dekonstruimi i figuratives në këtë abstraksion që përmban shumë simbole erotike të mbanë në një situatë transi meditativ të një momenti nga letrat e Bukowskit drejtuar Henry Millerit.

10 piktura të formateve gjigande do të shpalosen për publikun artdashës në Hamburg në fund të Marsi në ora 18:00./ KultPlus.com

Investimet në trashëgimi, mundësi të reja ekonomike për zonat rurale

Objekte të tjera kulti, të cilat janë restauruar falë programit kombëtar “Rrugët e besimit”, po i shtohen këtë vit itinerarit turistik në vendin tonë si destinacione që ndërthurin kultin, kulturën dhe bukuritë natyrore.

Një prej tyre është kisha e Shën Kollit, Kurjan në të cilën sapo ka përfunduar restaurimi dhe është gati të mirëpresë turistët e huaj dhe vendas. 

Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se, ”investimet në trashëgimi dhe agroturizëm, krijojnë mundësi të reja ekonomike dhe zhvillime në fushën sociale për banorët që jetojnë në zonat rurale. Sapo përfunduam restaurimin në kishën e Shën Kollit, Kurjan, bashkëpunim i shkëlqyer me pushtetin vendor”.

”Fieri ka fatin të trashëgojë kisha, monumente të kulturës, ku Ministria e Kulturës përmes programit të restaurimeve dhe në kuadrin e ndërhyrjes do të bëjnë punën e vet. Modeli i 100 fshatrave është një model zhvillimi ekonomik dhe social dhe ndërhyrjet që do të bëjmë synojnë jo thjesht transformimin e infrastrukturës, por nxitjen e iniciativës për të kaluar në një fazë të re të zhvillimit”, përfundoi ministrja e Kulturës Elva Margariti./A.T.SH/ KultPlus.com

Mediet shkruajnë për anëtarësimin e tri artisteve në PDK, kjo është deklarata e tyre

Për nder të 8 Marsit, Partia Demokratike në Kosovës ka mbajtur një festë me gra të cilat sipas nënkryetarit të PDK-së Uran Ismailit, janë gratë anëtare të kësaj partie në degën e Prishtinës. Në mesin e tyre kanë qenë edhe arkitektja Eliza Hoxha, piktorja Zake Prelvukaj dhe regjisorja Burbuqe Berisha.

Ismaili pamje nga kjo festë i shpërndau edhe në rrjetin e tij social në Facebook çka solli edhe shkrime nga mediet se tri artiste e lartëpërmendura i janë bashkuar PDK-së dhe në këtë mbrëmje janë prezantuar si anëtaret me të reja të kësaj parti.

Mirëpo një lajmë të tillë e ka demantuar regjisorja Berisha e cila për KultPlus ka treguar se ato kanë qenë në këtë festë mirëpo asnjëra nga artistet e përmendura nuk i është bashkuar kësaj partie./ KultPlus.com

Kush është kuratorja që po koncepton linjën muzeale të Galerisë së Arteve?

Kthimi i Galerisë së Arteve në një muze arti, ka qenë një sfidë e hershme e drejtuesve të këtij institucioni ndër vite.

Tashmë Galeria ia ka besuar kurimin e linjës muzeale Nataša Ilić-it.

Së fundmi ajo është angazhuar edhe si drejtuese e Kunsthalle Wien së bashku me anëtaret e tjera të kolektivit kuratorial What, How & for Whom (WHW), i bazuar në Zagreb (Kroaci). Rikonceptimi i linjës muzeale në Galerinë Kombëtare të Arteve pritet të përfundojë në fund të këtij viti.

Nataša Ilić (lindur ne Zagreb) është kuratore e pavarur dhe anëtare e “What, How & for Whom (WHW), qendër kuratoriale në Zagreb e Berlin e fokusuar tek artet pamore. Ajo ka kuruar edicionin e 11 të Bienales së Stambollit më 2009, Pavijonin kroat në Bienalen e Venecias më 2010 si dhe shumë ekspozita të tjera kolektive në Evropë.

Prezantohet ekspozita digjitale me artistët dhe gratë që i inspirojnë ata

Për të festuar 8 Marsin si Ditën Ndërkombëtare të Gruas dhe për të reflektuar mbi gratë që i kemi modele të jetës sonë, mbrëmë në Qendrën Informative dhe Kulturore të Bashkimit Evropian në Prishtinë, me 7 mars, u mbajt një organizim i veçantë në kuadër të ‘EU Gender Talks’.

Organizuar nga EUICC dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ekspozita digjitale u hap në prani të shumë artistëve e qytetarëve të interesuar të cilët edhe u bënë pjesë e ekspozitës me anë të postimeve në Instagram.

Ambasadorja e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesja Speciale e Bashkimit Evropian në Kosovë – Nataliya Apostolova foli para të pranishmëve për rëndësinë e një shoqërie e cila e fuqizon gruan.

https://www.instagram.com/p/BudwIDXnp-f/?utm_source=ig_web_copy_link
Vjosa Berisha dhe gruaja model për të, nëna e saj

“Në prag të festës, duhet të kujtojmë se shoqëritë lulëzojnë kur gruas i jepet mundësi të kontribuojë dhe të inspirojë të tjerët. Bashkimi Evropian i përkrahë gratë e suksesshme, edukimin e gruas, barazinë në pagesën nga puna dhe gruan si vendimmarrëse” tha mes tjerash Apostolova në këtë hapje të ekspozitës.

Ajo falenderoi artistët të cilët u bënë pjesë e ekspozitës digjitale dhe kësaj ceremonie të shënimit të ditës së veçantë për gjininë femërore. Fatmir Spahiu, Besnik Krapi, Fatos Berisha, Zake Prelvukaj e artistë tjerë ishin pjesë e ekspozitës me fotografitë e grave modele në jetën e tyre, të cilat u shfaqën për publikun.

Fatmir Spahiu dhe gruaja model për të, bashkëshortja e tij

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë po kontributon në rritjen e numrit të grave modele në Kosovë. Mandati im në Kosovë përfshin edhe objektivat si: zhdukja në tërësi e çdo lloj dhune ndaj femrave, barazia e grave në vendet e punës dhe shërbimet financiare dhe edukimi e arsimimi për të gjitha vajzat dhe gratë, pa diskriminim” tha mes tjerash Apostolova në fjalën e saj.

Ariana Qosaj dhe gruaja model për të, Igballe Rogova

Gjatë mbrëmjes folën edhe Skender Boshtrakaj – i cili prezantoi punimin e tij mbi gratë e suksesshme kosovare dhe simbolin e njohur ‘Hyjnesha në Fron’, Ariana Qosaj foli më shumë për rëndësinë që gruaja të jetë më e pranishme në jetën politike në vend, dhe Daniel Consentino nga AUK i cili prezantoi pjesë të punimit të tij dhe studenteve të tij nga ky Universitet.


Edhe shqiptarja Ava Max në billbordat e Times Square në New York

Një tjetër këngëtare shqiptare, e cila po pushton prej pak kohësh tregun e muzikës botërore.

Ava Max fitoi vëmendjen e publikut veçanërisht me hitin “Sweet but psycho”.

Por as ajo vetë nuk e priste që posteri i saj të shfaqej në një nga vendet më të njohura në të gjithë botën, në “Times Square” të Nju-Jorkut.

“A është ky realitet?! Në mes të Times Square?! ÇFARË! Faleminderit për të gjithë dashurinë Spotify … e keni bërë vajzën tuaj të qajë! Ju dua të gjithëve shumë”, shkruan këngëtarja krah fotos së publikuar në Instagram.

Posteri duket se është publicitet për këngën e sa të re “So Am I”.

https://www.instagram.com/p/BuwzffulBiz/?utm_source=ig_web_copy_link

Náshta

Nga
Ylberina Veliu

Náshta
Nàshta ti ki ni nánë
Po un’ jo má

Náshta ti puthje ki mi dhuru
Jo si un’ veç lutje mi drejtu
Nashta ti 8 marsin e kalun me ta e ke festu
Jo si un’ pran trupit t’vdekun mu gjunj’zu

Nashta ti e puthe pa nal
Jo si un’ akull n’ballë
Nashta ajo shtriu duart rreth teje
E temës i pushun ngát vetës

Nashta zemra jote sot n’dlirë feston
E mu gjáma e shpirtit pesh po m’çon

Nashta ti sot rrudhat e buk’ra do ledhatosh
Jo si une veç n’foto ta veshtrosh
Dhe sot me plot siguri i lumtun verbnisht nanës sate lule i dhuron
Jo si un’ i dërrmun skajshmërisht lule te varri jo s’i dërgon

Nashtaaa…nashtaa…
S’duhet t’kam zili e t’mbaj mëri
N’kit mërzi që përfundon veç at’herë kur bahna rob i dheut t’zi

10 Gra sa për 1000 Burra

10 Gra sa për 1000 Burra

1. Elena Gjika – shkrimtare dhe frymëzuese e Rilindjes Kombëtare. Njohëse e disa gjuhëve, në shkrimet e saj binin në sy notat e liberalizmit dhe pikëpamjet progresive për shoqëritë e kohës. Një nga shkrimtaret e para që ngriti çështjen e keqtrajtimit të grave dhe domosdoshmërinë për emancipimin e tyre, duke kërkuar trajtim të barabartë mes grave dhe burrave në shoqërinë e asaj kohe.

2. Parashqevi Qiriazi – mësuese dhe aktiviste e lëvizjes kombëtare për arsim. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe i kushtoi gjithë jetën e saj gjuhës shqipe, drejtshkrimit dhe shkollimit në shqip. Hapi disa shkolla lokale ku jepte mësim për nxënësit e fillores në një kohë kur arsimi në shqip ishte i ndaluar. Ndihmoi në krijimin e bibliotekave të vogla në disa fshatra të vendit. Ishte themeluese e shoqërisë së parë të grave në Shqipëri, Ylli i Mëngjesit. Autore e dhjetëra botimeve dhe artikujve mbi shoqërinë shqiptare, politikën, sociologjinë, historinë, filologjinë, letërsinë dhe folklorin.

3. Sevasti Qiriazi – patriote dhe themeluese e Mësënjtores, shkollës së parë në gjuhën shqipe të hapur në vitin 1891 në Korçë. Pjesëmarrëse në Kongresin e Manastirit, ndihmoi në hartimin e librave të parë shkollorë dhe shkroi librin e parë të gramatikës në shqip. Së bashku me bashkëshortin e saj Kristo Dako, hapën shkollën e parë shqipe në Shtetet e Bashkuara dhe pas rikthimit në Shqipëri, themeloi së bashku me të motrën, Parashqevinë, Institutin Femëror Qiriazi në Tiranë në vitin 1922.

Sevasti Qiriazi

4. Urani Rumbo – mësuese, feministe dhe themeluese e shoqërisë ‘Lidhja e Gruas’. Gjatë viteve 1920 botoi shkrime të ndryshme në gazetat Drita dhe Demokracia mbi problemet me të cilat përballeshin gratë në Shqipëri dhe kryesisht çështjen e shkollimit. 
Së bashku me Hashibe Harshovën, Naxhije Hoxhën dhe Xhemile Balilin, themeluan Lidhjen e Gruas dhe publikuan një manifest në gazetën Drita, si formë proteste kundër diskriminimit dhe kushteve të vështira të jetës për gratë. Në vitin 1923, nisi një fushatë për pranimin e vajzave si nxënëse në Liceun e Gjirokastrës.
Në vitin 1925 themeloi shoqërinë Përmirësimi, ku jepte klasa dhe kurse për gratë. Bëri përpjekje për përfshirjen e studenteve dhe grave në trupat teatrore të kohës.

5. Shote Galica – luftëtare e shquar e çetave kryengritëse kosovare për çlirimin dhe bashkimin kombëtar të të gjitha viseve shqiptare në një regjim shtetëror demokratik në Shqipëri. Luftoi heroikisht për 12 vjet me radhë kundër pushtuesve serbë, austrohungarezë e bullgarë. Pjesëmarrëse në kryengritjet e vitit 1919 dhe atyre të viteve 1922-1923. Në korrik 1924 pas vdekjes së të shoqit Azem Galicës, vazhdoi luftimet në krye të çetës së tij.

6. Margarita Tutulani – qëndrestare gjatë Luftës së dytë botërore dhe aktiviste politike. Braktisi studimet jashtë vendit dhe ju bashkua rezistencës anti-fashiste në Shqipëri. Kundërshtoi ashpër pushtimin fashist dhe më 28 Nëntor 1942 ishte një nga organizatoret e demostratave kundër pushtuesve në Berat.

7. Marie Tuçi – mësuese dhe martire e regjimit komunist në Shqipëri. Simbol i emancipimit dhe dinjitetit femëror në kushtet e një regjimi të egër diktatorial. Nxënëse e shkollës së motrave Stigmatine në Shkodër, pas diplomimit dhe angazhimit në Kishën Katolike, u dërgua në Mirditë si mësuese. Në vitin 1946 dënoi pa frikë përndjekjen shtetërore komuniste ndaj besimtarëve katolikë dhe në vitin 1949 u arrestua, u burgos dhe u torturua për muaj me rradhë nga regjimi deri në vdekjen e saj në vitin 1950.

8. Sabiha Kasimati – biologe dhe disidente e regjimit komunist. Punoi për vite me rradhë si mësuese dhe vazhdoi studimet e larta dhe doktorale në Itali. Pas kthimit në Shqipëri punoi si biologe dhe ishte ideatore e krijimit të Muzeut të Shkencave të Natyrës. Në vitin 1951 u akuzua për hedhjen e bombës në Ambasadën Sovjetike, u dënua për agjitacion dhe propagandë dhe u pushkatua bashkë me disa intelektualë të tjerë.

Sabiha Kasimati

9. Servete Maçi – mësuese e shkollës së parë femërore në Tiranë. Filloi mësimdhënien që në moshë 15 vjeçare në kushte të papërshtatshme dhe të vështira. Për aktivitetin e saj u sulmua shpeshherë nga grupet konservatore të kohës dhe përkrahësit e regjimit turk. Përgatiti gjeneratën e parë të mësueseve të gjuhës shqipe.

10. Musine Kokalari – aktiviste politike e kulturore dhe shkrimtare. Mbaroi studimet e larta në Romë për Letërsi. Në veprën e saj ‘Siç me thotë nënua plakë’, Musineja shpjegon vështirësitë e jetës së përditshme të grave në Gjirokastër. Pas përfundimit të Luftës, hapi një librari në Tiranë dhe u angazhua politikisht. Ishte një nga themelueset e partisë Socialdemokrate dhe një nga opozitaret e para politike kundër regjimit komunist. Pak muaj para arrestimit të saj në vitin 1946, u dërgoi një letër aleatëve të vendosur në Tiranë ku kërkonte mbrojtjen e lirisë së fjalës dhe zgjedhjeve të lira. U burgos për 18 vite dhe pas daljes nga burgu jetoi e internuar deri në fund të jetës.

Rita Ora në Australi, flet shqip në radio dhe u mëson disa fjalë shqipe moderatorëve të emisionit

Këngëtarja shqiptare me famë botërore, Rita Ora, është duke zhvilluar turneun e saj të koncerteve në mbarë botën.

Kontinenti i parë me të cilin ajo filloi ishte Australia, ku zhvilloi një sërë koncertesh në Melbourne, Sydney dhe Brisbane.

Teksa ishte atje, Rita ka qenë e ftuar edhe në disa emisione televizive dhe radio, ku ka folur ndër të tjerash rreth suksesit të albumit të saj më të fundit, “Phoenix” të publikuar në nëntor të vitit të kaluar.

E ftuar në një nga radiot më të njohura në Australi, Rita ka dhënë një intervistë shumë interesante, ku ndër të tjerash ka folur edhe për origjinën e saj shqiptare.

Në një video të dërguar nga lexuesit e Telegrafit, në valët radiofonike dëgjohet këngëtarja me prejardhje nga Kosova, teksa u mëson moderatorëve të emisionit disa fjalë në gjuhën shqipe.

Rita u tregon atyre se si thuhet në shqip “Si je? (How are you)”, teksa më pas u mëson atyre edhe përkthimin e fjalës “Congratulations” dhe “Happy Birthday”, që në shqip përkthehen si “Urime” dhe “Urime ditëlindjen”.

Megjithëse me pak vështirësi në të shprehur, Rita nuk e ka harruar gjuhën e saj amtare, të cilën e ka mësuar nga prindërit, dhe siç është shprehur ajo vet, në shtëpinë e saj flitet shqip.

Radiot kanadeze, të gatshme të mos i transmetojnë këngët e Michael Jackson

Dokumentari “Leaving Neverland” ku shfaqen dëshmi të njerëzve të ndryshëm që akuzojnë Michael Jackson për abuzime seksuale kundrejt të miturve, ka bërë që disa media të mos transmetojnë këngët e mbretit të muzikës pop, madje edhe BBC.

Në Kanada, 3 radiostacione kanë hequr dorë nga këngët e Jackson dhe nuk po i transmetojnë më, mirëpo kjo listë mund të zgjerohet edhe më tej, transmeton kosovapress.

“Billboard” ka iniciuar një peticion ku iu kërkon radiove kanadeze të mbajnë qëndrim dhe t’i tregojnë publikut nëse duan apo jo të transmetojnë këngët e Jackson.

Rreth 300 radio kanë thënë se nuk do të ndalojnë së transmetuari këngët e mbretit të muzikës pop derisa të vërtetohen të akuzat.

Në momentin që gjykata konfirmon vërtetësinë, ato kanë thënë se do të ndërpresin menjëherë transmetimin e këngëve të Jackson.

Dokumentari “Leaving Neverland” gjendet në gjykatë ku po analizohet dhe mblidhen fakte për vërtetësinë e dëshmive të paraqitura aty.

ANDRRA solli në Kino Armata emocionin e albumit të saj ‘Palinë’

Mbrëmë në kryeqytet, në organizim të Jahjaga Foundation dhe Ambasadës së Gjermanisë në Kosovë është mbajtur koncerti i Andrrës (Fatime Kosumi).

Kino Armata u mbush me njerëz që së pari panë dokumentarin “Kangë e defa” realizuar nga Kosumi dhe Vincent Moon ndërsa më pas panë performancën e Andrrës, me këngët e nxjerra nga albumi “Palinë”.

‘Nuk do të kishte mënyrë më të mirë për përmbylljen e konferencës së sotme sesa me grupin muzikor Andrra me këngëtaren shumë të talentuar, Fatime Kosumi, e cila me dokumentarin “Kang e Def” dhe muzikën e saj ka rikthyer vlerat tona kulturore duke i promovuar ato brenda dhe jashtë kufijve të Kosovës” ka shkruar në rrjetin social Instagram Atifete Jahjaga, nën patronatin e fondacionit të së cilës u mbajt mbrëmë ky koncert.

https://www.instagram.com/p/BuwyFLJjKmc/?utm_source=ig_web_copy_link

Në koncert, Andrra tregoi se projektin e saj të radhës do ta performojë për herë të parë në Prishtinë ndërsa është e lumtur me ardhjen e saj në Kosovë, për koncertin e mbrëmshëm dhe atë sonte, në Kino Lumbardhi në Prizren.

“Të gjitha këto ceremoni të këngëve me defa për mua kanë qenë traumatike, kur kam qenë e re. Por megjithatë, të gjitha më kanë fascinuar prandaj edhe e kemi realizuar dokumentarin dhe këngët e tilla” tregon Kosumi. / KultPlus.com

‘Në vende si tonat janë madje gratë që luftojnë gratë më shumë sesa burrat….’

Sot nuk dua të festoj, por të protestoj / nga Kaltrina Ibishi

8 marsi quhet kudo në botë dita e gruas, edhe gratë ndër ne e shpallin si ditë feste të tyren duke pushtuar lokalet publike, sheshet, rrugët. Burrat në shumicë, bëhen pjesë e kësaj hipokrizie feste të rrejshme, edhe ja urojnë shoqeve të jetës a të shortit, me fjalë të bukura.

Mirëpo e vërteta është se 8 marsi nuk është festë e njohur as zyrtarisht, dhe gruaja duhet respektuar e nderuar gjithë vitin, gjithë jetën. A është kështu ndër ne ? Jo, edhe për këtë arsye, gratë nuk kanë arsye madje me e festuar edhe një ditë të vetme, por për të protestuar gjithë vitin.

Politika, vendimmarrja është e dominuar nga burrat. Nëse Kosova vuan si krejt Ballkani nga mungesa e qarkullimit të elitave, atëherë udhëheqësit janë burra dhe të njëjtët prej 20 vjetësh. Në këtë konsolidim të pushtetit të tyre, burrat sigurisht ndihmohen nga gra, që janë ministre, zëvendësministre, apo ambasadore, por roli i tyre është dytësor. Situata është pak më ndryshe në shoqërinë civile ku gjenden gra që udhëheqin, por kjo nuk është shpresë e madhe se situata do ndryshojë. Treni udhëhiqet nga lokomotiva dhe jo nga vagonat.

Ju do të thoni se ka gra në politikë edhe në media, pra situata nuk është krejt pa shpresë. Mbase, mirëpo gratë janë armike të grave – është një thënie e vjetër. Në vende si tonat janë madje gratë që luftojnë gratë më shumë sesa burrat. Në përpjekje për të ruajtur dukjen e një vendimarrje ku respektohet barazia gjinore, burrat promovojnë të njëjtat gra. Këto gra nuk lejojnë që kuotat gjinore t’i mbushin disa gra të tjera. Për pasojë, edhe gratë nuk qarkullojnë brenda elitave. Janë të njëjtat fytyra.

Prej nga është krijuar ky problem ? Nga politika ? Besoj se problemi është më i hershëm. Odat … i takojnë burrave edhe gratë vetëm shërbejnë. Feja ? Nuk ka ndihmuar, madje i ka përkeqësuar gjërat. Shikoni çfarë ndodhi me rastin e të miturës së dhunuar në Drenas. Faji ju vu asaj, madje edhe nga Hoxha.

E keqja e madhe është se këto rregulla të pashkruara që e diskriminojnë gruan, janë më të forta se ato të shkruara. Rregullat e ligjit. Gjykatat tona në rast divorcesh, ndarje pasurish, privilegjojnë më të fortin, burrin. Kjo nuk është thjesht prapanike. Kjo është kriminale. Nuk diskriminohet vetëm gruaja, por edhe fëmija apo fëmijët, krijesa të pafajshme martesash fatkeqe.

Jemi shtet i ri, me zakone të vjetra. Kemi hedhur themele të mira për shumëçka, por familja dominohet nga burri. Nuk jam fare për barazinë gjinore, sepse nuk e ndjej solidaritetin e grave për njëra tjetrën, por jam për drejtësinë e shanseve, që të fitojë kush është më i zoti. Jemi shumë larg kësaj arritjeje, andaj sot nuk dua të festoj, por të protestoj.

© Kaltrina Ibishi.

Martesa e Atyre, sonte prej orës 19:00 në Hapësirën Motrat

Sonte në kryeqytet do të mbahet një tjetër organizim artistik që ia vlen të vizitohet.

Bëhet fjalë për ‘Martesa e Atyre’, nga Valentina Bonizzi & ATA.

‘Martesa e Atyre’ është një intevenim performues që hulumton kuptimin shumëdimensional të ‘premtimit’. Kjo punë ka origjinë specifike në Kamëz që gjeografikisht konsiderohet periferia e Tiranës, historikisht Kamëza është qytet që u ndërtua përgjatë migrimit post-komunist më 1991 kryesisht nga pjesët malore të Shqipërisë në pjesën veriore të vendit.

Në këtë hapje të ekspozitës Valentina Bonizzi dhe ATA do të jenë në bisedë të hapur me stafin e Motrave dhe audiencën për të diskutuar për bashkëpunimin e tyre dhe potencialin që ekziston ndërmjet artit dhe aktivizmit.

Ngjarja mbahet prej orës 19:00 në Galerinë/Hapësirën Motrat, prapa Teatrit Kombëtar të Kosovës.

Valentina Bonizzi (lindur në Milano; jeton dhe punon midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shqipërisë)
Duke gërmuar në arkiva dhe komunitete, puna e Valentina Bonizzi-t thekson çështjet e drejtësisë shoqërore në lidhje me politikat e kohës në rrethana të veçanta. Bonizzi punon me një shumëllojshmëri mediumesh si: filmi, fotografia, tingulli dhe ndërhyrjet në hapësira publike.
Valentina ka mbrojtur masterin për Kërkime në Praktikat Pamore në Shkollën e Arteve në Glasgou (Glasgow) dhe doktoraturën (financuar nga AHRC-ja) në Universitetin e Dandisë (Dundee) (Qendra e Kërkimeve Pamore – Visual Research Center).

ATA janë vetë themeluar në vitin 2014, si një grup aktivistësh që vepron dhe punon në Kamëz, qytet i ndërtuar në periferi të Tiranës pas rënies së regjimit komunist. Përgjatë viteve të fundit të veprimtarisë, ATA kanë krijuar qendrën komunitare me të njëjtin emër në të cilën zhvillohen aktivitete social-kulturore duke eksploruar disiplina të ndryshme si arti relacional, gazetaria, antropologjia dhe ligji.
Në vetë të tretë numër shumës, ATA zihen në gojë por nuk janë aty. Mes ‘atyre’ edhe ‘neve’ ka gjithmonë një distancë. Akti i lindur si momenti i vendosjes në liri ruan boshin mes dy përemrave që të shihet më qartë e më thellë tjetri që është përballë.

Rrëfen viktima e dhunës seksuale gjatë luftës: U përdhunova në prani të prindërve, babai vdiq nga sulmi në zemër pas këtij akti

Ishte marsi i vitit 1999, kur një 25-vjeçare u përdhuna seksualisht nga policë serbë, në shtëpinë e saj në Gjakovë, madje në prani të dy prindërve.

Pas këtij momenti, babai i saj pësoi sulm në zemër dhe vdiq, ndërsa ajo u nxor jashtë e zhveshur për ta parë fqinjët e saj, raporton KTV.

Ky ishte rrëfimi i një viktime të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, para pjesëmarrësve të konferencës “Dhënia e zërit këtyre të mbijetuarve”, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsit.

Gruaja e cila foli tha se dhimbja e kësaj plage shtohet kur kryerësit e këtyre veprave janë të lirë dhe askush nga ta deri më tani nuk është dënuar për mijëra raste të tjera të përdhunimit.

Ndonëse u vlerësua puna e shtetit të Kosovës, si i vetmi vend i cili ka filluar me shpërndarjen e pensioneve për këtë kategori, u kërkua përkushtim dhe përkrahje edhe më e madhe.

“Kosova shihet si shembulli më i mirë për përkrahjen që ua ka bërë viktimave të dhunës seksuale, duke hartuar bazën ligjore për dhënien e pensioneve. Edhe shoqëria kosovare duhet t’i mbështesë të mbijetuarit e dhunës seksuale dhe nëse ju duhet ndihma jonë, do ta keni atë, vetëm na thoni”, tha Christian Heldt, Ambasador i Gjermanisë në Kosovë.

“Kosova ka arritur përparim të sigurt që viktimat të dalin dhe të rrëfejnë hapur atë se çka u ka ndodhur dhe të kenë përkrahje. Por dua t’i përmendi edhe dy fusha të tjera për të cilat udhëheqësit e vendit duhet të bëjnë edhe më shumë sikurse janë trajtimi i njëjtë edhe i viktimave të komuniteteve të tjera dhe mbështetja edhe e viktimave të dhunës në familje”, u shpreh Philip Kosnett, Ambasador i SHBA- së në Kosovë.

“Le ta kremtojmë atë që është arritur për këtë kategori, por t’i dëgjojmë edhe zërat e tjerë të viktimave, pasi zëri i tyre është më i fuqishmi”, Ruairi O’Connell, deklaroi Ambasador i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë .

Kryeministri Ramush Haradinaj u zotua se do të vazhdojë ta përkrahë edhe më shumë këtë kategori.

Ndërkombëtarët, gjithashtu, bënë thirrje që keqtrajtuesit të zihen dhe të dënohen për veprat e tmerrshme që kanë kryer, pasi, sipas tyre, kjo dhunë nuk mund të lihet e pandëshkuar.

(Ballina:
Steve Shelton Photography )

Pamje të rralla të shqiptarëve në Novi Pazar në vitin 1904 (VIDEO)

Një prej incizimeve më të rralla konsiderohet videoja që ndoshta është edhe e para e shqiptarëve në Novi Pazar, në vitin 1904.

Këto pamje, të cilat po shpërndahen në rrjete sociale, janë pjesë e dokumentarit të gjatë realizuar nga Frank Mottershaw, regjisor i njohur britanik nga Sheffield dhe Arnold Muir Vilson – politikan, shkruan KultPlus. Teuta Skenderi e ka shpërndarë incizimin dhe pamjet së fundi në Twitter.

https://twitter.com/TeutaSkenderi/status/1103755757223374849

Filmi i tyre pa zë, në 35 mm dhe 54:19 minuta ose 1,480 metrash i gjatë, u shfaq për herë të parë në Londër në dhjetor 1904 dhe në Serbi në prill 1905.

Nga viti 1881 deri me 1912, kjo pjesë ishte pjesë përbërëse e Vilajetit të Kosovës.

Pazari i Ri (Novi Pazar) është kryeqytet i Sanxhakut. Është vendosur në kryqëzimin e lumenjve Joshanicë, Rashkë dhe Dezhevë, në një lartësi mbidetare 496 m. Është i rrethuar me malet e larta të Golijes, Rogoznës dhe Rrafshnaltës së Peshterrit. Në vitin 1991 Pazari i Ri ka pasur 85 500 banorë, ndërsa sot konsiderohet se i ka rreth 120 000 banorë. / KultPlus.com

Dua dhe Dukagjin Lipa marrin lajme të mira për festivalin “Sunny Hill”

Sunny Hill Festival njihet si festivali i parë ndërkombëtar i muzikës që mbahet në Prishtinë dhe që ka sjellë emra të njohur të muzikës në kryeqytet.

Dua Lipa përmes një postimi që ka ndare me miqtë e saj në Facebook ka njoftuar se ajo dhe babi i saj kanë marrë një lajm të mirë për festivalin të cilin do e ndajnë me të gjithë në ditët në vazhdim.

“Sot në konferencën kryesore të ILMC-së  ku me babin tim biseduam për gjithçka përfshirë edhe organizatën Sunny Hill dhe festivalin. Fotografia e fundit tregon se kemi marrë disa lajme të mira për festival të cilat do i ndajmë me ju më vonë”, ka shkruar ajo.

Me karakter bamirësie “Sunny Hill Foundation”, është organizatë bamirësie që është themeluar nën patronazhin e Dua Lipës./ KultPlus.com

Arrestohet mësuesi i cili goditi nxënësin në Malishevë

Së fundi në rrjete sociale ka qarkulluar një video ku shihet një mësues për të cilin është pohuar se është nga Malisheva duke goditur një nxënës. I njëjti sipas raportit të policisë pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Policia përmes raportit 24 orësh njofton se personi i dyshuar ka përfunduar në pranga. Kjo është konfirmuar për lajmi.net nga zëdhënësja e Policisë së Gjakovës, Lirie Podrimaj. Ajo ka bërë të ditur se i dyshuari është ndalur për 48 orë. Për arrestimin e tij është  bërë e ditur përmes raportit 24 orësh.
“Keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike. Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar i cili përmes disa video incizimeve të publikuara në rrjete sociale është parë duke e keqtrajtuar një person. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit, është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin e Policisë./ KultPlus.com

Koncerti i Tunës rikthen Armend Rexhepagiqin në skenë (VIDEO)

Këngëtarja e njohur,  Altuna Sejdiu sonte po promovon albumin e saj “Fortuna”, dhe pranë vetës ka mbledhur edhe disa artistë të njohur.

Albumi përmban 7 këngë ndërsa dy prej tyre janë bashkëpunime,  njëri me artsitin e mirënjohur, Armend Rexhepagiqi,  i cili me këtë projekt po rikthehet në skenë pas më shumë se një dekadë, kurse bashkëpunimi tjetër është me këngëtarin Yll Limani.

Të pranishëm në këtë koncert janë shumë fytyra publike, e një ndër të ftuarat është edhe ish- missi Agnesa Vuthaj. Ajo në Instagram ka ndarë disa momente nga ky promovim e ndër to edhe perfromancën e Armend Rexhepgiqit me Tunën. Për këtë album Tuna ka bashkëpunuar me çftin Armend Rexhepagiqi dhe Aida Barakun./21Media/ KultPlus.com

8 Marsi, dita kur kujtohen padrejtësitë

Nezir Kraki

Të drejtat e gruas vazhdojnë të nëpërkëmben edhe ne demokracitë më të vjetra në botë. As në Francë burri dhe gruaja nuk paguhen njësoj për punën e njejtë, në pozitë të njejtë.

Shumë rrugë është bërë por udhëtimi për barazi të plotë duhet të vazhdojë me guxim e me vendosmëri. 
Prona, puna, rroga, familja, pavarësia individuale, etj. janë veç disa aspekte të jetës ku gruaja nuk shihet dhe nuk konsiderohet me gjykimin e barazisë.

Urime 8 Marsi secilës heroinë që me dinjitet i reziton vrazhdësisë sociale e ekonomike në të cilën jeton./ KultPlus.com