Gratë shkrimtare që lanë gjurmë në letërsi

Gratë shkrimtare kanë lënë gjurmë në historinë e letërsisë botërore. Këto janë 10 prej tyre të cilat duhet t’i lexoni patjetër.

Jane Austen

Austen (1775-1817) ka qenë shkrimtare britanike, e njohur për romanin “Sense and Sensibility”, “Pride and Prejudice” dhe “Emma”. Ajo ishte një femër mendjëhapur dhe jo e mbyllur në petkun e konzervatizmit. Nga frika e dënimit, romanet e saja u botuan në mënyrë anonime. Ajo nuk u martua kurrë sepse sipas saj, gjithçka mund të përballohet në jetë, por martesa pa dashuri nuk funksionon. Romani “Pride and Prejudice” u cilësua si romani më i bukur i shkruar ndonjëherë.

George Sand

Nëse një grua me paraqitjen e saj dinte të shkaktonte një skandal, atëherë ajo ishte George Sand (1804-1876). Romani i saj i parë ishte “Indiana” që u botua në moshën 28 vjeçare të saj. Ajo shkroi afro 80 vepra letrare gjatë tërë jetës së saj. Ajo njihej edhe si një femër luftarake që synonte emancipimin e grave dhe konsiderohej si një nga shkrimtaret më me ndikim të asaj kohe.

Motrat Bronte

Patrick dhe Maria Bronte, qytetarë të klasës së ulët, ndoshta kurrë nuke kishin ëndërruar se tri vajzat e tyre do të bëheshin figurat më eminente të asaj epoke. Pavarsisht arsimit të dobët nga ana financiare, motrat treguan interes të madh për shkrim qysh në fëmijëri. Vdekja e nënës dhe motrës më të madhe iu la trauma në jetën e tyre, gjë që ndikoi shumë në frymëzimin e shkrimit.

Ashtu si gjithë femrat në atë kohë, motrat Charlotte, Emily dhe Anna botuan përmbledhjen e tyre të parë me pseudonime meshkujsh. Si romane më klasike të letërsisë botërore kosiderohen “Jane Eyre”(Charlotte), “Wuthering Heights” (Emily), “Agnes Grey” (Anna). Talenti i tyre i pazakontë dhe fati tragjik i motrave Bronte, nuk ka pushuar asnjëherë të magjeps dashamirët e fjalës së shkruar.

Simone de Beauvoir

Ka lindur në vitin 1908 në Paris. Pas përfundimit të Univerzitetit, ai u takua me shoqen e saj të jetës e që më vonë themeluan dhe redaktuan revistën “Modern Times”. Njihet si romanciere, eseiste dhe feministe. “Gjinia tjetër” është pjesa letrare më me ndikim feminist të shek. 20-të. Romani më i njohur i tij është “Mandarin”, “Një keqkuptim në Moskë”, roman që iu botua pas vdekjes së tij.

Virginia Woolf

U lind në një familje të shquar angleze. Romani i saj i parë i botuar ishte “Journey”, që u prit me komente shumë pozitive. Së bashku me burrin e saj themeloi shtëpinë botuese, ku edhe doli romani i saj i famshëm “Mrs. Dalloway”. Kjo shkrimtare vendoset në mesin e shkrimtareve më të rëndësishme të shek.20-të si dhe një ndër krijueset kryesore të modernizmit. Ajo ka shkruar gjithsej 9 romane, e cila njihet si figurë e shquar feministe që luftoi për të drejtat e grave.

Isidora Sekulic

Ka lindur në vitin 1877, me një fëmijëri të kaluar në Zemun. Ajo iu përkushtua tërë jetës me shkrimet e saja dhe letërsisë. Ajo shkroi romane, tregime, itinerare dhe ese, por ishte e përfshirë edhe në përkthime. Kjo u propozua si anëtare e akademisë shkencore serbe. Megjithëse ajo kishte të gjitha kualifikimet e nevojshme, anëtaret tjerë e bojkotuan sepse nuk dëshironin të kenë një femër në Akademi. Sot, ajo konsiderohet si një nga emrat më të rëndësishme të kulturës serbe.

Selma Lagerlof

Njihet si shkrimtare suedeze e cila ishte e gjymtuar në ije, dhe kështu kaloi një fëmijëri të qetë e rrethuar pranë librave. U arsimua mirë ku edhe shkroi romanin “Mrekullitë e Antikrishtit”, që i solli çmime të shumta. Ajo shkroi novela dhe tregime të shkurtra, por u dallua edhe për librat e saj për fëmijë.

Agatha Christie

Ka lindur në Angli më 1890. Është rritur në një familje ku ka frymuar dëshira për shkrim dhe lexim. Romani i saj i parë “The Mysterious Affair at Styles”, u botua më 1920. Agatha fitoi pothuajse mënjëherë popullaritet dhe gjatë tërë jetës së saj ka shkruar pothuajse 80 romane që janë përhapur në tërë botën. Si autore e famshme e zhanrit detektiv, sot njihet si “Mbretëresha e Krimit”, e cilësuar me shumë çmime.

Pearl Buck

Ishte e para amerikane që fitoi çmimin Nobel në letërsi. Romani i saj i parë “East Wind:West Wind” u bë një bestseller. Edhe me romanin e saj të dytë “Toka e mirë” fitoi çmimin Pulitzer. Kjo shkrimtare njihej edhe si aktiviste e madhe për të drejtat e njeriut, si të drejtat e grave, të refugjatëve, përhapja e kulturës aziatike.

Ursula le Guin

Ka lindur më 1929 në Kaliforni. Ursula që herët ka filluar të mirret me shkrime. Për një periudhë të shkurtë kohore ajo shkroi 5 romane por asnjëri nuk iu botua. Njohja e saj në qarqet letrare u bë përmes romanit “The left hand of darkness”, ku edhe kishte marrë çmime prestigjioze. Romanet tjera të saj janë “Planet of Exile”,”The Telling”, “The Lathe of Heaven” etj. Ajo njihej edhe për aktivitetin e saj në barazinë gjinore, racore, por edhe në mbrojtjen e mjedisit, kulturës dhe shoqërisë. /barazia.com/ KultPlus.com

Drejtoresha gjenerale e UNICEF-it lavdëron punën e vajzës nga Kosova

Eurisa Rukovci është drejtoreshë ekzekutive e organizatës “Social Lab” dhe ideatore e platformës “Shnet”, aplikacionit të parë mobil në gjuhën shqipe mbi shëndetin seksual.

Në videon e realizuar për nder të 8 Marsit, drejtoresha gjenerale e UNICEF-it, Henrietta Fore, e lavdëroi Eurisën si një storje suksesi dhe si një shembull të një vajze që lufton për ëndrrat e saj. Videoja është realizuar nga UNICEF dhe sjell disa shembuj vajzash e grash të suksesshme që angazhohen për përparim shoqëror në vendet e tyre.

Po ashtu, më 8 mars, faqja zyrtare e UNICEF-it e botoi një artikull/blog të shkruar nga vetë Eurisa, ku ajo e shpjegon rrugëtimin dhe rëndësinë e “Shnet”-it. Artikulli i botuar në blogun zyrtar të UNICEF-it mori qindra shpërndarje dhe pëlqime.

Eurisa Rukovci është një psikologe e re nga Prishtina. Pos angazhimit në “Social Lab” dhe “Shnet”, ajo është e angazhuar edhe si aktiviste për të drejtat e grave. Njëherazi, Eurisa është përkthyese librash, ndërkohë që si shkollare e re merret edhe me hulumtime shkencore sociopsikologjike.

“Shnet” është menaxhuar nga Eurisa dhe dy koleget e saj psikologe, Dea Rexhepi dhe Tuena Govori, si dhe është mbështetur nga UNICEF dhe UN Women./ KultPlus.com

https://blogs.unicef.org/blog/birds-bees-now-shnet/

“Besë” dhe “Teshavesha” sjellin koleksion të ri për të ndihmuar nënat dhe fëmijët

Sot është lansua linja për gra shtatzëna e dizajnuara nga kreatorja në New York “Besë” për dyqanin e bamirësisë Teshavesha, lansim ky i cili u mbajt në formë të koktelit në Besë Studio.  Linja e rrobave për gra shtatzëna është prodhuar duke përdorur materiale me përbërje organike në mënyrë që të jenë sa më e rehatshme dhe të shëndetshme për nënën.  Ky koleksioni i veshjeve është i përshtatshëm për veshje gjatë shtatzënisë, mirëpo edhe për gra jo-shtatzëna.

‘’Është ndjenjë e jashtëzakonshme të krijosh vlerë për komunitetin përmes artit. Zhvillimi i kreacioneve për gra shtatzëna ka qenë një proces shumë frymëzues për ne duke gërshetuar nevojën e tregut me kauzën humanitare për shëndet më të mire të grave në Kosovë. Ne sot mezi presim të ndajmë punën tonë me komunitetin”, tha kreatorja Besa Neziri Rugova.

Fondet e mbledhura nga shitja e këtij koleksioni do të financojnë programet të cilat ndihmojnë në përmirësimin e shëndetit të nënave dhe fëmijëve në Kosovë. Përmes këtyre fondeve do të mundësohet blerja e medikamenteve dhe pajisjeve mjekësore, zhvillimi i sistemit të referimit neonatal dhe zhvillimi i qendrave informuese për shëndetin e gruas “Klasat për Nëna”.

Ambasadore e linjës besë x teshavesha është modelja e mirënjohur, Diellza Kolgeci, e cila si nënë në pritje, iu bashkua fushatës me shumë entuziazëm dhe përkushtim për të ndihmuar nënat dhe fëmijët në vend.

“Të jem pjesë e kauzave humanitare si kjo, me bën të ndihem e lumtur dhe me fat që kam fuqinë dhe vullnetin të ndihmojë të tjerët. Ketë 8 Mars po e festojmë së bashku duke ju sjellë diçka të bukur dhe unike, dhe në të njëjtën kohë duke ndihmuar në shpëtimin e jetëve të nënave dhe foshnjave në Kosovë”, theksoi Kolgeci.

Teshavesha është ndërmarrje sociale e cila ka për mision riciklimin e tekstilit për të ngritur fonde të cilat ndihmojnë të ulin normën e shkallës së vdekshmërisë së foshnjave në vend si dhe për të përmirësuar shërbimet shëndetësore të ofruara për nënat dhe fëmijët. Teshavesha riciklon rreth 2,100 kg tekstili në muaj, dhe rreth 25,200 kg tekstili në vit kështu duke kontribuar në ruajtjen e mjedisit. Me anë të fondeve të mbledhura nga Teshavesha jetët e rreth 1000 foshnjave në Kosovë janë shpëtuar si rezultat i përdorimit të medikamentit Survanta, dhe rreth 3000 gra kanë përfituar duke qenë pjesë të ligjëratave falas në Qendrat Informuese Për Shëndetin e Gruas./ KultPlus.com

Faleminderit, jo faleminderit

Vlora Dumoshi

Faleminderit- jo faleminderit për lulet e tua.
Faleminderit – jo faleminderit se unë jetojë çdo ditë jo vetëm një ditë.
Faleminderit – jo faleminderit që jetën time ma morre edhe pse po jetojë.

Faleminderit- jo faleminderit që ta dhurova jetën, dhe nuk e vlerson rëndesinë.
Faleminderit – jo faleminderit që nuk e dua dhunën por na përfshinë në pasiguri.
Faleminderit – jo faleminderit për sekretin e lumturisë dhe akoma ndihemi të pafuqishme.

Faleminderit – jo faleminderit për fuqinë e ëndërrave dhe nënvlersimin e influencës së shpirtit.
Faliminderit – jo faliminderit une jam lodhë dikush të vendos për mua.
Faleminderit – jo faleminderit për kohën që madhështinë që nuk na sjellni.

Faliminderit – jo faliminderit jam lodhë duke e gëllitit zerin tim.
Faleminderit – jo faleminderit për fuqinë në veprime tregohu në mendime.
Faleminderit – jo faleminderit që dini për një pikë dhe atë që nuk dini për një oqean.

Faleminderit – jo faleminderit mendo jam një JETË.
Faleminderit – jo faleminderit injoranca juaj refuzim për të përfituar.
Faleminderit – jo faleminderit e vetmja gjë që bieni ndesh me ne është dashuria.

Faleminderit – jo faleminderit edhe per ju femra që e luftojmë njëra tjetrën.
NDALU, MENDO dhe FITO.
FALEMINDERIT!/ KulPlus.com

Për njërën nga ato

Redon Elshani

Netët e heshtura ranë në gjunjë,
në turp fshehur hëna u struk.
Rrënjët nën shtëpinë e saj,
u bene bloze,
E nën frymën e fundit me britme,
për hir t ‘fëmijëve iu lut.
Dy ulërima t’ çjerrëta jetë,
u dëgjuan në vakum.
Dorën ia zgjati së bijës,
me shikim, pa zë, pa forcë,
lamtumiren e fundit ja veshi asaj mbi sup.
E kur nga dhjetëra plagë i dolën dhimbjet,
amanetin e fundit ja tha veç Zotit,
djalin e vogël edhe një herë,
ta përkëdhel kur t’ prishet moti.
Si shi, do rilindë e lirë,
Në hapësirë e kohë do udhëtoj,
E n’ mundsh t’i besh hile vdekjes,
At’ dite kur t’ martuan,
zhduku që të jetosh.
Po qe desh te shkruhej historia,
E të vrau bota e trashtë,
Qepje tërë natën shami të bardhë,
Nenës si lak t’ia vesh në qafë,
a vdekjes t’ia mbyllesh sytë.
Duart i kishte te ashpra,
Pika të kuqe shpuar me gjilpërë,
Qepte fustanin e së bijës,
Dhurate të fundit, stërpikur me gjak.
Sytë e tua të jeshilta,
Me flakë t’ qëndisur rreth e qark,
Qepte mëndafshin e qiejve,
Se nesër do ikte përgjithmonë, larg.
Por çfarë ishte përgjithmonë?
Çdo të thotë të ikësh larg?
Plagët që s’shëron as koha,
Treten e kalben veç në varr.
Si nuk kishte lajmëtar t ‘thërrasin,
të shpëtosh nga ai xhelat,
Nuk pandehu kurrë ç’do ndodhte,
Tek ndërronte perin në gjilpërë.
Por kur hapa t ‘rëndë i dhanë hije korridorit,
u fut vdekja që thithe shpirtëra,
E kur mëkati si teh thike ndriu,
luftë të humbur të shpalli perëndia.
Kalova pranë shtëpisë sate,
Natën kur ty te vranë,
Nuk të pashë te ikje,
Por hijen ta ndjeva si zë në vaj,
Drithërimë e kobshme, o dritë,
Jetove me vite në skëterrë,
jo me burrin,
por me tëndin armik./ KultPlus.com


Këshilli për Trashëgimi Kulturore reagon për dëmtimet e “Kalasë së Novobërdës – Artanës”

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore përmes një komunikate për media ka shprehur shqetësimin dhe indinjatën e thellë pas dëmtimeve të fundit në “Kalanë e Novobërdës – Artanës”, pjesë e listës së përkohshme, si aset i trashëgimisë kulturore me zonë të veçantë të mbrojtur.

“Shkatërrimi dhe dëmtimi i këtij aseti ka një histori të gjatë, për të cilin KKTK ka raportuar dhe reaguar në vazhdimësi. Në kuadër të raportit për gjendjen e trashëgimisë kulturore që KKTK ka prezantuar në dhjetor të vitit 2018, projekti i “Kalasë së Novobërdës – Artanës”, është pasqyruar si rast që ka tejkaluar të gjitha procedurat e parapara ligjore, dhe gjendja e saj pas intervenimeve mbetet e keqe, me çarje muresh dhe dëmtime të tjera strukturale”, thuhet në reagim.

Ky këshill po ashtu ka bërë të ditur se ky projekt sikurse projektet e tjera nuk është dorëzuar për vlerësim në Këshillin e Kosovës për Trashëgimi Kulturore siç parashihet me nenin 5.2 të Ligjit për Trashëgimi Kulturore.

“KKTK nuk ka asnjë informacion zyrtar se kush e ka vlerësuar këtë projekt, kush ka qenë institucioni përgjegjës për mbikëqyrjen e punimeve dhe kush ka bërë pranimin e punimeve, që tanimë është dëmtuar rëndë dhe rrezikon të rrënohet. Gjithashtu, kompania “Koto” nga Serbia që ka kryer punimet në këtë aset të trashëgimisë kulturore nuk ka qenë e licencuar, siç e parasheh neni 4.16. i Ligjit për Trashëgimi Kulturore”, thuhet në reagim.

Sipas tyre neglizhenca e institucioneve, mungesa e kontrollit dhe llogaridhënies janë disa nga faktorët kryesor që po çojnë në shkatërrimin dhe dëmtimin e trashëgimisë kulturore. Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore po ashtu ka njoftuar se ofron bashkëpunim të gjitha institucioneve të trashëgimisë kulturore dhe palëve të interesit për ruajtjen e saj, duke kërkuar nga të gjitha institucionet përgjegjëse që të respektohet Ligji për Trashëgimi Kulturore dhe ligjet e tjera të fushës, dhe që ndaj personave përgjegjës të iniciohen procedurat e parapara ligjore./ KultPlus.com

‘Të jesh grua është kaq tërheqëse, është një aventurë që kërkon kaq kurajo, një sfidë që nuk të mërzit kurrë’

Oriana Fallaci

Këtë natë kuptova që ti ishe: një grimcë jete e ardhur nga asgjëja. Po qëndroja me sy hapur në errësirë e papritmas në këtë terr, u ndez një dritë qartësie: ti ishe. Ekzistoje. Qe sikur të ndieja një plumb në gjoks. Më ndaloi zemra. Kur rinisi të rrihte me goditje të shurdhëta e të hutuara, kuptova se po rrokullisesha në një pus ku gjithçka ishte e paqartë e terrorizuese. Tani jam këtu, e mbyllur me çelës brenda një frike që më lag fytyrën, flokët, mendimet. E në të humbas. Përpiqu të kuptosh: nuk është frika nga të tjerët. Nuk pyes për të tjerët. Nuk është frika ndaj Zotit. Unë nuk besoj në Zot. Nuk është frikë ndaj dhimbjes. Nuk i trembem dhimbjes. Është frika për ty, ndaj rastësisë që të shkuli nga asgjëja për të të ngjitur në kërthizën time. Nuk kam qenë kurrë gati për të të pritur, edhe pse të kam kërkuar shumë. Kam shtruar gjithmonë pyetjen mizore: Po sikur të mos i pëlqejë të lindë? Po sikur një ditë ti të më qortoje duke britur: “Kush të tha të më sillje në botë, pse më solle, pse?”

Jeta është një mundim i tillë, mor bir. Është një luftë që përsëritet çdo ditë, e momentet e gëzueshme të saj janë aq të shkurtra e paguajnë një çmim mizor. Si mund ta di se nuk do ishte e drejtë të të hidhja tej, si mund të kuptoj se nuk do t’i rikthehesh heshtjes? Nuk mundesh të më flasësh. Grimca jote e jetës është veçse një nyje celulash të sapokrijuara. Ndoshta nuk është as jetë, veç mundësi jete. E megjithatë do jepja gjithçka që ti të më ndihmoje me një shenjë, me një sinjal. Nëna ime thotë se unë ia dhashë dikur e prandaj më solli në botë. Nëna ime, ta dish, nuk më donte. U nisa gabimisht, në një moment zbavitjeje të dikujt. E që të mos lindja çdo natë shkrinte në ujë një ilaç. Më pas e pinte duke qarë. E pi deri në natën kur unë lëviza, brenda kërthizës së saj, e godas më shkelm për t’i thënë mos më hidh tej. Ajo ishte duke vendosur gotën në buzë. E largon menjëherë duke e derdhur në tokë. Disa muaj më pas unë rrotullohesha fitimtare në diell e se qe mirë apo keq nuk e di. Kur jam e lumtur, mendoj se qe një e mirë, kur jam e palumtur, them se qe një e keqe. Edhe kur jam e palumtur, mendoj se do më vinte keq të mos lindesha, pasi asgjëja është më e keqja e asgjësë. Unë, po ta përsëris, nuk i trembem dhimbjes. Ajo lind me ne, rritet me ne e me të mësohemi si me faktin se kemi dy krahë e dy këmbë. Unë në fund të fundit nuk i trembem as vdekjes, pasi një që vdes, do të thotë se ka lindur, se ka dalë nga asgjëja. Unë i trembem asgjësë, mosqenies, detyrimit për të thënë se nuk isha, rastësisht, o gabimisht, apo thjesht për zbavitjen e tjetrit.

Shumë gra pyesin: Pse të sjell në botë një fëmijë? Për të pasur uri, për të pasur ftohtë, për t’u tradhtuar, fyer, për të vdekur i vrarë në luftë apo nga sëmundja? E mohojnë shpresën që uria e tij të ngopet, që i ftohti i tij të ngrohet, që besnikëria e respekti të jenë miq, që të jetojë gjatë duke tentuar të eliminojë sëmundjet e luftën. Ndoshta ato kanë të drejtë.

Po asgjëja duhet preferuar ndaj vuajtjes? Unë madje dhe në intervalet kur qaj për falimentimet e mia, deluzionet e mia, hallet e mia, konkludoj se të vuash është më mirë se asgjëja. E po ta shtoj këtë jetë me dilemën lind o nuk lind, përfundoj duke eksklamuar se lindja është më mirë se moslindja. Si thua, është e drejtë të shtrosh një arsyetim të tillë edhe për ty? Nuk është si të të sjellësh në botë për veten time e mjafton? Nuk më intereson të sjell në botë për vetveten e mjaft. Madje, nuk kam aspak nevojë për ty.

Do të jesh burrë o grua?

Do të doja të ishe grua. Do të doja që ti të provoje një ditë atë që po provoj unë: nuk jam aspak dakord me nënën time që thotë se të lindësh grua është një fatkeqësi. Nëna ime, kur ishte e hidhëruar, pëshpëriste: Ah sikur të kisha lindur burrë! E di: është një botë e fabrikuar për burrat e për burrat, diktatura e tyre është kaq antike që shkon deri te mënyra e shprehjes. Thuhet burrë për të thënë burrë e grua, thuhet fëmijë për të thënë djalë o vajzë, thuhet bir për të thënë bir o bijë, thuhet vrasës për të treguar një burrë o një grua. Në legjendat që meshkujt kanë krijuar për të shpjeguar jetën, krijesa e parë nuk është një grua, por një burrë i quajtur Adam. Eva vjen më pas për ta argëtuar e për të krijuar telashe. Në pikturat që zbukurojnë kishat e tyre, Zoti është një plak me mjekër: kurrë një plakushe me flokë të bardhë. E të gjithë heronjtë e tyre janë meshkuj: nga ai Prometeu që zbuloi zjarrin, tek Ikari që tentoi të fluturonte e deri tek Jezusi që e shpallin si biri i Shpirtit të Shenjtë – pothuajse sikur gruaja nga e cila lindi të ishte një inkubatriçe apo një dado. E megjithatë, pikërisht për këtë të jesh grua është kaq tërheqëse. Është një aventurë që kërkon kaq kurajo, një sfidë që nuk të mërzit kurrë. Do të kishe kaq gjëra për të bërë po të lindje grua. E për ta nisur do të të duhej të luftoje për të bindur se Zoti, po të ekzistonte, mund të ishte dhe një plakë me flokë të bardhë apo një vajzë e bukur. Më pas do të të duhej të shpjegoje se mëkati nuk lindi në ditën kur Eva këputi mollën: në këtë ditë lindi një virtyt i mrekullueshëm i quajtur mosbindja. Në fund do të të duhet të luftosh për të demonstruar se brenda trupit tënd të lëmuar e me forma, ndodhet një inteligjencë që ulëret për t’u dëgjuar. Të jesh nënë nuk është një zanat. Nuk është as një detyrë. Është vetëm një e drejtë midis shumë të drejtash. Do të lodhesh shumë duke ulëritur. E shpesh, pothuajse gjithmonë do të humbësh. Por nuk duhet të skurajohesh. Të luftosh është shumë bukur se sa të fitosh, të udhëtosh është shumë më argëtuese se sa të mbërrish: kur ke arritur o ke fituar , të kesh është një boshllëk i madh. E për të kapërcyer këtë boshllëk duhet të rifillosh udhëtimin, të krijosh zbulime të reja. Po shpresoj që ti të jesh një grua, pavarësisht se unë të quaj bir. E shpresoj që ti të mos thuash kurrë atë që thotë nëna ime. Unë nuk e kam thënë kurrë.

Po dhe po të lindje burrë, unë do të isha e kënaqur njëlloj. E ndoshta më shumë, sepse do të të kursehen kaq shumë injorime, shumë shërbime, shumë abuzime. Po të lindje burrë për shembull, nuk do kishe frikë se mos të përdhunonin në errësirën e një rruge. Nuk do të nevojitej një fytyrë e bukur për t’u pranuar me vështrimin e parë, as një trup i bukur për të fshehur inteligjencën. Nuk do t’u nënshtrohesh paragjykimeve dashakeqëse kur të flesh me kë të të pëlqejë, nuk do të dëgjosh të të thuhet se mëkati lindi kur këpute një mollë. Mund të luftosh më rehatisht për të bindur se Zoti dhe po të ekzistonte mund të ishte një plakushe me flokë të bardha ose një vajzë e bukur. Mund të mos bindesh pa u tallur, të dashurosh pa u zgjuar natën me ndjenjën se po rrokullisesh në një pus, të mbrohesh pa u insultuar. Natyrisht do të të takojnë skllavëri të tjera, padrejtësi të tjera: as dhe për një burrë jeta nuk është as e lehtë, ta dish. Derisa të kesh muskuj të fortë do të të kërkojnë të mbash sa më shumë pesha, do të imponojnë përgjegjësi arbitrare. Derisa të kesh mjekër, do të qeshin po të qash, madje dhe kur të kesh nevojë për ngrohtësi. Derisa të kesh një bisht para, do të të urdhërojnë të vrasësh ose të vritesh në luftë, do të kërkojnë pjesëmarrjen tënde për të vendosur tiraninë e krijuar në shpella. E megjithatë apo pikërisht për këtë, të jesh një burrë është gjithashtu një aventurë e mrekullueshme: një detyrë që nuk do të zhgënjejë kurrë. Të paktën shpresoj, pasi po të lindësh burrë, do të jesh një burrë siç unë e kam ëndërruar gjithmonë: i ëmbël me të dobëtit, i egër me prepotentët, zemërgjerë me këdo që të do të mirën, i pamëshirshëm me atë që të urdhëron. E në fund, armik i cilitdo që tregon se Jezusi është biri i Babait të Shpirtit të Shenjtë, e jo i gruas që e lindi. Biri im, po përpiqem të të shpjegoj se të jesh burrë nuk do të thotë të kesh një bisht para, do të thotë të jesh një person. E mbi të gjitha mua më intereson të jesh një person.

Është një fjalë e mrekullueshme fjala person, pasi nuk vë limite midis burrit e gruas, nuk vë barrikada midis kush ka bisht e kush jo. Nga ana tjetër filli që ndan kush ka bisht e kush jo është një fill aq i hollë, që praktikisht shprehet me aftësinë e pjekurisë o jo të një krijese në kërthizë. Zemra e truri nuk kanë seks. As sjellja. Po të jesh një person me zemër e tru, mbaj mend se unë nuk do të jem nga ata që do të urdhërojnë të sillesh në këtë mënyrë a në tjetrën, femër a mashkull qofsh. Do të të kërkoj vetëm të shfrytëzosh mirë mrekullinë e ardhjes në jetë, të mos i dorëzohesh kurrë frikës. Është një shtazë përherë në pritë, frika. Na kafshon të gjithëve, çdo ditë e janë pak ata që nuk lejojnë të kafshohen nga ajo. Në emër të kujdesit, të komoditetit e të herë dhe të urtësisë. Frikësohen kur kërcënohen nga rreziku e sapo ai largohet, njerëzit bëhen arrogantë. Nuk duhet të shmangësh kurrë rrezikun, edhe kur frika të frenon. Të vish në jetë është vetë një rrezik i pendimit se pse ke ardhur. Në vend të frikës unë ndiej një lloj melankolie, një lloj pakënaqësie që zbeh edhe humorizmin tim. Më vjen keq të vdes, po. E nuk harroj kurrë atë çka më thënë Ana Magnani vite më parë: “Oriana ime, nuk është e drejtë të vdesësh, meqenëse kemi lindur”.

Kadaresë i rriten mundësitë për të fituar çmimin Nobel

Nuk është hera e parë për shkrimtarin, të kandidohet për çmimin “Nobel”.

Ismail Kadare ka dy mundësi këtë vit, për të marrë një “Nobel”. Akademia Suedeze nuk ndau çmimet për letërsinë, për shak se u përfshi në një skandal seksual. Tashmë me një profil të njohur për lexuesit nga e gjithë bota, Kadareja renditet si autori që nuk i shpëton sërish një çmimi si “Nobel”.

Akademia ka shpjeguar se do të ketë dy çmime për letërsinë. Kandidatët për vitin 2018 dhe vitin 2019, do të shpallen gjatë vjeshtës, ndërkohë Akademia e Shkencave të Shqipërisë ka propozuar kandidaturën e shkrimtarit dhe akademikut Ismail Kadare.

“Kurrë nuk është vonë që, sipas së drejtës cesariane, merita e shpërblyer të shkojë tek i merituari,”– është saktësuar nga Akademia e Shkencave, teksa u rikonfirmua propozimi për shkrimtarin shqiptar, i cili, tashmë i përket letërsisë mbarëbotërore, si zëri më unik dhe origjinal në letërsinë bashkohore shqipe./konica.al / KultPlus.com

Alketa Xhafa Mripa për Al Jazeera: Nuk mund të qëndroj indiferente ndaj padrejtësive

Artistja kosovare Alketa Xhafa- Mripa ka biseduar për artin e saj në një storie të realizuar nga televizioni Al Jazeera, përcjellë KultPlus.

Alketa Xhafa Mripa e cila ka shkuar në Londër si një refugjatë pasi që ishte larguar nga Kosova gjatë luftës së fundi ka treguar se përmes artit të saj përpiqet që të vë në pah çështjet si emigracioni, refugjatët, dhunimet gjatë luftës e të tjera.

“Ne të gjithë kemi një qëllim në këtë botë. Unë nuk mund të qëndroj indiferente ndaj padrejtësive. Qëllimi im është që ti vë në pah këto çështje përmes kreativitetit. Unë duhet që të veprojë. Duke përfshirë shoqërinë dhe dukë i vënë ata në dijeni për këto çështje ndryshimet mund të bëhen. Arti mund të ndryshojë botën”, është shprehur ajo për Al Jazeera.

Alketa Xhafa Mripa ka biseduar për jetën e saj dhe instilacionin e saj ku në një kamion kishte ftuar komunitetin në Britani për të pirë kafe dhe për të biseduar me të si një refugjatë duke kërkuar kështu edhe besimin e tyre.

Ajo po ashtu ka biseduar edhe për instilacionin e saj “Mendoj për ty” ku kishte vendosur rreth 5 mijë fustane në stadiumin e futbollit  “Fadil Vokrri” në Prishtinë si dhe për projektin e saj “Edhe muret kanë vesh” në kuadër të kësaj storie./ KultPlus.com

Nesër në Dodona vjen shfaqja për fëmijë “Dashuri në fund të detit”

Nesër në teatrin e kukullave vjen shfaqja për fëmijë “Dashuri në fund të detit” duke filluar nga ora 12:00, shkruan KultPlus.

Legjenda thotë: ”Kush e gjen medalionin magjik, botën do ta sundojë”. Një pirat i vetmuar lundron detit të pafund në kërkim të medalionit. Në një stuhi në det, pirati e shpëton një princeshë nga valët e detit dhe i kërkon që ajo të zhytet në det për ta kërkuar medalionin, pasi atë vetëm një person me shpirt të pastër guxon ta prekë me dorë. Princi i mbretërisë së detit e shpëton Princeshën nga kthetrat e oktapodit të madh dhe aty e kuptojnë se para shumë kohësh ata kishin luajtur bashkë. Pirati merr një porosi në shishe dhe e kupton se s’ka çfarë të bëjë pos të pres, të lundrojë nëpër det dhe të shpresojë ta gjej thesarin.

Autor dhe regjisor: Valdet Rama. Kukullat dhe skenografia: Valdet Rama, dizajni i dritave: Skender Latifi, konsulente: Rina Rama, skicat e skenës dhe kukullave: Rinor Rama. Luajnë: Roza Berisha Fejzullahu dhe Avni Hoti.

Për rezervime mund të thirrni në 038 230 623 çdo ditë, prej orës 10:00 deri 16:00. Kjo shfaqje është për fëmijëe e moshës 3+./ KultPlus.com

https://web.facebook.com/events/155488598716880/

Sherife Luta, gruaja simbol e eksodit të Kosovës

Thonë se një fotografi vlen sa njëmijë fjalë. Është një moment i kapur nga aparati i fotografit boshnjak të agjencisë Reuters, Damir Sagolj, që e ktheu Sherife Lutën nga Kosova në simbolin e refugjatëve kosovarë të Bllacës së Maqedonisë 18 vite më parë.

Sherife Luta asokohe ishte 22 vjeçe dhe mbante në gji vajzën e saj 6-muajshe, Besën. Ditën e 8 marsit 1999, ajo ishte një grua që doli nga shtëpia me foshnjën dhe babanë e saj për t’i shpëtuar granatimeve të serbëve në fshatin Ivajë në Kaçanik të Kosovës.

Bashkëshorti iu bashkua Ushtrisë Çlirimtare, së bashku me burrat e tjerë të rinj e të fuqishëm.

Ndërsa Sherifja, një nënë e re, e paveshur, me pelenën e vajzës në kokë, e pangrënë, në një mot të ftohtë e me dëborë, eci për afro një muaj të tërë në këmbë me mijëra banorë te tjerë që po përpiqeshin t’i shpëtonin luftës. Deri në datën 3 ose 4 prill, kur u shkrep dhe fotografia që hyri në histori.

Duke folur për herë të parë për një televizion shqiptar, protagonistet e fotografisë, Sherife dhe Besa Luta, kanë rrëfyer vështirësitë e atij rrugëtimi dhe habinë kur kanë parë foton.

“Pasi kishim ecur 24 orë pa ndërprerje,  vajza ngriu dhe nuk qante më. Kishte ngrirë. Mendova që kishte vdekur. E mori kunata ime dhe e futi në furrë të sobës të një shtëpie në Bllacë.

Pas dhjetë minutash nisi të qante dhe refugjatët e tjerë nisën të duartrokisnin. Aty nisa të qaj. Kisha shumë emocione”, tregon e përlotur Sherife Luta.

Ajo tregon gjithashtu se si, gjatë eksodit, shumë njerëz i humbnin ndjenjat, rrinin ditë të tëra pa ngrënë, madje ka pasur dhe gra që kanë lindur maleve. Ato i janë mirënjohëse fotografit boshnjak.

“Do të donim ta takonim fotografin dhe ta falenderonim. Habitem si e ka kapur këtë foto që ka tronditur botën”, thotë Besa.

Përveç fotografisë, ata e ruajnë edhe sot e kësaj dite edhe batanijen që e mbështillte Besën atë ditë.

Më pas, pjesë e intervistës është bërë edhe kryefamiljari Mirvat Lutaj, invalid i luftës së Kosovës.

Ai tha se ishte shumë e vështirë të ndahej nga gruaja dhe nga vajza dhe thekson se lufta ka kosto dhe sakrifica. Pasi u ritakuan, në qershor, familja Lutaj e ndërtoi një shtëpi te re në Kaçanik të Vetër dhe u shtua edhe me dy djem.

Tashmë ato ditë të vështira mbijetese kanë mbetur pas. Vendin e ftohtësisë dhe frikës, e kanë zënë pranvera dhe paqja.

E huaj në prani

Nga Sibel Halimi

Barku është i vetmi
Atdhe legjitim
Gjithandej territore të pushtuara
Nga të fortit
Që enden mbi kuaj trojanë
Të humbur në fëmijërinë e hershme

Gjithmonë është rikthimi
Sepse e tashmja s`ka ekzistuar ndonjëherë
Veç projeksion faltarësh
Shndërrim në dhé
Përhumbje në ëndrrën e buburrecit

Trupi është dëshmia e vetme
Ani se të helmuar me ekzistencën e shpirtit e mendjes
Lojë ideologjie
Për t`na bërë të huaj në praninë tonë

Trupin ta mbulojmë me turp
Drithërimat t`i përçojmë në qiell
Ekzistencën ta mohojmë
të ndryshmen…

Duke lindë prej barku
Gratë bijnë tek mbahen për trupi si bastun
Gjykimin si ekstrakt lindje

Abstrakcionin si mohim
Rikthimin, gjithmonë si fillim

OSBE: Dhuna ndaj grave dominon shoqëritë në Shqipëri e Kosovë

Sipas studimit të OSBE, 16 milionë gra në rajonin e Evropës Juglindore kanë përjetuar forma të ndryshme të dhunës, gjatë jetës së tyre nga mosha 15 vjeçare, raporton DW.

Organizata per Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë ka dalë me rezultatet e studimit ndoshta më të madh deri më tani për dhunën ndaj grave në Evropën Juglindore, të publikuar të mërkurën në Bruksel. Raporti është punuar pas anketimit të grave nga Bosnja dhe Herzegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia Veriore, Moldavia, Serbia, Shqipëria dhe Ukraina. Gjithsej, gjatë vitit 2018 janë anketuar 15,179 gra të zgjedhura mbi bazën e rastësisë, me qëllim të gjetjes së “natyrës së dhunës ndaj grave si dhe qëndrimin e tyre ndaj raportimit të dhunës”.

“Më shumë se dy të tretat e grave që jetojnë në rajon mendojnë se dhuna është bërë pjesë e përditshmërisë në vendet e tyre, ndërsa një e pesta mendojnë se dhuna është shumë e zakonshme”, ka thënë Thomas Greminger, sekretari i përgjithshëm i OSBE-së. “Këto janë fakte të papranueshme si nga aspekti human ashtu edhe nga spekti i sigurisë dhe stabilitetit, por edhe nga aspekti socio ekonomik”, ka shtuar ai.

Kosova dhe Shqipëria

Të dhënat paraqiten në përgjithësi dhe disa nga to janë të ndara sipas shtetit. Në një të dhënë, ku Kosova dallon shumë nga rajoni është në pyetjen nëse femra e ka për obligim të kryejë marrëdhënie seksuale me partnerin e vet edhe kur nuk nuk ka dëshirë. Njëzet e gjashtë për qind të grave të anketuara në Kosovë kanë menduar se e kanë këtë obligim, përderisa mesatarja në rajon është 17 për qind, ndërsa në Shqipëri është 19 për qind.

Sa i përket arsyetimit të marrëdhënies seksuale pa miratimin e gruas për shkak të rrethanave të ndryshme edhe këtu Kosova dhe Shqipëria e mbajnë përqindjen më të lartë të “tolerancës”. Seksi pa dëshirë në martesë arsyetohet nga 25 për qind të grave të anketuara në Kosovë dhe 17 për qind në Shqipëri, sa është edhe mesatarja në rajon.

Përderisa sa i përket ndërhyrjes nga jashtë në familje në rast dhune, 62 për qind e grave të anketuara të Kosovës kanë thënë se të tjerët duhet të ndërhyjnë, në Shqipëri ky numër është 56 për qind, ndërsa mesatarja është 48 për qind. Përgjigje negative në ndërhrjen nga jashtë më së shumti kanë dhënë gratë nga Moldavia, ku vetëm 41 për qind kanë thënë se palët e treta duhet të ndërhyjnë.  Forma më e përhapur e dhunës është ajo psikologjike nga partneri intim.

Fajësimi i viktimave

Sipas raportit, gratë viktima që janë edhe të fajësuara për dhunën, mendojnë se gratë duhet të urdhërohen nga burrat dhe se dhuna familjare duhet të jetë çështje private. “Të dhënat nga anketimi tregojnë, se besimi në nënshtrimin e gruas dhe heshtja e rrethit, vazhdon të dominojë në rajon dhe se gratë me besime të tilla janë viktimat më të shpeshta” thuhet në raport.

Sipas të dhënave nuk ka asnjë grup social të grave që është i përjashtuar nga mundësia e përjetimit të dhunës mirëpo disa grupe janë më të rrezikuara, këtu bëjne pjesë gratë që jetojnë në varfëri, varësi ekonomike dhe gratë me fëmijë. Raporti u prezantua të mërkurën në Bruksel .

Karvani në edicionin jubilar në kujtim të Agim Devës

Fëmijë të disa shkollave fillore të Prishtinës të enjten janë mbledhur në bibliotekën kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”, për të qenë pjesë e ceremonisë së organizuar për ata.

Karvani i shkrimtarëve për fëmijë “Agim Deva” ka nisur rrugëtimin për këtë vit si zakonisht më 7 mars, në Ditën e Mësuesit. Edicioni i 20-të këtë vit do t’i kushtohet dhjetëvjetorit të vdekjes së shkrimtarit, pedagogut, studiuesit të letërsisë dhe themeluesit të Karvanit, Agim Deva. Fëmijë të shkollave fillore të Prishtinës kanë recituar disa nga poezitë e Devës në këtë ngjarje.

Koordinatori i Karvanit, Xhevat Syla, ka thënë se merita për themelimin e Karvanit i takon Agim Devës. Ka sqaruar se para 20 vjetësh Deva, i cili vdiq më 2009, e kishte ideuar Karvanin si një ngjarje e cila do të forconte zemrat e fëmijëve pas luftës nëpër rajone të ndryshme të vendit.

“Ideja u përkrah nga shkrimtarët për fëmijë. Përkrahja institucionale dhe gatishmëria e shkrimtarëve bënë që të kemi 1500 takime letrare me fëmijë të shkollave fillore në Kosovë, Preshevë, Ulqin, Tuz, Kukës e vende të tjera”, ka thënë Syla. Sipas tij, fryma tolerante e Devës bëri që Karvani të mbushë 20 vjet. Ka shpjeguar se këtë vit Karvani synon të jetë i pranishëm në mjedise më të thella të vendit, ku nuk ka qenë më parë. / KultPlus.com

‘Nuk pranohen urimet e burrave që…’

Fjolla Spanca / Facebook

Nuk pranohen urimet e burrave qe i tradhtojne grate e veta me gra t’tjera! ”Per pike qejfi”

As pranohen urimet e burrave qe prej nanave kerkojne vec me i mbush xhepat!

S’pranohen urimet e grave qe i shkelin & dhunojne shoqet e veta, per egoizem, izem, izem, izem…

S’pranohen urimet e Presidentit / Kryemninistrit/ Ministrave /Deputeteve e Gjyqtareve qe per hater t’karriges kane hesht’ sa here grave u asht marre jeta.

Perndryshe; sot NUK ASHT dita e Nanes. Asht PERPJEKJA e cdo gruaje per me e ruejt Veten mrena vetes’ & prej egoizmit t’shfrenuem t’atyne qe grate i kqyrin si Fryme pa vlere, pa jete!

FjollaSpanca
Mars. 2019

Profesori Izet Curri dhuron lule për studentet e Institutit të Modës në Shkup

Izet Curri është një shembull i veçantë i një ligjëruesi.

Mes përqafimeve e buzëqeshjeve, e nisin çdo ditë studentët e Institutit Ndërkombëtar të Dizajnit të Modës “Izet Curri” që ndodhet në kryeqytetin e Maqedonisë. Kurse për çdo 8 mars, profesori Curri vjen me duart e mbushur plot me lule që ua dhuron studenteve të këtij instituti.

Izet Curri është një stilist i mahnitshëm, një dizajner kostumesh dhe një ligjërues me një karrierë 37 vjeçare në Akademinë e Masterit Francais. Pas karrierës së tij të shkëlqyer në Paris, ka krijuar edhe dy shkolla, një në Kosovë dhe një në Shkup: “Design Factory” dhe ” Instituti Ndërkombëtar i Dizajnit të Modës “Izet Curi”. Vitin e kaluar, ai ka fituar çmimin “Inspirational Visionary Award 2018” në Slloveni, shkruan KultPlus.

Izet Curri mendon se është e turpshme që vendet me potencial e më shumë talent nuk janë në gjendje ta zbulojnë kapacitetin e talentëve që kanë. Ai mendon se në Evropën Juglindore ka industri, por nuk ka modë. Ndikimi i modës, domethënë, rrjedh gjithmonë nga vendet më të fuqishme si Franca, Italia ose Anglia./ KultPlus.com

Dua Lipa, në mesin e personaliteteve që kërkojnë nga qeveritë të mbrojnë dhe përkrahin gratë

Në vitin 2019-të, në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, është e tmerrshme të mendohet se në asnjë shtet të botës gratë dhe burrat nuk i gëzojnë të drejtat e barabarta.

Kështu fillon letra e 76 grave të të gjitha fushave dërguar Qeverisë së Anglisë, për të mbrojtur gratë dhe për të përkrahur ato që janë të zëshme për kauzën feministe.

Jo vetëm Qeverisë së Anglisë, por letra kërkon që të gjitha qeveritë e botës duhet të angazhohen më shumë për të mbrojtur të drejtat e grave.

“U bëjmë thirrje qeverive të besojnë në ekspertizën e organizatave që merren me të drejtat e grave, të sjellin drejtësi për ata që shtypin këto të drejta. Duhet të forcojmë ligjet që ndihmojnë gratë dhe i vendosin ato në vendin e tyre të duhur, e të denjë, barabartë me burrat dhe qeniet tjera. Gratë kudo janë duke u shtypur. Kjo duhet të stopohet tash” shkruhet mes tjerash në letrën e nënshkruar prej këtyre 76 grave.

Emma Watson, Keira Knightley, Emma Thompson, Dua Lipa, Chimamanda Ngozi Adichie, Wunmi Mosaku, Sarah Solemani, Felicity Jones janë në mesin e emrave që e kanë nënshkruar këtë letër. / KultPlus.com

Minxhozi e viziton Nexhmije Pagarushën për 8 mars

Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Gruas ka takuar divën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha.

Minxhozi i ka dhuruar divës shqiptare një buqetë me lule, teksa i ka uruar asaj shëndet.

“Një ditë të veçantë, për një person të veçantë, një buqetë me lule e merituar për divën e muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha. I uroj shëndet e lumturi”, ka shkruar Minxhozi në Facebook.

Ndryshe, në tetor të vitit 2018 Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që Nexhmije Pagarusha të ketë statusin e qytetares me merita të veçanta si vlerë e kontributit të saj në promovimin e muzikës së mirëfilltë shqipe. / KultPlus.com

Dua Lipa, fituese e dyfishtë në Global Awards

Në këtë 8 mars, nuk e nisim ditën pa Dua Lipën.

Ajo ka fituar mbrëmë në ndarjen e çmimeve Global Awards.

Dua ka marrë çmimin Këngëtarja më e mirë femër dhe çmimin për Këngëtaren më të mirë britanike.

Ajo ka falenderuar të gjithë për këtë sukses të radhës, derisa ka postuar fotografi nga mbrëmja në Londër.

https://www.instagram.com/p/BuvfuIRhrGy/?utm_source=ig_web_copy_link

Gjatë natës një çmim e ka fituar edhe Lady Gaga. / KultPlus.com

Spo du lule 1 ditë, kur marr therra 364 ditë

Fjolla Besimi / Facebook

Nuk pe du lulen tande sot, po du qe kur t’eci rruges tem’ mos me m’thane: ta hanksha ‘lulen’.

Nuk po pe du urimin tand sot, kur un i qes hapat rruges me urimin qe frustrimi yt ska me m’bo pishman qe jam dale prej shpise.

E ti, qe i qet referatet ka 20 rreshta sot tu e uru ‘diten e nanes’, je po aj qe e njek ni grue dej n’shpi 20 minuta tu ja thane fjalet ma t’poshtra qe asaj si heken prej mendje ma shume se 20 dite, e t’ishe ule nja 20 minuta me mendu’ ato 20 minutat e tu e kane ba dikan qe zemra mi dale pi venit dej ka mbrri n’shtepi.

E ti,
mos ma jep lulen n’shesh,
ne t’njejtin shesh ku ti tenton me m’preke,
ne t’njejtin shesh kur ti rri si qen i jarguem tu prite kush kalon me e shfry epshin prej idioti.

Spo du lule 1 dite, 
kur marr therra 364 dite.

‘Jam unë, ajo që dashninë jau mësova…’

Nga Vlora Konushevci

Jam kanë unë 
ai fetusi që e keni gërry 
se oxhaku s’ju ka timu 
se pushka s’asht ni
se këmisha s’asht çky.

Jam kanë unë
ajo që e keni djegë për shtrigë 
e keni vajtu, shënju hala pa e pa botën n’sy!
Ajo çika, mallkimi juej, kryqi i kërkujt.

Jam kanë unë 
ajo që e keni shitë për bagëti 
një palë frena n’shpi, dy palë çobanit
plumbi n’pajë të nusnisë 
pa tagër, rob për shpi.

Jam kanë unë 
ajo që e keni mësu me shuejt 
me duru 
Dhunimin
Poshtnimin
Shkretimin
Dashninë kurrë s’ma keni mësu

Jam unë 
Ajo që dashninë jau mësova 
dhunimit ja këputa krahët 
poshtnimin e shtina n’dhe 
shkretimin e ndava prej gjinit 
e oxhakun jau timova!

Burrat nuk kjajnë!

BURRAT NUK KJAJNË!

Nanë! 
Sot, në këtë ditë ftohtë dhjetori, tuj udhetue me autobus, perballë meje, pashë pamjen ma të bukur që syni mund të sodisin. Nji fëmije të vogël qi puthte t’amën pa pushim. E për dreq nja dy pika lot me ranë njashtu pa i miratue, aq sa më erdh marre prej njerëzve që m’i kishin ngul sytë e më shihnin me habi. “Burri nuk kjanë- më erdhen në mend fjalët e tua , qi mi thoje fëmi , kur qaja se nji teke e jemja nuk u plotësonte. Sot mbas shumë vitesh më kaloi feminia nëpër mend, e mu kujtu sesa rrallë të kisha puth unë ty nanë, po sa shumë të kisha dasht. Po njashtu si fmi i llastuem, kurrë s’dita me ta tregue at dreq dashnie. Mu kujtonte fort mirë kur nji çokollate në doren teme, ishte gjithmonë nji kafshatë bukë ma pak për tjerët e për ty . Po ti kurrë s’u ankove, po ashtu tuj fsheh brengat nën shami, ndoshta shpesh ke fjet pa u ngi me bukë. Nëpër mend më kaluan kujtimet, e kur i vuna në peshore ,më dolën qe ty nanë ma shumë te kam pa tuj kjajt sesa tuj kesh. Erdh’ nji ditë kur u bana burrë, e mu desht me e provu emigrimin. Si gjylpanë më thernin në zemër, lotët e tu kur më përcolle n’derë, e sa u merzite ti nanë edhe pse unë kurrë nuk pata kanë djali “ideal” për ty. Kam ec kambë atë natë, maleve të Greqise e kurrë nuk të thashë sa e veshtirë u ba ajo rrugë për mue . Jo prej lodhjes, po se në çdo përfytyrim më dilte fytyra jote, më dilnin lotët e tua që kur i kujtoja , mu bajshin kurth në kambë e me ec nuk më lenin. Dy vjet në vend të huaj , a e di sa më ke mungu nanë? Po asnjiherë nuk e dhashë veten kur folnim bashkë në telefon, se ti përherë me thojshe – ” Burrat nuk kjajnë,,. Eh, më pyet nji herë kur telefonin e mbyllja, e u shtrija ne atë krevat të dalun fare, sesa herë e kam la jastekun me lot. Isha i ri fort, e larg teje s’dukej ndryshe veç si i tretun. E di nanë, asht marre me kjajt , po unë nuk u bana ndojherë “burrë” Mu ka thye zemra shpesh , po ti kurrë nuk e more vesh se ti e din , jam tip i mbyllun , po edhe s’kam dasht me ti shtue mërzite. E prapë sot kur jeten teme e vej në peshore , mërzitem ma fort, se e di se s’të kam dashtë aq sa duhet , ose të kam dasht po nuk kam ditë me ta thanë. E sot unë s’muj me e u gezue e me u defrye se ndihem në faj kur e gjej veten të lumtun, tu e dit sa ke vujt. Por, du ta dish, andrra jeme ma e bukur je ti, je dita jeme me diell gjithmonë, je gezimi ma i madh edhe pse keto i patëm me pikatore në këtë jetë. Du ta dish nanë, edhe pse s’ta them, unë sa herë vij në shpi , kur shoh ftyrën tande , çdo të keqe harroj. Nji përqafim i joti ,jetën ma shton. Të du nanë, të kam dasht gjithmonë edhe pse kurrë s’ta thashë sa duhet. Djali yt asht krenar për ty!

Liridon Mulaj

Hapet ekspozita “Hasjania” në Prizren

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në hapjen e ekspozitës së skulptorit Luan Mulliqi, të titulluar “Hasjania”, e cila u organizua në Galerinë e Hamamit në Prizren, aktivitet ky i organizuar nga MKRS-ja pas hapjes së zyrave të saj në qytetin jugor të Republikës së Kosovës.

Ministri Gashi, siç njofton kumtesa, tha se në ditën më të rëndësishme të arsimit shqip, më 7 mars po hapin këtë ekspozitë.

“Ju do të thonit se çfarë lidhje ka 7 marsi me hasjanët, unë do të shtoja se mësuesi i shkrimtarëve të parë shqiptarë ishte Pal Hasi, nga i cili kishin mësuar Gjon Buzuku e Pjetër Budi, për të vazhduar më pas me Pjetër Bogdanin e Pjetër Mazrrekun, që gjithashtu janë nga Hasi i Skënderbeut. Andaj edhe unë u lumturova kur dëgjova për këtë ekspozitë dhe me kënaqësi e pranova që të jetë nën organizim të Ministrisë për Kulturë Sport dhe Rini”, u shpreh ministri.

Gashi foli edhe për artistin Luan Mulliqi, me ç’rast vlerësoi se prezenca e tij e nderon qytetin e Prizrenit. Ai tha se akademik Mulliqi ka realizuar ekspozita personale në vende të ndryshme të botës si dhe në hapësirën mbarëshqiptare, e tani këtë radhë vjen edhe në Prizren, në qytetin shpirtëror të shqiptarëve, edhe javë më parë MKRS-ja ka hapur zyrat e saj.

“E veçanta e kësaj ekspozite është shpalosja me përpikëri e veshjes së femrave hasjane, që pa dyshim është një ndër veshjet më unikale dhe të veçanta jo vetëm në vend, por edhe më gjerë. Ndaj, pikërisht kjo veçanti dhe vlerë e trashëgimisë së veshjeve hasjane, e frymëzoi skulptorin Mulliqi, që të skulpturojë për disa vite 40 skulptura”, tha Gashi.

Skulpturat që u paraqitën në këtë ekspozitë janë të punuara nga mermeri, bronzi, druri, alumini, magoni e materiale të tjera, klasike e modern dhe përmes saj synohet të dëshmohet se trashëgimia jonë kulturore duhet të pasqyrohet sa më shumë brenda dhe jashtë vendit.

Ministri Gashi tha se nuk do të mungojë përkrahja jonë si institucione, sepse trashëgimia kulturore e jona është pasaporta që dëshmon për lashtësinë, vlerat artistike dhe njerëzore të shqiptarëve në Evropë dhe në botë.

Ndërsa akademik Mulliqi shprehu falënderimin e tij për mundësinë e dhënë që veprat e tij artistike të kenë mundësinë të shfaqen në qytetin që është vatër e kulturës shqiptare./KultPlus.com

Arben Kola me plis në kokë në Parlamentin Evropian, kërkon mbrojtjen e lumenjve

KultPlus ju sjellë pamje gjatë konferencë “Ruaj lumenjtë e Ballkanit, rezisto ndaj hidrocentrale” e cila është mbajtur në Parlamentin Evropian në Belgjikë.

Në mesin e të pranishëmve të cilët kanë diskutuan për dëmet që shkaktojnë hidrocentralet në natyrë dhe që kërkuar ruajtjen e lumenjve duke përfshirë këtu edhe lumin Valbona dhe Lumbardhin ka qenë edhe aktivisti Arben Kola.

“Mendoj që ju keni çelësin për të ruajtur paqen në Ballkan pasi që ajo që i lidhë njerëzit në Ballkan është natyra dhe turizmi. Këtë problem e gjejmë në Shqipëri, Serbi, Maqedoni dhe Kosovës po ashtu. Prandaj besoj që duhet që të reagoni dhe të shpëtoni këtë industri e cila më bëri që të rikthehem dhe të jetojë në Shqipëri pasi që kam jetuar si një imigrantë në Evropë më herët dhe nuk dëshirojë që të largohem përsëri. Prandaj ju lutem bëni diçka”, është shprehur Kola në fjalimin e tij një minuetesh ku morën pjesë edhe aktivistë të tjerë të shoqërisë civile./ KultPlus.com